ATV

Tag: Ballina

  • Lajçak: Takimi i së hënës ndërmjet kryenegociatorëve është mundësi e mirë për hapa konkretë

    Lajçak: Takimi i së hënës ndërmjet kryenegociatorëve është mundësi e mirë për hapa konkretë

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka zhvilluar sot takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryenegociatorin Petar Petkoviq.

    Pas takimit, Lajçak është shprehur se takimi i së hënës është mundësi e mirë për t’u pajtuar për hapat e ardhshëm.

    “Takimi i kryenegociatorëve të hënën e ardhshme është një mundësi e mirë për t’u pajtuar për hapat e ardhshëm dhe konkretë.”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

    Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka zhvilluar dje takim me kryeministrin Albin Kurtin, kryenegociatorin Besnik Bislimi, kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamzën dhe me përfaqësues të Listës Serbe.

    Lajçak ka deklaruar se ka zhvilluar diskutim të rëndësishëm me kryeministrin Kurti për rrugën përpara në procesin drejt normalizimit. Ndërsa, Kurti është shprehur se në takimin me emisarin e BE ka theksuar nevojën që marrëveshja bazë të zbatohet tërësisht.

    Kujtojmë që, në Bruksel më 2 maj Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Deklaratën për të Zhdukurit, ku të dy vendet do të shtonin përpjekjet për zbardhjen e fatit të 1643 personave të pagjetur nga lufta e fundit. Ndërsa, në këtë takim është prezantuar edhe draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Ekipi Menaxhues, tashmë i shkarkuar, në përbërje të serbëve të zgjedhur nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq në kohën sa ka qenë zëvendëskryeministër në Qeverinë Hoti. /kp

  • Power: Procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë duhet të çojë në njohje të ndërsjellë

    Power: Procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë duhet të çojë në njohje të ndërsjellë

    Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power, tha të enjten se është e qartë se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është një hap thelbësor që duhet të ndërmerret për të siguruar vazhdimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë.

    Zonja Power i bëri këto komente në një fshat afër komunës së Gjilanit rreth 45 kilometra në lindje të Prishtinës, në ditën e parë të vizitës së saj në Kosovë, shkruan Evropa e Lirë.

    “Marrëveshja është aty, ka urgjencë për shembull për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shpresojmë që tani më në fund dialogu ka një rrugë se si do të duket. Edhe pse palët ende nuk kanë qëndrime të përbashkëta se cili do të jetë modaliteti, kjo është hera e parë që po ndodh ky lloj i angazhimit thelbësor”, tha zonja Power duke nënvizuar se themelimi i Asociacionit është diçka që zyrtarët në Serbi e konsiderojnë shumë të rëndësishme.

    “Prandaj është e rëndësishme tani që idetë janë paraqitur, të arrihet kompromisi në mënyrë që të mund të vazhdojë normalizimi i cili do të çojë përfundimisht në njohjen përfundimtare, njohjen e ndërsjellë”, tha ajo.

    Zonja Power tha se nënshkrimi i deklaratës për personat e zhdukur, është vetëm një hap për të ndriçuar fatin e mbi 1 mijë e 600 personave që mbetën ende të zhdukur.

    “Dhe si anëtare e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të presidentit Joe Biden, jam gjithashtu në rajon për të folur për, normalizimin, për marrëveshjen e fundit dhe kuadrin për normalizim që është shumë e rëndësishme të zbatohet”, tha ajo.

    Zonja Power shkoi në Kosovë pas një vizite në Serbi, ku premtoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Serbinë dhe Kosovën, ndërsa dy vendet armike të kohës së luftës punojnë për të stabilizuar marrëdhëniet në një kohë tensionesh të rritura.

    Bashkimi Evropian ka shpenzuar 12 vjet duke lehtësuar negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Serbia nuk e njeh shtetësinë e saj.

    Të dyja vendeve u është thënë se duhet të normalizojnë marrëdhëniet në mënyrë që të përparojnë në synimet e tyre për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Palët janë pajtuar të mbështesin një plan të BE-së për këtë çështje, por tensionet mbeten të larta.

  • ​Intervistimi i dëshmitarit të katërt po vazhdon në seancë të mbyllur

    ​Intervistimi i dëshmitarit të katërt po vazhdon në seancë të mbyllur

    Edhe një seancë e mbyllur për publikun po zhvillohet në gjykatoren e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në procesin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK).

    Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, po dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të katër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), transmeton KP.

    Dëshmitari që mban kodin 4748 është i mbrojtur dhe kjo është dita e tretë me radhë që dëshmia e tij po dëgjohet në seancë të mbyllur.

    Për seancën e sotme është paraparë që ai të përgjigjet në kundërpyetjet e mbrojtjes së të akuzuarve.

    Megjithatë, seanca në Hagë ka filluar me një urdhër nga kryegjykatësi Charles L Smith, i cili është dhënë po ashtu në seancë private.

    Në procesin gjyqësor kandër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, deri tani janë dëgjuar tre dëshmitarë të prokurorisë.

    Dëshmia e tyre nuk është bërë e ditur për publikun dhe të njëjtit kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse.

    Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, kanë qenë të pranishëm në sallën e gjyqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Ata po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

    Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

  • Dita Botërore e Infermierisë: Studentët e Kolegjit AAB ofrojnë shërbime shëndetësore falas për qytetarët

    Dita Botërore e Infermierisë: Studentët e Kolegjit AAB ofrojnë shërbime shëndetësore falas për qytetarët

    Dita Ndërkombëtare e Infermierisë shënohet çdo vit më datën 12 Maj, kontributin e infermierëve në shoqëri. Ashtu si në gjithë botën, 12 Maji shënohet edhe në Kosovë. Fakulteti i Infermierisë në Kolegjin AAB, për këtë ditë ka organizuar aktivitete të shumta për studentët.

    Koordinatorja e Fakultetit të Infermierisë në Kolegjin Teuta Bujupi, në një intervistë në emisionin ALARM në ATV, tregoi se për këtë ditë, në këtë kolegj është organizuar edhe një kurs ndërkombëtar për infermierët, si dhe do të ketë aktivitete të shumta të studentëve.

    “Ne në kuadër të javës së infermierisë ose pikërisht sot në ditë e infermierisë, në Kolegjin AAB kemi edhe një kurs ndërkombëtar që organizohet për nderë të kësaj dite, për infermierët të cilët do të përfshihen në këtë organizim, do të kenë mundësi të ketë qasje të marrjes së informatave të reja lidhur me njohuritë që mund të fitojnë ata në menaxhimin e situatave të ndryshme karshi punës që kanë në terren, në klinika, në ordinanca ku ata punojnë. Ky kurs do të fillojë sot, do të jetë gjatë gjithë ditës. Përveç këtij kursi, ne e kemi filluar javën e infermierisë me aktivitete edhe ditëve që kaluan kemi pasur organizimin e dhurimit vullnetar të gjakut, që tashmë prej vitit 2016 është bërë traditë në Kolegjin AAB, ku shumë vullnetarë, studentë, staf dhurojnë gjak dhe pikërisht e bëjnë për humanizëm karshi situatave të ndryshme që përballemi”, tha Bujupi.

    Ajo tregoi për nderë të kësaj ditë, studentët e infermierisë të Kolegjit AAB dje kishin aktivitete të ndryshme infermierie në shtatë komunat kryesore në Kosovë.

    “Ne dje e kemi pasur një aktivitet në 7 komunat kryesore të Kosovës, ku kemi aplikuar disa teknika infermierie ose kemi ofruar shërbime shëndetësore falas për ta, duke iu ofruar matje të tensionit arterial, matjen e glikemisë, po ashtu kemi bërë edhe një edukim për këta persona të cilët veç janë të atakuar me sëmundjet, por edhe për edukimin dhe promovimin e shëndetit karshi një jete të shëndetshme, për të cilën dita ditës kemi filluar të kemi probleme të shëndetit karshi stilit të jetës”, tregoi Bujupi. /atvlive.tv

  • Kurti thotë se ka ardhur koha që BE-ja ta ndryshojë qasjen ndaj Ballkanit Perëndimor

    Kurti thotë se ka ardhur koha që BE-ja ta ndryshojë qasjen ndaj Ballkanit Perëndimor

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se është koha që Bashkimi Evropian ta ndryshojë qasjen ndaj Ballkanit Perëndimor, raporton Ekonomia Online.

    Kurti në konferencën për ”Balkan Dialogues Initiative”, shtoi se sa i përket dialogut Kosova është konstruktive në këtë proces.

    Kurse sa i përket të drejtave të minoriteteve, Kurti shtoi se është Kushtetuta e Kosovës e cila i garanton të drejtat për pakicat.

    “Ka ardhur koha për Bashkimin Evropian që ta ndryshojë qasjen ndaj rajonit. Fondet e BE-së duhet të ndërlidhen me vlerat evropiane. Kur bëhet fjalë për bashkëpunim rajonal, ne kemi ratifikuar tri marrëveshjet nga procesi i Berlinit”.

    “Sa i përket dialogut me Serbinë, ne jemi konstruktiv dhe kreativ në këtë proces. Ne besojmë se marrëveshja bazë e arritur është një hap i rëndësishëm”.

  • Çka duhet të dini për modelin kroat?

    Çka duhet të dini për modelin kroat?

    Modeli kroat sa shkon e diskutohet më shumë, kur është fjala për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në pak sekonda, mund të mësoni se çfarë parasheh ky model, pse është zgjedhur dhe si po e komenton BE-ja.

    E gjithë kjo ide, nisi me 9 maj kur kryeministri Albin Kurti, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić Radman, me të cilin ka biseduar edhe për procesin e dialogut me Serbinë.

    Sipas njoftimit të Qeverisë, Kurti e ka njoftuar diplomatin kroat se në takimin e fundit të nivelit të lartë, që u mbajt javën e kaluar në Bruksel, ka paraqitur vizionin e tij për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes Bazike, bazuar në modelin kroat të trajtimit të pakicave kombëtare serbe.

    “Në lidhje me të, ai tha duke qenë vend anëtare e BE-se dhe e NATO-s, Kosova e sheh Kroacinë si tregim suksesi dhe model që duhet ndjekur për sa i takon të arriturave ekonomike dhe demokratike, por edhe për sa i përket respektimit të të drejtave të minoriteteve”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

    Por çfarë për përmban “Asociacioni kroat”?

    Këshilli i Përbashkët i Komunave Serbe (Zajedničko veće opština – ZVO), përmbledh komunat ku jetojnë serbët në lindje të Kroacisë, është modeli të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka dhënë si propozim në Bruksel për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe.

    Kurti pas përfundimit të takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç e ndërmjetësit, Josep Borrell e Miroslav Lajçak tha se ka dhënë këtë variant si “draft-vizioni”.

    Ky model kroat, i cili është krijuar pas përfundimit të konflikteve në Sllavoninë Lindore në Kroaci, është futur në Marrëveshjen e Erdutit me dokumentin me anë të të cilit është konfirmuar ri-integrimi paqësor i rajoneve që kontrolloheshin nga serbët nën autoritetin e Zagrebit.

    Organi është gardian i interesave të komunitetit serb në dy qarqe kroate: Osijek-Baranja dhe Vukovar-Srem, ndërsa përbëhet nga përfaqësues të nëntë komunave.

    Ai është mekanizëm politik, këshillues dhe koordinues, i zgjedhur në mënyrë demokratike që ka kompetenca “vetëmenaxhuese” sa i përket çështjeve të të drejtave civile dhe kombëtare të serbëve, si dhe çështjeve të identitetit, kulturës, pjesëmarrjes dhe integrimit të tyre në shoqërinë kroate.
    Këshilli i Përbashkët i Komunave Serbe mund të jetë shoqatë qytetarësh të cilën, sipas ligjit kroat, mund ta formojë kushdo nga tre persona – ajo formohet në bazë të dokumenteve ndërkombëtare çfarë ka qenë Marrëveshja e Erdutit dhe vendimit të Qeverisë së Kroacisë. Pra, ajo nuk përbën një njësi territoriale.

    Kjo pajisje për serbët në Kroaci ishte themeluar mbi bazën e “traditës shekullore të vetëqeverisjes serbe” në Kroaci, e cila shkon prapa në kohën e kuvendeve para kishtare/publike, përmes akteve ligjore dhe politike që rregullonin pozitën e serbëve në Kroaci gjatë shekujve XVIII dhe XIX.
    Asambleja Themeluese e Këshillit të Përbashkët ishte mbajtur në vitin 1997 në Zagreb me nxitjen e Aleancës së Organizatave Serbe dhe anëtarëve të saj: Shoqatës Kulturore Serbe, Forumit Demokratik Serb, Komunitetit të Serbëve nga Rijeka dhe Istria si dhe Këshilli i Përbashkët i Komunave Serbe.

    Pas miratimit të Aktit Kushtetues për të Drejtat e Pakicave Kombëtare në vitin 2002, kishte ndryshuar edhe struktura organizative e këshillave të pakicave kombëtare etnike. Anëtarët zgjidhen me votim të fshehtë, në zgjedhjet e organizuara nga shteti kroat në të gjitha njësitë e vetëqeverisjes lokale.

    Në nivel komunal, këshilli i serbëve zgjidhet nëse aty jetojnë së paku 200 pjesëtarë të komunitetit serb. Në nivel qarku ky numër arrin në 500. Në rastin kur janë të paktën 100 pjesëtarë, zgjidhet vetëm një përfaqësues i këshillit. Kjo vlenë për njësitë lokale, ku popullsia serbe e kalon pragun prej 1.5 për qind.

    Këshilli i Komunave Serbe përbëhet nga kuvendi – organi më i lartë – në të cilin bëjnë pjesë anëtarët nga radhët e komunitetit serb, pavarësisht nga përkatësia e tyre partiake. Ata zgjidhen në përputhje me statutin e këtij instrumenti. Kuvendi përbëhet nga 28 anëtarë dhe kryesohet nga presidenti i këshillit.

    Çfarë u vendos në takimin e djeshëm?

    Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç në Bruksel u përmbyll me dy zhvillime pozitive dhe një negativ.

    Si një arritje të madhe përmendi marrëveshjen për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë të luftës së fundit.

    Në bazë të dokumentit, Serbia ka pranuar që të hapë arkivat e saj dhe të mundësojë qasjen edhe dokumentet sekrete lidhur me luftën e zhvilluar në Kosovë për periudhën nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

    Draft-statuti i parë për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, ishte një tjetër zhvillim që u konsiderua pozitiv nga Borrell duke e konsideruar një hap të mirë drejt përmbylljes së kësaj çështje 10-vjeçare, por jo version përfundimtar.
    Zyrtari i BE-së konfirmoi pakënaqësitë e mëdha të Kurtit për draft-statutin e paraqitur nga ekipi menaxhues, në të cilin Kosova nuk ka asnjë anëtar dhe Serbia ka një deputete në të.

    Pikërisht kjo e fundit bëri të ditur se draft-statuti për Asociacionin është përpiluar për katër muaj që në vitin 2018-të. Si zhvillim negative, Borrell konsideroi zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, përfshirë pjesëmarrjen e ulët në zgjedhjet lokale të pjesshme.
    Kryediplomati i BE-së kërkoi që të bëhen më shumë përpjekje që serbët e Kosovës të rikthehen në institucione.

    Nga ana tjetër, presidenti serb ishte më i zëshëm në drejtimin e akuzave ndaj kryeministrit të Kosovës duke pretenduar se nuk dëshiron që të formojë asociacionin. Por Albin Kurti në përfundim të takimit njoftoi opinionin publik se draft-statuti me mbi 60 nene nuk ishte i pranueshëm pasi binte ndesh me kushtetutën e Kosovës.

  • Osmani ftohet në inaugurimin e Milatoviqit si president i Malit të Zi

    Osmani ftohet në inaugurimin e Milatoviqit si president i Malit të Zi

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është ftuar për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka konfirmuar Presidenca e Kosovës.

    Në Mal të Zi, të enjten është raportuar për dyshime se Osmani nuk është ftuar në këtë ceremoni. Megjithatë, në Presidencë kanë thënë se presidentja ka marrë ftesë e për pjesëmarrje do të njoftojë, pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Ftesa për Presidenten Osmani për pjesëmarrje në inaugurimin e presidentit Milatoviq ka ardhur. Presidentja ndodhet jashtë vendit. Sapo të kthehet, ju njoftojmë”, ka thënë për KOHËN, Bekim Kupina, këshilltar për media në Zyrën e Presidencës.

    Në zgjedhjet e 2 prillit 2023, Jakov Milatoviq u zgjodh president i Malit të Zi, në garë me kundërkandidatin Milo Gjukanoviq.

    Ai i kishte fituar mbi 60 për qind të votave.

  • Sot fillojnë kundërpyetjet për dëshmitarin e katërt të prokurorisë

    Sot fillojnë kundërpyetjet për dëshmitarin e katërt të prokurorisë

    Intervistimi i dëshmitarit të katërt nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS), në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), është zhvilluar tërësisht në seancë private, për dy ditë me radhë.

    Pas pyetjeve të prokurorisë, në mbyllje të saj seanca është kthyer publike dhe kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith, ka bërë të ditur se sot do të fillojnë kundërpyetjet.

    Gjithashtu, Smith ka deklaruar trupi gjykues mund të bëjë pyetje në çdo moment gjatë procesit gjyqësor.

    “Pyetjet nga trupi gjykues mund të bëhen në çdo moment, nuk janë kundërpyetje, dhe nuk pasqyrojnë pyetjet e palëve, synojnë që të zbulojnë të vërtetën dhe ky është mandati i tyre. Fillojmë me kundër pyetjet të premten në orën 9”, ka thënë Smith.

    Në procesin gjyqësor kandër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, deri tani janë dëgjuar tre dëshmitarë të prokurorisë.

    Dëshmia e tyre nuk është bërë e ditur për publikun dhe të njëjtit kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse.

    Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, kanë qenë të pranishëm në sallën e gjyqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Ata po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

    Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

  • Presidenca e Maldiveve përgënjeshtron Vuçiqin: Nuk është tërhequr njohja ndaj Kosovës

    Presidenca e Maldiveve përgënjeshtron Vuçiqin: Nuk është tërhequr njohja ndaj Kosovës

    Deputeti Behgjet Pacolli ka shpërndarë lajmin e diplomatit të Maldiveve, Ahmed Shaheed, se Maldivet qëndrojnë krah Kosovës dhe nuk e kanë tërhequr njohjen.

    Shaheed ka thënë se Presidenca e Maldiveve kategorikisht ka mohuar pretendimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe ministrit të jashtëm, Ivica Daçiq, se njohja e Ksoovës është tërhequr.

    “Presidenca e Maldiveve përgënjeshtron sot kategorikisht lajmin e Serbisë (Vuçiq dhe Daçiq) se Maldivet kanë tërhequr njohjen e Kosovës”, tha ai.

    “Pra Maldivet mbeten pa luhatje, në krah të Kosovës”, shtoi ai.

  • Shqipëria kualifikohet e para në finale të “Eurovisionit”

    Shqipëria kualifikohet e para në finale të “Eurovisionit”

    Albina Kelmendi dhe familja e saj kanë arritur të kualifikohen në finalen e madhe të “Eurovisionit 2023”. Shqipëria të shtunën do të performojë me këngën “Duje”.

    Këngëtarja nga Kosova mori votat e publikut për t’u futur në 10 shtetet që siguruan finalen nga 16 gjysmëfinalistët e dytë të enjten.

    Kënga e saj “Duje”, e cila u interpretua në gjuhën shqipe, në gjysmëfinale të këtij edicioni u mirëprit nga të pranishmit.

    Finalja e madhe do të mbahet të shtunën, ndërsa finalistët e këtij edicioni janë: Shqipëria, Qipro, Estonia, Belgjika, Austria, Lituania, Polonia, Australia, Armenia dhe Sllovenia.

    Ndërsa, nga nata e parë, në finale shkuan Norvegjia, Serbia, Portugalia, Zvicra, Izraeli, Moldavia, Suedia, Çekia dhe Finlanda.

    “Eurovisioni” sivjet organizohet në Liverpool të Britanisë së Madhe, në pamundësi të organizimit në Ukrainë.