ATV

Tag: NATO

  • ​Stoltenberg i thotë Vuçiqit që sulmuesit në Banjska duhet të mbahen përgjegjës

    ​Stoltenberg i thotë Vuçiqit që sulmuesit në Banjska duhet të mbahen përgjegjës

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka folur në Beograd mbi rastin e sulmit në Banjska në Zveçan më 24 shtator, duke kërkuar edhe një herë që përgjegjësit të vihen para drejtësisë.

    Ai pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se pas zhvillimeve në veri, Aleanca Veri-Atlantike ka dërguar në Kosovë rreth një mijë trupa të reja. Stoltenberg serish përsëriti se Policia e Kosovës është reaguesi i parë, ajo e EULEX-it i dyti dhe KFOR-i si autoritet i tretë.

    “Çdo shkelje e sundimit të ligjit, dhe vrasja e civilëve është absolutisht e papranueshme. Si gjithmonë, përgjegjësit duhet të mbahen përgjegjës, pavarësisht se kush është autori, apo kush është përgjegjës, sepse kjo ka të bëjë me respektimin e disa parimeve thelbësore për sundimin e ligjit. Por le të sigurojmë, sa herë që shohim shkelje të ligjit, ose shohim njerëz të pafajshëm derisa vriten, sigurisht që mesazhi është i njëjtë, përgjegjësit duhet të mbahen përgjegjës”, ka thënë Stoltenberg.

    Ndryshe, Stoltenberg dje qëndroi për vizitë në Kosovë. Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani ai deklaroi se sulmi terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, është i papranueshëm dhe po ashtu arsyeja pse KFOR-i ka rritur praninë në Kosovë. Ai ka nënvizuar nevojën që përgjegjësit për këtë sulm dhe po ashtu sulmin ndaj 93 ushtarëve të KFOR-it në maj të mbajnë përgjegjësi./kp

  • Stoltenberg në Beograd: Grumbullimi i ushtrisë serbe pranë Kosovës s’i ndihmon situatës

    Stoltenberg në Beograd: Grumbullimi i ushtrisë serbe pranë Kosovës s’i ndihmon situatës

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të martën në Beograd se grumbullimi i forcave të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën nuk ndihmon në qetësimin e situatës së tensionuar mes dy vendeve.

    Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rritën dukshëm më 24 shtator kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë të Zviceranit në veri të vendit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Tre sulmues serbë u vranë në luftimet që pasuan.

    Pak kohë pas sulmit, Serbia i dërgoi forcat e saj në afërsi të kufirit kosovar, para se t’i tërhiqte pas reagimit të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

    “Të dy palët duhet t’i ulin tensionet dhe të vetëpërmbahen nga veprimet përshkallëzuese”, tha Stoltenberg në një konferencë për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të martën paradite.

    Përgjegjësinë për sulmit e 24 shtatorit e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

    Serbia ka zhvendosur trupat e saj pranë kufirit me Kosovën disa herë edhe në të kaluarën.

    “Grumbullimi i forcave të Ushtrisë Serbe në afërsi të kufirit me Kosovën nuk do të ndihmonte në qetësimin e situatës”, tha Stoltenberg.

    Stoltenberg mbërriti në Beograd pas një vizite që pati të hënën në Prishtinë, ku theksoi se aleanca ushtarake po e shqyrton mundësinë nëse duhet të ketë një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në Kosovë, pas shpërthimit të dhunës në shtator.

    NATO-ja i ka shtuar 1.000 trupa në misionin e saj paqeruajtës – KFOR – pas dhunës së shtatorit, që përbën vendosjen më të madhe në vitet e fundit të aleancës.

    Ngjashëm si në Prishtinë, edhe në Beograd, Stoltenberg e përsëriti se përgjegjësit e sulmit të 24 shtatorit – për të cilin Kosova e fajëson Serbinë e cila i mohon akuzat – duhet të sillen para drejtësisë./REL/

  • Sulmi në Banjskë, shtimi i trupave e shqetësimi për zgjerim të konflikteve në rajon, çka tha shefi i NATO-s në Prishtinë

    Sulmi në Banjskë, shtimi i trupave e shqetësimi për zgjerim të konflikteve në rajon, çka tha shefi i NATO-s në Prishtinë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dje nuk ka dhënë shumë shpresa për anëtarësim të Kosovës në strukturat e aleancës ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, NATO, duke nisur nga Partneriteti për Paqe.

    Për këtë, sekretari i NATO-s tha se nevojiten votat e të gjithë anëtarëve.
    “Anëtarësimi në programimin për Partneritet për Paqe kërkon vota unanime nga të gjitha shtete anëtare. Nevojitet vendimi i të gjitha aleatëve nuk e di kur mund të merret një vendim i tillë”, u shpreh Stoltenberg, teksa foli sërish për sulmin në Banjskë. Për këtë, tha se do të bisedojë nesër me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

    “Dhuna që e kemi parë në Banjskë kjo është arsyeja pse kemi rritur praninë tonë dhe që është vendosja me e madhe e KFOR për një dekadë. NATO nuk është institucion i zbatimit të ligjit për këtë arsye është Policia dhe EULEX. Këtë shqetësim do ta ngris nesër në Beograd dhe ata që qëndrojnë prapa sulmit të mbahen përgjegjës. Po e rishikojmë nëse duhet të ketë një rritje të përhershme të ushtarëve të NTAO-s në Kosovë”, tha ai.

  • Stoltenberg: E mirëpres propozimin për formimin e Asociacionit, hap kyç drejt paqes në rajon

    Stoltenberg: E mirëpres propozimin për formimin e Asociacionit, hap kyç drejt paqes në rajon

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë ka bërë që ta rrisin prezencën e KFOR-it me ushtarë shtesë. Për këtë, Stoltenberg ka kërkuar që kryerësit e këtij sulmi të mbahen përgjegjës, raporton EO.

    Në një konferencë për medie së bashku me presidenten Vjosa Osmani, Stoltenberg ka folur edhe për propozimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këtë e quajti hap kyç drejt paqes në rajon.

    “Kënaqësi të jem përsëri në Prishtinë dhe të takohem përsëri me ju pas takimit në Bruksel. Sapo patëm një diskutim të rëndësishëm për gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe rajon. Në shtator pamë një ndezje të dhunës në veriun e Kosovës që ngriti shqetësime të një konflikt më i gjerë mund të kthehet në Ballkanin Perëndimor”, tha Stoltenberg.

    Ai tha se sulmet janë të papranueshme.

    “Personat përgjegjës duhet të mbahen për përgjegjës. NATO ka reaguar me shpejtësi, kemi sjellë 1000 shtesë trupa në Kosovë, kemi dërguar armatime të rënda, kemi rritur patrullimet në veri”, tha ai.

    “Do të bëjmë atë që është e nevojshme të mbajmë një mjedis të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjithë njerëzit në Kosovë. Stabiliteti në rajon vendoset nga të gjitha anët që duhet të zgjedhin diplomacinë mbi dhunën dhe t’i nderojnë zotimet ekzistuese”, tha Stoltenberg.

    “Çdo vendosje e forcave të Policisë së Kosovës duhet të marrë konfirmimin e NATO’s… NATO e mbështet dialogun e lehtësuar nga BE mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe të dyja palët duhet të angazhohen në mirëbesim. I mirëpres propozimet e fundit për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ky do të ishte një hap kyç drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe drejt paqes afatgjate dhe të qëndrueshme në rajon”, tha ai.

    Ai e falënderoi Osmanin për “mirëpritjen dhe takimin shumë konstruktiv”.

  • Osmani: Kosova dhe NATO janë në njërën anë, terroristët janë në anën tjetër

    Osmani: Kosova dhe NATO janë në njërën anë, terroristët janë në anën tjetër

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia vazhdon t’i mbështesë terroristët që sulmuan Kosovën më 24 shtator, prandaj sipas saj Serbia duhet të mbahet përgjegjëse, raporton EO.

    Pas takimit me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Osmani ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është qenësorë, prandaj tha se ky institucion i sigurisë mund të llogarisë Kosovën si partnere të saj.

    “Në një kohë jashtëzakonisht sfiduese për sigurinë në përgjithësi, Kosova është një shtet i ri dhe demokratik, liria e Kosovës është edhe rezultat i mbështetjes së NATO-s. Në të njëjtën kohë jemi falënderues edhe për ushtarët e NATO-s.”

    “Edhe pse kjo paqe është cenuar dhe vazhdoj që të cenohet nga Serbia. Të dhënat e hetimeve zyrtare konfirmojnë se Serbia qëndron prapa këtij sulmi. Në mënyrë që të mos lejohet përsëritja e një akti të tillë Serbi duhet që të mbahet përgjegjëse. Serbia mbete një kërcenim i vazhdueshëm për rajonin. Policia e Kosovës dhe NATO janë në njërën anë, terroristët janë në anën tjetër. Republika e Kosovës është partner ku gjithnjë mund të llogarisni”, u shpreh Osmani.

  • Shefi i NATO-s në Presidencë, takohet me Osmanin

    Shefi i NATO-s në Presidencë, takohet me Osmanin

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur në takim Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, raporton Ekonomia Online. Më pas ai do të takohet edhe me kryeministrin, Albin Kurti. Të hënën shefi i NATO-s do nisi turin treditor në Ballkan. Fillimisht ishte në Bosnje e Hercegovinë. Kurse të martën Stoltenberg do jetë në Serbi ku e pret në bisedime presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja Ana Bërnabiq.

    Një vizitë është parashikuar me shkencëtarë serbë ku do të prezantohet edhe teknologjia me e re e zhvilluar nga NATO në funksion të paqes dhe sigurisë.

    Në Maqedoninë e Veriu pas bisedimeve me presidentin Stevo Pendarovski dhe kreun e qeverisë Dimitar Kovaçevski, kreu i Aleancës së Atlantikut do të mbajë një fjalim në parlamentin e Maqedonisë pasi më herët do të zhvillojë një takim me kryeparlamentarin, shqiptarin Talat Xhaferi.

    I gjithë turi do të mbyllet me një takim dhe konferencë të përbashkët mes Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s me liderët e Ballkanit Perëndimor në Shkup të mërkurën e 22 nëntorit. Në të pritet të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama. Përveç udhëheqësve të rajonit, në tryezën e diskutimeve do të jenë edhe presidenti kroat dhe kryeministri slloven.

    Vizita e Jens Stoltenberg vjen në një moment të rindezjes së tensioneve në Ballkan, e veçmas ato mes Kosovës dhe Serbisë pas ngjarjes terroriste në Banjskë. Po aq në sfondin e këtij turi intensiv janë edhe diskutimet mbi të ardhmen e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë për shkak të vazhdimit të konfliktit në Ukrainë.

  • Shefi i NATO-s në Kosovë për t’i dërguar mesazh Rusisë

    Shefi i NATO-s në Kosovë për t’i dërguar mesazh Rusisë

    Në vazhdën e kërcënimeve dhe pas deklaratës se presidentit të Ukrainës, Volodymir Zelensky se zotëron prova qe Rusia po kërkon të hapë një vatër të re konflikti në Ballkanin Perëndimor mobilizohet NATO. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut, Jens Stoltenberg, do të zhvillojë takime me të gjithë liderët e Ballkanit për t’i dërguar Rusisë mesazhin se NATO nuk do të lejojë asnjë lloj konflikti në Ballkanin Perëndimor.

    Të hënën shefi i NATO-s do të nis tourin tre ditor në Ballkan. Takimi i parë në agjendë është ai me drejtuesit e lartë politikë dhe ushtarakë vendas dhe ndërkombëtarë të Bosnje Hercegovinës. Në të njëjtën ditë, pasditen e së hënës, do të jetë në Kosovë ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

    Njëjtë si në Bosnjë Hercegovinë, edhe në Kosovë do të takohet me drejtuesit ushtarakë të KFOR dhe NATO-s atje, ku do të përcjellë edhe një mesazh të tijin.

    Të martën e 21 nëntorit, Jens Stoltenberg do jetë fillimisht në Serbi ku e pret në bisedime presidenti Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrja Ana Bërnabiq.

    Një vizitë është parashikuar me shkencëtarë serbë ku do të prezantohet edhe teknologjia me e re e zhvilluar nga NATO në funksion të paqes dhe sigurisë.

    Në Maqedoninë e Veriu pas bisedimeve me presidentin Stevo Pendarovski dhe kreun e qeverisë Dimitar Kovaçevski, kreu i Aleancës së Atlantikut do të mbajë një fjalim në parlamentin e Maqedonisë pasi më herët do të zhvillojë një takim me kryeparlamentarin, shqiptarin Talat Xhaferi.

    I gjithë turi do të mbyllet me një takim dhe konferencë të përbashkët mes Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s me liderët e Ballkanit Perëndimor në Shkup të mërkurën e 22 nëntorit. Në të pritet të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama. Përveç udhëheqësve të rajonit, në tryezën e diskutimeve do të jenë edhe presidenti kroat dhe kryeministri slloven.

    Vizita e Jens Stoltenberg vjen në një moment të rindezjes së tensioneve në Ballkan, e veçmas ato mes Kosovës dhe Serbisë pas ngjarjes terroriste në Banjskë. Po aq në sfondin e këtij turi intensiv janë edhe diskutimet mbi të ardhmen e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë për shkak të vazhdimit të konfliktit në Ukrainë.

  • NATO dënon sulmin terrorist të Hamasit, Stoltenberg: Izraeli nuk është vetëm

    NATO dënon sulmin terrorist të Hamasit, Stoltenberg: Izraeli nuk është vetëm

    Në selinë e NATO-s në Bruksel, sot është duke u zhvilluar dita e dytë e takimeve të të gjithë ministrave të Mbrojtjes të Vendeve anëtare të NATO-s.

    Në orët e mëngjesit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, mirëpriti në një takim me një paraqitje para mediave edhe sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së, Lloyd J. Austin, i cili ka ardhur mu për këtë takim për të diskutuar gjitha çështjet edhe situatat të cilat janë duke ndodhur tani për tani sa i përket anës së sigurisë në botë, raportoi në një lidhje të drejtpërdrejt nga Brukseli, gazetarja e ATV-së, Flaka Vitaku.

    Pak minuta më parë edhe u mbajt një takim me të gjithë ministrat e Mbrojtjes në vendeve aleate të NATO-s, por gjithashtu në mënyrën virtuale u lidh në këtë takim edhe ministri i Mbrojtjes së Izraelit, i cili edhe për nga afër iu paraqiti gjitha informacionet e fundit se çfarë po ndodh në Izrael.

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e dënoi të gjithë këtë sulm që iu bë Izraelit dhe të gjitha shtetet aleate të NATO-s janë duke e dënuar këtë sulm terroristë, duke thënë se Izraeli ka të drejtën ta mbrojë vendin e tyre. Stoltenberg shtoi në këtë takim se Izraeli nuk është vetëm.

    Në mbledhjen e sotme të ministrave të vendeve aleate të NATO-s, gjatë ditës do të diskutohet edhe mbështetja për Ukrainën. /atvlive.tv

  • E konfirmuar: Ministrat e NATO-s sot do të diskutojnë edhe për Kosovën

    E konfirmuar: Ministrat e NATO-s sot do të diskutojnë edhe për Kosovën

    Në selinë e NATO-s në Bruksel, sot është duke u zhvilluar dita e dytë e takimeve të të gjithë ministrave të Mbrojtjes të Vendeve anëtare të NATO-s.

    Në takimin e mbajtur në orët e hershme të mëngjesit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se gjatë ditës së sotme do të diskutohet edhe për Kosovë, raportoi në një lidhje të drejtpërdrejt nga Brukseli, gazetarja e ATV-së, Flaka Vitaku.

    Temë e diskutimit do të jetë siguria në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor, më specifikisht për sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator., ku është parë e arsyeshme që të rritet numri i pjesëtareve të misionit të NATO-s në Kosovë. /atvlive.tv

  • Gazetarja e ATV-së zbulon çfarë tha Stoltenberg për Kosovën, para ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s

    Gazetarja e ATV-së zbulon çfarë tha Stoltenberg për Kosovën, para ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në konferencën e sotme për media, ka folur për praninë e Aleancës veri-atlantike nëpërmjet misionit të saj KFOR në Kosovë.

    Këtë e ka konfirmuar gazetarja e ATV-së, Flaka Vitaku, në një lidhje të drejtpërdrejt nga Brukseli ku po mbahet takimi i takimi i ministrave të mbrojtjes të të gjitha shteteve anëtare të NATO-s, takim ky që do të vazhdojë sot dhe nesër gjatë tërë ditës, për të diskutuar çështjet që po ndodhin në gjithë botën.

    “Në ora tetë e mëngjesit edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, mbajti pra fjalimin hapës të kësaj ceremonie organizimi dyditor, i cili pas saj mbajti një fjalim, ku pastaj edhe priti të gjitha delegacionet, ku si delegacion i parë ishte ai i Ukrainës, bashkë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, me të cilën mbajtën edhe një konferencë për media, ku u fol se aty do të vazhdojnë që të implementohen tani e tutje të gjitha vendimet të cilat u morën samit të këtij viti, samitin e NATO-s i cili u mbajt në Vilnius të Lituanisë. Me këtë rast u përmendën nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg edhe Kosova, duke thënë saktësisht se “do e adresojmë si çështje prezencën e NATO-s në Kosovë, sepse ne po shohim ngritje të tensioneve në atë pjesë, andaj që ne do të punojmë drejt të shtimit të forcave të NATO-s edhe prezencës tonë në Kosovë”, tregon gazetarja Vitaku.

    Ajo tha se Kosva dhe Ballkanit Perëndimor pritet të diskutohen në këto takime, detaje të të cila do të japë sekretari Stoltenberg në takimet e radhës me media.

    “Sigurisht se Kosova edhe pse nuk është specifikisht pjesë e agjendës të këtij takimi dyditor të ministrave të Mbrojtjes, Kosova edhe Ballkani Perëndimor do të diskutohen në përgjithësi, duke marrë parasysh tensionet të cilat ndodhën edhe javët e kaluara në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor, duke diskutuar edhe shtimin e prezencës së NATO-s me misionin më të madh të cilin NATO-s e ka në Kosovë, që është KFOR-i. Sot dhe nesër gjithashtu sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg do të mbajë edhe konferenca për media, nëpërmjet të cilave ai do të japë edhe më shumë detaje se çfarë do të ndërmirret edhe drejt Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor për të ulur tensionet të cilat edhe Stoltenberg i përmendi që tashmë po e shohin që janë ngritur ato edhe do të punojnë në drejtë të shtimit të rritjes së forcave të NATO-s në Kosovë”, tregon gazetarja Flaka Vitaku drejtpërdrejt nga Brukseli. /atvlive.tv