ATV

Tag: Ballina

  • NATO bën thirrje për shtensionimin e situatës në veri

    NATO bën thirrje për shtensionimin e situatës në veri

    Aleanca Veri-Atlantike ka bërë sot thirrje institucioneve të Kosovës që të shtensionojnë situatën në veri.

    Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu u ka bërë thirrje po ashtu palëve që çështja të zgjidhet përmes dialogut.

    “I nxisim institucionet në Kosovë që të shtensionojnë situatën menjëherë dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që çështjen ta zgjidhin përmes dialogut. NATO, KFOR mbetet vigjilent dhe do të sigurojë një mjedis të sigurt dhe të sigurt”, shkruan Lungescu në Twitter.

    Të premten në veri të vendit u tensionua situata pasi kryetarët e sapo zgjedhur të Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviqit tentuan të hyjnë në zyrat e tyre të punës.

    Situata u tensionua pasi grupe të qytetarëve serbë u tubuan për të ndaluar hyrjen e zyrtarëve në vendet e tyre të punës.

    Megjithatë, kryetari i Zubin Potokut dhe ai i Zveçanit arritën të hyjnë në objektet e komunës nën përcjelljen e Policisë së Kosovë.

    Nga situata e krijuar të premten në veri u lënduan pesë policë, u dogj një veturë e Policisë dhe u dëmtuan disa të tjera.

  • Kurti për zhvillimet në Veri: I kuptoj shqetësimet e partnerëve, por çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve

    Kurti për zhvillimet në Veri: I kuptoj shqetësimet e partnerëve, por çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është i vetëdijshëm dhe se i kupton shqetësimet e ngritura nga partnerët ndërkombëtarë për zhvillimet e djeshme në veri, por se çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve

    Ai ka ftuar qytetarët serbë të Kosovës që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre.

    “Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj; do të ishte mos përmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës; dhe, do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë.

    Andaj, si Kryeministër i të gjithë qytetarëve, ftoj të gjithë, veçanërisht qytetarët serbë të Kosovës, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre, të cilat do të jenë multi-etnike, multi-kulturore, multi-gjuhësore dhe multi-partiake. Ata janë të zgjedhur dhe nuk janë kundër askujt, por në shërbim të të gjithëve”, ka shkruar Kurti.

    Kurti ka bërë me dije se të gjitha rrugët në veri janë të kalueshme, derisa ka falenderuar pjesëtarët e Policisë së Republikës së Kosovës “për qëndrimin e tyre profesional, shtetëror dhe në mbrojtje të sundimit të ligjit”.

    “Ata, siç dëshmojnë çdo ditë, e dëshmuan edhe dje, që janë të gatshëm për t’i shërbyer rendit, ligjit e Republikës si profesionistë, të patrembur e dinjitozë, në afirmimin e një ambienti multi-etnik të sigurisë, pavarësisht kushteve të rënda që shkaktuan grupet e menaxhuara nga struktura parapolitike në atë pjesë të vendit”, thuhet në postimin e Kurtit.

  • KFOR-i për veriun: Situatë tejet e rrezikshme

    KFOR-i për veriun: Situatë tejet e rrezikshme

    Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, e ka cilësuar tejmase të rrezikshme situatën që ka mbizotëruar të premten në veri të Kosovës, pas tensioneve që përcollën futjen e kryetarëve të rinj të komunave veriore në objektet e komunave.

    Në një komunikatë për media në mbrëmje, KFOR-i ka dënuar “veprimet e njëanshme” dhe ka bërë thirrje për përmbajtje.

    “KFOR-i është duke e monitoruar me kujdes situatën në komunat në veri të Kosovës, ku një seri përplasjesh janë shkaktuar nga hyrja me forcë e kryetarëve të sapozgjedhur në ndërtesat e komunave. Kjo është tejmase e rrezikshme për procesin e normalizimin dhe rrezikon përshkallëzim të mëtejmë të tensioneve. KFOR-i dënon me vendosmëri këto veprime të njëanshme dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna që mund të kërcënojë sigurinë në Kosovë. Koordinimi midis të gjithë akterëve është thelbësor për ta shmangur përshkallëzimin e mëtejmë. Prioritet i parë i KFOR-it mbetet sigurimi i një mjedisi të sigurt, në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Dialogu dhe diplomacia janë e vetmja rrugë drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Kosovë”, thuhet në reagim.

  • Dita kur gjykata konfirmoi padinë kundër Slobodan Milosheviqit

    Dita kur gjykata konfirmoi padinë kundër Slobodan Milosheviqit

    Gjykata e OKB-së mbi krimet e luftës në Hagë, më 27 maj të vitit 1999 ka konfirmuar se ka paditur presidentin jugosllav, Slobodan Milosheviq, si kriminel lufte.

    Më 1 prill të vitit 2001, Millosheviqi është arrestuar në Beograd. Ndërsa, me urdhrin e qeverisë serbe, me 28 qershor është ekstraduar për në Hagë, pasi paraprakisht është bërë publike aktakuza për krime lufte në Kosovë.

    Më vonë, Millosheviqi është akuzuar për krime edhe në Kroaci dhe gjenocid në Bosnje-Hercegovinë.

    Gjykimi kundër Millosheviqit në Hagë ka filluar me 12 shkurt të vitit 2002.

    Nxjerrja e dëshmive për krime në Kosovë e Kroaci dhe për gjenocid në Bosnje – Hercegovinë, ka zgjatur deri me 25 shkurt të vitit 2004. Mbrojtja e tij ka filluar me në fund të gushtit të atij viti.

    Gjykimi kundër Millosheviqit është ndërprerë me dhjetëra herë për shkak të problemeve kardiovaskolare dhe tensionit të lartë të gjakut.

    Më 11 mars të vitit 2006 në orën 9:30, Slobodan Milosheviq është gjetur i vdekur në qelinë e tij.

  • Opozita: Kurti mashtron me shifrat për të punësuar, mijëra të rijnë që po e lëshojnë Kosovën çdo ditë

    Opozita: Kurti mashtron me shifrat për të punësuar, mijëra të rijnë që po e lëshojnë Kosovën çdo ditë

    Partitë opozitare në Kosovë po vlerësojnë se statistikat e publikuar nga kryeministri Albin Kurti, që për 21 muaj në Kosovë janë punësuar 37 350 persona, nuk qëndrojnë dhe janë mashtrim.

    Sipas Partisë Demokratike të Kosovës Qeveria është duke mashtruar publikun me këto shifra. Nga Lidhja Demokratike e Kosovës thonë se shifrat për të punësuarit janë të krijuara ad-hoc, pasi sipas tyre, çdo ditë të rinjtë janë duke e lëshuar vendin. E nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thonë se nuk dinë se nga i kanë marr Qeveria ato statistika, pasi sipas tyre, të dhënat nga tereni janë ndryshe.

    Deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku, tha se numër i madh i të rinjve po ikin drejtë vendeve të BE-së, kjo për faktin se sipas tij, Qeveria nuk e ka mbështetur sektorin privat, i cili sipas tij, ofron më së shumti punësim.

    “Ne e shohim një ikje më të madhe të qytetarëve drejt Evropës dhe si sfidë e madhe e Kosovës mbetet emigrimi, në këtë drejtim si qeveri dhe Kuvendi duhet të luaj një rol drejt mbështetjes së sektorit privat, duke e ditur që sektori privat është sektori që më së shumit ofron punësim. Deri më tani nuk kemi parë që qeveria ka mbështetur drejtpërdrejt institucionet që të krijoj vende të sigurta të punës. Kemi parë që ka hapur një segment të ri që e ka quajtur ‘Super puna’ që realisht super punë konsiderohet një pagë mesatare 700 euro e  jo 264 euro kjo është vetëm për të nënçmuar të gjithë ata që angazhohen në këtë”, tha ai.

    Lushtaku tha se më shumë ka formalitet të të punësuarve se sa ka rritje të vërtetë të vendeve të punës, duke shtuar se në këtë rast nuk duhet që të mashtrohet publiku me këto shifra.

    Ai tha se vendi do të ballafaqohet me një krizë të vërtet pas liberalizimit të vizave nëse Qeveria nuk ndërmerr hapa që të krijojë kushte të favorshme për punëtorët.

    “Numri ka qenë në rritje, po më shumë ka formalitet të punësuarve se sa ka rritje të vërtet të të punësuarve. Këtu duhet të bëjmë dallimin sepse nuk mund të mashtroj ai edhe opinioni publik  me këto shifra sepse edhe Odat ekonomike edhe vetë bizneset më së miri din se çfarë vështirësive të mëdha kanë përballuar këto dy vitet e fundit gjatë qeverisjes se Kurtit duke pasur vështirësi të gjejnë edhe punëtorë. Ne e dimë shumë mirë që me liberalizimin e vizave, krenohemi si shtet që kemi arritur këtë sfidë, një vendim realisht i pa drejt deri më tani sepse ai është dashur të ndodhë në 2014”.

    “Sfidës i ndërlidhet me heqjen e vizave edhe pjesa e pa sigurisë se vendeve të punës dhe falimentimeve të bizneseve. Kosova do të ballafaqohet me një krize të vërtet nëse nuk arrin që bizneset ti rrisin pagat në sektorin privat dhe ti krijojnë kushte të favorshme për punëtoret të cilët duna të mbesin në Kosovë”, tha ai.

    Deputeti i LDK-së Besian Mustafa, tha se në lidhje me statistikat për të punësuarit nuk ka dakordim as ndëmrjet kryeministrit Kurti, zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi e Ministrit të Financave Hekuarn Murati, pasi sipas tij, ata të tre kanë publikuar statistika të ndryshme.

    “Fillimisht do të duhej që të kishte një dakordancë mesë kryeministrit edhe zëvendësit të tij Bislimit dhe ministrit të financave sepse kemi parë numra të ndryshëm nga të tre. Pra do të duhej që të kishin të qartë mesë vete pra ju sugjeroj që të pini një kafe së bashku dhe të vendoseni se sa është numri i vërtet ose numri i saktë me të cilin do të dalin në publikë. Vetë fakti që nuk mund të pajtohen këta të tre që janë të një partie, të një pushteti dhe që të dy i ka emëruar vetë kryeministri tregon që shifrat janë të krijuara ad hoc aty për aty secili për vetë”, tha ai.

    Mustafa tha se nuk është e vërtet që janë krijuar dhjetëra, mijëra vende punë, pasi sipas tij, janë me mijëra të rijnë që po e lëshojnë Kosovën çdo ditë.

    “Fatkeqësisht nëse kjo do të ishte e vërtet që qenkan krijuar me dhjetëra mijëra vende pune do të duhej që të përgjigjej kryeministri në një pyetje shumë elementare që fatkeqësisht zëvendësi i tij Bislimi ka dhënë një përgjigje jo serioze dhe qesharake. Është fakti që kemi me dhjetëra, mijëra të rijnë që po e lëshojnë Kosovën çdo vit duke e përfshirë dhe këtë mbi dy vjeçar të kësaj qeverie”.

    “Prandaj kam një pyetje për kryeministrin Kuri, nëse paska një zhvillim kaq të hovshëm ekonomik nëse paska vende kaq shumë të reja të punës të hapura në Kosovë pse rinia kosovare po e lëshon vendin, po e lëshon Kosovën me dhjetëra, mijëra çdo vit. Përgjigja do ta merr shumë të qartë, ku do të doja të dija edhe nga vetë kryeministri se ai përgjigjen nga rinia kosovare po e merr çdo ditë”, tha ai.

    Deputeti i AAK-së Pal Lekaj, tha se ndërmarrjet ekonomike në vend nuk janë fare të kënaqur sa i përket investimeve e subvencionimeve nga Qeveria.

    Ai tha se këto statistika të bëra publike nga Kurti nuk qëndrojnë, pasi sipas tij, të dhënat nga tereni e thonë të kundërtën.

    “Sa i përket qeverisë ajo është e thirru që të sheh vetëm pozitivisht, ndërsa nëse dalim në teren dhe i shohim edhe ndërmarrjet ekonomike, duke filluar nga ekonomit familjare, ndërmarrjet e mesëm dhe ndërmarrjet e mëdha e thënë të kundërtën dhe nuk janë fare të kënaqur sa i përket investimeve e sidomos subvencionimit të Qeverisë”.

    “Ajo që vlen të theksohet kjo Qeveri do të mbahet mend për mos pezmatueshmërinë e parasë publike që thuajse as gjë nuk po lëviz. Nuk dijë se nga i kanë marr këto statistika, mirëpo të dhënat që vijën nga tereni qytetarët dhe ndërmarrësit janë shumë, shumë të pa kënaqur me këtë qeveri dhe mund të them që kjo qeveri është qeveria më e dobët në historinë e qeverisej së shtetit të Kosovës”, tha ai.

  • Zeqiri për ATV-në: Do të vazhdoj punën me rrjedhë normale, serbët po ndihen të frikësuar nga banadat kriminale të Serbisë e Rusisë

    Zeqiri për ATV-në: Do të vazhdoj punën me rrjedhë normale, serbët po ndihen të frikësuar nga banadat kriminale të Serbisë e Rusisë

    Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, në një intervistë për ATV-në, tha se sot ishte dita më e veçantë për të. Ai këtë intervistë e dha në objektin e Komunës së Zubin Potokut, ku vendosja e tij në këtë komunë u përcoll me tensione të shumta të protestuesve serbë.

    “Dita e parë ishte sot ditë më ë veçantë për mua, mirëpo s’mund të them që jam i kënaqur me këtë revoltën që ishte e një pjesë e qytetarëve dhe punëtorëve që kanë qenë në këtë objekt, mirëpo duhet të jetë një gjë e dishme, që ata punëtorë që kanë punu, ju mund të merrni edhe pamjet nëpër objekt, gjithçka asgjë nuk kanë respektuar të Republikës së Kosovës, siç duhet të jetë”, tha Zeqiri.

    Sipas tij, janë një pjesë e punëtorëve të komunës që janë të ndikuar nga bandat kriminale, të financuara prej Serbie.

    “Janë një pjesë e punëtoreve të ndikuar nga bandat kriminale, të financuara prej Serbie për ta penguar edhe administrimin, edhe sigurinë e Republikës së Kosovës. Ndoshta nuk ishte kjo forma më e mirë, mirëpo megjithatë është një harmonizim dhe një qëndrim edhe i Qeverisë që ne të fillojmë punën sa më parë në objektet e komunës”, tha Zeqiri.

    Ai tha se edhe në ditët të ardhshme do të vazhdojnë punën me rrjedhë normale.

    Grupe të ndikuara nga shërbime të ndryshme të Serbisë edhe të Rusisë, sipas kryetarit Zeqiri, e kanë pru qytetarin në një hapësirë të jetës shumë të ngushtuar.

    “Ne mendojmë që do të funksionojmë me rrjedhë normale. Duke qenë të bindur se secili qytetari i vynë edhe i duhet shërbimi por edhe liria e jetës. Këto grupe të ndikuara nga shërbime të ndryshme të Serbisë edhe të Rusisë e kanë pru qytetarin në një hapësirë të jetës shumë të ngushtuar, duke mos guxuar as të punojë i lirë e as të veprojë i lirë, por sipas diktateve të tyre qysh ata i udhëzojnë të punojnë dhe veprojnë, herë pas here edhe i shtynë me zor të dalin të bëjnë ndoshta një protestë ose t’i pengojnë organet e drejtësisë, të sigurisë, i keqpërdorin, kryesisht herë pas here edhe femrat edhe të miturit i qesin përballë. Kjo është taktika e veprimit të atyre mekanizmave kriminale”, tha Zeqiri.

    Ai tha se beson që administrimi në bazë të infrastrukturës së Republikës së Kosovës do të jetë i pranueshëm për të gjithë qytetarët. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të tij e gjeni në videon e më poshtme nga minuta 50:00:

  • Sveçla: Përgëzoj Policinë për profesionalizmin në ballafaqimin me grupe kriminale në veri

    Sveçla: Përgëzoj Policinë për profesionalizmin në ballafaqimin me grupe kriminale në veri

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është shprehur se kryetarët e komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.

    Ai ka përgëzuar Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar në “ballafaqimin me grupe të organizuara kriminale”.

    “Pas ceremonive të djeshme të betimit të Kryetarëve të komunave veriore, kryetarët e komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq sot janë vendosur në zyret e tyre në objektet komunale. Ata do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim. Përgëzoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar në ballafaqimin me grupe të organizuara kriminale, që kishin për qëllim pengimin e këtij procesi. 5 pjesëtarë të policisë janë lënduar nga sulmet e këtyre grupeve por që fatmirësisht lëndimet janë të lehta, ata ndihen mirë dhe janë në detyrë.”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

    Ai ka potencuar se institucionet demokratike të Republikës së Kosovës do të jenë gjithnjë në shërbim të qytetarëve të vendit pa dallim dhe të pakompromis me sulmuesit e demokracisë, ligjit dhe qytetarisë.

    “Ftoj të gjithë qytetarët tanë që të mos bien pre e manipulimeve të grupeve kriminale të cilët për hir të përfitimeve kriminale personale e grupore dëshirojnë kaos dhe suspendim të shtetit të së drejtës e të demokracisë.”, ka shkruar tutje ai.

    Pesë policë janë lënduar dhe katër automjete janë dëmtuar nga incidentet në veri të Kosovës. Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës, duke theksuar se një prej veturave është djegur.

    Me qëllim të pengimit të hyrjes së kryetarëve në objektet komunale, disa qytetarë janë mbledhur para ndërtesave komunale në veri të vendit. Përveç personave të angazhuar dhe automjeteve të tyre të vendosura në afërsi dhe pranë objekteve komunale, në komunat veriore janë lëshuar edhe alarmet, të cilat përdoren nga strukturat kriminale për mobilizim dhe tubime.

    Kryetari i Zveçanit, ai i Leposaviqit dhe kryetari i Zubin Potokut, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë kryer betimin të enjten (25 maj). Asnjëri prej tyre nuk është betuar në objektin e komunës përkatëse, përveç kryetarit të veriut të Mitrovicës.

    Zgjedhjet në veri janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Kryetarët paraprakë nga kjo parti, kanë dhënë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar. Ata janë larguar nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që ka obliguar qytetarët t’i kthejnë targat e veturave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës./KosovaPress

  • Situata në veri, Rama: Nuk ndihmon në njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë

    Situata në veri, Rama: Nuk ndihmon në njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar të premten lidhur me situatën e krijuar në veri të Kosovës, ndërsa theksoi se kjo situatë nuk e ndihmon procesin për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

    Kryeministri Rama ka shkruar në Facebook se pas tensioneve në veri të Kosovës, ku disa qytetarë kanë bërë përpjekje të pengojnë kryetarët e zgjedhur që të futen në objektet e komunës.

    “A e ndihmon kjo që po ndodh në Kosovë procesin ku janë angazhuar të tërë miqtë e mëdhenj të Kosovës e të shqiptarëve, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë?! Me siguri jo përderisa vetë miqtë tanë më të mëdhenj shprehen thellësisht të shqetësuar”, shkruan Rama.

    Kryeministri iu bashkua ndërkombëtarëve në apelin për të mos ecur më tej në këtë shteg jo vetëm të rrezikshëm, po edhe krejt të panevojshëm sot, kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun, normalizimin, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

  • Hovenier: Dhuna në veri duhet të ndërpritet menjëherë

    Hovenier: Dhuna në veri duhet të ndërpritet menjëherë

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se dhuna në veri të vendit duhet të ndërpritet menjëherë.

    Hovenier ka reaguar pas tensioneve në veri të Kosovës ku një grup qytetarësh kanë bërë përpjekje të pengojnë kryetarët e zgjedhur që të futën në objektet e Komunës.

    “Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet e vazhdueshme të autoriteteve të Kosovës për t’iu qasur objekteve komunale në veri të Kosovës. Dhuna e sotme duhet të ndalet menjëherë” ka shkruar ai.

    Gjatë ditës, Policia e Kosovës ka njoftuar se po asiston kryetarët e zgjedhur për të hyrë në objektet komunale.

    Me qëllim të pengimit të hyrjes së kryetarëve në objektet komunale, disa qytetarë janë mbledhur në para ndërtesave komunale në veri të vendit.

    Policia ka deklaruar se përveç personave të angazhuar dhe automjeteve të tyre të vendosura në afërsi dhe pranë objekteve komunale, në komunat veriore janë lëshuar edhe alarmet të cilat përdoren nga strukturat kriminale për mobilizim dhe tubime.

    Siç ka njoftuar Policia, protestuesit në Zveçan kanë filluar të shfaqin dhunë duke hedhur mjete të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë.

    Pesë policë janë lënduar dhe katër automjete janë dëmtuar nga incidentet në veri.

    Kryetari i Zveçanit, ai i Leposaviqit dhe kryetari i Zubin Potokut, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë kryer betimin të enjten. Asnjëri prej tyre nuk është betuar në objektin e komunës përkatëse, por ceremonia është zhvilluar në ndërtesa të tjerë publike.

    Zgjedhjet në veri janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Kryetarët paraprakë nga kjo parti, kishin dhënë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar.

    Ata u larguan nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që obligonte qytetarët t’i kthejnë targat e veturave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës.

  • ​Pesë policë të lënduar nga incidentet në veri të Kosovës

    ​Pesë policë të lënduar nga incidentet në veri të Kosovës

    Pesë policë janë lënduar dhe katër automjete janë dëmtuar nga incidentet në veri të Kosovës. Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës, duke theksuar se një prej veturave është djegur.

    Me qëllim të pengimit të hyrjes së kryetarëve në objektet komunale, disa qytetarë janë mbledhur para ndërtesave komunale në veri të vendit.

    Përveç personave të angazhuar dhe automjeteve të tyre të vendosura në afërsi dhe pranë objekteve komunale, në komunat veriore janë lëshuar edhe alarmet të cilat përdoren nga strukturat kriminale për mobilizim dhe tubime.

    Policia ka konfirmuar se protestuesit në Zveçan kanë filluar të shfaqin dhunë duke hedhur mjete të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë.

    “Protestuesit në Zveçan pas një kohe kanë filluar të shfaqin dhunë, të fyejnë e të hedhin mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare, duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë dhe lëndime të lehta trupore deri tani ndaj pesë (5) zyrtarëve policorë të cilët më pas u janë kthyer detyrave policore”, ka njoftuar Policia.

    Në komunikatë thuhet se njësitet policore relevante në vetëmbrojtje janë detyruar të reagojnë dhe të përdorin mjetet e ligjshme siç është gazi lotsjellës, për të shpërndarë turmën si dhe për t’u mundësuar kryetarëve hyrjen në objekte.

    “Po ashtu janë shkaktuar dëme materiale ndaj katër (4) automjeteve zyrtare, njërës prej tyre ia kanë vënë zjarrin. Dyshohet se në afërsi janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por që ende nuk dihet lokacioni i saktë”, ka bërë të ditur Policia.

    Tutje, është bërë e ditur lidhur me veprimet e deritanishme Policia ka bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet me organet e drejtësisë, të cilët rastin e kanë cilësuar si “Sulm Kundër Rendit Kushtetues”.