ATV

Author: A.M.

  • Grabitje në vilën luksoze të Eder Militaos, hajdutët i marrin sende me vlerë mbi 350 mijë euro

    Grabitje në vilën luksoze të Eder Militaos, hajdutët i marrin sende me vlerë mbi 350 mijë euro

    Mbrojtësi i Real Madridit, Eder Militao, është bërë viktimë e një grabitjeje në vilën e tij luksoze në lagjen La Moraleja të Madridit, teksa po ndiqte nga stoli përballjen ndaj Barcelonës në kuadër të El Clasicos.

    Sipas raportimit të mediumit spanjoll “El Mundo”, të paktën dy persona kanë hyrë me forcë në banesën e futbollistit brazilian gjatë pjesës së parë të ndeshjes, duke marrë me vete sende luksoze dhe bizhuteri me vlerë që tejkalon 350 mijë euro.

    Ngjarja bëhet edhe më shqetësuese për faktin se në momentin e grabitjes në vilë ndodheshin edhe familjarët e Militaos.

    Ata po ndiqnin ndeshjen në katin e poshtëm, ndërsa grabitësit shfrytëzuan këtë moment për të kontrolluar dhomat në katin e sipërm, pa u vënë re.Mes sendeve të vjedhura janë dy orë luksoze: një Rolex me vlerë rreth 53 mijë euro dhe një Richard Mille, që kushton afërsisht 170 mijë euro.

    Lista e sendeve të zhdukura përfshin gjithashtu tri çanta dore të markës Chanel, me vlerë të përgjithshme rreth 15 mijë euro, si dhe bizhuteri të Cartier, përfshirë unaza dhe byzylykë që vlerësohen rreth 25 mijë euro.Përveç tyre, autorët kanë marrë edhe bizhuteri të tjera, aksesorë mode dhe valixhe të markave luksoze.

    Në total, dëmi ekonomik vlerësohet të jetë mbi 350 mijë euro.Grabitja u zbulua pasi në njërën prej dhomave u konstatuan shenja të kontrollimit të hapësirës.

    Në dhomën e gjumit të futbollistit, dollapët ishin hapur dhe sendet ishin lënë të shpërndara.Pas konstatimit të ngjarjes, në vilë mbërritën forcat e policisë dhe personeli i sigurisë së kompleksit luksoz të banimit.

    Hetuesit kanë nisur punën për identifikimin e autorëve, ndërsa një nga hapat kryesorë të hetimit është analizimi i pamjeve të kamerave të sigurisë.

    Militao e kishte ndjekur El Clasicon nga stoli dhe vetëm pas kthimit në shtëpi është përballur me lajmin e pakëndshëm. Ky nuk është rasti i parë kur futbollistë të Real Madridit apo yje të tjerë të futbollit spanjoll bëhen shënjestër e grabitjeve në banesat e tyre luksoze.

    Eder Militao iu bashkua Real Madridit në verën e vitit 2019, kur klubi madrilen e transferoi nga Porto për 50 milionë euro. Deri më tani, mbrojtësi brazilian ka regjistruar 195 paraqitje dhe 14 gola me fanellën e “Los Blancos”.

    Megjithatë, karriera e tij është penguar në disa raste nga dëmtimet e rënda, të cilat e kanë mbajtur për periudha të gjata jashtë fushave.

    Këtë sezon, ai ka regjistruar vetëm një paraqitje.Pavarësisht problemeve fizike,

    Militao ka fituar me Real Madridin tre tituj të La Ligës, dy trofe të Ligës së Kampionëve, një Kupë të Mbretit dhe një Kupë të Botës për Klube.

    1. Ermal Krasniqi shkëlqen në Turqi, shënon gol në fitoren 5-1 të Amedspor ndaj Eyupsporit

      Ermal Krasniqi shkëlqen në Turqi, shënon gol në fitoren 5-1 të Amedspor ndaj Eyupsporit

      Ermal Krasniqi ishte një nga protagonistët kryesorë në fitoren e thellë të Amedsporit ndaj Eyupsporit me rezultatin 5-1, në një ndeshje ku futbollisti kosovar la gjurmën e tij edhe në listën e golashënuesve.

      Anësori, i cili këtë sezon po aktivizohet në rolin e mbrojtësit të djathtë, zhbllokoi rezultatin në pjesën e parë, duke realizuar golin e parë të takimit me një goditje të bukur me këmbën e majtë.

      Krasniqi e nisi sfidën si titullar dhe qëndroi në fushë për 55 minuta, përpara se të zëvendësohej nga trajneri Besnik Hasi, në një takim ku Amedspori arriti të siguronte një fitore bindëse.

      Përveç golit, 26-vjeçari regjistroi edhe statistika pozitive, me dy goditje drejt portës, 43 prekje të topit, dy driblime të suksesshme nga po aq tentativa dhe shtatë duele të fituara.

      Paraqitja e tij u vlerësua me notën 8.3 nga platforma SofaScore, duke e renditur ndër futbollistët më të mirë të Amedsporit në këtë përballje.

      Fitorja me pesë gola të shënuar e rikthen Amedsporin në pozitën e dytë të klasifikimit me 23 pikë, vetëm dy më pak se lideri Galatasaray.

      Në këtë takim mungoi një tjetër futbollist kosovar i skuadrës, Lumbardh Dellova, i cili nuk ishte në dispozicion për shkak të kartonëve.

    2. Hoffenheim në krizë rezultatesh, Fisnik Asllani: Duhet të reagojmë ndaj Crystal Palace!

      Hoffenheim në krizë rezultatesh, Fisnik Asllani: Duhet të reagojmë ndaj Crystal Palace!

      Hoffenheimi po kalon një periudhë të vështirë në Bundesligë, ndërsa humbja e fundit ndaj Werder Bremenit ka shtuar zhgënjimin në kampin e skuadrës gjermane.

      Ekipi i Fisnik Asllanit dhe Leon Avdullahut u mposht me rezultatin 2-0 në transfertë, në takimin e vlefshëm për javën e tetë të kampionatit. Të dy futbollistët kosovarë e nisën ndeshjen si titullarë dhe qëndruan në fushë deri në minutën e 87-të, ndërsa Albian Hajdari mungoi për shkak të një dëmtimi.

      Hoffenheimi nuk arriti të gjente rrugën drejt rrjetës, ndërsa Werder Bremeni shfrytëzoi mundësitë e tij për të marrë tri pikët. Pas ndeshjes, sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, e konsideroi takimin të ekuilibruar, duke theksuar se gjithçka u vendos nga goli i parë.

      “Ishte thjesht çështje se kush do ta shënonte golin e parë. Kushdo që do ta bënte, do të fitonte. Kjo ishte ndjesia ime në fushë dhe kështu ndodhi. Këto javë, me ndeshje edhe gjatë mesjavës, janë shumë intensive, si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Por ky nuk është justifikim”, u shpreh Asllani.

      Sulmuesi kosovar komentoi edhe momentin e golit të Niclas Füllkrug, duke pranuar se fillimisht kishte menduar se ishte shkaktuar një faull.

      “Kur shënoi Niclas Füllkrug, përshtypja ime e parë ishte se kishte faull, pasi ai përdori duart për të shtyrë. Por në fakt e menaxhoi shumë mirë situatën”, theksoi futbollisti.

      Kjo disfatë erdhi pas një tjetër rezultati negativ për Hoffenheimin, që gjatë javës ishte eliminuar nga Kupa e Gjermanisë, pas humbjes ndaj Holstein Kielit.

      Megjithatë, Asllani nuk mendon se skuadra e tij zhvilloi një paraqitje të dobët ndaj Werder Bremenit. Sipas tij, mungesa e fatit dhe disa episode vendimtare ndikuan në rezultatin përfundimtar.

      “Nuk mendoj se bëmë një ndeshje të keqe. Me pak fat mund të kishim kaluar në avantazh dhe ndeshja do të kishte rrjedhë tjetër. Në një moment, topi u largua pikërisht nga vija e portës. Është një përfundim i hidhur për ne”, u shpreh sulmuesi i Kosovës.

      Megjithatë, Hoffenheimi nuk ka shumë kohë për t’u ndalur te zhgënjimet, pasi e pret një tjetër sfidë e rëndësishme në Ligën e Evropës, ku do të përballet me Crystal Palace.

      Asllani e konsideron këtë takim një mundësi të mirë për të reaguar dhe për të rikthyer skuadrën te rezultatet pozitive.

      “Tani duhet të japim më të mirën ndaj Crystal Palace. Është një ndeshje e madhe, të cilën të gjithë e presim me padurim. Kjo është ana pozitive e këtyre javëve të ngjeshura – kemi mundësinë t’i rregullojmë gjërat shumë shpejt”, përfundoi Fisnik Asllani.

    3. Ernest Muçi asiston sërish, sulmuesi shqiptar protagonist te Trabzonspor!

      Ernest Muçi asiston sërish, sulmuesi shqiptar protagonist te Trabzonspor!

      Ernest Muçi po kalon një sezon fantastik në Turqi, ku po konfirmohet gjithnjë e më shumë si një nga protagonistët e kampionatit. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka dhuruar një tjetër asist në duelin që Trabzonspor po zhvillon ndaj Gaziantepit, i vlefshëm për javën e 10-të të Superligës turke.

      Futbollisti shqiptar ishte protagonist në aksionin e golit të avantazhit, duke devijuar me kokë një krosim të Salah nga goditja e këndit. Topi përfundoi te Saviç, i cili nuk gaboi përballë portës, duke e dërguar në rrjetë dhe duke kaluar Trabzonsporin në avantazh.

      Një tjetër kontribut i rëndësishëm për Muçin, i cili po shfaq një formë shumë të mirë këtë sezon, duke u kthyer në një element vendimtar për skuadrën turke me golat dhe asistet e tij.

    4. Skandal në Kinë për Mbappe, CCTV pezullon transmetimin e La Ligës pas polemikave me yllin francez

      Skandal në Kinë për Mbappe, CCTV pezullon transmetimin e La Ligës pas polemikave me yllin francez

      Televizioni shtetëror kinez CCTV ka pezulluar transmetimin e ndeshjeve të La Ligës spanjolle, duke vënë në zbatim kërcënimin e bërë pas polemikave të shkaktuara nga një deklaratë e sulmuesit të Real Madridit, Kylian Mbappe.

      Vendimi erdhi pas reagimeve të shumta në Kinë ndaj futbollistit francez, i cili gjatë një interviste kishte përmendur si një prej memeve të tij të preferuara në internet një fotomontazh, ku fytyra e tij ishte vendosur mbi trupin e ish-udhëheqësit kinez Mao Ce Dun.

      Si pasojë, ndeshjet e kampionatit spanjoll nuk u përfshinë në programacionin e fundjavës së kaluar të CCTV-së, ndërsa përmbajtjet që lidhen me Real Madridin u hoqën edhe nga aplikacioni zyrtar i transmetuesit.

      Masat nuk u kufizuan vetëm te televizioni shtetëror. Edhe platforma dixhitale Migu, partneri ekskluziv dixhital i La Ligës në Kinë, tërhoqi nga oferta e saj ndeshjen e Real Madridit. Sipas raportimit të “Marca”-s, nga platforma u fshinë gjithashtu pamjet e mëparshme të golave dhe paraqitjeve të Mbappes, ndërsa transmetimet e ndeshjeve të tjera të kampionatit spanjoll vijuan normalisht.

      Polemika nisi pas deklaratës së Mbappes për memen ku ai shfaqej me pamjen e Mao Ce Dunit, figurës historike që themeloi Republikën Popullore të Kinës. Edhe pse sulmuesi nuk e përmendi drejtpërdrejt emrin e tij, fotomontazhi shkaktoi reagime të forta në vendin aziatik.

      Situata pati pasoja edhe në aspektin komercial, pasi disa kompani kineze ndërprenë menjëherë marrëveshjet e sponsorizimit me futbollistin. Ndërkohë, CCTV hoqi nga programacioni transmetimet e La Ligës dhe reklamat ku shfaqej ylli francez.

      Pas reagimeve, Mbappe kërkoi falje në tri gjuhë: frëngjisht, kinezisht dhe anglisht. Në përpjekje për të qetësuar situatën ndërhyri edhe presidenti i La Ligës, Javier Tebas, i cili i dërgoi një letër zyrtare Grupit Mediatik të Kinës (CMG).

      Edhe Real Madridi iu bashkua përpjekjeve për të zbutur polemikat, duke shprehur respektin e madh të klubit për Kinën.

      Autoritetet dhe mediat shtetërore kineze kanë konfirmuar se i kanë pranuar letrat, por ende nuk kanë dhënë një përgjigje përfundimtare nëse kërkimfaljet janë të mjaftueshme për të zgjidhur situatën.

      Për momentin, mbetet e paqartë se kur do të rikthehen transmetimet e La Ligës në CCTV dhe në platformat e tjera përkatëse në Kinë.

    5. Malisheva ndalet nga Feronikeli 74, lideri shpërdoron penalltinë dhe humbet pikë në shtëpi

      Malisheva ndalet nga Feronikeli 74, lideri shpërdoron penalltinë dhe humbet pikë në shtëpi

      Malisheva dhe Feronikeli 74 janë ndarë në barazim pa gola (0-0), në stadiumin “Liman Gegaj”, në takimin e vlefshëm për javën e 12-të të Superligës së Kosovës.

      Skuadra vendase e nisi më mirë ndeshjen dhe arriti të gjente rrugën drejt rrjetës që në minutat e para, por goli u anulua pas ndërhyrjes së sistemit VAR.

      Malisheva vijoi të kërkonte golin e avantazhit dhe në minutën e 35-të pati mundësinë ideale për të kaluar në epërsi.

      Megjithatë, Xhemail Ibishi nuk arriti të shfrytëzonte penalltinë, pasi goditja e tij u prit nga portieri i Feronikelit 74, Agron Kolaj.

      Në pjesën e dytë, lideri i kampionatit provoi të ndryshonte rrjedhën e takimit përmes disa zëvendësimeve, duke kërkuar më shumë forcë dhe konkretizim në fazën ofensive.

      Megjithatë, Feronikeli 74, i drejtuar nga Elon Berisha, u tregua mjaft i organizuar në prapavijë dhe arriti t’i rezistonte presionit të vendasve deri në vërshëllimën e fundit.

      Në këtë mënyrë, të dyja skuadrat u detyruan të ndanin nga një pikë, me Malishevën që do të ketë shumë për të reflektuar pas shpërdorimit të 11-metërshit.Pavarësisht barazimit,

      Malisheva mbetet në krye të klasifikimit me 27 pikë, ndërsa Feronikeli 74 shkon në kuotën e 12 pikëve.

      1. Hansi Flick hyn në historinë e Barcelonës, 100 fitore në kohë rekord!

        Hansi Flick hyn në historinë e Barcelonës, 100 fitore në kohë rekord!

        Barcelona iu rikthye fitoreve në kampionat me suksesin ndaj Alavésit, duke konfirmuar edhe njëherë ambiciet për të mos lëshuar kreun e klasifikimit. Përtej tri pikëve të rëndësishme, kjo ndeshje ishte historike edhe për trajnerin Hansi Flick, i cili regjistroi fitoren e tij të 100-të në pankinën e skuadrës katalanase.

        Tekniku gjerman e ka arritur këtë shifër pas vetëm 131 ndeshjesh, duke u renditur i dyti në historinë e Barcelonës për kohën më të shkurtër të nevojshme për të mbërritur në kuotën e 100 fitoreve. Vetëm Luis Enrique ka bërë më mirë, duke e arritur këtë objektiv pas 126 ndeshjesh.

        Flick ka regjistruar 44 fitore në secilin prej sezoneve 2024/25 dhe 2025/26, ndërsa në sezonin aktual numëron 12 fitore në 14 ndeshje. Një statistikë mbresëlënëse, që dëshmon edhe forcën sulmuese të Barcelonës nën drejtimin e tij. Në këto 100 fitore, katalanasit kanë shënuar 375 gola dhe kanë pësuar 153.

        Por shifrat e gjermanit nuk ndalen këtu. Me një përqindje prej 76.33% fitoresh, Hansi Flick është trajneri me përqindjen më të lartë të fitoreve në historinë e Barcelonës, duke marrë në konsideratë të gjitha ndeshjet e drejtuara.

        Në dy sezonet e para në stolin blaugrana, tekniku gjerman ka fituar gjithashtu pesë trofe, duke konfirmuar suksesin e projektit të tij në Camp Nou. Megjithatë, mes 100 fitoreve të regjistruara, Flick ka një të preferuar të veçantë: triumfin në El Clasicon e parë ndaj Real Madridit në transfertë.

        “Shpresoja të drejtoja Barcelonën në 100 ndeshje dhe tani kam arritur 100 fitore. Nëse do të më duhej të zgjidhja fitoren time të preferuar, do të ishte suksesi im i parë në El Clasico ndaj Real Madridit në Madrid. Ai triumf më sjell kujtime shumë të bukura”, u shpreh trajneri gjerman.

        Një deklaratë që tregon edhe njëherë rëndësinë e veçantë që ka për Barcelonën fitorja ndaj rivalit të përjetshëm. Hansi Flick është kthyer në një figurë të rëndësishme të projektit katalanas dhe një motiv krenarie për presidentin Joan Laporta, i cili pak muaj më parë i rinovoi kontratën deri në vitin 2028, me opsionin për ta zgjatur edhe për një sezon tjetër.

      2. Chelsea mposht Manchester Unitedin në “Stamford Bridge”, thellohet kriza e “Djajve të Kuq”

        Chelsea mposht Manchester Unitedin në “Stamford Bridge”, thellohet kriza e “Djajve të Kuq”

        Chelsea ka regjistruar një fitore të rëndësishme me rezultat 2-0 ndaj Manchester Unitedit, në ndeshjen e vlefshme për javën e nëntë të Ligës Premier.

        Skuadra londineze është rikthyer te triumfi në kampionat, duke fituar derbin e zhvilluar në “Stamford Bridge” dhe duke ia vështirësuar edhe më shumë situatën Manchester Unitedit në këtë fillim të sezonit.

        Pjesa e parë ishte mjaft e baraspeshuar, me të dyja skuadrat që patën rastet e tyre, ndërsa mysafirët u treguan disi më kërkues në fazën ofensive.

        Manchester Unitedi arriti të gjente rrjetën në minutën e 34-t me anë të Matheus Cunhas, por goli u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për pozitë jashtë loje. Kështu, skuadrat shkuan në pushim me rezultatin 0-0.

        Në pjesën e dytë, Chelsea u shfaq shumë më i rrezikshëm dhe arriti ta përkthejë epërsinë në lojë në gola.

        Morgan Rogers zhbllokoi rezultatin në minutën e 50-të, duke kaluar Blutë në epërsi prej 1-0.

        Ndërsa në minutën e 64-t, Cole Palmer realizoi nga pika e bardhë për 2-0, pasi Leandro Martínez shkaktoi penalltinë dhe u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë Manchester Unitedin me një lojtar më pak.

        Chelsea arriti të shënonte edhe golin e tretë në minutën e 71-të me anë të Willian Estevãos, por realizimi u anulua për pozitë jashtë loje.

        Deri në fund rezultati mbeti i pandryshuar dhe Chelsea festoi një fitore të merituar me shifrat 2-0.

        Pas këtij triumfi, Chelsea ngjitet në pozitën e katërt me 16 pikë, ndërsa Manchester Unitedi mbetet në vendin e 16-të me vetëm shtatë pikë.

        Në ndeshjen e ardhshme, Chelsea do të luajë në udhëtim ndaj Sunderlandit, ndërsa Manchester Unitedi do të jetë nikoqir i Aston Villës.

      3. Prishtina triumfon në Podujevë, mposht Llapin dhe barazohet me pikë me lideren Malisheva

        Prishtina triumfon në Podujevë, mposht Llapin dhe barazohet me pikë me lideren Malisheva

        Prishtina ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në udhëtim ndaj Llapit, duke triumfuar me rezultat minimal 0-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 12-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.

        Skuadra e drejtuar nga Orges Shehi është rikthyer te fitorja në kampionat, duke marrë tri pikë të arta në stadiumin “Zahir Pajaziti”, pas humbjes së pësuar në shtëpi ndaj Dritës.

        Kryeqytetasit e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në epërsi që në minutën e katërt.

        Leotrim Kryeziu realizoi për 0-1, pas një asistimi të bukur nga Blendi Baftiu.Prishtina vazhdoi të ishte më kërkuese gjatë pjesës së parë, ndërsa vendasit u përpoqën të reagonin, por pa arritur të gjenin golin e barazimit.

        Në pjesën e dytë, Llapi u tregua më kërkues dhe loja u bë më e barabartë, me të dyja skuadrat që krijuan mundësi shënimi dhe rrezikuan portat kundërshtare.

        Megjithatë, rezultati nuk ndryshoi deri në fund dhe Prishtina arriti ta ruajë epërsinë minimale, duke arkëtuar tri pikë shumë të rëndësishme në garën për kreun e tabelës.

        Pas kësaj fitoreje, Prishtina ngjitet në kuotën e 26 pikëve dhe renditet në pozitën e dytë, me pikë të barabarta me lideren Malisheva.

        Në anën tjetër, Llapi mbetet në vendin e parafundit me vetëm pesë pikë.

        Në xhiron e ardhshme, Prishtina do të jetë nikoqire e Vushtrrisë, ndërsa Llapi do të kërkojë pikë në udhëtim ndaj Dukagjinit.

        1. Drita vazhdon serinë e fitoreve, mposht Vushtrrinë dhe i afrohet kreut të tabelës

          Drita vazhdon serinë e fitoreve, mposht Vushtrrinë dhe i afrohet kreut të tabelës

          Drita ka regjistruar një tjetër fitore në Albi Mall Superligën e Kosovës, duke mposhtur Vushtrrinë me rezultat 3-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 12-të të kampionatit.

          Skuadra e drejtuar nga Ardian Nuhiu po kalon një periudhë shumë të mirë, pasi kjo ishte fitorja e katërt radhazi në kampionat, duke konfirmuar ambiciet për të luftuar në pjesën e sipërme të tabelës.

          Gjilanasit e nisën ndeshjen më mirë dhe arritën të krijojnë epërsi prej dy golash në pjesën e parë. Mike Arthur zhbllokoi rezultatin në minutën e 19-të, ndërsa Kemelho Nbguena në minutën e 31-të realizoi për 2-0.

          Vushtrria nuk u dorëzua dhe arriti të rikthejë emocionet në fund të pjesës së parë. Albijon Shurdhiqi realizoi një gol të bukur në minutën e 42-të, duke ngushtuar rezultatin në 2-1.

          Në pjesën e dytë, Drita administroi mirë epërsinë dhe vulosi fitoren në minutën e 75-të. Ishte Albert Dabiqaj ai që gjeti rrugën drejt rrjetës për rezultatin përfundimtar 3-1.

          Me këtë triumf, Drita ngjitet në kuotën e 23 pikëve dhe renditet në pozitën e tretë, duke vazhduar presionin në garën për kreun e tabelës. Në anën tjetër, Vushtrria mbetet në vendin e fundit me vetëm tri pikë.

          Në xhiron e ardhshme, Drita do të përballet në udhëtim me Drenicën, ndërsa Vushtrria do të kërkojë pikë të rëndësishme në shtëpi ndaj Prishtinës.