ATV

Author: A.M.

  • Kristian Prenga përballet sonte me Anthony Joshuan në sfidën më të madhe të karrierës

    Kristian Prenga përballet sonte me Anthony Joshuan në sfidën më të madhe të karrierës

    Boksieri shqiptar Kristian Prenga do të ngjitet sonte në ring për duelin më të rëndësishëm të karrierës, ku do të përballet me ish-kampionin e botës në peshat e rënda, Anthony Joshua.

    Gjithçka është gati për një nga meçet më të shumëpritura të vitit në boks. Përballja mes Prengës dhe Joshuas do të zhvillohet këtë të shtunë në Jeddah të Arabisë Saudite, me fillim nga ora 22:00, dhe pritet të ndiqet nga miliona tifozë në mbarë botën.

    Për boksierin shqiptar, kjo sfidë përfaqëson mundësinë më të madhe të karrierës, pasi do të ketë përballë një prej emrave më të njohur të boksit profesionist dhe një ish-kampion bote në kategorinë e peshave të rënda.

    Në prag të meçit, Prenga është shprehur i bindur në aftësitë e tij, duke theksuar se ka punuar gjatë gjithë karrierës për të arritur në këtë moment dhe se është gati t’i tregojë botës potencialin e tij në ring.

    Nga ana tjetër, Anthony Joshua synon të konfirmojë edhe një herë statusin e tij si një prej boksierëve më të mirë të epokës moderne, duke synuar një tjetër fitore të rëndësishme në karrierën e tij.

    Të gjithë sytë do të jenë sonte te ringu në Jeddah, ku Kristian Prenga do të tentojë të shkruajë histori përballë një kundërshtari që konsiderohet ndër më të mëdhenjtë e viteve të fundit në boksin profesionist.

  • Real Madridi hyn në garë për Yan Diomanden, nis bisedimet me Leipzigun

    Real Madridi hyn në garë për Yan Diomanden, nis bisedimet me Leipzigun

    Real Madridi ka hyrë në garë për transferimin e talentit të RB Leipzigut, Yan Diomande, duke nisur bisedimet me klubin gjerman për një marrëveshje të mundshme. Sipas raportimeve të fundit, drejtuesit e klubit madrilen po punojnë intensivisht për të siguruar shërbimet e anësorit 19-vjeçar gjatë këtij afati kalimtar veror.

    Edhe pse Paris Saint-Germain mbetet i interesuar për reprezentuesin e Bregut të Fildishtë dhe konsiderohet si destinacioni i preferuar i lojtarit, kampionët e Francës ende nuk kanë paraqitur një ofertë që do ta bindte Leipzigun të shqyrtonte largimin e tij këtë verë.

    Real Madridi është në kërkim të një përforcimi në repartin ofensiv, veçanërisht në krahun e djathtë të sulmit. Klubi spanjoll vazhdon të monitorojë situatën e Diomandes, pavarësisht se Brahim Diaz synon të qëndrojë në “Santiago Bernabéu”.

    Diomande iu bashkua Leipzigut një vit më parë nga Leganés dhe ka tërhequr interesimin e disa klubeve të mëdha evropiane. Liverpooli ishte gjithashtu në garë për transferimin e tij, ndërsa Leipzig kërkon rreth 130 milionë euro për kartonin e sulmuesit të ri. Klubi gjerman, njëkohësisht, po përpiqet ta bindë futbollistin të rinovojë kontratën aktuale, e cila skadon në verën e vitit 2030.

    Përveç Diomandes, Real Madridi po vazhdon punën edhe për objektiva të tjerë në merkato, me synimin për ta forcuar skuadrën për sezonin e ri.

  • Andrea Pirlo pranë emërimit si trajner i Italisë, pasi Ancelotti dhe Guardiola refuzuan

    Andrea Pirlo pritet të emërohet së shpejti trajneri i ri i Kombëtares së Italisë, me një kontratë që do ta mbajë në krye të “Azzurrëve” deri në përfundim të Kupës së Botës 2030.

    Italia është në kërkim të një trajneri të ri që nga dorëheqja e Gennaro Gattusos pas dështimit në “play-off”-in e Kupës së Botës 2026.

    Drejtori teknik Paolo Maldini dhe këshilltari special Leonardo konfirmuan në konferencën për shtyp se fillimisht kishin zhvilluar bisedime me Carlo Ancelottin, ndërsa më pas kontaktuan edhe Pep Guardiolën.

    Megjithatë, sipas raportimeve të fundit, Guardiola e refuzoi ofertën për të qëndruar më pranë familjes së tij pas një dekade në krye të Manchester Cityt, duke bërë që vëmendja të përqendrohet te Pirlo.

    Sipas La Gazzetta dello Sport, Sky Sport Italia dhe Calciomercato, zyrtarizimi i emërimit të 47-vjeçarit mund të bëhet para përfundimit të fundjavës.

    Pirlo aktualisht është nën kontratë me United FC në Ligën Profesionale të Emirateve të Bashkuara Arabe, detyrë që e mori në korrik të vitit 2025. Megjithatë, ndërprerja e kësaj marrëveshjeje nuk pritet të paraqesë vështirësi.

    Marrëveshja e tij me Federatën Italiane të Futbollit pritet të jetë e vlefshme deri në fund të Kupës së Botës 2030, ndërsa paga e tij do të jetë rreth 1.5 milion euro në sezon.

    Kjo shumë është dukshëm më e ulët se ajo që do të kërkohej për emra si Carlo Ancelotti, Pep Guardiola, Roberto Mancini apo Antonio Conte.

    Ashtu si paraardhësi i tij Gennaro Gattuso, Pirlo ishte pjesë e kombëtares italiane që fitoi Kupën e Botës në vitin 2006.

    Në karrierën e tij si trajner, Pirlo fitoi Kupën e Italisë gjatë sezonit të tij te Juventusi, më pas drejtoi Karagümrük në Turqi dhe së fundmi ishte në krye të Sampdorias në Serie B, përpara se të merrte drejtimin e United FC në Emiratet e Bashkuara Arabe.

  • Manchester City synon talentin e Barcelonës Marc Bernal

    Manchester City synon talentin e Barcelonës Marc Bernal

    Manchester City po shfaq interes konkret për mesfushorin e Barcelonës, Marc Bernal, dhe po shqyrton mundësinë e transferimit të tij gjatë afatit kalimtar të verës.

    Sipas Diario Sport, pasiguria rreth të ardhmes së Rodrit, i cili vazhdon të lidhet me një kalim te Real Madridi, ka bërë që kampioni anglez ta identifikojë Bernalin si zëvendësuesin ideal për mesfushën.

    Megjithatë, Barcelona nuk ka ndërmend të heqë dorë nga 19-vjeçari, i cili pas sezonit mbresëlënës 2025/26 është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.

    Trajneri Hansi Flick e vlerëson lart mesfushorin e dalë nga akademia La Masia dhe e sheh atë si kandidatin kryesor për të zëvendësuar Frenkie de Jong, i cili pritet të mungojë për shkak të lëndimit në sezonin 2026/27.

    I konsideruar si një nga talentet më premtues të futbollit spanjoll dhe pjesë e së ardhmes së Barcelonës, klubi katalanas synon t’ia përmirësojë kontratën për të larguar interesimin e klubeve të tjera.

    Bernal ka kontratë me Barcelonën deri në verën e vitit 2029, ndërsa klauzola e lirimit të tij është 500 milionë euro. Megjithatë, ai vazhdon të jetë një nga lojtarët me pagën më të ulët në skuadrën e parë.

  • Gianni Infantino i dërgon letër Argjentinës pas finales së Kupës së Botës 2026

    Gianni Infantino i dërgon letër Argjentinës pas finales së Kupës së Botës 2026

    Federata Argjentinase e Futbollit (AFA) ka vendosur të bëjë publike një letër që presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ia dërgoi presidentit të AFA-s, Claudio Tapia, pas përfundimit të Kupës së Botës 2026.

    Letra mbërriti pas humbjes dramatike të Argjentinës në finalen e Kupës së Botës 2026 ndaj Spanjës me rezultat 1:0, pas vazhdimeve. Në të, kreu i FIFA-s vlerësoi paraqitjen e “Albicelestes”, duke e cilësuar fitimin e medaljes së argjendtë si një sukses të madh.

    Edhe pse mesazhe të tilla zakonisht kanë karakter diplomatik dhe mbeten private, AFA vendosi ta publikojë letrën në faqen e saj zyrtare të internetit.

    Në letër, Infantino theksoi se loja e Argjentinës dha një kontribut të rëndësishëm që Kupa e Botës 2026 të mbahet mend si një festival i paharrueshëm futbolli.

    Kreu i FIFA-s vlerësoi gjithashtu punën e trajnerit Lionel Scaloni, lojtarëve, stafit teknik dhe mjekësor, si dhe tifozëve argjentinas që e mbështetën ekipin gjatë gjithë turneut.

    “Fitoret dhe sukseset janë gjithmonë fryt i punës së palodhur, profesionalizmit dhe vëmendjes ndaj detajeve, por edhe i pasionit, përkushtimit dhe dashurisë për këtë sport të bukur. E gjithë kjo paralajmëron një të ardhme shumë premtuese për futbollin argjentinas. Ju lutem përcillni urimet e mia më të sinqerta për lojtarët, trajnerin Lionel Scaloni, stafin teknik dhe mjekësor, si dhe për tifozët që e mbështetën ekipin gjatë gjithë garës”, shkroi Infantino.

    Kjo letër diplomatike dhe jashtëzakonisht pozitive tërhoqi vëmendje të madhe në opinion, pasi presidenti i FIFA-s nuk përmendi polemikat e shumta që shoqëruan Argjentinën gjatë gjithë turneut.

  • Marc Cucurella rrëfehet mes lotësh për djalin e tij me autizëm: Dua që ai të më njohë gjithmonë në fushë

    Marc Cucurella rrëfehet mes lotësh për djalin e tij me autizëm: Dua që ai të më njohë gjithmonë në fushë

    Mbrojtësi i majtë i Spanjës dhe i Real Madridit, Marc Cucurella, është rikthyer në qendër të vëmendjes pas paraqitjeve të shkëlqyera në Kupën e Botës 2026, ku ishte një nga lojtarët më të spikatur në rrugëtimin e Spanjës drejt titullit kampion.

    Megjithatë, kësaj radhe vëmendja nuk lidhet vetëm me futbollin. Pas rikthimit nga Botërori, Cucurella ka folur hapur për jetën me djalin e tij katërvjeçar, Mateo, i cili është diagnostikuar me autizëm.

    Në një intervistë emocionale, mbrojtësi spanjoll nuk i mbajti dot lotët teksa tregoi sfidat me të cilat përballet familja e tij.

    “Kjo është hera e parë që flas për këtë. Është shumë e vështirë për mua. Po vuaj shumë, sepse nuk di si ta ndihmoj, veçanërisht kur e shoh në gjendje të vështirë. Kam nevojë të flas për këtë dhe ta ndaj këtë përvojë”, u shpreh Cucurella.

    Ai pranoi se kjo mbetet tema më e ndjeshme në jetën e tij.

    “Është një temë që, sinqerisht, më prek shumë. Megjithatë, jam i lumtur që po e ndaj këtë histori, sepse është hera e parë që flas publikisht për të.”

    Gjatë kësaj vere, Cucurella u transferua nga Chelsea te Real Madridi. Sipas raportimeve, një nga kushtet që ai vendosi për ta pranuar transferimin ishte që klubi madrilen t’i siguronte familjes së tij mbështetjen dhe kushtet më të mira për trajtimin dhe zhvillimin e djalit të tij.

    Edhe bashkëshortja e futbollistit, Claudia Rodríguez, foli për përvojën e tyre si prindër.

    “Ai na ka mësuar shumë. Çdo vendim që marrim e mendojmë duke pasur parasysh atë. Ka gjëra që nuk mund t’i bëjmë, sepse nuk janë të mira për të. Edhe pushimet janë gjithmonë një sfidë”, tha ajo.

    Në fund, Cucurella zbuloi edhe arsyen pse nuk dëshiron t’i presë flokët e tij karakteristikë.

    “Flokët e mi janë një mënyrë që djali im të më njohë menjëherë kur jam në fushë. Për këtë arsye nuk dua t’i ndryshoj.”

  • Manchester City nuk lëshon pe për Rodrin, pavarësisht interesimit të Real Madridit

    Manchester City nuk lëshon pe për Rodrin, pavarësisht interesimit të Real Madridit

    Manchester City mbetet i qetë sa i përket të ardhmes së mesfushorit spanjoll, Rodri, duke e konsideruar atë një pjesë kyçe të projektit të klubit, pavarësisht interesimit të madh nga Real Madridi.

    Sipas gazetës spanjolle AS, drejtuesit e klubit anglez kanë hedhur poshtë mundësinë e shitjes së Rodrit gjatë afatit kalimtar të verës, edhe nëse Real Madridi paraqet një ofertë zyrtare.

    Te Manchester City besojnë se spekulimet e fundit rreth një transferimi të mundshëm janë rezultat i paraqitjeve të shkëlqyera të mesfushorit në Kupën e Botës 2026, ku ai jo vetëm që ndihmoi Spanjën të fitonte trofeun, por u shpall edhe lojtari më i mirë i turneut.

    Klubi anglez synon t’ia zgjasë kontratën 30-vjeçarit, e cila skadon në verën e vitit të ardhshëm, për ta mbajtur atë në “Etihad Stadium” edhe për disa sezone të tjera.

    Nga ana tjetër, Real Madridi vazhdon ta ketë Rodrin si një nga objektivat kryesorë në këtë merkato verore. Sipas raportimeve, drejtuesit e klubit madrilen kanë ndryshuar qasjen e tyre dhe janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për të siguruar shërbimet e mesfushorit spanjoll.

    Raportet shtojnë se edhe vetë Rodri e sheh një transferim te Real Madridi si hapin e ardhshëm në karrierën e tij, çka mund ta bëjë këtë një nga sagat më të mëdha të merkatos së verës.

  • Pep Guardiola refuzon Italinë: “Faleminderit, jam i nderuar, por tani për tani nuk kam dëshirë”

    Pep Guardiola refuzon Italinë: “Faleminderit, jam i nderuar, por tani për tani nuk kam dëshirë”

    Përgjigjja zyrtare e Pep Guardiolës për mundësinë e drejtimit të Kombëtares së Italisë ka mbërritur dhe është negative. Trajneri katalanas i ka thënë “jo” Federatës Italiane të Futbollit, duke refuzuar ofertën për të marrë drejtimin e “Azzurrëve”.

    Sipas raportimeve, Guardiola e shqyrtoi me kujdes propozimin e paraqitur nga Paolo Maldini dhe Leonardo, madje duke e imagjinuar veten në stolin e Italisë. Megjithatë, pas disa ditësh reflektimi, ai vendosi të mos e pranojë ofertën.

    “Faleminderit, jam i nderuar, por tani për tani nuk kam dëshirë”, ka qenë përgjigjja e trajnerit spanjoll.

    Vendimi i Guardiolës lidhet me dëshirën për të marrë një pushim pas përfundimit të aventurës së tij dhjetëvjeçare te Manchester City. Ai dëshiron t’i kushtojë më shumë kohë vetes dhe familjes së tij, përpara se të rikthehet në pankinë.

    Një tjetër arsye e rëndësishme është mënyra se si Guardiola e sheh profesionin e trajnerit. Ai e ka cilësuar veten si “të varur nga futbolli” dhe beson se një ekip duhet të drejtohet me përkushtim të plotë.

    “Nëse e bëj, do ta bëj 100 për qind”, mësohet të ketë thënë Guardiola gjatë bisedimeve, duke theksuar se nuk i pëlqen të marrë përsipër një projekt pa u angazhuar plotësisht.

    Në vendimin e tij ka ndikuar edhe respekti për Italinë, një vend me të cilin ka një lidhje të veçantë, si dhe për Paolo Maldinin, i cili i kishte paraqitur një projekt ambicioz dhe afatgjatë. Drejtori teknik i Kombëtares së Italisë kishte propozuar një plan bashkëpunimi për tetë deri në dhjetë vjet, por Guardiola vendosi se nuk ishte momenti i duhur për të nisur një sfidë të re.

  • Nicolas Otamendi i jep fund karrierës me Argjentinën pas Kupës së Botës 2026

    Nicolas Otamendi i jep fund karrierës me Argjentinën pas Kupës së Botës 2026

    Qendërmbrojtësi i River Plate dhe Kombëtares së Argjentinës, Nicolas Otamendi, ka njoftuar tërheqjen e tij nga futbolli ndërkombëtar pas përfundimit të Kupës së Botës 2026.

    38-vjeçari e bëri të ditur vendimin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku u përshëndet me tifozët dhe falënderoi të gjithë ata që e mbështetën gjatë karrierës së tij me fanellën e Argjentinës.

    “Sot duhet të shkruaj fjalët më të vështira të gjithë karrierës sime. Që nga fëmijëria ëndërroja të vishja fanellën e Kombëtares së Argjentinës. Ishte privilegji më i madh që më dha futbolli. E mbrojta me gjithë zemër, me krenari dhe përgjegjësi, plotësisht i vetëdijshëm për atë që do të thotë për miliona argjentinas”, shkroi fillimisht Otamendi.

    “Tani po largohem me paqe në zemër, duke e ditur se dhashë gjithçka. Nuk kursyeva asnjë përpjekje, nuk pushova kurrë së besuari dhe nuk pushova kurrë së ndjeri se veshja e kësaj fanele ishte nderi më i madh i jetës sime.”

    Mbrojtësi argjentinas pati edhe një mesazh të veçantë për tifozët.

    “Faleminderit tifozëve argjentinas. Faleminderit për dashurinë tuaj të pakushtëzuar, për çdo flamur, për çdo këngë dhe që ishit me ne në kohët e mira, por sidomos në momentet më të vështira. Falë jush, sa herë që këndohej himni, ndiheshim sikur nuk ishim vetëm njëmbëdhjetë lojtarë në fushë, por miliona njerëz që mbronin të njëjtën ëndërr.”

    Ai falënderoi edhe familjen për mbështetjen e vazhdueshme.

    “Faleminderit familjes sime. Ju ishit streha ime pas çdo pengese dhe forca ime në çdo sfidë. I përballuat ndarjet, mungesën time, lotët dhe zhgënjimet. Këtë rrugëtim nuk e bëra kurrë i vetëm – e përshkuam së bashku, hap pas hapi.”

    Në fund, Otamendi theksoi se finalja e Kupës së Botës 2026 ishte ndeshja e tij e fundit me fanellën e Argjentinës.

    “Ndodhi që ndeshja ime e fundit ishte finalja e Kupës së Botës. Nuk ishte rezultati që dëshironim, por po largohem me kokën lart, sepse kjo skuadër luftoi deri në sekondën e fundit.”

  • Zyrtare: Jürgen Klopp emërohet trajner i ri i Kombëtares së Gjermanisë

    Zyrtare: Jürgen Klopp emërohet trajner i ri i Kombëtares së Gjermanisë

    Trajneri i njohur gjerman, Jürgen Klopp, është emëruar zyrtarisht trajneri i ri i Kombëtares së Gjermanisë, ka njoftuar sot (e premte) Federata Gjermane e Futbollit (DFB). Emërimi i tij vjen pas shkarkimit të Julian Nagelsmannit, pas paraqitjes zhgënjyese të Gjermanisë në Kupën e Botës 2026, të zhvilluar në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.

     

    Për Kloppin, ky është një rikthim i madh në stolin e trajnerit, pasi gjatë një viti e gjysmë të fundit ai ka ushtruar detyrën e drejtorit të operacioneve globale të futbollit në kompaninë Red Bull.

     

    59-vjeçari nënshkroi sot një kontratë katërvjeçare në Kampusin e DFB-së në Frankfurt am Main dhe do ta udhëheqë ekipin kombëtar drejt Kampionatit Evropian 2028 dhe Kupës së Botës FIFA 2030”, thuhet në njoftimin e DFB-së.

     

    Klopp drejtoi Liverpoolin për nëntë vjet, duke hyrë në historinë e klubit anglez me fitimin e Premier League dhe Ligës së Kampionëve, si dhe disa trofeve të tjerë të rëndësishëm.

     

    Ai ka nënshkruar kontratë me DFB-në deri në verën e vitit 2030, përkatësisht deri në përfundim të Kupës së Botës, e cila do të organizohet nga Spanja, Portugalia dhe Maroku.

     

    Në stafin teknik të Kloppit do të bëjnë pjesë Peter Krawietz, Pepijn Lijnders dhe Sven Bender.