ATV

Tag: NATO

  • Stoltenberg: NATO-ja e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë

    Stoltenberg: NATO-ja e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë

    NATO-ja është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë, për të qetësuar dhunën në veriun e këtij vendi, të banuar me shumicë serbe, tha të enjten shefi i aleancës, Jens Stoltenberg.

    Ai shtoi se 700 trupat e para përforcuese, janë tashmë në rrugë për në Kosovë.

    “NATO-ja do të mbetet vigjilente. Ne do të jemi atje për të siguruar një mjedis të sigurt, si dhe për të qetësuar dhe ulur tensionet”, u tha Stoltenberg gazetarëve në margjina të një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo, shkruan REL.

    Tensionet në veri të Kosovës u rritën qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

    NATO-ja vendosi ta rriste misionin e saj prej 4.000 trupash në Kosovë edhe me 700 trupa shtesë, pasi 30 paqeruajtës të saj u plagosën gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në komunën e Zveçanit, më 29 maj.

    Stoltenberg tha se dhuna kundër trupave të NATO-s është “krejtësisht e papranueshme”.

  • Trazirat në veri, NATO-ja dislokon forca shtesë në Kosovë

    Trazirat në veri, NATO-ja dislokon forca shtesë në Kosovë

    Si përgjigje ndaj trazirave të fundit në veri të Kosovës, dhe lëndimit të 30 pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), në atë pjesë, aleanca veri-atlantike ka marrë vendim për angazhim të Forcës Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, e cila ka qenë në gjendje gatishmërie për angazhim.

    “Në përgjigje të trazirave të fundit dhe plagosjes së 30 pjestarëve të forcave të NATO-s në Kosovë, NATO ka drejtuar vendosjen e Forcave Rezervë Operacionale për Ballkanin Perëndimor, të cilat ishin në gatishmëri shtatëditore”, thotë komunikata e KFOR-it.

    Në komunikatë bëhet e ditur se një batalion shtesë shumëkombësh i forcave rezervë është urdhëruar për t’i reduktuar statusin e gatishmërisë nga katërmbëdhjetë ditë në shtatë ditë në mënyrë që të jenë gati të përforcojnë KFOR-in nëse është e nevojshme.

    “Dislokimi i forcave shtesë të NATO-s në Kosovë është një masë e kujdesshme për t’u siguruar se KFOR-i ka aftësitë që i nevojiten për të ruajtur sigurinë në përputhje me Këshillin e Sigurimit të OKB-së” tha Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së forcave të NATO-s.

    Pjesëtarë të KFOR-it janë përleshur të hënën, 29 maj, me protestuesit serbë në Zveçan, të cilët kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarit të ri shqiptar në ndërtesën komunale.

  • ​Kosova në NATO, Begaj kërkon mbështetjen e Polonisë

    ​Kosova në NATO, Begaj kërkon mbështetjen e Polonisë

    Për herë të parë pas 20 vitesh, një president polak qëndroi për vizitë në Shqipëri. Andrzej Duda u prit me nderimet më të larta shtetërore nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Ky i fundit, i kërkoi atij mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

    Gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët me Duda, kreu i shtetit shqiptar tha se Samiti i ardhshëm i NATO i Vilniusit do të ishte rast i mirë për të mbështetur aspiratat e Kosovës për anëtarësim.

    “Polonia ka qenë ndër vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës. I kërkova mikut tim Duda ndikimin e tij për një rivlerësim nga autoritetet polake të situatës së përgjithshme gjeopolitike në Evropë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me synim lidhjen sa më shpejt të jetë e mundur të marrëdhënieve diplomatike me Kosovën. Përtej pranisë së lartë ushtarake të Polonisë në kuadër të KFOR në Kosovë, në rrethanat aktuale, ky hap do të ishte i një rëndësie edhe më të madhe gjeopolitike. Kërkova gjithashtu mbështetjen e Polonisë për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në NATO, ku Samiti i ardhshëm i Vilniusit në korrik të këtij viti, është një rast i mirë për të mbështetur aspiratat e Kosovës”, deklaroi Begaj, transmeton KP.

    Në seancën plenare të Parlamentit Evropian dy ditë më parë kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se, “është e turpshme që 20 vjet më parë hapëm perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor dhe sot nuk e kemi bërë ende”, duke kërkuar hapjen ndaj këtij rajoni.

    Begaj theksoi sot se, deklarata e kancelarit gjerman është lajm shumë i mirë për faktin që pas agresionit rus në Ukrainë, vëmendja e Bashkimit Evropian është e përqendruar në Ballkanin Perëndimor.

    “Kemi disa zhvillime të rëndësishme që lidhen me dhënien e statusit kandidat për Bosnjë Hercegovinën, hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, liberalizimin e vizave me Kosovën, kemi edhe Procesin e Berlinit, i cili këtë vit do të bëhet në Shqipëri, patëm një Samit të BE me Ballkanin Perëndimor në dhjetor të vitit të kaluar. Kjo tregon që Ballkani Perëndimor është në fokus të BE-së. Shpresoj që procesi i zgjerimit të përshpejtohet, të bëhet me ritme të shpejta. Kjo varet edhe nga disa rregulla që ne duhet të punojmë më shumë për t’i realizuar. Për mua deklarata e kancelarit Scholz është e mirëpritur”, tha Begaj.

    Presidenti polak Andrzej Duda tha se kancelari është i ndërgjegjshëm për deklaratat, ndërsa theksoi edhe nevojën që shtetet të mos i bëjnë shantazhe vendeve që synojnë anëtarësimin duke i bllokuar ato.

    “Do të ishte jo mirë nëse çdo shtet anëtar do të përdorte një shantazh të tillë ndaj shteteve që kandidojnë për në anëtarësim në BE, që kanë pretendime të ndryshëm dhe që nuk do të plotësohen kriteret, që do të bllokime lidhur me pranimin në BE mendoj se kjo është në kundërshtim me interesat e të gjithë Unionit dhe gjithmonë e kam cekur se pas daljes së Britanisë nga BE, pranimi i vendeve të tjera është shumë i rëndësishëm, një shenjë që tregon se BE është gjallë, atraktive, tërheqëse dhe që i tregon gjithë botës që BE është një organizëm që vepron pa pushim”, deklaroi Duda.

    Presidenti polak deklaroi se, shpreson që së shpejti Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin Begaj ai tha se kjo vizitë është një sinjal për t’i gjallëruar marrëdhëniet shqiptaro-polake.

  • Stoltenberg: Jam i bindur se Ukraina do të jetë e suksesshme

    Stoltenberg: Jam i bindur se Ukraina do të jetë e suksesshme

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se i takon Kievit të vendosë se kur është koha e duhur për të nisur një ofensivë të re kundër ushtrisë pushtuese ruse.

    Ai tha se, bazuar në atë se sa kanë arritur forcat ukrainase deri më sot, ai është i bindur se “Ukraina do të jetë e suksesshme”.

    Stoltenberg i bëri komentet në një intervistë dhënë Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, si dhe kanalit Current Time.

    Të premten e 21 prillit, ai mori pjesë në një takim të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, i cili u mbajt në bazën ajrore, Ramstein, në Gjermani.

    Stoltenberg përsëriti deklaratën që bëri një ditë më parë në Kiev, se NATO-ja ka vendosur që Ukraina të bëhet anëtare e aleancës, por së pari duhet të mbizotërojë kundër Rusisë.

    “Përgjegjësia jonë si aleatë dhe partnerë të NATO-s është të ofrojmë sa më shumë pajisje dhe mbështetje për Ukrainën. E gjithë kjo mbështetje ka bërë një ndryshim të madh në fushëbetejë”, tha Stoltenberg.

    “Duhet të kujtojmë se Ukraina ka qenë në gjendje t’i largojë forcat ruse nga Kievi në veri… dhe më pas në [frontin] lindor – Harkiv – dhe më pas në jug dhe rreth Hersonit”, shtoi ai.

    “Forcat e armatosura ukrainase, trimëria e tyre, guximi i kombinuar me furnizime nga aleatët dhe partnerët e NATO-s, kanë treguar se ato kanë aftësi për të çliruar territore”, theksoi shefi i NATO-s në intervistën dhënë REL-it.

    Radio Evropa e Lirë: A mund të fitojë Ukraina në fushën e betejës, marrë parasysh faktin se furnizimi me avionë dhe armë me rreze të gjatë veprimi është duke u bllokuar nga partnerët e Ukrainës? Siç e dini, Rusia aktualisht ka epërsi ajrore…

    Jens Stoltenberg: Para së gjithash, mbrojtja ajrore është e rëndësishme dhe mund të bëhet me sisteme tokësore dhe me avionë. Fokusi tani është te sistemet e bazuara në tokë. Ukraina ka pranuar disa avionë nga Polonia dhe Sllovakia. Por, unë mendoj se duhet të bëjmë vlerësime dhe diskutime të mëtejshme për sistemet e reja, përfshirë avionët.

    Gjëja më e rëndësishme është të sigurohemi se të gjitha sistemet që janë tashmë atje, funksionojnë siç duhet. Kjo do të thotë se kemi nevojë për një sasi të madhe municionesh, pjesë këmbimi, mirëmbajtje, pajisje riparimi, për t’u siguruar që mijëra sisteme funksionojnë siç duhet. Kështu që, unë mendoj se mbajtja e këtij qëndrimi nga ana jonë është e rëndësishme, ndoshta edhe më e rëndësishme sesa diskutimi i sistemeve të reja.

    Radio Evropa e Lirë: Sipas vlerësimeve tuaja, edhe sa kohë do të jetë e aftë Rusia të vazhdojë luftën kundër Ukrainës?

    Jens Stoltenberg: Nuk do të spekuloj për këtë, sepse lufta, ose luftërat, janë të paparashikueshme për nga natyra. Dhe kurrë nuk duhet t’i nënvlerësojmë rusët. Ata kanë dëshmuar gatishmërinë e tyre për të ndërmarrë veprime agresive kundër Ukrainës.

    Lufta nuk ka filluar vitin e kaluar. Ka filluar në vitin 2014. Kjo është pikërisht arsyeja e mesazhit për të gjithë aleatët dhe partnerët e NATO-s, si dhe për Grupin e Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën – se ne duhet të jemi gati t’i qëndrojmë krah Ukrainës për një kohë të gjatë, sado që është e nevojshme.

    Mesazhi im për presidentin [e Ukrainës, Volodymyr] Zelensky dje [20 prill] në Kiev ka qenë se NATO-ja e ka mbështetur Ukrainën për shumë vite dhe se ne vazhdojmë të qëndrojmë me Ukrainën sot, derisa ajo vazhdon të luftojë agresionin e presidentit [rus, Vladimir] Putin kundër vendit tuaj. Dhe, ne do të jemi me Ukrainën në të ardhmen, për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

    Do të ishte tragjedi për ukrainasit nëse presidenti Putin fiton, por edhe rrezik për aleatët e NATO-s. Do të dërgonte një mesazh për të gjithë liderët autoritarë se kur përdorin forcën ushtarake për të marrë atë që duan, ata do ta bëjnë botën më të rrezikshme dhe aleatët e NATO-s më të cenueshëm. Kështu që, mesazhi im për aleatët e NATO-s është se është në interesin tonë të sigurisë që të garantojmë se Ukraina fiton dhe mbijeton si një vend sovran.

    Radio Evropa e Lirë: Mediat, veçanërisht Bloomberg, aktualisht po përhapin informacione – bazuar në burime natyrisht – se presidenti francez, Emmanuel Macron, synon ta përfshijë Kinën në tryezën e bisedimeve me rusët dhe ukrainasit. A jeni të informuar për këtë nismë dhe si e vlerësoni?

    Jens Stoltenberg: Para së gjithash, unë mendoj se Ukraina duhet të vendosë se kur është koha dhe kur lejojnë kushtet negociata për të ardhmen e saj. Së dyti, nuk ka shenja se presidenti Putin është gati për paqe. Ai po përgatitet për luftë. Dhe, së treti, ajo që ne dimë – megjithëse është shumë e vështirë të parashikohet përfundimi i kësaj lufte – është se lufta do të përfundojë.

    Ne e dimë se nëse përfundon në tryezën e bisedimeve, ajo që ndodh në atë tryezë negociuese, është e lidhur në mënyrë të pandashme me situatën në fushëbetejë.

    Pra, mënyra e vetme për të siguruar se presidenti Putin është i gatshëm ta pranojë Ukrainën si një vend sovran, të pavarur, dhe se kemi një zgjidhje të pranueshme, është që ne të ofrojmë mbështetje ushtarake për Ukrainën, për të forcuar rolin e saj në çdo negociatë të mundshme në të ardhmen.

    I takon Ukrainës të vendosë se cilat janë kushtet e pranueshme, na takon neve të sigurojmë që Ukraina ka forcë në fushëbetejë, e që na lejon të sigurojmë një zgjidhje të pranueshme për këtë luftë.

    Radio Evropa e Lirë: Keni thënë se të gjithë aleatët e NATO-s, më në fund, bien dakord se Ukraina duhet të bëhet pjesë e kësaj aleance. A do të jetë e mundur për Ukrainën… apo cilat janë shanset për të fituar anëtarësim gjatë samitit të ardhshëm të NATO-s në Vilnius [që do të mbahet në korrik]?

    Jens Stoltenberg: Para së gjithash, mendoj se është e rëndësishme që NATO-ja ka vendosur që Ukraina të bëhet anëtare e aleancës. Unë kam deklaruar se Ukraina ka çdo të drejtë për një vend në familjen euroatlantike, si anëtare e aleancës, dhe për mbështetjen që ne i japim.

    Gjithashtu, pres që aleatët të bien dakord për një program shumëvjeçar, përmes të cilit ne do ta ndihmojmë Ukrainën që të kalojë nga standardet, pajisjet dhe doktrinat e epokës sovjetike në standardet e NATO-s. Doktrinat do ta ndihmojnë Ukrainën që të shkojë drejt anëtarësimit në NATO.

    Megjithatë, fokusi kryesor tani, natyrisht, është të sigurohemi që Ukraina fiton dhe jo presidenti Putin, sepse ne kemi nevojë për Ukrainën si një vend sovran dhe i pavarur në Evropë.

    Radio Evropa e Lirë: Gjatë rrugës për në NATO, Ukraina ka kërkuar një lloj garancie të sigurisë për të parandaluar sulmet e ardhshme mbi sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Në çfarë niveli është ky diskutim tani, për çfarë janë gati aleatët? Çfarë garancish mund të jepen dhe cilat vende janë të përfshira?

    Jens Stoltenberg: Është ende herët për të thënë diçka. E përsëris, ne nuk e dimë se si dhe kur do të përfundojë kjo luftë. Ajo që dimë, është se kur të mbarojë, duhet të sigurohemi që historia të mos përsëritet, që presidenti Putin nuk mund të vazhdojë ta shkatërrojë sigurinë e Evropës duke nisur luftëra të reja, duke bërë një luftë tjetër kundër Ukrainës.

    Pra, ne duhet të ulemi dhe të flasim për një kornizë të fortë, për një marrëveshje sigurie, që siguron se presidenti Putin nuk mund të vazhdojë të sulmojë një komb sovran dhe të pavarur.

    Nuk mund t’ju them saktësisht se si do të duket, por thjesht po them se përgjegjësia është e të gjithë neve për të siguruar që modeli i sjelljes agresive të presidentit Putin, ndalet. Prandaj, ne duhet të diskutojmë gjithashtu se si ta parandalojmë këtë në të ardhmen.

  • Stoltenberg: Vendi meritor i Ukrainës është në NATO

    Stoltenberg: Vendi meritor i Ukrainës është në NATO

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, nga Kievi ka deklaruar se vendi i merituar i Ukrainës është në aleancë.

    Stoltenberg u prit nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në Kiev këtë të enjte, shkruan Skynews.

    “Vendi i merituar i Ukrainës është në NATO. Dhe me kalimin e kohës, mbështetja jonë do t’ju ndihmojë ta bëni këtë të mundur”, deklaroi Stoltenberg.

    Ai premtoi mbështetje të vazhdueshme ushtarake për Ukrainën, duke thënë se, deri më tani, aleatët e NATO-s kanë trajnuar dhjetëra mijëra trupa ukrainase dhe kanë ofruar vetëm 65 miliardë euro ndihmë ushtarake.

    “NATO qëndron me ju sot, nesër dhe për aq kohë sa duhet”, tha Stoltenberg, përpara se të ftonte Zelenskyy në samitin e NATO-s në Vilnius në korrik.

    “Ne nuk e dimë se kur do të përfundojë kjo luftë, por ne e dimë se agresioni rus është një model toksik që duhet të ndalet. Kështu që ne duhet të vazhdojmë të forcojmë forcat e armatosura të Ukrainës. Dhe ne duhet të sigurojmë se janë vendosur marrëveshje të fuqishme dhe të fuqishme për sigurinë e Ukrainës” tha ai.

    Ndërsa ishte në Ukrainë, Sekretari i Përgjithshëm vizitoi Buçën dhe bëri nderimet e tij për viktimat.

    Ai vendosi gjithashtu një kurorë në Murin e Kujtimit të të Rënëve për Ukrainën, duke bërë homazhe për të gjithë të rënët.