ATV

Tag: Ballina

  • Hetimi i krimeve të luftës, bashkëpunimi juridik me Serbinë, një ndër pengesat kryesore

    Hetimi i krimeve të luftës, bashkëpunimi juridik me Serbinë, një ndër pengesat kryesore

    Më shumë se 20 vjet pas luftës së fundit në Kosovë, numri i të dënuarve për krimet e kryera gjatë kësaj periudhe vazhdon të jetë i vogël.

    Në gjykimin e këtyre rasteve, sipas monitoruesve, më së shumti po ndikon mosbashkëpunimi juridik mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Është momenti i duhur që gjyqësori i Kosovës dhe i Serbisë të nënshkruajnë një protokoll bashkëpunimi. Kroacia, Bosnja kanë të nënshkruar marrëveshje dhe i shkëmbejnë informatat”, tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

    Vështirësi për shkak të mungesës së një marrëveshjeje juridike mes dy vendeve, ka edhe në sigurimin e dëshmitarëve.

    “Në disa raste kemi pasur sukses, por disa kanë hezituar për shkak të sigurisë së tyre. Marrëveshja potenciale do t’i lehtësonte procedurat”, tha Alija.

    Prokuroria Speciale e Kosovës bashkëpunim me atë të Serbisë nuk ka, as sa u përket rasteve për të pagjeturit.

    Prokurorja Drita Hajdari pret lehtësim në këtë drejtim pas nënshkrimit të marrëveshjes së arritur javën e kaluar mes palëve në Bruksel.

    Viti 2019, ishte viti i parë që nga paslufta që institucionet kosovare të drejtësisë pa gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtarë kanë hetuar krimet e luftës, pasi fillimisht ndjekjen e këtyre veprave penale e kishte në kompetencë UNMIK-u, e më pas EULEX-i.

    Ndërkaq, për krime lufte në Kosovë që nga përfundimi i saj janë të dënuar vetëm 72 persona. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Çollakaj: Veriu ka qenë vazhdimisht gjenerator i pasigurisë, vështirë të implementohet rezultati i zgjedhjeve

    Çollakaj: Veriu ka qenë vazhdimisht gjenerator i pasigurisë, vështirë të implementohet rezultati i zgjedhjeve

    Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollakaj, në një intervistë në emisionin DIREKT në ATV, tha se, edhe pse rezultati i zgjedhjeve në veri të vendit nuk është kontestuar as nga ndërkombëtarët e as nga Qeveria, ky rezultat është problem të funksionalizohet për shkak se shumica e popullatës që jetojnë në atë pjesë i përkasin komunitetit serb, dhe këta të fundit kanë vendosur t’i bojkotojnë këto zgjedhje.

    “Që nga caktimi i datës së zgjedhjeve për kryetar të komunave në veri të vendit, ka qenë e ditur publikisht dhe botërisht se këto zgjedhje e kanë specifikën e tyre, e specifika e tyre konsiston në specifikën e vet regjionit të veriut të Kosovës, duke e ditur faktin se në vazhdimësi ka qenë gjenerator i pasigurisë në kontinuitet herë me intensitet të shtuar e herë me intensitet më të vogël. Prandaj, në këtë frymë, edhe këto rezultate të zgjedhjeve është vështirë të implementohen, është vështirë të realizohet rezultati i tyree, për arsye se personat që janë të zgjedhur me votë, edhe pse nuk janë kontestuar as nga ndërkombëtaret e as nga Qeveria, e kanë të vështirë ta funksionalizojnë këtë rezultat për shkak se shumica e banorëve që jetojnë në atë pjesë janë të komunitetit serb, që kanë vendosur t’i bojkotojnë këto zgjedhje”, tha Çollakaj. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Nesër në Hagë vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    ​Nesër në Hagë vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimit, do dalin para trupit gjykues përsëri të mërkurën e kësaj jave.

    Gjykimi ndaj tyre do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të radhës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

    Në këtë proces deri tani janë dëgjuar tre dëshmitarë të prokurorisë të cilët kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse, dhe në seanca pothuajse tërësisht të mbyllura për publikun.

    Për muajin maj janë paraparë të zhvillohen dhjetë seanca.

    Ditë më parë, Paneli i Gjykatës së Apelit ka rrëzuar apelet e 20 personave për të marrë pjesë në këtë proces si viktima.

    Ata kishin apeluar vendimin e trupit gjykues ku refuzohej kërkesa e tyre për pjesëmarrje në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.

  • Osmani për Asociacionin: Marrëveshjet duhet të shtyhen për t’u zbatuar, Kosova nuk po ikë nga obligimet e saj

    Osmani për Asociacionin: Marrëveshjet duhet të shtyhen për t’u zbatuar, Kosova nuk po ikë nga obligimet e saj

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë një intervistë me BBC News, Weekend Programme.

    Në këtë intervistë, Osmani ka folur për marrëveshjen e arritur në Bruksel për personat e pagjetur.

    “Unë mendoj se kjo është një nga arritjet më të mëdha të dialogut, sepse është një marrëveshje që prek direkt qytetarët tanë. Më shumë se 1600 familje në Kosovë janë akoma duke bërë më të mirën të mundshme për të gjetur mbetjet e të zhdukurve gjatë luftës pasi u zhduken me forcë nga regjimi i Millosheviqit. Ne besojmë që janë në varreza masive në Serbi, por na nevojitej Serbia të bashkëpunonte. Tani kyçe është përmbushja e marrëveshjes” tha Osmani.

    Ajo tutje foli edhe për krijimin e Asociacionit me Shumicë Serbe, duke bërë të ditur që Kosova qëndron stoike kundër tij.

    “Kosova nuk po ikë nga obligimet e saj. Çka ne jemi të gatshëm të bëjmë, është të japim gjithçka që mundemi në përkim me standardet evropiane, për të akomoduar të drejtat e serbëve. Të drejtat njerëzore dhe të drejtat minoritare të serbëve. Por jo t’u japim serbëve një instrument përmes të cilit vazhdimisht do të injorojnë, të shkelin sovranitetin dhe funksionin e Kosovës si shtet” tha Osmani.

  • Lajçak shpjegon se pse qytetarët e BE-së janë skeptikë për zgjerimin e Unionit

    Lajçak shpjegon se pse qytetarët e BE-së janë skeptikë për zgjerimin e Unionit

    “Në vendet e Europës Juglindore, mbështetja për anëtarësim në BE po bie, sepse qytetarët besojnë se nuk dëshiron t’i pranojë, por ka programe partneriteti përmes të cilave këto vende mund të marrin pjesë edhe në tema të përbashkëta si “plani i gjelbër” dhe digjitalizimi, ka thënë emisari Miroslav Lajçak në një intervistë për mediumin kroat “Hina”.

    Kanë kaluar 20 vjet që kur BE-ja dhe vendet e Europës Juglindore deklaruan për herë të parë në një deklaratë të përbashkët se “e ardhmja e Ballkanit është në BE”. Që nga ai takim në Selanik në vitin 2003, vetëm Kroacia u bë anëtare në vitin 2013.

    “Mendimi im personal është se Europa duhej ta përtypte zgjerimin enorm në 2004 dhe 2007. Ai solli shumë efekte pozitive por edhe elemente që e komplikuan BE-në, veçanërisht sepse është më e vështirë për të që të marrë vendime unanime me 28, apo tani me 27 vende sesa ishte kur ishin 15 të tilla”, tha Lajçak, një diplomat sllovak 60-vjeçar.

    “Disa vende devijuan nga normat dhe vlerat europiane, gjë që krijoi gjithashtu skepticizëm ndaj zgjerimit të mëtejshëm. Për më tepër, duke folur objektivisht, Europa u përball me kriza të shumta që nuk ishin as të planifikuara dhe as të pritshme, si kriza financiare, migrimi dhe Brexit. Të gjitha këto sollën zvogëlimin e zgjerimit. Opinioni publik në shumë vende të Europës Perëndimore nuk ishte pozitiv ndaj hapjes së tregut të punës për anëtarët e rinj, kështu që liderët politikë nuk donin të promovonin zgjerimin e mëtejshëm”, shtoi Lajçak.

    Ai ka folur se pse e kanë më problem anëtarësimit vendet e Ballkanit Perëndimor për dallim nga vendet e pjesëve të tjera të Europës.

    “Vendet e Ballkanit Perëndimor, ndryshe nga vendet e Europës Qendrore, kanë ende çështje të pazgjidhura nga e kaluara që vazhdojnë t’i preokupojnë. Për vendin tim (Sllovakinë) dhe pjesën tjetër të Europës Qendrore, integrimi në BE ishte një prioritet absolut. Kështu që ne ishim plotësisht të përkushtuar për ta arritur atë”, tha Lajçak.

    Por pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, Lajçak tha se e shohin që si BE ashtu edhe Ballkani duhet ta marrin seriozisht zgjerimin.

    “Kjo nuk mund të arrihet nëse njëra palë e merr seriozisht dhe tjetra jo”, shtoi ai.

  • ​Kurti: Këtë vit kemi më shumë arsye për të shënuar Ditën e Evropës

    ​Kurti: Këtë vit kemi më shumë arsye për të shënuar Ditën e Evropës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se këtë vit Kosova ka më shumë arsye për të shënuar Ditën e Evropës.

    Kurti ka përmendur dorëzimin e aplikimit për anëtarësim në Bashkim Evropian, nënshkrimin e vendimit për liberalizimin e vizave, si dhe kalimin e fazës së parë të anëtarësimit në Këshill të Evropës.

    “Në dhjetorin e vitit që e lamë pas dorëzuam aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Muajin e kaluar u nënshkrua vendimi për liberalizimin e vizave, ndërkaq në fund të prillit kaluam me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Më afër dhe rrugës për në Bashkimin Evropian, këtë vit kemi edhe më shumë arsye për të shënuar Ditën e Evropës. Urime 9 Maji – Dita e Evropës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

    Në Ditën e Evropës, Kurti ka thënë se BE është projekti më i madh politik dhe procesi më i rëndësishëm historik i paqes dhe prosperitetit që nga lufta e dytë botërore.

  • Osmani: Në Ditën e Evropës na kujtohen vlerat që na lidhin si evropianë

    Osmani: Në Ditën e Evropës na kujtohen vlerat që na lidhin si evropianë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se në Ditën e Evropës kujtohen vlerat që na lidhin si evropianë, demokracia, të drejtat e njeriut dhe shteti i së drejtës.

    Përmes një postimi në Twitter, Osmani ka thënë se për popullin e Kosovës këto vlera kanë qenë udhërrëfyes gjatë historisë, teksa ka thënë se vazhdojnë t’i mbrojnë ato edhe sot, shkruan teve1.info

    “Sot, në Ditën e Evropës, na kujtohen vlerat që na lidhin si evropianë – demokracia, të drejtat e njeriut dhe shteti i së drejtës. Për popullin e Kosovës, pikërisht këto vlera kanë qenë dritë udhërrëfyese gjatë historisë dhe ne vazhdojmë t’i mbrojmë ato edhe sot”, ka shkruar Osmani.

  • Kurti kujton Konushefcin dhe Malajn: Dëshmorët e kanë kryer punën më të madhe, neve na ka mbetur një pjesë e vogël

    Kurti kujton Konushefcin dhe Malajn: Dëshmorët e kanë kryer punën më të madhe, neve na ka mbetur një pjesë e vogël

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas homazheve tek varret e heroit Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj, në 25-vjetorin e rënies së tyre, ka thënë se dëshmorët e kanë kryer punën më të madhe për Kosovën, e si të tillë duhet të jenë udhërrëfyes për hapat e mëtutjeshëm.

    Kurti, duke kujtuar veprën e tyre, tha se janë pikërisht dëshmorët që i dëshmojnë krimet serbe në Kosovë, por edhe vullnetin e popullit shqiptar, raporton Ekonomia Online.

    “Sot më 9 maj, kur u bënë 25 vjet të rënies së Ilir Konushefci dhe Dr. Hazir Malaj, erdhëm këtu bashkë me kolegë, ministra, deputetë, me zëvendëskryeministren Rexhepi dhe me dy familjet, Konushefci e Malaj, që të bëjmë nderime para këtyre dy dëshmorëve të kombit, të cilët nuk kursyen asgjë, të cilët dhanë jetën që populli shqiptar të jetojë i lirë në tokën e vet”.

    Sipas Kurtit, dëshmorët kanë kryer pjesën më të madhe të ecjes politike e shoqërore, e një pjesë e vogël na ka mbetur, siç u shpreh ai, neve.

    “Pjesën kryesore dhe më të madhe të ecjes politike e shoqërore në vendin tonë e kanë kryer dëshmorët e kombit. Neve na ka mbetur një pjesë më e vogël, por e rëndësishme e punës, e cila bëhet mirë e mbarë duke i pasur si udhërrëfyes dëshmorët dhe martirët, të cilët janë edhe dëshmi e krimeve të Serbisë në Kosovë, por njëkohësisht edhe e vullnetit të paepur të popullit tonë për liri”.

    “Iliri dhe Dr. Haziri na bënë bashkë të gjithë neve. Janë dëshmorët e kombit të cilëve asnjëherë nuk mund t’ua lajmë borxhin. Lavdi”, është shprehur Kurti.

  • Kryediplomati i Kroacisë viziton Kosovën, sot takohet me Gërvallën e Kurtin

    Kryediplomati i Kroacisë viziton Kosovën, sot takohet me Gërvallën e Kurtin

    Sot, ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grlic Radman, do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë.

    Atë do ta presë në takim, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. Pas takimit do të ketë konferencë për media.

    Pos Gërvallës, Radman do të takohet edhe me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

    Takimi do të zhvillohet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, me fillim nga ora 16:15.

    Gordan Grliq Radman ka arritur në Kosovë mbrëmë.

    Ai është pritur në Aeroportin e Prishtinës nga ministrja Gërvalla-Schwarz dhe nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

  • Sobotka: Marrëveshja e Ohrit, të zbatohet pa kushtëzime e vonesa

    Sobotka: Marrëveshja e Ohrit, të zbatohet pa kushtëzime e vonesa

    Në ditën që u mbajt për herë të parë konferenca “Vienna Economic Talks”, në Prishtinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti dje në vizitën e tij të parë zyrtare si kryetar të Kuvendit të Austrisë, Wolfgang Sobotka.

    Ai tha se ishte një ditë e veçantë për të meqë në mëngjes mirëpriti Forumin Ekonomik të Vjenës, kurse orët zyrtare të punës, po i përmbyll me takimin me Kryetarin e Kuvendit austriak, Sobotka.

    Në takimin që u zhvillua në ndërtesën e Qeverisë, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen në çdo fazë të historisë së re të vendit dhe marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, të cilat janë të hershme dhe për të cilat angazhohemi që t’i forcojmë çdo ditë.

    Gjatë bisedës, kryetari Sobotka, u njoh më hollësisht me përparimin dhe arritjet e Kosovës, veçanërisht në dy vitet e fundit dhe me zhvillimet aktuale në vend.

    Kryeministri Kurti e njoftoi me indikatorët më të fundit ekonomikë dhe demokratikë, dhe me rezultatet në luftimin e krimit dhe korrupsionit. Kryetari Sobotka dha vlerësimin e tij pozitiv për progresin e arritur në luftën kundër korrupsionit.

    Sipas qeverisë, ata diskutuan edhe për fushat në të cilat, krahas vullnetit, ekziston edhe potenciali për bashkëpunim edhe më të thellë si ajo e ekonomisë, shkëmbimeve tregtare, mjedisit dhe projekteve infrastrukturore.

    ‘Për sa i përket bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme, z. Sobotka konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së Austrisë ndaj Kosovës në Këshillin e Evropës deri në anëtarësimin e plotë të saj. Ndër të tjerash, kryeministri Kurti dhe kryetari Sobotka folën edhe për procesin e dialogut dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me fokus te takimi i javës së kaluar në Bruksel dhe Marrëveshja Bazike dhe Plani i Zbatimit sipas dakordimeve në Bruksel dhe Ohër”, thuhet në njoftim.

    Me këtë rast, kryeministri Kurti theksoi kontributin dhe angazhimin konstruktiv të Kosovës në të gjitha takimet dhe përgjatë gjithë procesit, si dhe rëndësinë që Marrëveshja Bazë, që derivon nga propozimi evropian, me përfshirje të drejtpërdrejt të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, të zbatohet i plotë, pa vonesa dhe pa kushtëzime.

    “Në këtë takim, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Vjenë, Lulzim Pllana, Shefi i Stafit, Luan Dalipi, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë, dhe Sportit, Daulina Osmani, Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëresha Kryeziu Hyseni, këshilltarja politike, Zojë Surroi dhe asistentja ekzekutive e Kryeministrit, Valë Gjonbalaj”.