ATV

Real Madridi përgatit ankesë për përjashtimin e Bellinghamit, synon anulimin e kartonit të kuq

Written by

in

Real Madridi nuk është pajtuar me vendimin e gjyqtarit për përjashtimin e Jude Bellinghamit në humbjen 2:1 ndaj Alavesit dhe tashmë po përgatit një ankesë zyrtare për ta kundërshtuar kartonin e dytë të verdhë të mesfushorit anglez.

Sipas mediumit spanjoll “AS”, drejtuesit madrilenë besojnë se vendimi i gjyqtarit Cesar Soto Grado ishte i gabuar dhe se pamjet nga një kënd tjetër i kamerave mund të dëshmojnë se Bellingham kishte pasur kontakt me mbrojtësin kundërshtar.

Incidenti ndodhi në minutën e 88-të, kur fillimisht u akordua penallti në favor të Real Madridit. Megjithatë, pas rishikimit të aksionit përmes sistemit VAR, gjyqtari ndryshoi vendimin, duke e ndëshkuar Bellinghamin me kartonin e dytë të verdhë për simulim.

Mesfushori anglez kishte marrë kartonin e parë të verdhë në minutën e 74-të, për shkak të protestave ndaj një vendimi të gjyqtarit.

Sipas pretendimeve të klubit madrilen, arbitrit nuk i janë prezantuar pamjet më të qarta të aksionit, të cilat, sipas tyre, dëshmojnë se ka pasur kontakt mes Bellinghamit dhe mbrojtësit të Alavesit.

Përjashtimi i anglezit rrezikon t’i kushtojë atij mungesën në ndeshjen e së mërkurës ndaj Real Sociedadit, në kuadër të La Ligës, pasi pritet të pezullohet për një ndeshje.

Përmes ankesës zyrtare, Real Madridi synon që vendimi disiplinor ndaj Bellinghamit të rishqyrtohet dhe mesfushori të shmangë pezullimin. Tashmë mbetet të shihet nëse organet kompetente do ta pranojnë kërkesën e klubit madrilen.