ATV

Tag: Ballina

  • Komandanti i KFOR-it: Nëse s’do të ndërhynim në veri, tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit

    Komandanti i KFOR-it: Nëse s’do të ndërhynim në veri, tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit

    Komandanti i KFOR-it, Angelo Michelle Ristuccia, ka deklaruar se në Zveçan kishte njerëz që sipas tij, kanë pasur qëllim për ta nxitur turmën e banorëve serbë, të cilit që nga 26 maji janë mbledhur para objektit të komunës.

    Serbët lokalë që kanë sulmuar personelin e KFOR-it, Policinë e Kosovës dhe gazetarët, po i kundërshtojnë kryetarët e komunave veriore. ShBA-të kanë qortuar Qeverinë Kurti për veprimet e saja karshi këtyre zhvillimeve, teksa kanë përjashtuar Kosovën nga ushtrimi ushtarak “Defender Europe 2023”.

    E sipas Risctuccias, po mos të ishte KFOR-i i pranishëm në komunat po ndodhin tensionet, gjërat do të kishin shkuar shumë më keq, transmeton Paparaci.

    “Nëse nuk do të kishim ndërhyrë, tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit”, tha ai për gazetën italiane “La Repubblica”.

    Prandaj siç thotë ai, situata në veri do të mund të përshkallëzonte më tej pa praninë e KFOR-it.

    Së fundmi, NATO ka vënë në gatishmëri të lartë edhe një batalion rezervë për dislokim në Kosovë “në rast se ka nevojë”, shkaku i tensioneve në veri të vendit. Kjo është bërë e ditur gjatë vizitës së komandantit të Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admiralit Stuart Munsch, në KFOR.

    Ky lajm vjen vetëm një ditë pasi NATO vendosi të dislokojë forca shtesë, pasi 30 ushtarë të misionit të saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në Zveçan.

    “Diskutimet e tyre [Admiralit Munsch dhe komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia] përfshinin dislokimin e 700 trupave shtesë nga batalioni rezervë i thirrur në Kosovë nga NATO për të normalizuar situatën dhe për të garantuar sigurinë, si dhe dislokimin e mundshëm të një batalioni tjetër rezervë që është vendosur në gatishmëri të lartë, në rast se nevojiten trupa shtesë”, thuhet në postimin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli në Twitter.

  • Sveçla thotë se ​grupet kriminale në Zveçan janë të drejtuara nga Beogradi

    Sveçla thotë se ​grupet kriminale në Zveçan janë të drejtuara nga Beogradi

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se autorët e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Zveçan, do të vihen para drejtësisë.

    Ai ka deklaruar se grupet kriminale në veri të vendit janë të drejtuara nga Beogradi.

    “Dënojnë ashpër sulmet e fundit ndaj Policisë së Kosovës në Zveçan nga grupet kriminale të maskuara të drejtuara nga Beogradi. Këto akte rrezikojnë jetë dhe synojnë destabilizimin e vendit tonë. Ne qëndrojmë të bashkuar kundër një dhune të tillë. Autorët do të identifikohen dhe do të vihen para drejtësisë”, ka shkruar Sveçla në Twitter.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një zyrtar policor ka marrë lëndime nga sulmet e protestuesve në veri të vendit.

    Sipas njoftimit të Policisë, në orët e pasdites janë hedhur gurë në drejtim të tri automjeteve të Policisë.

  • Serwer: ShBA-të mbështesin 100% Vuçiqin, duan që Kurti t’i përkulet vullnetit tyre

    Serwer: ShBA-të mbështesin 100% Vuçiqin, duan që Kurti t’i përkulet vullnetit tyre

    Profesori amerikan Daniel Serwer në një intervistë për Euronews Albania, komentoi situatën e tensionuar në Veri të Kosovës.

    Ai theksoi se SHBA po mbështet 100% Beogradin ndërsa shtoi se kërkojnë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet t’i përgjigjet vullnetit të Serbisë.

    Sipas tij, Kurti duhet të menaxhojë marrëdhëniet që ka me SHBA dhe BE.

    “Shtetet e Bashkuara po mbështesin Beogradin në 100% dhe kërkojnë që Kurti ti përgjigjet vullnetit të Beogradit. Kjo është ajo çka po përpiqen të bëjnë. Mendoj se SHBA dhe BE do të vazhdojnë rrugëtimin që kanë zgjedhur dhe ajo që Kurti duhet të kuptoj është se si të menaxhojë marrëdhëniet me SHBA dhe BE, në mënyrë që këto dy të fundit të jenë në një pozicion më neutral”, tha ai.

  • Haliti tregon se a do ta votojë rrëzimin e qeverisë Kurti

    Haliti tregon se a do ta votojë rrëzimin e qeverisë Kurti

    Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti mbrëmë në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ka kërkuar publikisht dorëheqjen e Albin Kurtit, pas qortimeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por thekson se për rrëzimin e Qeverisë do të duhet t`i kenë votat.

    “Ka tri ditë që i kam kërku publikisht dorëheqjen, Albin Kurtit. Kryeministri i Kosovës duhet të tërhiqet për shkak të veprimeve të pamatura, duhet të mbaj përgjegjësi dhe në radhë të parë, të shkarkoj ministrin e brendshëm, sepse mendoj që ai ka udhëhequr dhe ka komanduar forcat e Policisë në drejtim të veriut të Kosovës dhe ka krijuar incidente, të cilat Serbia u përpoq ti justifikoj veprimet e dhunshme edhe kundër KFOR-it dhe kundër Policisë së Kosovës”, u shpreh Haliti. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Haliti: Veprimi i kryeministrit ka qenë i ngutshëm, shpresoj se do të gjejë mënyrën për të kërkuar falje

    Haliti: Veprimi i kryeministrit ka qenë i ngutshëm, shpresoj se do të gjejë mënyrën për të kërkuar falje

    Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se veprimi i kryeministrit Kurti në veri dhe rënia e këtij të fundit në grackën e Vuçiqit, janë shqetësuese.

    “Tani ë unë shpresoj shumë që kryeministri i Kosovës, po them kryeministri i Kosovës dhe jo Albin Kurti sepse Albini dhe kryeministri janë dy persona, për mua, do ta gjejë mënyrën se si të kërkoj falje për veprimet në veri dhe për rënien në grackën e Vuçiqit për të provokuar dhe për të justifikuar veprimet e Serbisë, të forcave speciale të Serbisë që erdhën ilegalisht në Mitrovicë dhe u kthyen mbrëmë natën përmes rrugëve dytësore nga veriu i Kosovës për në Rashkë dhe situata që është kriju, deklarata e ambasadorit, dy deklaratat e sekretarit të Shtetit zotit Blinken, deklaratat e sotme e Kris Hill në Beograd ambasador i Shteteve të Bashkuara, janë shqetësues dhe duhet të na shqetësojnë të gjithëve”, tha Haliti.

    Ai tha se kjo situatë që është krijuar ka lëkundur marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në, perëndimin dhe NATO-n.

    “Nuk është shqetësimi vetëm për Albinin, mendoj që nuk është as situata që neve ta shfrytëzojmë këtë për veprime opozitareske vetëm sa përbërë diçka me qëllim që të rrëzohet kjo qeveri, por kjo situatë ka lëkundur shumë marrëdhëniet Kosovë-Amerikë Kosovë-Perëndim, Kosovë-NATO”, tha Haliti.

    Ai përmendi edhe sulmin që i ishte bërë atëherë ambasadores Tracey Ann Jacobson, për të cilin thotë se janë përpjekur ta cilësojnë si individual, ndërsa tani sipas Halitit, si Qeveri, ka bërë veprime të ngutshme duke mos pasur parasysh pasojat që do të ndodhin.

    “Goditja e ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të cilën ne e kemi jemi përpjekur që t’i qartësojmë që ka qenë veprim individual dhe nuk ka qenë veprim se as sot nuk e besoj që ka qenë veprimi menduar mirë, por kjo e fundit nga ne për nga një Qeveri e cila ka ardhë me vota në pushtet, në kushtet në të cilat ka mësu po besoj diçka se cilat janë raportet e Kosovës me Amerikën dhe cilat janë raportet e Kosovës me perëndimin në përgjithësi, atëherë mendoj që veprimi ka qenë i ngushtëshëm, i pamenduar dhe i pamenduar për pasojat që do të ndodhin”, tha Haliti. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Kosova rrezikon të marrë edhe sanksione të tjera nga SHBA dhe BE

    Kosova rrezikon të marrë edhe sanksione të tjera nga SHBA dhe BE

    Anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet “Defender Europe 2023”, ishte pasoja e parë për Qeverinë, për moskoordinim të veprimeve në veri me SHBA-në.

    Ndonëse, thotë se nuk frikësohet nga sanksionet, kryeministri Albin Kurti megjithatë është i brengosur.

    Por, acarimi i raporteve me bashkësinë ndërkombëtare, posaçërisht me SHBA-në, sipas njohësve mund të ketë pasoja edhe më të rënda, duke filluar nga mosanëtarësimi në organizata ndërkombëtare e deri tek pezullimi i liberalizimit të vizave.

    “Kosova është duke zhvilluar një proces të dialogut me Serbinë në Bruksel, e kemi marrëveshjen e Ohrit, e cila ka për qëllim forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, që është pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës dhe në organizma të tjerë, pa ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë Kosova do të mbetet një vend vetë numri dhe do të jetë e zymtë”, tha Ehat Miftaraj nga IKD.

    “Nëse kryeministri Kurti ngrin kokën, sanksionet do të vazhdojnë nga SHBA-ja e Bashkimi Evropian. Do të kemi izolim total në arenën ndërkombëtare, do të kemi stopim të të gjitha fondeve financiare”, tha analisti Artan Behrami.

    Pas tensioneve të krijuara në veri, bashkësia ndërkombëtare ka kritikuar ashpër autoritetet në Prishtinë. Madje, sipas SHBA-së, nëse Qeveria nuk reagon mund të përballet edhe me pasoja të tjera. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kushti i Kurtit tërheqja e bandave kriminale, pastaj ulja e pranisë së policisë

    Kushti i Kurtit tërheqja e bandave kriminale, pastaj ulja e pranisë së policisë

    Tërheqja e bandave nga veriu fillimisht, pastaj ulja e numrit të policisë dhe paralelisht avancimi i marrëveshjes së Brukselit sipas kryeministrit Albin Kurti, janë veprimet që mund t’i ulin tensionet në Leposaviq, Zvecan dhe Zubin Potok.

    Këtë rrugëdalje për krizën në veri, kryeministri Albin Kurti e propozoi gjatë fjalimit në konferencën për sigurinë globale, Globsec që po mbahet në Bratislavë.

    “Po përpiqemi të gjejmë zgjidhje dhe zgjidhja nuk do të duhej të ishte rrugë me kthesa por hekurudhë me dy binarë. E para për të dalë nga kriza në veri që nënkupton sundim të ligjit, bandat kriminale ose të kthehen në Serbi ose në burg në Kosovë pastaj ulje të pranisë së policisë para objekteve të komunave dhe normalizim të situatës. E dyta zbatim i shpejtë, i plotë, pa shtyrje dhe i pakushtëzuar i marrëveshjes së Brukselit”, tha Kurti.

    Megjithatë, kryeministri Kurti nuk do t’i urdhërojë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe, të kalojnë në zyra të tjera, jashtë objekteve komunale për të shmangur krijimin e strukturave paralele në atë pjesë.

    “Po t’i urdhëroja kështu, do të ishte sikur po nxis krijimin e strukturave paralele për struktura paralele. Pra të kopjoj metodat e tyre. Do t’u bashkohesha ilegalitetit të tyre. S’mund ta bëj këtë. Demokracia është që ligji të jetë mbi politikën”, tha Kurti.

    Teksa tregoi për takimin që pati me përfaqësuesit e BE-së në Bratislavë të mërkurën, kryeministri Albin Kurti theksoi se është gati t’i dëgjojë serbet nëse protestat janë paqësore.

    “Kam diskutuar me Borellin dhe Lajcak duke u thënë se nëse do të ishin protesta paqësore për zgjedhje të jashtëzakonshme do të kuptoja, por jo banda me shkronjën Z, që sulmojnë KFOR-in e policinë dhe të cilët bërtasin vrisni-vrisni. Para këtyre bandave unë nuk e dorëzoj republikën demokratike, por të ishin prapë protesta paqësore atëherë kanë një kryeministër që gjithë jetën e tij ishte aktivist politik dhe është më së i gatshëm t’i dëgjoj e ndoshta edhe të pajtohem me ta”, tha Kurti.

    Kryeministri, Albin Kurti ka treguar gatishmëri për takim më presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, derisa një takim brenda kësaj jave me dy liderët e presin edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Konjufca për situatën në veri: Po keqkuptohemi, deklaratat e Blinken gjë e keqe për Kosovën

    Konjufca për situatën në veri: Po keqkuptohemi, deklaratat e Blinken gjë e keqe për Kosovën

    Derisa protestat e serbëve lokalë vazhdojnë në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se SHBA-ja nuk po e kupton drejt pozicionin e Kosovës.

    Sipas tij, në veri grupet e armatosura po e sfidojnë shtetin dhe po i sulmojnë zyrtarët policorë.

    “Kryefjala e gjithë procesit është aftësia jonë, kapaciteti ynë për t’i kryer detyrat tona shtetërore, edhe policia, edhe institucionet e sigurisë, në mënyrë që të garantojnë siguri dhe qetësi në atë pjesë të vendit. Siç po shihet atje problemi po fillon edhe po përfundon me grupet e armatosura të rrezikshme, të paligjshme, të cilat e sfidojnë shtetin dhe sulmojnë zyrtarë policorë”, tha Konjufca.

    Pas kritikave të ashpra që SHBA-ja pati ndaj Qeverisë së Kosovës për situatën në veri, Konjufca shtoi se zgjedhjet janë mbajtur në koordinim me SHBA-në. Por, qortimet, sipas kryekuvendarit, nuk janë të parat.

    “Për t’u mirëkuptuar duhen natyrisht takime edhe më intensive, takime më të thella se Qeveria po shkon në atë rrugë për arsye se ashtu i ka lexuar porositë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës… Kur nuk mori pjesë në zgjedhje Lista Serbe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i kam dëgjuar duke thënë se këto zgjedhje duhen anuluar, nuk e kam dëgjuar duke thënë, d.m.th. tash qysh e kupton një politikan këtë çështje ose një zyrtar publik, kur thonë që SHBA-ja nuk duhet të anulojnë zgjedhje, i bie që kemi të drejtë me marrë pjesë, tash kur keni të drejtë me marrë pjesë ligjet e Kosovës nuk shohin prag sa duhet me marr pjesë”, tha Konjufca.

    Ndërkaq, Konjufca tha se ndërkombëtarët nuk kanë vija të kuqe për Serbinë.

    “E kemi pa që bashkësinë ndërkombëtare që ia tregon disa vija të kuqe Serbisë, unë s’po shoh që bashkësia ndërkombëtare ka vija të kuqe për Serbinë, por ka qysh definon Serbia provokim, Serbia e çon ushtrinë, është rrezik, Kosova duhet të zmbrapset, kështu është situata”, tha Konjufca.

    Serbët në veri, që nga e premtja janë duke protestuar kundër punës së kryetarëve të rinj shqiptarë. Dhunë protestuesit kanë ushtruar edhe ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë dhe gazetarëve. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Policia e Kosovës arreston serbin që luftoi në Koshare

    Policia e Kosovës arreston serbin që luftoi në Koshare

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI

    Sinisa Jevtic, ish-ushtar i Serbisë në luftën në Kosovë, pjesëmarrës në aksionin në Koshare, i dekoruar nga Slobodan Milosevic, u arrestua mbrëmë në veri, pak orë pasi hyri në Kosovë për t’iu bashkuar protestave të dhunshme.

    Deri në kufirin në Jarinje, ai u shoqërua nga një deputet ultra-nacionalist, pro-rus. Jevtic iu përgjigj thirrjeve të grupeve të veteranëve të ushtrisë serbe, për, siç thuhet, “çlirimin e tokës së shenjtë”.

    Vetëm pak orë pasi nga Serbia hyri në territorin e Kosovës për t’iu bashkuar protestave të dhunshme në veri, veterani i ushtrisë serbe, Sinisa Jevtic, u arrestua.

    ATV-ja merr vesh se ai u arrestua në mbrëmjen ndërmjet të martës dhe të mërkurës në veri të vendit.

    Deri në kufi atë e përcolli deputeti ultra-nacionalist në parlamentin e Serbisë, Erac Strahinja, nga partia rusofile e ekstremit të djathtë.

    Jevtic ka shërbyer në ushtrinë serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe mes tjerash ka luftuar në Koshare kundër UÇK-së.

    Ai mban me krenari në profilin e tij në Facebook dekoratën hero dhe medaljen e ndarë nga kasapi i Ballkanit, Slobodan Milosevic.

    Para se të nisej për në Kosovë, Jevtic kishte shpërndarë njoftime që bëjnë thirrje për mobilizim të veteranëve të ushtrisë serbe, për, siç thuhet, “çlirimin përfundimtar të tokës së shenjtë” – referuar Kosovës.

    Në mbrëmjen e së dielës, 47-vjeçari nga Kryshevci shihet në disa video me një grup njerëzish, përfshirë deputetin Strahinja, teksa këndojnë këngë nacionaliste serbe – që shpërfaqin pretendimet territoriale mbi Kosovën.

    Në postimet ndër vite Jevtic e konsideron veten serb dhe rus, teksa shpreh haptas përkrahjen për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, përmes simbolit Z.

    Ky simbol u vizatua në mjetet e Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe mediave që përcollën ngjarjet e dhunshme në veri.

    Para nisjes për Kosovë, Jevtic kishte shpërndarë mesazhe përkrahëse të sulmeve ndaj KFOR-it dhe Policisë.

    Të mërkurën, ATV-ja kërkoi informacione nga Prokuroria, nëse ai është i dyshuar ose i akuzuar për krime lufte, por nuk mori përgjigje.

  • Viola von Cramon i reagon Petrit Selimit për pezullimin e vizave: Hera e parë që po e dëgjoj këtë

    Viola von Cramon i reagon Petrit Selimit për pezullimin e vizave: Hera e parë që po e dëgjoj këtë

    Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, shpërndau disa informacione të pakonfirmuara për masat e mundshme që mund të pësojë Kosova për shkak të situatës së tensionuar në veri të vendit.

    Selimi në Twitter ka thënë se tri shtete të BE-së po i shqyrtojnë kërkesat për pezullimin e fondeve të IPA-s dhe liberalizimin e vizave.

    Ai ka thënë se këto janë lëvizje drastike e të pa pranueshme.

    “Informacioni më i fundit nga diskutimet brenda BE-së. Të paktën 3 shtete anëtare të BE-së (nuk do t’i përmendim këtu) po shqyrtojnë kërkesën për pezullimin e fondeve të IPA-s dhe visalib-it për Kosovën. Lëvizje drastike, e papranueshme, nëse shtyhen. Tani kemi nevojë për zgjidhje konkrete të paraqitura nga Kosova“, shkroi ai.

    Por këtë e ka mohuar raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon

    Von Cramon këtë e ka bërë të ditur me anë të një postimi në ‘Twitter’, teksa ka thënë se prioritare është zgjidhja e situatës së tensionuar në veri të Kosovës.

    “Këto informacione i dëgjoj për herë të parë. E kam pak a shumë idenë se kush mund të qëndrojë pas kësaj, por të vihet në dyshim liberalizimi i vizave dhe fondet e IPA-s është absolutisht e ndaluar. Na duhet një zgjidhje urgjente politike për veriun”, deklaroi ajo.