ATV

Tag: Xhelal Sveçla

  • Sveçla: Në Banjskë ishin mbi 80 terroristë, Radoiçiqi e ka mbështetjen e Vuçiqit

    Sveçla: Në Banjskë ishin mbi 80 terroristë, Radoiçiqi e ka mbështetjen e Vuçiqit

    Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, deklaroi se mbi 80 terroristë ishin të përfshirë në sulmin e së dielës në fshatin Banjskë të Zveçanit. Ndërsa shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe vet Qeveria e Serbisë janë të përfshirë në këtë akt terrorist.

    Më 24 shtator, një grup terrorist në këtë fshat të pjesës veriore të Kosovës sulmuan forcat policore të Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

    Pesë ditë pas sulmit, përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

    Në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, ministri Sveçla thotë se Radoiçiq nuk ka vepruar i vetëm siç ka thënë, por i mbështetur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    “Të gjitha faktet tregojnë se Millan Radoiçiq nuk ka vepruar kokë më vete, nuk ka punuar vetë. Ai ka qenë në vazhdimësi i mbështetur nga Aleksandër Vuçiq, nga Qeveria e Serbisë dhe nga të gjitha instrumentet që ai shtet ka”, tha Sveçla.

    Ai thotë se hetimet e deritashme kanë treguar si “mbi 80 terroristë” kanë qenë të përfshirë në sulmin në Banjskë.

    “Në fillim është menduar se janë diku mes 30 dhe 40 terroristë. Tashmë mund të themi se numri është më i madh, gjë që dëshmon suksesin edhe më të madh të policisë së Kosovës. Policia e Kosovës ka qenë edhe në numër më të vogël, edhe me armatim më të dobët sesa ky grup terrorist, por ia ka dalë që pas humbjes së jetës së rreshterit Afrim Bunjaku, pas përfundimit të kësaj prite, të realizojë gjatë gjithë ditës një betejë të suksesshme – për të cilën po marrim përgëzime nga të gjithë aleatët tanë – dhe ta mundë këtë grup terrorist. Por, numri është i madh. Tash mund të themi se është mbi 80”, tha Sveçla.

    Ministri i Brendshëm tha gjithashtu se autoritetet përgjegjëse, përmes partnerëve ndërkombëtarë, do të kërkojnë ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksioni terrorist” në Banjskë.

  • Sveçla për The Guardian: Terroristët që sulmuan Policinë kanë ardhur nga Serbia

    Sveçla për The Guardian: Terroristët që sulmuan Policinë kanë ardhur nga Serbia

    Kosova ka akuzuar Serbinë se qëndron pas një grupi paraushtarak që i ka zënë pritë një patrulle policore dhe është përleshur me forcat e Kosovës të dielën, shkruan britanikja Guardian.

    Autoritetet në Prishtinë shfaqën një sërë armësh moderne të përdorura nga grupi, duke përfshirë dy makina të blinduara të prodhimit serb dhe një granatëhedhës, së bashku me një dokument që pretendonte të tregonte se granatahedhësi, i prodhuar nga Zastava Armaments, ishte furnizuar nga ushtria serbe, sipas një artikulli të Guardian që raporton gazeta beogradase Danas.

    Qeveria e Kosovës pohoi gjithashtu se udhëheqësi i grupit ishte një politikan i shquar serb i Kosovës besnik ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe se një nga tre luftëtarët paraushtarakë të vrarë të dielën ishte ish-truproja e Aleksandar Vulin, shefit të inteligjencës serbe, i cili është sanksionuar nga SHBA për korrupsion.

    “Ky grup ka ardhur nga Serbia, ata trajnohen në Serbi, financohen dhe pajisen nga ushtria serbe dhe policia e saj”, tha ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Svecla për Guardian.

    “Një pjesë e armëve është marrë nga magazina e ushtrisë dhe u është dorëzuar terroristëve të ardhur në Kosovë nga Serbia”.

    Sveçla tha se ministria e tij ndau provat me ambasadat dhe agjencitë perëndimore.

    “Ajo që ata donin ishte të pushtonin territorin e Kosovës dhe të hapnin një kanal të ri komunikimi, një rrugë të re nga Serbia në Kosovë”, tha ai dhe shtoi se qëllimi përfundimtar është ndarja e vendit.

    Qeveria serbe mohoi përfshirjen në grupin e armatosur, por mbajti një ditë zie për tre të vdekurit.

    Sipas Guardian, Vuçiq u përpoq të justifikonte veprimet e tyre duke pretenduar rrejshëm, në një takim me ambasadorin rus në Beograd, se qeveria e Kosovës po kryente spastrim etnik.

    Kosova thotë se grupi drejtohej nga Milan Radoiçiq, nënkryetar i partisë Lista Serbe e mbështetur nga Beogradi, e cila dominon politikën në katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës.

    Sveçla tha se shërbimi inteligjent i vendit të tij beson se Radoiçiq, i cili është sanksionuar nga SHBA dhe Britania e Madhe, është plagosur dhe po shërohet në spitalin kryesor ushtarak në Beograd.

    Pretendimi nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur. Radoiçiq nuk bëri një deklaratë publike, por ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha se video që tregon Radoiçiqin në mesin e pjesëtarëve të paraushtarakëve ishte një “mashtrim”.

    Konflikti ndodhi në një kohë kur negociatat e ndërmjetësuara nga BE-ja që synonin normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve kanë ngecur, e cila, sipas interpretimit të Guardian, ndodhi për shkak se Vuçiq premtoi se nuk do ta njihte kurrë Kosovën, dhe për këtë arsye qeveria e Kosovës refuzoi të krijojë një gjysmë- shoqata autonome komunat serbe.

    SHBA-të i mbështesin negociatat dhe deri më tani kanë qëndruar në anën e Evropës pasi fajin më të madh për dështimin e tyre ia kanë ngarkuar kryeministrit të Kosovës Aljbin Kurti. Por administrata Biden po heton përfshirjen e Beogradit në njësinë paraushtarake dhe po përpiqet të zbulojë misionin e saj, sipas gazetës britanike.

  • Sveçla: Në mesin e të vrarëve në Banjskë edhe truproja e Vulinit

    Sveçla: Në mesin e të vrarëve në Banjskë edhe truproja e Vulinit

    Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka bërë të ditur identitetin e njërit nga terroristët e vrarë e që është Bojan Mijailoviq.

    Sveçla ka konfirmuar se Bojan Mijailoviq ishte truproja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin.

    “Aleksandar Vuçiq në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit: Milan Radojçiq, si nënkryetar i Listës serbe dhe truproja e Aleksandër Vulinit, shef i BIA-s. Të dy këta po ashtu të sanksionuar në listën e zezë të ShBA-ve. Të dy këta nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë.

    Këto fakte janë dëshmi tjetër se synimet e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës nuk kanë ndryshuar aspak nga koha e regjimit të Millosheviqit, ish-ministri i Propagandës së atij regjimi, tash president i regjimit aktual në Serbi”, ka shkruar Sveçla ndër të tjera.

    Postimi i plotë:

    Dje përmes video-pamjeve dëshmuam prezencën e kryekriminelit dhe udhëheqësin e aksionit terrorist Milan Radojiçiq. Ndërkaq, sot është konfirmuar që njëri nga të vrarët që ishte po ashtu pjesëmarrës i atij akti është edhe Bojan Mijailoviq, trupëroja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013.

    Shteti i Serbisë është këmbë e krye i përfshirë në këtë sulm terrorist me qëllim destablizimin e Republikës së Kosovës. Për këtë gjë tashmë ekziston edhe lidhja formale e strukturore e përfshirjes së Aleksandar Vuçiq në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit: Milan Radojçiq, si nënkryetar i Listës serbe dhe trupëroja e Aleksandër Vulinit, shef i BIA-s. Të dy këta po ashtu të sanksionuar në listën e zezë të ShBA-ve. Të dy këta nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë.

    Këto fakte janë dëshmi tjetër se synimet e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës nuk kanë ndryshuar aspak nga koha e regjimit të Millosheviqit, ish-ministri i Propagandës së atij regjimi, tash president i regjimit aktual në Serbi. Edhe optimistët më të mëdhenj që deri tash e kanë gënjyer veten për ndryshimet në këtë shtet besoj janë bindur për të kundërtën këto ditë.

    Dua të shpreh edhe njëherë mirënjohje për qendresën e Policisë së Kosovës atë ditë dhe për profesionalizmin e pashoq, aksion në të cilin nuk është lënduar lënduar asnjë civil.

  • Sveçla zbulon planin e terroristëve serbë: Do të shkonin në Ibër, do shpallnin autonomi

    Sveçla zbulon planin e terroristëve serbë: Do të shkonin në Ibër, do shpallnin autonomi

    Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla zbuloi të gjithë planin e hartuar nga serbët për të nisur një konflikt të përmasave të mëdha në Kosovë.

    Sveçla tha se plani i terroristëve serbë të udhëhequr nga nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq dhe nën dirigjimin e Vuçiqit, ishte destabilizimi i Veriut të Kosovës. Sipas tij armatimi i gjetur ishte armatim i një ushtrie të mirëfilltë për 200 persona të rekrutuar.

    “Terroristët sipas ministrit do të zbrisnin më në jug në vijën e lumit Ibër dhe do të pamundësonin futjen e policisë së Kosovës në të gjithë Veriun. Më pas ata do të shpallnin autonominë, në një skenar të ngjashëm me planin e Putin për Donbasin në vitin 2014”.

    “Flitet për 200 persona potencialisht të rekrutuar të cilët do të ishin pjesë e këtij skenari. Plani ka qenë që ata të zbresin më në jug deri në vijën e lumit Ibër dhe përmes sulmeve të pamundësonin policinë e Kosovës të vepronin lirshëm dhe më pas të deklaronin ndonjë autonomi apo diçka tjetër”, tha Sveçla.

    Ministri i Brendshëm të Kosovës shtoi se aksioni po vijon dhe policia e Kosovës ka gjetur kamionë dhe bulldozer të tjerë me armatime.

    “Kjo është një logjistikë që e ka një ushtri e mirëfilltë. Numrat e armatimeve po shtohen. Kemi zbuluar dhe një autoblind tjetër. Ka kamionë dhe buldozerë të cilët kanë mbartur municione. Ka raketa hedhës më shumë, mina anti-tank më shumë, mina anti-personel më shumë. Kjo listë e gjatë po përditësohet. Ky mitroloz me nitroglicerinë as policia nuk e ka në zotërim, kjo është ushtarake dhe vjen drjtpërdrejtë nga depot e Serbisë”, tha Sveçla.

    Sipas tij terreni i vështirë dhe hapja e rrugëve të reja në kufi, ka bërë që grupi duke u kamufluar me makinat e KFOR, të sjellë armatimin në Kosovë.

    “Ai terren është i vështirë dhe në vazhdimësi kemi zbuluar rrugë të reja. Më herë kemi zbuluar 16 rrugë të reja. Ne i kemi bllokuar. Vija e gjatë kufitare dhe këto rrugë ilegale kanë mundësuar që ata të futen me këto makina. Duke qenë se jemi dëshmitarë se ka prezencë të KFOR-it, shumë lehtë këta mund të kryenin aksione në veri duke u kamufluar si personel i KFOR. Makina e Radoiçiç ka qenë e blinduar. Kanë vendosur logot e KFOR për të qarkulluar lirshëm. Ju mund të shihni dronë dhe mjete për mjekim, këta janë përgatitur për konflikt të përmasave të mëdha. Municionet janë me qindar mijëra dhe nuk kemi mundur ende t’i numërojmë”, tha Sveçla.

  • Drejtori i Policisë: Operacioni në veri, më i suksesshmi që nga paslufta

    Drejtori i Policisë: Operacioni në veri, më i suksesshmi që nga paslufta

    Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se operacioni i djeshëm i Policisë në veri ka qenë më i suksesshmi që nga paslufta, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka treguar edhe për rrjedhën e sulmit terrorist, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, u plagos një polic dhe u lëndua një tjetër.

    Hoxha ka thënë se Policia është koordinuar me EULEX-in dhe KFOR-in, e se vazhdimisht kanë kërkuar dorëzimin e sulmuesve. Hoxha, ka thënë se në mesin e të dyshuarve ka qenë edhe Milan Radojçiqi.

    “Unë do t’i jap disa prej të dhënave që ndërlidhen me operacionin e djeshëm, operacioni më i madh dhe i suksesshëm që nga paslufta deri më tash. Dje me datë 24.9.2023 një ekip i policisë me të arritur te ura e fshatit të njohur Banjsëk, ka hasur në një bllokim të rrugës nga dy kamion pa traga të braktisur. Ekipi i policisë deri sa po raportonte për bllokim të rrugës të njejtit janë sulmuar nga persona të pa identifikuar me arme të zjarrit dhe mjete shpërthyese. Të dyshuarit janë larguar në drejtim të fshatit Banjskë…”.

    “Menjëherë pas sulmit terrorist, ekipet e policisë në koordinim të vazhdueshëm me EULEX-in dhe KFOR-in kanë ndërmarr të gjitha veprimet për lokalizimin e përgjegjësve për sulm terrorist”.

    “Gjatë monitorimit të pamjeve brenda manastirit janë vërejtur edhe disa persona civil të cilët nuk janë lejuar që të largohen nga personat e armatosur, duke ngritur dyshimin e bazuar që personat civil do të përdoren nga grupi i armatosur si pengje”.

    “Policia në mënyrë të vazhdueshme ju ka bërë thirrje të dyshuarve të armatosur që të dorëzohen, të njëjtit në vazhdimësi kanë shtënë me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm edhe me raket-hedhës në drejtim të policisë”, ka thënë Hoxha, pas prezantimit të armatimit që u gjet në Manastirin e Banjskës.

    “Në një nga automjete Mercedes G-klas me targa BG-1107YY është gjetur një dokument i aplikimit të lejes së armës së personit Milan Rajdoqiq. Njëherit nënkryetar i Listës Serbe i dyshuar për përfshirje në shumë raste kriminale në Kosovë, dokumenti është i lëshuar nga autoritete serbe, dhe kjo ngrit dyshimet që në mesin e personave të armatosur dhe të uniformuar ka qenë edhe vete Milan Rajdoçiq”.

  • Sveçla: Gjetëm dokumente të Radojiçiqit, dëshmojnë pjesëmarrjen e tij në këtë aksion

    Sveçla: Gjetëm dokumente të Radojiçiqit, dëshmojnë pjesëmarrjen e tij në këtë aksion

    Një ditë pas zhvillimeve në veri të Kosovës, Policia ka thirrur konferencë për media, ku do të prezantohet një arsenal armësh të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, uniforma dhe pajisje logjistike të konfiskuara gjatë aksionit policor.

    “Po takohemi dy orë para se t’ia japim lamtumirën e fundit heroit Afrim Bunjaku që u vra nga terroristët e dirigjuar nga Beogradi dhe Vuçiqi. Ata nuk ishin civilë, por njësi speciale, të mbështetura nga Serbia. Ata përveç aftësive dhe armatimit, kanë pasur edhe mjetë të rënda. Falë profesionalizmit të PK, plani i tyre ka dështuar. Në shkëmbimin e zjarreve kanë mbetur së paku 3 të vrarë, të gjithë me uniforma, ndërsa janë arrestuar dy të tjerë të uniformuar dhe katër të tjerë. Asnjë person civil nuk është lënduar nga ky aksion. Sipas informatave, gjashtë terroristë po trajtohen në Novi Pazar dhe kërkojmë nga Serbia t’i dorëzojë. Çfarëdo pjesëtari që ka arritur të ikë në Serbi, kërkojmë nga Serbia ta dorëzojë. Në objektet brenda janë gjetur harta dhe plane për organizimin e gjatë dhe të mirë menduar. Ato janë dëshmi që nuk kemi të bëjë me organizime lokale. Edhe nga ekspertë është vërtetuar se për këto organizime duhen së paku disa muaj. Nuk ka të bëjë më organizim të shpejt. Kemi gjetur edhe dokumente të kriminelit Radoiçiq, që dëshmojnë pjesëmarrjen e tij në këtë aksion.”, tha Sveçla.

  • Sveçla: Kemi informata që 6 terroristë të plagosur po trajtohen në Novi Pazar, kërkojmë nga Serbia që t’i dorëzojë

    Sveçla: Kemi informata që 6 terroristë të plagosur po trajtohen në Novi Pazar, kërkojmë nga Serbia që t’i dorëzojë

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kanë informacione se 6 terroristë të plagosur po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit.

    Ai ka kërkuar nga Serbia që t’i dorëzojë ata dhe cilindo pjesëtar që ka arritur të ikë në Serbi.

    “Sipas informatave të deritanishme, 6 terroristë të plagosur po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit dhe kërkojmë nga Serbia që ata t’i dorëzojnë menjëherë te autoritetet e Kosovës, që t’i përgjigjen drejtësisë për aktet terroriste. Poashtu për çfarëdo pjesëtari I këtij grupi që ka arritur të ikë në Serbi, kërkojmë nga Serbia që ta dorëzojë”, tha Sveçla.

  • Sveçla: Së paku tre të vrarë, janë duke u kryer procedurat e identifikimit

    Sveçla: Së paku tre të vrarë, janë duke u kryer procedurat e identifikimit

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Policia e Kosovës ka arritur që të vë nën kontroll territorin në Banjskë.

    Ai ka thënë se deri tani janë tre të vrarë nga ana e sulmuesve, gjashtë të arrestuar prej të cilëve dy janë të plagosur dhe me uniformim, dhe katër të tjerë që janë kapur duke mbështetur operacionin me radiolidhje.

    “Vendosëm këtë territor nën kontroll. U bë pas disa betejave të njëpasnjëhsme. Kishim një viktimë. Kryem operacionin pa viktima të tjera. Kemi gjashtë të arrestuar, dy nga ta të plagosur me uniformë , dhe katër të tjerë që mbështesnin operacionin me radiolidhje. Se paku tre sulmues të vrarë, po identifikohen dhe barten”, ka thënë kreu i MPB-së, raporton Express.

    Ai ka treguar se Policia ka zbuluar edhe një sasi të madhe të municionit, eksploziv, uniforma, logjistikë dhe ushqime.

    “Policia e Kosovës ka zbuluar një sasi të jashtëzakonshëm armatim të rëndë, eksploziv, unifroma, logjistikë, ushqime, pajisje për barrikada, ishin pajisje për disa qindra sulmues të tjerë. Ata janë përgatitur për të cenuar sovranitetin e Kosovës”, shtuar tutje kreu i MPB-së.

    Disa prej personave të arrestuar Sveçla thotë se janë të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”

    “Ata kanë dështuar falë sakrificës dhe përkushtimit të Policisë së Kosovës. Ky është grup terrorist, duke qenë se kanë qenë të kyçur të në akte terroriste. Disa prej tyre të identifikuar si pjesë e Mbrojtjes Civile”, ka thënë Sveçla.

    Ministri i Brendshëm ka thënë se edhe pelegrinët e ndodhur në Manastirin e Banjskës në mënyrë që të sigurohen se s’ka të infiltruar nga grupi terrorist.

    “Pelegrinët po kontrollohen në mënyrë që të sigurohemi se se s’ka të infiltruar”, ka shtuar tutje ministri Sveçla.

  • Sveçla flet për sukseset e Policisë: Anëtarësimi në Interpol s’po ndodh për shkak të pengesave politike

    Sveçla flet për sukseset e Policisë: Anëtarësimi në Interpol s’po ndodh për shkak të pengesave politike

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Policia e Kosovës është treguar e suksesshme në veri të vendit, siç ka thënë pas një kohe të gjatë. Ai ka premtuar më shumë luftë kundër shkelësve të ligjit, raporton EO.

    Ai ka deklaruar se numri i rasteve të pazbardhura është minimal, përfshirë edhe pjesë e veriut të vendit.

    Në 24-vjetorin e themelimit të këtij Policisë së Kosovës, Sveçla ka folur profesionalizmin e tyre.

    “Është mirë që policia e Kosovës pas një kohe të gjatë është jashtëzakonisht e suksesshme në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës kjo tashmë është evidente. Unë jam i bindur që puna e policisë nuk do të ndalet me kaq. Është fal edhe profesionalizmit të njësiteve të cilat ne i vizituam. Numri i rasteve të pa zbuluara është minimale përfshirë edhe atë pjesë të Republikës sonë. Herë do kur do e unë jam i bindur që shumë shpejt secili do të jap llogari për shkeljet, për krimet që ka bërë e që bënë në cilin do cep të Kosovës”, tha ai.

    Sveçla, tha se anëtarësimi i PK në Interpol është duke u bërë për shkak të pengesave politike.

    “Për sa i takon aftësive të PK-së patjetër që jo vetëm se PK do të ishte pjesë e Interpolit por do të ishte një ndër policit më të mira në Interpol, ashtu siç është policia më e mirë në rajon. Është çështje pengesave politike për të cilat ne të gjithë jemi dëshmitarë, unë jam i bindur që me një mobilizim të duhur të të gjithë akterëv në këtë fushë ne do të arrijmë edhe këtë sukses ashtu edhe siç u bëmë pjesë apo dërguam përfaqësuesin tonë në Europol”, tha ai.

    Sveçla ka folur edhe për besueshmërinë që e ka ky institucion te qytetarët.

    “Policia e Kosovës është institucioni me besueshmërinë më të madhe në shoqërinë tonë. Kjo edhe nuk është e rastësishme falë punës së jashtëzakonshme të çdo zyrtari policor, fal përgatitjes së tyre profesionale dhe pajisjeve të cilat ata me profesionalizëm i përdorin në të mirë të qytetarit në përforcim të rendit dhe ligjit. Gjithmonë duke pasur në fokus barazinë e qytetarëve, duke pasur në fokus të drejtat e tyre dhe ushtrimin e këtyre detyrave të tyre ta bëjnë në një vizion të përgjithshëm në të mirë të të gjithë shoqërisë”, tha ai.

    Sveçla nuk ka treguar kohën se kur do të plotësohen kërkesat e PK-së. Ai tha se përmirësimet po vërehen në Policinë e Kosovës.

    “Policia e Kosovës është një institucion themelor, ne jemi duke bërë të gjitha përpjekjet që jo vetëm policia e Kosovës të ketë mbështetje e duhur qoftë nga Qeveria qoftë edhe nga institucionet e tjera. Ka përmirësime edhe po shihen përmirësime në pajisje, në mjete në logjistiken e tyre të përgjithshme. Ka përmirësime edhe në të ardhura, por patjetër se ka hapësire për të bërë më shumë. Unë jam i bindur që do t’i tejkalojmë të gjitha”, tha ai.

  • Sveçla për rastin në Bon Vivant: Dështim i drejtësisë, palët e përfshira në konflikt kanë dhjetra vepra penale

    Sveçla për rastin në Bon Vivant: Dështim i drejtësisë, palët e përfshira në konflikt kanë dhjetra vepra penale

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas rastit të mbrëmshëm në lokalin “Bon Vivant”, ku pas të shtënave me armë zjarri u vra një person dhe u lënduan 20 të tjerë.

    Sveçla ka thënë se palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetëra vepra të mëhershme penale, për të cilët thotë se kanë qenë të lirë për arsye të dështimeve të drejtësisë.

    “Në qendër të kryeqytetit, shtetasit tanë janë të rrezikuar për shkak të kriminelëve që nuk po ndëshkohen nga drejtësia. Ata duke u ndjerë të plotfuqishëm përballë ligjit nuk hezitojnë që hesapet e tyre kriminale t’i zgjidhin me armë e atë në lokale publike në prezencë dhe duke rrezikuar dhjetra të rinj të tjerë.

    Palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetra vepra të mëhershme penale. Kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme! Drejtësia është punë e policisë, e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Drejtësia është një sistem i plotë kur të gjithë institucionet përmbushin funksionin e tyre”, ka shkruar Sveçla.