ATV

Tag: NATO

  • Gërvalla pas dështimit të kërkesës ruse në OKB: Rusia ngeli e vetme në përpjekje për ta shtrembëruar të vërtetën

    Gërvalla pas dështimit të kërkesës ruse në OKB: Rusia ngeli e vetme në përpjekje për ta shtrembëruar të vërtetën

    Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se Rusia ka ngelur e vetme në përpjekjen e saj për ta shtrembëruar të vërtetën, pasi i dështoi thirrja për seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën.

    Një ditë më parë, vetëm tre anëtarë votuan pro mbajtjes së seancës në lidhje me 25-vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.

    Ministrja Gërvalla të hënën në mbrëmje ka thënë se Kosova ka qenë e gatshme për të paraqitur faktet rreth krimeve të Serbisë. Ajo ka falënderuar shtetet partnere të Kosovës.

    “Të gatshme për të paraqitur para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit faktet rreth krimeve gjenocidale të Serbisë ndaj popullatës civile në Kosovë, përshëndetëm megjithatë unitetin e partnerëve, miqve dhe aleatëve tanë për moslejimin e mbajtjes së kësaj seance propagandistike. Rusia mbeti e vetme në përpjekjet e saj të rrezikshme për ta shfrytëzuar Këshillin e Sigurimit për të shtrembëruar të vërtetën. Me vetëm 3 vota pro (mes tyre Federata Ruse) dhe 13 abstenime, iniciativa e Rusisë nuk kaloi. Qindra masakra të tmerrshme që Serbia bëri në Kosovë, vrasja mizore e 1432 fëmijëve, përdhunimi i mijërave grave, vajzave, burrave dhe fëmijëve, zhdukja e viktimave të luftës dhe shkatërrimi i pasurisë së Kosovës ishin dhe mbeten fakt”, ka shkruar ajo në Facebook teksa ka njoftuar se në KS të OKB-së ka qenë me ish-deputeten dhe aktivisten, Vasfije Krasniqi-Goodman, si e dërguar e posaçme e Presidencës për çështje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

    Gërvalla ka vazhduar tutje duke thënë se për 25 vjet të pasluftës Kosova ka avancuar në demokraci, sundim të ligjit e respektim të të drejtave të njeriut, ndërkohë që “Serbia dhe Rusia kanë mbetur në të kaluarën e tyre të errët, që fatkeqësisht po i përcjell edhe sot dhe që po i çon drejt izolimit”.

    Këshilli i Sigurimit hedh poshtë kërkesën e Rusisë për seancë të jashtëzakonshme kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë

  • Osmani: Serbia s’mund të jetë kurrë anëtare e NATO-s, ende fle mbi varret masive

    Osmani: Serbia s’mund të jetë kurrë anëtare e NATO-s, ende fle mbi varret masive

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se shteti i Serbisë nuk mund të jetë pjesë e NATO-s përderisa ka shkelur vlerat me të cilat është ndërtuar NATO-ja.

    Osmani ka thënë se Serbia është një shtet që fle mbi varreza masive dhe se nëse dikush e konsideron atë si aleate të NATO-s, nuk i ofendon vetëm shtetet anëtare të kësaj organizate, por të gjitha “viktimat e Serbisë së Millosheviqit”.

    “Serbia është një shtet që akoma fle mbi varreza masive. Kushdo që e konsideron Serbinë afër NATO-s, nuk i ofendon vetëm shtetet anëtare, por edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit”, tha ajo.

    Këtë deklaratë për medie, Osmani e ka bërë pas adresimit në ditën e dytë të konferencës “Java e Gruas 2024”.

  • Begaj takohet me Komandantin Suprem të NATO-s: Situata në Ballkanin Perëndimor është ende e brishtë

    Begaj takohet me Komandantin Suprem të NATO-s: Situata në Ballkanin Perëndimor është ende e brishtë

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, vizitoi ditën e djeshme Komandën Strategjike për Operacionet e NATO-s, ku pati një takim të drejtpërdrejtë me Komandantin e Përgjithshëm, gjeneralin Christopher Cavoli.

    Begaj theksoi se situata në Ballkanin Perëndimor është ende e brishtë duke paralajmëruar se agresioni brutal rus kundër Ukrainës, tenton të përhapet edhe në rajone të tjera.

    “Sot, situata e sigurisë është përkeqësuar dhe konflikti në Lindjen e Mesme, si dhe agresioni brutal rus kundër Ukrainës, tenton të përhapet edhe në rajone të tjera. Situata në Ballkanin Perëndimor është ende e brishtë, gjë që na kujton se sa përpjekje dhe përpjekje duhen për të mbrojtur jo vetëm parimet demokratike, por edhe paqen dhe sigurinë e vendeve tona”, tha Begaj.

    Ai e siguroi gjeneralin Cavoli se “Shqipëria do të jetë gjithmonë aty ku i duhet NATO-s, gjë që e dëshmoi me praninë e saj në misionet dhe operacionet e kësaj aleance në Afganistan, Kfor (Kosovë), Letoni, Bullgari, Irak.

    Begaj vlerësoi veçanërisht investimin e NATO-s në bazën ajrore të Kuçovës, e cila u hap vetëm katër ditë më parë.

    Ai theksoi se “Shqipëria ofron dhe mirëpret angazhimin dhe investimin e NATO-s për të transformuar portin e Porto Romanos në bazën e saj detare”.

  • Osmani uron Suedinë për anëtarësimin në NATO

    Osmani uron Suedinë për anëtarësimin në NATO

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se bashkë me ambasadorin suedez në Kosovë, Jonas Westerlund, dhe aleatë të tjerë po festojnë anëtarësimin e Suedisë në NATO.

    Osmani thotë se anëtarësimi jo vetëm që siguron që forcon sigurimin e Suedisë, por edhe strukturën e paqes dhe sigurisë evropiane.

    “Së bashku me ambasadorin e Suedisë në Kosovë dhe miq dhe aleatë të tjerë, ne po festojmë këtë ditë historike pasi Suedia i bashkohet NATO-s zyrtarisht.

    Ky hap i rëndësishëm përpara forcon jo vetëm sigurinë e Suedisë, por edhe strukturën e paqes dhe sigurisë evropiane. Falas, Sverige!”, ka shkruar Osmani në X.

  • Maqedonci: FSK-ja është gati për anëtarësim në NATO

    Maqedonci: FSK-ja është gati për anëtarësim në NATO

    Prania e 48 bazave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Republikën e Kosovës, pak kilometra në thellësi të territorit të Serbisë, vazhdon të jetë rrezik real dhe si i tillë do të trajtohet, tha ministri i Mbrojtjes.

    Si fakt shqetësues, Ejup Maqedonci përmendi edhe armatosjen e shtetit fqinj, nga Rusia dhe Kina.

    “Prezenca ushtarake e ushtrisë së Serbisë në jug të territorit të Serbisë dhe prezenca e 48 bazave të përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës duke i shtuar kësaj edhe bazamentin që është qasja hegjemoniste dhe agresive politike e Republikës së Serbisë në raport me Republikën e Kosovës, ky rrezik është real dhe vlerësojmë që përderisa Serbia vazhdon militarizimin, blerjet e sistemeve dhe armatimit nga Rusia dhe Kina dhe përderisa rrit kapacitetet ushtarake dhe sidomos ato në kufi me vendin tonë, ky rrezik është real dhe vlerëson që vendi ynë do ta trajtojë me të vërtetë si një rrezik real”, deklaroi ministri Maqedonci.

    Anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike, ministri i Mbrojtjes e sheh si problem politik duke e lidhur me qëndrimin e vendeve mosnjohëse.

    “Ne kemi bërë hapa jashtëzakonisht të shumtë për përgatitjen e kapaciteteve tona mbrojtëse për anëtarësimin në NATO. Ministria e Mbrojtjes planifikon dhe organizon punën e saj bazuar në planifikimin që e bënë edhe NATO, në dokumentet që aplikon në NATO. Forca e Sigurisë së Kosovës zhvillohet, trajnohet dhe përgatitet siç përgatiten të gjitha vendet e NATO-s, ushtarakët tanë përgatiten me doktrinën e NATO-s dhe shumica e pjesëtarëve tanë janë të trajnuar në shkollat e tyre. Sa i përket aspektit të përgatitjes së mbrojtjes, vendi ynë qëndron afër anëtarësimit në NATO, mirëpo normalisht problemi është politik, duke pasur parasysh që është vendim politik i secilit shtet brenda tij për çështjen e pranimit apo të mospranimit të një vendi në NATO, dhe i kemi katër vende të mosnjohjes që paraqesin në vazhdimësi problem në aspektin e anëtarësimit të vendit tonë në NATO.”, tha Maqedonci.

    Ministri kosovar i Mbrojtjes, edhe një herë theksoi se grupi terrorist që vrau rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosi policin Alban Rashiti,  me 24 shtator në Banjskë ka përdorur armatim të prodhuar në fabrikat shtetërore të Serbisë dhe ishte trajnuar nga instruktorë ushtarakë në Serbi.

  • NATO zhvillon stërvitjen më të madhe ushtarake që nga Lufta e Ftohtë

    NATO zhvillon stërvitjen më të madhe ushtarake që nga Lufta e Ftohtë

    NATO filloi të mërkurën stërvitjen më të madhe ushtarake që nga periudha e Luftës së Ftohtë dhe një luftëanije amerikane u largua nga Shtetet e Bashkuara për të kaluar përmes Atlantikut drejt territorit të aleancës në Evropë.

    Aleanca ushtarake perëndimore tha se rreth 90 mijë forca morën pjesë në stërvitjen disamujore të quajtur “Steadfast Defender 2024” (“Mbrojtësi i Vendosur 2024”). Operacioni stërvitor ka për qëllim të vërë në provë mbrojtjen e NATO-s, ndërkohë që vazhdon lufta e Rusisë në Ukrainë.

    “Aleanca do të demonstrojë aftësinë e saj për të përforcuar arenën euro-atlantike nëpërmjet lëvizjes transatlantike të forcave nga Amerika e Veriut”, tha Gjeneral Christopher Cavoli, komandanti i përgjithshëm suprem i NATO-s në Evropë.

    “Steadfast Defender 2024 do të jetë një demonstrim i qartë i unitetit tonë, fuqisë dhe vendosmërisë për të mbrojtur njëri-tjetrin, vlerat tona dhe rendin ndërkombëtar të bazuar tek rregullat”, tha Gjenerali Cavoli.

    Stërvitja është projektuar si një simulim i përgjigjes së aleancës prej 31 vendesh anëtare ndaj një sulmi nga një vend rival, si Rusia. Stërvitja përbëhet nga një seri manovrash më të vogla që do të shtrihen nga Amerika e Veriut dhe deri në krahun lindor të NATO-s, pranë kufirit me Rusinë, me marrjen pjesë të rreth 50 luftëanije, 80 avionë dhe mbi 1,100 mjete luftarake tokësore.

    Kjo është stërvitja më e madhe që nga viti 1988 kur u mbajt stërvitja “Reforger” gjatë Luftës së Ftohtë. Ajo vjen në një moment kur NATO ka transformuar mbrojtjen e saj, që kur Rusia filloi sulmin ndaj Ukrainës në vitin 2022.

    Aleanca ka dërguar mijëra forca ushtarake në krahun e saj lindor dhe ka përgatitur planet më të zgjeruara që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, për t’u mbrojtur nga një sulm i Rusisë.

  • ATV në Selinë e NATO-s në Bruksel: Po shqyrtohet një rritje më e qëndrueshme e kontingjentit paqeruajtës në Kosovë

    ATV në Selinë e NATO-s në Bruksel: Po shqyrtohet një rritje më e qëndrueshme e kontingjentit paqeruajtës në Kosovë

    Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s do të takohen nga sot deri me 29 nëntor në Bruksel dhe në qendër të bisedimeve do të jetë agresioni rus në Ukrainë dhe situata në Ballkanin Perëndimor.

    Gazetarja e ATV-së, Flaka Vitaku, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE nga selia e NATO-s në Bruksel, tha se në këto takime të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s do të diskutohet edhe situata në Ballkanin Perëndimor.

    Këtë e përmendi edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg në fjalimin e tij, ku tha se është duke u shqyrtuar mundësia nëse duhet të shtohen më shumë trupa të NATO-s në Koosvë si dhe nëse këta trupa duhet të jenë për një kohë permanente në Kosovë.

    “Ai tha që edhe pas vizitës të cilët pati në Ballkanin Perëndimor, në Kosovë, Serbi dhe vendet e tjera, ai u takua me liderët e vendeve duke potencuar se diskutimet dhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë e gjithë kjo e fasilituar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, përmendi që NATO ka ndërmarrë pra shtimin e njëmijë trupave më shumë, prezenca e NATO-s është rritur në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, siç është KFOR-i dhe janë duke shqyrtuar ende mundësinë nëse duhet të shtohen më shumë trupa apo nëse këta trupa duhet të jenë për një kohë permanente në Kosovë. E gjithë kjo do të diskutohet edhe gjatë këtyre takimeve të cilat do t’i mbajnë ministrat e Punëve të Jashtme, pra të vendeve anëtare të NATO-s”, tregon Vitaku.

    Ajo tregon se Stoltenberg, në fjalimin e tij tha se Ballkani Perëndimor është një rajon shumë i rëndësishëm për NATO-n dhe se kjo e fundit do të sigurohet që ta ruajë sigurinë edhe paqen në këtë pjesë të Evropës.

    “Sipas Stoltenberg, e gjithë kjo mund të zgjidhet përmes dialogut dhe kërkon nga të dy vendet, nga Prishtina dhe nga Beogradi që të ruhen nga çfarëdolloj aksioni dhe veprimi, i cili mund të dërgojë tek tensionimi i situatës dhe ka bërë thirrje që të dy vendet, edhe gjatë takimeve të cilat i kanë mbajtur, ditëve të kaluara të cilat edhe ne jemi të informuar, nga liderët që situata të mos tensionohet, sepse është shumë e rëndësishme edhe për NATO-n edhe misionin të cilën e ka pra pjesën në Kosovë. Sidomos, ai përmendi edhe Bosnjë-Hercegovinën si një pjesë tjetër e brishtë e Ballkanit Perëndimor”, tregoi gazetarja e ATV-së.

    Ekipi i ATV-së është duke qëndruar në Selinë e NATO-s në Bruksel, ku për shikuesit do të ofrojë informacionet e fundit që do të dalin nga takimet e ministrave të jashtë të vendeve anëtare të NATO-s për gjatë dy ditëve të ardhshme.

  • Kremlini thotë se dëshira e NATO-s për “Shengen ushtarak” në Evropë rrit tensionet

    Kremlini thotë se dëshira e NATO-s për “Shengen ushtarak” në Evropë rrit tensionet

    Kremlini tha të premten se dëshira e NATO-s për të pasur një “Shengen ushtarak” në Evropë për të lejuar forcat e armatosura të aleancës të lëvizin lirshëm për t’iu kundërvënë Rusisë, kishte rritur tensionet dhe ishte një arsye për shqetësim.

    Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia do të përgjigjet nëse propozimi bëhet realitet.

    Shefi i komandës logjistike të NATO-s, gjenerallejtënant Alexander Sollfrank, i tha Reuters në një intervistë të publikuar të enjten se do të dëshironte të shihte një “Shengen ushtarak”.

    Ai tha se ishte i shqetësuar se burokracitë e tepërta në të gjithë Evropën po pengonin lëvizjet e trupave, një problem që mund të shkaktonte vonesa të mëdha nëse do të shpërthente një konflikt me Rusinë.

    “Po na mbaron koha. Atë që nuk e bëjmë në kohë paqeje nuk do të jetë gati në rast krize ose lufte”, tha Sollfrank.

    NATO nuk duhet të shkaktojë një llogaritje të gabuar në Kremlin duke dhënë përshtypjen se Moska mund të ketë një shans për të fituar sepse aleanca nuk është e përgatitur, paralajmëroi ai.

    “Ne duhet të jemi përpara kurbës. Ne duhet ta përgatisim teatrin shumë përpara se të thirret neni 5”, tha ai, duke iu referuar klauzolës së mbrojtjes kolektive të NATO-s, e cila efektivisht e vë aleancën në luftë.

    Komanda e Përbashkët Mbështetëse dhe Mundësuese e NATO-s (JSEC) filloi të operojë në Ulm të Gjermanisë në vitin 2021. JSEC ka për detyrë të koordinojë lëvizjen e shpejtë të trupave dhe tankeve në të gjithë kontinentin dhe përgatitjet logjistike si ruajtja e municioneve në aleancën krahu lindor.

  • Haradinaj: Kuvendi të miratojë rezolutë për anëtarësimin e Kosovës në NATO

    Haradinaj: Kuvendi të miratojë rezolutë për anëtarësimin e Kosovës në NATO

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit që ta aprovojnë një rezolutë me të cilën do t’i kërkohej qeverisë ta paraqesë kërkesën për anëtarësim në NATO.

    Sipas tij, deputetët duhet të ndërmarrin vendime për ta ndihmuar sigurinë e vendit, raporton EO.

    “Ne mund ta aprovojmë një rezolutë dhe t’i kërkojmë qeverisë që ta bëjë kërkesën për anëtarësim në NATO”.

    “Duhet të krijohet një komision parlamentar për NATO-n dhe një agjendë parlamentare për me i bindë vendet skeptike që të ecim përpara”.

  • ​Shqetësime për Kosovën, Stoltenberg thotë se do ta shqyrtojnë propozimin e Ramës

    ​Shqetësime për Kosovën, Stoltenberg thotë se do ta shqyrtojnë propozimin e Ramës

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në një konferencë për media sot në Shkup pas takimit me liderët e me liderët e shteteve anëtare të aleancës ushtarake nga Ballkani Perëndimor, deklaroi se Aleanca Veri-Atlantike nuk sheh ndonjë rrezik të drejtpërdrejtë ushtarak për ndonjë nga vendet e rajonit, ndërsa shprehu shqetësimin për situatën në Kosovë dhe Bosnjë.

    Ai ka theksuar se pas sulmit në Banjska të Zveçanit më 24 shtator, NATO-ja ka shtuar dukshëm praninë e saj ushtarake në Kosovë.

    “Kohët e fundit ju ndihmuat në lëvizjen e forcave të NATO-s përmes vendit tuaj në Kosovë për të na mundësuar të forcojmë praninë e NATO-s në Kosovë ku kemi shtuar një mijë trupa shtesë kohët e fundit. Forcat tuaja të Armatosura shërbyen në Afganistan, ato i dhanë mbështetje të vlefshme misionit tonë paqeruajtës në Kosovë, dhe këtu në këtë asamble ju jeni të bashkuar në denoncimin e agresionit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës… 11.41 Dhuna e tmerrshme e viteve 1990 ndryshoi Ballkanin Perëndimor dhe ndryshoi NATO-n. Për herë të parë në historinë tonë ne dolëm jashtë territorit të NATO-s për të ndaluar gjakderdhjen në Bosnje dhe Hercegovinë dhe për të parandaluar gjenocidin e mundshëm në Kosovë”, tha Stoltenberg.

    Ai tha se siguria e rajonit është e rëndësishme për sigurinë në Evropë, teksa ka folur edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Ballkani Perëndimor është thelbësor për sigurinë e Evropës. Ne jemi të përkushtuar ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjë-Hercegovinës dhe rrugëtimit të saj të vazhdueshëm përgjatë rrugës euroatlantike. Në Kosovë ne kemi dislokuar rreth një mijë trupa shtesë në misionin tonë të KFOR-it pas incidenteve të fundit të dhunës, dhe i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Dhe dua të falënderoj Maqedoninë e Veriut për mbështetjen e vazhdueshme për KFOR-in dhe për ndihmën për ruajtjen e paqes në rajon”, ka thënë Stoltenberg.

    Ai ka thënë se do të shqyrtohet propozimi i kryeministri të Shqipërisë Edi Rama, i cili edhe një herë ka kërkuar nga NATO të shtojë trupat e KFOR-it në kufirin Kosovë-Serbi, për ta ruajtur paqen dhe sigurinë në Kosovë.

    “Do t’i kthehemi propozimit nga kryeministri Edi Rama mbështetur edhe nga presidenti i Kroacisë që natyrisht duhet të shohim. Për këtë arsye duhet të takohemi më rregullisht dhe të ftojmë palët e duhura”, tha Stoltenberg.

    Ndryshe, kryeministri Rama theksoi se NATO-ja duhet të jetë më e pranishme në Kosovë, dhe posaçërisht e angazhuar me më shumë trupa për të siguruar kufirin midis Kosovës dhe Serbisë. /KP