ATV

Tag: Ballina

  • Qeveria miraton projektligjin për Shtetësinë e Kosovës

    Qeveria miraton projektligjin për Shtetësinë e Kosovës

    Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e  sotme ka miratuar projektligjin për Shtetësinë e Kosovës.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, prezantoi këtë projektligj duke thënë se me këtë nismë do të ketë lehtësime për diasporën, për rikthimin e shtetësisë për ta.

    “Në esencë, kjo nismë është një iniciativë strategjike e Qeverisë për të afruar legjislacionin tonë me praktikat më të mira ndërkombëtare. Përmes këtij projektligji realizojmë premtimin e qeverisë për lehtësimin maksimal të procesit të rikthimit të shtetësisë për diasporën tonë, të cilëve për shkak të kufizimeve në shtetet e tyre, iu është dashur të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës”, tha Sveçla.

    Ky projektligj u miratua pa asnjë kundërshtim.

  • Hidhet poshtë kallëzimi penal i LDK-së kundër Faton Pecit për grantet në bujqësi

    Hidhet poshtë kallëzimi penal i LDK-së kundër Faton Pecit për grantet në bujqësi

    Prokuroria Speciale e ka hedhur poshtë kallëzimin penal të LDK-së ndaj Faton Pecit për çështjen e granteve në bujqësi, në kohën sa ishte Ministër i Bujqësisë.

    Lajmin e ka bërë të ditur vetë Peci.

    Prokuroria Speciale në aktvendim ka thënë se “nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari ka kryer veprat penale të pretenduara në kallëzim, e as ndonjë vepër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare”.

    Peci ka thënë se kjo situatë ka qenë e vështirë për të dhe familjen e tij, por gjithmonë ka qenë i bindur në drejtësi.

    “Prandaj, një gjë është e sigurt: në asnjë rast, asnjëherë, ne asnje rrethane nuk kam kontaktuar askënd, udhëzuar ose rekomanduar as për subvencione, as për grante, as për ndonjë shpallje, kontratë apo tender, tek grupet profesionale, në këtë proces. Jam krenar që ky institucion do të ketë sukses edhe pas përfundimit të mandatit tim, nga punët e mira që lamë pas! Kushdo që ka objektiv dëmtimin e imazhit tim, le ta vazhdojë gjurmimin, por një gjë është e sigurt që qeverisja ime si ministër i bujqësisë shënon periudhën më të ndritur të lulëzimit në bujqësi, për një çerek shekulli”, ka thënë Peci.

    POSTIMI I PLOTË:

    DREJTESIA FOLI QARTË:

    Prokuroria hedh poshtë kallëzimin penal të LDK-së kundër meje për grantet në bujqësi

    Gjatë kohës sa isha ministër i bujqësisë, ky institucion u reformua rrënjësisht; ishte periudha kur fermerët, për herë të parë.

    •Nuk dhanë më haraç për të përfituar grant.

    •360 milionë euro të ndara për 130 mijë fermerë përfitues; nuk kishte asnjë rast të faktuar që dikush përfitoi jashtë kritereve të përcaktuara me ligj.

    Nga 130 mijë fermerët përfitues u “gjurmua” dhe u “zbulua” se njëri ishte vëllai i një deputeteje, por nuk u gjet asnjë dëshmi e ndikimit tim, per faktin e thjesht sepse nuk egzistonte.

    Ndërkohë, gjatë intervistimit tim në prokurori, “mijushi” i LDK-së, Guri, kishte deklaruar se mezi pret të shihemi në gjykatë. Po, në gjykatë do të shihemi, sepse nga sot fillon përgatitja e kallëzimit penal për kallëzim të rremë penal, të ideuar nga Lumir Abdixhiku, të nënshkruar nga Hykmete Bajrami dhe propaganduar me shpifje e paturpësi nga “tellalli” i tyre, Guri.

    Të tre do të kenë kallëzim penal për kallëzim të rremë, i cili nxiti një terror medial kundër meje, për më shumë se dy  vite.

    Kjo situatë ka qenë e vështirë për mua dhe familjen time, por gjithmonë kam qenë i bindur në drejtësinë dhe integritetin tim.

    Prandaj, një gjë është e sigurt: në asnjë rast, asnjëherë, ne asnje rrethane nuk kam kontaktuar askënd, udhëzuar ose rekomanduar as për subvencione, as për grante, as për ndonjë shpallje, kontratë apo tender, tek grupet profesionale, në këtë proces.

    Jam krenar që ky institucion do të ketë sukses edhe pas përfundimit të mandatit tim, nga punët e mira që lamë pas!

    Kushdo që ka objektiv dëmtimin e imazhit tim, le ta vazhdojë gjurmimin, por një gjë është e sigurt që qeverisja ime si ministër i bujqësisë shënon periudhën më të ndritur të lulëzimit në bujqësi, për një çerek shekulli.

    Falënderoj të gjithë qytetarët që nuk u manipuluan nga kjo lojë e ulët e pistë dhe bizare.

  • Skandali me njehsorë – parregullsitë e gjetura nga Agjencia e Metrologjisë, deklarata e Kusarit dhe reagimi i KEDS-it e KESCO-s

    Skandali me njehsorë – parregullsitë e gjetura nga Agjencia e Metrologjisë, deklarata e Kusarit dhe reagimi i KEDS-it e KESCO-s

    Skandali me njehsorët elektrikë në Kosovë ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik, duke ngritur dyshime serioze për mënyrën e faturimit të energjisë elektrike.

    Në dy ditët e fundit janë paraqitur 206 kërkesa për verifikimin e njehsorëve elektrikë, duke treguar rritje të interesimit të qytetarëve për të ditur rreth mënyrës së faturimit.

    E në këtë drejtim, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka intensifikuar masat për mbrojtjen e konsumatorëve në lidhje me verifikimin e njehsorëve elektrikë.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), pas themelimit të komisionit ad hoc për verifikimin e njehsorëve elektrikë të konsumatorëve, që kanë parashtruar ankesa në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, ju njofton se procesi i verifikimit është duke vazhduar me intensitet të lartë.

    Pas verifikimit laboratorik në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës të njehsorëve të parë janë konstatuar këto gjetje kryesore:

    • Është vërtetuar se njehsorët kanë qenë me afat të skaduar të vlefshmërisë;

    • Janë evidentuar devijime në datë prej rreth 2–3 ditësh krahasuar me kohën reale;

    • Gjithashtu është konstatuar se ekzistojnë devijime prej rreth 10–11 orësh krahasuar me kohën reale;

    • Matja e energjisë elektrike ka rezultuar të jetë në rregull dhe pa ndikim në saktësinë e konsumit të regjistruar;

    • Është konstatuar se bllombat kanë qenë të paprekura dhe pa dëmtime.

    “Me të marrë raportin e gjetjeve, MINTI do të kërkojë zyrtarisht nga ZRRE (Zyra e Rregullatorit të Energjisë) marrjen e masave konform devijimeve të konstatuara. Ndërsa, duke u bazuar në Ligjin nr. 06/L-037, neni 23, paragrafët 4 dhe 5, si dhe neni 46, paragrafi 1.3, nënparagrafi 1.3.2, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) do të shqiptojë gjoba ndëshkimore ndaj KEDS-it, si pronar dhe shfrytëzues i njehsorëve, për çdo gjetje që lidhet me afatin e skaduar të vlefshmërisë së njehsorëve.

    Për informimin tuaj të drejtë, ju konfirmojmë se Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, deri më datën 30.03.2026, nuk ka pranuar asnjë ankesë nga konsumatorët për njehsorët e energjisë elektrike. Ndërsa, pas formimit të komisionit verifikues, vetëm gjatë dy ditëve të fundit, pranë këtij departamenti janë pranuar 209 ankesa, për të cilat komisioni është duke kryer verifikimin”, thuhet në njoftim.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, konkretisht Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të parashtrojnë ankesat e tyre në adresën elektronike [email protected], duke bashkëngjitur numrin e telefonit dhe adresën e banimit, në mënyrë që verifikimi të realizohet sa më shpejt të jetë e mundur.

    Ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, në seancën e së enjtes në Kuvend njoftoi se në dy ditët e fundit janë paraqitur 206 kërkesa për verifikimin e njehsorëve elektrikë, duke treguar rritje të interesimit dhe vetëdijes së qytetarëve për këtë çështje.

    Ajo theksoi se Ministria, përmes Agjencisë për Metrologji, ka themeluar një grup punues ad-hoc në bashkëpunim me Inspektoriatin Qendror të Tregut, i cili po merret me kontrollin dhe verifikimin e njësive matëse.

    “Procesi ka nisur dhe do të vazhdojë me transparencë të plotë, ndërsa çdo rezultat do të publikohet dhe çdo rast do të trajtohet sipas ligjit”, tha ajo.

    E lidhur me këtë skandal kanë reaguar edhe KEDS-si dhe KESCO.

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) dhe Kompania për Furnizim me Energji (KESCO) kanë deklaruar se njehsorët elektrikë në Kosovë matin saktë konsumin e energjisë, ndërsa devijimet e raportuara së fundmi lidhen me karakteristika teknike dhe jo me manipulim.

    Në një konferencë për media, përfaqësuesit e dy kompanive thanë se shqetësimet e konsumatorëve janë trajtuar me seriozitet dhe se çdo rast i konstatuar si anomali është korrigjuar në përputhje me rregullat në fuqi.

    Sipas tyre, të gjithë njehsorët janë në përputhje me standardet evropiane dhe kalojnë nëpër procese të rrepta certifikimi para se të vendosen te konsumatorët.

    Devijimet në kohë, që janë përmendur në raportimet e fundit, cilësohen si toleranca teknike të njohura, të përcaktuara edhe nga standardi ndërkombëtar IEC 62054-21.

    “Kohëzgjatja e tarifave mbetet gjithmonë e njëjtë. Nëse fillon më vonë, përfundon më vonë, dhe nëse nis më herët, përfundon më herët”, u tha në konferencë, duke theksuar se periudha totale e tarifimit nuk ndryshon.

  • Mbyllet afati, 140 zyrtarë nuk e deklarojnë pasurinë – APK paralajmëron 30% gjobë nga paga

    Mbyllet afati, 140 zyrtarë nuk e deklarojnë pasurinë – APK paralajmëron 30% gjobë nga paga

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka bërë të ditur se mbi 10 mijë e 200 zyrtarë publikë kanë deklaruar pasurinë e tyre brenda afatit ligjor për vitin kalendarik 2025, ndërsa rreth 140 të tjerë nuk e kanë përmbushur këtë obligim.

    Në një përgjigje për Telegrafin, Agjencia theksoi se procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë për vitin kalendarik 2025 është zhvilluar në përputhje me afatet e përcaktuara ligjore, duke filluar më 1 mars 2026 dhe përmbyllur më 31 mars 2026.

    Megjithatë, jo të gjithë e kanë respektuar afatin. Sipas Agjencisë, “bazuar në të dhënat më të fundit të njësive përkatëse të nxjerra nga sistemi më 1 prill, rezultojnë rreth 140 zyrtarë që nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor për deklarim të pasurisë deri në përmbylljen e afatit më 31 mars 2026”.

    APK shton se këto të dhëna janë ende preliminare dhe mund të ndryshojnë pas përfundimit të verifikimit.

    Agjencia tutje ka bërë të ditur se nuk parashihet shtyrje e afatit për deklarim.

    “Korniza ligjore që rregullon procesin e deklarimit të pasurisë nuk parasheh afat shtesë për përmbushjen e këtij obligimi pa pasoja juridike, ndërsa afati përfundimtar ka qenë 31 marsi”, thuhet në përgjigje.

    Sa i përket masave ndëshkuese, APK theksoi se në përputhje me kompetencat e saj ligjore, tashmë ka filluar ndërmarrjen e veprimeve përkatëse ndaj zyrtarëve që nuk e kanë përmbushur obligimin në afat, duke përfshirë inicimin e procedurave për shqiptimin e gjobave.

    “Gjoba në vlerë prej 30% të pagës mujore aplikohet për të gjithë zyrtarët që nuk kanë respektuar afatin ligjor”, ka njoftuar APK.

    Në rast se obligimi nuk përmbushet as pas masave administrative, paralajmërohen edhe pasoja më të rënda.

    “Në rastet kur obligimi nuk përmbushet edhe pas 15 ditësh dhe pas shqiptimit të masave administrative siç është gjoba, Agjencia procedon me hapat e mëtejmë ligjorë, përfshirë përgatitjen e kallëzimeve penale për organet kompetente, ndërsa kjo mund të rezultojë me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe konfiskim të pasurisë së fituar në kundërshtim me ligjin” thuhet në përgjigje.

    Agjencia shtoi se çdo rast trajtohet në përputhje me dispozitat ligjore dhe, nëse ka bazë të mjaftueshme, procedohet me kallëzime penale, si dhe njoftohen institucionet relevante si Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës.

  • Paralajmëron Ibrahimi: Komunat drejt falimentimit, vetëm për tre muaj iu morën 31.6 milionë euro

    Paralajmëron Ibrahimi: Komunat drejt falimentimit, vetëm për tre muaj iu morën 31.6 milionë euro

    Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se vetëm gjatë muajit janar 2026, komunave të Kosovës u janë marrë mbi 31.6 milionë euro nga ekzekutimi i vendimeve gjyqësore, një goditje që ,sipas tij, e drejtpërdrejtë ndaj financave lokale dhe funksionimit normal të pushtetit lokal.

    “Kjo nuk është më çështje teknike por është krizë financiare e shkaktuar nga mungesa e veprimit të Qeverisë. Shifrat janë alarmante dhe tregojnë qartë përmasat e këtij kolapsi. Prizreni mbi 12.3 milionë euro, Ferizaj mbi 7.3 milionë euro, Rahoveci mbi 2.8 milionë euro, Vushtrria mbi 2 milionë euro edhe komuna si Prishtina, Deçani, Vitia, Gjakova po goditen rëndë”, u shpreh ai, transmeton Klankosova.

    Pra, rrjedhimisht, siç thotë ai, dy komunat e para përbëjnë mbi 60% të totalit, që thotë ai, një tregues i qartë i një sistemi të pabalancuar dhe të padrejtë.

    “Ky trend nuk është i rastësishëm por është rezultat i drejtpërdrejtë ikontratave kolektive të nënshkruara pa mbulim financiar,vendimeve qendrore pa analizë të ndikimit në komuna, dhe mungesës totale të ndërhyrjes nga Qeveria për të ndalur këtë hemorragji financiare”, deklaroi ai.

    Nëse kjo vazhdon, sipas Ibrahimit, investimet kapitale do të ndalen, shërbimet bazike do të rrezikohen, subvencionet për qytetarët do të zhduken, dhe komunat do të hyjnë në një kolaps të plotë financiar.

    “Komunat nuk mund dhe nuk duhet të mbajnë barrën e vendimeve të marra në nivel qendror. Kjo është e papranueshme. Në emër të komunave të Kosovës, kërkojmë: ndërhyrje urgjente të Qeverisë, zgjidhje të menjëhershme për mbulimin e obligimeve nga niveli qendror, dhe ndaljen e kësaj praktike që po e shkatërron financiarisht pushtetin local”, tha Ibrahimi.

  • Kurti mbledh sot kabinetin qeveritar, shqyrtohen masat për produktet bazë

    Kurti mbledh sot kabinetin qeveritar, shqyrtohen masat për produktet bazë

    Qeveria e Kosovës do të mbajë mbledhje të premten, rreth një orë e gjysmë para se të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit.

    Pikërisht, në këtë mbledhje, ekzekutivi pritet të shqyrtojë projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

    Një ligj i tillë në mandatin e shkuar, për çmimet tavan, ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

    Si pasojë e situatës në Lindjen e Mesme, që nga shkurti edhe në Kosovë ka nisur shtrenjtimi i naftës dhe i disa produkteve tjera.

    Në rend dite, në mbledhjen e Qeverisë janë edhe disa pika të tjera.

    Ndërkohë, sa i përket rritjes së çmimit të naftës, të premten, edhe Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme, e thirur nga LDK-ja, por e mbështetur edhe nga PDK-ja dhe AAK-ja.

  • MINT thotë se ka gjetur njehësorë me afat të skaduar dhe “devijime” tjera: Matja e energjisë në rregull, do t’i drejtohemi ZRRE

    MINT thotë se ka gjetur njehësorë me afat të skaduar dhe “devijime” tjera: Matja e energjisë në rregull, do t’i drejtohemi ZRRE

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka deklaruar se ka intensifikuar kontrollet mbi njehsorët elektrikë pas krijimit të një komisioni ad hoc për verifikim të ankesa të konsumatorëve.

    Pas testimeve laboratorike në Agjencinë e Metrologjisë, sipas MINTI janë konstatuar devijime në kohë dhe datë, ndërsa matja e energjisë elektrike rezulton e saktë dhe bllombat e njehsorëve të paprekura.

    Duke u bazuar në këto gjetje, MINTI siç thuhet në komunikatë do të kërkojë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) marrjen e masave për korrigjimin e devijimeve, ndërsa Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) do të shqiptojë gjoba ndaj KEDS-it për përdorimin e njehsorëve me afat të skaduar, sipas legjislacionit në fuqi.

    Që nga formimi i komisionit verifikues janë pranuar 209 ankesa brenda dy ditëve, ndërsa më parë Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit nuk kishte regjistruar ankesa të tilla, thuhet në njoftim ndër tjerash. /Gazeta Express

    Komunikata e plotë:

    MINTI shton masat në mbrojtje të konsumatorëve

    Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), pas themelimit të komisionit ad hoc për verifikimin e njehsorëve elektrikë të konsumatorëve, që kanë parashtruar ankesa në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, ju njofton se procesi i verifikimit është duke vazhduar me intensitet të lartë. Pas verifikimit laboratorik në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës të njehsorëve të parë janë konstatuar këto gjetje kryesore:

    • Është vërtetuar se njehsorët kanë qenë me afat të skaduar të vlefshmërisë;

    • Janë evidentuar devijime në datë prej rreth 2–3 ditësh krahasuar me kohën reale;

    • Gjithashtu është konstatuar se ekzistojnë devijime prej rreth 10–11 orësh krahasuar me kohën reale;

    • Matja e energjisë elektrike ka rezultuar të jetë në rregull dhe pa ndikim në saktësinë e konsumit të regjistruar;

    • Është konstatuar se bllombat kanë qenë të paprekura dhe pa dëmtime.

    Me të marrë raportin e gjetjeve, MINTI do të kërkojë zyrtarisht nga ZRRE (Zyra e Rregullatorit të Energjisë) marrjen e masave konform devijimeve të konstatuara. Ndërsa, duke u bazuar në Ligjin nr. 06/L-037, neni 23, paragrafët 4 dhe 5, si dhe neni 46, paragrafi 1.3, nënparagrafi 1.3.2, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) do të shqiptojë gjoba ndëshkimore ndaj KEDS-it, si pronar dhe shfrytëzues i njehsorëve, për çdo gjetje që lidhet me afatin e skaduar të vlefshmërisë së njehsorëve.

    Për informimin tuaj të drejtë, ju konfirmojmë se Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, deri më datën 30.03.2026, nuk ka pranuar asnjë ankesë nga konsumatorët për njehsorët e energjisë elektrike. Ndërsa, pas formimit të komisionit verifikues, vetëm gjatë dy ditëve të fundit, pranë këtij departamenti janë pranuar 209 ankesa, për të cilat komisioni është duke kryer verifikimin.

    MINTI mbetet e përkushtuar të trajtojë çdo ankesë të konsumatorit, të bazuar në fakte, dhe në përputhje me gjetjet e verifikimit do të ndërmarrë masa ligjore.

  • “Çmimet po rriten, Qeveria spektatore” – Thirret seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit

    “Çmimet po rriten, Qeveria spektatore” – Thirret seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit

    Kuvendi i Kosovës do të mblidhet nesër në seancë të jashtëzakonshme.

    Një kërkesë të tillë e ka bërë LDK-ja, me përkrahje të deputetëve të partive të tjera opozitare, PDK-së dhe AAK-së.

    Pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i një rezolute “për rritjen e çmimeve të naftës, mungesës së ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimit të drejtpërdrejtë në koston e jetës, si dhe stabilitetin ekonomik të vendit”.

    Seanca do të mbahet me fillim prej orës 11:00.

    Shefja e deputetëve të LDK-ë, Jehona Lushaku Sadriu ka thënë se është urgjente ndërhyrja e ekzekutivit për rastin e rritjes së çmimeve.

    “Lidhja Demokratike e Kosovës me përkrahje edhe të deputetëve të PDK-së dhe AAK-së ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për rritjen e çmimit të naftës. Nafta po shtrenjtohet çdo ditë. Çmimet po rriten. Derisa, qytetarët po varfërohen. E Qeveria? Spektatore. Kërkojmë veprime të menjëhershme. Transparencë. Masa konkrete. Qytetarët nuk janë bankomat i Qeverisë!” ka shkruar shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, në Facebook.

  • Deputetët e PDK, LDK, AAK thërrasin mbledhje të komisionit për Vlerat e Luftës: Ekspozita ishte devijim i historisë

    Deputetët e PDK, LDK, AAK thërrasin mbledhje të komisionit për Vlerat e Luftës: Ekspozita ishte devijim i historisë

    Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Artan Behrami, ka njoftuar se me deputetë nga LDK e AAK’ja, kanë kërkuar mbledhje të komisionit për Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione.

    Behrami ka thënë se mbledhja është nesër nga ora 10:00, duke bërë të ditur edhe se, nënshkrues të kërkesës janë Sala Jasahri, Armend Zemaj, Albana Bytyqi, dhe ai vetë.

    Në letrën e deputetëve, thuhet se, Kosova po përballet gjithnjë e më shpesh me tendenca për rishkrim dhe deformim të së vërtetës historike, dhe se këto zhvillime rrezikojnë të zbehin karakterin çlirimtar të luftës.

    Aty deklarohet edhe për ekspozitën për masakrat në Kosovë, duke thënë se njëjta ka nxitur shqetësim të thellë publik për mënyrën e trajtimit të ngjarjeve të luftës, dhe se, përmbajtja e saj është devijim nga e vërteta historike.

    Postimi:

    Bashkë me kolegë nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, përmes një shkrese të përbashkët kemi kërkuar të hënën nga kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione, Fatmire Kollçaku, që urgjentisht të thërrasë mbledhjen e këtij komisioni.

    Nesër në ora 10:00 mblidhet komisioni!

    Në vitet e fundit, Kosova po përballet gjithnjë e më shpesh me tendenca për rishkrim dhe deformim të së vërtetës historike, përmes interpretimeve që shtrembërojnë ngjarje të rëndësishme dhe krijojnë narrativa që bien ndesh me realitetin e dokumentuar.

    Më poshtë e keni kërkesën e plotë të nënshkruar nga:

    Sala Jasahri,

    Armend Zemaj

    Albana Bytyqi

    Artan Behrami

  • Minatorët ankohen që s’iu doli paga e 13-të, sindikata: Pushteti për vete çdo vit rritje paga e privilegje, ne jemi lënë jashtë

    Minatorët ankohen që s’iu doli paga e 13-të, sindikata: Pushteti për vete çdo vit rritje paga e privilegje, ne jemi lënë jashtë

    Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës tha se nuk e morën pagën e 13-të sikurse punonjësit tjerë publikë, duke e konsideruar këtë si pjesë e një “padrejtësie sistematike”.

    Sindikata tha se minatorëve nuk iu është rritur paga që nga viti 2016 derisa potencoi punën e vështirë që bëjnë çdo ditë.

    “Kjo nuk është më çështje pagash. Kjo është padrejtësi sistematike. Deputetët dhe ministrat kujdesen me përpikmëri për veten. Çdo vit rritje page. Pagë e 13-të. Vendime të shpejta kur është fjala për privilegjet e tyre. Shteti funksionon perfekt vetëm kur duhet të shpërblejë pushtetin. Ndërsa minatori është lënë jashtë çdo llogarie. Që nga viti 2016 pa asnjë rritje page. As pagë të 13-të. As trajtim të dinjitetshëm. Vetëm heshtje dhe harresë. Minatori zbret çdo ditë në nëntokë, aty ku rreziku është real, ku shëndeti shkatërrohet ngadalë, ku çdo ditë pune paguhet me jetë. Ndërkohë, mbi tokë, çmimet rriten, jeta shtrenjtohet, dhe askush nuk pyet për të. As trusti pensional nuk i paguhet. Dhe kur kërkon drejtësi, kur përballet me institucionet, ai nuk gjen mbështetje. Edhe gjykata i kthen shpinën. Padrejtësia vuloset me vendim”.

    Sindikata tha se minatori del në pension i lodhur, i sëmurë, i dërmuar nga puna e rëndë dhe se në vend që të gjejë mbështetje, “ai përballet me një tjetër padrejtësi: nuk mund t’i marrë as kursimet e veta kur i duhen më së shumti”.

    “Ky është turp shtetëror. Kjo është përbuzje e hapur ndaj punës, ndaj sakrificës, ndaj jetës së minatorit. Një shtet që shpërblen luksin e pushtetit dhe ndëshkon punën e ndershme nuk është i drejtë. Minatori sot nuk kërkon lëmoshë. Kërkon atë që i takon. Kërkon dinjitet. Kërkon drejtësi. Dhe ndërkohë që të gjithë të tjerët marrin pagën e 13-të, minatori vazhdon të presë. Jo sepse nuk e meriton, por sepse është lënë në harresë. Mjaft më. Kjo heshtje nuk është më durim. Është padrejtësi që po zgjat shumë. U bëjmë thirrje Ministrisë, Bordit Mbikëqyrës dhe menaxhmentit të njësisë biznesore që, pas një viti sakrifice, djersë dhe pune pa kushte, me vetëmohim të plotë, të shikojnë mundësinë e stimulimit para se ne të veprojmë. Durimi po soset”.