Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova është vendi i dytë në Ballkan për pagat më të larta.
Ai tha se viziton çdo ditë bizneset dhe se është ndierë i kënaqur kur ka takuar punëtorët të cilët sipas tij, janë të kënaqur me vendin e punës që kanë.
“Unë nëpër çdo ditë jam nëpër vizita te bizneset tona dhe me të vërtetë jam ndierë shumë i kënaqur kur kam taku punëtorët dhe kam parë që punëtorët janë të kënaqur me vendin e punës që kanë. Sektori privat ka lëvizura me paga, diku më pak e diku më shumë dhe kjo ka ardhur si rezultat i mungesës së fuqisë punëtore”, tha Rafuna. /atvlive.tv
Gazetari dhe analisti Zekrija Shabani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha liberalizimi i vizave dhe krijimi i mundësive për punë jashtë Kosovës, është gjëja më e mirë që ka mundur me i ndodh Kosovës, sa do që kjo duket e frikshme tash për tash.
“Është dëmtuar më së shumti sektori që kërkojnë më së shumti punëtorë, në ndërtimtari kryesisht, por është njëfarë sinjali që në sektorët tjerë janë prekë shumë ma shumë. Nga Kosova nuk po ikin ata që kanë nevojë për bukë, por po ikin ata njerëz që përpos pagës, po kërkojnë një trajtim të dinjitetshëm, kërkojnë një diçka shumë më të mirë që nuk e kanë gjetë te biznesi këtu, ose nuk e kanë gjet te tregu i punës në përgjithësi”, tha Shabani.
Ai tha se mendon që shumica e qytetarëve duhet me dal me e pa çka është Evropa, në mënyrë që me u përgatitë bizneset tona për shërbime më cilësore dhe trajtim më të dinjitetshëm të punëtorëve.
“Në fillim, unë besoj se bizneset, ato që janë tamon biznese, kanë nisur përgatitjet qysh më herët, sepse ata janë shumë serioz dhe e kanë mendjen me vepru në Kosovë. Por, ne duke e pasur parasysh strukturën e bizneseve tona që shumica janë mikro dhe biznese të vogla, pra janë biznese të hapura prej hallegjinjëve, njerëzve që nuk kanë mundur me e gjetë veten askund dhe janë munduar me e hapë një biznes të vogël ose diçka për me mbijetua përkohësisht deri sa ta gjejnë një alternativë tjetër, këta kanë me i ristrukturu, kanë me e krijua një treg tjetër në Kosovë që ka me mbijetu më i forti që është ekonomi e tregut tek e fundit dhe biznesi ka me pagu shumë më mirë punëtorët që mbesin këtu, kanë me ofru shërbime shumë më cilësore për shkak se një qytetar që del dhe e merr një shërbim cilësor në ndonjë vend evropian, një punëtor që del edhe e sheh si punohet atje, ka me e kërkua një pagë më të mirë këtu”, tha Shabani. /atvlive.tv
Për herë të parë, Kolegji AAB bëri bashkë ambasadorë amerikanë e shqiptarë, në 101-vjetorin e Marrëdhënieve Diplomatike Shqipëri – SHBA dhe në 15-vjetorin e Marrëdhënieve Diplomatike Kosovë – SHBA.
Rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, e vlerësoi të rëndësisë së veçantë këtë vizitë të ambasadorëve.
“Më lejoni që në emër të Kolegjit AAB, t’i uroj një mirëseardhje të ngrohtë Këshillit të Ambasadorëve me vizitën e tij në shtetin dhe në kolegjin tonë. Shprehim veçanërisht mirënjohjen tonë të thellë me nderin që po na bëni me këtë vizitë. Pra, ne e konsiderojmë këtë vizitë shumë të rëndësishme, duke na bërë të ndihemi të privilegjuar dhe të bekuar me këtë vizitë, siç është shteti ynë i bekuar, që ka miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Tafa.
Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, Genci Muçaj, duke folur para studentëve të Kolegjit AAB, tha se Kosova është në zemrën e çdo shqiptari.
“Ndihem i lumtur që të jem pjesë e këtij kolegji, i cili është një ndër institucionet jo vetëm më të mira në vend, por edhe në rajon. Ne e kemi vendosur në programin tonë që të qëndrojmë më shumë në Kosovë, sesa në Shqipëri ose në Maqedoninë e Veriut, që do të shkojmë sot, pasi që ne i kushtojmë më shumë vëmendje këtij shteti të ri e të mrekullueshëm, të pavarur, siç është Kosova, pasi që ne e duam Kosovën, aq shumë sa e doni ju”, tha Muçaj.
Për kryetarin e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë rektori i Kolegjit AAB, ndau Çmimin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Integrim.
“Unë kam qenë gati në të gjitha kontinentet e botës, në Azi, në Afrikë, në Amerikën Jugore, por edhe në atë Veriore, pra në të gjithë botën. Por unë mund të them se nuk është një vend që mund ta kujtoj që na ka mirëpritur aq mirë, aq ngrohtë si këtu në Kosovë dhe në Shqipëri. Ju jeni në Ballkan, ku Shtetet e Bashkuara me të vërtetë kanë bërë një përpjekje të madhe për sukses. Suksesi i Amerikës është Kosova, sepse ky shtet ka fituar një lindje institucionesh demokratike”, tha kryetari i këshillit të ambasadorëve amerikanë, Timothy Chorba.
Për Kosovën fjalë të mëdha tha edhe ish-ambasadorja e SHBA-së në Danimarkë, Laurie Fulton, e cila tregoi se e kishte vizituar Kosovën, para disa vitesh dhe se në këtë vend ajo kishte kaluar një pjesë të jetës së saj. /atvlive.tv
Edicionin Qendror te lajmeve e gjeni në videon më poshtë:
Intervistimi i dëshmitarit të katërt nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS), në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), është zhvilluar tërësisht në seancë private, për dy ditë me radhë.
Pas pyetjeve të prokurorisë, në mbyllje të saj seanca është kthyer publike dhe kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith, ka bërë të ditur se nesër do të fillojnë kundërpyetjet.
Gjithashtu, Smith ka deklaruar trupi gjykues mund të bëjë pyetje në çdo moment gjatë procesit gjyqësor.
“Pyetjet nga trupi gjykues mund të bëhen në çdo moment, nuk janë kundërpyetje, dhe nuk pasqyrojnë pyetjet e palëve, synojnë që të zbulojnë të vërtetën dhe ky është mandati i tyre. Fillojmë me kundër pyetjet nesër në orën 9”, ka thënë Smith.
Në procesin gjyqësor kandër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, deri tani janë dëgjuar tre dëshmitarë të prokurorisë.
Dëshmia e tyre nuk është bërë e ditur për publikun dhe të njëjtit kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse.
Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, kanë qenë të pranishëm në sallën e gjyqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ata po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.
Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se takimi i sotëm me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ishte vazhdim i takimit të zhvilluar më 2 maj në Bruksel. Kurti tha se insistimi i tyre është që të zbatohet marrëveshja në përpikëri.
Ai u shpreh tani janë të interesuar që të bashkëpunojnë për ta shkruar bashkë më tutje një vizion për komunitetin serb në Kosovë sa i përket nivelit adekuat të vetëmenaxhimit, siç e sheh neni 7 i marrëveshjes së dakorduar, transmeton KP.
Kurti tha para mediave se synimi është që duhet të ketë implementim të plotë dhe sa më të shpejtë të marrëveshjes.
“Institimi ynë është ajo që jemi dakorduar, pra zbatim i plotë, i përpikët i secilit nen pa vonesa e pa kushte. Ne e dimë që pala tjetër ka bërë deklarat se marrëveshjen nuk e pranon me përmbajtje, por vetëm me koncept dhe se zbatimi i saj ka kufizime. Për neve këto janë të papranueshëm dhe për neve ishte e rëndësishëm që ta konfirmojmë me emisiarin Lajçak që marrëveshja është ajo me 11 nene nga 27 shkurti në Bruksel dhe me 12 pika aneksi i zbatimit. Tash jemi të interesuar që të bashkëpunojmë për ta shkruar bashkë më tej një vizion për komunitetin serb në Kosovë sa i përket nivelit adekut të vetëmenaxhimit siç e sheh neni 7 i marrëveshjes së dakorduar, duke mos e anashkaluar edhe nenin 10. Ky është synimi ynë paralelisht më atë që duhet të ketë implementim të plotë dhe sa më të shpejt. Bisedimet janë duke u zhvilluar, pas Kosovës do të shkojë edhe në Serbi dhe në javën e ardhshme beosoj që do ta kemi një takim mes kryenegociatorëve”, tha Kurti.
I pyetur nëse Kosova është në rrugën e normalizmit apo të konfliktit, ai tha se vendi është në rrugën e një normalizimi të plotë, i cili arrihet pikërisht me njohjen reciproke në qendër.
“Kosova është në rrugën e normalizimit, një normalizim i plotë, i cili arrihet pikërisht me njohjen reciproke në qendër. Ndërkaq me marrëveshjen bazike, të cilën e kemi realizuar kemi njohje de facto”, u shpreh Kurti.
Kujtojmë që, në Bruksel më 2 maj Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Deklaratën për të Zhdukurit, ku të dy vendet do të shtonin përpjekjet për zbardhjen e fatit të 1643 personave të pagjetur nga lufta e fundit. Ndërsa, në këtë takim është prezantuar edhe draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Ekipi Menaxhues, tashmë i shkarkuar, në përbërje të serbëve të zgjedhur nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq në kohën sa ka qenë zëvendëskryeministër në Qeverinë Hoti.
Për herë të parë pas 20 vitesh, një president polak qëndroi për vizitë në Shqipëri. Andrzej Duda u prit me nderimet më të larta shtetërore nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Ky i fundit, i kërkoi atij mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët me Duda, kreu i shtetit shqiptar tha se Samiti i ardhshëm i NATO i Vilniusit do të ishte rast i mirë për të mbështetur aspiratat e Kosovës për anëtarësim.
“Polonia ka qenë ndër vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës. I kërkova mikut tim Duda ndikimin e tij për një rivlerësim nga autoritetet polake të situatës së përgjithshme gjeopolitike në Evropë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me synim lidhjen sa më shpejt të jetë e mundur të marrëdhënieve diplomatike me Kosovën. Përtej pranisë së lartë ushtarake të Polonisë në kuadër të KFOR në Kosovë, në rrethanat aktuale, ky hap do të ishte i një rëndësie edhe më të madhe gjeopolitike. Kërkova gjithashtu mbështetjen e Polonisë për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në NATO, ku Samiti i ardhshëm i Vilniusit në korrik të këtij viti, është një rast i mirë për të mbështetur aspiratat e Kosovës”, deklaroi Begaj, transmeton KP.
Në seancën plenare të Parlamentit Evropian dy ditë më parë kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se, “është e turpshme që 20 vjet më parë hapëm perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor dhe sot nuk e kemi bërë ende”, duke kërkuar hapjen ndaj këtij rajoni.
Begaj theksoi sot se, deklarata e kancelarit gjerman është lajm shumë i mirë për faktin që pas agresionit rus në Ukrainë, vëmendja e Bashkimit Evropian është e përqendruar në Ballkanin Perëndimor.
“Kemi disa zhvillime të rëndësishme që lidhen me dhënien e statusit kandidat për Bosnjë Hercegovinën, hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, liberalizimin e vizave me Kosovën, kemi edhe Procesin e Berlinit, i cili këtë vit do të bëhet në Shqipëri, patëm një Samit të BE me Ballkanin Perëndimor në dhjetor të vitit të kaluar. Kjo tregon që Ballkani Perëndimor është në fokus të BE-së. Shpresoj që procesi i zgjerimit të përshpejtohet, të bëhet me ritme të shpejta. Kjo varet edhe nga disa rregulla që ne duhet të punojmë më shumë për t’i realizuar. Për mua deklarata e kancelarit Scholz është e mirëpritur”, tha Begaj.
Presidenti polak Andrzej Duda tha se kancelari është i ndërgjegjshëm për deklaratat, ndërsa theksoi edhe nevojën që shtetet të mos i bëjnë shantazhe vendeve që synojnë anëtarësimin duke i bllokuar ato.
“Do të ishte jo mirë nëse çdo shtet anëtar do të përdorte një shantazh të tillë ndaj shteteve që kandidojnë për në anëtarësim në BE, që kanë pretendime të ndryshëm dhe që nuk do të plotësohen kriteret, që do të bllokime lidhur me pranimin në BE mendoj se kjo është në kundërshtim me interesat e të gjithë Unionit dhe gjithmonë e kam cekur se pas daljes së Britanisë nga BE, pranimi i vendeve të tjera është shumë i rëndësishëm, një shenjë që tregon se BE është gjallë, atraktive, tërheqëse dhe që i tregon gjithë botës që BE është një organizëm që vepron pa pushim”, deklaroi Duda.
Presidenti polak deklaroi se, shpreson që së shpejti Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin Begaj ai tha se kjo vizitë është një sinjal për t’i gjallëruar marrëdhëniet shqiptaro-polake.
Nënkryetari i PSD-së, Zgjim Hyseni, në një intervistë për emisionin A23 në ATV, tha se Asociacioni nuk ofron barazi për komunitetet, por ofron privilegje për një komunitet të caktuar.
“Ndoshta duhet me i pa elementet e përbashkëta të këtyre problemeve, mundem me pasë edhe emërues të përbashkët dhe ky emërues i përbashkët mundet me qenë barazia. Asociacioni është segregim, nuk ofron barazi, ofron të drejta, privilegje, varësisht prej se çfarë identiteti ke”, tha Hyseni.
Ai akuzoi qeverinë se e ka dhënë Asociacionin dhe nuk ka marrë asgjë në këmbim.
“Fillimisht na thanë, ne japim diçka nëse na japin njohjen, pastaj u kuptua që njohje nuk ka. Thanë ka me pasë njohje të pesë vendeve mosnjohëse të BE-së. As ato nuk janë. Eventualisht po flitet në qarqe që mundet me qenë njohja prej Greqisë. Nëse ju mund të thoni që duhet me e jepë Asociacionin me e nda Kosovën në baza etnike, edhe me i armiqësua popujt sepse Asociacioni nuk po bëhet për me e rritë bashkëjetesën, por ka me e rritë urrejtjen dhe ka me e rritë nacionalizmin. Krejt këtë me e ba në fund për çka, për një njohje prej Greqisë. Pyetja është çka po marrim”, theksoi Hyseni./atvlive.tv
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamzën kaloi në veri.
Pas takimit me Hamzën, ai foli për çështjen e rihapjes së Urës së Ibrit, me ç’rast tha se ura nuk mund të rihapet me pajtim vetëm të njërës palë, por vetëm kur të pajtohen të dyja palët.
Lajçak e kaloi Urën e Ibrit në këmbë, i shoqëruar edhe nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
Emisari i BE-së është në veri, te Shtëpia e Evropës, ku do të ketë takim me shoqërinë civile.
Ndryshe, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas takimit të sotëm me kryeministrin Albin Kurti deklaroi ishte një diskutim intensiv dhe të njëjtin do ta zhvillojë edhe nesër në Beograd.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti u shpreh se në takimin me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak theksoi nevojën që marrëveshja bazë të zbatohet tërësisht. Sipas tij, BE-ja duhet ta mbajë Serbinë përgjegjëse për shkeljet e vazhdueshme të marrëveshjes, shkruan KP.
Kujtojmë që, në Bruksel më 2 maj Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Deklaratën për të Zhdukurit, ku të dy vendet do të shtonin përpjekjet për zbardhjen e fatit të 1643 personave të pagjetur nga lufta e fundit. Ndërsa, në këtë takim është prezantuar edhe draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Ekipi Menaxhues, tashmë i shkarkuar, në përbërje të serbëve të zgjedhur nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq në kohën sa ka qenë zëvendëskryeministër në Qeverinë Hoti
Konferenca për Integritetin e Informacionit organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), mbështetur nga USAID në Kosovë, “Disicion”, ka mbledhur ekspertë të ndryshëm të fushës së teknologjisë, sigurisë kibernetike, mediave si dhe përfaqësues të qeverisë, për të diskutuar rreth sigurisë kibernetike, qasjes gjithëpërfshirëse dhe dezinformimit si kërcënim, raporton EO.
Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili ka marrë pjesë në hapjen e kësaj konferenca tha se në Kosovë dita ditës po rritet dezinformimi.
Sipas tij, shteti që përfaqëson është i interesuar që të rritet siguria kibernetike dhe e informacionit.
“Dezinformimi në Kosovë është i vazhdueshëm dhe gjithnjë po rritet. Prandaj prioritet kryesore është rritja e sigurisë kibernetike dhe informacionit, kjo përfshin edhe ndalimin e dezinformatave”.
AnnaCarin Platon, shefe e Sektorit Politik në Zyrën e Bashkimit Evropian, kërcënimet kibernetike i ka quajtur sfidë globale, për këtë ka kërkuar edhe angazhimin e të gjithë në këtë luftë.
“Kërcënimi i sigurisë kombëtare është sfidë globale dhe kërkon që ne të punojmë së bashku. Këto kërcënime kibernetike janë rritur dhe po rrezikojnë që të qojnë edhe në eskalim konflikti mes shteteve”.
“Reformat vendore dhe bashkëpunimet ndërkombëtare janë të domosdoshme për ta adresuar këtë çështje në Ballkanin Perëndimor. Është me rendësi që të ketë mekanizma që të mbikëqyr sigurinë kibernetike”.
Në temën “Siguria kibernetike: A është dezinformimi kërcënimi i radhës?”, edicioni i 5-të do të fokusohet kryesisht në kornizën ligjore të Kosovës për sigurinë kibernetike dhe dezinformimin si kërcënim kibernetik nga një perspektivë globale.
Gjithë gjithë ditës do të mbahen panele të diskutimit në lidhje me këtë çështje. Pjesëmarrës në konferencë është edhe kreu i Qeverisë, Albin Kurti.
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak është deklaruar për medie pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.
Para gazetarëve ai tha se me Kurtin kanë diskutuar për hapet e më tejshëm të dialogut. Përderisa sqaroi se do të shkojë në veri që të bisedoj me qytetarët atje.
Ai madje ka paralajmëruar një takim ndërmjet zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtorit të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
“Erdha të diskutoj me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi rrugën përpara drejt normalizimit pas takimit të 2 majit”.
“Është e rëndësishme që ne kemi kuptuar qartë sekuenca e hapave dhe ne kishim një diskutim të rëndësishëm në të gjitha aspektet. Të njëjtin diskutim do ta kem nesër edhe në Beograd”, tha Lajçak.
Lajçaku do të qëndrojë të enjten në Prishtinë, ndërkaq një ditë më vonë do të vizitojë Beogradin.