ATV

Author: A.M.

  • Kombëtarja e Turqisë nuk do të bëjë seancë stërvitore në Prishtinë

    Kombëtarja e Turqisë nuk do të bëjë seancë stërvitore në Prishtinë

    Federata e Futbollit e Turqisë ka publikuar programin zyrtar për ndeshjen e ardhshme kundër Kosovës, me turqit që kanë vendosur të mos zhvillojnë stërvitje në “Fadil Vokrri”.

    Të hënën, kombëtarja turke do të zhvillojë stërvitje paradite në qendrën e saj stërvitore, dhe më pas do të udhëtojë drejt Prishtinës.

    Në orën 18:00, është planifikuar një ecje e lojtarëve në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”, ndërsa në 18:15 do të mbahet konferenca zyrtare për shtyp, ku do të paraqiten përzgjedhësi Vincenzo Montella dhe një lojtar nga ekipi turk.

    Edhe Kosova do të ndjekë praktikat e zakonshme para ndeshjes, duke mos stërvitur në stadiumin e ndeshjes, por do të realizojë vetëm një ecje simbolike në fushë – një model që u ndoq edhe në ndeshjet e udhëtimeve në Lubjanë dhe Bratislavë.

    Ndeshja mes Kosovës dhe Turqisë do të zhvillohet të martën në orën 20:45 dhe do të vendosë një skuadër për në Botërorin 2026, që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

  • Igor Tudor largohet nga posti i trajnerit të Tottenham-it

    Igor Tudor largohet nga posti i trajnerit të Tottenham-it

    Trajneri i Tottenhamit, Igor Tudor, është larguar nga klubi pas vetëm gjashtë javësh në krye të ekipit.

    Tudor nuk fitoi asnjë nga pesë ndeshjet e tij në Ligën Premier, duke barazuar vetëm një dhe duke humbur katër të tjerat, pasi zëvendësoi Thomas Frank në shkurt.

    “Mund të konfirmojmë se është rënë dakord reciprokisht që trajneri Igor Tudor të largohet nga klubi me efekt të menjëhershëm. Tomislav Rogic dhe Riccardo Ragnacci gjithashtu kanë lënë rolet e tyre përkatëse si trajner të portierëve dhe trajner fizik. Falënderojmë Igorin, Tomislavin dhe Riccardon për përpjekjet e tyre gjatë gjashtë javëve të fundit, në të cilat punuan pa u lodhur”, thuhet në komunikatë.

    Tudor e lë Tottenhamin në vendin e 17-të në tabelën e Ligës Premier, me 30 pikë, vetëm një më shumë se West Ham, duke u afruar me zonën e rënies nga kategoria.

  • Vinicius Jr në dyshim-Real Madridi në alarm

    Vinicius Jr në dyshim-Real Madridi në alarm

    Gjiganti spanjoll Real Madrid është vënë në alarm për gjendjen fizike të një prej yjeve kryesorë të repartit ofensiv, Vinicius Jr.

    Sulmuesi brazilian ndodhet aktualisht me kombëtaren e Brazilit, ku u aktivizua si titullar në mesjavë në miqësoren ndaj Francës, sfidë në të cilën skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti pësoi humbje.

    Në atë ndeshje pati probleme fizike edhe për yllin e Barcelonës, Raphinha, i cili pritet të mungojë për disa javë pas një dëmtimi të pësuar.

    Ndërkohë, sipas raportimeve të fundit nga “El Chiringuito TV”, edhe Vinicius Jr mund të jetë një shqetësim për Real Madridin.

    Braziliani nuk mori pjesë në seancën stërvitore të së shtunës në mëngjes, duke qëndruar nën kujdesin e stafit mjekësor të Seleçaos për shkak të disa shqetësimeve fizike.

    Për momentin nuk dihet shkalla e dëmtimit, ndërsa një përditësim mbi gjendjen e tij pritet në ditët në vijim – diçka që po ndiqet me shumë vëmendje nga Real Madridi.

    Vinicius është i padiskutueshëm te Real Madridi dhe një ndër më meritorët që “Los Blancos” janë ende në garë si për titullin e La Liga-s, ashtu edhe për Ligën e Kampionëve.

  • E ardhmja e Cole Palmer te Chelsea në pikëpyetje mes pakënaqësive dhe interesimit nga gjigantët evropianë

    E ardhmja e Cole Palmer te Chelsea në pikëpyetje mes pakënaqësive dhe interesimit nga gjigantët evropianë

    Cole Palmer nuk po kalon periudhën më të mirë te Chelsea FC, ndërsa raportimet e fundit tregojnë se ai po bëhet gjithnjë e më i frustruar me situatën e tij në klub.

     

    Sipas gazetarit Samuel Luckhurst, mesfushori ofensiv është i pakënaqur me zhvillimet e fundit dhe nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë i hapur për një largim gjatë afatit kalimtar të verës.

     

    Interesi për 23-vjeçarin është i madh, me disa nga klubet më të fuqishme evropiane që po e ndjekin nga afër situatën e tij, përfshirë Manchester United, Real Madrid dhe Bayern Munich.

     

    Palmer konsiderohet një nga talentet më të mëdha të brezit të tij dhe vlera e tij në treg raportohet të jetë rreth 150 milionë funte. Burime pranë lojtarit sugjerojnë se një nga arsyet kryesore të pakënaqësisë lidhet me ndryshimet në qasjen taktike të Chelseat, të cilat ai mendon se kanë kufizuar ndikimin dhe hapësirat e tij në fushë.

     

    Gjithashtu, mungesa e sulmuesit Nicolas Jackson, i cili me shpejtësinë dhe lëvizjet e tij e plotësonte lojën e Palmer, ka ndikuar negativisht në performancën e anglezit. Për më tepër, sezoni i tij është ndikuar edhe nga disa probleme fizike, përfshirë dëmtime në ijë dhe në gishtin e këmbës.

     

    Në anën tjetër, Chelsea, që aktualisht drejtohet nga Liam Rosenior, ndodhet në vendin e gjashtë në Premier League dhe po lufton për një vend në UEFA Champions League. Një dështim për të siguruar kualifikimin në këtë kompeticion mund ta bëjë edhe më të vështirë mbajtjen e lojtarëve kyç, përfshirë Palmer.

     

    Megjithatë, pavarësisht spekulimeve të shumta, Chelsea vazhdon ta konsiderojë Palmer si një pjesë të paprekshme të projektit afatgjatë, ndërsa kontrata e tij është e vlefshme deri në vitin 2033. Kjo e vendos klubin në një pozicion të fortë negociues dhe e bën çdo transferim të mundshëm shumë të vështirë për t’u realizuar

  • Kombëtarja e Kosovës mban seancën e dytë stërvitore për ndeshjen kundër Turqisë

    Kombëtarja e Kosovës mban seancën e dytë stërvitore për ndeshjen kundër Turqisë

    Kombëtarja e Kosovës në futboll të dielën mbajti seancën e dytë stërvitore për ndeshjen finale të play-off-it të Kupës së Botës 2026 kundër Turqisë.

    Gjatë stërvitjes u vërejtë një atmosferë pozitive në mesin e lojtarëve të kampit dardan,ku shumica patën një disponim të mirë dhe të relaksuar përpara sifdës historike ndaj turqve të martën mbrëma.

    Përzgjedhësi Franco Foda ka punuar më shumë në anën taktike të lojës gjatë përgatitjeve për këtë ndeshje tejet të rëndësishme,ku synohet të nxjerret një formacion ideal për misionin anti-Turqi.

    Sulmuesi Fisnik Asllani u shpreh se është optimist në fitoren e Kosovës ndaj Turqisë,dhe se nuk i përshtypje fare nëse ekipi turk është favorit apo jo dhe se kombëtaret si Sllovakia,Suedia dhe Sllovenia menduan të njëjtën gjë por këta të fundit dolën humbës pas ndeshjeve kundër tyre.

    “Besoj që fitorja na ka dhënë shumë vetëbesim, kështu që të martën kundër Turqisë kemi me bo një lojë shumë të mirë, t’i kemi tifozët pranë vetës. Shpresoj që e fitojmë lojën dhe shkojna në Kupën e Botës”.

    “Turqia favorit? Mua kjo pjesë nuk më intereson, as ekipit jo – në fund shikohet në fushë çfarë bëhet. Ata munden me qenë favorit, njëjtë janë kanë edhe Sllovakia e Suedia kështu na me e kry punën tonë dhe pastaj të shohim pas lojës”.

    “Tifozët? Me na ndihmu sa të mundën, të na përkrahin në fushë dhe jashtë fushës. Na kemi me dhënë maksimumin për ta, do ta lëmë zemrën në fushë dhe të fitojmë lojën të martën”

    Në anën tjetër portieri Aro Muric ka deklaruar se është optimist për fitore ndaj Turqisë,dhe se do të bëjnë çmos që Kosova të kualifikohet në botëror.

    “Jemi gati dhe besoj se do të jetë një ditë e bukur në Prishtinë. Do të japim gjithçka për të fituar”.

    “Siç e kam thënë më parë deri në momentin e fundit asgjë nuk përfundon dhe ja ku jemi tani. Gjithçka varet nga ne. E kemi merituar dhe do të japim maksimumin për të marrë fitore”.

    “Mbështetja e tifozëve ka qenë e jashtëzakonshme. Kanë qenë pranë nesh gjithmonë dhe jemi mirënjohës për këtë, shpresoj që do t’i bëjmë krenar për t’i dhënë gjithçka në fushë”

     

    Ndërkohë Kombëtarja e Kosovës të hënën do të zhvilloj një konferencë për shtyp në ora 10;30,teksa do ta zhvilloj edhe seancën e fundit stërvitore nga ora 11:00.

    Kujtojmë që ndeshja finale e play-off-it për Kupën e Botës 2026 Kosovë-Turqi pritet të zhvillohet të martën nga ora 20:45,dhe fitorja do t’i kualifikonte “Dardanët”në turneun që do të mbahet në SHBA,Kanada dhe Meksikë.

  • Juventusi rrezikon të humbasë Thuram në verë nëse dështon të kualifikohet në Champions

    Juventusi rrezikon të humbasë Thuram në verë nëse dështon të kualifikohet në Champions

    Juventusi mund të përballet me një humbje të madhe në merkaton e ardhshme verore, pasi Khephren Thuram mund të largohet nga Torino nëse bardhezinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një vend në Ligën e Kampionëve.

    Mesfushori francez konsiderohet një nga lojtarët kyç të skuadrës dhe e ardhmja e tij lidhet ngushtë si me ambiciet sportive, ashtu edhe me situatën financiare të klubit. Juventusi tashmë është jashtë garës për titull dhe objektivi i vetëm i mbetur është përfundimi në katër vendet e para në Serie A.

    Eliminimi i fundit ndaj Galatasarayt në “Allianz Stadium” është parë si një goditje e rëndë, duke rritur presionin mbi skuadrën për të shpëtuar sezonin përmes kualifikimit në Champions. Përveç aspektit sportiv, një dështim i tillë do të sillte pasoja të mëdha financiare për klubin.

    Nëse rivalët si Como dhe Roma arrijnë të zënë vendet që çojnë në Ligën e Kampionëve, Juventusi jo vetëm që do të mbetet jashtë kompeticionit më të rëndësishëm evropian, por gjithashtu do të humbasë të ardhura të konsiderueshme. Një skenar i tillë mund ta detyrojë klubin të bëjë një shitje të rëndësishme gjatë verës.

    Në këtë kontekst, Thuram shihet si kandidati kryesor për t’u larguar. Raportohet se vetë lojtari është i hapur për një transferim nëse Juventusi mbetet jashtë top 4, në mënyrë që të vazhdojë zhvillimin e tij në nivelin më të lartë evropian.

    Që nga transferimi i tij në Torino për rreth 20 milionë euro, vlera e Thuram është rritur ndjeshëm dhe ai ka tërhequr interesin e disa klubeve të mëdha. Mes tyre është edhe Manchester United, i cili e sheh francezin si një përforcim ideal në mesfushë, sidomos në prag të një largimi të mundshëm të Casemiros. Në “Old Trafford”, ai mund të formojë një treshe interesante me Kobbie Mainoo dhe Bruno Fernandes.

    25-vjeçari ka zhvilluar një sezon solid me fanellën e Juventusit, duke regjistruar 38 paraqitje në të gjitha garat, mbi 2700 minuta në fushë, si dhe duke kontribuar me 3 gola dhe 3 asistime.

  • Kapiteni Amir Rrahmani pritet të jetë i pranishëm në ndeshjen Kosovë–Turqi

    Kapiteni Amir Rrahmani pritet të jetë i pranishëm në ndeshjen Kosovë–Turqi

    Kapiteni i Kombëtares së Kosovës Amir Rrahmani, pritet të jetë i pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri” për të mbështetur bashkëlojtarët e tij në ndeshjen vendimtare ndaj Kombëtarja e Turqisë, në kuadër të finales së Play-Off-it.

    Edhe pse mungesa e tij në fushë është ndjerë dukshëm për shkak të një dëmtimi muskulor, mbrojtësi i Napoli ka marrë leje nga klubi për të udhëtuar drejt Prishtinës. Ai pritet t’i bashkohet ekipit të martën, duke ofruar përkrahje morale në një moment shumë të rëndësishëm për kombëtaren.

    Rrahmani, i cili është në fazën përfundimtare të rikuperimit pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen ndaj Roma, pritet të rikthehet në fushë në mesin e muajit prill. Ky është një lajm i mirë për trajnerin Antonio Conte, i cili do të mund të llogarisë në shërbimet e tij në momentet vendimtare të sezonit në Serie A.

    Prania e kapitenit në tribunat e stadiumit në Prishtinë pritet të shërbejë si një shtysë e madhe për futbollistët e Kosovës, të cilët do të kërkojnë një rezultat pozitiv përballë Turqisë dhe një hap të rëndësishëm drejt suksesit.

    Kujtojmë që Amir Rrahmani mungon në grumbullimin e dardanëve për ndeshjet vendimtare të dardanëve për shkak të lëndimit.

  • Trajneri turk Hikmet Karaman paralajmëron Turqinë para ndeshjes kundër Kosovës

    Trajneri turk Hikmet Karaman paralajmëron Turqinë para ndeshjes kundër Kosovës

    Kosova dhe Turqia do të përballen të martën mbrëma, me fillim nga ora 20:45, në ndeshjen më të rëndësishme në historinë e Kombëtares sonë.

    Fituesi siguron kualifikimin në Botëror, ndërsa humbësi mbetet në shtëpi dhe duhet të presë edhe katër vite për një tjetër mundësi.

    Trajneri i njohur turk, Hikmet Karaman, i cili ka përvojë të gjatë në drejtimin e skuadrave turke dhe aktualisht drejton Igdirin, ka analizuar këtë përballje për “Hürriyet”.

    66-vjeçari ka lavdëruar Kosovën për ndeshjen ndaj Sllovakisë, por edhe për paraqitjet në grup, ku ishte së bashku me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë.

    “Të dyja skuadrat zhvilluan një ndeshje të hapur dhe me ritëm të shpejtë, që rezultoi me shumë gola. Në atë takim, Kosova tregoi se kur e ka topin në zotërim, pason mirë, nis kundërsulme të shpejta dhe është efektive në krosime dhe tranzicione. Prandaj, taktikat për ndeshjen kundër Kosovës nuk do të jenë të njëjta. Trajneri i tyre, Franco Foda, është gjithashtu një menaxher shumë i mirë dhe me përvojë.

    Në fakt, para kësaj ndeshjeje duhet të analizojmë jo vetëm takimin Sllovaki–Kosovë, por edhe atë që Kosova bëri në grupin kualifikues për Kupën e Botës. Zvicra, Sllovenia dhe Suedia janë ndër ekipet më të mira sa i përket mbrojtjes zonale, lojës në tranzicion, kundërsulmeve dhe goditjeve standarde. Dhe Kosova arriti të dalë nga ky grup. Kushtojini vëmendje: ata e mundën Suedinë në të dyja ndeshjet, fituan 2-0 ndaj Sllovenisë jashtë fushe dhe barazuan me Zvicrën, e cila përfundoi në krye të grupit. Pra, nuk na pret një ndeshje e lehtë.

    Do të luajmë jashtë fushe dhe tifozët e Kosovës do t’i japin ekipit të tyre një mbështetje të jashtëzakonshme. Edhe njoftimi i kryeministrit për bonuse rekord do të jetë një motivim shtesë për ta. Nuk e di kur do të mbërrijë ekipi ynë atje, por është e rëndësishme ta përjetojnë atmosferën e stadiumit sa më herët. Kjo është një ndeshje e vetme: fituesi shkon në Kupën e Botës”, tha Karaman.

    Karaman shtoi se për ta mposhtur Kosovën, Turqia duhet të luajë më mirë sesa ndaj Rumanisë dhe më mirë se në pjesën e dytë ndaj Spanjës.

    “Kosova është një ekip i fortë. Ata luajnë me formacion 5-4-1, por gjatë ndeshjes mund të kalojnë në 3-4-2-1. Janë shumë të suksesshëm në rikthimin e topit, ndërsa mesfushorët e tyre janë të gjithanshëm dhe shumë krijues. Është një ekip që kalon shumë mirë në tranzicion dhe përballon presionin. Po, ne kemi yje të rëndësishëm si Arda Güler, Kenan Yıldız dhe liderin e ekipit, Hakan Çalhanoğlu. Por po përballemi me një ekip shumë efektiv në goditjet standarde dhe në sulm. Trajneri ynë patjetër do të përgatisë një taktikë të ndryshme”, përfundoi Karaman.

  • Kimi Antonelli shkruan historinë në Japoni me fitoren e dytë radhazi

    Kimi Antonelli shkruan historinë në Japoni me fitoren e dytë radhazi

    Andrea Kimi Antonelli vazhdon të mahnisë botën e Formula 1, duke triumfuar edhe në Çmimin e Madh të Japonisë pas fitores në Kinë. Piloti italian i Mercedes-AMG Petronas Formula One Team hyn në histori si piloti i parë nën moshën 20 vjeç që fiton dy gara radhazi.

    Antonelli e nisi garën nga pole position, por pati një start për t’u harruar, duke rënë deri në vendin e gjashtë. Në krye u vendos Oscar Piastri, i ndjekur nga Charles Leclerc dhe Lando Norris. Ndërkohë, për Mercedes filloi një punë e madhe për rikuperimin e pozicioneve, me të dyja makinat që shfaqën ritëm të lartë, por u penalizuan nga trafiku në pistë.

    Parakalimet ndaj makinave Ferrari u realizuan me sukses, por George Russell mbeti pas Piastrit, ndërsa Norris mbante pas Antonellin. Lufta për vendin e dytë ishte e fortë, me parakalime dhe kundërparakalime, por australiani rezistoi mirë, ndërsa Leclerc ruante pozicionin ndaj Norris.

    Në xhiron e 15-të, Antonelli bëri një paraqitje spektakolare, duke kaluar si Norris ashtu edhe Leclerc dhe duke u shndërruar në pilotin më të shpejtë në pistë. Momenti vendimtar erdhi pas aktivizimit të Safety Car për shkak të një incidenti të Oliver Bearman. Russell hyri në bokse, ndërsa Antonelli përfitoi dhe mori kryesimin.

    Pas ristartit, italiani menaxhoi në mënyrë perfekte garën, duke rritur gradualisht diferencën me ndjekësit dhe duke kaluar i pari vijën e finishit. Pas tij u rendit Piastri, që rikthehet në podium pas dy garash të vështira, ndërsa vendi i tretë shkoi për Leclerc pas një dueli të fortë me Russell në fund të garës.

    Në vendin e katërt u pozicionua Russell, i ndjekur nga Norris dhe Lewis Hamilton. Në zonën e pikëve u renditën gjithashtu Pierre Gasly, Max Verstappen, Liam Lawson dhe Esteban Ocon.

    Pas Çmimit të Madh të Japonisë, ndryshon edhe renditja e përgjithshme. Antonelli kryeson me 72 pikë, duke vendosur një tjetër rekord si piloti më i ri në historinë e Formula 1 që merr kryesimin e kampionatit. Në vendin e dytë renditet Russell me 61 pikë, ndërsa Leclerc mban vendin e tretë me 49 pikë.

  • Spurs vazhdojnë dominimin-Mposhtin Bucks dhe regjistrojnë fitoren e tetë radhazi

    Spurs vazhdojnë dominimin-Mposhtin Bucks dhe regjistrojnë fitoren e tetë radhazi

    San Antonio Spurs vazhdojnë formën e shkëlqyer, duke triumfuar bindshëm ndaj Milwaukee Bucks me rezultatin 127:95 në Fiserv Forum. Kjo ishte fitorja e tetë radhazi për ekipin nga Teksasi, që po kalon një periudhë mbresëlënëse në sezon.

     

    Që nga fillimi i ndeshjes, Spurs diktuan ritmin dhe kontrolluan lojën, duke rritur vazhdimisht epërsinë. Pjesa e parë u mbyll me shifrat 67:45 në favor të mysafirëve.

     

    Bucks reaguan vetëm në çerekun e tretë, por Spurs rikthyen dominimin në periodën e fundit, duke e thelluar diferencën deri në 32 pikë në fund të takimit.

     

    Më i dalluari për Spurs ishte Victor Wembanyama me 23 pikë dhe 13 ribaunde, ndërsa Stephon Castle kontribuoi me 22 pikë dhe 10 ribaunde. Në anën tjetër, Gary Trent ishte lojtari më efikas për Milwaukee me 18 pikë.

     

    San Antonio Spurs renditen të dytët në Konferencën Perëndimore me 56 fitore dhe 18 humbje, vetëm dy fitore larg liderit Oklahoma City Thunder. Ndërkohë, Milwaukee Bucks pozicionohen në vendin e 11-të në Konferencën Lindore.