ATV

Tag: Ballina

  • ​FSK realizon trajnim me ushtrinë kroate: Të gatshëm për sfida, të trajnuar për mision

    ​FSK realizon trajnim me ushtrinë kroate: Të gatshëm për sfida, të trajnuar për mision

    Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës i atashuar në brigadën e mekanizuar të ushtrisë kroate, ka realizuar një trajnim në edukimin ndaj mjeteve të pashpërthyera për ushtarakët dhe partnerët e atashuar në brigadën e mekanizuar Kroate.

    Ushtarakët e FSK-së ndanë përvojat e tyre në edukim ndaj mjeteve të pashpërthyera duke treguar kështu kapacitetet që ka Kosova në fushën e Deminimit dhe Edukimit për mjetet e rrezikshme.

    Kosova është nikoqire e “Defender Europe 23”, ushtrimit më të madh ushtarak ndërkombëtar.

    Dita promovuese është mbajtur më 21 maj, ndërsa aktivitetet do të përmbyllen me 2 qershor.

    Ushtrimi nga ushtria amerikane dhe synim ka rritjen e ndërveprueshmërinë në mes të partnerëve si dhe gatishmërinë operacionale të NATO-s dhe partnerëve për të reaguar në rast kërcënimi ndaj kontinentit të Evropës.

    Pjesë e “Defender Europe 23” janë 23 vende të NATO-s me mbi 22 mijë trupa.

  • Murati: Tatimi në pronë nuk është rritur nga Qeveria

    Murati: Tatimi në pronë nuk është rritur nga Qeveria

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Qeveria nuk e ka rritur tatimin në pronë, por tregon se ministria që ai drejton është bazuar në ligjet që janë miratuar më herët nga qeveritë e kaluara.

    “Kur ballafaqohen me kritika prej qytetarëve, fajin e hedhin te qeveria ose te ministria e Financave dhe në këtë rast e kemi rastin e ë vlerësimit apo rivlerësimit të vlerës së pronave rezidenciale e cila është paraparë me ligjin të miratuar më herët, pra në vitin 2018 dhe aktet nënligjore po ashtu të miratuara më herët. Ka qenë tre dhe pesë vjet, janë dy raste. Pesë vite nëse nuk gaboj është pronat komerciale, tri vite është rezidenciale. Mirëpo, më herët para atij ligji vlerësimi është ba prej komunave dhe komunat pra kryesisht kanë ba vlerësime më të ulëta sesa vlera e tregut ose ka pasë edhe ndryshime ndërkohë, pra edhe ato komuna që kanë mund t’i bëjnë vlerësimet si duhet, ndërkohë ka pasë ndryshime në çmime dhe ky ka qenë obligim ligjor”, tha Murati.

    Ai tha se Ministria e Financave në këtë rast e ka kryer një shërbim, por nuk ka marrë asnjë vendim lidhur me rritjen e çmimit në pronë.

    “Ministria e Financave në këtë rast e ka kry një shërbim por nuk ka marrë asnjë vendim, sepse edhe kjo padrejtësisht është paraqitur shpeshherë, kam dëgju edhe storje të lajmeve, intervista ku është thënë ministria apo qeveria ka marrë vendim. Është e pavërtetë. Le të ma gjen dikush një vendim që e ka marrë ministria e Financave apo Qeveria për këtë çështje. Kjo ndodh në mënyrë automatike, sepse departamenti i ministrisë së Financave që është për tatim në pronë e ka obligim ligjor ta bëjë vlerësimin pra të angazhojë edhe ekspertë”, tha Murati. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Kryetarët e rinj do të betohen në shkolla e zyra komunale në fshatra

    Kryetarët e rinj do të betohen në shkolla e zyra komunale në fshatra

    Më 23 Prill u zgjodhën kryetarë komunash, por Ilir Peci, Lulzim Hetemi dhe Izmir Zeqiri ceremonitë e betimit do t’i kryejnë në fshatrat prej nga vijnë.

    Ky improvizim është bërë në pamundësi që, për shkaqe sigurie, këto solemnitete t’i kryejnë në kuvendet komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

    Ndërtesat zyrtare të tri komunave me shumicë serbe, në të cilat kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 Prillit janë shqiptarë, që nga Nëntori nuk kontrollohen nga institucionet të Republikës së Kosovës.

    Për të shkuar – nga qyteza e Leposaviqit – në tri fshatrat me popullsi shqiptare në këtë komunë Cerajë, Bistricë ose Koshtovë, duhet kaluar së paku gjashtë fshatra të banuara nga komuniteti serb.

    Bistrica gjendet rreth 35 kilometra nga pika kufitare në Jarinjë.

    Sikur Peci e Hetemi, edhe kryetari i zgjedhur në komunën e Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, do ta mbajë ceremoninë e betimit në fshatin e tij Çabër, në një zyrë komunale. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon ë poshtë:

  • KDI: Skenderaj, komuna më transparente

    KDI: Skenderaj, komuna më transparente

    Skenderaj është komuna më transparente në Kosovë.

    Në mesin e 38 komunave në vend, Instituti Demokratik i Kosovës ka vlerësuar Skenderajn me 92 pikë për transparencës në qeverisjen komunale, për vitin 2022.

    “Ju falënderojmë për bashkëpunimin, ky është një motivim shtesë që ne me vazhdu edhe më tutje. Falënderoj stafin që kanë punua shpeshherë edhe natën. Këtë çmim, këtë trofe, do të doja t’ua dedikoja themeluesve të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi”, tha kryetari i Skenderajt, Fadil Nura.

    E në vendin e dytë u radhit edhe komuna e Lipjanit, në të cilën, sipas të parit të saj, transparenca është vlerë e demokracisë.

    “Transparenca është ndër vlerat kryesore të demokracisë dhe mostransparenca. Do të kemi probleme si shoqëri. Duhet akoma shumë punë pushteteve lokale për të rritë kapacitetet në të gjitha fushat”, tha kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti.

    Në përgjithësi, sipas përfaqësuesve të KDI-së komunat kanë rritur transparencën për qytetarët në 2022-ën për 12 për qind në krahasim me vitin 2021.

    “Transparenca e përgjithshme në këta 87 indikatorë dhe 8 shtylla të politikave të qeverisjes lokale, në vitin 2022, është 68 për qind. Kemi 12 për qind mesatarisht rritje prej matjeve të vitit 2021, që nënkupton një vullnet të mirë për komunat për të rritur transparencën dhe llogaridhënien kundrejt qytetarëve të tyre. Shohim se kemi një rritje prej 20 për qind në sektorin e prokurimit publik, vetëm 2 për qind rritje në shtyllën e transparencës buxhetore”, Diana Metushi nga KDI.

    Kristína Kroková nga Transparency International – Slovakia tha se për dallim nga Kosova në 100 komunat e Sllovakisë, që nga 2010 nuk kanë pasur progres të madh në transparencë.

    “Synimi ynë është që ta zvogëlojmë korrupsionin, duke e rritur transparencën në përfshirjen e qytetarëve dhe duke fuqizuar proceset dhe zvogëlimin e burokracive të shumta. Që nga viti 2010, për çdo dy vjet publikojmë renditjen e 100 komunave më të mëdha në Sllovaki dhe këtë e bëjmë duke vlerësuar në më shumë se 109 indikatorë. Transparenca që nga fillimi e deri më tani është rritur për 23 për qind”, theksoi ajo.

    Ndërkaq, komunat veriore, si Leposaviqi, Mitrovica e Veriut, Zubin-Potoku dhe Zveçani, në këtë prezantim u listuan në fund me vetëm nga 9 pikë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon ë poshtë:

  • Kurti: 6 muaj prej kur katër komunat mbetën pa kryetarë, nuk është normale

    Kurti: 6 muaj prej kur katër komunat mbetën pa kryetarë, nuk është normale

    Fjalimin hyrës në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti e kishte rezervuar për betimin e kryetarëve në komunat veriore të Kosovës.

    “Nesër, në ndërtesa publike në këto komuna do të mbahen seancat konstituive dhe betimi edhe i tre kryetarëve të rinj të Zveçanit, Zubin-Potokut dhe Leposaviqit. Kanë kaluar mbi 6 muaj prej kur këto katër komuna mbetën pa kryetarë. Dy prej tyre edhe pa kuvende. E banorët atje, pa shërbime komunale. Kjo nuk është normale”, tha Kurti.

    Pastaj, kabineti qeveritar para vetes pati mbi 15 pika për shqyrtim. Njëra nga pikat që u miratua ishte Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore, që i hap rrugë zhbllokimit të mjeteve vetjake për komunat.

    “Ne kemi pasë takim me Kurtin javën e kaluar dhe jemi dakorduar që kryetarët bëjnë kërkesë për propozim-ndryshimin e amendamentit të kërkuar nga LDK-ja për Ligjin për Buxhet. Kemi pranuar një kërkesë dhe është në proces e sipër. Është diçka që do të shihet shumë shpejt në Kuvend, sipas kërkesave të kryetarëve të komunës”, tha ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasinqi.

    Në mbledhjen e 143 të Qeverisë, u ndanë 25.8 milionë euro në mbështetje për sistemin e sigurisë dhe atë të mbrojtjes nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike për Mbështetjen e Sigurisë.
    Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, 7.8 milionë euro janë për Ministrinë e Brendshme dhe 18 milionë të tjera për Ministrin e Mbrojtjes.

    Qeveria, gjithashtu, miratoi Draftin e Strategjisë së Mbrojtjes që sipas ministrit Armend Mehaj, ka për bazë interesat shtetërore.

    “Në këtë dokument përcaktohen objektivat kryesore për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, modernizimin dhe avancimin e kapaciteteve ushtarake, zgjerimin e bashkëpunimit bilateral, anëtarësimin në organizata dhe pjesëmarrje në operacione ndërkombëtare, si dhe avancimin e bashkëpunimit me NATO-n dhe mekanizmat e saj në Republikën e Kosovës”, tha ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

    Në mbledhjen e së mërkurës, ekzekutivi ndau edhe 17 mijë euro për të financuar vizitën e një grupi prej 10 vetash nga Lugina e Preshevës në Parlamentin Evropian. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon ë poshtë:

  • Një person vdes nga Covid-19, në ditën kur qeveria heq emergjencën shtetërore

    Një person vdes nga Covid-19, në ditën kur qeveria heq emergjencën shtetërore

    Në ditën kur Qeveria hoqi gjendjen e emergjencës shtetërore ndaj pandemisë Covid-19, një person vdiq pikërisht pas infektimit me këtë virus.

    Ani pse Ministria e Shëndetësisë propozoi këtë vendim me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, ishte vetë IKSHPK-ja që njoftoi për një vdekje nga Covidi, në javën e fundit.

    “MSH-ja e propozoi këtë vendim pas rekomandimit të IKSHPK-së dhe deklaratës së OBSH-së, të datës 5 maj të këtij viti, se ‘COVID-19 nuk paraqet më tej emergjencë globale shëndetësore’. Këto 1 mijë e 164 ditë të emergjencës së shëndetit u tejkaluan me shumë sakrifica e mbi të gjitha me vetëmohim nga shumëkush”, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Por rreziku në tërësi nga virusi nuk është se ka kaluar, pasi masat e mbikëqyrjes nga institucionet e shëndetësisë do të vazhdojnë edhe më tej, për aq sa të jetë e nevojshme.

    Sidoqoftë i pari i shëndetësisë nuk la pa falënderuar edhe qytetarët për bashkëpunimin e tyre me institucionet, duke thënë se falë kësaj Kosova ka arritur të evitojë shumë vdekje.

    “Duke marrë parasysh fragjilitetin e sistemit tonë shëndetësor, në atë kohë edhe mungesën e mjeteve bazike siç janë alkooli, dorezat dhe maskat, kjo ka qenë për ne shumë shqetësuese. Ne kemi qenë në kontakt me mekanizmat botërorë, vazhdimisht si me OBSh-në, dhe i kemi përshtatur konform situatës që ka qenë në Kosovë… Sinqerisht, bashkëpunimi i qytetarëve dhe vetëdija e tyre, unë nuk kam parë diçka të tillë në jetën time, s’kemi parë asnjëherë një sfidë të tillë si pandemia COVID-19, dhe falë tyre është respektuar në mënyrë të tillë që mendoj se janë parandaluar shumë infeksione, të cilat kishin qenë potencialisht edhe me përfundim fatal”, tha Vitia.

    Qe nga fillimi i pandemisë, 3.217 qytetarë kanë vdekur si pasojë e infektimit me këtë virus, derisa rreth 274 mijë qytetarë kanë qenë të infektuar. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon ë poshtë:

  • Vazhdon “zvarritja” e Ligjit për Pagën Minimale, as sot Komisioni për Buxhet nuk arriti të diskutojë

    Vazhdon “zvarritja” e Ligjit për Pagën Minimale, as sot Komisioni për Buxhet nuk arriti të diskutojë

    Edhe një mbledhje tjetër e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere përfundoi pa ndonjë rezultat. As në këtë mbledhje, anëtarë të Komisionit nuk arritën të diskutonin rreth Projektligjit për pagën minimale, që ishte në rend të ditës, si pikë e gjashtë me radhë.

    Në të sërish u diskutua për kërkesën e Qeverisë për shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi. Pas gati 3 orë diskutimesh, anëtarët u detyruan ta lëshonin sallën, pasi në Kuvend kishte edhe seancë plenare.

    Por, anëtarë të këtij komisioni nga partitë opozitare thanë se kjo po bëhet qëllimisht nga pushteti, duke mos i dhënë prioritet këtij ligji.

    “Zakonisht e vendosin si pikë të fundit në rend të ditës, në mënyrë që assesi të mos trajtohet problematika. Është politikë e shumicës parlamentare që ta prolongojë sa më shumë këtë pikë të rendit të ditës”, tha anëtari i Komisionit për Buxhet, Ferat Shala.

    Andaj, anëtarët kërkojnë që paga minimale të trajtohet ditën e premte, si pikë e veçantë.

    “Nuk po i jepet prioritet kësaj pike. Kur kemi pika të rëndësishme, nëse është e pesta apo e gjashta, është shumë vështirë me gjetë kohë, sepse ne kemi edhe pika të tjera diskutabile si OSHP-ja”, tha anëtarja e Komisionit për Buxhet, Duda Balje.

    Në qershor bëhet një vit prej kur është miratuar në lexim të parë në Kuvend Projektligji për pagën minimale. Me ligjin e ri të propozuar nga Qeveria, paga minimale parashihet të bëhet 264 euro bruto, apo 250 euro neto. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon ë poshtë:

  • Eksplorimi i lidhjeve njerëzore, shfaqja “Boxes” solli një performancë të paharrueshme në PITF2023

    Eksplorimi i lidhjeve njerëzore, shfaqja “Boxes” solli një performancë të paharrueshme në PITF2023

    Me një konferencë për media nisi dita e dytë e Prishtina International Theater Festival, ku edhe u prezantua shfaqja e dytë në radhë në kuadër të edicionit të shtatë.

    Fituesja e çmimit për aktoren më të mirë në vitin 2021 në PITF, Burcu Görek, edhe kësaj radhe do të jetë pjesë e këtij festivali por me një shfaqje tjetër.

    “Marrja e çmimit si aktorja më e mirë ishte shumë e rëndësishme për mua dhe Dilarën, sepse ju si staf i festivalit, nuk keni bërë dallim mes gjinive, mes grave e burrave. Ndërsa këtë vit, ne presim prapë diçka të mirë. Nuk e di akoma si do të shkojë, mirëpo unë gjithmonë them se do të jem prezente këtu mjafton, sepse sa i përket çmimeve nuk e di se çka mund të fitojmë, por gjithsesi do të jemi të lumtura thjesht si pjesëmarrëse”, tha aktorja Burcu Görek në konferencën për media.

    Shfaqja turke e “Boxes” mblodhi artdashës në Teatrin Kamertal në Kolegjin AAB.

    Drama solli emocione të mëdha e gërshetuar me copëza komedie, ku në bosht kryesor pati marrëdhëniet njerëzore, veçanërisht ata që zhvillohen midis dy të huajve.

    Gjatë gjithë shfaqjes, hulumtohen temat e cenueshmërisë, lidhjes njerëzore dhe mënyrat e papritura, në të cilat njerëzit mund të gjejnë gjuhën e përbashkët, pavarësisht dallimeve të tyre.
    Loja e tre aktorëve u duartrokit nga publiku derisa ata u shprehen të jenë të lumtur me pritjet dhe komentet pozitive që morën pas shfaqjes.

    “Unë po ndihem shumë mirë dhe takimi me këtë audiencë ishte diçka shumë e mirë, sepse reagimi i tyre më bëri të ndihem shumë e gjallë, andaj po ndihem kaq mirë”, tha aktorja Burcu Görek pas shfaqjes.

    Burcu Görek

    “Po ndihem shumë i relaksuar, sepse para shfaqjes isha shumë i emocionuar mirëpo pasi përfundoi, gjithçka ishte në rregull dhe çliruese”, tha aktori Ekremcan Arslandağ.

    Ekremcan Arslandağ

    “Puna e pandalshme dhe motivimi nga ana e regjisorëve na ka bërë që të arrijmë kiminë që e transmetuam sonte tek ju. Ne i ndjekim rregullat e duam njëri-tjetrin, edhe pse ne të tre jemi takuar për herë të parë në këtë projekt, nuk jemi njohur me herët. Emrin shfaqjes “Boxes” e kemi vendosur në fakt së bashku, por ne mendojmë se kutitë janë diçka që ne fshehim në brendësi, diçka që ndodhet brenda nesh si njerëz dhe thjesht e hapin njëjtë si kutitë kur zbulojmë diçka të thellë në vete, andaj kutitë në shfaqje zbulojnë diçka të tillë. Personazhi sapo është shpërngulur në një shtëpi të re, një fillim të ri në një festë mikpritëse dhe është shumë e mirë për të që të fillojë atje me një person të ri që në të ardhmen mund të jetë i dashuri i saj. Skenat me festën, pirjen e duhanit, pijet dhe puthjet janë shumë të zakonta shumë normale, janë diçka që shumica prej nesh mund ta kenë përjetuar dhe në teatër mund ta bësh kot ndryshe nga filmat”, tha aktorja Burcu Görek.

    “Unë e dua Prishtinën edhe është shumë e bukur. Kam qenë edhe para dy viteve këtu kur kemi fituar çmimin si aktoret më të mira dhe ka të njëjtën pamje të bukur si atëherë”, tha aktorja Dilara Gul.

    Ndërsa regjisorët Balim Kar dhe Semih Degirmenci thanë se ia kanë arritur qëllimit të tyre për ta sjellë shfaqjen në mënyrë sa më origjinale.

    “Ne kemi punuar së bashku për dy vite tashmë kështu që jemi një ekip tash e shumë kohë, andaj të punuarit bashkë na erdhi shumë lehtë. Në fakt ka qenë ideja e tij të cilën e kemi adaptuar nga një shfaqje tjetër që quhet “Beginning”, ndërsa Burcu e ka shkruar dhe e ka përshtatur duke punuar bashkë me neve”, tha regjisorja Balim Kar.

    Balim Kar

    “Unë e kam pyetur Balimin se a dëshiron të punojmë bashkë dhe ajo më tha po, kështu që së bashku filluan të gjenim aktore për shfaqjen edhe pse në fakt Burcu na ka gjetur neve dhe na kërkoi të krijojmë shfaqjen bashkë si një e re dhe besoj që ishte e mirë për ne, në përgjegjësi”, tha regjisori Semih Degirmenci.

    Semih Degirmenci

    “Ne ishim shumë të lumtur sonte. Absolutisht, ata bënë një punë të mrekullueshme. Ishte një performancë e mrekullueshme dhe jemi shumë krenare me ta”, tha regjisorja Balim Kar.

    “Ishte hera e parë që kjo shfaqje u dha para publikut, të cilët ishin shumë të mirë dhe ndanë me neve energjinë dhe gëzimin e tyre”, u shpreh regjisori Semih Degirmenci.

    “Simboli i titullit “Boxes” ka të bëjë për fillimet e reja dhe për njerëzit shumë të vetmuar që krijojnë një lidhje brenda natës. Është një koncept që e kam pëlqyer shumë” , tha regjisorja Balim Kar.

    “Ky titull ka të bëjë me idenë kur lëviz diçka nga vendi i vjetër dhe fillon diçka të re, me energji të re, të takosh dikë të mirë me të cilën krijon lidhje të mira”, tha regjisori Semih Degirmenci.

    Me muzikë u mbyll suksesshëm nata e dytë e PITF2023, derisa nata e tretë do të vazhdojë me shfaqjen mysafire nga Shqipëria “Now You See Her”, me regji të Klaudja Piroli, duke filluar nga ora 20:00, po ashtu në Teatrin Kamertal brenda objektit të Kolegjit AAB. /atvlive.tv

  • Raporti i Freedom House: Kosova me përmirësim të lehtë, por problemet thelbësore vazhdojnë

    Raporti i Freedom House: Kosova me përmirësim të lehtë, por problemet thelbësore vazhdojnë

    Organizata Freedom House bën të ditur se ndikimi i luftës në Ukrainë, si pasojë e agresionit rus, u ndje gjatë vitit të kaluar në 29 vendet nga Evropa Qendrore në Azinë Qendrore që analizohen në raportin e saj “Vendet në Tranzicion”.

    Në raportin e këtij viti titulluar “Lufta thellon ndasitë rajonale” që analizon zhvillimet e vitit 2022 dhe që u bë publik të mërkurën, thuhet se në vend që t’i forconin lidhjet në rajon,”kërcënimet e sigurisë, kriza historike e refugjatëve dhe problemet ekonomike të lidhura me konfliktin, kanë thelluar hendekun mes autokracive dhe demokracive dhe kanë shkaktuar ndryshime përçarëse në politikat e jashtme të qeverive të veçanta”.

    “Megjithëse disa vende bënë zgjedhje të qarta në favor të një të ardhmeje më demokratike gjatë vitit 2022, rezultati i përgjithshëm ishte një vit i 19-të me radhë të rënies së demokracisë në rajon”, thuhet në raport.

    Kosova dhe Procesi i Negociatave

    Kosova shënoi një përmirësim të lehtë nga 3.25 vitin e kaluar në 3.29 këtë vit, sipas raportit të publikuar sot nga Organizata Freedom House.

    “Marrëdhëniet e tensionuara prej kohësh mes Serbisë dhe Kosovës vazhduan të minojë përparimin demokratik në të dyja vendet, edhe pse në aspekte të ndryshme. Përpjekje të jashtëzakonshme nga shoqëria civile e Kosovës për të realizuar ndryshime pozitive të politikave mbi dhunën me bazë gjinore dhe ndarjet etnike u lanë nën hije gjatë vitit nga një rritje e dhunës në Veriun me shumicë serbe, ku ndikimi dhe veprimet e qeverisë serbe, vazhdojnë të cenojnë autoritetin e Kosovës mbi territorin e saj”, thuhet në raport.

    “Na ka bërë përshtypje të madhe roli që ka luajtur shoqëria civile në Kosovë gjatë vitit të fundit”, thotë Alexandra Karppi, një nga autoret e raportit, duke shtuar se ajo mund të luajë një rol aktiv edhe në zgjidhjen e situatës me Serbinë.

    “Shohim se janë dy persona që e drejtojnë këtë proces: Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër. Mendoj se BE-ja mund të bëjë shumë më tepër që në drejtimin e këtyre negociatave të sjellë në procesin e negociatave të sjellë zërat e shoqërisë civile dhe perspektivën e qytetarëve të zakonshëm, veçanërisht atyre në Veri”, thotë Karppi.

    Raporti përmend edhe mungesën e suksesit në negociatat mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, megjithë përpjekjet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

    Gjendja e demokracisë në Shqipëri

    Edhe në vitin 2022, Shqipëria ishte në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion. Vlerësimi i përgjithshëm për Shqipërinë shënoi një përparim të lehtë në vitin 2022 në krahasim me vitin 2021, falë një rritjeje të vlerësimit në luftën kundër korrupsionit.

    “Vlerësimi për luftën kundër korrupsionit u rrit nga 2.75 në 3.00 pikë, falë një sërë aktakuzash dhe dënimesh të profilit të lartë të ish-zyrtarëve nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si dhe rolit të saj proaktiv në nxitje e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në raport.

    Kjo bëri që vlerësimi i përgjithshëm të rritet nga 3.75 në 3.79, në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë është 7 më i larti.

    Megjithatë, treguesit e tjerë të demokracisë mbetën të pandryshuar dhe raporti thotë se institucionet demokratike të Shqipërisë sfidohen nga politika partiake klienteliste, zvarritja e procesit të vetingut në drejtësi dhe korrupsioni i shfrenuar.

    “Korrupsioni mbetet i përhapur, duke kontribuar në mosfunksionimin e institucionit publik dhe duke kufizuar aftësinë e tij për të ofruar shërbime efektive. Megjithëse agjencitë e reja ligjzbatuese si SPAK, krijuar në vitin 2019, tregojnë shenja premtuese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet më të larta, ndikimi politik mbi gjyqësorin në rastet e korrupsionit vazhdojnë ende të jenë shqetësim”, thuhet në kapitullin për Shqipërisë të raportit “Vendet në Tranzicion 2023”, që e ka siguruar Zëri i Amerikës.

    “Drejtësia bazë për shumë qytetarë shqiptarë vërtet mungon. Dhe është gjithashtu një mjedis, ashtu si pjesa më e madhe e rajonit, ku mediat e pavarura po tkurren, aktorët e shoqërisë civile janë në pozitë të vështirë, duke shtuar gjithnjë e më shumë pengesat dhe kërcënimet”, i thotë Zërit të Amerikës, Alexandra Karppi, një nga autoret e raportit.

    Megjithë, përmirësimin modest në treguesin e korrupsionit, raporti thotë se pati pak mundësi për reforma të mëtejshme para zgjedhjeve lokale të 14 majit këtë vit.

    Karppi thotë për Zërin e Amerikës, se edhe zgjedhjet lokale të 14 majit përforcuan këtë prirje.

    “Mendoj se zgjedhjet lokale që sapo u mbajtën në maj ishin një shembull tjetër që fatkeqësisht, për shkak të rrjeteve të kapjes së shtetit nga parti të caktuara, të bëjnë mendosh se do të shohim të njëjtën gjë. Mendoj se status quo-ja politike ka të ngjarë të vazhdojë”, thotë ajo.

    Në kapitullin për Shqipërinë, thuhet se në vitin 2022, demokracia e Shqipërisë u rezistoi sfidave të shumta, veçanërisht gjatë zgjedhjeve të posaçme vendore të marsit, si dhe riorganizimeve të brendshme të partive politike dhe bashkëpunimit ndërpartiak për zgjedhjen e Presidentit Bajram Begaj.

    “Megjithatë, vendi bëri pak përparim të qëndrueshëm drejt shndërrimit në një demokraci liberale të vërtetë dhe ende klasifikohet si një demokraci hibride. Shumica e udhëheqësve politikë shqiptarë mbetën armiqësorë ndaj vlerave liberale demokratike dhe kanë treguar pak vlerësim për faktin se barazia nën ligj dhe respektimi i shtetit të së drejtës, janë vlera të rëndësishme demokratike”, thuhet në raport.

    Sipas vlerësimit të Freedom House, “shumica e partive politike mbizotërohen nga udhëheqës me grusht të hekurt dhe kjo mungesë e demokracisë së brendshme partiake u demonstrua në mënyrën se si u përzgjodhën kandidatët për zgjedhjet e posaçme lokale, drejtuesit e degëve të partive lokale dhe kandidatët për zgjedhjet lokale të majit 2023 (raporti përfshin vetëm zhvillimet e vitit 2022).

    Sipas raportit, përplasjet politike në Partinë Demokratike (PD) që panë një rikthim të ish-kryeministrit Sali Berisha në skenën politike dhe largimin nga drejtimi i PD-së të Lulzim Bashës pas zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit ku në pesë nga gjashtë garat fitoi Partia Socialiste (PS) në pushtet e kryeministrit Edi Rama, mbizotëruan skenën politike të Shqipërisë në vitin 2022 dhe çarjet e mëdha mes fraksioneve partiake përkatëse vazhdojnë.

    “Debati publik dhe media u përqendruan më shumë në dinamikën e brendshme të PD-së sesa në problemet sociale dhe ekonomike me të cilat përballet vendi dhe nevojën për të kërkuar llogari nga qeveria e kryeministrit Rama”, thuhet në kapitullin për Shqipërinë.

    Gjatë vitit 2022, një numër gazetarësh të politikës u ndeshën me abuzime verbale, ndalim pjesëmarrjeje në konferencat për shtyp, frikësime, gjoba të mëdha dhe madje edhe padi, thotë raporti.

    Në raport vlerësohet fakti që Bashkimi Evropian hapi bisedimet e pranimit me Shqipërinë në korrik 2022, të cilësuara nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen si një “moment historik” dhe Shqipëria organizoi në dhjetor për herë të parë jashtë BE-së, takimin e nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor.

    “Të dyja rastet përfaqësojnë suksese të rëndësishme të politikës së jashtme për Shqipërinë. Megjithatë, pavarësisht përparimit të bërë që nga rënia e komunizmit – përfshirë dënimet e zyrtarëve të nivelit të lartë për abuzim me pushtetin dhe korrupsion në vitin 2022, falë angazhimit të SPAK-ut, shumë institucione publike mbeten jofunksionale për shkak të korrupsionit të përhapur dhe kulturës së mosndëshkimit, duke minuar demokracinë dhe shtetin e së drejtës”, thuhet në kapitullin për Shqipërinë të siguruar nga Zëri i Amerikës.

    Sipas raportit, megjithëse Shqipëria në përgjithësi respekton instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, vendi ende nuk arrin të mbrojë të drejtat themelore si vlera thelbësore që mbështesin një shoqëri liberale demokratike, duke përmendur studimin e BIRN-it, sipas së cilit “rreth 320 raste të abuzimit seksual ndodhën në periudhën 2020-2022 dhe identitetet, familjet, informacionet personale dhe adresat e shtëpive të viktimave u publikuan gjerësisht në media” duke çuar në disa vetëvrasje dhe vënie në shënjestër nga trafikantët e qenieve njerëzore.

    Raporti përmend gjithashtu vrasjen e 10 grave nga partnerët e tyre dhe diskriminimin e individëve të komunitetit LGBT+, pakicave rome dhe egjiptiane.

    “Në vend që të mbajnë përgjegjës abuzuesit, autoritetet publike dhe politikanët lokalë shpesh fajësojnë viktimat dhe madje zbulojnë emrat dhe identitetin e tyre në media, duke çuar në viktimizimin e tyre të dyfishtë. Si e tillë, Shqipëria deri më tani ka neglizhuar përgjegjësitë e saj institucionale për të mbrojtur të drejtat themelore të njeriut dhe liritë civile, vlera që janë themelore për një demokraci liberale të vërtetë”, thuhet në raport.

    Qeverisja Kombëtare Demokratike dhe Procesi Zgjedhor

    Duke pasur parasysh zgjedhjet dhe dinamikën brenda partive kryesore politike, përfshirë kthimin e zotit Berisha, mbarimin e mandatit të ish-presidentit Ilir Meta dhe kthimin e tij në politikë aktive, si edhe zgjedhjet në Partinë Socialiste, raporti vë në dukje rolin e udhëheqësve.

    “Vëzhguesit pohojnë se këto zgjedhje të brendshme në tre partitë kryesore politike të Shqipërisë (PD, PL dhe PS) ishin të paracaktuara dhe të ndikuara shumë nga udhëheqësit e partive, në vend që të ishin rezultat i një konkurrence të vërtetë të brendshme partiake. Kjo nxjerr në pah demokracinë e kufizuar të brendshme partiake të Shqipërisë, ku udhëheqësit e partive ruajnë me grusht të hekurt kontrollin, me sundim autokratik”, thuhet në raport.

    Përsa i takon zgjedhjes së Presidentit Bajram Begaj, raporti vë në dukje se megjithëse fillimisht u duk se pati përpjekje për një president konsensual, përfundisht “pavarësisht se (ai) u konsiderua si një kandidat apolitik, PS në pushtet e zgjodhi Begajn”, me votat e saj.

    “Duke qenë se BE-ja i ka kërkuar Shqipërisë të tregojë më shumë përkushtim ndaj bashkëpunimit ndërpartiak, ekspertët argumentuan se të dyja palët humbën një mundësi për të demonstruar bashkëpunim në zgjedhjen e një kandidati të përbashkët për president”, thuhet në raport.

    Kryeministri Rama bëri riorganizimin e kabinetit në korrik, duke zëvendësuar Arben Ahmetajn me Belinda Ballukun si zv.kryeministre. Shkarkimi i Ahmetajt ngjalli shqetësime në lidhje me procesin e qeverisë për dhënien e kontratave të prokurimit publik.

    Duke folur për çështjen inceneratorëve, në raport thuhet se sipas vëzhguesve, nëse SPAK do të mund të provonte akuzat, ka të ngjarë të ekspozonte aktivitete korruptive të politikanëve të ndryshëm të lartë, përfshirë lidhjet me interesa të dyshimta dhe rrjete të krimit të organizuar.

    Në raport thuhet se gara para që i parapriu zgjedhjes së Altin Dumanit si kryetar i ri i SPAK-ut, u karakterizua nga shqetësime për ndërhyrje të mundshme politike.

    “Në prag të votimit, ambasadorja e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Yuri Kim shprehu shqetësimin për presionin politik në zgjedhjen e kreut të SPAK, të cilin qeveria shqiptare e hodhi poshtë”, thuhet në raport.

    Korrupsioni dhe Pavarësia e Gjyqësorit

    Falë aktivitetit të SPAK-ut, lufta kundër korrupsionit ishte i vetmi drejtim ku Shqipëria shënoi përmirësim të lehtë.

    Në raport përmendet dënimi i ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri me tre vjet e gjysmë burg për shpërdorim detyre—çështja e profilit më të lartë që SPAK ka ndjekur me sukses që nga themelimi i tij në 2019.

    Po ashtu, përmendet arrestimi i deputetit të PS-së, Alqi Bllako, nën akuzën për marrjen e ryshfetit prej 120,000 € gjatë kohës që ishte sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit.

    Ai akuzohet nga SPAK se ka ndihmuar një kompani për të fituar një kontratë publike për inceneratorët. Bllako u lirua nga burgu në tetor dhe ndodhet në arrest shtëpie, ndërsa SPAK heton tre kontrata për inceneratorët.

    Raporti përmed edhe arrestimin e disa zyrtarë publikë me lidhje me këto çështje në vazhdim, të cilët tashmë janë objekt i hetimeve të SPAK për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

    Mes të arrestuarve është edhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka.

    “Inceneratorët e mbetjeve ishin tema kryesore e akuzave për korrupsion në Shqipëri gjatë vitit”, thuhet në raport ku përmendet se akuzat u ngritën fillimisht nga Endri Shabani, i Nismës #Thurje, dhe më pas nga deputetja Monika Kryemadhi, ish-kryetare e LSI-së, tani Partia e Lirisë, si edhe Partia Demokratike e cila hapi edhe hetimin parlamentar në mars të kryesuar nga anëtarja e Kuvendit Jorida Tabaku.

    Hetimi shqyrtoi procesin ligjor me të cilin qeveria kishte dhënë kontrata për ndërtimin e tre inceneratorëve të mbetjeve në bashkitë Elbasan (2014), Fier (2016) dhe Tiranë (2017) – me një vlerë totale prej 178 milionë euro.

    “Gjatë seancës dëgjimore, një zëdhënës i qeverisë pranoi në mënyrë indirekte disa parregullsi në kriteret e dhënies së kontratave, ku kompanitë që morën kontratat ishin të vetmet që bënë oferta”, thuhet në raport.

    “Duke qenë se kontratat e prokurimit publik shtrihen deri në 30 vjet, llogaritet se këto parregullsi u kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 50 milionë euro. Shuma e saktë e parave të keqpërdorura të taksapaguesve mund të mos dihet kurrë, duke e bërë këtë skandal prokurimi një nga çështjet më të diskutueshme politike në vend”, thuhet në raportin e Freedom House.

    Përsa i takon drejtësisë dhe gjyqësorit raporti përmend shqetësimet për zvarritjen e procesit të vetingut, duke shtuar se nën presionin e BE-së dhe SHBA-së, Kuvendi ra dakord për të zgjatur procesin e verifikimit deri më 31 dhjetor 2024.

    “Presioni nga shoqëria civile dhe ai politik mbi procesin e vetingut gjyqësor është rritur pasi vonesat në sistemin e drejtësisë kanë shkaktuar sfida ligjore, sociale, ekonomike dhe politike në Shqipëri. Qasja në drejtësi është përkeqësuar dhe sipas ekspertëve tani duhen më shumë se tre vjet e gjysmë për të filluar ose përfunduar procedurat për shkak të mungesës së gjyqtarëve”, thuhet në raport, i cili vazhdon se “që nga reforma e vitit 2017, sistemi gjyqësor nuk ka arritur të tërheqë rekrutë të rinj dhe është në prag të kolapsit”.

    Lidhur me hartën e re gjysqësore, Freedom House thotë se ndërsa aktorët ndërkombëtarë që mbrojtën reformën gjyqësore në Shqipëri e vlerësuan hartën, ajo është kritikuar ashpër nga shoqata të shumta avokatësh dhe shoqëria civile, të cilat thonë se “ulja e numrit të gjykatave do të dëmtojë qasjen e qytetarëve në drejtësi dhe do të rrisë koston e procesit gjyqësor pasi disa qytetarëve do të duhet të udhëtojnë mbi 200 kilometra për të arritur në gjykatë”.

    Në shenjë proteste ndaj hartës së re gjyqësore, Dhoma e Avokatisë Shqiptare udhëzoi anëtarët e saj të bojkotojnë të gjitha proceset gjyqësore në korrik 2022 dhe avokatët në të gjithë vendin kanë refuzuar të ofrojnë shërbime ligjore.

    “Përkundër pretendimeve të qeverisë për rritjen e efektivitetit gjyqësor, vëzhguesit e shtetit ligjor argumentojnë se reformat i japin përparësi prakticiteti ndaj efektivitetit gjyqësor”, thuhet në raport.

    Sipas Freedom House, të gjitha këto probleme “kanë krijuar mosbesim tek drejtësia”.

    Gjendja e Medias dhe Shoqërisë Civile

    Raporti shpreh shqetësimin për gjendjen e medias, duke përmendur presionin nga interesat politike për të frenuar mbikqyrjen nga media dhe manipuluar narrativën mediatike për t’u shërbyer agjendave partiake. Freedom House përmend rënien me disa pozicione të Shqipërisë në Indeksin e Gazetarëve pa Kufij.

    “Shumica e mediave në Shqipëri zotërohen nga persona biznesi me lidhje të ngushta me politikanë dhe/ose rrjete të krimit të organizuar dhe shërbejnë si zëdhënëse për këto interesa”, thotë raporti.

    Disa gazetarë u sulmuan verbalisht dhe/ose fizikisht për mbulimin e tyre. Sipas raportit, Drejtoria e Përgjithshme Shqiptare e Tatimeve vendosi gjoba të larta për rrjete dhe media të ndryshme televizive, si dhe kompanitë që i kanë ato në pronëseim për mbulim kritik ndaj qeverisë.

    “Duke pasur parasysh natyrën e paqartë të pronësisë dhe financimit të medias në Shqipëri, është e vështirë të analizohen motivet e sakta prapa gjobave kaq të mëdha apo ndonjë lidhje të mundshme midis politikës dhe pronësisë së medias”, thuhet në raport.

    Në raport përmendet padia për shpifje kundër gazetarit Isa Myzyraj, pasi ai raportoi për pasuri të pashpjegueshme të ish-prokurores Elizabeta Imeraj, dështimin e saj për të kaluar procesin e vetingut gjyqësor dhe shkarkimin e saj.

    Elvis Hila u kërcënua për publikimin e lajmeve për dokumente të falsifikuara gjyqësore në Lezhë dhe ai dhe bashkëshortja e tij u sulmuan fizikisht një ditë pasi ai dha lajmin.

    Unioni i Gazetarëve Shqiptar dhe Gazetarët pa Kufij konfirmuan se Myzyraj, Hila dhe gazetarë të tjerë kanë qenë në shënjestër të grupeve të krimit të organizuar, individëve të lidhur politikisht dhe oficerëve të korruptuar brenda sistemit të policisë dhe drejtësisë.

    Organizata e Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR) vë në dukje se Shqipëria po dështon të mbrojë gazetarët dhe shtypin e lirë.

    Sipas raportit në vitin 2022, emisionet televizive të formatit të opinionit u bënë mjet kryesor për dezinformimin e nxitur nga interesat politike dhe lidhjet e pronarëve dhe jo nga faktet — “siç shihet në pasqyrimin e luftës për pushtet Basha-Berisha, akuzat për korrupsion kundër zyrtarëve qeveritarë për shpërdorim në menaxhimin e kontratave publike, dhe rolin e krimit të organizuar në trafikimin e qenieve njerëzore dhe migrimin e shqiptarëve në Britani.

    Një shembull që përmend raporti është ai pas raportit të zbulimit amerikan për paratë ruse, ku përfshihej edhe rasti i 500 mijë dollarëve të PD-së të lidhur me Rusinë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme 2017.

    “Gazetarët pyetën ish-kreun e PD-së Lulzim Basha nëse ai do të jepte dorëheqjen dhe do të merrte përgjegjësin për akuzat për paratë ruse. Basha u përgjigj me komente përçmuese dhe më pas disa gazetarë u ndaluan nga konferencat e ardhshme për shtyp”, thuhet në raport.

    Gjithashtu, disa gazetarë janë sulmuar verbalisht gjatë pasqyrimit të protestave dhe përplasjeve të dhunshme jashtë selisë së PD-së dhe përçarjeve mes Bashës dhe Berishës për kryesinë e partisë.

    “Anëtarët e lartë të qeverisë ndaluan gjithashtu disa gazetarë nga konferencat e tyre për shtyp kur pyetjet e tyre u konsideruan tepër të forta, siç ndodhi në një rast me pyetjet për ministren e Jashtme Olta Xhaçka”, thuhet në raport.

    Në përgjigje të kësaj shtypjeje të lirisë së shtypit, gazetarët protestuan jashtë zyrës së kryeministrit në korrik duke kërkuar trajtim më të mirë të gazetarëve nga politikanët në të gjithë spektrin politik.

    Përsa i takon shoqërisë civile, në vitin 2022, lëvizjet qytetare në Shqipëri u bënë më të organizuara në mbështetje të çështjeve që organizatat tradicionale joqeveritare dhe të shoqërisë civile, zakonisht i kanë injoruar.

    Këtu përmendet rasti i “Diasporës për një Shqipëri të Lirë” e cila ngriti një çështje kundër Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar njohjen e së drejtës së shqiptarëve që banojnë jashtë vendit për të votuar në zgjedhjet parlamentare.

    “Në dhjetor, gjykata vendosi se parlamenti kishte shkelur kushtetutën duke mos lejuar shqiptarët që jetojnë jashtë të votojnë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 dhe urdhëroi që diaspora të lejohet të votojë nga jashtë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, thuhet në kapitullin e Shqipërisë që e ka lexuar shërbimi shqip i Zërit të Amerikës.

    Po ashtu, thuhet në raport, studiuesi Fabian Zhilla organizoi një peticion me mbi 10,000 nënshkrime duke i kërkuar Kuvendit të rregullojë programet “reality show” dhe të urdhërojë Autoritetin e Mediave Audiovizive të përforcojë dhe zbatojë legjislacionin aktual për programet televizive që përhapin gjuhën e urrejtjes.

    “Këto lëvizje tregojnë se anëtarët e shoqërisë civile po bëhen më të organizuar pasi publiku shqiptar bëhet më i vetëdijshëm se si të përdorë mjetet demokratike, pjesërisht për shkak të platformave të mediave sociale dhe përparimeve teknologjike”, thotë raporti.

    Sipas raportit, një nga parakushtet kyçe të anëtarësimit në BE për Shqipërinë është që Organizatat Joqeveritare dhe ato të Shoqërisë Civile të përfshihen në konsultime kur të hartohen ligjet.

    Megjithatë, sipas raportit, shqetësimet e tyre për hartën e re gjyqësore edhe kur Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor më në fund i përfshiu pas neglizhimit fillestar, u hodhën poshtë.

    Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka ekspozuar vazhdimisht se si Kuvendi dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor i sapo reformuar nuk kanë marrë parasysh propozimet e OJQ-ve dhe shoqërisë civile, apo shqetësimet e qytetarëve për qasje në drejtësi, përfshirë kostot e larta dhe sfidat logjistike që rezultojnë nga riorganizimet e gjykatave.

    Sipas vëzhguesve, këto dështime janë një temë e përsëritur në Shqipëri.

    Ballkani Perëndimor mes Shpresës dhe Zhgënjimit

    Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, joanëtare të BE-së ishin regjime hibride/demokraci në tranzicion dhe institucionet demokrative vazhduan të ishin të brishta në vitin 2022. Sipas raportit, në vendet e Ballkanit Perëndimor, zërat e shoqërisë civile dhe qytetarëve janë përjashtuar.“Në gjithë Ballkanin Perëndimor, politika e përqendruar tek elitat dhe diplomacia, kanë përjashtuar zërat e shoqërisë civile dhe qytetarëve të thjeshtë, duke lejuar që udhëheqës anti-demokratikë dhe autoritarë kontrollojnë të ardhmen e vendit”, thuhet në raport.

    Përmirësimet modeste në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut ishin në barazpeshë me rëniet në Mal të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa rezultati i Serbisë mbeti i pandryshuar.

    Megjithëse rezultatet në raport e vendosin Shqipërinë pranë Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në aspektin e zhvillimit demokratik, sondazhet sugjerojnë se shqiptarët janë më shumë optimistë se anëtarësimi në BE, do të ofrojë jo vetëm mirëqenie ekonomike, por edhe përmirësim të standardeve demokratike.

    Alexandra Karppi e organizatës Freedom House thotë se angazhimi i shtuar i BE-së dhe SHBA-së si në bisedimet Kosovë-Serbi, edhe më gjerë në rajon është është diçka pozitive.

    “Megjithatë këto janë procese të drejtuara nga elita që mund të bëjnë më shumë për të pasqyruar perspektivën e qytetarëve dhe aktorëve joqeveritarë”, thotë ajo.

    Qytetarët e vendeve kandidate të BE-së vazhduan të mbështesin në masën më të madhe anëtarësimin në bllok. Megjithatë ata dyshojnë se anëtarësimi do të vijë së shpejti.

    Serbët janë një përjashtim i qartë, me skepticizmin më të lartë për të përfitimet nga anëtarësimi.

    Sipas raportit, mungesa e shpresës ka kontribuuar në eksodin nga rajoni. Një e pesta e të lindurve në Ballkanin Perëndimor, janë larguar nga vendet e tyre.

    Raporti sugjeron nevojën e një riangazhimi energjik nga BE-ja për integrimin dhe paralajmëron se braktisja nga Perëndimi hap rrugën për ndërhyrje dhe ndikim nga fuqitë autoritare, shkruan VOA. “Kjo shihet nga përpjekjet e vazhdueshme të Moskës për të përhapur dezinformim dhe krijuar lidhje politike në rajon”, thuhet në raport. Por, Freedom House thekson se janë udhëheqësit e vendeve që duhet të sjellin përparimin demokratik për qytetarët e tyre.

  • ‘Qeveria për familjet”, Shabani: Nuk është zgjidhje e papunësisë për me e punësu dikë vetëm për 6 muaj

    ‘Qeveria për familjet”, Shabani: Nuk është zgjidhje e papunësisë për me e punësu dikë vetëm për 6 muaj

    Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Zekirja Shabani, në emisionin A23 në ATV, tha se projekti ‘Qeveria për familjet” nuk është një zgjedhje për ta zbutur papunësinë në vend, por sipas tij, kjo i ndihmon institucionit që të abuzojë me shifra.

    “Nuk është zgjidhje për gjashtë muaj me punësua dikë, por është një zgjedhje në atë që thamë, abuzim të vazhdueshëm me shifra, është keqpërdorim i shifrave në të mirë të institucionit. Agjencia e Statistikave në fund të vitit do të dalë me atë shifrën e famshme që me anketën e punësimit që në Kosovë është ulur papunësia për shkak se çdo gjashtë mujor kemi pasur rritje të numrit të të punësuarve dhe rritje të numrit të të angazhuarve me kontratë”, tha Shabani.

    Sipas tij, praktika të tilla kanë ndodhur edhe me qeveritë e kaluara, të cilët përmes projekteve të ndryshme angazhonin punëtorë me paka tejet të ulëta, dhe në fund të vitit thoshin se ka pasur ulje të papunësisë në vend.

    “Qeveritë e kaluara përmes skemave të caktuara të ministrisë së punës, kanë punësuar njerëz për me pastru kanale, për me pastru ara, për me pastru rrugë të ndryshme dhe kështu dilnin në fund të vitit e thoshin ‘e kemi ulë papunësinë në Kosovë’ duke ua dhënë nga 150 euro në muajt”, tha Shabani. /atvlive.tv