ATV

Tag: Kuvendi i Kosovës

  • IKD: Kuvendi u injorua nga Qeveria

    IKD: Kuvendi u injorua nga Qeveria

    Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka vlerësuar të dobët punën e Kuvendit të Kosovës gjatë vitit 2022.

    IKD ka thënë se Kuvendi nisi punën pa miratuar Programin e Punës për vitin 2022, edhe pse një program i tillë parashihet me Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, dhe pa miratuar edhe programin e punës të sesionit vjeshtor në seancë plenare.

    Ndërsa, tha se viti 2022 e karakterizoi Kuvendin me numër të madh të pikave të rendit të ditës nga seancat e mbetura nga viti 2021.

    “Seancat e rregullta të Kuvendit janë karakterizuar me vazhdime të shumta të seancave, që përbëjnë 53% të totalit të seancave të rregullta. Kontrolli parlamentar lidhur me punën e qeverisë dhe mbikëqyrjes së institucioneve të pavarura pothuajse ka qenë inekzistent. Në së paku 18 raste, Kuvendi ka dështuar të miratojë raportet vjetore të institucioneve kushtetuese dhe agjencive të pavarura. Po ashtu, ka dështuar në 18 raste të zgjedhë organet kolegjiale dhe inviduale, duke bërë pengesë të funksionimit të tyre”, thuhet në raportin e IKD-së nga monitorimi i punës së Kuvendit për vitin 2022.

    Sa i përket llogaridhënies së Qeverisë përballë Kuvendit, IKD-ja ka gjetur se Kuvendi u injorua nga Qeveria, përderisa Kryetari i Kuvendit apo Kryesuesi i seancës nuk morën masa ndaj Qeverisë, ashtu siç kërkohet me Rregullore.

    “Edhe kjo legjislaturë, është karakterizuar nga gjuha jo parlamentare, polarizimi i skajshëm ndërmjet deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe po ashtu ndërmjet deputetëve dhe kabinetit qeveritar”, thotë raporti i cili është prezantuar nga Naim Jakaj.

    Në raport thuhet se gjatë vitit të kaluar 9% e deputetëve janë përballur me ligjin.

    Kurse, theksohet se transparenca dhe llogaridhënia e Kuvendit mbetet sfidë.

    “Mbledhjet e komisioneve parlamentare vazhdojnë të mos transmetohen nga Kuvendi. Ndërsa jashtë funksionit mbetet votimi elektronik në seancat plenare, duke pamundësuar informimin e qytetarëve për votat e tyre”.

    Në lidhje me aktivitetin legjislativ, puna e Kuvendit është përcjellë me joefikasitet, sipas IKD-së.

    “Në secilën seancë plenare, projektligjet janë bartur nga një seancë në tjetrën për shkak të mungesës së kuorumit nga ana e shumicës parlamentare dhe mos pjesëmarrjes së opozitës në procesin e votimit. Në fund të vitit 2022, Kuvendi nuk i ka shqyrtuar në parim nëntë projektligje dhe në lexim të dytë dy projektligje. Përkundër faktit që i ka shqyrtuar, Kuvendi nuk ka arritur të vendosë për tre projektligje në lexim të parë dhe për një projektligj në lexim të dytë. Këto projektligje janë bartur për shqyrtim dhe votim në sesionin pranveror të vitit 2023”.

    Kuvendi, për më tej, nuk e ka votuar asnjë projektligj të sponsorizuar nga ana e grupeve parlamentare opozitare (4 prej tyre), në ndërkohë ka votuar për dy projektligje të sponsorizuara nga grupi parlamentar i shumicës parlamentare.

    Jakaj ka thënë se Kuvendi ka rritur përdorimin e praktikës së shmangies së afateve të parapara me rregulloren e Kuvendit në lidhje me shqyrtimin e projektligjeve të rëndësishme.

    “11% e projektligjeve janë miratuar në procedurë të përshpejtuar, ku në të shumtën e rasteve, përshpejtimi u propozua nga GP i LV-së”.

  • ​Haxhiu: Kosovës nuk i duhet një kryeprokuror i paaftë dhe që s’ka integritet moral

    ​Haxhiu: Kosovës nuk i duhet një kryeprokuror i paaftë dhe që s’ka integritet moral

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se Kosovës nuk i duhet një kryeprokuror i paaftë dhe që s’ka integritet moral, por i guximshëm që nuk i shërben grupeve të interesit.

    Ajo ka thënë se Prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ndaj një sërë dosjesh që i ka dorëzuar Qeveria, sipas saj, për keqpërdorimet që i ka gjetur në ekzekutiv, transmeton kp.

    “Neve na duhet një kryeprokuror i guximshëm që nuk e ka bishtin e zënë me derë, që nuk i shërben individëve, nuk i shërben grupeve të interesit, por ligjit, mandatit dhe Kushtetutën. Mandati i kryeprokuror të shtetit është shtatë vite, janë shumë. Nuk mundemi që edhe shtatë vite të tjera me qu me një kryeprokuror që s’ka integritet moral dhe profesional. Pra që është i paaftë dhe që nuk njihet për asnjë lëndë që e ka quar përpara. Për këtë po flasim ne, ne duam një sistem të drejtësisë të çliruar nga grupet e interesit, individët dhe oligarkët”, tha ajo.

    Në anën tjetër, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, tha se nuk është çudi që jo shumë larg, ministren Haxhiu ta shohin prapa grilave.

    “Mënyra si po e mbroni (Nagip Krasniqin) zonja ministre, për besë nuk është çudi se jo larg kemi me të pa prapa grilave edhe ty, siç po e shoh”, tha ai.

  • Sot seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut

    Sot seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut

    Sot në ora 11:00, në Kuvendin e Republikës së Kosovës pritet të mbahet seancë e jashtëzakonshme në lidhje me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

    Kjo seancë është thirrur nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri i cili ka njoftuar se ka dorëzuar kërkesën nga 40 deputetë për këtë seancë të jashtëzakonshme për ditën e nesërme.

    Tahiri ka njoftuar se gjatë kësaj seance do të kërkojnë përgjegjësi për rastin e arrestimit për korrupsion të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit.

    Ky i fundit ish zyrtar i lartë i LVV’së i emëruar nga bordi i pushtetit të kësaj partie në krye të KEK’ut.

    Në këtë seancë pritet të zhvillohet debat parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik.

    Ndryshe, Nagip Krasniqi është arrestuar të mërkurën nën dyshimin se ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ dhe ‘’Konflikti i interesit’’ dhe të njëjtit i është caktuar një muaj paraburgim.

  • ​Kurti: Në Prokurorinë e Shtetit ka disponim negativ ndaj qeverisjes sonë

    ​Kurti: Në Prokurorinë e Shtetit ka disponim negativ ndaj qeverisjes sonë

    Kryeministri Albin Kurti tha se në Prokurorinë e Shtetit ekziston një disponim negativ ndaj qeverisjes së tij.

    Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Kurti tha se ka pasur gëzim opozitar për arrestimin e kryeshefit ekzekutivit të KEK-ut.

    “Unë nuk kam dyshim që në Prokurorinë e Shtetit, dhe atë sa më lartë aq më shumë, ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vetëm ndaj meje si kryeministër, por ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vetëm ndaj qeverisjes sonë, por edhe ndaj pushtetit të ri të dalë nga 14 shkurti i vitit 2021 nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, të cilat e sollën ndryshimin e madh në Republikën tonë”, tha ai, transmeton KP.

    Kurti tha se udhëheqja e re e bordit ka dërguar me dhjetëra dëshmi e fakte për keqpërdorimet që sipas tij kanë gjetur aty.

    “Kjo çështje ka fakte dhe ato ne urojmë dhe shpresojmë që të merren me profesionalizëm dhe me përpikëri. Në anën tjetër, është fakt se pati një gëzim opozitar për arrestimin e kryeshefit, Krasniqi. Por, ky është i opozitës, nuk është fakt i çështjes. Ne e dimë që ka pasur shumë kryeshefa ne KEK, në të kaluarën, ka pasur keqpërdorime marramendëse, mirëpo asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë, përkatësisht nga prokuroria. Prokuroria është shumë e zellshme në këtë rast kur fitimi i KEK-ut në vitin 2022 ka qenë 107 milionë euro. Natyrisht që udhëheqja e re e KEK-ut ka deponuar me dhjetëra fakte, dëshmi materiale për keqpërdorimet që i ka gjetur aty. Por zelli i prokurorisë për tu marrë me deponimet e fakteve, e dëshmive për keqpërdorimet e mëhershme ka qenë zero”, tha Kurti.

  • ​Rrustemi: Nagip Krasniqi është një nga profesionistët e Kosovës

    ​Rrustemi: Nagip Krasniqi është një nga profesionistët e Kosovës

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka thënë se opozita po përpiqet ta paraqes VV-në veten e tyre. Ai teksa ka folur për arrestimin e djeshëm të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, shtoi se i njëjti është një nga profesionistët e Kosovës.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka thënë se raportet e organizatave që monitorojnë sistemin e drejtësisë flasin për gjendjen e rëndë në atë prokurorial për dështim të trajtimit të rasteve të korrupsionit.

    “Kur jemi tek mostrajtimi i rasteve të korrupsionit dhe hedhjes së kallëzimeve penale, pushimeve të hetimeve, organi i akuzës vazhdon avazin e vjetër, tashmë në trajtë tjetër. Nëse dikur rehabilitonte korrupsionin duke e trajtuar si kundërvajtje përmes aktakuzave qëllimisht të dobëta e jo-koherente, tani më nuk trajton qindra dosje të dorëzuara nga institucione të ndryshme për keqpërdorime me miliona euro”, tha Rrustemi.

    Ai ka shtuar se edhe bordi e KEK-ut ka dorëzuar lëndë flagrante në prokurori.

    “Nuk ka asnjë rëndësi se a është, a nuk është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Nagip Krasniqi është një nga profesionistët e Kosovës. Sot shumë kryeshefa ekzekutiv po ballafaqohen me keqpërdorime të egra dhe po i bëjnë ballë krimit të organizuar që është instaluar brenda këtyre ndërmarrjeve me dekada. Për të tjera që lidhen me ngjarjen e djeshme, zotëri Krasniqi do të përgjigjet vet dhe do ta kuptojmë të gjithë të vërtetën, por përpjekja juaj për ta paraqitur Vetëvendosjen si vetën tuaj është e dëshpëruar dhe e pashpresë”, ka shtuar ai. /kp

  • Kuvendi mban seancë plenare

    Kuvendi mban seancë plenare

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen sot në seancë plenare.

    Mbledhja e Kuvendit është paralajmëruar të nisë nga ora 10:00.

    Në rend dite janë 10 pika, ndër të cilat edhe votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Prokurorin e Shtetit.

    Ndryshe, dje ka dështuar të mbahet seanca për shkak të mungesës së kuorumit të deputetëve.

    Rendi i ditës për seancën e sotme:

    1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
    2. Pyetjet parlamentare,
    3. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L – 123 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive,
    4. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-167 për Prokurorin e Shtetit,
    5. Votimi i rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi për Menaxhimin e Pagave”,
    6. Votimi i rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit: “Funksionimi i sistemit të Grantit të Performancës Komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga Donatorët për vitin 2021”,
    7. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator sistemi, transmisioni dhe tregu sh. A.) dhe Frankfurt am Main (KFË),
    8. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”,
    9. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-184 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje,
    10. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

  • ​S’ka kuorum, shtyhet seanca

    ​S’ka kuorum, shtyhet seanca

    Seanca e Kuvendit të Kosovës, e planifikuar për orën 10:00 është shtyrë për në orën 12:30, për shkak të mungesës së kuorumit.

    Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i cili ka thënë se nevojiten votat e mazhorancës për votimin e shumë pikave të rendit të ditës, transmeton KP.

    Konjufca ka kritikuar deputetët për mungesë të prezencës.

    Sipas tij, me këto sjellje të papërgjegjshme, kjo legjislaturë nuk meriton të vazhdojë.

    Në rend dite për seancën e sotme janë pika të papërfunduara nga seancat e muajit shkurt dhe mars.

    Në mesin e tyre është edhe votimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2021, votimi i Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, votimi në parim i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

  • Vetëvendosja fajësohet për vonesën e liberalizimit

    Vetëvendosja fajësohet për vonesën e liberalizimit

    Hedhjen e këtij gazi lotsjellës për ta penguar votimin e Demarkacionit me Malin e Zi, në vitin 2016, opozita e tanishme e konsideron arsye kryesore për zvarritjen e liberalizimit të vizave.

    Fajin për këtë, partitë opozitare po ia lënë Lëvizjes Vetëvendosje.

    “Kosova ka humbur një momentum historik në vitin 2015-2016, kur partia sot në pushtet, nuk e ka votuar çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, ku ka pasur protesta të dhunshme, ka pasur hedhje të gazit lotsjellës. Dhe partia në pushtet e ka penguar, sepse Kosova ka qenë në pako me Gjeorgjinë dhe Ukrainën”, tha në një intervistë për ATV-në, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

    Por, duke i hedhur poshtë këto akuza, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje thonë se arsyeja kryesore përse kosovarët mbetën pa viza gjatë këtyre viteve, është korrupsioni.
    “Këtu nuk ka të bëjë me faktin që është penguar prej një subjekti politik për veprime të caktuara, të cilat janë bërë për të ndalur një të keqe shumë të madhe, por ka të bëjë, le të themi, me joseriozitetin që e kanë treguar vazhdimisht qeverisjet e kaluara, që kanë hapur shampanja, kanë dhënë tokë në emër të liberalizimit të vizave. Korrupsioni ka qenë njëra prej arsyeve që e ka penguar procesin e liberalizmit të vizave, në veçanti ka pasur skepticizëm tek shtetet anëtare të cilat i kanë pasur dyshime e veta”, tha deputetja e LV-së, Arbëresha Kryeziu.

    Vendimi i sotëm i Parlamentit Evropian është hapi i parafundit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kështu nga 1 janari kosovarët do të kenë të drejtë të njëjtë të lëvizjes së lirë, sikur popuj e tjerë evropianë. /atvlive.tv

  • Veç rregullores, deputetët do të përballen edhe me Kod Etik

    Veç rregullores, deputetët do të përballen edhe me Kod Etik

    Për përdorimin e gjuhës së këtillë, sipas rregullores së Kuvendit, deputetit i shqiptohet fillimisht vërejtje e në rast të përsëritjes së kësaj shkeljeje parashihet edhe largimi nga seanca.

    Por, përpos rregullores e cila në këtë aspekt po vlerësohet e përgjithshme, tashmë për gjuhën, qasjen dhe sjelljen e deputetëve do të ketë edhe Kod Etik, dokument që vlerësohet i domosdoshëm.

    “Zhvillimet e fundit kanë krijuar nevojën për kategorizimin e shkeljeve që deputetët bëjnë. Tani nuk kemi vetëm gjuhë jo parlamentare por edhe gjuhë seksiste. Në këto rrethana kodi I etikës do të bëjë dallimin e kategorizoj këto gjuhë…”, tha Arbër Thaçi nga KDI.

    Në një përpjekje të tillë është duke punuar Kuvendi dhe së shpeti pritet që ky dokument të finalizohet.

    “Javën që shkoj ishim edhe në Shqipëri për të parë se si shteti I Shqipërisë e ka rregulluar, se si deputetët kanë obligimet detyrat e sigurisht edhe sanksionet nëse ata nuk veprojnë në raport me kodin e etikës I cili synon të rregullojë disa nga mekanizmat e sjelljes dhe jo vetëm, natyrisht dhe të përgjegjësive që I ka deputeti..”, tha deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.

    Ndërkaq Rregullorja e re Kuvendit u miratua në korrik të vitit të kaluar, pas më shumë se një dekade që nga koha kur ishte miratuar rregullorja paraprake e këtij institucioni. /atvlive.tv

  • ​S’ka kuorum për votimin e Projektligjit për Prokurorin e Shtetit

    ​S’ka kuorum për votimin e Projektligjit për Prokurorin e Shtetit

    Në seancën e sotme plenare nuk ka pasur kuorum për votimin e amendamenteve për Projektligjin për Prokurorin e Shtetit. Në votim kanë marrë pjesë vetëm 50 deputetë dhe seanca është përcjellë me mungesë kuorumi edhe për projektligje të tjera.

    Deputeti Driton Selmanaj, nga Komisioni për Legjislacion ka thënë se janë nxjerrë 34 amendamente për Projektligjin për Prokurorin e Shtetit,

    “Ne si grup punues e kemi trajtuar me kujdes dhe kemi përfshirë të gjitha grupet e interesit në draftimin e këtij projektligji. Janë nxjerrë disa amendamente të cilat kanë marrë konsensusin e plotë të gjithë akterëve të përfshirë. Unë në emër të komisionit kërkoj që deputetët ta votojnë këtë projektligj”, ka thënë Selmanaj, transmeton kp.

    Për votimin e këtyre amendamenteve nuk ka pasur kuorum.

    “Vetëm 50 deputetë po marrin pjesë në votim, asnjë kundër, asnjë abstenim. Nuk ka kuorum Kuvendi për t’i miratuar këto amendamente, kështu që i barten seancës së radhës”, ka thënë Konjufca.

    Mungesë të kuorumit ka pasur edhe për votimin e projektligjit për racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive. Votimi i amendamenteve bashkë me projektligjin janë bartur në seancën e radhës.

    Vota të mjaftueshme nuk ka pasur as për votimin e rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi për Menaxhimin e Pagave”.

    Vetëm 49 deputetë kanë marrë pjesë edhe në votimin e rekomandimeve lidhur me raportimin e auditimit: “Funksionimi i sistemit të Grantit të Performancës Komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga Donatorët për vitin 2021”.

    Por, deputetët kanë miratuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.