ATV

Tag: Xhelal Sveçla

  • Ministri Sveçla e tre deputetët deklarohen të pafajshëm për gazin lotsjellës

    Ministri Sveçla e tre deputetët deklarohen të pafajshëm për gazin lotsjellës

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ 

    Qysh në fillim të seancës, Gjykatësi Sabit Sadiku u jep një njoftim pozitiv katër të akuzuarve për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.

    Njëra nga dy veprat penale me të cilat ngarkohen Xhelal Sveçla, Salih Zyba, Drita Millaku e Fitore Pacolli, është parashkruar para 5 ditësh.

    “Pengimi i personit zyrtar e ka arritë parashkrimin me 21.03.24. Seanca sot vazhdon veç për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm. Megjithatë, ndaj të akuzuarve do të vazhdojë gjykimi për veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, tha Sabit Sadiku, kryetar i Trupit Gjykues.

    Përballë kësaj aktakuze, ministri e deputetët u deklaruan të pafajshëm, por që në deklarimin rreth fajësisë, e akuzuara Fitore Pacolli foli më gjatë.

    Kundërshtimin e provave avokatët e caktuar, sipas detyrës zyrtare, thanë se do ta bëjnë më vonë.

    Sipas aktakuzës që e posedon ATV-ja, ministri Sveçla dhe tre deputetët e Vetëvendosjes, më 21 mars 2018, kishin ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit, ku po mbahej seanca plenare./atvlive.tv/

  • Sveçla thotë se autoritetet e Serbisë ia mohuan vizitën e tij në Luginë, pa asnjë arsye dhe shpjegim

    Sveçla thotë se autoritetet e Serbisë ia mohuan vizitën e tij në Luginë, pa asnjë arsye dhe shpjegim

    Ministri i brendshëm Xhelal Sveçla, ka thënë se autoritetet e Serbisë, ia mohuan vizitën e tij në Luginën e Preshvës, pa asnjë arsye dhe shpjegim.

    Ai pohon se vizita e tij atje ishte planifikuar pas ftesës më 29 dhjetor, të kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiut, për takime në selitë e Këshillit në tri komuna.

    ”Me datë 29 dhjetor kam pranuar ftesë nga z. Nevzad Lutfiu, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar për vizitë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Sipas agjendës, ishin planifikuar takime në selitë e Këshillit në tri komuna si dhe me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi. Me kënaqësi kam pranuar ftesën dhe kam filluar përgatitjet. Në respektim të marrëveshjes së Brukselit dhe praktikave të deritanishme, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës kemi përcjellur agjendën dhe informatat e nevojshme të delegacionit në zyrën ndërlidhëse të Serbisë për leje të hyrjes në Serbi dhe realizim të vizitës”, njoftoi Sveçla.

    Tutje, ai tha se ishte njoftuar mbrëmë nga zyrtari ndërlidhës në Beograd se kërkesa për vizitën e sotme në Luginë u refuzua nga autoritetet e Serbisë, pa asnjë arsye e shpjegim.

    “Ky akt i Serbisë ndaj vizitës sime dëshmon qasjen destruktive dhe shtypjen e vazhdueshme të saj ndaj shqiptarëve të Luginës. Ky refuzim pa asnjë arsyetim nga Serbia disa orë para realizimit të vizitës, nuk zbehë qëllimet dhe angazhimin tonë për shqiptarët e Luginës. Ndër të tjera, nuk do të zbehë as dëshirën dhe qëllimin tim për realizim të vizitës atje, për të ndarë me shqiptarët e Luginës shqetësimet e padrejtësitë me të cilat ata ballafaqohen dhe angazhimet e institucioneve të Republikës sonë për ta. Për çështjen e vizitave të zyrtarëve shtetërorë, ne do të veprojmë mbi parimet e reciprocitetit si vlerë e barazisë mes dy shteteve tona”, ka shkruar ai ne FB.

  • Sveçla tregon afatin kohor të ngjarjeve në ditën e sulmit në Banjskë: Qëllimi ishte aneksimi i veriut

    Sveçla tregon afatin kohor të ngjarjeve në ditën e sulmit në Banjskë: Qëllimi ishte aneksimi i veriut

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka dalë në konferencë për medie sot së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Sveçla ka folur për sulmin terrorist në Banjskë, i cili ndodhi më 24 shtator.

    Sipas tij, qëllimi i këtij sulmi nga Serbia ishte aneksimi i veriut.

    “Qëllimi i sulmit terrorist nga Serbia ishte të aneksohej veriu i vendit. Po ashtu sulmi është mbështetur dhe urdhëuar nga strukturat shtetërore të Serbisë.

    Më poshtë, Sveçla ka paraqitur në detaje të gjitha ngjarjet që ndodhë në atë ditë.

  • Kryeministri Kurti së bashku me ministrin Sveçla mbajnë konferencë për media

    Kryeministri Kurti së bashku me ministrin Sveçla mbajnë konferencë për media

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të mbajë një konferencë të përbashkët për media me ministrin e punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    Nga Kryeministria kanë njoftuar se konferenca do të mbahet në orën 12:00, ndërsa nuk është bërë publike tema e kësaj konference.

    ”Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, do të mbajë një konferencë për media, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë dërguar mediave.

     

  • Sveçlës i dorëzohen 14 kërkesat e pjesëtarëve të policisë

    Sveçlës i dorëzohen 14 kërkesat e pjesëtarëve të policisë

    Përgatiti: Arton Hamiti

    14 kërkesat e pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese dhe njësive të tjera, Sindikata e Policisë ia paraqiti të mërkurën ministrit të Brendshëm.

    Kreu i sindikatës, takimin me Xhelal Sveçlën e cilësoi konstruktiv dhe shpresëdhënës, por shtoi se kërkesat e parashtruara nuk mund të plotësohen menjëherë.

    “Është shumë normale që të gjitha këto kërkesa, edhe ne po deklarohemi që nuk mund të realizohen menjëherë. Mirëpo, ne kërkuam dhe u dakorduam bashkë me ministrin që në takimin e ardhshëm të vendosim se prioritete për të cilat kërkesa janë të mundshme që të realizohen për Policinë e Kosovës. Ka qenë një bisedë konstruktive dhe shpresëdhënëse, të gjitha këto kërkesa dhe pakënaqësitë të realizohen me dialog. Unë po shpresoj se kështu do të rrjedhë edhe situata në vazhdimësi dhe në takimin e ardhshëm do t’i vendosim prioritet për cilat kërkesa mund të realizohen tani e cila nuk munden”, tha kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.

    Deklarime nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, pas takimit nuk pati, por paraprakisht në një konferencë për media, thanë se do t’i shqyrtojnë mundësitë se cilat kërkesa mund të realizohen e cilat jo.

    Teksa ky takim u mbajt pas dy protestave të mbajtura nga NJSI-ja, përmirësimi i kushteve të punës në përgjithësi, rritja e shtesave për rrezikshmëri, ligji për pensionim në moshën 55-vjeçare dhe sigurimi jetësor janë disa prej kërkesave që sindikata i ka paraqitur.

  • Aksidenti në Prizren – Sveçla: Ky grup organizoi gara të tilla edhe më herët, janë marrë masa ndaj policëve

    Aksidenti në Prizren – Sveçla: Ky grup organizoi gara të tilla edhe më herët, janë marrë masa ndaj policëve

    Personat që mbrëmjen e së shtunës organizuan gara me vetura duke shkaktuar aksidentin që ua mori jetën tre të rinjve, në magjistralen “Ibrahim Rugova”, e kishin bërë të njëjtën gjë edhe më herët.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha në një konferencë për media se pas këtij aksidenti, kanë biseduar me drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxhën për “masat që duhet të ndërmerren, sidomos nga Policia e Kosovës në raport me organizimin e garave automobilistike të jashtëligjshme” dhe “për veprimet e ndërmarra nga Policia për rritjen e sigurisë në trafik”.

    Ai la të kuptohet se drejtori i Policisë ka marrë masa “Lidhur me neglizhencën e zyrtarëve policorë në trajtimin me prioritet të organizimit të garave të paligjshme”.

    “Policia e Kosovës, të njëjtit grup ia kishte parandaluar dy herë organizimin e garave të tilla. Siç tashmë është bërë publike në media, të njëjtit kanë pasur gjoba të njëpasnjëshme nga Policia e Kosovës për tejkalim shpejtësie dhe rrezikim në komunikacion, ndërsa njërit prej tyre i është konfiskuar patent-shoferi për tejkalim shpejtësie dhe filmim e publikim i këtyre garave”.

    Këtë vit, ministri tha se 104 qytetarë kanë humbur jetën në aksidente, ndërsa Policia e Kosovës ka shqiptuar 76 gjoba ndaj personave që kanë organizuar gara të jashtëligjshme automobilistike.

    Në mesin e masave të ndërmarra, Sveçla tha se “zyrtarët e trafikut janë pajisur me kamera trupore” dhe se janë futur në funksion “vetura me pajisje inteligjente për evidentimin elektronik të shkeljeve në komunikacion”.

  • Sveçla: Për katër ditë 471 vetura me targa ilegale në veri u konvertuan në RKS

    Sveçla: Për katër ditë 471 vetura me targa ilegale në veri u konvertuan në RKS

    Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se qytetarët i janë përgjigjur pozitivisht vendimit të Qeverisë për regjistrimin e veturave nga targat ilegale në targa RKS, duke regjistruar 471 vetura për katër ditë.

    Kjo, sipas tij po ndodhë “pasi që sot në veri nuk janë më të plotfuqishëm kriminelët si Milan Radojçiq, Llune, Mami, Rusi e të ngjashëm”.

    “Mund të duket e paimagjinueshme nga perspektiva e para një viti, por sot në 4 komunat e veriut shërbejnë zyrtarë policorë që janë në shërbim të rendit dhe ligjit e në luftim të kontrabandës, grupeve kriminale e terroriste. Se shumica ishin vetë pjesë e krimit e kontrabandës tregon edhe përfshirja e ish-zyrtarëve policorë jo vetëm në rastin e Banjskës”, ka thënë ai.

    Sipas tij, shteti nuk gjunjëzohet nga banditët e as nga grupet kriminale edhe atëherë kur grupe të mirëorganizuara e mbështetura nga Qeveria e Serbisë synojnë terrorizimin e qytetarëve, cenimin e integritetit dhe sovranitetit të vendit.

    “Ky rezultat është falë angazhimit të pandalshëm të secilit që nuk dorëzohet përballë kërcënimeve, shantazheve e sulmeve por besojnë në drejtësi e barazi”, ka thënë ai.

  • Sveçla: Policët që protestuan sot këtë vit morën nga 2.200 euro në muaj

    Sveçla: Policët që protestuan sot këtë vit morën nga 2.200 euro në muaj

    Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka reaguar pas protestës së Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI) për ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa më të mëdha të rrezikshmërisë.

    Ai në një postim në Facebook, ka shkruar se Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukturë.

    “Nga marrja e mandatit, deri në votimin e buxhetit për vitin 2024, kemi rritje për mbi 30% në buxhetin total të Policisë, përderisa, në investimet kapitale kemi rritje për 300%. Nga viti 2021, buxheti për pajisje operacionale është 21-fishuar. Në vitin 2021, buxheti ka qenë më pak se gjysmë milioni për pajisje operacionale ndërsa këtë vit është mbi 9 milionë euro”, ka shkruar Sveçla.

    Për më tepër, Sveçla ka bërë të ditur se të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro.

    “Angazhimi ynë për shtet dhe forcim të tij do të jetë i pakursyer dhe i pandalshëm me të gjithë ata të cilët përkundër sfidave e kanë vullnetin. Unë falënderoj edhe njëherë të gjithë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme e veçanërisht të Policisë së Kosovës për angazhimin dhe sakrificën drejt një shteti të drejtë dhe prosperues”, ka thënë ai.

    Ndryshe, sot është mbajtur protesta e Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI). Një nga pjesëtarët e kësaj njësie ka deklaruar para mediave se nuk lejojnë të përdoren politikisht nga politika. Në emër të grupit protestues, ai tha se kërkojnë rishikimin e vendimit për shtesat e rrezikshmërisë për këtë kategori.

    Po ashtu, bëri të ditur se nuk do të ndalen së kundërshtuari dhe se do të ndërmarrin edhe masa të tjera.

    Kohë më pare kryeministri Albin Kurti ka prezantuar shtesat për pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Ai ka thënë se në këtë propozim përfshihen gjithsej shtatë kategori të pozitave në polici. Sipas tij, deri më tani ka pasur pabarazi në mesin e policëve.

    Kurti shtoi se shtesat për rrezikshmëri do të fillojnë së aplikuari nga paga e muajit nëntor.

    Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti tha se pas shqyrtimeve dhe analizave që kanë bërë me ministritë përkatëse, kanë hartuar propozimet për shtesat e qeverisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

    Shtesat për njësitë elitare të Policisë së Kosovës:

    Njësia speciale intervenuese – 150 euro

    Njësia për ndërhyrje të shpejtë – 150 euro

    Njësia për mbrojte të afër – 150 euro

    Njësitë speciale operative K9 – 120 euro

    Njësinë për eksplozivët dhe deminim – 120 euro

    Pjesëtarët e patrullave kufitare – 100 euro

    Pjesëtarët e hetuesisë – 75 euro

    Ekipet reaguese dhe patrullat – 60 euro

    Policët në sigurim të objekteve – 50 euro

    Policët në menaxhim të operacioneve 50-45 euro.

    Postimi i plotë i ministrit Sveçla:

    Republika e Kosovës është vend i varfër dhe me buxhetin më të vogël në Evropë. Por, Republika e Kosovës është e themeluar mbi sakrificën e luftës për liri, me akte heroike dhe humbje në njerëz. Mbrojtësit e Republikës sot janë njerëzit më të vlerësuar prej popullit të Kosovës.

    Kërkesat janë të shumta dhe ka kategori shoqërore të cilat kanë shumë vështirësi përgjatë jetesës së tyre.

    Si Ministri e Punëve të Brendshme, nga 9 agjenci ekzekutive, Policia e Kosovës ka pasur mbështetje dhe fokus të veçantë me qëllim të mobilizimit në luftimin e krimit, kontrabandës, mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit. Nga vetë Policia e Kosovës, Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukturë.

    Me marrjen e mandatit, pjesëtarët e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës i kemi gjetur pa uniforma, pa pajisje mbrojtëse për jetën e tyre, pa kushte të punës e me ushqim të mangët e jo cilësor.

    Nga marrja e mandatit, deri në votimin e buxhetit për vitin 2024, kemi rritje për mbi 30% në buxhetin total të Policisë, përderisa, në investimet kapitale kemi rritje për 300%. Nga viti 2021, buxheti për pajisje operacionale është 21-fishuar. Në vitin 2021, buxheti ka qenë më pak se gjysmë milioni për pajisje operacionale ndërsa këtë vit është mbi 9 milionë euro.

    Për ne, ka qenë gjithmonë synim përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi i pajisjeve që mbrojnë jetën e zyrtarit policor si dhe trajtimi dinjitoz e i drejtë i tyre, teksa për dallim nga kohërat e mëhershme, kur kompensimet për angazhimet shtesë nuk janë zbatuar fare, ne kemi kompensuar ato pa vonesa. Të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro.

    Angazhimi ynë për shtet dhe forcim të tij do të jetë i pakursyer dhe i pandalshëm me të gjithë ata të cilët përkundër sfidave e kanë vullnetin.

    Unë falënderoj edhe njëherë të gjithë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme e veçanërisht të Policisë së Kosovës për angazhimin dhe sakrificën drejt një shteti të drejtë dhe prosperues.

  • Sveçla: Kosova është e angazhuar maksimalisht në luftimin e migrimit të parregullt

    Sveçla: Kosova është e angazhuar maksimalisht në luftimin e migrimit të parregullt

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur sot në takim drejtorin e Zyrës për Migrim nga Belgjika, Freddy Roosemont dhe ambasadorin belg Gregoire Cuvelier me të cilët biseduan për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës që hyn në fuqi nga data 1 janar 2024.

    Roosemont përgëzoi qytetarët e Kosovës që nga data 1 janar do të lëvizin pa viza drejt Belgjikës dhe shteteve të Bashkimit Evropian dhe theksoi që kjo do të jetë një mundësi e mirë për zhvillim ekonomik dhe thellim të lidhjeve mes shteteve dhe qytetarëve.

    Ministri Sveçla falënderoi Roosemont për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës për vendin tonë dhe shprehu gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit edhe në fusha të tjera.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës ka filluar tashmë fushatën njoftuese në të gjitha komunat dhe për të gjithë qytetarët mbi procedurat dhe kriteret e lëvizjes së lirë nga data 1 janar 2024”, tha ai.

    Sveçla dhe Roosemont biseduan edhe për sfidën e menaxhimit të migrimit të parregullt me ç’rast ministri njoftoi delegacionin që institucionet e Kosovës janë të angazhuara maksimalisht në luftimin e këtij fenomeni duke përfshirë edhe rregullativën ligjore për menaxhimin me migrantë.

    Ndryshe, Kosova dhe Belgjika gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe dhe mbesin të përkushtuar që këto raporte të vijojnë edhe më tutje.

  • Sveçla: Në sulmin në Banjskë mori pjesë bashkëpunëtori i afërt i djalit të Vuçiqit

    Sveçla: Në sulmin në Banjskë mori pjesë bashkëpunëtori i afërt i djalit të Vuçiqit

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar një dokument personal të një serbi, që tha se janë gjetur pas sulmit ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

    Sipas Sveçlës, dokumenti i përket Millorad Jevtiqit që “njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danillo Vuçiq, djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq”.

    “Nga pesë vizitat e fundit të djalit të Vuçiqit në Kosovë, katër herë ata kanë qenë bashkë në të njëjtën veturë”, pretendoi Sveçla.

    Ai tha se gjetja e këtij dokumenti dëshmon se Jevtiq ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj policisë së Kosovës.

    Ministri kosovar tha po ashtu se Jevtiq është identifikuar si një ndër sulmuesit e ushtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan, në veri të Kosovës.

    “Mbetet që organet e sigurisë dhe hetimet të zbulojnë se përveç Vuçiqit dhe strukturave të larta shtetërore serbe, a ka qenë edhe djali i tij [i përfshirë] në planifikimin dhe organizimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit”, shkroi Sveçla në Facebook.