ATV

Tag: Xhelal Sveçla

  • Diplomon gjenerata e 58-të, 418 kadetë i bashkohen Policisë së Kosovës

    Diplomon gjenerata e 58-të, 418 kadetë i bashkohen Policisë së Kosovës

    Sot në gjeneratën e 58-të të Policisë së Kosovës kanë diplomuar 418 kadetë të rinj, në mesin e tyre, 46 janë femra.

    Në ceremoninë e diplomimit, krerët e shtetit kanë theksuar se Policia e Kosovës është prioritet për Qeverinë e Kosovës, për të cilën kanë premtuar se do të adresojnë çdo sfidë të secilit zyrtar policor.

    Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se të diplomosh në Akademinë e Policisë nuk është një arritje e vogël.

    Osmani para kadetëve të rinj, ka theksuar se e kanë përgjegjësi mbrojtjen e kufirit me autoritetet vendore dhe partneret ndërkombëtar.

    “Mos harroni se distinktivi që mbani përfaqëson jo vetëm autoritetin që ju është dhënë, por mbi të gjitha, shpresat dhe aspiratat e qytetarëve tanë…Në këto momente kur ju do të bëni betimin e shenjtë për te realizuar detyrat e përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe do të bashkoheni kolegëve tuaj për të realizuar me vendosmëri përgjegjësinë për ruajtjen e rendit të sigurisë publikë në tërë territorin e Kosovës si dhe përgjegjësinë për kontrollin e mbrojtën e kufirit në bashkëpunim të drejtpërdrejt me autoritetet vendore si dhe me partneret tanë ndërkombëtar”, ka thënë Osmani.

    E para e shtetit, Osmani është shprehur se është e domosdoshme që Kosova të bëhet anëtare e Interpol-it dhe Europol-it. Ajo ka thënë se është e nevojshme që të ketë më shumë gra e vajza në Policinë e Kosovës.

    Ndërsa, kryeministri Albin Kurti ka theksuar se Policia e Kosovës vazhdon të mbetet një ndër institucionet më të besueshme për qytetarët.

    Derisa ka uruar kadetët e rinj, Kurti ka shtuar se qeveria do t’i mbështesë për të tejkaluar çdo sfidë.

    “Si qeveri që nga marrja e mandatit jemi zotuar për luftë të pa kompromis ndaj korrupsionit, veçanërisht atij që është mirëmbajtur me vite në institucionet tona…15:17 Në mbështetje të parezervë keni një qeveri demokratike e bashkëpunuese, e cila asnjëherë nuk do të synojë të minoj rolin tuaj, e që do të adresojë secilën sfidë që keni para vetes. Sfida juaj është sfida jonë. Policia e Kosovës do të vazhdojë të mbetet në shërbim te të gjithë qytetarëve pa dallim dhe dyert e saj do të jenë gjithmonë të hapura për të gjithë ata që duan të jenë faktor i garantimit të sigurisë dhe ligjshmërisë në vendin tonë”, ka thënë Kurti.

    Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla derisa është shprehur krenar për punën që po realizon Policia e Kosovës, ka theksuar se zyrtarët policorë në muajt e fundit me angazhimin e tyre kanë treguar se nuk bëjnë kompromis me banda dhe krim.

    “Dita ditës ne po i shtojmë dhe forcojmë radhët e Policisë së shtetit tonë e të jemi krenarë për punën që Polica e Kosovës po e bënë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim. Ajo po mbron dinjitetshëm dhe me sukses jetën dhe pronën e të gjithë qytetarëve tanë dhe me përkushtim po zbaton ligjshmërinë në tërë territorin e Republikës….Zyrtarët tanë policorë në vitet e fundit e veçanërisht në muajt e fundit me angazhimin e tyre kanë treguar se nuk bëjnë kompromis me banda e krim”, ka thënë Sveçla.

    E drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka pasur disa porosi për kadetët e rinj.

    “Gjenerata e 58-të që diplomon sot numëron gjithsej 418 kadet nga sot policë të Kosovës, prej tyre janë 372 meshkuj, 46 femra…20:46 Sot derisa për herë të parë mbani uniformat policore do të bëni betimin për t’i shërbyer shtetit të Kosovës duke zbatuar ligjet e vendit dhe duke mbrojtur ligjshmërinë, rendin dhe sigurinë publike. Kërkoj nga ju që t’i zbatoni me nder dhe me krenari përgjegjësitë dhe obligimet që vinë me profesionin dhe detyrat e juaja si Polic të Kosovës”, ka thënë Hoxha.

    Zëdhënësja e gjeneratës, Marigona Brahimi është shprehur e lumtur që pas të gjitha sfidave gjatë trajnimit, kanë arritur t’i kalojnë me sukses.

    Brahimi ka thënë se njohuritë e fituara gjatë trajnimit, do të shërbejnë që ta bëjnë popullin e Kosovës më të sigurtë.

    “Jemi krenarë që jemi këtu në këtë ditë të veçantë për vendin tonë. Ne kemi kaluar sfida të ndryshme gjatë periudhës të trajnimit dhe kemi arritur që me sukses të kurorëzojmë këtë ditë të rëndësishme, jo vetëm për ne, por edhe për Policinë e Kosovës. Angazhimi dhe njohuritë e fituara gjatë trajnimit, profesionalizmi për punën do të bëjnë shtetin Kosovës dhe popullin tonë më të sigurte”, është shprehur Brahimi./KP

  • Vuçiq: Si ka sanksione kundër Vulin, por jo sanksione ndaj Xhelal Sveçlës?

    Vuçiq: Si ka sanksione kundër Vulin, por jo sanksione ndaj Xhelal Sveçlës?

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha sot se Thesari i SHBA-së nuk ka vendosur sanksione ndaj kreut të Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë (BIA) Aleksandar Vulin për ndonjë krim dhe korrupsion, por për shkak të marrëdhënieve të tij me Rusinë.

    Madje ai pyeti pse këto sanksione u vendosën ndaj Vulin-it e jo ndaj Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla.

    “Pyetja ime është se si ka sanksione kundër Vulin, por jo sanksione ndaj Sveçlës? Epo, nuk jam budalla, e di se çfarë kam folur gjatë gjithë këtyre muajve dhe çfarë të kam thënë dhe çfarë më është thënë mua”, ka thënë Vuçiq.

    “Nuk do të ketë sanksione për të, sepse ne e dimë se si duhet të vendoset një ekuilibër. U vendosën sanksione kundër meje në vitet ’90 dhe nuk më interesonte shumë sepse as amerikanët dhe as rusët nuk do ta udhëheqin politikën time. Politika që unë drejtoj duhet të jetë e mirë për Serbinë dhe popullin serb” tha Vuçiq.

  • Sveçla: Përndjekja e tre policëve nga Serbia do të vazhdojë edhe në liri

    Sveçla: Përndjekja e tre policëve nga Serbia do të vazhdojë edhe në liri

    Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla pas lirimit të policëve ka thënë se Serbia vazhdon me lojërat e saj.

    Ai në një postim në Facebook ka shkruar se policët sot kthehen në Republikën e Kosovës, në familjet e tyre e në radhët e Policisë së Kosovës.

    Ka shtuar se ata do të bashkohen me kolegët e tyre në misionin e përbashkët për rend e ligj, siguri e sovranitet në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

    “Ndonëse lirimi i tyre sot është lajm i mirë, përndjekja e tyre nga Serbia do të vazhdojë në liri. Konfirmimi i aktakuzës dhe lirimi në procedurë të rregullt është vazhdim i orvatjeve të Serbisë për të mbuluar agresionin policoro-ushtarak brenda territorit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.

    Ka shtuar se policët kanë qenë në detyrë zyrtare, brenda territorit të Republikës dhe duke kryer detyrën e tyre në mbrojtje të integritetit, sovranitetit të vendit dhe luftim të kontrabandës.

    Sipas tij, ata duhet të lirohen pa kushte dhe Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për cenimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

  • Tre policë të lënduar gjatë aksionit në Mitrovicë të Veriut

    Tre policë të lënduar gjatë aksionit në Mitrovicë të Veriut

    Tre pjesëtarë Policisë së Kosovës janë të lënduar gjatë një aksioni në veri të Kosovës, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, teksa ka njoftuar se në këtë aksion është arrestuar një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, transmeton REL.

    Foto: REL
  • ​Sveçla viziton veriun: Sovraniteti është i patjetërsueshëm

    ​Sveçla viziton veriun: Sovraniteti është i patjetërsueshëm

    Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla sot ka vizituar pjesëtarët e Policisë së Kosovë në veri të vendit.

    Sveçla ka qëndruar sot në Jasenovik, në pendën e Liqenit të Ujmanit, në Zubq, në Junake e në Urën e Bistricës.

    Ai ka shkruar në Facebook se sovraniteti është i patjetërsueshëm.

    “Me vajzat dhe djemtë e Policisë së Kosovës që nuk kursejnë asgjë në mbrojtje të sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vendin tonë. Në shoqëri normale demokratike, Republika është e veshur me sovranitet. Sovraniteti është i patjetërsueshëm. Faleminderit”, ka shkruar ai.

  • Sveçla: Përgëzoj Policinë për profesionalizmin në ballafaqimin me grupe kriminale në veri

    Sveçla: Përgëzoj Policinë për profesionalizmin në ballafaqimin me grupe kriminale në veri

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është shprehur se kryetarët e komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.

    Ai ka përgëzuar Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar në “ballafaqimin me grupe të organizuara kriminale”.

    “Pas ceremonive të djeshme të betimit të Kryetarëve të komunave veriore, kryetarët e komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq sot janë vendosur në zyret e tyre në objektet komunale. Ata do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim. Përgëzoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar në ballafaqimin me grupe të organizuara kriminale, që kishin për qëllim pengimin e këtij procesi. 5 pjesëtarë të policisë janë lënduar nga sulmet e këtyre grupeve por që fatmirësisht lëndimet janë të lehta, ata ndihen mirë dhe janë në detyrë.”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

    Ai ka potencuar se institucionet demokratike të Republikës së Kosovës do të jenë gjithnjë në shërbim të qytetarëve të vendit pa dallim dhe të pakompromis me sulmuesit e demokracisë, ligjit dhe qytetarisë.

    “Ftoj të gjithë qytetarët tanë që të mos bien pre e manipulimeve të grupeve kriminale të cilët për hir të përfitimeve kriminale personale e grupore dëshirojnë kaos dhe suspendim të shtetit të së drejtës e të demokracisë.”, ka shkruar tutje ai.

    Pesë policë janë lënduar dhe katër automjete janë dëmtuar nga incidentet në veri të Kosovës. Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës, duke theksuar se një prej veturave është djegur.

    Me qëllim të pengimit të hyrjes së kryetarëve në objektet komunale, disa qytetarë janë mbledhur para ndërtesave komunale në veri të vendit. Përveç personave të angazhuar dhe automjeteve të tyre të vendosura në afërsi dhe pranë objekteve komunale, në komunat veriore janë lëshuar edhe alarmet, të cilat përdoren nga strukturat kriminale për mobilizim dhe tubime.

    Kryetari i Zveçanit, ai i Leposaviqit dhe kryetari i Zubin Potokut, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë kryer betimin të enjten (25 maj). Asnjëri prej tyre nuk është betuar në objektin e komunës përkatëse, përveç kryetarit të veriut të Mitrovicës.

    Zgjedhjet në veri janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Kryetarët paraprakë nga kjo parti, kanë dhënë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar. Ata janë larguar nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që ka obliguar qytetarët t’i kthejnë targat e veturave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës./KosovaPress

  • ​Sveçla vizitoi kryetarin e veriut të Mitrovicës

    ​Sveçla vizitoi kryetarin e veriut të Mitrovicës

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vizituar kryetarin e veriut të Mitrovicës, Erden Atiq. Ai ka thënë se kjo pjesë e Mitrovicës do të përjetojë progresin e merituar.

    Pas takimit në zyrën e kryetarit të zgjedhur, Sveçla ka thënë se i ka ofruar atij gatishmërinë e plotë në zbatimin e prioriteteve të tij.

    “I urova punë të mbarë në detyrën e tij të re duke i ofruar gatishmërinë time të plotë në zbatimin e prioriteteve të tij. Do të angazhohemi bashkërisht, si nivel qendror dhe lokal, që qytetarëve tanë të Mitrovicës së Veriut të ju sigurojmë mirëqenie, arsim, shëndetësi, siguri e kushte të qëndrueshme jetese. Mitrovica e Veriut si çdo komunë e Republikës së Kosovës do të përjetojë progresin e merituar”, ka shkruar ministri i Brendshëm.

    Më 19 maj, Erden Atiq është betuar kryetar i veriut të Mitrovicës, pas zgjedhjeve të mbajtura më 23 prill në katër komunat veriore të Kosovës.

    Këto zgjedhje janë bojkotuar nga Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

  • Sveçla: Kryetarët e rinj s’do të kenë probleme

    Sveçla: Kryetarët e rinj s’do të kenë probleme

    Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, shprehu bindjen se kryetarët e rinj të komunave në veri të Kosovës, nuk do të kenë probleme në punën e tyre, sepse, siç tha, “ligji do të zbatohet në të gjithë vendin”.

    “Në veri vështirësitë janë më specifike, por probleme nuk do të ketë”, tha Sveçla në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

    Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb.

    Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.

    Sipas të dhënave të para të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje fitoi Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviqin, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës mori Zubin Potokun dhe Zveçanin.

    Këto komuna, deri nëntorin e kaluar, udhëhiqeshin nga zyrtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.

  • Sveçla fton qytetarët të dalin në zgjedhje: Të marrin përgjigjen e merituar grupet e udhëhequra nga Vuçiq

    Sveçla fton qytetarët të dalin në zgjedhje: Të marrin përgjigjen e merituar grupet e udhëhequra nga Vuçiq

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, thotë se qytetarët e komunitetit serb ende vazhdojnë të ballafaqohen me kërcënime e presion nga strukturat kriminale të dirigjuara nga Beogradi.

    Pasi të dielën mbahen zgjedhjet në 4 komunat veriore, Sveçla u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në votim, me ç’rast ka deklaruar se në këtë mënyrë presidenti Vuçiq, do e marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët.

    “Qytetarët tanë të komunitetit serb vazhdojnë të ballafaqohen me kërcënime e presion nga strukturat ilegale e kriminale të dirigjuara nga Beogradi. Nesër do të mbahet procesi zgjedhor në 4 komunat veriore dhe përkundër frikës dhe pasigurisë që tentojnë të përhapin qarqe të caktuara e të orkestruara, ju bëj thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votim. Nesër është mundësia që përmes votës së qytetarëve, grupet që kanë udhëhequr nën dirigjimin e Vuçiq të marrin përgjigjen e merituar dhe qytetarët të çlirohen përfundimisht nga ta. Serbia po vijon me përndjekje e arrestime të serbëve të cilët akuzohen se janë angazhuar në institucionet tona. Pasi nën presion i’u kanë kërkuar dorëheqjet nga institucionet tona, tani edhe i ndëshkojnë përmes arrestimeve e i kërcënojnë përmes formave të ndryshme”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

    Andaj, Sveçla ka shkruar se qëllimet e Serbisë për destabilizimin e Kosovës më së shumti kanë rënduar mbi qytetarët e komunitetit serb.

    “Qëllimet e Serbisë për destabilizimin e vendit tonë më së shumti kanë rënduar mbi qytetarët e komunitetit serb të cilët në vazhdimësi janë përdorur si mjet për arritjen e qëllimeve të tyre. Ata janë kërcënuar në vazhdimësi, janë sulmuar, veturat dhe pronat e tyre janë djegur sapo i kanë dorëzuar targat ilegale të Serbisë, bizneset e tyre janë shkatërruar çdoherë që pronarët nuk kanë pranuar të jenë pjesë e lojërave të tyre. Zërat ndryshe janë ndalur padrejtësisht e me orë të tëra nga policia dhe shërbimi sekret i Serbisë ndërsa tani kur jemi në proces zgjedhor, shumë kandidatë janë penguar e janë dorëhequr për shkak të presioneve e sulmeve të shumta”, thuhet tutje në postimin e Sveçlës.

    Më 23 prill mbahen zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviqi.

  • Pezullohen gjashtë zyrtarë të MPB-së, dyshohen për keqpërdorim të detyrës

    Pezullohen gjashtë zyrtarë të MPB-së, dyshohen për keqpërdorim të detyrës

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë pezulluar nga detyra gjashtë zyrtarë të kësaj ministrie.

    Ai tha se të njëjtit dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Përveç pezullimit, Sveçla bëri të ditur se është iniciuar rasti për hetime ndaj tyre në Policinë e Kosovës.

    “Referuar rastit të keqpërdorimit të detyrës nga zyrtari i Ministrisë së Punëve të Brendshme Riza Alshiqi, për përfitimet e biznesit të tij “Rent a car” në dëm të aseteve shtetërore, përveç inicimit të rastit për hetime në Policinë e Kosovës, i njejti bashkë me 5 zyrtarë të të njejtit departament sot janë pezulluar nga detyra”, tha ai në Facebook.

    “Do të vazhdojmë me përpjekjet tona që të gjithë keqpërdoruesit t’i ballafaqojmë me drejtësi teksa zyrtarët e përkushtuar për punë me profesionalizëm e përkushtim do të jenë në nivelin më të lartë të detyrës e në shërbim të qytetarëve tanë”, shkroi i pari i MPB-së.