ATV

Tag: Ballina

  • Varhelyi shkruan për takimin me Kurtin, vë theksin te Asociacioni

    Varhelyi shkruan për takimin me Kurtin, vë theksin te Asociacioni

    Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe kabinetin e tij qeveritar.

    Për këtë takim ka shkruar Varhelyi në një postim në Twitter, duke theksuar temat për të cilat kanë biseduar.

    “Diskutim i hapur me kryeministrin Albin Kurti, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe anëtarët e kabinetit [qeveritar] mbi progresin e rrugës europiane të Kosovës. BE-ja po ofron mbështetje të madhe për zhvillimin ekonomik të lidhur me zbatimin e mëtejshëm të reformave dhe zbatimin e marrëveshjes së dialogut, duke përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, tha ai.

    Në konferencën e përbashkët që pati më herët me Osmanin, Varhelyi tha se presin që marrëveshja Kosovë-Serbi të zbatohet pa kushte.

    “Është bërë progres në vitin e kaluar. Tash është esenciale që të dyja palët t’i zbatojnë të gjitha obligimet pa vonesa, sepse duhet ta shfrytëzojmë momentumin. Të ecim para me zbatimin e marrëveshjes sa më parë dhe të zbatohen pa kushte”, tha ai, duke përmendur edhe konkluzat e Këshillit Europian.

  • “Defender 23”, në Kosovë organizohet Dita e Vizitorëve

    “Defender 23”, në Kosovë organizohet Dita e Vizitorëve

    Në Kosovë po zhvillohet ushtrimi më i madh ndërkombëtar ushtarak në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe ‘23”. Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se me 30 maj do të organizohet Dita e Vizitorëve të Shquar.

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve, dhe nga vendet partnere, pritet të jenë pjesë e kësaj ditë në kuadër të ushtrimit që po zhvillohet në Babaj të Bokës.

    Vizita do të zhvillohet në Aeroportin e Gjakovës pastaj do të lëvizin për në Babaj të Bokës.

    Gjithashtu, mediat do të mund të filmojnë pjesë nga aktivitetet ushtarake.

    “Defender 23” në Kosovë ka nisur më 21 maj, ushtrim ky që udhëhiqet nga ushtria amerikane dhe synim ka rritjen e ndërveprueshmërinë në mes të partnerëve si dhe gatishmërinë operacionale të NATO-s dhe partnerëve për të reaguar në rast kërcënimi ndaj kontinentit të Evropës.

    Gjatë këtij ushtrimi do të validohen kapacitetet e këmbësorisë së FSK-së, atij të regjimentit të parë.

    Kosova ka qenë nikoqire e këtij ushtrimi edhe në vitin 2021 por sivjet Forca ka pjesëmarrje më të madhe, me mbi 1300 pjesëtarë.

    Ndërsa janë mbi 300 pjesëtarë të njësive partnere që kanë zbarkuar bashkë me FSK-në në Babaj të Bokës-vendi ku po zhvillohet ushtrimi.

    Pjesë e “Defender Europe 23” janë 25 vende të NATO-s me mbi 22 mijë trupa ushtarak.

  • Varhleyi kërkon që Kosova e Serbia t’i zbatojnë pa vonesë marrëveshjet e dialogut

    Varhleyi kërkon që Kosova e Serbia t’i zbatojnë pa vonesë marrëveshjet e dialogut

    Komisioneri për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhleyi, bëri thirrje që të respektohen të gjitha marrëveshjet e arritura me Serbinë, përfshirë këtu edhe marrëveshjen e viti 2015.

    Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani ai shtoi se përmes një dialogu të suksesshëm do të përfitojnë të gjithë. Sipas tij, të dyja palët duhet t’i zbatojnë pa kushte marrëveshjet e dakorduara.

    Ai tha se në takim pati një diskutim të mirë dhe të frytshëm dhe se i kanë prekur të gjitha elementet e progresit që i ka arritur Kosova në të kaluarën.

    “Ne e patëm një diskutim shumë të mirë dhe të frytshëm, mendoj që kemi prekur të gjitha  element e progresit. Mendoj që ka një porosi e qartë që vjen gjithmonë nga Kosova dhe Prishtina dhe kjo është se Kosova është e përkushtuar për përafrimin e saj me BE, ju e keni treguar këtë. përkushtim. Nga 1 janari qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza, ky është një sukses i përbashkët që jo vetëm që do të përjetohet por edhe do të shfrytëzohet”.

    “Jemi duke ardhur me raportin vjetor, kemi diskutuar për ta parë se deri sa është arritur kryerja e reformave. Këto reforma duhet të zbatohen, duhet të shihet si janë kryer reformat, kjo është kritike. E kemi prekur edhe temën e gjyqësorit sepse administrata është e ngadalshme, kemi raste të ndikimeve dhe kjo përbën një sfidë të madhe, kështu që kërkojmë zotimin e qeverisë që të gjitha praktikat të jenë në pajtim me Komisionin e Venecias. Kosova ka luftuar edhe në luftimin e korrupsionit duhet ti gjejmë edhe disa vendime të duhura”.

    “Jemi këtu dhe kemi zotimin e Qeverisë dhe presim që të gjitha politikat të vihen në zbatim. Kosova ka një ambient pluralizmi të mediave, dhuna ndaj mediave duhet të ndalet. Kemi prekur edhe situatën ekonomike. Shohim lajme të mira që kemi një rimëkëmbje pas pandemisë. Kosova duhet të bëjë rritje sa i përket konkurrencës edhe ekonomisë, duhet të bëhet hapa për investirot, duhet të krijohet klima për investitor. Ne mbetemi të zotuar që të jemi të pranishëm në Kosovë në çdo fushë. Duhet të respektohen të gjitha marrëveshjet që janë arritur me Serbin, i gjithë rajoni do të përfitoj nga normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Një dialog ti tillë do të sjell edhe rezultat”, tha ai.

  • Mithat Micky Haxhiislami, promovuesi i Kosovës në Japoni flet për angazhimin e tij atje

    Mithat Micky Haxhiislami, promovuesi i Kosovës në Japoni flet për angazhimin e tij atje

    Mithat Micky Haxhiislami, kryetar i shoqatës së miqësisë japoneze-kosovare, i ftuar në emisionin e mëngjesit “Alarm”, në ATV ka folur rreth kontributit të tij në në promovimin e vlerave të atdheut, Kosovës dhe atyre kombëtare, në Japoni.

    “Së fundi është krijuar shoqata e miqësisë kosovare në Japoni, po mblidhemi pak më shpesh, kjo shoqatë është krijuar gjatë kohës së pandemisë, shihemi shpesh jemi në kontakt të vazhdueshëm. Sigurisht që vështirësi ka pasur por para se të vendosem në Tokyo unë kam shkuar rregullisht, ndoshta çdo 6 muaj atje dhe jam përshtatur shumë atje., por do të thoja e një vështirësi do ishte komunikimi, sepse ata nuk janë njohës të mirë të gjuhëve të huaja dhe ndoshta sepse ata e dëshirojnë privatësinë e vetë, gjithmonë ti duhesh me qenë ai që i afrohesh e komunikon”, tha ai.

    Ai tha se përveç angazhimit të tij për të promovuar Kosovën, ai përmendi martesën e tij me një japoneze, për çka tha se ishte edhe arsyeja kryesore, pse ai u vendosë në Tokyo.

    “Natyrisht që martesa ime dhe bashkëshortja ishte arsyeja primare që unë jam vendosë në Tokyo. Përndryshe Japonia nuk është vend i njohur për të huaj, nuk është vend shumë miqësor jo në atë aspektin negativ, por se komunikimi është i vështirë”, shtoi tutje ai./ATVLIVE.TV/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Betohet kryetari i ri i Zubin Potokut ,​Izmir Zeqiri

    Betohet kryetari i ri i Zubin Potokut ,​Izmir Zeqiri

    Në një seancë solemne në zyrat lokale në fshatin Çabër të Zubin Potokut u betua kryetari i ri i kësaj komune, Izmir Zeqiri.

    Duke iu drejtuar të pranishmëve kryetari premtoi se do të punojë drejt, ndershëm dhe në mënyrë të paanshme për të gjithë qytetarët e kësaj komune pa dallim.

    Ndërsa, të premten (19 maj) në seancë solemne në objektin e Komunës së Mitrovicës Veriore është betuar si kryetar, Erden Atiq, i cili ka emëruar edhe katër drejtorë komunalë. Vendimi i parë që Atiq ka marrë, ka qenë emërimi i Katarina Agjanqiq nga komuniteti serb si nënkryetare të komunës.

  • Tre kryetarët e komunave veriore sot betohen në ndërtesa publike

    Tre kryetarët e komunave veriore sot betohen në ndërtesa publike

    Tre kryetarët e komunave veriore sot betohen në ndërtesa publike. Kryetarët e zgjedhur në tri komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan pritet të betohen të enjten në orën 10:00 Kështu ka bërë të ditur të mërkurën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Ai në mbledhjen e qeverisë ka thënë se nuk është normale që tash e 6 muaj këto komuna kanë mbetur pa kryetar, por edhe qytetarët pa shërbime komunale.

    Shefi i ekzekutivit kosovar deklaroi se veprimet e tyre kanë në qendër funksionalizimin demokratik të institucioneve shtetërore dhe garantimin e shërbimeve publike për të gjithë qytetarët pa dallim.

    Ndërsa, të premten (19 maj) në seancë solemne në objektin e Komunës së Mitrovicës Veriore është betuar si kryetar, Erden Atiq, i cili ka emëruar edhe katër drejtorë komunalë. Vendimi i parë që Atiq ka marrë, ka qenë emërimi i Katarina Agjanqiq nga komuniteti serb si nënkryetare të komunës.

  • Komisioneri Evropian, Olivier ​Varhelyi sot viziton Kosovën

    Komisioneri Evropian, Olivier ​Varhelyi sot viziton Kosovën

    Komisioneri Evropian për Zgjerim, Olivier Varhelyi, sot do ta vizitojë Kosovën.

    Ai pritet të takohet të takohet me krerët shtetërorë, si dhe me përfaqësuesit e opozitës.

    Sipas njoftimit të presidencës, Varhelyi në ora 12:00 do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, derisa bëhet e ditur se pas takimit do të ketë konferencë për media.

    “Këto takime do të jenë një mundësi për të shqyrtuar marrëdhëniet BE-Kosovë dhe për të diskutuar zhvillimet e fundit, si dhe reformat kryesore, duke përfshirë fushën e reformës në drejtësi, tranzicionit energjetik dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kabineti i Varhelyit.

    Është bërë e ditur po ashtu se komisioneri Varhelyi dhe ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, do të lansojnë Programin për Çështjet e Brendshme BE-Kosovë, me qëllim që të harmonizohen më tej veprimet e Kosovës në zbatimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar me standardet e BE-së.

  • Murati: Pensionet do të rriten sivjet dhe vitin tjetër

    Murati: Pensionet do të rriten sivjet dhe vitin tjetër

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në emisionin CONTEXT në ATV, tha mbrëmë se pensionet do të rriten këtë vit, duke vijuar edhe përgjatë vitit tjetër, në kuadër të reformave pensionale dhe skemave sociale që sipas tij, veçse kanë filluar.

    Këto reforma, ai tha se pritet të përfundojnë gjatë viteve 2023 dhe 2024. Aktualisht, Murati deklaroi se janë në proces të plotësim-ndryshimit të ligjit, që i mundëson këto reforma për të qenë sa më gjithëpërfshirëse.

    “Patjetër që po. Tash jemi në proces të plotësim-ndryshim të ligjit. Plani ka qenë më herët. Po po, edhe sivjet. Reformat e përgjithshme, ka gjëra të tjera, ndryshim të strukturës se si trajtohet Trusti Pensional”, tha ai.

    Gjithashtu, Murati bëri të ditur se është pilotuar edhe projekti për ekipet mobile që do të fillojnë t’i vizitojnë vetë pensionistët. Kjo i mundëson pensionistëve që mos të paraqiten më nëpër sportele për të dëshmuar nëse janë gjallë.

    “Për këtë vit, parashihet të hiqet kriteri diskriminues që ka të bëjë me 15-vjetëshin e stazhit të Punës. Duhet të bëhet sivjet. Këtë e ka kushtëzuar Kushtetuesja. Kemi pasur program, jemi vonuar një vit e gjysmë për shkak të reformave”, tha ai.

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Kryetarët në veri “nisin prej zeros”

    Kryetarët në veri “nisin prej zeros”

    Dhënia e betimit solemn nga ana e kryetarëve të tri komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – si dhe konstituimi i asambleve komunale në dy komunat e fundit, më 25 maj, nuk paraqesin sfidë, vlerësojnë kryetarët e rinj të këtyre komunave.

    Sipas tyre, sfidat për ushtrimin e funksioneve, ballafaqimi me problemet infrastrukturore e të tjera do të nisin pas këtyre solemniteteve.

    Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur të mërkurën se, për arsye sigurie, kryetarët e rinj do të betohen në ndërtesa publike në këto komuna, e jo në kuvendet komunale.

    Në ndërtesa publike do të mbahen edhe seancat konstituive për asambletë komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.

    Kryetarët e rinj – që të gjithë shqiptarë – kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb, pas kërkesës së partisë së tij kryesore, Lista Serbe.

    Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, e ka bërë betimin para kuvendit komunal, më 19 maj.

    Komuna e Mitrovicës së Veriut e ka objektin e saj, ndërsa në tri komunat tjera, deri më tash, në të njëjtat objekte komunale kanë vepruar edhe institucionet komunale sipas sistemit të Kosovës, edhe të ashtuquajturat organe të përkohshme sipas sistemit të Serbisë.

    Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Nenad Radosavleviq, vlerëson se kryetarët e rinj kanë të drejtë të punojnë në objektet kryesore komunale.

    Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare Çohu, thotë se kryetarët e rinj të komunave në veri, por edhe asambletë komunale do të kenë mjaft vështirësi për ushtrimin e mandateve dhe funksioneve.

    Qasja në objekte komunale – sfidë

    Kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, pritet ta bëjë betimin solemn në fshatin Çabër të kësaj komune, në objektin e zyrës komunale për komunitete.

    Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë objekt janë zyrat për regjistrimin civil, për lëshimin e pasaportave, drejtoria për çështje sociale dhe të tjera.

    Ky kompleks i zyrave, sipas tij, mjafton si pikënisje për punën dhe ushtrimin e funksioneve komunale. Por, shton ai, në rast se nuk bëhet një dorëzim i detyrës nga ish-kryetari i komunës dhe pranim i detyrës nga vetë ai, asetet që ka komuna, nuk do të mund të shfrytëzohen.

    “Aty është një pjesë e madhe edhe e veturave të drejtorive të ndryshme, që janë pronë komunale. Pastaj, është vula, protokolli. Këto janë vështirësitë e para, por ne do të punojmë. Ne, fillimisht, duhet t’i paralajmërojmë [ish-udhëheqësit komunalë] që t’i dorëzojnë këto gjëra ose ta bëjmë pranim-dorëzimin. Në qoftë se jo, atëherë janë edhe format tjera”, thotë Zeqiri, por pa saktësuar se për çfarë formash të tjera e ka fjalën.

    Kryetari i zgjedhur i Zveçanit, Ilir Peci, do ta bëjë betimin solemn në fshatin Boletin, përkatësisht në shkollën fillore “Isa Boletini”, ku do të konstituohet edhe asambleja e kësaj komune. Ai thotë se puna e komunës do të nisë në zyrat për komunitete në fshatin Lipë.

    “Aty do të nisim që nga nesër [e enjte]. Mirëpo, për drejtori dhe të gjitha të tjerat, është pak… nuk ka hapësirë të mjaftueshme. Te ne fillon gjithçka prej zeros. Te ne nuk ka as drejtori, të cilat kanë qenë më herët, as sekretar të komunës, as fare. Prej fillimit duhet t’i përgatisim të gjitha ngadalë. Ka për të qenë pak e komplikuar, por shpresoj t’ia dalim”, thotë Peci për Radion Evropa e Lirë.

    Në Komunën e Leposaviqit, kryetari i zgjedhur, Lulzim Hetemi, do ta bëjë betimin në fshatin Bistricë, në objektin e shkollës fillore “Kadri Bistrica”. Por, ai thotë se funksionin pret që ta ushtrojë nga zyra e kryetarit, në objektin kryesor të komunës.

    “Nga Bistrica nuk mund të punosh për qytetarë të Leposaviqit. Ne synojmë të shkojmë, të ulemi në ulësen e kryetarit të komunës ku kemi fituar, në objektin e komunës ku është edhe sot. Nuk besoj… jam i bindur që nuk do të ketë probleme”, thotë Hetemi për Radion Evropa e Lirë.

    “Kryetari është kryetar gjithkund”

    Duke folur në një konferencë për media të mërkurën, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, nuk iu përgjigj direkt pyetjes së gazetarëve se ku do t’i ushtrojnë funksionet e tyre kryetarët e komunave në veri të Kosovës.

    Ai tha se “kryetarët do ta ushtrojnë mandatin e tyre kushtetues dhe ligjor në komunën ku janë zgjedhur”.

    “Kryetari është kryetar gjithkund. Por, sigurisht që kryetari do të jetë kryetar edhe në zyrë dhe do të vazhdojë të punojë dhe drejtojë komunën, t’i përmbushë detyrat e tij kushtetuese dhe ligjore nga aty ku edhe ka marrë pjesë në garën zgjedhore”, tha Krasniqi.

    Radosavleviq: Kryetarëve nuk bën t’iu ndalohet qasja fizike në objekte

    Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Nenad Radosavleviq, aktualisht drejtor i Radio-Televizionit Mir (Paqja) në Leposaviq, vlerëson se kryetari i zgjedhur i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, por edhe kryetarët e dy komunave tjera, Zveçan dhe Zubin Potok, kanë të drejtë legjitime dhe legale të qasjes në objektet e komunave përkatëse.

    Ai thotë se në objektin e Kuvendit Komunal të Leposaviqit, aktualisht, punojnë persona që u takojnë organeve të përkohshme të Serbisë, të cilët vijnë kryesisht nga Lista Serbe. Disa prej tyre, shton ai, vazhdojnë të punojnë edhe sipas sistemit të Kosovës. Ai nuk beson që ata mund t’i pengojnë strukturat e reja të zgjedhura komunale që të punojnë në këtë objekt.

    “A janë ata të gatshëm të bëjnë diçka? Mendoj që jo, sepse në çdo rast, çfarëdo që të tentohet, do të kishte reperkusione ligjore. Kjo, më pas, mund të jetë përgjegjësi penale, mbase jo në atë moment. Por, ndonjë ndalim i hyrjes në objekt, unë mendoj që nuk mund të ndodhë. Këtë nuk guxojnë ta bëjnë. Ata njerëz jetojnë këtu. Policia është këtu dhe ligji ekziston”, thotë Radosavleviq.

    Ai shton se strukturat që janë në objektin e Komunës së Leposaviqit, mund të protestojnë, por nuk beson se dikush mund ta marrë guximin për ndalimin fizik të qasjes në objektin komunal.

    Demhasaj: Asnjë veprim i pakoordinuar me SHBA-në

    Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare Çohu, thotë se vetë fakti që betimi i kryetarëve të rinj të tri komunave në veri të vendit, si dhe konstituimi i dy asambleve komunale do të bëhen në objekte publike dhe jo në objekte komunale, është sinjal sesa i vështirë do të jetë ushtrimi i funksioneve nga kryetarët e rinj.

    Demhasaj sugjeron që kryetarët, pas dhënies së betimit, të koordinohen me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës për t’i tejkaluar sfidat e mundshme.

    “Unë mendoj që edhe kryetarët e zgjedhur të komunave në veri, por edhe asamblistët që kanë marrë mandatin atje, duhet të jenë të kujdesshëm për secilin veprim që e marrin. Këtë duhet ta bëjnë gjithmonë në bashkëpunim të afërt, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ambasadën e saj që është këtu, që të mos ndodhë që veprimet dhe vendimet që ata i marrin, ta çojnë edhe një herë veriun në bllokim. Pasojat më pas do të jenë për ne. Kështu që duhet të jemi të kujdesshëm”, thotë Demhasaj.

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë më 18 maj se nuk duhet përdorur forcë për të fituar qasje në ndërtesat komunale në veri të Kosovës.

    Zgjedhjet për kryetarët e katër komunave në veri janë mbajtur më 23 prill, pasi Lista Serbe është larguar nga institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar automjetet me targa ilegale serbe.

    Çështja e targave ka shkaktuar tensione të njëpasnjëshme në veri, vitin e kaluar, të cilat kanë kulmuar edhe me ngritje të barrikadave në rrugë.

  • ​PE miraton rezolutën për Shqipërinë: Aleate e rëndësishme dhe partnere e besueshme

    ​PE miraton rezolutën për Shqipërinë: Aleate e rëndësishme dhe partnere e besueshme

    Eurodeputetët e Komitetit të Punëve të Jashtme përshëndesin fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe i bëjnë thirrje vendit të ruajë fokusin e tij në agjendën e reformave të BE-së.

    Në një raport të miratuar sot me 52 vota pro, pesë kundër dhe 10 abstenime, eurodeputetët e Komisionit të Punëve të Jashtme përshëndesin ”angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin në BE, duke vënë në dukje se ai është një reflektim i konsensusit midis partive politike dhe i mbështetjes dërrmuese midis qytetarëve”.

    ”Shqipëria është një partnere e besueshme e politikës së jashtme dhe mbetet një aleate e rëndësishme gjeopolitike, falë përpjekjeve të saj për të çuar përpara bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, thuhet në raport.

    Eurodeputetët i kërkojnë qeverisë të intensifikojë përpjekjet e saj në forcimin e funksionimit të shtetit të së drejtës, gjyqësorit, kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

    Ajo duhet të garantojë lirinë e medias, të fuqizojë shoqërinë civile, të garantojë të drejtat themelore dhe të drejtat e pakicave, përfshirë komunitetin LGBTI+, si dhe të forcojë bashkëpunimin e saj me institucionet e BE-së.

    Raporti thekson se ”qeveria duhet të avancojë më tej agjendën e reformave të BE-së në bashkëpunim me opozitën dhe të gjitha segmentet e shoqërisë”.

    Ai dënon konfrontimin e qëndrueshëm politik, veprimet përçarëse dhe retorikën nxitëse nga politikanët dhe zyrtarët e nivelit të lartë, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të një kulture parlamentare konstruktive duke nxitur konsensusin midis të gjithë aktorëve politikë.

    Eurodeputetët shprehin keqardhjen që partitë kryesore politike nuk arritën një marrëveshje për reformën zgjedhore dhe u bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare që të zbatojnë urgjentisht ndryshimet e pazgjidhura në kuadrin e financimit të zgjedhjeve dhe partive, shumë përpara zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës.

    Eurodeputetët theksojnë se ”nevojiten përpjekje më të strukturuara dhe të qëndrueshme për të luftuar korrupsionin, përfshirë në nivele të larta, dhe theksojnë nevojën për të trajtuar kulturën e mosndëshkimit”.

    Ata bëjnë thirrje për rezultate shtesë në luftën kundër krimit kibernetik, trafikimit të qenieve njerëzore dhe pastrimit të parave.

    Raporti shpreh keqardhje për mungesën e progresit në arritjen e transparencës institucionale dhe përkeqësimin e situatës së lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias dhe u bën thirrje autoriteteve të miratojnë një kornizë ligjore që mbron gazetarët, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe palët e tjera të interesuara nga paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPPs ).

    Së fundi, eurodeputetët vënë në dukje se Shqipëria është shënjestruar shumë nga dezinformimi rus dhe sulme të tjera hibride dhe duhet të forcojë mbrojtjen e infrastrukturës së saj kritike, sigurinë kibernetike, kundërdezinformimin dhe masat e tranzicionit energjetik.

    Ndërkohë, raportuesja Isabel Santos tha se “Shqipëria ka demonstruar një angazhim të madh në procesin e integrimit duke zbatuar reforma të vështira”.

    ”Rezultati i votimit të sotëm tregon njohjen e këtyre përpjekjeve nga Parlamenti Evropian dhe përafrimin e plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së. Është njohja e meritës së treguar nga vendi në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE”, theksoi ajo.