ATV

Draft-strategjia kundër korrupsionit ende nuk është gati

Written by

in

Përgatiti: Nora Luta

Për ta adresuar parandalimin e korrupsionit në Kosovë, ekzekutivi është duke e hartuar strategjinë kundër korrupsionit 2024-2027. Në draftin fillestar të siguruar nga televizioni, janë paraqitur katër objektiva kryesore në luftimin e korrupsionit.

E para flet për parandalimin, e dyta për ndjekjen dhe dënimin dhe objektivat për ndërgjegjësim dhe edukim. Në kuadër të ndjekjes dhe hetimit, në draft është paraparë ndër të tjera ndërmarrja e një analize të politikave për mbikëqyrjen e vendimeve të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial.

“Masat përfshijnë investimet në infrastrukturën e sistemit gjyqësor, kapacitetet njerëzore dhe nxitjen e proceseve të digjitalizimit në gjyqësor, përmes aplikimit të plotë të SMIL-it. Masat legjislative përfshijnë ndërmarrjen e miratimit të ligjit për SMIL dhe komunikimin elektronik, vlerësimin ex-post të ligjit për gjykatën tregtare, ndërmarrjen e një analize të politikave për mbikëqyrjen e vendimeve të KGJK-së dhe KPK-së, krijimin e strukturave të verifikimit, ndërmarrjen e vlerësimit ex-post të ligjit që përcakton përgjegjësinë penale të personave juridikë për vepra penale etj”, thuhet në draft-strategjinë kundër korrupsionit.

Në kuadër të kësaj mase, sipas monitoruesve të drejtësisë, është propozuar një koncept-dokument për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Kushtetuese, e cila do të kishte rol mbikëqyrës ndaj vendimeve të KGJK-së dhe KPK-së.

Strategjia ndër të tjera synon edhe rritjen e transparencës në vendimet dhe punën e Qeverisë, dhe administratës publike.

“Kjo strategji synon t’i përdorë teknologjitë digjitale për ta luftuar korrupsionin në nivel kombëtar dhe të ndërtojë një qeveri më transparente dhe të përgjegjshme. Proceset e digjitalizimit afrojnë qytetarët me aktivitetet e Qeverisë, duke filluar nga përfshirja e tyre në procesin e bërjes së buxhetit të shtetit, deri te monitorimi i shpenzimeve, proceseve të prokurimit dhe ofrimit të shërbimeve publike”, thuhet më tej në draft-strategjinë kundër korrupsionit.

Sipas Bugaqkut, strategjisë në këtë fazë i mungon vlerësimi i ndikimit financiar dhe aktivitetet që do të dalin nga ky dokument.

Grupi punues për hartimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit është themeluar më 23 shkurt të vitit të kaluar, me planin që dokumenti të përfundojë në dhjetor.
Megjithatë, një vit pas, strategjia ende nuk ka një epilog përfundimtar. Mandati i strategjisë së fundit ka përfunduar në vitin 2018.

Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *