ATV

Tag: Ballina

  • Ministri Mehaj flet me Clarkun për situatën e fundit dhe uljen e tensioneve

    Ministri Mehaj flet me Clarkun për situatën e fundit dhe uljen e tensioneve

    Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë do t’i kontribuonte paqes.

    Këto komente ai i bëri pas një bisede që pati me gjeneralin amerikan Wesley Clark.

    “Në vazhdën e kosnultimeve dhe këshillimeve të vazhdueshme, sot kishim një bisedë me mikun dhe aleatin më të madh të Republikës së Kosovës, Gjeneral Wesley Clark”.

    “Diskutuam lidhur me situatën e tanishme dhe uljen e tensioneve. Ne do të rrugëtojmë krah për krah me partnerët tanë e sidomos me SHBA-të si aleat i pazëvendësueshëm”.

    “Njohja e ndërsjellë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë është ajo që do t’i kontribuonte paqes. Rruga jonë mbetet ajo drejt NATO-së dhe BE-së”, tha Mehaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

    Wesley Clark më 1999 udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër forcave serbe.

  • Lansohet fushata “Një robot për çdo fëmijë”

    Lansohet fushata “Një robot për çdo fëmijë”

    Para pak ditëve ka filluar kampanja “Një robot për çdo fëmijë”, e cila për qëllim ka grumbullimin e mjeteve të nevojshme, për furnizim me robot edukativ nëpër shkolla.

    Elza Krelani nga Kosova Makers League e ftuar në emisionin e mëngjesit “Alarm”, në ATV ka folur rreth kësaj fushate, e cila filloi para një jave.

    Ajo tha se në rreth 25 për qind të shkollave publike në Kosovë janë shpërndarë robota edukativ.

    “Kampanja ka filluar tash e një javë dhe do të vazhdojë deri më 15 korrik. Kjo kampanjë është hapur për arsye se Kosova Makers League garën më të madhe robotike në Kosovë, ku deri tash kemi shpërndarë dy mijë e 100 robota edukativ në shkollat publike të Kosovës dhe kemi arritur me i përfshi 25 për qind të totalit të shkollave publike të vendit tonë. Duke qenë se funksion Kosova Makers League me donacion dhe janë të pakta dhe nuk arrijnë që me I përfshi shkollat e tjera publike, për këtë arsye kemi hapur kampanjën në mënyrë që të mblidhen fonde për të siguruar 908 robot, të cilët do të shpërndahet në 207 shkolla, që të përmbushet edhe pjesa tjetër 25 përqindjes, që të arrihet pra, 50 për qind e shkollave publike, të jenë të furnizuara me këta robot”, tha ajo.

    Tutje ajo përmendi edhe qëllimin që e ka kjo fushatë.

    “Digjitalizimi është shumë i rëndësishëm nëpër shkolla dhe ky është qëllimi i Kosova Makers League. Ne kemi shkolla të cilat funksionojnë shumë larg digjitalizimit dhe ne kemi synim përdorimi i pajisjeve për zhvillimin e shkathtësive të fëmijëve”, shtoi ajo./atvlive.tv./

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

  • ​Senatorët amerikanë me deklaratë të përbashkët për Kosovën dhe Serbinë

    ​Senatorët amerikanë me deklaratë të përbashkët për Kosovën dhe Serbinë

    Senatorët amerikanë, nga demokratët dhe republikanët, u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë për qetësim të situatës në veri të vendit.

    Përmes një deklaratë të përbashkët, senatorja Jeanne Shaheen, kryetare e Nënkomitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë për Evropën dhe Bashkëpunimin Rajonal të Sigurisë, Chris Murphy, Chris Van Hollen, Ben Cardin, Thom Tillis dhe Pete Ricketts, kanë deklaruar se tensionet në pjesën veriore të Kosovës mund të dobësojë marrëdhëniet e vendeve me ShBA-të.

    “Si ligjvënës amerikanë, përtej linjave partiake, ne jemi gjithnjë e më të shqetësuar nga situata e brishtë e sigurisë në veri të Kosovës. Sot, ne përsërisim se ka mbështetje të gjerë dypartiake në Senatin e SHBA për përpjekjet e Bashkimit Evropian, në koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, për të ndërmjetësuar një rrugë përpara”, thuhet në deklaratë.

    Ata u kanë bërë thirrje vendeve që të punojnë me Bashkimin Evropian dhe ShBA-të për gjetjen e zgjidhjes pa vonesa.

    “Si kryeministri Kurti ashtu edhe presidenti Vuçiç duhet t’i dëgjojnë menjëherë thirrjet ndërkombëtare për të deeskaluar situatën, për të rikthyer besimin popullor në institucionet vendore në veri dhe për t’u angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit duke krijuar një Asociacion të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ndërsa të dy udhëheqësit konsiderojnë hapat e tyre të ardhshëm, ne i nxisim ata të zgjedhin paqen, prosperitetin dhe sigurinë e qytetarëve të tyre përkatës. Dështimi për të de-përshkallëzuar situatën do të shkaktonte pasoja nga Perëndimi, i cili ka punuar me zell për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë në një rrugë përpara, dhe pa nevojë rrezikon të dobësojë marrëdhëniet tona dypalëshe”, thuhet në deklaratë.

  • Përplasjet Kosovë – ShBA, Osmani: Mosmarrëveshjet ekzistojnë edhe në familje

    Përplasjet Kosovë – ShBA, Osmani: Mosmarrëveshjet ekzistojnë edhe në familje

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë një intervistë relativisht të gjatë për medien e njohur “Reuters”, ku ka folur për situatën e fundit në veri të Kosovës.

    Në këtë intervistë, Osmani ishte e ashpër me homologun e saj serb, Aleksandar Vuçiq, të cilin e takoi javën e kaluar gjatë një samiti në Moldavi.

    Osmani u pyet për deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se Perëndimi po tenton ta kënaq Serbinë, duke thënë se edhe mes miqve nganjëherë ka mosmarrëveshje.

    “Mendoj që duke qenë se kam punuar në institucionet e Koosvës për një kohë, ka kohë kur ne kemi mosmarrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare mbi taktikën. Por, shiko, edhe në mes të miqve më të mirë, edhe mes familjes, ju nganjëherë keni mosmarrëveshje. Por, ne s’kemi mosmarrëveshje, sipas vlerësimit tim, me bashkësinë ndërkombëtare, është ku regjioni duhet të lëvizë përpara dhe ajo është integrimi euroatlantik. Ne s’kemi mosmarrëveshje se ku përket Kosova dhe ajo është në BE dhe NATO dhe në secilën organizatë tjetër që është në interesin tonë”, deklaroi Osmani.

    Shefja e shtetit deklaroi se mes Kosovës dhe ndërkombëtarëve s’ka mosmarrëveshje rreth forcimit të sovranitetit të Kosovës.

    “Nuk besoj që kemi mosmarrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare në përpjekjen tonë të përbashkët për të forcuar sovranitetin, integritetin territorial të Kosovës, si dhe pavarësinë tonë. Në fakt, arsyeja pse Kosova ka qenë e suksesshme, përveç qëndrueshmërisë së popullit të saj, për shkak se kemi pasur aleat në anën tonë… Edhe pse nganjëherë mund të mos pajtohemi ose mund t’i shohim gjërat ndryshëm mbi atë se si po shihet Serbia, se si po trajtohet Serbia, unë mendoj që duhet të fokusohemi tek pozitivja, duhet të fokusohemi se çfarë na mban bashkë”, shtoi ajo.

  • Kurti për France 24: Zgjedhje po, por së pari ligji

    Kurti për France 24: Zgjedhje po, por së pari ligji

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se para se të mbahen zgjedhje të reja në katër komunat veriore, duhet të mbizotërojë ligji.

    “Zgjedhjet do të mbahen sipas rendit dhe ligjit. Duhet të ketë vendosje të rendit dhe ligjit. Pa lig nuk mund të ketë zgjedhje demokratike”, është shprehur Kurti për France 24.

    “Nuk dua dështim pas dështimit. Dua të angazhohem për konstruktivitet, rend, ligj dhe demokraci. Për këto nuk ka kompromis”.

    Kurti ka përsëritur se legjitimiteti i kryetarëve aktualë është i dobët, por që askush tjetër nuk është më legjitimë së ata për të pasur qasje në objektet komunale.

    “Sot në tri komunat veriore situata përgjithësisht ishte e qetë. Pse? Sepse nuk ka pasur urdhër për dhunë nga Beogradi”.

  • ​Mustafa: Çmimin e prishjes së raporteve me ShBA-të do ta paguajë Kosova, jo Kurti e Osmani

    ​Mustafa: Çmimin e prishjes së raporteve me ShBA-të do ta paguajë Kosova, jo Kurti e Osmani

    Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se në vitin 2020 kjo parti e kishte prishur koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje për të evituar konfrontimin e Kosovës me shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Sipas tij, kjo i kishte kushtuar partisë me humbjen e votave.

    “LDK në vitin 2020 prishi koalicionin me VV-në për të evituar konfrontimin e Kosovës me SHBA-të. E pagoi çmimin më të shtrenjtë me rreth 100 mijë vota! Por në atë kohë VV-në e përkrahnin diplomatët e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian e…. E sollën vet në pushtet së bashku me analfabetët funksional”, ka thënë Mustafa.

    Ai ka thënë se çmimin e prishjes së relacioneve me ShBA-të dhe Bashkimin Evropian nuk do ta paguajë kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.

    “Sot, frikësohem se çmimin e prishjes së relacioneve me SHBA-të dhe BE-në, nuk do ta paguajë VV me Kurtin dhe Osmanin por do ta paguajë e gjithë Kosova. Ngushëllimi i vetëm më mbetet se Lidhja Demokratike e Kosovës e kishte vlerësuar drejtë rrezikun dhe vepruam mirë në interes të Kosovës”, ka shkruar Mustafa.

  • Behrami thotë se Edi Rama është më pro-amerikan se Albin Kurti

    Behrami thotë se Edi Rama është më pro-amerikan se Albin Kurti

    Analisti Artan Behrami, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konsistencë në qëndrimet dhe linjën e tij pro Amerikës.

    Ai madje tha se Rama, fillimisht e shikon çka thotë Blinkeni, e më pas e kritikon Kurtin.

    “Sa i përket politikës së jashtme të Edi Ramës, ka bërë diçka që liderët dhe elitat politike në Shqipëri dhe në Kosovë, edhe besa në Maqedoni të Veriut e kanë bërë në vazhdimësi, përjashto këtu kryeministrin tonë Albin Kurti, që Edi Rama ka konsistencë në qëndrimet e tij në linjën e tij pro Amerikës. Rama e shikon fillimisht çka thotë Blinkeni, më pas e kritikon Kurtin, asnjëherë nuk e kritikon para se Blinkeni ta kritikojë atë”, tha Behrami.

    Ndërsa sa i përket politikës së jashtme në fushën e Ekonomisë, Behrami thotë së Edi Rama ka ndjekur një politikë të Titos.

    “Unë qëndroj pas asaj që kam thënë. Edi Rama e ka ndjekur një politikë të Titos në politikën e jashtme, sepse ai është një lider që ka arritë me sjellë investime nga shtete të cilat nganjëherë munden me u konsiderua si armike të SHBA-vë. Pra, e ka bërë këtë balancën ekonomik, i ka dhënë diçka Francës, diçka SHBA-së, diçka Gjermanisë, diçka shteteve të tjera. Unë besoj se që ka bërë mirë sepse ka arritë me shfrytëzua çdo potencial ndërkombëtarë për me e sjellë në Shqipëri. Pra, ai i ka shiku interesat e Shqipërisë në rend të parë”, tha Behrami. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Ish-ambasadori Ukshini për raportin Kosovë-Shqipëri: Jemi një komb, por nga 2008-ta jemi dy shtete fqinje

    Ish-ambasadori Ukshini për raportin Kosovë-Shqipëri: Jemi një komb, por nga 2008-ta jemi dy shtete fqinje

    Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se të qenurit një komb me Shqipërinë, është ajo pjesa emocionale dhe romantike, por në kuptimin e shtetit, thotë ai, duhet të pranojmë se nga viti 2008, jemi dy shtete fqinje.

    “Në këto marrëdhënie ka shumë probleme, por kini parasysh, ne vërtetë jemi një komb, kemi një gjuhë, kemi një histori, por kjo është ajo pjesa më se emocionale dhe romantike. Në kuptimin e shtetit, të administratave, ne duhet ta pranojmë, nga 2008 jemi shtete fqinje dhe këtu ka procedura dhe nuk ecim në kuptimin me dëshirat, me dinamikat që dëshirojmë. Shpesh herë, iniciativat private, mediat, intelektualët ose nismat e individëve të caktuar, ecim përpara”, tha Ukshini.

    Ai tha se që nga mbledhja e përbashkët në janar të vitit 2014, ka pasur progres në raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë, por sipas tij, duhet të bëhet më shumë në këtë drejtim.

    “Nëse e marrim dinamikën e raporteve ose mbledhjen e parë me 11 janar të vitit 2014, mendoj se ka pasur progres. A duhet të bëhet më shumë, pa diskutim duhet të kritikojmë edhe më fuqishëm, sepse i japin shtytje. Unë kam qenë pjesë e atij mekanizmi dhe shpeshherë kritikat kur janë bërë, kemi thënë ‘ndalu se kjo pikë është e dobët, duhet të korrigjohet, duhet të kërkohet, duhet të ecët”, tha Ukshini.

    Aspekti ekonomike, sipas tij, do duhej të ishte fusha me prioritetin më të lartë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë që këto dy shtete të mund të
    bëhen konkurrues në rajon.

    “Unë mendoj se ka shumë gjëra, dhe një nga letrat kur e kam bërë në fund në përshëndetje të misionit tim, kam thënë ‘ne duhet të kemi në kuptimin e fushës ekonomike prioritete të larta në kuptimin me produkte strategjike’. Çfarë nënkupton, ajo çfarë prodhon Kosova, Shqipëria të mos investojë por të krijojë treg. Atë që e prodhon Shqipëria, të krijojë treg Kosova. Kështu do të bëhemi konkurrues në rajon”, vlerësoi Ukshini. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti: S’kam marrë kurrfarë ultimatumi

    Kurti: S’kam marrë kurrfarë ultimatumi

    Forcat speciale të Policisë të Kosovës, do të duhej të largohen nga objektet komunale në komunat veriore më së largu të enjten, sipas një ultimatumi që përmendet se emisari amerikan, Gabriel Escobar, i ka dhënë kryeministrit Albin Kurti në takimin e së hënës.

    Por kryeministri Kurti mohon të ketë marrë ndonjë ultimatum të tillë nga ndërkombëtarët.

    “Nuk kam marrë kurrfarë ultimatumi, ne u takuam, bashkëbiseduam me emisarët dhe unë kam ofruar mënyrën e sigurt se si të kemi një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës, e shkaktuar nga strukturat ilegale. E para është sundimi i ligjit, kemi me dhjetëra ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës dhe gazetarë që ishin viktima të një egërsie të paparë të ekstremistëve të dhunshëm”, tha Kurti.

    Sidoqoftë, njësitë elite të Policisë së Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë në veri që nga dita kur kryetarët e zgjedhur shqiptarë, nisën punën.

    “Nga e premtja e 36 majit, njësitë speciale të Policisë së Kosovës vazhdojnë të qëndroj te pjesa para objektit të komunës së Zveçanit dhe nga ajo ditë nuk ka pasur lëvizje të njësisë speciale, dhe pikërisht është njësia speciale e cila është vendosur si kusht nga ndërkombëtarët, që duhet të largohet në mënyrë që të ketë shpërshkallëzim të situatës në veri”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Por me a pa ultimatum, autoblindat e policisë që nuk lëvizën nga vendi tash e 12 dite, u zhvendosën sot në pjesën prapa komunës së Zveçanit.

    Për situatën në veri që tash e dy javë po kujdeset KFOR-i, i shqetësuar është shprehur edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, teksa ka kërkuar nga të dyja vendet që të ndërmarrin hapa për ulje të tensioneve.

    “Dhuna po e kthen prapa Kosovën dhe gjithë rajonin, duke vënë në pikëpyetje aspiratat euroatlantike. Si Prishtina, ashtu edhe Beogradi, duhet të ndërmarrin hapa konkretë për ta shtensionuar situatën, të përmbahen nga sjelljet e mëtejshme të papërgjegjshme dhe të angazhohen në dialogun e ndihmuar nga BE-ja, që është rruga e vetme për paqe të qëndrueshme. NATO-ja do të vazhdojë të luajë rolin e saj për të mbështetur sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin e gjithë Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Stoltenberg.

    Situata në veri u tensionua pasi serbët kundërshtuan dhunshëm hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat e komunave. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kundërthënie mes Qeverisë e Sindikatës për shtesat e rrezikshmërisë për policët

    Kundërthënie mes Qeverisë e Sindikatës për shtesat e rrezikshmërisë për policët

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, i ka quajtur propagandë deklarimet që gjoja kategori të caktuar në administratën publike, apo shërbyesve publikë nuk trajtohen siç duhet, duke aluduar edhe në kushtet e punës së policëve të Kosovës.

    Madje, për rrezikshmërinë në punë të zyrtarëve policorë, ministri i Financave pretendon se një pjesë e pagesës, është përfshirë në pagën që e marrin pjesëtarët e policisë.

    “Ndërkaq, sa i përket shtesës së rrezikshmërisë, që ka qenë më përpara, ajo është ritransformuar dhe një pjesë e saj është përfshirë në pagë, meqenëse me çdo pozitë vjen edhe specifika të veçanta, pra për atë pozitë të caktuar dhe tani jemi në diskutim e sipër për kategori të caktuara, që do të mund të përfitojnë, sepse ekspozohen proporcionalisht para një rreziku dhe normalisht siç e ka thënë ministria e punëve të brendshme momentin që përcaktohet dhe vendoset ka edhe kompensim retroaktiv”, tha Murati.

    Megjithatë, sipas Sindikatës së Policisë, tash e katër muaj, asnjë zyrtari policor nuk i është paguar rrezikshmëria.

    “Prej shkurtit kur ka hyrë në fuqi ligji, pagesa për shtesën e rrezikshmërisë nuk është ekzekutuar. Nëse nuk ekzekutohet edhe për muajin qershor, i bie që janë pesë muaj që policët nuk i marrin shtesat për rrezikshmërinë”, tha Imer Zeqiri, nga sindikata e Policisë.

    Kundërthënie mes Sindikatës dhe ekzekutivit ka edhe sa i përket kompensimit të punës jashtë orarit.

    “Sa i përket çështjes së pagesave apo kompensimit, konsideroj që të gjithë policët apo kushdo që merr pjesë në orare më të shtuara, përtej orareve të zakonshme, është duke u kompensuar”, tha Murati.

    Kompensimi për punën jashtë orarit është bërë, por jo për të gjitha orët, sipas kreut të Sindikatës.

    “Shtesat për punë jashtë orarit janë ekzekutuar deri në muajin e kaluar të gjitha orët, kurse në maj janë paguar vetëm nga 60 orë, pavarësisht sa orë ka punuar zyrtari policor”, tha Zeqiri.

    Ndërkaq, edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, në raportimin e djeshëm në Komisionin për Siguri, ka konfirmuar se policëve nuk iu është paguar asnjë cent në muajt e fundit për rrezikshmërinë në punë. Nga hyrja në fuqi e Ligjit për Pagat, Policisë së Kosovës dhe disa profesioneve të tjera iu ndërprenë shtesat për rrezikshmëri, me arsyetimin se ende nuk ka përfunduar puna e Komisionit për përfitimin e shtesës për kushte specifike të punës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: