Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Gjykimi ndaj tyre do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të radhës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Në këtë proces deri tani janë dëgjuar katër dëshmitarë të prokurorisë të cilët kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse, dhe në seanca pothuajse tërësisht të mbyllura për publikun.
Dje pjesa më e madhe e seancës u mbajt e mbyllur për publikun, gjykatësi Smith shpjegoi se gjatë dëshmisë së dëshmitarit 265, mbrojtja e Selimit paraqiti një kundërshtim për dëshminë nga seanca e asaj date.
Gjatë seancës së djeshme ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt i mbrojtur i prokurorisë.
Për muajin maj janë paraparë të zhvillohen dhjetë seanca.
Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power, do të qëndrojë sot (e enjte) për vizitë në Kosovë.
Ajo qëndroi një ditë më parë në Beograd, ndërsa në Prishtinë do të ketë takime gjatë pasdites së sotme si dhe të premten.
Pas takimeve me krerët shtetërorë në Serbi, në një paraqitje për media, shefja e USAID-it deklaroi se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë kërkon guxim politik por do të sillte përfitime ekonomike.
Ajo tha se po udhëton drejt Kosovës për të ngritur çështje të ndjeshme dhe të vështira porse normalizimi i raporteve do të çlirojë një potencial të madh ekonomik për të dy vendet.
Power deklaroi se Deklarata për të Zhdukurit që është arritur në fillim të këtij muaji mes Kosovës dhe Serbisë është e rëndësishme, por shtoi se duhet bërë progres edhe në krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Power u bë shefja e parë e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar që udhëton në Serbi, e cila mban lidhje të ngushta historike dhe kulturore me Rusinë. Ajo vlerësoi mbështetjen e Serbisë për Ukrainën, megjithëse Beogradi ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të luftës.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e djeshme ka miratuar vendimin preliminar për shpronësime të pronave të paluajtshme në Komunën e Leposaviqit dhe atë të Zubin Potokut, për realizimin e projekteve infrastrukturore për interes publik.
Ndaj këtij vendimi, ka reaguar Lista Serbe, duke thënë se Qeveria Kurti “po vazhdon të zbatojë planet e veta për dëbimin e serbëve nga vatrat shekullore”.
“Regjimi i Kurtit, i inkurajuar nga disa pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, vazhdon të zbatojë planet e veta për dëbimin e serbëve nga vatrat shekullore”, thuhet në reagim.
Lista Serbe u ka bërë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që të reagojnë për këtë vendim.
“Populli serb nuk do të lejojë që banditi Kurti t’i vjedhë trashëgiminë e tyre ashtu dhe do të luftojë me të gjitha mjetet demokratike, ligjore dhe legjitime kundër këtij vendimi anti-serb, që vjedh hektarë tokë serbe”, thuhet në reagim.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti dje Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë, të kryesuar nga Timothy Chorba, kryetar i Këshillit.
Takimi ishte për të diskutuar temat e interesit të përbashkët për Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Konjufca e vlerësoi kontributin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara dhe vendet demokratike evropiane në zhvillimin e Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Ai po ashtu theksoi se Kosova është projekti më i rëndësishëm i faktorit ndërkombëtar i fundshekullit 20-të, i cili rezultoi me ndaljen e gjenocidit dhe trasoi rrugën drejt pavarësisë së Kosovës.
Kryetari i Kuvendit, Konjufca, foli edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se Qeveria e Kosovës është jashtëzakonisht e përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët e cila është në të mirë të të dyja shteteve dhe nga e cila vendet do të kenë prosperitet në të gjitha fushat. Megjithatë, ai tha se asnjëherë nuk do të pranohen modele që kanë për qëllim zhbërjen e shtetit dhe zbehjen e kompetencave ekzekutive brenda territorit të Kosovës.
Anëtarët e Këshillit të Ambasadorëve theksuan mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe vendet demokratike evropiane për Kosovën dhe aspiratat euro-atlantike të saj.
Kjo është komunikata e plotë rreth takimit:
Kryetari Glauk Konjufca takoi Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë, të kryesuar nga Timothy Chorba, kryetar i Këshillit.
Duke falënderuar diplomatët për kontributin e vazhdueshëm të tyre dhe të shtetit amerikan në zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë Kosovës, kryetari Konjufca theksoi se takime të kësaj natyre janë mundësi e mirë për të qëndruar më afër njëri-tjetrit dhe për të trajtuar tema që janë me interes vital për rajonin.
Referuar ndihmës që Kosova ka përfituar ndër vite nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet demokratike evropiane, kryetari Konjufca u shpreh se Kosova është projekti më i rëndësishëm i faktorit ndërkombëtar i fundshekullit 20-të, i cili rezultoi me ndaljen e gjenocidit dhe trasoi rrugën drejt pavarësisë së Kosovës.
Intervenimi ndërkombëtar dhe pavarësia e Kosovës, shtoi kryetari Konjufca, nuk ishin vetëm domosdoshmëri e nivelit nacional, por kusht esencial për paqe dhe siguri në rajon dhe Evropë.
Duke folur lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kreu i Kuvendit theksoi se Qeveria e Kosovës është jashtëzakonisht e përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët e cila është në të mirë të të dyja shteteve dhe nga e cila vendet do të kenë prosperitet në të gjitha fushat. Por kryetari Konjufca tërhoqi vëmendjen se assesi nuk do të pranohen modele që kanë për qëllim zhbërjen e shtetit dhe zbehjen e kompetencave ekzekutive brenda territorit të Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është jashtëzakonisht e përkushtuar ndaj dialogut dhe gjetjes së zgjidhjes më të mirë për qytetarët e të dyja shteteve, por assesi, në asnjë rrethanë nuk do të pranohen modele që rrezikojnë shtetin dhe lirinë e qytetarëve të Kosovës”, tha ndër të tjera kryetari Konjufca.
Në anën tjetër, anëtarët e Këshillit të Ambasadorëve ritheksuan vazhdimësinë e mbështetjes së popullit dhe shtetit amerikan për Kosovën dhe aspiratat euro-atlantike të saj.
Gazetari dhe analisti Lavdim Hamidi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se është skeptik që Kosova dhe Serbia do të mund të merren vesh për statutin e Asociacionit.
Ai tha se në fund, palët do ta pranojnë të gatshëm statutin nga ndërmjetësuesit dhe do të detyrohen ta zbatojnë atë.
“Kanë thënë edhe nga administrata amerikane edhe nga Bashkimi Evropian se për momentin, prioritet i të gjitha prioriteteve është formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Këtu palët kanë ngecë, po shihet. Nuk besoj se kjo javë, ose java e ardhshme do të jetë vendimtare, sepse ende jemi në kuadër të afatit kohor brenda 150 ditësh, mirëpo jam shumë skeptik se palët vet, pa presionin ndërkombëtar do të arrijnë një marrëveshje për me e ba statutin. Ne fund, do ta pranojnë të gatshëm dhe do të detyrohen me e zbatu të njëjtin sepse vazhdimisht kemi treguar edhe në të kaluarën se kemi humbur kohë dhe nuk mundemi me u marrë vesh”, tha Hamidi. /atvlive.tv
Analisti Artan Behrami në emisionin CONTEXT në ATV, tha se narracioni i Qeverisë për Asociacionin është një mashtrim i radhës që po mundohet ta ndjellë te opinioni publik.
Ai tha se Qeveria e Kosovës po tenton ta shesë narracionin se pushtetin e kanë marrë ku u nisë Republika Srebska dhe sot e kanë Asociacionin që është në përputhje me Kushtetutën.
“Unë besoj se është në kuadër të strategjisë së njëjtë edhe tashmë kemi një platformë legjitime që e ka kornizu këtë meqë edhe Bashkimi Evropian, por edhe të tjerët kanë thënë që prezantimi i draft-statutit është një pikënisje e mirë për me bisedu për statutin e Asociacionit. Ne e kemi thënë që ky prezantim që është bërë në Bruksel është shfrytëzuar mirë nga Qeveria e Kosovës për të thënë që ajo përmbanë Republika Serbska. Qeveria e Kosovës, Kurti e Konjufca, janë duke u munduar që të skicojnë kufirin e pikënisjes, kufirin e startit. Pra, këtu është starti sipas tyre, e kemi marrë Kosovën ku u nisë Republika Srebska dhe sot kemi ardhur në një Asociacion, të cilin do ta pranojmë edhe që është në kuadër të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha Behrami.
Ai tha se kjo që po thotë Qeveria se e ka arritë, nuk është asgjë e re për Kosovën, pasi që sipas tij, çdo ambasador amerikan e ka përseritë se Asociacioni do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Pra, ky është narracioni që po mundohet të ndjellet në opinion publik, e vërteta natyrisht është e kundërt që tash e 6-7 vite, çdo ambasador amerikan këtu, zëri iu ka shterrë duke thënë që Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, që Asociacioni nuk do të jetë Republika Srebska, që Asociacioni do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Pra është një mashtrim i radhës i cili po mundohet me u ndjellë. Se sa do të ketë sukses në opinion publik do të shihet ditëve dhe javëve të ardhshme”, deklaroi Behrami. /atvlive.tv
Përmes dy rezolutave vjetore, Parlamenti Evropian u bëri ftesë Kosovës e Serbisë që të jenë konstruktive në dialogun për normalizimin e raporteve, duke përfshirë njohjen e ndërsjellë.
Raportet përkatëse, Serbinë e kritikojnë për mospërshtatje të politikave me Bashkimin Evropian në qëndrimet karshi Rusisë. Por, për të njëjtën çështje vlerësohet Kosova.
“Qeveria e Kosovës ka marrë qëndrime të qarta duke dënuar agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës dhe duke u rreshtuar me deklaratat dhe sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe Bjellorusisë. Ne e mirëpresim këtë përkushtim të qartë me vlerat dhe qëndrimet e BE-së”, tha komisioneri Evropian për Çështje të Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Oliver Varhelyi.
Raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon, foli për arritjet që ka bërë Kosova, por edhe hapat që duhet të ndiqen tutje.
“Kosova vazhdon t’i dëshmojë kapacitetet e saj demokratike duke pasur një peizazh politik pluralist, i cili demonstrohet me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Peizazhi mediatik është gjithashtu i devijuar në krahasim me shtetet e tjera në rajon, por megjithatë është e rëndësishme që gazetarët mbeten të pavarur. Janë arritur rezultate të rëndësishme në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në mbarë Kosovën”, tha Von Cramon.
Megjithatë, u identifikuan edhe mangësi në disa reforma.
“Ne gjithashtu do të donim të shihnim një ritëm më të shpejtë të reformave, duke përfshirë Kuvendin, që ka një rol kritik për të luajtur në avancimin e agjendës së qeverisë drejt BE-së. Ne mirëpresim përpjekjet e Kosovës për të përmirësuar efikasitetin, integritetin dhe profesionalizmin e gjyqësorit”, tha komisioneri Evropian për Çështje të Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Oliver Varhelyi.
Raporti për Kosovën, pro të cilin votuan 452 deputetë, u bën thirrje Spanjë, Greqisë, Rumanisë, Qipros dhe Sllovakisë ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Këtë kërkesë e pati edhe një deputet austriak, derisa ai spanjoll tregoi pse kjo nuk ka ndodhur ende.
“Ju bëj qartë thirrje që të mos e mbani bllokimin tuaj. Ju vetëm po e inkurajoni Serbinë dhe rrjedhën e saj të konfliktit. Dhe nëse kjo nuk është ajo që dëshironi, më në fund njiheni Kosovën si shtet të pavarur që është”, tha deputeti nga Austria, Thomas Waitz.
“Fatkeqësisht, ka ende vende të BE-së që nuk e njohin Kosovën, disa prej tyre siç është Spanja, nuk e njeh për arsye që nuk kanë të bëjnë me Kosovën, por me Katalonjën. Ata nuk duan të njohin ligjshmërinë e një deklarate të njëanshme të pavarësisë”, tha deputeti nga Spanja, Carles Puigdemont.
Përveç gjetjeve, në Parlamentin Evropian u diskutua marrëveshja e Ohrit, e cila sipas Oliver Varhelyit, obligon shtetet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet, ndërsa draft-propozimin e quajti pikënisje për diskutime të mëtejme, deri në themelimin e asociacionit.
Raportet e sipërpërmendura, ishin të fundit për të dyja shtetet nga përbërja aktuale e Parlamentit Evropian, meqë rreth muajit maj apo qershor të vitit 2024 do të mbahen zgjedhjet evropiane. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:
Me lavde për rritjen e buxhetit për komunat për vitin e ardhshëm dhe akuza për opozitarizëm nga to, kryeministri Albin Kurti nisi mbledhjen e Qeverisë.
Kryeministri tha se buxheti i përgjithshëm komunal më 2024 do të jetë më i larti ndonjëherë – 742 milionë euro apo rritje prej 35%, sikurse edhe granti komunal me 284 milionë euro.
Pasi tha se ka rritje të granteve specifike për arsim e shëndetësi, për 18 dhe 16 për qind, kryeministri njoftoi se javën tjetër do të takojë kryetarët e komunave.
“Këto janë dëshmi të forta, sepse janë fakte të qarta të mbështetjes dhe gatishmërisë së Qeverisë për bashkëpunim të afërt me komunat. Dikur niveli qendror i bënte opozitë qeverisjes lokale, sot qeverisja lokale në disa raste po përdoret për opozitë nivelit qendror, gabim ka qenë atëherë, gabim tash”, tha Kurti.
Ekzekutivi i dha vlerësim pozitiv Projektligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili mes tjerash rregullon organizimin e zgjedhjeve brenda dhe jashtë Kosovës – përfshirë mënyrën e votimit të mërgatës.
Pas disa muajsh bllokade të punimeve për rrugën dhe stacionin e Policisë në fshatin Dren të Leposaviqit, pas dëgjimeve publike me banorët, Qeveria miratoi vendimin preliminar për shpronësime për projektet infrastrukturore në këtë komunë dhe zonave të tjera me interes publik në Zubin Potok.
“Zonat kadastrale, Bistricë, Bistricë e Shalës, Dren, Leshak dhe Koshtovë, komuna Leposaviq dhe zonat kadastrale Bërnjak, Zubin Potok, Bregu i Madh, Banjë, Jasenovik, komuna Zubin Potok… Departamenti i shpronësimit ka konstatuar se janë përmbushur në tërësi dispozitat ligjore dhe vendos që të procedojë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, propozimin preliminar me të cilin miratohet ligjshmëria e procesit të shpronësimit për interes publik”, tha zëvendësministri i MMPHI-së, Avni Zogiani.
Po ashtu, u mor vendimi preliminar për shpronësime në zonat përkatëse në Obiliq dhe Fushë-Kosovë për realizimin e projektit për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik nga KEK-u, me kapacitet rreth 100 megavat orë energji.
Ekzekutivi i dha mbështetje nismës për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Gjermanisë, në vlerë të përgjithshme rreth 28 milionë euro, për promovimin e sipërmarrjes.
Qeveria miratoi një pako të re sanksionesh ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, në përputhje me përditësimin e sanksioneve të vendosura nga SHBA-ja dhe BE-ja, në raport me zhvillimet në Ukrainë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:
Kryetarja e FSShK-së, Tevide Imeri, në emisionin DIREKT në ATV, deklaroi se asnjë Qeveri nuk e ka pasur prioritet shëndetësinë.
“Edi se shëndetësia ka një kosto jashtëzakonisht të lartë edhe kam thënë, e nuk kam me u ndalë duke e thënë se gati asnjëra Qeveri nuk e ka pasur prioritet shëndetësinë”, tha Imeri.
Ajo tha se kur e gjithë Qeveria fokusohet kah shëndetësia, nuk mund të mos ndryshoje diçka për të mirë.
“Kur e gjithë Qeveria fokusohet kah shëndetësia, nuk ka qare pa ndryshu diçka për të mirë. Unë nuk po them se mundemi me e ba për një mandat ose gjysmë mandati një shëndetësi si të shteteve të perëndimit, por megjithatë, këto çështje, shërbimet kryesore, ato duhet të ofrohen”, u shpreh Imeri. /atvlive.tv
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në emisionin DIREKT në ATV, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministri Kurti, pasi ky i fundit ka thënë se Komunat në disa raste janë duke i bërë opozitë Qeverisë së tij.
Ai tha se as logjikisht kjo gjë nuk ka mundësi me qenë e vërtetë që niveli lokal t’i bëjë opozitë nivelit qendror.
“Nuk dua të hy në detaje se çfarë ka thënë kryeministri Kurti, por logjikisht nuk ka asnjë mundësi, asnjë shanse që niveli lokal të jetë opozitë e nivelit qendror. Jemi në një shtet demokratik, niveli lokal nuk mund të jetë opozitë. Komunat janë duke kërkuar një bashkëpunim të sinqertë me nivelin qendror, bashkëpunim ky që është duke munguar shumë”, tha Ibrahimi. /atvlive.tv