ATV

Author: A.M.

  • Xherdan Shaqiri përballet me probleme fizike para nisjes së sezonit të ri me Baselin

    Xherdan Shaqiri përballet me probleme fizike para nisjes së sezonit të ri me Baselin

    Në ndeshjen e fundit miqësore para nisjes së sezonit të ri, Xherdan Shaqiri ishte titullar për Baselin në përballjen ndaj Juventusit. Takimi përfundoi me rezultat 0-0, ndërsa futbollisti shqiptar u zëvendësua në pushimin mes pjesëve, duke ngritur pikëpyetje rreth gjendjes së tij fizike.

    Pas përfundimit të ndeshjes, Shaqiri u paraqit në intervistë për mediumin zviceran “Blue Sport”, ku u pa duke çaluar lehtë. I pyetur nëse gjithçka ishte në rregull, ai u përgjigj:

    “Gjithçka është mirë”, por më pas pranoi se kishte pasur probleme fizike gjatë javëve të fundit.

    “Kam pasur dhimbje në shpinë dhe në tendinën e Akilit gjatë javëve të fundit. Stafi teknik vendosi të më zëvendësonte në pushim”, deklaroi Shaqiri.

    Ky vendim duket se ka qenë një masë paraprake, pasi sezoni i ri nis pas vetëm një jave dhe Baseli nuk dëshiron të rrezikojë me lojtarin e tij më të rëndësishëm.

    Duke komentuar ndeshjen ndaj Juventusit, Shaqiri theksoi se skuadra italiane ka cilësi të jashtëzakonshme, por edhe Baseli arriti të krijojë raste të mira. Një prej tyre ishte një goditje dënimi nga rreth 17 metra, të cilën portieri Michele Di Gregorio e neutralizoi pa shumë vështirësi.

    Barazimin 0-0 ndaj Juventusit, Shaqiri e cilësoi si “një rezultat pozitiv”, ndërsa foli edhe për ndryshimet e shumta në skuadër gjatë verës.

    “Çdo gjë është e mundur. Lojtarët që vijnë te FC Basel duhet ta dinë se ne luajmë për trofe”, u shpreh ai, duke shtuar se objektivi i klubit është të mbetet në garë për titull deri në fund të sezonit.

    Megjithatë, përveç deklaratave të tij, edhe gjuha e trupit të Shaqirit la hapësirë për diskutime. Ylli i Baselit nuk dukej në humorin më të mirë dhe mbetet për t’u parë në javët e ardhshme nëse bëhet fjalë vetëm për shqetësime fizike apo nëse fshihet diçka më shumë pas kësaj situate.

  • Joan Laporta konfirmon ofertën për Julian Alvarezin: Presim përgjigje deri në fund të muajit

    Joan Laporta konfirmon ofertën për Julian Alvarezin: Presim përgjigje deri në fund të muajit

    Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka konfirmuar se klubi katalanas ka paraqitur një ofertë zyrtare për sulmuesin e Atletico Madridit, Julian Alvarez, dhe pret një përgjigje deri në fund të këtij muaji.

    Duke folur para finales së Kupës së Botës 2026, Laporta theksoi se Barcelona mbetet e vendosur për ta transferuar reprezentuesin argjentinas, duke e cilësuar ofertën si një hap shumë të rëndësishëm për klubin.

    “Ne jemi ende në garë me ofertën tonë. Ai është një lojtar që trajneri ynë e dëshiron, prandaj ia kemi paraqitur ofertën Atletico Madridit. Është një ofertë shumë e rëndësishme dhe shumë, shumë e mirë për ne”, deklaroi Laporta.

    Edhe pse presidenti i Atletico Madridit, Miguel Ángel Gil Marín, ka përsëritur vazhdimisht se Alvarez nuk është në shitje, Laporta nuk dëshiroi të polemizonte me këto deklarata.

    “Unë respektoj mendimin e të gjithëve. Respektoj mendimin e Miguel Ángelit dhe të kujtdo tjetër”, tha ai.

    Kreu i Barcelonës shtoi se në futboll situatat gjatë afatit kalimtar mund të ndryshojnë shumë shpejt.

    “Ka pasur shumë raste kur është thënë se një lojtar nuk do të vinte kurrë te Barcelona, por në fund ai ka përfunduar duke veshur fanellën tonë”, u shpreh Laporta.

    Megjithatë, presidenti blaugrana bëri të qartë se klubi nuk do t’i zgjasë negociatat pafundësisht dhe se ka vendosur një afat për këtë operacion.

    “Kjo nuk është një çështje pa afat. Do të vendosim një afat të arsyeshëm. Besoj se deri në fund të muajit. Kur një lojtar dëshiron të largohet, qëndrimi i Barcelonës ka qenë gjithmonë i qartë: nëse një futbollist kërkon të largohet, ne ia lehtësojmë largimin në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi ai.

    Në fund, Laporta nënvizoi se realizimi i një transferimi nuk varet vetëm nga shuma e parave që ofrohet.

    “Nuk është më vetëm çështje e ofertës financiare. Kur ekziston një ofertë e mirë, duhet ditur ta shfrytëzosh atë në mënyrën e duhur”, përfundoi presidenti i Barcelonës.

  • Didier Deschamps i jep lamtumirën Francës: I lë pasardhësit tim një skuadër me potencial të jashtëzakonshëm

    Didier Deschamps i jep lamtumirën Francës: I lë pasardhësit tim një skuadër me potencial të jashtëzakonshëm

    Didier Deschamps mbrëmë drejtoi ndeshjen e tij të fundit në krye të Kombëtares së Francës, duke i dhënë fund një aventure 14-vjeçare, gjatë së cilës e riktheu përfaqësuesen franceze në elitën e futbollit botëror pas krizës dhe skandalit që shoqëroi Botërorin e vitit 2010.

    Pasardhësi i tij pritet të jetë një tjetër legjendë e futbollit francez, Zinedine Zidane, me të cilin Deschamps ka ndarë fushën si te Franca, ashtu edhe te Juventusi.

    Në deklaratën e tij pas ndeshjes, Deschamps pati një mesazh edhe për trajnerin që do ta pasojë.

    “Trashëgimia që i lë pasardhësit tim? Potenciali është aty. Ka disa lojtarë të jashtëzakonshëm që do të rriten nga kjo përvojë. Gjithçka është në vend që kjo skuadër e Francës të mbetet në nivelin më të lartë. I uroj më të mirën Francës dhe pasardhësit tim”, deklaroi ai.

    Trajneri francez shtoi se, pas largimit nga detyra, do ta mbështesë ekipin nga larg.

    “Pas kësaj, do të bëhem një mbështetës i heshtur. A do të flas me të? Askush nuk më ka pyetur ende për asgjë. Tani për tani, planifikoj të shkoj me pushime dhe të kaloj kohë me familjen time, por do ta shohim”, u shpreh Deschamps.

    Gjatë drejtimit të Francës, Deschamps arriti suksesin më të madh në vitin 2018, kur e udhëhoqi kombëtaren drejt titullit të kampionit të botës. Me këtë triumf, ai u bë personi i tretë në histori që fiton Kupën e Botës si lojtar dhe si trajner, pas Mário Zagallos dhe Franz Beckenbauerit.

  • Kylian Mbappe: Ishim të shpërqendruar, Anglia na ndëshkoi në mënyrën më të ashpër

    Kylian Mbappe: Ishim të shpërqendruar, Anglia na ndëshkoi në mënyrën më të ashpër

    Kapiteni i Francës, Kylian Mbappe, foli me sinqeritet pas humbjes spektakolare 6-4 ndaj Anglisë në ndeshjen për vendin e tretë të Kupës së Botës 2026.

    Sulmuesi francez iu përgjigj kritikave për paraqitjen zhgënjyese të skuadrës në pjesën e parë, kur “Gjelat” shkuan në pushim me një disavantazh të thellë 4-0. Mbappe pranoi se ekipi humbi përqendrimin në momentet vendimtare, por mbrojti karakterin e bashkëlojtarëve të tij.

    “Mosrespektim i fanellës në pjesën e parë? Do të thosha se thjesht ishim njerëz dhe, fatkeqësisht, ne nuk e kemi luksin të jemi njerëz”, deklaroi Mbappe.

    “Mendoj se ishim plotësisht të shpërqendruar dhe ata na zgjuan në mënyrën më të ashpër”, shtoi ai.

    Pavarësisht reagimit të fortë në pjesën e dytë dhe katër golave të shënuar, Franca nuk arriti ta shmangte humbjen, duke e mbyllur Kupën e Botës 2026 në vendin e katërt.

    Në fund, Mbappe pranoi se gabimet e bëra gjatë 45 minutave të para rezultuan fatale për ekipin francez dhe i kushtuan mundësinë për ta mbyllur turneun me fitore.

  • Sonte finalja e kupës së botës Spanjë-Argjentinë

    Sonte finalja e kupës së botës Spanjë-Argjentinë

    Kupa e Botës 2026 do të përmbyllet me finalen e madhe e cila pritet të zhvillohet në stadiumin Metlife në Neë Jersey,ku do të takohen kampioni i botës Argjentina si dhe i Evropës Spanja.

    Argjentina kërkon që ta mbrojë titullin e fituar në Katar para 4 vitesh,teksa në anën tjetër Spanja e kërkon për herë të parë që nga viti 2010.

    Njëherësh kjo finale do të jetë edhe dueli i dy futbollistëve të cilët përfaqësojnë dy epoka të ndryshme gjeneratash,ku në një njërën anë është Lionel Messi një ndër futbollistët më të mirë në botë i të gjitha kohërave teksa në anën tjetër Lamine Yamal i cili nga shumë opinionistë në futbollin botëror konsiderohet si e ardhmja e futbollit.

    Deri në finale të dyja kombëtaret kanë pasur një rrugëtim tejet të gjatë.

    Argjentina arriti ta fitoj grupin J me bilanc të 100%,ku shënoi fitore në tre ndeshje kundër Algjerisë,Austrisë dhe Jordanisë.

    Në 1/16-en e finales argjentinasit eliminuan me vështirësi Kepin e Gjelbër,kurse në 1/8 e finales Egjiptin dhe atë me rikthim sensacional.

    Në cerekfinale Argjentina arriti ta eliminoj Zvicrën e Granit Xhakës dhe të Ardon Jasharit pas vazhdimeve,kurse në gjysmëfinale mposhti me rikthim në minutat e fundit Anglinë.

    Në anën tjetër Spanja e nisi grupin H me barazim 0:0 kundër Kepit të Gjelbër,kurse arriti të fitoj dy ndeshjet kundër Arabisë Saudite dhe Uruguajit.

    Në 1/16 e finales spanjollët eliminuan pa problem Austrinë,kurse në 1/8-at arriti ta eliminoj Portugalinë e Cristiano Ronaldos,teksa në cerekfinale poashtu fituan kundër Belgjikës si në gjysmëfinale eliminuan favoritin e këtij botërori Francën.

    Vlen të përmendet se gjatë pauzës ndërmjet dy pjesëve pritet të ketë performancë nga yje të ndryshëm botërorë,e cila do të bëhet për herë të parë në një finale të botërorit.

    Kujtojmë që finalja e botërorit të kaluar u fitua nga Argjentina e cila mposhti Francën pas penalltive.

     

  • Mërgim Vojvoda zyrtarisht te Udinese, firmos kontratë deri në vitin 2028

    Mërgim Vojvoda zyrtarisht te Udinese, firmos kontratë deri në vitin 2028

    Mërgim Vojvoda është zyrtarisht futbollist i ri i Udineses. Klubi italian ka konfirmuar transferimin e mbrojtësit të Kombëtares së Kosovës nga Como, duke e prezantuar si një përforcim me përvojë dhe cilësi për repartin defensiv.

    Mbrojtësi 31-vjeçar është transferuar me karton të plotë dhe ka nënshkruar kontratë që do ta mbajë të lidhur me klubin friulian deri më 30 qershor 2028, me opsion për zgjatjen e bashkëpunimit edhe për një sezon tjetër.

    Në komunikatën zyrtare, Udinese e ka vlerësuar Vojvodën si një futbollist shumë të gjithanshëm, i cili mund të luajë si në një mbrojtje me katër lojtarë, ashtu edhe si krah i djathtë në skemat me pesë mbrojtës. Klubi italian ka theksuar teknikën e tij të mirë dhe aftësinë për të ndihmuar edhe në fazën sulmuese.

    I lindur më 1 shkurt 1995 në Llaushë të Kosovës, Vojvoda hapat e parë në futboll i hodhi në Holandë, në akademinë e Maastrichtit, përpara se të kalonte në Belgjikë te Standard Liege dhe më pas te Sint-Truiden, ku bëri debutimin si profesionist në sezonin 2014/15.

    Karriera e tij vijoi me një aventurë në Gjermani te Carl Zeiss Jena, ndërsa më pas u rikthye në Belgjikë te Mouscron. Me këtë skuadër, Vojvoda regjistroi 103 paraqitje dhe shënoi dy gola në kampionat dhe kupë.

    Në verën e vitit 2019, ai u rikthye te Standard Liege, me të cilin luajti edhe në Ligën e Evropës. Një vit më vonë, mbrojtësi kosovar realizoi ëndrrën për të luajtur në Serie A, duke firmosur me Torinon.

    Me klubin nga Torino, Vojvoda u shndërrua në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, duke zhvilluar 135 ndeshje në Serie A dhe Kupën e Italisë gjatë katër sezoneve e gjysmë, ndërsa shënoi edhe tre gola.

    Në janar të vitit 2025, ai iu bashkua Comos, ku u bë menjëherë një lojtar i rëndësishëm në skuadrën e drejtuar nga Cesc Fabregas. Trajneri spanjoll e përdori edhe në role më ofensivë në krah, ndërsa Vojvoda e mbylli pjesën e parë të sezonit 2024/25 me një gol në 11 paraqitje.

    Forma e tij u konfirmua edhe në sezonin pasues, ku realizoi dy gola në 30 ndeshje të Serie A, duke ndihmuar Comon të siguronte një kualifikim historik në Ligën e Kampionëve. Gjithashtu, ai kontribuoi edhe në rrugëtimin e skuadrës deri në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, ku regjistroi katër paraqitje.

  • Marc Cucurella bën premtimin e madh: Tërhiqem nga Spanja nëse fitojmë Botërorin dhe bëj tatuazh De la Fuenten

    Marc Cucurella bën premtimin e madh: Tërhiqem nga Spanja nëse fitojmë Botërorin dhe bëj tatuazh De la Fuenten

    Marc Cucurella ka bërë një premtim të pazakontë për të ardhmen e tij me kombëtaren spanjolle. Mbrojtësi i “La Roja” ka deklaruar se do të tërhiqet nga futbolli ndërkombëtar nëse Spanja triumfon ndaj Argjentinës në finalen e Kupës së Botës 2026.

    Cucurella beson se fitimi i Kampionatit Evropian dhe Kupës së Botës do të ishte arritja perfekte me fanellën e kombëtares dhe se pas këtyre dy trofeve nuk do të kishte më shumë për të kërkuar.

    Mbrojtësi i Chelsea-t ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Spanjës gjatë këtij Botërori, duke luajtur çdo minutë në rrugëtimin drejt finales. Pas triumfit në Euro 2024, 27-vjeçari e sheh një tjetër trofe madhor si mbylljen ideale të aventurës së tij me “La Roja”.

    I kthyer në një titullar të padiskutueshëm nën drejtimin e Luis de la Fuente, Cucurella ka edhe një premtim tjetër për trajnerin që e riktheu Spanjën në majat e futbollit.

    Në një intervistë për gazetën franceze “L’Equipe”, ai zbuloi se do t’i kërkonte trajnerit të mos e grumbullonte më nëse Spanja shpallet kampione e botës.

    “Nëse fitojmë Kupën e Botës, do ta telefonoj Luisin të nesërmen dhe do t’i them të mos mbështetet më tek unë, sepse po tërhiqem nga kombëtarja. Me titujt e Evropianit dhe Botërorit, nuk mund të bëhet më mirë se kaq”, tha Cucurella.

    Por ky nuk ishte premtimi i vetëm i mbrojtësit spanjoll. I njohur për stilin e tij të veçantë dhe flokët karakteristikë, Cucurella ka zbuluar se do të bëjë edhe një tatuazh të veçantë nëse Spanja mposht Argjentinën.

    “Nëse fitojmë Kupën e Botës, do të bëj tatuazh fytyrën e trajnerit Luis de la Fuente në bicepsin tim”, deklaroi ai për “Fox Sports”.

    Spanja dhe Argjentina do të përballen të dielën nga ora 21:00 në “MetLife Stadium”, në finalen e madhe të Kupës së Botës 2026.

  • Amarildo Bakaj sfidon publikisht Ben Whittakerin: Kanë frikë të përballen me mua

    Amarildo Bakaj sfidon publikisht Ben Whittakerin: Kanë frikë të përballen me mua

    Boksieri shqiptar Amarildo Bakaj ka shkaktuar reagime në rrjetet sociale, pasi u ka bërë një sfidë publike britanikut Ben Whittaker dhe boksierit Ringlife Edmon.

    Përmes një postimi, Bakaj pretendon se të dy po shmangin një përballje me të, duke i akuzuar se kanë frikë të rrezikojnë emrin dhe reputacionin e tyre.

    Sipas tij, motivi i kësaj sfide nuk është as financiar dhe as dëshira për më shumë famë, pasi thekson se të dyja i ka ndërtuar me punën e tij. Ai shton se dëshiron të përballet me emra të mëdhenj të boksit për të dëshmuar nivelin e tij në arenën ndërkombëtare.

    Në të njëjtin reagim, Bakaj kritikoi edhe boksierët më pak të njohur që e sfidojnë, duke thënë se synimi i tyre është vetëm të përfitojnë nga emri i tij dhe të fitojnë ekspozim.

    “I kam sfiduar këta dy djem, Ben Whittaker dhe Ringlife Edmon, por nuk po guxojnë ta pranojnë sfidën. Kanë frikë se do ta humbin emrin dhe reputacionin e tyre”, shkroi Bakaj.

    Ai theksoi se nuk do t’i sfidonte kurrë nëse nuk do të besonte te cilësitë e tij.

    “Po të isha vërtet askushi, pa famë dhe pa para, nuk do t’ju sfidoja kurrë. Por unë dua të përballem me emra të njohur dhe boksierë të fortë, sepse vetëm kështu rritem edhe më shumë.”

    Bakaj shtoi se synimi i tij është të garojë në skenën ndërkombëtare.

    “Nuk kam nevojë as për paratë, as për famën tuaj. Të dyja i kam ndërtuar vetë. Ajo që dua është të garoj në arenën ndërkombëtare, që e gjithë bota ta shohë se çfarë mund të bëj ndaj jush në ring.”

    Në fund, boksieri shqiptar pati edhe një mesazh për kundërshtarët më pak të njohur.

    • “Herë pas here shoh disa ‘qenushë’ të vegjël, më saktë disa chihuahua, që më sfidojnë. Në boks nuk kanë arritur asgjë. Emri i tyre nuk sjell asnjë vlerë dhe mezi njihen edhe në lagjen e tyre. E dinë se do t’i mposht, por nuk u intereson. Synimi i tyre është vetëm të fitojnë para dhe të bëhen të njohur, sepse një përballje me mua do t’u sillte vëmendje”, përfundoi Bakaj.
  • Lionel Messi për foton me Yamalin: Atëherë ishte foshnjë, tani do të përballemi në finalen e Botërorit

    Lionel Messi për foton me Yamalin: Atëherë ishte foshnjë, tani do të përballemi në finalen e Botërorit

    Lionel Messi ka folur për herë të parë për fotografinë ikonike të vitit 2007, ku ai shihet duke larë foshnjën Lamine Yamal, vetëm një ditë para finales së madhe të Kupës së Botës 2026 mes Argjentinës dhe Spanjës.

    Të dielën mbrëma, dy kombëtaret do të luftojnë për trofeun më të rëndësishëm në futboll, ndërsa Messi dhe Yamal pritet të jenë protagonistët kryesorë të finales.

    Historia e tyre është e pazakontë. Plot 19 vjet më parë, gjatë një fushate bamirësie të UNICEF-it, Messi, atëherë futbollist i Barcelonës, u fotografua duke larë foshnjën Lamine Yamal. Sot, ajo fotografi ka bërë xhiron e botës, ndërsa të dy përgatiten të përballen në finalen e Botërorit.

    Duke folur për atë moment, kapiteni i Argjentinës e quajti gjithçka të pabesueshme.

    “Sinqerisht, ajo foto është çmenduri, sepse kjo është jeta. Bëra një foto me të kur ishte foshnjë, ndërsa tani do të përballemi në finalen e Kupës së Botës”, tha Messi.

    Argjentinasi nuk i kurseu elozhet për talentin spanjoll, duke e cilësuar Yamalin si një nga futbollistët më të mirë në botë.

    “Lamine është një talent i jashtëzakonshëm. E kam ndjekur nga afër, sepse luan për klubin që e dua, Barcelonën. Në vetëm 19 vjeç është tashmë një nga figurat kryesore të futbollit botëror dhe ka një të ardhme të jashtëzakonshme përpara.”

    Megjithatë, Messi e bëri të qartë se në finale miqësia dhe respekti mbeten jashtë fushës.

    “Ai ka mundësinë të arrijë diçka historike, por ne do të bëjmë gjithçka që ta ndalojmë. I uroj vetëm më të mirat.”

    Në fund, legjenda argjentinase e mbylli me një tjetër kompliment për yllin e ri të Spanjës.

    “Për momentin, ai është padyshim një nga lojtarët më të mirë në botë. Nuk ka asnjë dyshim për këtë. I uroj fat, sepse çdo gjë e mirë për të është e mirë edhe për Barcelonën”, përfundoi Messi.

  • Michael Olise ëndërron Real Madridin, Bayerni përgatit katër skenarë për të ardhmen e tij

    Michael Olise ëndërron Real Madridin, Bayerni përgatit katër skenarë për të ardhmen e tij

    Michael Olise dëshiron një transferim te Real Madridi. Sipas raportimeve, anësori francez ua ka bërë të ditur këtë dëshirë edhe shokëve të tij të kombëtares gjatë Kupës së Botës.

    Megjithatë, Bayern Munich nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga një prej lojtarëve të tij më të rëndësishëm. Sipas gazetës gjermane BILD, klubi bavarez ka përgatitur katër skenarë të mundshëm për të ardhmen e Olises.

    Skenari i parë parashikon që Bayerni t’i ofrojë lojtarit një kontratë të re me vlerë mbi 25 milionë euro në sezon, duke e vendosur në të njëjtin nivel pagash me Harry Kane dhe Jamal Musiala.

    Opsioni i dytë është që Olise të refuzojë rinovimin, por të respektojë vendimin e klubit dhe të vazhdojë të luajë në “Allianz Arena”, duke ruajtur nivelin e tij të lartë.

    Një tjetër skenar është që francezi të shtyjë fort për një transferim te Real Madridi, duke krijuar tensione të mëdha me drejtuesit e klubit bavarez.

    Ndërkohë, skenari i fundit parashikon që Bayern Munich të dorëzohet përballë presionit dhe të pranojë shitjen e Olises te Real Madridi, por vetëm në këmbim të një shume rekord dhe astronomike.