ATV

Author: A.M.

  • Jeta Zeka shkruan histori, gjyqtarja kosovare nominohet për dy ndeshje të FIBA EuroCup Women

    Jeta Zeka shkruan histori, gjyqtarja kosovare nominohet për dy ndeshje të FIBA EuroCup Women

    Gjyqtarja nga Peja, Jeta Zeka, ka shënuar një arritje të rëndësishme për karrierën e saj dhe për basketbollin kosovar, pasi është nominuar për të gjykuar dy ndeshje të garës evropiane FIBA EuroCup Women.

    Sipas njoftimit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Zeka do të bëhet gjyqtarja e parë femër nga Kosova që do të ndajë drejtësinë në garat evropiane të klubeve të organizuara nga FIBA.

    Angazhimi i saj i parë do të jetë më 14 tetor 2026, në Campobasso të Italisë, në ndeshjen ndërmjet Magnolia Basket Campobasso dhe Cinkarna Celje.

    Ndërkaq, më 21 tetor 2026, gjyqtarja pejane do të jetë pjesë e ekipit të gjyqtarëve në përballjen ndërmjet GEAS Basket SSDRL dhe Panathinaikos A.C., e cila do të zhvillohet në Milano të Italisë.

    Ky nominim përbën një moment historik për gjykimin në basketbollin kosovar dhe një hap të rëndësishëm drejt rritjes së përfaqësimit të gjyqtareve nga Kosova në garat ndërkombëtare.

    Arritja e Jeta Zekës është një dëshmi e përkushtimit dhe profesionalizmit të saj, duke e vendosur Kosovën në hartën e gjykimit evropian të basketbollit.

  • Kosova mbyll Botërorin e xhudos në Baku pa medalje

    Kosova mbyll Botërorin e xhudos në Baku pa medalje

    Kosova e ka përfunduar pa medalje Kampionatin Botëror të xhudos në Baku të Azerbajxhanit, ku morën pjesë katër garues kosovarë. Asnjëri prej tyre nuk arriti të luftonte për medalje, në një kampionat të vështirë për përfaqësuesen tonë.

    Paraqitjen më të mirë e pati Dardan Cena, i cili regjistroi dy fitore në kategorinë deri në 73 kilogramë, duke mposhtur irlandezin Joshua Green dhe gjeorgjianin Lasha Shavdatuashvili. Megjithatë, ai u eliminua në luftën e tretë nga italiani Leandro Valeriani.

    Akil Gjakova u ndal që në luftën e parë nga kampioni olimpik, Hidayat Heydarov, ndërsa Laura Fazliu, pas fitores në debutim, pësoi humbje nga mongolja Enkhriilen Lkhagvatogoo. Pa fitore e përfundoi garën edhe Shpati Zekaj.

    Mungesa e Distria Krasniqit, për shkak të lëndimit, ishte një goditje e madhe për ekipin kosovar, pasi ajo konsiderohej një nga shpresat kryesore për medalje.

    Kosova vjen nga sukseset e viteve të fundit, pasi në Botërorin e kaluar fitoi medaljen e argjendtë me Distria Krasniqin dhe të bronztën me Laura Fazliun. Tashmë, synimi i radhës është rikthimi te rezultatet e mëdha dhe përgatitja për Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”, nën drejtimin e trajnerit Driton Kuka.

  • Arsenali gati ta shesë Gyokeresin, kjo është shuma që kërkon për sulmuesin suedez

    Arsenali gati ta shesë Gyokeresin, kjo është shuma që kërkon për sulmuesin suedez

    Arsenali po planifikon lëvizjet e ardhshme në afatin kalimtar, ndërsa drejtuesit e klubit londinez po shqyrtojnë mundësitë për të përforcuar skuadrën dhe për të ndërtuar një ekip që mund të luftojë për trofe.

    Një nga emrat që po përflitet për një largim të mundshëm është Viktor Gyokeres, i cili u transferua nga Sportingu i Lisbonës me pritshmëri të mëdha. Sulmuesi suedez realizoi 21 gola në 55 paraqitje gjatë sezonit të tij të parë me “Topçinjtë”.

    Megjithatë, forma e tij në sezonin aktual ka ngritur pikëpyetje, pasi në katër ndeshjet e zhvilluara deri më tani ende nuk ka arritur të shënojë gol.

    Arsenali ka në dispozicion edhe Kai Havertzin, ndërsa drejtuesit e klubit pritet të vlerësojnë paraqitjet e Gyokeresit përpara se të marrin një vendim për të ardhmen e tij.

    Gjatë verës pati spekulime për një largim të mundshëm të suedezit, në rast se Arsenali do të arrinte të siguronte shërbimet e Julian Alvarezit.

    Sipas raportimeve të “Football Insider”, klubi londinez do të ishte i gatshëm të shqyrtonte shitjen e Gyokeresit në rast të një oferte prej rreth 75 milionë eurosh.

    Megjithatë, një largim i sulmuesit nuk pritet të ndodhë gjatë këtij sezoni. Sipas këtyre raportimeve, Gyokeres mund të largohet nga “Emirates” në verën e vitit 2027, ndërsa destinacioni i tij i ardhshëm mbetet i paqartë.

    Për momentin, Arsenali pritet të vlerësojë ecurinë e sulmuesit suedez gjatë sezonit, për të parë nëse ai do të arrijë të rikthehet në formën që e bëri një nga emrat më të kërkuar në futbollin evropian gjatë periudhës së tij te Sportingu.

  • Jose Mourinho jep lajmet për Valverden dhe Militaon para duelit me Villarrealin

    Jose Mourinho jep lajmet për Valverden dhe Militaon para duelit me Villarrealin

    Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka folur për gjendjen fizike të Federico Valverdes dhe Eder Militaos, në prag të përballjes me Villarrealin, që zhvillohet të shtunën.

    Tekniku portugez ka pranuar se ende nuk është i sigurt nëse Valverde do të jetë i gatshëm për këtë takim, pasi mesfushori pësoi një lëndim të shkallës së tretë në kyçin e këmbës gjatë humbjes në derbin ndaj Atletico Madridit, para pushimit ndërkombëtar.

    Ndërkohë, Militao ka shënuar përparim në rikuperimin e tij pas operacionit në kofshë, të cilit iu nënshtrua në muajin prill. Megjithatë, mbrojtësi brazilian nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës.

    “Militao nuk do të luajë nesër. Federico Valverde është në dyshim”, ka deklaruar Mourinho.

    Trajneri i Real Madridit ka vlerësuar lart cilësitë e Militaos, por ka bërë të qartë se mbrojtësi ka nevojë për më shumë kohë për t’u rikthyer në fushë.

    “Militao është i pabesueshëm, shumë i mirë. Ai mund të luajë edhe nesër, por nuk do të luajë as kundër Villarrealit, as kundër Romës dhe as kundër Sevillas. Atij i duhen edhe disa javë”, ka përfunduar Mourinho.

    Kështu, Real Madridi rrezikon të mos ketë në dispozicion Valverden për sfidën ndaj Villarrealit, ndërsa rikthimi i Militaos do të kërkojë ende kohë.

  • Pro Credit Superliga e basketbollit në Kosovë, publikohet orari i xhiros së katërt

    Pro Credit Superliga e basketbollit në Kosovë, publikohet orari i xhiros së katërt

    Basketbolli kosovar rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e xhiros së katërt të ProCredit Superligës, ku në program janë katër përballje që zhvillohen të shtunën dhe të dielën.

    Ndeshjet e para do të luhen të shtunën, më 10 tetor, ndërsa dy përballjet e tjera janë paraparë për të dielën, më 11 tetor.

    Të shtunën, vëmendja do të jetë te përballjet mes Minatorit dhe Vëllaznimit, që nis në orën 17:00 në palestrën “Minatori”, si dhe te dueli mes Bashkimit dhe skuadrës kundërshtare, i cili zhvillohet nga ora 19:30 në palestrën “Sezai Surroi”.

    Ndërkohë, të dielën, më 11 tetor, Ylli do të përballet me Pejën nga ora 17:00 në palestrën “13 Qershori”, kurse xhiroja mbyllet me ndeshjen mes Rahovecit 029 dhe Prishtinës, e cila zhvillohet nga ora 19:30 në palestrën “Mizahir Isma”.

    Të gjitha skuadrat synojnë të shënojnë fitore në këtë xhiro, në një tjetër fundjavë që pritet të sjellë emocione dhe rivalitet në parketet e basketbollit kosovar.

  • Lionel Messi bëhet miliarder, ylli argjentinas arrin pasurinë prej 1,1 miliardë dollarësh

    Lionel Messi bëhet miliarder, ylli argjentinas arrin pasurinë prej 1,1 miliardë dollarësh

    Lionel Messi vazhdon të shkruajë histori, jo vetëm në fushën e futbollit, por edhe në botën e biznesit. Sipas vlerësimeve të revistës prestigjioze “Forbes”, pasuria neto e yllit argjentinas ka arritur në 1,1 miliardë dollarë, duke e renditur atë mes sportistëve më të pasur në botë.

    Gjatë më shumë se dy dekadave në futbollin profesionist, Messi ka gjeneruar rreth 1,8 miliardë dollarë të ardhura bruto, falë kontratave me Barcelonën, Paris Saint-Germainin dhe aktualisht Inter Miamin, si dhe marrëveshjeve të shumta me sponsorë ndërkombëtarë.

    Vendimi për të vazhduar karrierën në Shtetet e Bashkuara i ka hapur horizonte të reja financiare. Përveç të ardhurave nga futbolli, argjentinasi përfiton edhe nga bashkëpunimet me marka globale, përfshirë Adidasin dhe Apple, ndërsa ka investuar gjithashtu në pasuri të paluajtshme dhe projekte të lidhura me futbollin.

    Fama e tij globale reflektohet edhe në rrjetet sociale, ku numëron qindra miliona ndjekës. Pas triumfit historik me Argjentinën në Kupën e Botës 2022, Messi vazhdon të mbetet një nga figurat më të mëdha të sportit modern, me ndikim që shtrihet përtej fushës së lojës.

    Me këtë sukses financiar, ylli argjentinas i bashkohet një grupi të rrallë sportistësh që kanë arritur pasurinë neto prej një miliard dollarësh, ku bëjnë pjesë edhe Cristiano Ronaldo, LeBron James dhe Tiger Woods.

    Kështu, Messi dëshmon se suksesi i tij nuk kufizohet vetëm te trofetë dhe rekordet sportive, por është shndërruar edhe në një perandori globale biznesi.

  • Lamine Yamal zbulon këshillën e Sergio Busquetsit që ia ndryshoi karrierën: Ishte momenti kur u zgjova

    Lamine Yamal zbulon këshillën e Sergio Busquetsit që ia ndryshoi karrierën: Ishte momenti kur u zgjova

    Ylli i Barcelonës dhe i Kombëtares së Spanjës, Lamine Yamal, ka rrëfyer një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij, duke zbuluar se një bisedë me legjendën e katalanasve, Sergio Busquets, e ndihmoi të ndryshonte qasjen ndaj futbollit dhe jetës jashtë fushës.

    19-vjeçari, i cili në të kaluarën është kritikuar për mungesë serioziteti, ka treguar se fjalët e ish-mesfushorit të Barcelonës shërbyen si një kambanë alarmi për të, duke e shtyrë të përqendrohej plotësisht te karriera e tij.

    “Një herë më pezulluan nga Kombëtarja dhe Busquets më pyeti: ‘Çfarë ke bërë?’ Më tha: ‘Je te Barça, duhet të sillesh mirë’. Ishte një moment kur thashë me vete: ‘Duhet të zgjohem’. Që nga ajo kohë, e lashë gjithçka tjetër në plan të dytë dhe iu përkushtova tërësisht futbollit”, ka rrëfyer Yamal në një intervistë për Movistar+.

    Talenti spanjoll ka treguar se gjatë asaj periudhe vendosi të hiqte dorë nga daljet dhe aktivitetet e tjera, duke u fokusuar vetëm te stërvitjet, ndeshjet dhe pushimi.

    “Ishte një vit kur nuk dola askund. U stërvita, luajta, pushova, shkova të vizitoja nënën time dhe vazhdova kështu. Ishte vetëm futboll, futboll dhe futboll. I thashë vetes se derisa të bëhesha titullar i padiskutueshëm te Barcelona, nuk do të bëja asgjë për të cilën mund të pendohesha”, ka përfunduar ylli spanjoll.

    Ndryshimi në qasjen e tij duket se ka dhënë rezultat, pasi Yamal vazhdon të konfirmohet si një nga futbollistët më të rëndësishëm të Barcelonës dhe të Spanjës.

    Paraqitjet e tij kanë bërë që emri i 19-vjeçarit të përmendet edhe në mesin e pretendentëve për fitimin e Topit të Artë 2026, në garë me yje si Harry Kane dhe Kylian Mbappe.

  • Kosova ndalet në barazim me Austrinë, “Dardanët” marrin vetëm një pikë në Prishtinë

    Kosova ndalet në barazim me Austrinë, “Dardanët” marrin vetëm një pikë në Prishtinë

    Kombëtarja e Kosovës është ndalur në një barazim me Austrinë, në përballjen e xhiros së katërt të Ligës B të Ligës së Kombeve.

    “Dardanët” ishin në epërsi, por Austria, me një gol me fat, arriti ta marrë një pikë në Prishtinë, ku epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 1-1.

    Përballja ishte tepër dramatike që nga minuta e parë, ku të dy kombëtaret kërkuan ta gjenin rrjetën.

    Kosova rrezikoi me Vedat Muriqin dhe Veldin Hoxhën, mirëpo asnjëri prej tyre nuk arriti ta mposhtë portierin e Austrisë.

    Ndërkohë, edhe Amir Shaipi bëri disa pritje të bukura për t’ua mohuar golin austriakëve.

    Pjesa e dytë ishte shumë më e zjarrtë. Kosova e nisi fuqishëm, duke rrezikuar me Hoxhën, i cili kishte një mundësi të mirë me kokë, por goditja rezultoi të ishte qendrore.

    Pas një aksioni të bukur, Edon Zhegrova asistoi për Fisnik Asllanin, i cili mposhti portierin mysafir për t’i dhënë epërsinë Kosovës në minutën e 70-të.

    Vetëm tre minuta më vonë, Kosova kishte rastin për ta dyfishuar epërsinë, por Milot Rashica goditi shtyllën.

    Kur askush nuk e priste, Austria ndërtoi një aksion përmes rivënies anësore, ku Kalajdzic asistoi te Lang, i cili shënoi me kokë për ta barazuar rezultatin në minutën e 85-të.

    Kësisoj, Kosova ndalet në Prishtinë, ndërsa mbledh pesë pikë dhe mban pozitën e dytë, tri më pak se Austria. Në anën tjetër, Irlanda mund të ngjitet mbi Kosovën në rast se fiton ndaj Izraelit.

    Kosova do të rikthehet në Prishtinë sërish më 14 nëntor, ku do ta presë Izraelin. Më pas, tri ditë më vonë, udhëton drejt Irlandës, ku do ta mbyllë ciklin e Ligës së Kombeve.

  • Valon Berisha nderohet para ndeshjes Kosovë–Austri

    Valon Berisha nderohet para ndeshjes Kosovë–Austri

    Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka njoftuar se para ndeshjes Kosovë–Austri do të zhvillohet një ceremoni përshëndetëse për Valon Berishën.

    Mesfushori i Zurichut ka njoftuar më herët pensionimin nga futbolli ndërkombëtar, duke i dhënë fund aventurës me fanellën e Kosovës.

    Berisha është një prej futbollistëve që ka lënë gjurmë në historinë e Kombëtares së Kosovës, pasi ishte ndër lojtarët që zgjodhën fanellën dardane, duke u larguar nga përfaqësuesja e Norvegjisë.

    FFK-ja ka bërë të ditur se ceremonia do të zhvillohet para fillimit të sfidës në stadiumin “Fadil Vokrri”, në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe përkushtimin e tij.

    “Sonte, një moment i veçantë për një nga Dardanët që la gjurmë! Në kuadër të ndeshjes së Kombëtares së Kosovës, do të organizohet ceremonia përshëndetëse për Valon Berishën, në shenjë mirënjohjeje për kontributin, përkushtimin dhe emocionet që i dhuroi fanellës së Kosovës.

    Faleminderit për gjithçka, Valon!”, ka shkruar FFK-ja.

  • Kosova kërkon hakmarrjen ndaj Austrisë, Foda publikon formacionin

    Kosova kërkon hakmarrjen ndaj Austrisë, Foda publikon formacionin

    Kombëtarja e Kosovës do të kërkojë fitoren ndaj Austrisë, për të mbajtur gjallë shpresat për vendin e parë në Ligën B të Ligës së Kombeve.

    Përzgjedhësi Franco Foda ka vendosur sërish për një formacion ofensiv, duke iu besuar në sulm Milot Rashicës, Edon Zhegrovës dhe Vedat Muriqit.

    Në mesfushë janë Leon Avdullahu dhe Veldin Hoxha, ndërsa në krahë do të luajnë Mërgim Vojvoda dhe Dion Gallapeni.

    Në mbrojtje, Foda ka vendosur për Ron Raçin, Lumbardh Dellovën dhe Ilir Krasniqin, ndërsa në portë do të jetë Amir Shaipi.

    Formacioni i Kosovës: Shaipi; Krasniqi, Dellova, Raçi; Vojvoda, Avdullahu, Hoxha, Gallapeni; Rashica, Zhegrova; Muriqi.

    Austria ndërkohë pritet të zbresë në fushë me formacionin e saj më të mirë.

    Ndeshja Kosovë–Austri zhvillohet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe nis nga ora 18:00.

    May be a graphic of text