ATV

Tag: Ballina

  • SHBA dhe Ukraina dënojnë pjesëmarrjen e Vulinit në një konferencë në Moskë

    SHBA dhe Ukraina dënojnë pjesëmarrjen e Vulinit në një konferencë në Moskë

    Ambasadat e Ukrainës dhe të Shteteve të Bashkuara në Beograd, e kanë kritikuar, veç e veç, pjesëmarrjen e drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) të Serbisë, Aleksandër Vulin, në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Moskë.

    Ambasada e Ukrainës, ka thënë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë se, Serbia dhe Ukraina synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, dhe se, në këtë kontekst, Serbia duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

    “Ne llogarisim në faktin se vendi kandidat për anëtarësim në BE do t’i bashkohet politikës së përbashkët evropiane ndaj shtetit agresor, Federatës Ruse”, ka thënë Ambasada e Ukrainës.

    Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë se, “askush nuk duhet t’i japë legjitimitet veprimit rus, duke bashkëpunuar me Kremlinin, sikur gjithçka është në rregull”.

    “Agresioni i Rusisë kundër fqinjit të saj paqësor, Ukrainës, është i paligjshëm dhe i paarsyeshëm. Vladimir Putin filloi këtë luftë brutale. Ai mund, dhe duhet t’i japë fund menjëherë, dhe të ndalojë vdekjen dhe shkatërrimin që po shkakton lufta e tij”, ka thënë mes tjerash Hill.

    Qeveria e Serbisë dhe BIA pa përgjigje

    Media shtetërore ruse ka raportuar më 24 maj se drejtori i BIA-s, Vulin, ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Moskë.

    Informacioni zyrtar për pjesëmarrjen e tij në Konferencën në Moskë, nuk është publikuar në faqet e internetit të institucioneve zyrtare në Serbi.

    As Qeveria e Serbisë, nuk është përgjigjur në pyetjet e REL-it lidhur me këtë çështje.

    Në fotot e publikuara nga Russia Today Balkan, në gjuhën serbe, si pjesë e lajmeve të 24 majit, Vulin shihet me pjesëmarrësit e tjerë të Konferencës, përfshirë Millorad Dodikun, presidentin e Republikës Sërpska – njërën prej entiteteve të Bosnje-Hercegovinës.

    Pyetjes së REL-it, lidhur me këtë çështje, nuk i është përgjigjur BIA.

    Lëvizja Socialiste, themeluesi i së cilës është Vulin, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk janë në dijeni për aktivitetet e tij si drejtor i BIA-s, sepse “menjëherë, pasi është emëruar në pozitën e drejtorit të BIA-s, ai ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Lëvizjes Socialiste, dhe e ka pezulluar anëtarësinë e tij në parti”.

    Lëvizja Socialiste është partnere e koalicionit me Partinë Progresive Serbe, në pushtet.

    Vulin është një nga zyrtarët e paktë evropianë që ka vazhduar vizitat te zyrtarët rusë në Kremlin, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.

    “Lëvizje kundërproduktive”

    Një pjesëmarrje e tillë sigurisht që dërgon një imazh negativ në botë, veçanërisht për partnerët tanë, që janë investitorët më të mëdhenj, dhe gjithashtu partnerët më të mëdhenj tregtarë sot, ka thënë në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Darko Obradoviq nga Qendra joqeveritare për Analiza Strategjike, me seli në Beograd.

    “Mendoj se është kundërproduktive që dikush nga Serbia të marrë pjesë në konferencat parandërkombëtare të Moskës”.

    Sipas tij, lëvizjet e zyrtarëve në politikën e jashtme “duhet të jenë në përputhje me interesat strategjike të Serbisë”.

    “Bashkëpunimi ndërkombëtar për sigurinë bazohet në orientimet e politikës së jashtme dhe duhet të shtrohet pyetja e saktë, se deri kur Serbia do ta mbajë bashkëpunimin e sigurisë me Rusinë dhe për çfarë interesi”, ka thënë mes tjerash Obradoviq.

    Sipas të dhënave zyrtare, Bashkimi Evropian, në të cilin Serbia aspiron anëtarësimin, ka qenë investitori dhe partneri tregtar i jashtëm më i rëndësishëm i Serbisë në 10 vjetët e fundit.

    “Shqetësim për qytetarët rusë në Serbi”

    Petr Nikitin nga Shoqëria Demokratike Ruse, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se bashkëpunimin e kreut të Shërbimit sekret serb me Rusinë, e sheh si “shqetësues për qytetarët rusë që jetojnë në Serbi, dhe që thonë mendimin e tyre”.

    Shoqëria Demokratike Ruse është një shoqatë e diasporës ruse në Serbi. Anëtarët e saj e kundërshtojnë pushtimin rus të Ukrainës.

    Megjithatë, siç ka thënë Nikitin, pjesëmarrja e Vulinit në Konferencën e Sigurisë në Moskë, është çështje e qytetarëve të Serbisë.

    “A është në rregull që zyrtarët e lartë të Serbisë të shoqërohen me një pushtet të tillë (të Rusisë) dhe të flasin me të, dhe cilat janë avantazhet e një sjelljeje të tillë për Serbinë?”

    Nikitin është aktivist kundër luftës, i cili për shumë vite jeton në Beograd, dhe që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, ka marrë pjesë në organizimin e tubimeve në mbështetje të Ukrainës.

    Për këtë shkak, ai ka qenë vazhdimisht në shënjestër të sulmeve nga lëvizjet dhe organizatat e djathta.

    Nga fillimi i luftës në Ukrainë, e deri në dhjetor të vitit 2022, sipas të dhënave zyrtare, besohet se më shumë se 380.000 rusë kanë shkuar në Serbi.

    Megjithatë, jo të gjithë kanë qëndruar. Aktualisht, rreth 30 mijë prej tyre jetojnë në Serbi.

    Më 24 maj, disa media në Serbi publikuan lajmin se në Konferencën në Moskë po merr pjesë edhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq.

    Daçiq e ka mohuar më pas këtë informacion.

    Ai ka thënë se nuk ka marrë ftesë për të marrë pjesë në atë konferencë, dhe për këtë arsye as që ka planifikuar udhëtim në Rusi.

    “Nuk kam marrë as ftesë për ndonjë konferencë, kështu që as që ishte planifikuar të merrja pjesë në të”, ka thënë Daçiq, më 25 maj.

    Në hapjen e Konferencës, e cila zyrtarisht quhet Takimi i 11-të Ndërkombëtar i Përfaqësuesve të Lartë për Çështjet e Sigurisë, ka folur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

    Siç kanë raportuar mediat shtetërore ruse, Putin ka paralajmëruar forcimin e lidhjeve me vendet mike.

    Serbia, me gjithë përpjekjet e saj për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian, refuzon të harmonizojë politikën e saj të jashtme me bllokun evropian, dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

  • Partia serbe “Zavetnici” i kërkon qeverisë “të shpallë okupimin e Kosovës”

    Partia serbe “Zavetnici” i kërkon qeverisë “të shpallë okupimin e Kosovës”

    Partia serbe “Zavetnici” i ka bërë thirrje Qeverisë së Serbisë që “të shpallë okupimin e Kosovës”, duke thënë se të njëjtën gjë e ka thënë edhe drejtori i të ashtuquajturës “Zyrës për Kosovë”, Petar Petkoviq pas betimit të kryetarëve shqiptarë nëpër katër komunat veriore.

    “Pas vendosjes së autoritetit të institucioneve të vetëshpallura në Prishtinë dhe në katër komuna në veri të krahinës, mund të konstatojmë se asnjë pëllëmbë e Kosovës nuk është e lirë nga çizma e Prishtinës”, thotë “Zavetnici”, raporton “Danas”, transmeton Klankosova.tv.

    “Marrja e një vendimi zyrtar që do të përcaktonte gjendjen e okupimit është e vetmja mënyrë për të mbrojtur interesat shtetërore dhe kombëtare, si dhe sigurinë e popullit serb në Kosovë dhe Metohi, në këtë moment”, theksohet në këtë komunikatë.

    Partia “Zavetnici” është parti politike e së djathtës ekstreme në Serbi. Ata e përkufizojnë veten si parti politike konservatore dhe rusofile dhe kundërshtojnë anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

    Kujtojmë se dje, tre kryetarë të zgjedhur kanë dhënë betimin e tyre për të drejtuar tri komunat veriore të vendit – Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Ai i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, betimin e ka dhënë ditë më parë.

  • Kryetarët e rinj zotohen se do të punojnë në të mirë të qytetarëve

    Kryetarët e rinj zotohen se do të punojnë në të mirë të qytetarëve

    Kryetarët e rinj të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit – komuna të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës – bënë të enjten betimin në pozitat e tyre.

    Të tre ata u zotuan se do të punojnë në të mirë të qytetarëve, duke respektuar ligjin.

    “Uroj që ne, tani e tutje, të jemi në nivel të përgjegjësisë më të lartë, duke ua ofruar qytetarëve të Komunës së Zubin Potokut, pa asnjë dallim, të gjitha shërbimet”, tha kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

    “Do të shkojmë në komunë të Zubin Potokut. Të gjitha objektet që u takojnë qytetarëve dhe komunës, do të jenë në posedim të të gjitha dikastereve të drejtuara nga kabineti im”, tha ai pas betimit.

    Ceremonia e betimit të Zeqirit u zhvillua në objektin e Zyrës komunale për komunitete, në fshatin Çabër të Zubin Potokut, ndërsa ceremonia për Ilir Pecin në Zveçan u zhvillua në shkollën fillore “Isa Boletini”, në fshatin Boletin të kësaj komune.

    “Do të punoj për të gjithë. Do të jem i barabartë për të gjithë qytetarët e Komunës së Zveçanit”, tha Peci.

    Betimin e bëri të enjten edhe kryetari i ri i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, në objektin e shkollës fillore “Kadri Bistrica” në fshatin Bistricë të kësaj komune.

    Ai tha se, aktualisht, do ta ushtrojë detyrën e tij nga një zyrë në këtë fshat, por, sipas tij, “është afër dita” kur do të shkojë në komunë.

    “Ne do të shkojmë me qeveri aty [te objekti i komunës], ku kemi fituar, sepse nga këtu nuk ushtrohet detyra e kryetarit… Nëse nuk mundemi, do të shkojmë në zgjedhje prapë”, tha Hetemi.

    Ai, po ashtu, njoftoi se nënkryetare e Komunës së Leposaviqit do të jetë Dragana Milletiq e komunitetit serb, ndërsa kryetar i Asamblesë, Gorski Buriq, gjithashtu nga komuniteti serb.

    Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, u betua më 19 maj.

    Kryetarët e këtyre katër komunave me shumicë serbe – që të gjithë shqiptarë – kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb, pas kërkesës së partisë së tij kryesore, Lista Serbe.

    Katër komunat në veri kanë qenë pa kryetarë qysh në fillim të nëntorit, kur udhëheqësit e tyre – që të gjithë nga Lista Serbe – kanë dhënë dorëheqje.

    Institucionet e Kosovës i kanë braktisur edhe zyrtarë të tjerë serbë në veri, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë në Prishtinë, për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe.

    Pjesëtarët e komunitetit serb i kanë bojkotuar zgjedhjet e prillit dhe kanë thënë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar.

    Pjesëmarrja në këto zgjedhje ka qenë 3.47 për qind.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qytetarët serbë janë të frikësuar nga Beogradi zyrtar, por ka theksuar se Qeveria e tij synon t’i funksionalizojë institucionet, në mënyrë që të garantohen shërbime publike për të gjithë qytetarët.

    Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, i ka dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës deri më 1 qershor për të ndaluar, siç ka thënë, “represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve”.

    Edhe pse nuk ka sjellë ndonjë provë për këto pretendime, ai ka thënë se, në të kundërtën, “përgjigjja e popullit serb do të pasojë më 1 qershor” me “të gjitha mjetet”.

    Simiq nuk ka specifikuar më shumë.

    Reagimet nga Beogradi

    Nga Beogradi zyrtar ka pasur, po ashtu, reagime kundër kryetarëve shqiptarë në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

    Duke nënvizuar se “ata nuk do të pranohen kurrë si kryetarë”, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kjo është përpjekje për “presion mbi serbët” që “të largohen nga shtëpitë e tyre”.

    Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka quajtur
    “pushtim” ardhjen në detyrë të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, duke thënë se me veprimet e tyre, “Kurti dhe Prishtina [zyrtare] duan ta dëbojnë popullin serb nga Kosova dhe të provokojnë luftë”.

    As Vuçiq, as Petkoviq nuk kanë ofruar asnjë provë që do t’i mbështeste pretendimet e tyre.

    Çfarë ka thënë komuniteti ndërkombëtar?

    Shtetet e QUINT-it (SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuara, Gjermania, Franca dhe Italia) kanë shprehur shqetësimin e tyre për zgjedhjet lokale të mbajtura në veri të Kosovës më 23 prill, duke thënë se ato nuk përbëjnë zgjidhje politike të qëndrueshme për komunat e përfshira, për shkak të bojkotimit nga komuniteti serb.

    Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, të publikuar më 18 maj, këto shtete u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve “që urgjentisht të punojnë së bashku, me të gjitha palët e interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme, përfaqësuese dhe pjesëmarrëse në këto komuna”. /REL

  • Mustafa: Kurti e ka pranuar edhe asociacionin edhe vetmenaxhimin

    Mustafa: Kurti e ka pranuar edhe asociacionin edhe vetmenaxhimin

    Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se kryeministri Kurti ka pranuar, me marrëveshjen e arritur në Bruksel, të përfunduar në Ohër, ka pranuar edhe Asociacionin, edhe vetmenaxhimin e komunave me shumë serbe.

    “Kryeministri mund të shtrojë teza teorike para opinionit, mirëpo kryeministri i ka pranu të dyja. Kryeministri e ka pranu edhe vetmenaxhimin, e ka pranuar edhe Asociacionin. Kryeministri është përbetuar që do të zbatojë pikën 10 të marrëveshjes, në të cilën thuhet se do të implementohen të gjitha marrëveshjet që janë arritë përpara”, tha Mustafa.

    Mustafa tha se Kurti do të zbatojë edhe pikën 7 për vetmenaxhimin sepse ai ka shprehur edhe gatishmëri që ta nënshkruajë edhe marrëveshjen e shkurtit dhe planin e zbatimin e Ohrit. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Varhely thotë se Kosova e Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet pa vonesë

    Varhely thotë se Kosova e Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet pa vonesë

    Kosovës i është bërë me dije edhe nga një tjetër zyrtar i lartë evropian se duhet ta themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, e se nga normalizimi i raporteve me Serbinë do të përfitonte i tërë rajoni.

    Komisioneri Evropian për Zgjerim, Olivier Varhelyi, gjatë vizitës në Prishtinë ka theksuar që Kosova e Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet pa vonesë.

    Varhely pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, tha se Kosova duhet të vazhdojë me reforma sidomos në fushën e drejtësisë, duke theksuar se duhet të vazhdohet lufta kundër krimit të organizuar.

    “Të gjitha palët duhet t’i zbatojnë marrëveshjet që janë dakorduar, përfshirë ato të viteve 2013 e 2015, dhe atë për themelimin e Asociacionit. Duhet luftimi i nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kosova është në fazë të hershme sa i përket adresimit të këtyre çështjeve. Kosova është vend strategjik për tërheqjen e bizneseve, por për këtë duhet krijuar kushtet e volitshme”, tha Varhely.

    Komisionieri Evropian është pritur në takim edhe nga kryeministri Kurti. Ai ka përmendur edhe rastet e dhunës dhe presioneve ndaj mediave, duke kërkuar që të ndalen.

    Ndërkohë, në konferencën për media është bërë e ditur se Bashkimi Evropian do të financojë programin për sundim të ligjit në vlerë prej 6.5 milionë eurosh.

    Qëllimi i këtij programi sipas njoftimit të Komisionit Evropian është përshtatja e mëtejme e veprimeve të Kosovës në forcimin e ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar me standardet e BE-së, i cili pritet të zbatohet në një periudhë kohore prej tre vjetësh. /atvlive.tv

  • Mustafa  komenton marrëveshjen e Ohrit, këto janë kritikat e tij

    Mustafa komenton marrëveshjen e Ohrit, këto janë kritikat e tij

    Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në emisionin CONTEXT në ATV, duke komentuar marrëveshjen e arritur në Bruksel, të përfunduar në Ohër, tha se nga kjo marrëveshje, palët janë të obliguara t’i implementojnë të gjitha marrëveshjet e më hershme, pra atë të vitit 2013 dhe parimet e asaj të vitit 2015.

    “Këtu janë dy detyra te ndara, por ndoshta që mund të gërshetohen njëra me tjetrën. Sepse pika 7 e marrëveshjes së Brukselit, pastaj e përfunduar me planin e implementimin në Ohër, flet për vetmenaxhimin e komunitetit serb, ose për gjetjen enjë zgjidhje në bazë të praktikës evropiane, e cila do të mundësonte në nivel të duhur, të vetmenaxhimit të serbëve, duke përfshirë edhe ofrimin e shërbimeve të ndryshme për komunitetin, shërbime të veçanta për komunitetin serb atje, pastaj vjen edhe çështja e kishës ortodokse serbe, dhe është pastaj pika 10 e marrëveshjes e cila flet se të dy palët duhet t’i implementojnë pa asnjë vërejtje, pa asnjë kundërshtim të gjitha marrëveshjet që janë arritë në marrëveshjen e Brukselit”. Tha Mustafa.

    Sipas tij, në marrëveshjen e vitit 2013, po ashtu edhe në atë të vitit 2015, askund nuk është përmendur vetmenaxhimi, por se aty është Asociacioni.

    “Në këtë pikën 10 qëndrojnë edhe marrëveshjet për Asociacionin, fakt është se është aty një marrëveshje, marrëveshje e vitit 2013 e cila është ratifikuar në Kuvend me ligj. Plani i implementimit të asaj marrëveshje që po ashtu është arritë në vitin 2013. Dhe pastaj marrëveshja e vitit 2015 që përfshinë vetëm parimet themelore ose një ide, një koncept se si do dukej ai Asociacion për të cilin është aprovuar, është ratifikuar marrëveshja në vitin 2013. Ndërkaq, në atë kohë nuk është folur për vetmenaxhim, në asnjë rast. Edhe në marrëveshjen e vitit 2013, edhe parimet e vitit 2015, flasin sepse në parime është kopjuar 2013-ta, edhe thuhet se shprehimisht ‘Asociacioni do të ketë vështrim të plotë’”, tha Mustafa.

    Ai tha se, për të, vetëmenaxhmi është një koncept krejt tjetër.

    “Me pas vështrim, do të thotë me qenë të njohur anëtarët e Asociacionit, për çështje të arsimit, edhe çështje tjera, është një çështje krejt tjerë. Ndërkaq, me vetmenaxhu, do të thotë është e drejtë që ata të pavarur nga pushteti qendror të menaxhojnë me ato fusha apo fusha tjera”, tha Mustafa. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Varhelyi takon Rakiqin: Themelimi i Asociacionit, parakusht për progresin e Kosovës drejt BE-së

    Varhelyi takon Rakiqin: Themelimi i Asociacionit, parakusht për progresin e Kosovës drejt BE-së

    Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka qëndruar në Mitrovicë të Veriut pasdite.

    Ai është takuar me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, derisa ka përmendur procesin e formimit të Asociacionit, transmeton KlanKosova.tv.

    “Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është parakusht për normalizim dhe përparim të Kosovës në rrugën drejt BE-së”, është shprehur Varhelyi pas takimit.

    Ai ka thënë se me Rakiqin kanë diskutuar edhe për mbështetjen e BE-së ndaj rajonit.

  • Betimi i tre kryetarve të rinj në veri jashtë objeketeve komunale/ Dugolli: Nuk e bënë ndërtesa funksional një kryetar komune

    Betimi i tre kryetarve të rinj në veri jashtë objeketeve komunale/ Dugolli: Nuk e bënë ndërtesa funksional një kryetar komune

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, në një intervistë në emisionin DIREKT në ATV, duke komentuar betimin e tre kryetarëve të rinj të komunave veriore, të cilët betimin e bënë jo në objektet komunale, tha se ky ka qenë një proces ceremonial dhe se ndërtesa nuk e bën funksional një asamble komunale apo një kryetar të zgjedhur nga votat e qytetarëve.

    “Ne, si Qeveri edhe si Institucione, në vazhdimësi kemi thënë dhe jemi angazhu që të kalojë ky proces pa tensione, për të mos u dhënë shkas pretendimeve të Serbisë se ne po dojmë të instalojmë diçka dhunshëm dhe kemi qenë të kujdesshëm që në ato objekte ku ka pasur vlerësime se mund të ketë tensionim të situatës apo mund të zhvillohet ndonjë skenë jo e këndshme, nuk kemi dëshiruar që ta çojmë përpara, por ta zhvillojmë një proces krejt normal ligjor inaugurimin e kryetarëve dhe të asambleve, për shkak se është krejt ceremonial dhe nuk e pengon fare kryetarin dhe asamblenë që të merr vendime në të mirën e qytetarëve në të ardhmen. Tash e tutje, edhe ato pjesë i kanë kryetarët e vet, i kanë asambletë funksionale për marrjen e vendimeve, për realizimin e buxhetit dhe ofrimin e shërbimeve”, tha Dugolli.

    Ai tha se nuk e mohon faktin që do të ishte më mirë që betimi i kryetarëve të rinj të bëhet në objektet komunale, por sipas tij, ky proces është kryer në ato kushte dhe rrethana, megjithatë në objekte publike. /atvlive.tv

  • Zeqiri: Pres që të ketë pranim-dorëzim të gjithçkaje që i përket komunës, ndryshe do të përdorim masa të tjera

    Zeqiri: Pres që të ketë pranim-dorëzim të gjithçkaje që i përket komunës, ndryshe do të përdorim masa të tjera

    Kryetari i ri i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, i cili sot bëri betimin në fshatin Çabër, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin DIREKT në ATV, tha se është i interesuar që të ketë një pranim-dorëzim dhe gjithçka të shkojë në mënyrë të rregullt, në të kundërtën, ai thotë se do të marrin masa të tjera.

    Ai tha se ende nuk i posedon as vulat e komunës, as dokumentacionin, as veturat komunale e as gjërat e tjera që i përkasin komunës së Zubin-Potokut.

    “Jo nuk i kemi (vulat). Unë kam qenë dhe jam shumë i interesuar që gjithçka të shkojë mbi bazat të marrëveshjes. Për mua kishte me qenë e rregullt të bëhet pranim-dorëzimi i gjithçkaje në mënyrën e rregullt çfarë duhet, mirëpo do të insistojmë që ajo të bëhet asisoji, në mënyrën më të mirë të rregullt ashtu siç edhe e lypin ligjet, edhe rregulloret e pas këtyre proceseve. Mirëpo, në qoftë se jo, ne do të përdorim masa të tjera të gjërave, sepse është e vërtetë që nuk e kemi as protokollin, as vulat, as automjetet që i posedon komuna dhe ato konsideroj që keqpërdoren”, tha Zeqiri. /atvlive.tv

  • Zeqiri tregon pse nuk e bëri betimin në objektin komunal

    Zeqiri tregon pse nuk e bëri betimin në objektin komunal

    Kryetari i ri i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, i cili sot bëri betimin në fshatin Çabër, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin DIREKT në ATV, tha se arsyeja pse ky betim nuk u bë në objektin e komunës, erdhi pas një qëndrimi të përbashkët me Ministrinë e Pushtetit Lokal.

    “Fillimisht ne ishim të orientuar që t’i mbajmë edhe këto seanca në objektet komunale, por duke u rekomanduar edhe nga Ministria e Pushtetit Lokal, më në fund u harmonizuam edhe morëm një vendim të përbashkët dhe besoj që është më mirë kur jemi të harmonizuar dhe të jemi në qëndrime e hapa të përbashkët që është më mirë për të gjithë”, tha Zeqiri. /atvlive.tv