ATV

Author: A.M.

  • Manchester United pëson debakël ndaj Brentfordit, humb me rezultat të thellë 4-0

    Manchester United pëson debakël ndaj Brentfordit, humb me rezultat të thellë 4-0

    Manchester United ka pësuar një tjetër goditje të rëndë në Ligën Premier, duke u mposhtur me rezultat 4-0 në udhëtim ndaj Brentfordit, në kuadër të javës së 12-të të kampionatit anglez.

    ‘Djajtë e Kuq’ zhvilluan një paraqitje zhgënjyese, duke u ndëshkuar që në pjesën e parë nga vendasit, të cilët shfrytëzuan në maksimum rastet e krijuara.

    Brentfordi kaloi në epërsi në minutën e 19-të, kur Callum Wilson përfitoi nga një kombinim i bukur me Dango Ouattara dhe mposhti portierin kundërshtar për 1-0.

    Në minutën e 32-të, Wilson realizoi sërish, këtë herë pas një asistimi nga Ouattara, duke e dyfishuar epërsinë e vendasve në 2-0.

    Manchester United pati disa mundësi për të reaguar. Harry Maguire goditi traversën në minutën e tetë, ndërsa Patrick Dorgu dhe Amad Diallo provuan gjithashtu të rrezikonin portën e Brentfordit, por pa sukses.

    Në pjesën e dytë, trajneri Mauricio Pochettino bëri disa ndryshime në përpjekje për ta ndryshuar rrjedhën e ndeshjes, por Unitedi nuk arriti të gjente rrugën drejt golit.

    Dorgu u ndal nga një pritje e shkëlqyer e Caoimhin Kelleher në minutën e 54-t, ndërsa Youri Tielemans goditi traversën gjashtë minuta më vonë.

    Brentfordi e vulosi fitoren në minutën e 82-të, kur Kristoffer Ajer përfitoi nga një devijim me kokë i Dango Ouattaras pas një goditjeje nga këndi dhe dërgoi topin në rrjetë për 3-0.

    Për rezultatin përfundimtar u përkujdes Kevin Schade, i cili në minutën e 91-të realizoi për 4-0.

    Kjo humbje e rëndë e thellon edhe më shumë krizën te Manchester Unitedi, i cili mbetet në vendin e parafundit në tabelën e Ligës Premier, me vetëm tetë pikë të grumbulluara pas 12 javësh.

  • Bayern Munich zhgënjen sërish, ndalet në barazim nga Hamburgu dhe rrezikon të shkëputet Dortmundi

    Bayern Munich zhgënjen sërish, ndalet në barazim nga Hamburgu dhe rrezikon të shkëputet Dortmundi

    Bayern Munich ka regjistruar një tjetër rezultat zhgënjyes në Bundesligë, pasi nuk shkoi më shumë se një barazim 0-0 në udhëtim ndaj Hamburgut, në kuadër të javës së 11-të të kampionatit gjerman.

    Bavarezët e patën të vështirë të gjenin rrugën drejt golit, ndërsa ndeshja u komplikua edhe më shumë në minutën e 44-t, kur Joshua Kimmich u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje që shkaktoi polemika, pasi vendimi i gjyqtarit u konsiderua i ashpër.

    Megjithatë, para këtij episodi, Bayerni kishte krijuar disa mundësi për të kaluar në epërsi. Noah Codjo-Evora, në minutën e nëntë, ishte pranë golit, por goditja e tij përfundoi fare pranë shtyllës së djathtë.

    Në minutën e 20-të, Bara Sapoko Ndiaye shpërdoroi një tjetër rast të mirë, duke e dërguar topin shumë mbi portë pas një pasimi të bukur nga Min-Jae Kim.

    Hamburgu pati mundësinë më të mirë në fund të pjesës së parë, kur Albert Gronbaek ekzekutoi një goditje dënimi nga skaji i zonës, por portieri Jonas Urbig reagoi mirë për ta ndalur goditjen e tij.

    Në pjesën e dytë, vendasit tentuan ta shfrytëzonin epërsinë numerike, ndërsa Martin Adeline, në minutën e 78-të, ishte shumë pranë realizimit, por goditja e tij nga brenda zonës përfundoi ngushtë jashtë shtyllës së djathtë.

    Ky është një tjetër hap fals për Bayernin në kampionat, që tashmë po humb pikë të rëndësishme në garën për titullin e Bundesligës.

    Me këtë barazim, skuadra e drejtuar nga Vincent Kompany mbetet në pozitën e dytë me 23 pikë, një më pak se lideri Borussia Dortmund.

    Megjithatë, Dortmundi ka mundësinë ta zgjerojë diferencën në katër pikë në krye të tabelës, nëse arrin të fitojë ndeshjen e tij.

  • Newcastle United interesohet për Edon Zhegrovën, Juventusi i hapur për largimin e kosovarit në janar

    Newcastle United interesohet për Edon Zhegrovën, Juventusi i hapur për largimin e kosovarit në janar

    Edon Zhegrova mund të largohet nga Juventusi gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi interesimi për shërbimet e reprezentuesit të Kosovës po shtohet nga disa klube evropiane.

    Sipas Transferfeed, Newcastle United është klubi i fundit që ka shfaqur interesim për anësorin kosovar, duke e parë atë si një mundësi për ta përfshirë në negociatat me Juventusin për transferimin e përhershëm të Nick Woltemade.

    Klubi italian dëshiron ta mbajë sulmuesin gjerman në skuadër edhe pas përfundimit të huazimit nga Newcastle, ndërsa skuadra angleze mund ta përdorë Zhegrovën si pjesë të një marrëveshjeje të mundshme mes dy klubeve.

    Megjithatë, Newcastle nuk është klubi i vetëm që po e monitoron situatën e 27-vjeçarit. Edhe Monaco dhe Al-Ittihad janë përmendur si destinacione të mundshme për futbollistin e Kosovës.

    Deri më tani nuk ka asnjë marrëveshje të arritur mes klubeve, por drejtuesit e Juventusit janë të gatshëm ta lejojnë largimin e Zhegrovës në rast se pranojnë një ofertë që i plotëson kërkesat e tyre ekonomike.

    Reprezentuesi i Kosovës këtë edicion ka zhvilluar dhjetë ndeshje me fanellën e Juventusit, duke regjistruar dy gola dhe tri asistime.

  • Kosova në finalen e madhe ndaj Serbisë në Counter-Strike 2, synohet medalja e artë në Lojërat Mesdhetare

    Kosova në finalen e madhe ndaj Serbisë në Counter-Strike 2, synohet medalja e artë në Lojërat Mesdhetare

    Ekipi i Kosovës në Counter-Strike 2 do të luajë sonte (e shtunë) finalen e madhe të Lojërave Mesdhetare të Esportit (Esports Mediterranean Games), ku përballë do të ketë Serbinë.

    Dueli final është caktuar të zhvillohet nga ora 22:00, ndërsa ekipi kosovar synon ta kurorëzojë me medalje të artë një rrugëtim të suksesshëm në këtë garë.

    Kosova ka treguar paraqitje shumë të mira gjatë fazës eliminatore. Në çerekfinale, djelmoshat tanë triumfuan me rezultat 2:0 ndaj Sllovenisë, duke fituar të dyja hartat me rezultatin identik 13:8, në Dust2 dhe Anubis.

    Edhe në gjysmëfinale, Ekipi i Kosovës vazhdoi me fitore, duke eliminuar Libanin me rezultat 2:0. Në hartën Dust2, kosovarët triumfuan 16:14, ndërsa në Mirage ishin bindës me rezultatin 13:6.

    Në anën tjetër, edhe Serbia siguroi vendin në finale pas dy fitoreve në fazën eliminatore. Fillimisht mposhti Bosnjë-Hercegovinën në çerekfinale, për të triumfuar më pas edhe ndaj Portugalisë në gjysmëfinale.

    Për Kosovën, kjo finale përfaqëson një arritje të rëndësishme në arenën ndërkombëtare të sportit elektronik dhe një mundësi për të dëshmuar edhe një herë potencialin e lojtarëve shqiptarë në këtë disiplinë.

    Tashmë, të gjithë sytë janë te dueli i mbrëmjes, ku ekipi i Kosovës do të kërkojë fitoren e madhe dhe medaljen e artë.

  • Mikel Arteta vendos objektivin e madh te Arsenali: Të arrijmë nivelin e Manchester Cityt që fitoi 100 pikë

    Mikel Arteta vendos objektivin e madh te Arsenali: Të arrijmë nivelin e Manchester Cityt që fitoi 100 pikë

    Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka vendosur një objektiv ambicioz për skuadrën e tij, duke kërkuar që londinezët të arrijnë nivelin e Manchester Cityt që në sezonin 2017/18 shkroi historinë e Ligës Premier me 100 pikë.

    Tekniku spanjoll, i cili në atë kohë ishte pjesë e stafit të Pep Guardiolës te Manchester City, e njeh mirë nivelin e skuadrës që vendosi një rekord historik në futbollin anglez.

    “Ne ende nuk e kemi arritur nivelin që arritën ata dhe unë isha atje kur fituam 100 pikë. Ishte një nivel i paprecedentë, ku u thyen të gjitha rekordet. Ky është niveli që duhet të synojmë, pasi besoj se çdo klub dhe çdo skuadër me potencial në këtë ligë duhet ta ketë një objektiv të tillë”, ka deklaruar fillimisht Arteta.

    Trajneri i Arsenalit theksoi se synimi i tij është që skuadra të japë maksimumin dhe t’i afrohet sa më shumë atij niveli historik.

    “Dëshironi të jeni versioni më i mirë i vetes. Kjo është diçka që është arritur vetëm një herë në historinë e Ligës Premier dhe ne duam ta bëjmë të njëjtën gjë. Do të jetë jashtëzakonisht e vështirë, por duam t’i afrohemi sa më shumë këtij niveli, sepse kjo do të na rrisë mundësitë për ta fituar sërish kampionatin”, përfundoi trajneri spanjoll.

    Pas 11 javëve të zhvilluara në Ligën Premier, Arsenali kryeson tabelën me 28 pikë, ndërsa Brighton dhe Manchester City ndajnë vendin e dytë dhe të tretë me nga 22 pikë.

    Sfida e radhës për skuadrën e Artetës do të jetë pikërisht ndaj Manchester Cityt, të cilin do ta presë në shtëpi më 29 nëntor, në një përballje që pritet të ketë rëndësi të madhe në garën për titullin e kampionit.

  • Columbus Crew eliminon Inter Miamin e Messit, kampioni në fuqi i jep fund aventurës në play-off

    Columbus Crew eliminon Inter Miamin e Messit, kampioni në fuqi i jep fund aventurës në play-off

    Inter Miami i Lionel Messit është eliminuar nga plejofi i MLS-së, pasi është mposhtur në të dyja ndeshjet nga skuadra e Columbus Crew.

    Pas humbjes 3:0 në ndeshjen e parë, Inter Miami pësoi disfatë edhe në takimin e kthimit, këtë herë me rezultatin minimal 1:0.

    Goli i fitores për vendasit erdhi në minutën e 92-të, pikërisht kur të dyja skuadrat po përgatiteshin për ekzekutimin e penalltive.

    Sipas formatit të kësaj faze të MLS-së, skuadra që arrin dy fitore siguron kualifikimin në raundin tjetër. Columbus Crew e realizoi këtë objektiv, duke i dhënë fund shpresave të Inter Miamit për të mbrojtur titullin e kampionit.

    Kështu, aventura e Messit dhe bashkëlojtarëve të tij në këtë edicion të plejofit përfundoi më herët nga sa pritej, ndërsa Columbus Crew vazhdon rrugëtimin drejt trofeut.

    Sa i përket të ardhmes së yllit argjentinas, Messi pritet të vazhdojë te Inter Miami, me të cilin ka kontratë deri në vitin 2028.

  • Ardon Jashari drejt Holandës-PSV Eindhoven synon transferimin e mesfushorit nga Milani

    Ardon Jashari drejt Holandës-PSV Eindhoven synon transferimin e mesfushorit nga Milani

    Ardon Jashari mund të largohet nga Milani gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi për shërbimet e mesfushorit zviceran ka shfaqur interesim serioz PSV Eindhoven.

    Sipas raportimit të mediumit të njohur “Sky”, klubi holandez po e ndjek prej kohësh 24-vjeçarin dhe e konsideron atë një përforcim të përshtatshëm për repartin e mesfushës.

    PSV Eindhoven po shqyrton mundësinë e transferimit të Jasharit fillimisht në formë huazimi, me opsionin e blerjes përfundimtare në fund të sezonit.

    Mesfushori i Përfaqësueses së Zvicrës aktualisht është pjesë e Milanit, ku po zhvillon sezonin e tij të dytë me gjigantin italian.

    Megjithatë, një kalim në kampionatin holandez nuk përjashtohet, pasi PSV-ja synon të përfitojë nga situata e tij dhe ta bindë për një aventurë të re në Eredivisie.

    Mbetet të shihet nëse Milani do të jetë i gatshëm të negociojë largimin e Jasharit në janar dhe nëse gjiganti holandez do të arrijë marrëveshje me klubin italian për transferimin e mesfushorit shqiptar me pasaportë zvicerane.

  • Liverpooli synon transferimin e Alejandro Baldes, nis kontaktet me agjentin e mbrojtësit të Barcelonës

    Liverpooli synon transferimin e Alejandro Baldes, nis kontaktet me agjentin e mbrojtësit të Barcelonës

    Liverpooli po shqyrton mundësinë e përforcimit të krahut të majtë të mbrojtjes gjatë afatit kalimtar të janarit, ndërsa në listën e dëshirave të klubit anglez është shfaqur emri i mbrojtësit të Barcelonës, Alejandro Balde.

    Sipas raportimeve të gazetës spanjolle Sport, drejtuesit e Liverpoolit nuk janë plotësisht të kënaqur me paraqitjet e Milos Kerkez dhe po kërkojnë një alternativë për të rritur konkurrencën në këtë pozicion.

    Balde është shndërruar në objektivin kryesor të “The Reds”, të cilët thuhet se kanë nisur kontaktet me agjentin e tij, Jorge Mendes, për të diskutuar mundësinë e një marrëveshjeje huazimi me opsion blerjeje.

    Liverpooli synon të përdorë një formulë të ngjashme me atë që raportohet se përdori për transferimin e Ronald Araujos nga Barcelona verën e kaluar.

    Nga ana tjetër, mbrojtësi spanjoll është i hapur për mundësinë e një aventure në Ligën Premier, pasi kërkon më shumë minuta dhe një rol më të rëndësishëm në skuadër.

    Pavarësisht paraqitjeve të mira në disa ndeshje, Balde nuk e ka të garantuar një vend në formacionin e Hansi Flick, ndaj një largim i mundshëm nga Barcelona mund të jetë një alternativë për të ardhmen e tij.

    Liverpooli pritet të konkretizojë interesimin me një ofertë zyrtare në javët e ardhshme, ndërsa mbetet të shihet nëse Barcelona do të pranojë të negociojë largimin e mbrojtësit 23-vjeçar gjatë afatit kalimtar të janarit.

  • PSG synon transferimin e Estevao Willian, braziliani në radarët e kampionëve të Evropës

    PSG synon transferimin e Estevao Willian, braziliani në radarët e kampionëve të Evropës

    Paris Saint-Germain po planifikon të përforcojë repartin ofensiv gjatë afatit kalimtar të janarit, ndërsa në listën e dëshirave të kampionëve francezë dhe evropianë është edhe një nga talentet më premtuese të futbollit brazilian, Estevao Willian.

    Sipas gazetarit të njohur italian Nicolo Schira, PSG-ja ka shfaqur interesim për anësorin e Chelseat dhe po shqyrton mundësinë e transferimit të tij gjatë afatit kalimtar të dimrit.

    Interesimi i klubit parisien vjen në një moment kur trajneri i PSG-së po përballet me mungesa të rëndësishme në repartin ofensiv. Désiré Doué dhe Khvicha Kvaratskhelia kanë pasur probleme me lëndime, duke bërë që drejtuesit e klubit të kërkojnë alternativa për krahët e sulmit.

    Estevao Willian iu bashkua Chelseat verën e kaluar nga Palmeiras për shumën prej 34 milionë eurosh, por deri më tani ka hasur vështirësi për t’u përshtatur me futbollin anglez.

    Talenti 19-vjeçar nuk ka arritur të regjistrojë gol apo asistim në 11 paraqitjet e tij këtë sezon, çka mund të ndikojë në të ardhmen e tij te skuadra londineze.

    PSG-ja synon ta shfrytëzojë këtë situatë për të tentuar transferimin e brazilianit, madje raportohet se klubi francez është i gatshëm të ofrojë një shumë të ngjashme me atë që Chelsea pagoi për ta sjellë nga Palmeiras.

    Mbetet të shihet nëse Chelsea do të pranojë të heqë dorë kaq shpejt nga një prej talenteve më të mëdha të futbollit brazilian, apo nëse Estevao do të vazhdojë aventurën e tij në Ligën Premier.

  • Nelson Hysa synon historinë në Dusseldorf, përballë kampionit të pamposhtur Agit Kabayel

    Nelson Hysa synon historinë në Dusseldorf, përballë kampionit të pamposhtur Agit Kabayel

    Boksieri shqiptar Nelson Hysa do të ketë sonte përballjen më të rëndësishme të karrierës së tij, teksa në Dyseldorf të Gjermanisë do të sfidojë kampionin e pamposhtur Agit Kabayel, në një duel ku është në lojë titulli i kampionit të botës në peshat e rënda të WBC-së.

    Për 42-vjeçarin shqiptar, kjo është mundësia e artë për të hyrë në historinë e boksit profesionist dhe për t’u bërë shqiptari i parë që fiton një titull të tillë botëror.

    Hysa vjen në këtë përballje me një rekord të jashtëzakonshëm prej 25 fitoresh në po aq ndeshje, 23 prej të cilave të fituara me nokaut. Fitorja e tij e fundit ishte ajo ndaj Thomas Narmo, në muajin gusht, kur e mposhti kundërshtarin me nokaut që në raundin e dytë.

    Në anën tjetër, Agit Kabayel, 34 vjeç, ka një bilanc të përsosur prej 27 fitoresh në 27 përballje, 19 prej tyre me nokaut. Gjermani u shpall kampion i plotë i WBC-së pasi Oleksandr Usyk liroi titullin, ndërsa më parë kishte mbajtur edhe titullin e përkohshëm.

    Në duelin e tij të fundit, të zhvilluar në janar të këtij viti, Kabayel triumfoi me nokaut teknik në raundin e tretë ndaj Damian Knyba. Për të, përballja me Nelson Hysën përfaqëson mbrojtjen e parë të titullit si kampion i plotë.

    Një tjetër detaj interesant është diferenca në peshë mes dy boksierëve. Në peshimin zyrtar, Hysa rezultoi 13.6 paund, ose rreth 6.2 kilogramë, më i rëndë se kundërshtari gjerman.

    Pavarësisht moshës dhe faktit se renditet në vendin e 16-të në klasifikimin e WBC-së, Hysa ka treguar gjatë karrierës së tij se zotëron fuqi të jashtëzakonshme goditëse, një element që mund ta bëjë këtë përballje edhe më interesante.

    Ndeshja do të zhvillohet në Merkur Spiel-Arena të Dyseldorfit, ku pritet një atmosferë e jashtëzakonshme, ndërsa interesimi për këtë duel është i madh.