ATV

Tag: Ballina

  • Osmani pas takimit me Lajçakun e Escobarin: Zgjedhjet e reja në veri, të mundshme sipas ligjit

    Osmani pas takimit me Lajçakun e Escobarin: Zgjedhjet e reja në veri, të mundshme sipas ligjit

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani gjatë takimi me të dërguarin special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi ka thënë se zgjedhjet e reja në veri janë të mundshme.

    Gjatë takimit, Osmani bashkë me Escobarin e Lajçakun folën edhe për hapat tutje për paqen dhe stabilitetin në rajon.

    “Theksova se mosndëshkimi për grupet dhe individët kriminalë që kanë ushtruar dhunë ndaj policisë, gazetarëve, KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve nuk duhet toleruar”.

    “Po ashtu, nënvizova se zgjedhjet e reja janë të mundshme në përputhje me ligjin dhe parimet demokratike përfshirë pjesëmarrjen e të gjithëve”, tha Osmani.

    Më tej, e para e shtetit tha se në takim shprehu edhe përkushtimin e plotë të Kosovës për të vazhduar punën me partnerët e saj për të siguruar sundimin e ligjit në veri të vendit.

  • Atiq funksionalizon E-Kioskun në Mitrovicë të Veriut

    Atiq funksionalizon E-Kioskun në Mitrovicë të Veriut

    Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka njoftuar se kanë rifunksionalizuar E-Kioskun, në të cilin qytetarët mund të kenë qasje në dokumentet që u duhen.

    “Nga sot qytetarët do të mund të shfrytëzojnë E-Kioskun për të nxjerrë dokumentet e tyre personale. Mbetemi të përkushtuar që të lehtësojmë shërbimet për qytetarët në secilin sektorë” ka thënë Atiq në njoftimin e tij.

    Ky E-Kiosk kishte kohë që nuk funksiononte në këtë komunë.

  • Bujar Osmani ia dorëzon Kosovës e Serbisë propozimin 9-pikësh

    Bujar Osmani ia dorëzon Kosovës e Serbisë propozimin 9-pikësh

    Kryesuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) Bujar Osmani tha dje se propozimi i tij për qetësim dhe normalizim të situatës në veri të Kosovës u është dorëzuar misioneve në Prishtinë e Beograd, “të cilat duhet të komunikojnë dhe ta funksionalizojnë atë”.

    Ai tha se “Plani me nëntë hapa”, të cilin e publikoi gjatë fundjavës, “nuk është plan i OSBE-së, sepse ajo organizatë ndërkombëtare i merr vendimet me konsensus, por nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe ai si kryesues i OSBE-së”, transmeton Beta.

    “Roli im si kryesues i OSBE-së është të ofroj një zgjidhje për de-përshkallëzimin. OSBE-ja është në thelb një platformë për dialog, komunikim dhe menaxhim të konfliktit. Ne kemi dy operacione të mëdha, një në Prishtinë dhe tjetrin në Beograd”, tha Osmani në një intervistë për televizionin maqedonas “Telma”, transmeton Klankosova.tv.

    Ai shtoi se propozimi i tij është një nga përpjekjet plotësuese me organizatat dhe organet e tjera ndërkombëtare për të de-përshkallëzuar dhe normalizuar situatën (në veri të Kosovës) dhe që palët (Beogradi dhe Prishtina) t’i “rikthehen dialogut të arritur në Ohër”.

    “Pra, ne kemi një detyrim shtesë jo vetëm si kryesues i OSBE-së, por edhe si shtet ku është arritur ajo marrëveshje. Ju mund të shihni që masat e propozuara janë të ngjashme me masat e ofruara nga organizatat e tjera ndërkombëtare. Kjo do të thotë se komuniteti ndërkombëtar është në unison në kërkesën që palët t’i kthehen dialogut dhe në zbatimin e obligimeve nga marrëveshja themelore dhe aneksi, përkatësisht marrëveshja e Ohrit”, tha Osmani.

    Kryesuesi i OSBE-së, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, dy ditë më parë publikoi “Planin me nëntë hapa për de-përshkallëzimin dhe normalizimin e situatës në veri të Kosovës”.

    Ai plan, siç njoftoi Osmani në Twitter, “ka për qëllim arritjen e paqes dhe stabilitetit të përhershëm në veri të Kosovës dhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe procese demokratike”.

  • Pozhari: Përveç zbatimit të marrëveshjeve, opozita s’ka ndonjë argument kundër Kurtit

    Pozhari: Përveç zbatimit të marrëveshjeve, opozita s’ka ndonjë argument kundër Kurtit

    Analisti politik, Xhevdet Pozhari, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se opozita nuk ka ndonjë argument që do të mund t’i kundërvihej Albin Kurtit, përpos se “Kosova duhet t’i zbatojë marrëveshjet”.

    “Askush s’mund të thotë sot Kurti, që e kam pas të paqartë se çfarë qëndrime ka ai ndaj atyre marrëveshjeve. Këtë e them jo për ta amnistu Kurtin, sepse është biografia e tij, janë qëndrimet e tij publike dhe kushdo mund t’i komentojë dhe interpretojë si të dojë, mirëpo në atë kohë bëhej presion kur ishte koha që të mos nënshkruheshin këto marrëveshje, veçanërisht Asociacioni, për të mos u bërë kompromisi siç e quante Vetëvendosja apo koncesioni ndaj Serbisë, ndërsa sot opozita nuk ka ndonjë argument me çka do t’i kundërvihej Kurtit, përveç se thotë që ‘ne duhet t’i zbatojmë ato marrëveshje’”, tha Pozhari.

    Ai thotë se në këtë situatë kur Kurti është lojtari kryesor, opozita është fragjile.

    “Në të kaluarën nuk është se nuk ka pasur rezistencë, ne e dimë që kanë rënë qeveri edhe shkaku i dialogut. Ka pasur siguresë brenda asaj qeverie, sepse njëri partner, në një mesnatë dilte dhe fillonte atë lojën për prishjen e partneritetit. Tash kemi një pushtet, i cili e ka dominancën e votave dhe rrjedhimisht ka një vullnet politik që mund ta çojë një agjendë më tutje. Për disa mund të jetë jo mënyra e duhur, e gabuar për disa mund të jetë pikërisht ajo që unë e dëgjoj shpesh në komunikim që të zgjidhet një çështje njëherë e përgjithmonë, sepse s’mund të zgjatet pafundësisht”, tha Pozhari. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Escobar: Më së largu nesër të arrihet një marrëveshje për qetësim të situatës në veri

    Escobar: Më së largu nesër të arrihet një marrëveshje për qetësim të situatës në veri

    I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në takimin e tij të sotëm me gazetarë, tha që më së largu nesër duhet të arrihet një marrëveshje për qetësim të situatës në veri, transmeton ATV.

    “Një rrugë është shpërshkallëzimi, rruga e dytë është zgjedhje të reja me pjesëmarrje të serbëve, dhe e treta duhet të lëvizim menjëherë drejt implementimit të marrëveshjes së Ohrit, që do të thotë se duhet të shohim një përpjekje të vërtetë të Kosovës për t’u angazhuar për asociacionin dhe po ashtu duhet të shohim hapa të ndërmarrë nga Serbia. Andaj, kjo duhet të bëhet tani dhe duhet të pajtohemi për këtë sot dhe nesër, sepse të premten, Miroslavi [Lajcak] dhe unë, pritet që të japim raporte te eprorët tanë, lidhur me atë se a ishim të suksesshëm apo jo”, tha Escobar.

    Ai tha se BE-ja ka prezantuar një rrugë përpara, që është shpërshkallëzimi i menjëhershëm, dhe kjo do të përfshinte një plan që kryetarët jo domosdo të kenë nevojë të punojnë në ato ndërtesa, përderisa tensionet janë kaq të larta.

    “Në SHBA, ne kemi shumë përvoja në situata të tilla, dhe ne tentojmë t’i ndajmë këto përvoja dhe vizionin tonë. Mund të ju them personalisht se isha duke punuar në një ndërtesë federale në San Francisko në vitin 1991, kur po protestohej kundër Luftës së Gjirit. Dhe ishte mbyllur një ndërtesë federale në të cilën ndodheshin prokurorët, FBI-ja, dhe institucione të tjera federale. Ata thjesht kaluan në një ndërtesë tjetër, dhe e vazhduan punën. Dhe askush nuk tha se ne ia dhamë sovranitetin asaj turme”, tregoi Escobar. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Lajçak tregon se çka bisedoi me politikanët në Kosovë

    ​Lajçak tregon se çka bisedoi me politikanët në Kosovë

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ka treguar se çka është biseduar në takimet që ai dhe i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, i kanë zhvilluar të martën në Prishtinë.

    Lajcak dhe i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, kanë mbërritur të hënën në Kosovë, ku janë pritur në takim nga kryeministri Albin Kurti.

    “Sot në mëngjes me Presidenten diskutuam për situatën në veri të Kosovës. Ne theksuam rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje politike që mundëson de-përshkallëzimin e menjëhershëm dhe kthimin në normalizim”, ka shkruar Lajcak në Twitter.

    Lajcak dhe Escobar kanë zhvilluar takim edhe me partitë opozitare dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

    Sipas diplomatit sllovak, atyre u është kërkuar të mbështesin një zgjidhje politike për të zbutur tensionet në veri.

    “Escobar, ambasadori amerikan në Kosovë dhe unë u shpjeguam partive opozitare shqiptare në Kosovë pasojat e krizës aktuale dhe dëmtimin e reputacionit ndërkombëtar të Kosovës. Ne u kërkuam atyre të mbështesin një zgjidhje politike për të zbutur tensionet”, ka shkruar ai.

    Ndërsa Listës Serbë u ka theksuar nevojën që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e reja në katër komunat veriore.

    “Asnjë zgjidhje politike për uljen e tensioneve në veri të Kosovës nuk mund të arrihet pa popullatën e prekur. Me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe shoqërisë civile, ne theksuam nevojën që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e reja”, ka shkruar ai pas takimit me Listën Serbe.

    E në takimin e mbrëmshëm me kryeministrin Kurti, emisarët i kanë paraqitur atij propozimin me tri elemente.

    I pari është de-eskalimi i situatës në terren në tri komunat veriore, pastaj zgjedhje të shpejta në këto komuna si dhe rikthimi në dialog.

    Pas takimit, të dy deklaruan se faktori ndërkombëtar është unik në këto kërkesa dhe shpresojnë se të njëjtat do të dëgjohen. /kp

  • Escobar: SHBA është përkrahësi më i madh i Kosovës, kemi sfida me kryeministrin aktual

    Escobar: SHBA është përkrahësi më i madh i Kosovës, kemi sfida me kryeministrin aktual

    I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në takimin e tij të sotëm me gazetarë, ri përsëriti se SHBA është mbështetësi më i madh i Kosovës dhe se marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve nuk kanë ndryshuar, transmeton ATV.

    “Dua ta përsëris për njerëzit, se marrëdhënia ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është marrëdhënie ndërmjet popujve të shteteve tona, dhe kjo marrëdhënie është e fortë dhe nuk do të ndryshojë. Ne do të vazhdojmë të jemi mbështetësit tuaj më të fuqishëm në komunitetin ndërkombëtar. Ne jemi të angazhuar për pavarësinë tuaj, sovranitetin tuaj, sigurinë tuaj si dhe prosperitetin tuaj ekonomik. Kur unë diskutoj me njerëzit në anembanë vendit dhe me kosovarët të cilët vijnë në Uashington, vazhdimisht më vijnë ndër mend mundësitë e jashtëzakonshme që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve tona, dhe mundësitë e jashtëzakonshme që ekzistojnë në këtë vend, si vend i kulturës kreative, kulturës sipërmarrëse, si një që do të jetë një krijuese e punës në të ardhmen, brenda Evropës. Andaj, kjo është ajo në çfarë unë jam fokusuar”, tha Escobar.

    Ai sqaroi se kanë disa sfida në marrëdhënien bilaterale sa i përket raportit me kryeministrin.

    “Shpresoj që njerëzit ta kuptojnë se çfarëdo vështirësi aktuale që kemi me kryeministrin, nuk do të ndikojnë në këto mendime. Por ne kemi disa sfida në marrëdhënien bilaterale, sa i përket raportit me kryeministrin. Do të jem i sinqertë, SHBA-ja ka qenë mbështetësja juaj më e madhe dhe më dhemb të shoh se njerëzit mendojnë se në një mënyrë, ne po e braktisim këtë marrëdhënie dhe angazhimin tonë me Kosovën, në dobi të Serbisë”, shpjegoi Escobar. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Dita e 9 të e protestave në veri, protestuesit shpërndahen të qetë

    Dita e 9 të e protestave në veri, protestuesit shpërndahen të qetë

    Të paktë në numër, ushtarët e KFOR-it po vazhdojnë ta ruajnë objektin e komunës së Zveçanit.

    Përballë tyre, edhe gjatë së martës ishin protestuesit serbë.

    Protestuesit, pjesa më e madhe e të cilëve janë gra, po e kalojnë kohën duke ngrënë e pirë. Nuk mungon as muzika që i shoqëron ata, teksa bëjnë muhabet nën tendat e vendosura.

    Një pjesë të ditës së sotme, protestuesit serbë e kaluan pa prijësit e tyre, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiç, patën takim me diplomatët Lajçak e Escobar.

    Megjithatë, pas takimit, ata iu kthyen punës që e kishin lënë në gjysmë, ndërsa duke u mos deklaruar për media, vetëm bënë të ditur se protesta do të vazhdojë.

    Zveçani, që gjatë protestave u karakterizua me dhunë ndaj mediave, policisë dhe KFOR-it, sot ishte i qetë.

    Ndërkaq, kryetari i komunës së Zveçanit, Ilir Peci, vazhdon ta ushtrojë detyrën e tij nga një zyrë alternative.

    Referuar raportimeve, edhe në komunën e Leposaviqit dhe Zubin Potokut mbretëroi një situatë e qetë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Escobar dhe Lajcak takojnë presidenten, opozitën dhe Listën Serbe

    Escobar dhe Lajcak takojnë presidenten, opozitën dhe Listën Serbe

    Veriu ishte kryetemë edhe në ditën e dytë të takimeve, në Prishtinë, të emisarëve të posaçëm të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Miroslav Lajcak dhe Gabriel Escobar.

    Pas takimit me dy emisarët, në një komunikatë, presidentja Vjosa Osmani theksoi rëndësinë e fuqizimit të aleancës me SHBA-në dhe BE-në, me qëllim forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe integrimin euro-atlantik.

    Krahas nevojës që grupet kriminale që përdorën dhunë ndaj Policisë, gazetarëve, KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, të përballen me drejtësinë, presidentja Osmani përmendi edhe organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri.

    “Presidentja Osmani ka potencuar se zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit, mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst, presidentja shtoi se duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

    Dy emisarët e posaçëm, pritën në takim të përbashkët tre krerët e opozitës parlamentare.
    Teksa kërkoi reagim nga presidentja Vjosa Osmani, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh i shqetësuar me situatën dhe tha se po vazhdon konsultat e përditshme me kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut, për veprimet e mëtejme.

    “Nuk ka pasur kërkesa përtej informimit për situatën. Asnjëherë nuk kam pa aq shqetësim nga partnerët, nuk është e lehtë të dëgjosh që ata të shprehin zhgënjim kaq të thellë”, tha kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

    Duke kritikuar qasjen dhe veprimet e kryeministrit Albin Kurti, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë janë në gjendje të paparë në 33 vjetët e fundit.

    “Në këtë fazë të Kosovës, qytetarëve tanë i mbetet t’i shohin pasojat që mund të vijnë nga një relacion i tillë, në radhë të parë nga ShBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja. Një gjendje të tillë, si LDK, e kemi të vështirë ta pranojmë, si parti politike opozitare me numër të kufizuar të deputetëve, veprimet tona do të jenë publike”, tha kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Në Zyrën e BE-së në Prishtinë, Lajcak dhe Escobar u takuan edhe me krerët e Listës Serbe.

    Dy emisarët, evropian dhe amerikan, do të udhëtojnë për në Beograd për takim me krerët shtetërorë të Serbisë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Përfshirja e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë

    Përfshirja e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë

    Në nisjen e javës për Ndihmë Juridike Falas, është ngritur sërish shqetësimi lidhur me funksionimin e Agjencisë për ndihmë Juridike Falas nën funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë.

    Sipas juristëve, Agjencia do të duhej të jetë e pavarur, sepse ndryshe dikasteri i drejtësisë bën shkelje kushtetuese.

    “Futja e Agjencisë nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë është konflikt interesi. Ndihma juridike, sipas Kushtetutës, është kategori kushtetuese dhe si e tillë duhet të jetë e pavarur. Në vend se të shkojmë një hap para, tash jemi një hap mbrapa. Tash e kemi situatën kur Agjencia menaxhohet nga MD, ka raste p.sh. kur qytetari supozojmë e bën një ankesë ndaj MD-së, nëse ajo bën shkelje, për shkak të veprimeve ose vendimeve administrative, por në anën tjetër kemi qytetarin që mbrohet kundër Ministrisë nga avokati i shtetit, prandaj jemi kundër”, tha Anton Nrecaj, avokat.

    Por, pavarësisht kësaj, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se rastet që kanë kërkuar ndihmë në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas janë rritur.

    “Qasja në drejtësi është shtyllë themelore e drejtësisë. Kemi marrë veprime konkrete për ofrimin e ndihmës juridike falas. Falë ndryshimeve, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, për herë të parë edhe gazetarët kanë hy në këtë kategori. Në viti 2021 është dhënë ndihmë juridike për mbi 4.900 persona, në vitin 2022 kjo është rritur për 30%. Vitin e kaluar 2619 grave u është ofruar ndihmë juridike. MD-ja është në proces të krijimit të akteve ligjore, ka ende shumë punë për të bërë”, tha Haxhiu.

    Sipas kryesuesve të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial, qytetarët kanë të drejtë të kenë qasje në drejtësi.

    “E kemi mision që fati i drejtësisë të mos varet nga pavarësia financiare. Ndihma juridike falas mundëson që qytetarët të jenë të barabartë. Kosova e ka sfidë numrin e lëndëve”, tha kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj.

    Mbrojtja e të drejtës gjyqësore paraqet të drejtën e qytetarëve para ligjeve e Kushtetutës. Për KPK-në, ndër parimet kryesore është respektimi i të drejtave dhe qasja në drejtësi. Të gjithë qytetarët kanë të drejtë të kenë qasje në drejtësi. Duhet të bashkëpunojmë për të ndryshuar dhe unifikuar praktikat më të mira të ndihmës juridike falas”, tha zëvendëskryesuesi i KPK-së, Veton Shabani.

    Sot është nënshkruar edhe rregullorja e Ministrisë së Drejtësisë për përcaktimin e kritereve për ofrimin e ndihmës juridike falas nga organizatat joqeveritare në partneritet me Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas dhe për procedurën e ankesave për ndihmë juridike falas. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: