ATV

Protestat në Shqipëri: Mbi 150 të arrestuar, 120 policë të lënduar dhe hetime për kërcënime terroriste

Written by

in

Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Shqipëri, Dhimitraq Ziu, ka bërë të ditur bilancin e ndalimeve dhe të lënduarve pas protestave të dhunshme të ditëve të fundit në vend.

Sipas tij, vetëm në Tiranë janë arrestuar 127 persona dhe 244 të tjerë po procedohen në gjendje të lirë për dhunë ndaj policisë, dëmtim të institucioneve dhe shkatërrim të pronës publik e private (bankomate, kamera, automjete e rrethime metalike).
Bilanci në qytetet e tjera:

Elbasan: 6 të proceduar.

Durrës: 23 të arrestuar, 12 të proceduar.

Korçë: 2 të arrestuar, 23 të proceduar.

Vlorë: 20 të proceduar.

Kukës: 10 të proceduar.

Shkodër: 9 të proceduar.

Oficeri i lënduar rëndë në Shkodër dhe hetimet nga Antiterrori

Ziu njoftoi se gjatë protestës në Shkodër është plagosur rëndë një oficer i Policisë së Rendit, i cili po merr ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë. Autori i plagosjes është identifikuar, por nuk është arrestuar për shkak të moshës. Në rang kombëtar (Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër e Kukës), numri i punonjësve të policisë të dëmtuar arrin në 120.

Gjithashtu, Krimi Kibernetik dhe Antiterrori po bashkëpunojnë me agjenci ndërkombëtare për të zbuluar adresat IP dhe administratorët e disa kanaleve në rrjete sociale, ku po shpërndahen mesazhe për akte ekstreme, terroriste dhe kërcënime ndaj jetës së policëve.

Thirrja e Policisë:

“E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin”, u shpreh Ziu, duke u bërë thirrje protestuesve të distancohen nga personat e maskuar.

Nga ana tjetër, ndërsa gjatë katër ditëve është raportuar edhe për dhunë të policëve ndaj qytetarëve, Ziu theksoi se efektivët po udhëzohen të tregojnë vetëpërmbajtje dhe proportionalitet gjatë ndërhyrjeve.