ATV

Author: A.M.

  • Milani mendon për Phil Fodenin, anglezi mund të zëvendësojë Leaon

    Milani mendon për Phil Fodenin, anglezi mund të zëvendësojë Leaon

    Emri i Phil Fodenit ka përfunduar në radarët e Milanit. Mesfushori ofensiv i Manchester Cityt i është propozuar klubit italian si një përforcim i mundshëm për repartin ofensiv.

    Sipas Claudio Raimondit të SportMediaset, raportuar nga MilanNews.it, një ndërmjetës ua ka ofruar Fodenin disa klubeve evropiane, mes tyre edhe Milanit, me drejtuesit kuqezi që po e shqyrtojnë seriozisht profilin e reprezentuesit anglez.

    Foden vjen pas një sezoni të vështirë te Manchester City, ku raportet me klubin janë ftohur ndjeshëm. Situata ndikoi edhe te kombëtarja angleze, pasi Thomas Tuchel vendosi ta lërë jashtë listës për Kupën e Botës.

    Kontrata e tij skadon në vitin 2027, por lojtari nuk ka ndërmend ta rinovojë marrëveshjen me kampionët e Anglisë, duke e bërë largimin një mundësi reale.

    Manchester City kërkon rreth 50 deri në 60 milionë euro për kartonin e Fodenit, një shumë që Milani beson se mund ta mbulojë pothuajse tërësisht me shitjen e Rafael Leaos. Kuqezinjtë shpresojnë të arkëtojnë afërsisht të njëjtën shumë nga largimi i portugezit.

    Edhe nga ana financiare operacioni konsiderohet i realizueshëm. Foden dhe Leao përfitojnë paga të ngjashme, rreth 7 deri në 7.5 milionë euro në sezon, çka e bën këtë transferim të mundshëm edhe nga aspekti ekonomik.

  • Franca dhe Anglia luajnë ndeshjen për vendin e tretë në Kupën e Botës

    Franca dhe Anglia luajnë ndeshjen për vendin e tretë në Kupën e Botës

    Sonte zhvillohet ndeshja e parafundit në Kupën e Botës 2026 ndërmjet Francës dhe Anglisë,ku njëra kombëtare synon që të sigurojnë medaljen e bronztë në fund.

    Të dyja kombëtaret të cilat në fillim të këtij botërori u konsideruan favorite për trofeun e Kupës së Botës,por zhgënjyen në gjysmëfinale ku francezët u eliminuan nga Spanja teksa në anën tjetër anglezët u mposhtën në minutat e fundit nga kampioni aktual i botës Argjentina,dhe medalja e bronztë për njërën skuadër do të ishte një lloj ngushëllimi.

    Në anën tjetër për yllin e Real Madrid-it Kylian Mbappe do të jetë një rast i mirë,ku nëse shënon daj anglezëve ose regjistron një asistim do të kalonte  Lionel Messin i cili ka 8 gola po aq sa francezi,vetëm nëse ylli argjentinas nuk shënon në finale ndaj Spanjës.

    E njëjta gjë vlen edhe për sulmuesin e Bayern Munich-ut Harry Kane,i cili nëse shënon hattrick dhe Mbappe nuk shënon gol dhe anglezi do të shkonte në 9 gola në botëror.

    Kujtojmë që ndeshja Francë-Angli pritet të zhvillohet në Miami Garden Stadium në Miami me fillim nga ora 23:00.

  • Mohamed Salah drejt Besiktas-Klubi turk nis bisedimet për transferimin e yllit egjiptian

    Mohamed Salah drejt Besiktas-Klubi turk nis bisedimet për transferimin e yllit egjiptian

    Gjiganti turk Beşiktaş ka hyrë në garë për transferimin e ish-sulmuesit të Liverpoolit, Mohamed Salah, duke zhvilluar bisedime për një marrëveshje të mundshme me yllin egjiptian.

    Pas largimit nga Liverpooli në fund të sezonit të kaluar, Salah është bërë një nga futbollistët më të kërkuar në tregun e lojtarëve të lirë. Sipas raportimeve, drejtuesit e Beşiktaşit kanë intensifikuar përpjekjet për ta bindur 34-vjeçarin që ta vazhdojë karrierën në Superligën turke.

    Raportohet se në fazën e parë të negociatave, përfaqësuesit e Salahut kanë kërkuar një pagë neto prej 15 milionë eurosh në sezon. Edhe pse kjo shumë konsiderohej e lartë për mundësitë financiare të klubit, bisedimet kanë vazhduar dhe palët thuhet se kanë bërë përparim.

    Sipas të njëjtave burime, Salah ka shprehur gatishmëri për të rishikuar kërkesat e tij financiare, me qëllim që të arrihet një marrëveshje me klubin nga Stambolli.

    Ndërkohë, përfaqësuesi ligjor i futbollistit thuhet se ka mbërritur në Stamboll për të zhvilluar takime me drejtuesit e Beşiktaşit, ku në qendër të diskutimeve është një kontratë shumëvjeçare.

    Beşiktaşi synon të ndërtojë një skuadër konkurruese për sezonin e ri, me objektivin për të rivalizuar Galatasarayn dhe Fenerbahçen në garën për titull. Afrimi i një lojtari të kalibrit të Mohamed Salahut do të ishte një nga goditjet më të mëdha të merkatos verore, nëse transferimi realizohet.

    Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga Beşiktaşi apo nga Mohamed Salah për arritjen e një marrëveshjeje.

  • FIFA shqyrton masa disiplinore ndaj Argjentinës pas pankartës politike për Ishujt Falkland

    FIFA shqyrton masa disiplinore ndaj Argjentinës pas pankartës politike për Ishujt Falkland

    FIFA po shqyrton mundësinë e marrjes së masave disiplinore ndaj Argjentinës, pasi disa futbollistë të saj shfaqën një pankartë me mesazh politik pas fitores 2-1 ndaj Anglisë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.

    Pas vërshëllimës përfundimtare të ndeshjes së zhvilluar të mërkurën, disa lojtarë argjentinas u panë duke mbajtur një pankartë me mbishkrimin “Las Malvinas son Argentinas”, që në shqip do të thotë: “Ishujt Falkland janë argjentinas”.

    Mes futbollistëve që mbanin pankartën ishin Lisandro Martínez, Cristian Romero dhe Giovani Lo Celso. Mesazhi i referohej konfliktit të vitit 1982 mes Argjentinës dhe Britanisë së Madhe për Ishujt Falkland, luftë në të cilën humbën jetën 649 ushtarë argjentinas dhe 255 britanikë.

    Ishujt Falkland janë një Territor Britanik i Përtejdetit në Atlantikun Jugor, por prej dekadash mbeten objekt i një mosmarrëveshjeje për sovranitetin mes Britanisë së Madhe dhe Argjentinës.

    Rregulloret e FIFA-s ndalojnë qartë shfaqjen e mesazheve politike gjatë aktiviteteve futbollistike. Madje, në vitin 2014, Federata Argjentinase e Futbollit u gjobit me 20 mijë funte pasi futbollistët shfaqën të njëjtën pankartë para një ndeshjeje miqësore ndaj Sllovenisë.

    Sipas The Guardian, zëdhënësi i kryeministrit britanik Keir Starmer konfirmoi se ai mbështet kërkesën e ministrit Peter Kyle që FIFA të hetojë incidentin.

    Ndërkohë, një zëdhënës i FIFA-s deklaroi të enjten se organi qeverisës i futbollit botëror po shqyrton raportet e ndeshjes përpara se të vendosë nëse do të ndërmarrë masa disiplinore ndaj Argjentinës.

    “Si pjesë e procedurës standarde, Komisioni i Pavarur Disiplinor i FIFA-s po shqyrton raportet e ndeshjes dhe po vlerëson të gjitha rrethanat përkatëse, përpara se të vendosë mbi hapat e mundshëm të mëtejshëm në përputhje me Kodin Disiplinor të FIFA-s”, thuhet në deklaratën e organit qeverisës.

    Reagimi i FIFA-s vjen pasi Qeveria e Ishujve Falkland kërkoi zyrtarisht vendosjen e sanksioneve ndaj Argjentinës për shfaqjen e pankartës me përmbajtje politike.

  • LeBron James mban në pritje NBA-në: Vendimi i tij po vonon finalizimin e kalendarit të sezonit

    LeBron James mban në pritje NBA-në: Vendimi i tij po vonon finalizimin e kalendarit të sezonit

    Një nga basketbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, LeBron James, vazhdon të mbajë në pritje të gjithë NBA-në. Edhe pse ka qenë agjent i lirë që nga 1 korriku dhe ka pasur mundësinë të nënshkruajë me cilëndo nga 30 skuadrat e ligës, ai ende nuk ka marrë një vendim për të ardhmen e tij.

    Pritja tashmë ka hyrë në ditën e 17-të dhe ka krijuar një situatë të pazakontë, pasi edhe Komisioneri i NBA-së, Adam Silver, ka pranuar se vendimi i James po ndikon në finalizimin e kalendarit të sezonit të ri.

    “Do të doja që ai ta shpallte vendimin sa më shpejt, në mënyrë që të finalizojmë orarin. Kemi marrë telefonata nga klubet, rrjetet televizive dhe të gjithë presin që kalendari të përfundojë. Vendimi i tij do të ndikojë në javën e parë të sezonit, programin e ndeshjeve të Krishtlindjeve dhe në shumë aspekte të tjera”, deklaroi Silver.

    Këto komente tregojnë qartë rëndësinë që ka vendimi i LeBron James për NBA-në, veçanërisht pas marrëveshjes rekord për të drejtat televizive. Liga ka shitur të drejtat e transmetimit për 11 vitet e ardhshme për rreth 76 miliardë dollarë, me partnerë si NBC, Disney dhe Amazon.

    Para fillimit të çdo sezoni, këta partnerë ndajnë mes tyre ndeshjet më të rëndësishme, si ato të javës hapëse, Ditës së Krishtlindjeve dhe datave të tjera me audiencën më të lartë. Në këto raste përzgjidhen skuadrat më tërheqëse për publikun, ndërsa ekipi ku luan LeBron James ka qenë pothuajse gjithmonë pjesë e këtij programi. Jo më kot, ai ka luajtur në Ditën e Krishtlindjeve për 19 sezone radhazi.

    Përveç kësaj, çdo skuadër e NBA-së merr një numër të caktuar ndeshjesh që transmetohen në nivel kombëtar. Të gjitha ekipet kanë të paktën dy transmetime, ndërsa skuadrat më tërheqëse mund të kenë mbi 20.

    Pikërisht për këtë arsye, NBA po pret vendimin e James për të përcaktuar se cila skuadër do të ketë më shumë ekspozim televiziv dhe cilat ekipe do të luajnë në datat më prestigjioze të sezonit.

    Sipas raportimeve nga SHBA-ja, Cleveland Cavaliers, Minnesota Timberwolves dhe Philadelphia 76ers janë ndër skuadrat që kanë shanse për të siguruar shërbimet e LeBron James. Nëse ai zgjedh Clevelandin ose Minnesotën, të dyja tregje më të vogla, ato pritet të përfitojnë ndjeshëm nga rritja e numrit të transmetimeve kombëtare. Nëse vendos për Philadelphian, ndikimi në programim do të ishte më i vogël, pasi bëhet fjalë për një treg të madh televiziv.

    Situata ka krijuar një skenar të rrallë në NBA, ku vendimi i vetëm një lojtari po ndikon drejtpërdrejt në planifikimin e një biznesi shumë miliardë dollarësh dhe në organizimin e të gjithë sezonit të ri.

  • Lionel Messi u kundërpërgjigjet kritikëve: Asgjë nuk na është dhënë, finalen e kemi merituar

    Lionel Messi ka reaguar ndaj kritikave pas fitores me rikthim 2-1 të Argjentinës ndaj Anglisë, duke theksuar se kualifikimi në finalen e Kupës së Botës është rezultat i cilësisë dhe mentalitetit të skuadrës, e jo i ndonjë favorizimi.

    Kapiteni i Argjentinës u është përgjigjur zërave që akuzojnë kampionët në fuqi të botës për favorizim nga gjyqtarët dhe nga strukturat drejtuese të futbollit.

    Sipas Messit, aftësia e Argjentinës për të përmbysur rezultatin në momentet vendimtare të ndeshjeve është fryt i karakterit fitues të ekipit dhe jo i faktorëve të jashtëm.

    Pasi ishte në disavantazh 1-0 deri në minutën e 85-të, Argjentina përmbysi gjithçka në gjysmëfinalen ndaj Anglisë dhe fitoi 2-1, duke siguruar një vend në finalen e Kupës së Botës, ku do të përballet me Spanjën.

    Triumfi u festua nga dhjetëra mijëra tifozë në rrugët e Buenos Airesit. Ishte një tjetër rikthim spektakolar që dëshmoi karakterin e skuadrës së Lionel Scalonit, e cila tani ndodhet vetëm një fitore larg mbrojtjes së titullit botëror.

    Gjatë këtij Botërori, Argjentina ka kaluar momente të vështira. Ajo eliminoi Kepin e Gjelbër dhe Zvicrën vetëm pas kohës shtesë, ndërsa ndaj Egjiptit realizoi një rikthim të jashtëzakonshëm, duke fituar 3-2, megjithëse ishte në disavantazh 2-0 deri në minutat e fundit të kohës së rregullt.

    Pas këtyre ndeshjeve, trajnerët e Zvicrës dhe Egjiptit kritikuan ashpër arbitrimin. Madje, përzgjedhësi i Egjiptit, Hossam Hassan, deklaroi se skuadra e tij ishte viktimë e një sistemi që, sipas tij, favorizon Messin dhe Argjentinën.

    Këto deklarata shtuan edhe më shumë spekulimet në rrjetet sociale, ku disa tifozë pretenduan pa prova se FIFA po favorizon Argjentinën në rrugën drejt mbrojtjes së titullit.

    “Ne kemi qenë më të mirët në katër vitet e fundit, pavarësisht nëse kjo i pëlqen apo jo dikujt dhe pavarësisht se çfarë thotë kushdo. Edhe një herë dëshmuam se jemi mes dy ekipeve më të mira në botë. Kjo tregon se gjithçka që kemi arritur nuk ka qenë rastësi dhe se asgjë nuk na është dhënë”, deklaroi Messi.

  • Arsenali rikthehet në garë për Julian Alvarez, po përgatit një plan me Gyokeres

    Arsenali rikthehet në garë për Julian Alvarez, po përgatit një plan me Gyokeres

    Julian Alvarez vazhdon të jetë një nga emrat më të përfolur në tregun e transferimeve. Edhe pse sulmuesi argjentinas është i fokusuar te Kupa e Botës 2026 me kombëtaren e Argjentinës, e ardhmja e tij mbetet në qendër të vëmendjes së klubeve më të mëdha evropiane.

    Atletico Madridi vazhdon të këmbëngulë se llogarit në shërbimet e 26-vjeçarit edhe për sezonin e ardhshëm, por kjo nuk i ka penguar klubet e interesuara të eksplorojnë mundësinë e transferimit të tij.

    Sipas raportimeve nga Anglia, Arsenali është rikthyer fuqishëm në garë dhe po monitoron nga afër situatën e reprezentuesit argjentinas.

    Gazetari Ben Jacobs raporton se klubi londinez po shqyrton një operacion të ndërlikuar, i cili mund të përfshijë edhe sulmuesin suedez Viktor Gyokeres, për të lehtësuar negociatat me Atletico Madridin për Alvarezin.

    Sipas të njëjtit burim, Arsenali është i vetëdijshëm se prioriteti i Alvarezit mbetet një transferim te Barcelona. Megjithatë, drejtuesit londinezë besojnë se Atletico Madridi nuk është i gatshëm ta shesë një nga lojtarët e tij më të rëndësishëm te një rival i drejtpërdrejtë në La Liga.

    Ky qëndrim i klubit madrilen mund t’u hapë rrugë skuadrave jashtë Spanjës. Arsenali beson se ka ende shanse reale për ta bindur si lojtarin, ashtu edhe Atletico Madridin, nëse paraqet një ofertë bindëse si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë financiar.

    Alvarez është nën kontratë afatgjatë me Atletico Madridin dhe konsiderohet një nga figurat kyçe të projektit të klubit. Paraqitjet e tij gjatë sezonit të kaluar, të kombinuara me performancat mbresëlënëse me Argjentinën në Kupën e Botës, kanë bërë që vlera e tij në treg të rritet edhe më shumë.

    Një nga detajet më interesante të këtij operacioni lidhet me Viktor Gyokeres. Sipas Ben Jacobs, Arsenali po shqyrton mundësinë e dy lëvizjeve paralele: transferimin e Julian Alvarezit në “Emirates”, ndërsa Atletico Madridi do të kishte mundësinë të afronte Gyokeresin si zëvendësues në repartin ofensiv.

  • Alarm për cilësinë e ajrit para finales së Kupës së Botës Spanjë–Argjentinë

    Alarm për cilësinë e ajrit para finales së Kupës së Botës Spanjë–Argjentinë

    Vetëm pak ditë para finales së Kupës së Botës, autoritetet në Nju Jork dhe Nju Xhersi kanë lëshuar një alarm shëndetësor për shkak të cilësisë së dobët të ajrit. Shkak është tymi nga zjarret pyjore në Kanada, i cili ka mbuluar sërish zonën metropolitane. Për këtë arsye, qytetarëve u është bërë thirrje të qëndrojnë sa më pak në ambiente të hapura dhe të kufizojnë aktivitetet fizike.

    Finalja e shumëpritur mes Spanjës dhe Argjentinës është planifikuar të zhvillohet të dielën, me fillim nga ora 21:00, në stadiumin MetLife në East Rutherford. Cilësia e ajrit u përkeqësua pak para mbërritjes së kombëtares spanjolle të mërkurën në mbrëmje, pas fitores në gjysmëfinale ndaj Francës në Teksas.

    Pavarësisht kushteve atmosferike, Spanja zhvilloi një seancë stërvitore në ajër të hapur të enjten, pa ndonjë problem të dukshëm, ndërsa deri më tani nuk ka reaguar publikisht për situatën. Nga ana tjetër, Argjentina, që eliminoi Anglinë në gjysmëfinale, pritet të zhvillojë stërvitjen e parë në Nju Xhersi gjatë ditës së premte.

    Qielli i mbuluar nga tymi dhe temperaturat e larta kanë ndikuar tashmë në disa aktivitete sportive në rajon. Të mërkurën, ndeshja e Ligës Kombëtare të Futbollit për Femra (NWSL) mes Gotham FC dhe Washington Spirit u zhvillua në Citi Field, pavarësisht mjegullës së dendur portokalli që mbulonte stadiumin. Për shkak të nivelit të lartë të ndotjes së ajrit (AQI), rregullorja e ligës parashikoi dy pushime për hidratim në secilën pjesë të lojës.

    Pas përfundimit të takimit, yllja e Washington Spirit, Trinity Rodman, deklaroi se, sipas saj, ndeshja nuk duhej të ishte zhvilluar në ato kushte.

    Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë sinjal se finalja e Kupës së Botës do të ndikohet. Parashikimet meteorologjike tregojnë se cilësia e ajrit do të përmirësohet gjatë së premtes, ndërsa reshjet e shiut të parashikuara për të shtunën pritet të pastrojnë pjesën më të madhe të tymit, duke krijuar kushte më të favorshme për finalen mes Spanjës dhe Argjentinës, e cila pritet të ndiqet nga mbi 80 mijë tifozë në stadium.

  • Thomas Tuchel: Mbajtja e topit nuk është në ADN-në e Anglisë

    Thomas Tuchel: Mbajtja e topit nuk është në ADN-në e Anglisë

    Kur Thomas Tuchel u kthye te stoli në minutën e 72-të, duke zëvendësuar golashënuesin Anthony Gordon dhe duke kaluar në një skemë me pesë mbrojtës për të ruajtur epërsinë, tifozët anglezë mbajtën frymën. Ishte një skenar që e kishin parë edhe më parë.

    Megjithatë, pasi Argjentina përmbysi rezultatin dhe fitoi 2-1, duke eliminuar Anglinë nga një tjetër gjysmëfinale e Kupës së Botës, Tuchel refuzoi të merrte përsipër të gjithë fajin për qasjen e tij taktike.

    Trajneri gjerman dha një vlerësim të ashpër pas ndeshjes, duke argumentuar se problemi kryesor nuk ishte sistemi i lojës, por një mangësi psikologjike e rrënjosur në futbollin anglez.

    “Në atë moment, ndjesia ime ishte se asnjë strukturë në botë nuk do të na kishte ndihmuar, sepse ishim shumë pasivë dhe nuk ishim mjaftueshëm fizikë. Nuk i ndaluam lojtarët që depërtonin në zonën tonë dhe as dërgesat tona nuk ishin të sakta”, deklaroi Tuchel.

    Ai theksoi se gjithçka ndryshoi menjëherë pasi Anglia kaloi në epërsi.

    “Nuk i kam parë ende të dhënat, por mendoj se menjëherë pas golit momenti ndryshoi plotësisht dhe posedimi ynë i topit ra në mënyrë drastike. Nuk fituam më duele dhe u tërhoqëm gjithnjë e më thellë. Nuk ishte ky plani, por kështu ndodhi”, u shpreh ai.

    Sipas Tuchelit, skuadra nuk arriti të ndalte depërtimet e mesfushorëve kundërshtarë dhe nuk ishte në gjendje të rikthente kontrollin e lojës.

    “Duhet ta rikthesh topin, përndryshe nuk mund ta thyesh presionin dhe nuk mund ta rifitosh vrullin. Mendoj se posedimi i topit luan një rol vendimtar. Ndoshta kjo nuk është pjesë e ADN-së sonë, siç është për Spanjën, Argjentinën apo Brazilin, të cilat e marrin topin dhe e kontrollojnë lojën”, përfundoi trajneri gjerman.

  • Erling Haaland kritikon arbitrin pas eliminimit: Të gjitha vendimet 50-50 shkuan kundër nesh

    Sulmuesi i Norvegjisë, Erling Haaland, ka shprehur zhgënjimin e tij pas humbjes 2-1 ndaj Anglisë, pas vazhdimeve, në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026, duke vlerësuar paraqitjen e skuadrës së tij, por edhe duke kritikuar vendimet e arbitrave në momentet kyçe të takimit.

    “Për të qenë i sinqertë, është shumë e vështirë ta përshkruaj atë që ndiej tani. Mendoj se meritonim më shumë.

    “Në të njëjtën kohë, ishim vetëm një hap larg eliminimit të Anglisë. Ka një ndjenjë boshllëku, por njëkohësisht jemi krenarë që luajtëm një çerekfinale kundër Anglisë dhe i dhamë një betejë të fortë. Emocionet e mia janë të përziera”, deklaroi Haaland.

    I pyetur për dy vendimet e diskutueshme të gjyqtarit gjatë ndeshjes, sulmuesi norvegjez nuk e fshehu pakënaqësinë.

    “Janë pikërisht këto episode të vogla që vendosin fatin e ndeshjeve në Kupën e Botës. Kundër Brazilit arritëm t’i kthenim në favorin tonë, por sot, në të gjitha situatat 50-50, vendimet shkuan kundër nesh. Kur luan ndaj një skuadre si Anglia, kjo e bën gjithçka shumë më të vështirë”, u shpreh ai.

    Haaland u ndal edhe te goli i anuluar i Norvegjisë, duke vënë në dyshim vendimin e arbitrit.

    “Ne arritëm t’ia impononim lojën kundërshtarit. Martin kontrolloi ritmin e ndeshjes dhe luajtëm ashtu siç kishim planifikuar. Shënuam gol, por ai u anulua sepse, sipas gjyqtarit, unë shtyva Elliot Anderson gjatë goditjes nga këndi. Sinqerisht, mua më shtyjnë në pothuajse çdo duel të tillë. Është paksa zhgënjyese”, shtoi sulmuesi.

    Në pjesën e dytë, kur rezultati ishte 1-1, gjyqtari francez Clément Turpin anuloi golin e Torbjørn Heggem pas ndërhyrjes së VAR-it, duke sinjalizuar faull të Haaland gjatë ekzekutimit të një goditjeje nga këndi dhe urdhëroi përsëritjen e kornerit.

    Pavarësisht eliminimit, 25-vjeçari beson se paraqitja në Botërorin 2026 ka ndryshuar mënyrën se si perceptohet Norvegjia në futbollin ndërkombëtar.

    “Është e vështirë ta përpunoj gjithçka tani, por mendoj se ky turne e ka ndryshuar Norvegjinë.

    “Jam krenar për skuadrën tonë dhe shpresoj që edhe të gjithë norvegjezët të jenë krenarë për ne. Ajo që kemi arritur është një sukses i madh.

    “Gjithçka duket e pabesueshme. Ndihem sikur ky turne më ka ndryshuar edhe mua si person. Ndoshta tani njerëzit më njohin edhe më shumë”, përfundoi Haaland.

    Sulmuesi norvegjez e mbylli Kupën e Botës 2026 me shtatë gola në pesë ndeshje, duke qenë një nga futbollistët më të spikatur të turneut, pavarësisht eliminimit të Norvegjisë në çerekfinale.