ATV

Tag: Situata në veri

  • Policia bastis shtatë lokacione në veri, këto janë armët dhe pajisjet që u sekuestruan

    Policia bastis shtatë lokacione në veri, këto janë armët dhe pajisjet që u sekuestruan

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka kryer kontrolle në shtatë lokacione në veri të vendit që lidhen me ngjarjet e 24 shtatorit 2023, ku janë gjendur armë, municion, mjete shpërthyese e pajisje tjera ushtarake.

    Në njoftim thuhet se kontrollet janë kryer në lokacione të ndryshme, katër në Mitrovicën e Veriut, dy në Zveçan dhe një në Banjskë.

    Gjatë këtyre kontrolleve, në një bodrum të njërit nga tre soliterët në Mitrovicën e Veriut, janë gjetur një sasi municioni, kallashnikovë, zola, eksploziv etj.

    Pjesëmarrës në këto kontrolle ishin edhe zyrtarë nga EULEX-i, kurse te tre rrokaqiejt prezent kanë qenë edhe EOD -KFOR-i, po ashtu EOD e Policisë së Kosovës është në vend të ngjarjes.

    Lista preliminare e armëve dhe pajisjeve tjera të sekuestruara:

    • 87 copë eksploziv të tipit TM 100
    • 3 granata hedhës dore (zola)
    • 1 armë automatike AK-47
    • 1 minë kundër këmbësorisë e tipit MRUD
    • 14 karikatorë
    • Municion të kalibrave të ndryshëm
    • 63 detonatorë elektrik
    • 23 detonatorë mekanik
    • 1 orë për aktivizim
    • 1 granatë dore M79
    • 3 tuba fitila ndezës
    • Çanta, radiolidhje, antiplumba, pajisje medicionale, gyksore (jelek për bartje të karikatorëve), maskë kundër gazit, bateri etj.
  • ​Sulmi në Banjskë, policia vazhdon kërkimin për armë në veri

    ​Sulmi në Banjskë, policia vazhdon kërkimin për armë në veri

    Një sërë kontrolle e bastisje janë kryer nga Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, pas sulmit të 24 shtatorit që ndodhi në Banjskë të Komunës së Zveçanit, bastisje këto që po vazhdojnë edhe sot.

    Zëvendësdrejtori i policisë në veri të Mitrovicës, Veton Elshani i ka thënë KosovaPress-it, se deri tash nuk ka të arrestuar.

    “Rreth orës 10:00 kemi nis bastisje në veri të Kosovë, me qëllim të identifikimit dhe sekuestrimit të armëve dhe deri tash nuk ka të arrestuar. Ndërsa, lidhur me atë se çka është gjetur në këto bastisje, do të iu informojmë më vonë”, tha ai.

    Ai nuk dha detaje se ku aktualisht po kryhen këto bastisje. Ditëve të kaluara u kryen bastisje të tjera në lokacione të ndryshme, e që të gjitha ato u kryen nën dyshimet se ka ndërlidhje me sulmin në Banjskë, më 24 shtator kur edhe u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku e plagos një koleg i tij.

  • Shqipëria miraton Rezolutën në mbështetje të Kosovës

    Shqipëria miraton Rezolutën në mbështetje të Kosovës

    Përgatiti: Armand Hoti

    Me 101 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Shqipërisë votoi projekt-rezolutën që dënon sulmet terroriste të 24 shtatorit në Banjskë.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalimin e tij tha se vazhdon të jetë i patundur në qëndrimet sa i përket veriut të Kosovës dhe normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    “E kam thënë së samitin e NATO-s, mbi domosdoshmërinë e marrjes së kontrollit të veriut të Kosovës nga KFOR-i. Fokusimi te suksesi dhe jo dështimi i planit francezo-gjerman dhe dhënies drejtim të asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Rama.

    Gjatë 90 minutave sa kishte në dispozicion, kryeministri Rama mes tjerash kritikoi homologun e tij nga Kosova se ka ushtruar qasje të gabuar në dialog.

    “Nëse asociacioni bëhet si duhet, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë, Serbia nuk do të lëvizë aq lirshëm sa ka lëvizur mes Brukselit dhe SHBA-së, duke shfrytëzuar qasjen e gabuar të Prishtinës në procesin e dialogut dhe duke nënvizuar në çdo rast si viktimë refuzimin me një çmim komplet të paarsyeshëm të një asociacioni komunash, i cili i kyçur brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës do të ishte i zhveshur nga çdo potencial për destabilizim të Kosovës. Këtë e kupton edhe bufi”, tha Rama.

    Fjalimi i kryeministrit Rama shkaktoi reagimin e opozitës, derisa ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha se Rama po e favorizon Serbinë.

    “Fjalimi që lexoi sot para jush, është i shkruar në zyrat e Vuçiçit. Ky fjalim kishte në plan që në prag të samitit, të portretizonte si djall me zile kryeministrin e Kosovës. Kishte qëllim të mbronte padronin e tij, serbomadhin Aleksandar Vuçiç”, tha Berisha.

    Rezoluta e votuar në Kuvendin e Shqipërisë, mbështet plotësisht rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës dy javë më parë, që dënon sulmet terroriste në Banjskë dhe përmend nevojën për hetim ndërkombëtar për rolin institucional të Serbisë në këtë sulm.

  • Serwer: ShBA-ja dhe BE s’kanë treguar ndonjë vullnet për të bllokuar ambiciet e Serbisë

    Serwer: ShBA-ja dhe BE s’kanë treguar ndonjë vullnet për të bllokuar ambiciet e Serbisë

    Njohësi i zhvillimeve politike dhe profesori amerikan, Daniel Serwer, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së zëdhënësit të BE-se, Peter Stano, për masat ndaj Kosovës, duke thënë se BE-ja ende s’ka parë veprime nga Kosova që çojnë në de-eskalim të plotë të situatës në veri.

    Sipas Serwer, “BE-ja është bërë një kundërshtar de-facto i sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”.

    “Ajo [BE] dëshiron të kufizojë dislokimet e policisë në përgjigje të një kërcënimi të qartë dhe aktual, si dhe të krijojë një strukturë të veçantë qeverisëse për popullatën serbe, të paktën në veri”, ka shkruar Serwer.

    Më tej profesori i Universitetit amerikan “John Hopkins”, ka shkruar se “SHBA-të po mbështesin BE-në në të dyja këto synime, ndërsa mohojnë se do të lejojnë arritjen e objektivit të fundit”.

    “Por as BE dhe as SHBA nuk kanë treguar ndonjë vullnet për të bllokuar ambiciet e Serbisë, siç tregohet nga dështimi për të reaguar ndaj tentativës së kryengritjes së Beogradit”, ka shkruar Serwer.

    Situata në veri e ka ndikuar edhe në mënyrë tjetër ekonominë e Kosovës, pasi Bashkimi Evropian ka ndërmarrë në fund të qershorit disa masa ndëshkuese ndaj vendit.

    Kjo, pasi Qeveria e Kosovës nuk u është bindur, sipas bashkësisë ndërkombëtare, kërkesave të saj për ta shtensionuar situatën në veri.

    Këto masa kanë përfshirë pezullimin e programimit të fondeve për Kosovën, përfshirë ato nga IPA – Instrumentet e Para-Anëtarësimit në BE – dhe nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor.

    Nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kanë deklaruar se këto masa nuk pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë negativ apo të prodhojnë humbje financiare për bizneset, por, megjithatë, “ato kanë pezulluar nënshkrimin e kontratave të reja, që do të kishin krijuar një vlerë potenciale për bizneset në Kosovë”.

  • Kryeministri Kurti: Duhet të kemi siguri për Kosovën dhe sanksione për Serbinë

    Kryeministri Kurti: Duhet të kemi siguri për Kosovën dhe sanksione për Serbinë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se pret nga Brukseli të emërtojë dhe dënojë çdo shkelje që Serbia ka bërë, duke u bazuar në traktatin që Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord në shkurt të këtij viti në mënyrë që të kthehet rruga e zbatimit të njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Kurti gjatë një interviste për Sky News, është pyetur për situatën pas sulmit të 24 shtatorit nga terroristët serbë në veri të vendit, si dhe dialogun në Bruksel, ku ka thënë se nuk pas asaj që ndodhi në veri, asgjë nuk është si më parë.

    “Ne nuk mund të kthehemi si zakonisht. Pas 24 shtatorit asgjë nuk është si më parë, dhe në këtë situatë ka kontribuar edhe toleranca ndaj shkeljeve të traktatit bazë që kemi rënë dakord me Serbinë në shkurt të këtij viti. Brukseli është një arbitër, i cili duhet të reagojë sa herë ka një shkelje, shkelje të marrëveshjes. Neni 3 i traktatit bazë thotë se palët duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre me mjete paqësore dhe të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i dhunës. Pres që Brukseli të emërtojë dhe dënojë çdo shkelje të traktatit tonë bazë, në këtë mënyrë ne të mund të kthehemi në rrugën e zbatimit të njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të mundësojmë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë demokratike evropiane”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se Kosova ka nevojë për sigurimin e kufijve nga KFOR-i dhe Policia e Kosovës.

    “Duhet të kemi siguri për Kosovën, dhe sanksione për Serbinë. Siguria do të thotë, para së gjithash, siguria e kufirit tonë, që është mjaft e gjatë kur bëhet fjalë për fqinjin tonë verior serb [pra ju doni më shumë paqeruajtës këtu], më shumë paqeruajtës, të cilët do të patrullojnë së bashku me policinë tonë përgjatë kufirit të gjatë në rajonet malore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky është numri një, ne kemi nevojë për dënim për Serbinë, ata do të përsërisin krimet e tyre, nëse nuk ka dënim nga BE, NATO, SHBA, Britania e Madhe… Dhe çfarë tjetër na duhet është që këto organizata terroriste që ne i shpallim kështu tre muaj më parë, “brigada e veriut” dhe “mbrojtja civile”, duhet të shpallen terroriste edhe nga miqtë, aleatët dhe partnerët tanë”, tha ai, derisa shtoi se përreth kufirit të Kosovës janë 48 baza operative, 28 ushtarake, 20 janë xhandarmeri, që janë si patkua rreth vendit tonë të cilat duhet të hiqen prej andej.

    “Ne ende nuk kemi prova se ata i kanë hequr ato siç u kanë premtuar me sa duket aleatëve tanë perëndimorë, megjithatë, nga 50 deri në 150 njerëz të armatosur janë në secilën prej këtyre bazave operative. Baza e operimit duhet të hiqet prej andej. Numri një, statusi i tyre është i gabuar. Numri dy, prania e tyre është frikësuese”, tha ai.

    Ai ka shtuar se tani është koha për të filluar një kapitull të ri, ku perëndimi demokratik do t’i thotë Serbisë se ky lloj i veprimeve të librit të Putinit në Kosovë duhet të ndërpritet njëherë e përgjithmonë.

  • Senatori amerikan: Sulmi në Banjskë ishte i mirë-koordinuar, kishte qëllim provokimin e një konflikti më të gjerë

    Senatori amerikan: Sulmi në Banjskë ishte i mirë-koordinuar, kishte qëllim provokimin e një konflikti më të gjerë

    Senatori amerikan, Chris Murphy, i cili ka qenë për vizitë disa herë në Kosovë, ka thënë se ata që kanë vrarë rreshterin kosovar, Afrim Bunjaku, duhet të mbahen përgjegjës.

    Murphy ka thënë se pasojat e sulmit të 24 shtatorit kanë mundur të jenë katastrofale, duke potencuar se armatimi i rëndë që është përdorur tregon se ka qenë një sulm i mirë-koordinuar dhe që ka synuar qëllimshëm të provokojë një konflikt më të gjerë.

    Senatori amerikan ka thënë se është i shqetësuar që lirimi i Milan Radojiçiqit nga Serbia, i cili edhe ka pranuar se qëndron prapa 24 shtatorit, do të rris tensionet edhe më tej në mes të Serbisë dhe Kosovës, dhe do të minojë edhe përpjekjet për implementimin e plotë të obligimeve që palët kanë marrë nga Marrëveshjet e ndërmjetësuara nga Brukseli.

    “Vuçiq duhet të marrë hapa të menjëhershëm për de-eskalim dhe të sigurohet që do të ketë llogaridhënie për këtë akt qyqar”, ka shkruar Murphy.

  • Parlamenti Evropian sot diskuton për situatën në veri

    Parlamenti Evropian sot diskuton për situatën në veri

    Në Parlamentin Evropian sot (e martë) do të diskutohet për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit mbi Policinë e Kosovës, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku e dy te tjerë u plagosën.

    Ndërkaq gjatë muajit PE pritet të miratojë një rezolutë për marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    Kjo është bërë e ditur nga deputeti kroat, Tonino Picula.

    Ai ka thënë se e dënojnë agresionin e fundit të një bande të armatosur kundër policëve të Kosovës.

    “Ne e dënojmë agresionin e fundit të terroristëve të armatosur ndaj oficerit të policisë së Kosovës. Të gjitha faktet për këtë sulm duhet të zbardhen dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë”, tha Picula.

  • Sveçla: Në Banjskë ishin mbi 80 terroristë, Radoiçiqi e ka mbështetjen e Vuçiqit

    Sveçla: Në Banjskë ishin mbi 80 terroristë, Radoiçiqi e ka mbështetjen e Vuçiqit

    Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, deklaroi se mbi 80 terroristë ishin të përfshirë në sulmin e së dielës në fshatin Banjskë të Zveçanit. Ndërsa shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe vet Qeveria e Serbisë janë të përfshirë në këtë akt terrorist.

    Më 24 shtator, një grup terrorist në këtë fshat të pjesës veriore të Kosovës sulmuan forcat policore të Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

    Pesë ditë pas sulmit, përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

    Në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, ministri Sveçla thotë se Radoiçiq nuk ka vepruar i vetëm siç ka thënë, por i mbështetur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    “Të gjitha faktet tregojnë se Millan Radoiçiq nuk ka vepruar kokë më vete, nuk ka punuar vetë. Ai ka qenë në vazhdimësi i mbështetur nga Aleksandër Vuçiq, nga Qeveria e Serbisë dhe nga të gjitha instrumentet që ai shtet ka”, tha Sveçla.

    Ai thotë se hetimet e deritashme kanë treguar si “mbi 80 terroristë” kanë qenë të përfshirë në sulmin në Banjskë.

    “Në fillim është menduar se janë diku mes 30 dhe 40 terroristë. Tashmë mund të themi se numri është më i madh, gjë që dëshmon suksesin edhe më të madh të policisë së Kosovës. Policia e Kosovës ka qenë edhe në numër më të vogël, edhe me armatim më të dobët sesa ky grup terrorist, por ia ka dalë që pas humbjes së jetës së rreshterit Afrim Bunjaku, pas përfundimit të kësaj prite, të realizojë gjatë gjithë ditës një betejë të suksesshme – për të cilën po marrim përgëzime nga të gjithë aleatët tanë – dhe ta mundë këtë grup terrorist. Por, numri është i madh. Tash mund të themi se është mbi 80”, tha Sveçla.

    Ministri i Brendshëm tha gjithashtu se autoritetet përgjegjëse, përmes partnerëve ndërkombëtarë, do të kërkojnë ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksioni terrorist” në Banjskë.

  • Sekretari i NATO-s, Stoltenberg: Të shpërshkallëzohet situata, Kosova dhe Serbia të angazhohen në dialog

    Sekretari i NATO-s, Stoltenberg: Të shpërshkallëzohet situata, Kosova dhe Serbia të angazhohen në dialog

    Këshilli i NATO-s është mbledhur sot për të diskutuar për situatën në Kosovë. Në një deklaratë për media, Sekretari Gjeneral i NATO-së, Jens Stoltenberg u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të rikthehen në tavolinën e negociatave në Bruksel.

    “U bëjmë thirrje të gjitha palëve që urgjentisht të de-përshkallëzojnë situatën. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në deklaratën e Stoltenberg.

    Në deklaratë thuhet se misioni i KFOR-it ka një prezencë të dukshme në mbarë Kosovën.

    “Ne gjithmonë do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurojmë lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Ne e bëjmë këtë në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, thuhet në deklaratë.

    Stoltenberg ka deklaruar se NATO është e gatshme të rrisë praninë e trupave të KFOR-it nëse shfaqet nevoja për këtë.

    “Ne gjithmonë do të vazhdojmë të sigurohemi që komandanti ynë të ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm që KFOR-i të përmbushë mandatin e tij. Ne jemi të gatshëm të bëjmë rregullime të mëtejshme në qëndrimin e KFOR-it sipas nevojës”, ka thënë Sekretari Gjeneral i NATO-s.

  • Sulmi terrorist në Banjskë, policia kryen kontrolle në pesë lokacione në Veri

    Sulmi terrorist në Banjskë, policia kryen kontrolle në pesë lokacione në Veri

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka kryer kontrolle në në pesë lokacione në tri komunat në veri të Kosovës.

    Në njoftimin e policisë thuhet se këto operacione po zhvillohen lidhur me ngjarjet e fundit në fshatin Banjskë, ku në një sulm terrorist mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku e u plagosën dy të tjerë.

    Bëhet e ditur se këto kontrolle janë duke u zhvilluar në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in.

    “Sot, me datën 29.09.2023 Policia e Kosovës është duke zbatuar urdhëresën e gjykatës kompetente për kontrolle, në pesë lokacione në tri komunat në veri të Kosovës. Këto operacione janë duke u zhvilluar lidhur me ngjarjet e fundit të ndodhura në fshatin Banjskë. Operacioni policor është duke vazhduar nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës, me prezencën në vend ngjarje të Prokurorit (të PSRK-së). Me këtë rast Policia e Kosovës njofton qytetarët se nuk kanë nevojë për ndonjë shqetësim. Këto urdhër kontrolle, janë duke u zbatuar në koordinim me EULEX dhe KFOR”, thuhet në njoftim.

    Kujtojmë se Policia e Kosovës ka gjetur arsenal armatimi në Manastirin e Banjskës ku terroristët serbë u strehuan të dielën e 24 shtatorit. Armatimi që u gjet aty arrinë vlerën prej 5 milionë eurosh dhe ishte i bollshëm për qindra njerëz.

    Sulmin e së dielës e kanë dënuar institucionet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare.