ATV

Tag: Situata në veri

  • Departamenti i Shtetit e vlerëson si të papranueshëm presionin ndaj policëve serbë në veri të Kosovës

    Departamenti i Shtetit e vlerëson si të papranueshëm presionin ndaj policëve serbë në veri të Kosovës

    Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) është shprehur “thellësisht” i brengosur me dorëheqjet e fundit të policëve të porsaemëruar serbë në veri të Kosovës si pasojë e presionit, dhe tha se është e papranueshme që “dikush, përfshirë edhe aktorët e lidhur me Serbinë, të ushtrojë presion politik ndaj individëve që duan t’i bashkohen” Policisë së Kosovës.

    “Policia e Kosovës ofron shërbime jetike për të gjitha komunitetet dhe qytetarët e Kosovës. Ne dënojmë çdo përpjekje për ta minuar diversitetin brenda radhëve të saj”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë më 23 gusht.

    Departamenti i Shtetit i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë për t’u kthyer në dialog për normalizimin e marrëdhënieve.

    Së paku shtatë policë serbë kanë dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës që nga java e kaluar, gjë për të cilën autoritetet kosovare e fajësuan Beogradin zyrtar.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi më 18 gusht se “tashmë ka informacione të konfirmuara se kërcënimet dhe shantazhet vijnë direkt nga Serbia”.

    Beogradi zyrtar nuk i ka komentuar këto akuza.

    Dyzet e gjashtë policë të rinj serbë e nisën punën në veri të Kosovës në fund të korrikut, por ata u përballën menjëherë kërcënime online në rrjetet sociale, të cilat zyrtarët kosovarë dhe bashkësia ndërkombëtare i kanë dënuar ashpër.

    Rreth 550 policë serbë në veri – në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – patën dhënë dorëheqje kolektivisht nga Policia e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, si shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

    Pas dorëheqjeve, autoritetet në Kosovë patën shpallur konkurs për pranim të policëve të rinj, duke i punësuar 74 të tillë. Prej tyre, 46 është raportuar se kanë qenë nga komuniteti serb.

    Integrimin e serbëve në Policinë e Kosovës e parasheh një marrëveshje e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 2013, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

    Dy vendet janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

    Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar. /REL/

  • Stano: BE-ja dënon kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë në Kosovë

    Stano: BE-ja dënon kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë në Kosovë

    Bashkimi Evropian është thellësisht i shqetësuar për dorëheqjen e nëntë policëve rinj serbë, ka thënë zëdhënësi Peter Stano, duke theksuar se BE i dënon kërcënimet ndaj pjesëtarëve të Policisë.

    Ai ka thënë se frikësimet dhe kërcënimet janë të papranueshme dhe si të tilla duhet të ndalen menjëherë.

    “BE-ja është thellësisht e shqetësuar për dorëheqjen e nëntë serbëve të Kosovës të saporekrutuar nga Policia e Kosovës. Përbërja e Policisë së Kosovës duhet të reflektojë dhe përfaqësojë shoqërinë të cilës i shërbejnë dhe mbrojnë. Pjesëtarët joshumicë të Policisë së Kosovës kanë një rol për të luajtur duke kontribuar në sigurinë e komunitetit të tyre përmes policimit të orientuar drejt komunitetit. Ne dënojmë presionin psikologjik, frikësimin dhe kërcënimet për hakmarrje ndaj pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës, të cilat thuhet se kanë motivuar dorëheqjen e policëve të saporekrutuar”, ka thënë Stano për KosovaPress.

    Stano ka theksuar se çdo frikësim i tillë është kundër frymës së normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    “Çdo lloj sjelljeje frikësuese apo kërcënuese ndaj policëve serbë të Kosovës, duke përfshirë edhe aktorët e lidhur me Serbinë, është i papranueshëm dhe duhet të ndalet menjëherë. Çdo frikësim i tillë është kundër frymës së normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Institucionet e Kosovës duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe multietnike dhe BE-ja nënvizon se një zgjidhje e qëndrueshme për çështjen e kthimit të serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës duhet të gjendet në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka shtuar ai.

  • Nga sot fillon zvogëlimi i pranisë së Policisë edhe për 25 për qind rreth komunave në Veri

    Nga sot fillon zvogëlimi i pranisë së Policisë edhe për 25 për qind rreth komunave në Veri

    Nga sot do të fillojë zvogëlimi i pranisë së Policisë edhe për 25 për qind në objektet komunale dhe rreth tyre, në veri të Kosovës.

    Vendimi vjen pas një vlerësimi të përbashkët të Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it.

    Në njoftim thuhet se ekipet e Policisë, bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in, do të vazhdojnë koordinimin dhe do t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme, sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në komunat veriore.

    Qysh më 13 korrik është larguar 25 për qind e Policisë nga objektet komunale dhe rreth tyre, në veri.

  • Biden takohet me kryeministren italiane, vlerësojnë shtensionimin e situatës në veri

    Biden takohet me kryeministren italiane, vlerësojnë shtensionimin e situatës në veri

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, është takuar në Shtëpinë e Bardhë me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, me të cilën kanë vlerësuar marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për shtensionimin e situatës në veri.

    Sipas një deklarate për media, të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, Bideni dhe Meloni kanë riafirmuar angazhimin që Ballkani Perëndimor të ketë siguri, stabilitet dhe prosperitet.

    “Shtetet e Bashkuara dhe Italia riafirmojnë angazhimin e tyre të përbashkët për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen e tyre të gjatë për integrimin euroatlantik të rajonit. Ata vendosën të përforcojnë koordinimin për të favorizuar shtensionimin dhe pajtimin dhe pranuan rolin vendimtar të QUINT-it. Shtetet e Bashkuara mirëpresin angazhimin e qeverisë italiane në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë kontributin e forcave të armatosura italiane në misionet e KFOR-it dhe EULEX-it”, thuhet në deklaratën e tyre.

  • BE-ja preferon dorëheqjen e kryetarëve në veri për zgjedhje sa më të shpejta

    BE-ja preferon dorëheqjen e kryetarëve në veri për zgjedhje sa më të shpejta

    Bashkimi Evropian ka kërkuar që zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit të shpallen sa më shpejt dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse.

    Një zëdhënëse e BE-së të enjten ka thënë se Bashkimi Evropian pret që “palët të zbatojnë kërkesat e BE-së siç është bërë e ditur në deklaratën e 27 shteteve anëtare më 3 qershor 2023”. “Kjo përcakton qartë se zgjedhjet e hershme duhet të shpallen sa më shpejt dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse në të katër komunat me shumicë serbe në veri”.

    Të pyetur se si është forma që BE-ja përkrah shpalljen e zgjedhjeve sa më shpejt që të jetë e mundshme, BE-ja ka kujtuar se “dorëheqja e kryetarëve është rruga më e shpejt për të nxitur zgjedhje të parakohshme”, ndërsa ka kërkuar që “palët duhet të tregojnë konstruktivitet në realizimin e zgjedhjeve”, ka deklaruar ajo për Koha.net.

    Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vazhdimësi ka thënë se dorëheqja është akt moral, e se qytetarët si zgjidhje e kanë nisjen e një peticioni që kërkon dorëheqjen e kryetarëve.

    BE-ja e ka cilësuar të paqëndrueshme status-quonë në veri të vendit pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës dhe bojkotit të zgjedhjeve në veri nga serbët.

    “Vazhdimi i protestave kundër kryetarëve të rinj, pa u nisur zgjedhjet e reja lokale në katër komunat, qoftë me dorëheqje apo peticione për dorëheqje, nuk është rruga përpara. BE-ja pret që zgjedhjet të jenë të lira dhe fer dhe që serbët e Kosovës të tregojnë angazhim konstruktiv në procesin zgjedhor, dhe të angazhohen për të marrë pjesë në to. Kjo do të ishte shenjë e qartë e synimit të serbëve të Kosovës për t’u kthyer në institucionet e Kosovës”, thuhet në përgjigje.

  • AAK-ja mban tryezë diskutimi për situatën politike në vend

    AAK-ja mban tryezë diskutimi për situatën politike në vend

    Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, sot mban tryezë diskutimi me shoqatat e dala nga lufta, shoqatat e të burgosurve politikë dhe të pagjeturve dhe ish-udhëheqës të UÇK-së.

    “Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka kohë që ka filluar një cikël diskutimesh për situatën e rëndë politike në Kosovë dhe modalitetet e mundshme për të dalë nga kjo situatë, me pjesëmarrës nga jeta publike, ekspertë të fushave, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave”, njofton AAK.

    Tryeza mbahet në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    Ndryshe AAK edhe javën e kaluar ka mbajtur tryze të tillë me akterë të tjerë në vend.

  • Situata në Kosovë, Stoltenberg takohet me Vuçiqin në Bruksel

    Situata në Kosovë, Stoltenberg takohet me Vuçiqin në Bruksel

    Në të njëjtën ditë kur pritet të zhvillohen bisedime në Bruksel në mes të krynegociatorëve të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 19 korrik në Bruksel.

    Më 12 korrik, Vuçiq ka bërë të ditur se i ka dërguar NATO-s letër zyrtare me kërkesë që ta takojë shefin e këtij institucioni.

    Temë e bisedimeve besohet se do të jetë situata në Kosovë.

    Më 11 korrik, Bashkimi Evropian ka konfirmuar se është pajtuar me Kosovën në marrjen e disa hapave për uljen e tensioneve në veri./atvlive.tv/

  • Bislimi dhe Petkoviq takohen sot në Bruksel

    Bislimi dhe Petkoviq takohen sot në Bruksel

    Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, dhe kryenegociatori serb, Petar Petkoviq do të takohen sot (e mërkurë) në Bruksel.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se i dërguari për dialogun, Miroslav Lajçak, do të presë në takim kryenegociatorët nga të dyja palët.

    “Fokusi do të jetë tek implementimi i marrëveshjes së 27 shkurtit [Marrëveshja Bazë] dhe hapat për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës”, ka shkruar ai në Twitter.

    Marrëveshja për shtensionimin e situatës në veri u arrit më 10 korrik në Bratisllavë të Sllovaksië, në takimin që kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi zhvilloi me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

    Janë katër hapa që për dy javë duhet të përfundojnë mes Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

    Pika e parë dhe pika e dytë kanë filluar të zbatohen javën e kaluar, ajo e zvogëlimit të pranisë policore për 25 për qind në dhe rreth ndërtesave komunale dhe ajo, ku Policia e Kosovës bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in të vlerësojnë gjendjen e sigurisë, “në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale”.

    Si pikë e tretë, Qeveria e Kosovës është pajtuar që të dalë me deklaratë publike për mbështetjen e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri pas verës.

     

  • Tensionet e fundit në veri, dy kryeministra evropianë vizitojnë sot Kosovën

    Tensionet e fundit në veri, dy kryeministra evropianë vizitojnë sot Kosovën

    Kryeministri i Holandës, Mark Rutte dhe kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel do të vizitojnë sot Kosovën.

    Vizita e dy kryeministrave evropianë sipas gazetës holandeze, Haarlems Dagblad lidhet me tensionet e fundit në veri të Kosovës.

    Përveç Kosovës, kryeministrat evropianë kanë vizituar edhe Serbinë.

    Rutte dhe Bettel do të zvhvillojnë takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, me të cilët do të diskutojnë, “mes tjerash, zhvillimet e fundit në rajon dhe luftën në Ukrainë”.

    Tensionet në veri të Kosovës kanë filluar më 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq kanë shkuar në objektet komunale, të asistuar nga Policia e Kosovës. Situata ka eskaluar më datën 29 maj, kur grupet kriminale kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it.

    Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri: Shtensionimin e situatës atje, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti ka paraqitur pesë pika për situatën në veri, ku fokus sipas tij, duhet të jetë sundimi i ligjit në katër komunat veriore.

    Ndërkaq, më 29 qershor, Kurti ka paraqitur propozimin e ri për shtensionimin e situatës në veri. Ai ka paraqitur katër hapa konkretë që Qeveria e Kosovës është e gatshme t’i ndërmarrë për t’i kontribuar rikthimit të stabilitetit në veri. Mirëpo, ka thënë se presin edhe nga Serbia që të zotohet për tërheqje të protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe të bashkëpunojë për paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve të dhunës nga ana e Kosovës.

    Megjithatë, BE ka vendosur disa sanksione për vendin tonë.

  • Situata në veri, Lajçak vjen sot në Kosovë

    Situata në veri, Lajçak vjen sot në Kosovë

    I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, do të vizitojë sot Kosovën, në përpjekje për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës. Ai pritet të vizitojë edhe Serbinë, për të bindur palët që të kthehen në dialog.

    Bëhet e ditur se Lajçak do të takohet edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

    “Në orën 15:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Presidencës.

    Kjo është vizita e dytë e Lajçakut brenda një muaji, pasi që ai në fillim të qershorit bëri një vizitë bashkë me emisarin amerikan për Ballkan Gabriel Escobar.

    BE-ja vazhdon të përsërisë thirrjet për të dyja palët që të bëjnë hapa të menjëhershëm për shtensionimin e situatës dhe të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve, që e ndërmjetëson Brukseli. Këto thirrje u bënë edhe gjatë samitit të fundit të liderëve të BE-së që u mbajt javën e kaluar në Bruksel.

    Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

    Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore. Situata në veri vazhdon të jetë e tensionuar pasi që grupet kriminale vazhdimisht po provokojnë situatën, ku tash e sa herë po raportohet për shpërthime në veri.

    Kujtojmë po ashtu se protestuesit serbë kanë sulmuar Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe mediat.