Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se deklarata e përfaqësuesit të BE-së, Josep Borrell pas takimit me Kurtin, është diçka pozitive për Kosovën.
“Ky takim i sotëm, të paktën në bazë të asaj çfarë dëgjuam nga Borrelli, ka prodhuar rezultate të reja, sepse unë po vij nga një takim tjetër dhe nuk kam pasur mundësi t’i ndjekë në detaje, por deklarata e fundit e Borrellit është e para pak minutash, ku ai kërkon qartë lirimin e menjëhershëm të tre policëve të rrëmbyer në Kosovë. Kjo është diçka e re, nuk është diçka që është përsëritur në vazhdimësi gjatë këtyre ditëve, dhe aq më tepër që Borrell po mundohet me një gjuhë më të balancuar se sa gjatë 10 ditëshit të kaluar, të gjejë një mënyrë për de-eskalimin e situatës”, tha Gërvalla.
Ajo thotë se Kosova nuk ka kontribuar në eskalimin e situatës, pasi që sipas saj, vënia e ligjit dhe rendit nuk është esklaim.
“Vënia e ligjit dhe rendit, nuk është eskalim i situatës. Eskalimi i situatës është të dërgosh nga shteti fqinjë njerëz të cilët sulmojnë me një dhunë të llahtarshme, jo vetëm gazetarët dhe policët e Kosovës, por sulmojnë edhe ushtarët e KFOR-it, të cilët në fund të fundit këtu janë për të mbrojtur sigurinë, jo vetëm për qytetarët shqiptarë të Republikës së Kosovës, por edhe të gjithë qytetarëve të tjerë. Edhe de-eskalimi sigurisht që duhet të vijë nga ata që e kanë eskaluar situatën”, tha Gërvalla. /atvlive.tv
Kryetari i NISMA’s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se në zgjedhjet e ardhshme, NISMA do të jetë në parlament dhe se për këtë është i sigurt.
“Me masa e administrativit s’kanë me mujt me ndalë vullnetin e popullit. NISMA ko me kanë në parlament, me emër të zotit. A vetë, a me koalicion, ne kemi me qenë në parlament”, tha Limaj.
Ai tha se në zgjedhjet e fundit, kanë qenë 25 mijë vota të cilat nuk janë të përfaqësuara në parlament për shkak të pragut prej 5%.
“Ne edhe LDK, si dy partitë më të mëdha kemi qenë që pragu të jetë 3% për me ua mundësu partive më të vogla, por ka qenë një parti që ka mëndu se ka shumë, nuk e ka kalu pragun, ajo ka insistu që pragu të jetë 5%. Pse e kemi bërë ne këtë, sepse sot janë katër deputetë me votat të NISMA-s në parlament të Kosovës. Katër, tre i ka VV-ja e një e ka PDK-ja, votuesit tanë edhe tash 25 mijë njerëz që kanë votuar, janë të pa përfaqësuar në Parlament të Kosovës dhe nuk është në rregull se Kosova është e vogël. 25 mijë njerëz qato vota, katër deputetë athe ndoshta japin votën dhe i rrahin shuplakë kësaj çka është tu ndodh në veri, e janë votat tona”, tha Limaj, duke shtuar se është mirë që me 10 mijë vota e përpjetë, duhet të ketë përfaqësim në parlament. /atvlive.tv
Deputeti Haki Abazi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se çështja e dialogut është kthyer nga kornizimi i normalizimit dhe njohjes së ndërsjellët, në menaxhim të krizave.
Ai tha se kjo është një huqje e kryeministrit Kurti.
“Mendoj që nga momenti i targave, ne jemi kthy prej kornizimit për normalizim dhe njohje të dyanshme, në menaxhim të krizave, që është bërë shumë me kujdes nga ana e Lajçakut pse kjo ndodh kjo, sepse po shihet qartazi se hyrja në lojërat e targave, ka qenë transformim i dialogut, por jo ashtu si kemi premtu ne për që transformohet dialogu për çështje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por është thellu për çështje të brendshme në Kosovë dhe rrjedhimisht është transformu nga normalizimi me njohje në kornizë të menaxhimit të krizës. Këtu është huqje totale e Kurtit”, tha Abazi.
Ai tha se deklaratat e Escbar-it për rrezik të konfliktit janë shumë shqetësuese për Kosovën.
“Për një përfaqësues të SHBA-vë me thanë që ka rrezik për konflikt, unë e marr shumë seriozisht, jo për faktin që unë nuk e di që paska atje potencial për një grup kriminal serb për me e vra dikën ose me kriju konflikt, por për faktin se çfarë po dëgjon senati, kongresi dhe institucionet nëpër botë. Tha edhe sot në këtë diskutimin Escobar – Lajçak që korniza e diskutimit, e dialogut është për menaxhim të krizës dhe ky është shumë problem i madh për ne”, tha Abazi. /atvlive.tv
Deputeti Haki Abazi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se pas arrestimit të policëve kosovarë, situata në vend është e rëndë dhe nëse Kosova dhe Serbia nuk tërhiqen nga tensionimi i situatës, mund të ketë humbje jetësh.
“A ka qenë rruga më e mirë që ta kthejmë mundësinë e vendosjes së veriut në një administrim ndërkombëtar apo qoftë edhe një dorë e NATO-s nëpërmjet KFOR-it për ta kontrollu situatën atje edhe për të parandalu palët që të gjenden në një situatë çfarë u gjendën në këto dy muajt e fundi, sidomos me arrestimin e tre policëve të Kosovës atje, e cila mund të përfundojë siç e dimë në Ballkan me situata të tmerrshme, ku ka humbje, vrasje dhe mendoj që këtu është edhe frika e përfaqësuesit special, duke tërheqë para paralele me të kaluarën që një incident i tillë mund të përshkallëzojë situata dhe befasisht mund të gjendemi në një situatë që gjithë mund ta dinë se çfarë është, por askush nuk do ta shohë në një moment çfarë jemi tani”, tha Abazi.
Ai komentoi edhe deklaratën e kryeministrit Rama, ku ky i fundit Kosovën e ka quajtur “Republika e KFOR-it”, duke thënë se deklaratat e një kryeministri të një shteti anëtar të NATO-s duhet të merren seriozisht.
“Deklaratat e kryeministrit Rama tentojnë me përçu mesazh në gjendjen edhe analizën e informacionit që ka. Sigurisht që një kryeministër i një shteti i anëtarit të NATO-s duhet me marrë me shumë seriozitet, pavarësisht se në çfarë forme mundet me tingëllu sigurisht që ka indikacione e paralajmërime që mos tërheqja si themi e palëve prej idesë së tensionimit të situatës mund ta detyrojë bashkësinë ndërkombëtare që ta ngrisë angazhimin. Shtimi i numrit është për mua brengosës, sepse nuk vie pa analizë secilit anëtar të NATO-s duhet t’i shpjegohet veç e veç pse duhet shtuar numri i KFOR-it dhe kjo e bën realisht deklaratën ma pak të rëndësishme, sesa vetë përmbajtjen e asaj se çfarë po ndërmerr realisht NATO për veriun e Kosovës”, tha Abazi. /atvlive.tv
Ish kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se veprimi i policisë serbe ndaj zyrtarëve policorë të Kosvës, ka qenë veprim armiqësor dhe i planifikuar.
Sipas tij, shpjegimin që dha presidenti serb Aleksandar Vuçiq ditëve të fundit, tregon qartë për një veprim i paramenduar, i cili ka për qëllim eskalimin e tensionit.
“Veprimi duket qartë që ka qenë i planifikuar. Shpjegimi të cilin presidenti Vuçiq e ka dhënë gjatë këtyre dy ditëve me jashtëzakonisht shumë detaje propagandistike nga ana e tij, goxha tregon për një paramendim të situatës, pra për një veprim të paramenduar, i cili ka qëllim rritjen e tensionit, ka qëllim përshkallëzimin, eskalimin e situatës së sigurisë prapë, sepse eskalimi i situatës së sigurisë po ndodh të territorin tonë. Serbia nuk po eskalon kurrfarë situate as në Nish as në Kralevë, as në Novi Sad as në Beograd. Gjithçka që po ndodh, po ndodh në territorin tonë. Prezenca ndërkombëtare ushtarake është futur në sheshe duke vendosur kordon mes institucioneve të Kosovës dhe protestuesve, duke përfshirë edhe huliganët dhe grupet kriminale dhe si e tillë, Kosova në kuptimin qëllimit të sigurisë kombëtare, nuk po arrin sukses, sepse promovimi i sigurisë kombëtare, normalisht që vendoset përmes objektivave”, tha Ramadani.
Ai thotë se për këtë veprim, Serbia duhet të marrë ndëshkimin e qartë dhe të prerë nga bota demokraike.
“Serbia duhet absolutisht të merr ndëshkim të qartë dhe të prerë nga bota demokratike për këtë veprim. Veprimi është armiqësor. Nëse vërtetohet dhe po flasim nëse vërtetohet nga neutralët, nga KFOR-i, NATO, sepse edhe në bindjen time, kjo është hyrje brenda territorit të Kosovës, por nuk kam kapacitetin institucional për të vërtetu hapësirat gjeografike”, tha Ramadani.
Sipas tij, janë të gjitha mundësitë që të vërtetohet vendndodhja ku ka noddhur kidnapimi i policëve kosovarë.
“A ka mundësi të vërtetohet, normalisht që ka mundësi të vërtetohet. Vërtetimi besoj se do të bëhet publik në një periudhë pak më të qetë se tash siç është situata në veri të Kosovës. A besoj që ky vlerësim dhe bërja publik i këtij vlerësimi do të ndihmojë në uljen e tensioneve dhe uljen e retorikës, normalisht që besoj që ky do të jetë qëllimi i NATO-s si garant i sigurisë në Kosovë. Edhe përmes imazheve satelitore mund të qartësohet edhe përmes mënyrave të tjera, teknike, forenzike të cilat janë veç se të konsoliduara edhe në EULEX edhe në KFOR, i ka normalisht edhe në institucionet e Kosovës”, tha Ramadani.
Pa vlerësimit, ai tha se shtetet e konsoliduara duhet të marrë kohën e mjaftueshme që të komunikojë me shtetet e tjera dhe aleatët, në mënyrë që të arrijë të një veprim i përbashkët.
“Shtetet e konsoliduara, edhe në raste të tilla marrin një kohë hapësirë për të komuniku, lobu me shtetet dhe aleatët e vet, në mënyrë që të planifikohet veprimi i përbashkët dhe nëse unë kam dilema për sjelljen mbarëshoqërore e jo vetëm qeveritare, është se nuk po lëmë hapësirë të një planifikimi të përbashkët për veprime ndaj kësaj”, u shpreh Ramadani. /atvlive.tv
Analisti Xhevdet Pozhari, në emisionin CONTEXT në ATV, duke komentuar procesin e zgjedhjeve të kryetarëve në komunat në veri të Kosovës, tha se ky proces është garantuar nga faktori ndërkombëtarë, ndërsa tani janë ndërruar fjalët.
Sipas tij, dikush e ka prerë në besë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Ky proces është garantuar nga faktori ndërkombëtarë. Ky proces është përkrahur dhe u është bërë thirrje atje grupeve kriminale që të mos pengohen kryetarët t’i ushtrojnë detyrat e tyre zyrtare. Iu është dhënë afat. Tash kanë ndërruar fjalët. Dikush e ka prerë Albin Kurtin në besë, jo e kundërta”, tha Pozhari. /atvlive.tv
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ndaj aksionit të njerëzve të uniformuar të Serbisë të cilët kidnapuan tre zyrtarët policor të Kosovës, vendimi i parë që është marrë nga Qeveria është bllokimi i mauneve të Serbisë.
“Hapi i ardhshëm pra është bërë sot, në koefidencë të ministrit të Brendshëm, në emër të sigurisë, ai ka marrë vendim që të bllokohen maunët, po thuhet mallrat,
sigurisht që ato janë edhe mallra. Në këtë kuptim është edhe veprimi tjetër politik i ndërmarrë ndaj Serbisë për bllokimin e maunëve”, tha Rexhaj.
Ai tha se ky veprim i Serbisë ka ardhur si hakmarrje ndaj aksionit të djeshëm të Policisë së Kosovës, ku u arrestua Milun Milenkoviç, i njohur me nofkën “Llune”.
“Njerëz të uniformuar të Serbisë ose xhandarmerisë kanë hyrë në territorin e Kosovës dhe normalisht, kur është një aksion i befasishëm, ata të cilët e realizojnë atë aksion, kanë përparësi edhe me atë arrestimin bombastik që është hedhur edhe në media. Mendoj që Serbia, këtë kidnapim e ka bërë në kuptimin e hakmarrjes së aksionit të djeshëm të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, ku është arrestuar krimineli Milenkoviç me nofkën “Llune”, i cili ka sulmuar KFOR-in, ka rrahur të rinj dhe ka përfituar nga amnistia kur është votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës mirëpo nuk është ndalur asnjëherë me veprimet banitideske dhe kriminale atje”, tha Rexhaj. /atvlive.tv
Analisti politik, Artan Behrami, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se kryeministri Kurti e ka marrë peng Kosovën dhe po do të bëjë vetëvrasje politike bashkë me Kosovën.
“Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka marrë peng Kosovën, u ngjitë në katin e 50-të, po don me ba vetëvrasje politike bashkë me neve. Amerika, Edi Rama, krejt miqtë po mundohen me ia zgjatë dorën edhe me e shpëtu nga kjo situatë”, tha Behrami.
Ai tha se prezantimi draft statutit i bërë nga Edi Rama është prodhuar nga SHBA dhe se ka informacione për këtë.
“Zotri Rama e ka nxjerrë një dokument që është prodhuar dhe është dhënë nga Jack Solvan dhe për këtë e kam informacionin nga SHBA dhe çfarë po ndodh, fillimisht SHBA-të ia dhanë Bujar Osmanit disa pika në emër të OSBE-së që t’i prezantojë pikat e de-eskalimit të situatës në Kosovë dhe më pas e keni tjetër shqiptarë që ia jepë Asociacionin për me ia dërgua shteteve evropiane. Me këtë, SHBA-të dërgojnë edhe një mesazh i cili është e kundërta e asaj që kemi dëgjua prej kryeministrit Kurti që po thotë se emisarët amerikanë po vijnë me kërkesa të Serbisë dhe tani i ke që nuk janë kërkesa të Serbisë, por janë kërkesa të shqiptarëve. Unë mendoj që edhe ky është një mekanizëm amerikan me e izolu Kurtin nga shqiptarët, jo vetëm nga bashkësia ndërkombëtare”, tha Behrami. /atvlive.tv
Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin CONTEXT në ATV, duke komentuar inciatiavën e kryeministrit Rama, pasi ky i fundit tha se u ka dorëzuar partnerëve ndërkombëtarë një draft-statut për Asociacionin, tha se kjo iniciativë ishte sjella krejt e një anshme edhe jo transparente.
“Së pari iniciativa e kryeministrit Rama është tërësisht jo ndihmuese, për arsye se injoron institucionet e Kosovës, së dyti, vetë sjella krejt e një anshme edhe jo transparente, pas diskutimit që më shumë ndihmon për të shtuar protagonizmin e tij në një klimë që edhe kështu siç ndodhet, është pak më shumë se duhet e rënduar”, tha Meta.
Sipas tij, gjuha e kryeministrit Rama ishte e padenjë jo vetëm për Kosovën, por edhe për kryeministrat e vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën.
“Gjuha e përdorur nga kryeministri Rama lidhur me këtë çështje sot, nuk kishte lidhje vetëm me gjuhën që duhet të ketë kryeministri i Republikës së Shqipërisë, aq më tepër kur bëhet fjalë për çështje që kanë të bëjnë me shtetin e Kosovës, por ishte një gjuhë e padenjë edhe për kryeministrat e vendeve që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Janë dy çështje krejt të ndryshme. Çështja që ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës edhe Serbisë, e cila pas diskutimit kërkon angazhim të të gjithë aktorëve dhe pa dyshim kur bëhet fjalë për Kosovë, prej drejtuesve të Kosovës , kryeministrin e Kosovës, presidenten, parlamentin dhe opozitës së Kosovës”, tha Meta. /atvlive.tv
Analisti Artan Behrami, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konsistencë në qëndrimet dhe linjën e tij pro Amerikës.
Ai madje tha se Rama, fillimisht e shikon çka thotë Blinkeni, e më pas e kritikon Kurtin.
“Sa i përket politikës së jashtme të Edi Ramës, ka bërë diçka që liderët dhe elitat politike në Shqipëri dhe në Kosovë, edhe besa në Maqedoni të Veriut e kanë bërë në vazhdimësi, përjashto këtu kryeministrin tonë Albin Kurti, që Edi Rama ka konsistencë në qëndrimet e tij në linjën e tij pro Amerikës. Rama e shikon fillimisht çka thotë Blinkeni, më pas e kritikon Kurtin, asnjëherë nuk e kritikon para se Blinkeni ta kritikojë atë”, tha Behrami.
Ndërsa sa i përket politikës së jashtme në fushën e Ekonomisë, Behrami thotë së Edi Rama ka ndjekur një politikë të Titos.
“Unë qëndroj pas asaj që kam thënë. Edi Rama e ka ndjekur një politikë të Titos në politikën e jashtme, sepse ai është një lider që ka arritë me sjellë investime nga shtete të cilat nganjëherë munden me u konsiderua si armike të SHBA-vë. Pra, e ka bërë këtë balancën ekonomik, i ka dhënë diçka Francës, diçka SHBA-së, diçka Gjermanisë, diçka shteteve të tjera. Unë besoj se që ka bërë mirë sepse ka arritë me shfrytëzua çdo potencial ndërkombëtarë për me e sjellë në Shqipëri. Pra, ai i ka shiku interesat e Shqipërisë në rend të parë”, tha Behrami. /atvlive.tv