ATV

Tag: Ballina

  • “Vizioni për asociacionin do të konkretizohet kur ka pajtueshmëri për shtyllat e tij”

    “Vizioni për asociacionin do të konkretizohet kur ka pajtueshmëri për shtyllat e tij”

    Asociacioni u bë temë diskutimi edhe në seancë të Kuvendit.

    I pyetur nga partia më e madhe opozitare, kryeministri Albin Kurti tha se pa u pranuar parimet e tij nuk mund të ketë thellim të mëtutjeshëm të draft-statutit për formim të asociacionit.

    “Pra kur të pajtohemi në parim, përfshirë edhe ato shtyllat që ju i përmendët që unë i kam thënë në parim, atëherë lirisht mund ta thellojmë tekstin. Por nuk mund të shkruajmë tekste alternative, ndërmjet të cilëve mund të gjendet një mesatare aritmetikore pa u pajtuar njëherë në parim”, tha Kurti.

    “Aleatët kërkojnë propozim e jo vizion, jemi shtet i pavarur dhe sovran, kemi obligime ligjore ndërkombëtare. Të lutem trajtoji çështjet me seriozitet të veçantë”, tha deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

    Ndërkohë, në seancën e dytë që u mbajt këtë të enjte, kryeministri Kurti nga partia e tij mori mbështetje për deeskalimin e situatës në veri.

    “Asociacioni, veriu, të drejtat e serbëve në Kosovë për të cilat Vucicit nuk ia ndien fare, nuk janë qëllim në vetvete, por janë instrumente politike që i renditen objektivit madhor hegjemonist të Serbisë, e që është dominimi i Ballkanit”, tha deputeti i LV-së, Ardian Gola.

    Por, ndaj deklaratave të Golës reagoi deputetja e LDK-së, Doarsa Kica.

    “Kur bëhet ironia dhe cinizmi bashkë me verbërinë politike, atëherë janë të rrezikshme për shtetin, sepse veçmas mund të jenë destruktive për ty si individ. Kur flet për mbështetje të Policisë, në të njëjtën kohë kur iu heq rrezikshmërinë prej pagës dhe i çon në veri dhe flet si duhet t’i mbështesim moralisht. A ia paguan morali bukën në fund të muajit?”, tha deputetja e LDK-së, Doarsa Kica.

    Deputetët mbajtën dy seanca plenare, fillimisht atë ku ishte vetëm një pikë e rendit të ditës, ajo për shqyrtimin e Projektligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në vend e më pas seanca plenare ku ishin të paraparë 22 pika në rend dite.

    Deputetët arritën t’i miratojnë 5 marrëveshje ndërkombëtare. Prej tyre 3 me Republikën e Sllovenisë e gjithashtu edhe atë me Bashkimin Evropian për Programin IPA 2022. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Konsensus mes pozitës e opozitës, kalon ligji për zgjedhjet

    Konsensus mes pozitës e opozitës, kalon ligji për zgjedhjet

    E nisëm me disponim të mirë.

    Ky disponim i parapriu një gjëje që nuk ndodh aq shpesh në Kuvendin e Kosovës. Pozitë e opozitë u bënë bashkë dhe me 86 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, votuan miratimin e Ligjin për Zgjedhjet e përgjithshme.

    Kosova mbetet me një zonë zgjedhore dhe nga pesë deputetë sa kanë mundur të votohen deri më tani, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, mund të votohen dhjetë.

    Kurse, nga ky ligj, sipas Kryetarit të Komisionit Ad Hoc për reformën zgjedhore, Abelard Tahiri nga PDK-ja, do të favorizohet mërgata.

    “Kemi marrë edhe rekomandime nga grupet parlamentare. Për herë të parë diaspora do ta ketë mundësinë të votojë në tri mënyra, në njërën prej tyre edhe fizikisht në ambasada diplomatike të vendit tonë. Ky është një hap i madh që e forcon edhe lidhjen tonë me diasporën”, tha Tahiri.

    Pas një mocioni të deputetit Rrustemi, që kërkoi përshpejtim të procedurave, Projektligji për Zgjedhjet e Përgjithshme kaloi edhe në lexim të dytë.

    Paraprakisht atmosferë e mirë i shoqëroi edhe gjatë seancës për shqyrtimin në lexim të dytë të Ligjit. Të gjitha amendamentet e propozuara nga deputetët lidhur me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme kaluan, pos amendamentit të Isak Shabanit nga PDK-ja.

    “Numërimi në qendrën komunale të votimit, bëhet duke ofruar transparencë të plotë. KQZ-ja obligohet të sigurojë transparencë të plotë me ofrimin e mjeteve mbështetëse teknologjike”, tha Shabani.

    E për këtë, nënkryetari i komisionit ad hoc, Adnan Rrustemi, pati një përgjigje.

    “Nuk mund t’i vendosim një dispozitë strikte KQZ-së, duke mos i marrë parasysh mundësit e KQZ-së. Ky formulim parashihet në amendamentin e 15-të”, tha Rrustemi.

    Ndërkaq, miratimi i këtij Ligji u përshëndet edhe nga kryeministri i vendit.

    Projektligji për Zgjedhjet e Përgjithshme është hartuar nga Komisioni Ad Hoc për reformën zgjedhore, i themeluar nga Kuvendi i Kosovës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Për SHBA-në, asociacioni është mënyrë për kontrollin e veriut nga Kosova

    Për SHBA-në, asociacioni është mënyrë për kontrollin e veriut nga Kosova

    Ndikimi që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ushtron përmes Listës Serbe në shkaktimin e zgjedhjeve në katër komunat në veri, sipas SHBA-së, mund të dobësohet përmes formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Në bashkëbisedimin me gazetarë, të martën, Zëvendës-Ndihmës-Sekretari amerikan, Gabriel Escobar, tha se Kosova përmes Asociacionit mund të rrisë kontrollin në veri.
    Por teksa draft-statutin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues e cilësoi skandaloz e të papranueshëm, opinionisti Agon Maliqi tha se pa pasur një dokument si referencë, është vështirë të dihet nëse Asociacioni forcon ose dobëson ndikimin e Serbisë.

    Deklaratën e Escobarit ai e sheh në kontestin e gjendjes aktuale në veri.

    “Më shumë e kishte fjalën në kuptimin se gjendja e tanishme dhe mungesa e çfarëdolloj rendi në veri e forcon Serbinë, sepse gjithçka funksionon përmes institucioneve paralele dhe popullsia lokale vazhdimisht e më shumë largohet nga institucionet e Kosovës dhe kërkon më shumë zgjidhje te Serbia. Ideja është që përmes një modeli të ri të qeverisjes ata ta gjejnë veten dhe ta shohin veten brenda rendit institucional të Kosovës”, tha Agon Maliqi, opinionist.

    Teksa pjesëmarrjen e serbëve lokalë në zgjedhjet e reja eventuale e sheh si pikënisje të një integrimi të lehtë, profesori Dritëro Arifi e vlerëson pikëpamjen amerikane në një plan më afatgjatë.

    “Perspektiva e z. Escobar në të ardhmen e afërt është se si do të duhej të dukej komplet një Kosovë e pavarur dhe sovrane, duke i pasur serbët e veriut në institucione. Pra në njëfarë forme, ndoshta jo menjëherë, por në planin afatgjatë serbët do të largohen nga Serbia, nëse ata e shohin një rrugë që në Kosovë mund të kyçen në institucione dhe mund të bashkëpunojnë me Qeverinë qendrore”, tha profesori universitar, Dritëro Arifi.

    Vonesat në prezantimin e draft-statutit, të cilat Escobar i vlerësoi të pakuptimta, sipas Maliqit, po e paraqesin Kosovën si palë penguese në dialog.

    “Ndoshta gabimi më i madh i Qeverisë, sepse ka një vit që zyrtarët amerikanë insistojnë që Kosova ta sjellë variantin e saj maksimal se si e sheh Asociacionin dhe mungesa e prezantimit të një dokumenti të tillë e bën Kosovën si përgjegjëse dhe bashkëfajtore në dështimin e dialogut”, tha Agon Maliqi, opinionist.

    SHBA-ja ka përsëritur disa herë se asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe se nuk mund të jetë e as t’i ngjajë “Republikës Serbe” në Bosnjë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Situata në veri, qytetarët po maltretohen në kufij me Serbinë

    Situata në veri, qytetarët po maltretohen në kufij me Serbinë

    Ngjarjet në veri të vendit, po ndikojnë edhe në lindje të saj.

    Qytetarët që e përdorin pikën kufitare te Dheu i Bardhë për të kaluar në Preshevë e Bujanoc, po keqtrajtohen nga policia kufitare e Serbisë.

    Të njëjtin fat e pati të enjten edhe Sylejman Pllana, të cilit iu ndalua kalimi matanë pikës kufitare, për, siç thotë ai, pa ndonjë arsye.

    “Me këtë veturë nuk mundesh me kalu, po thashë e kam autorizimin, jo thanë ti nuk mundesh, këta le të kalojnë e ti duhesh me u kthy! E qysh me ja bo, unë para dy jave kalova njëjtë. U ndryshu ligji po thonë, e s’po di çka ka ndryshu”, tha Sylejman Pllana, qytetar.

    Por ky nuk është i vetmi qytetar i kësaj pjese që ka probleme të tilla, pasi ka të tjerë që edhe po arrestohen pa asnjë arsyetim. Krejt këto, sipas nënkryetarit të komunës së Bujanocit, po bëhet për t’i larguar ata nga këto treva.

    “Po ndalohen fillimisht në pikën kufitare te Dheu i Bardhë, merren në pyetje nga inspektorët e BIA-t dhe dërgohen në mbajtje për 24 apo 48 orë në Vranjë. Disa raste kanë ndodhë në këtë pikë kufitare e në veçanti miq që vijnë për vite rresht dhe asnjëherë nuk janë ndalu, ndërkaq në këto rrethana po”, tha nënkryetari i Komunës së Bujanocit, Shqiprim Musliu.

    Madje, Musliu thotë se policët serbë po trillojnë tregime vetëm për t’i arrestuar ata, siç tregon se i ndodhi edhe një familjari të tij.

    “I është ngritur aktakuzë kinse ky i dyshuar e ka rrahur një serb në Kosovë, që nuk ka dijeni ky që në jetën i tij i ka ndodhur, por është një skenar i Serbisë në raport me këta qytetarë që po iu bëhet ky presion”, tha Musliu.

    Megjithatë, me krejt këto padrejtësi, qytetarët e Luginës edhe më të zhgënjyer ndihen me Kosovën, pasi thonë se nuk po bën asgjë për ta. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Rama: Draft-statuti i dorëzuar është një dokument kofidencial

    Rama: Draft-statuti i dorëzuar është një dokument kofidencial

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, te presidenti francez Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.

    Rama ka thënë se drafti është i punuar nga ekspertë dhe sipas tij pret që i njëjti të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun Kosovë-Serbi.

    Në fjalën e tij para gazetarëve, kryeministri Rama tha se bëhet fjalë për një dokument konfidencial që s’pretendon të jetë zgjidhja ideale, por sipas tij, është një dokument i nivelit më të lartë që merr në konsideratë se Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës.

    “Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe Scholz një draft të Asociacionit për të cilin kam vënë në dijeni edhe Charls Micheln dhe palën amerikane. Është një draft punuar nga ekspert të nivelit më të lartë amerikanë dhe evropianë prej kohësh. Gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë. Kjo ditë kur palët dhe në këtë rast, për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës dhe jo i Serbisë. Palët nuk po merren dot vesh se as kush duhet ta shkruaj këtë tekst, e jo më se çfarë do të ketë teksti. Është dokument konfidencial që s’pretendon të jetë zgjidhja ideale por është një dokument i nivelit më të lartë që merr në konsideratë se Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës duke adresuar të gjithë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Uroj që ky material do të vlej për të çuar në një nivel tjetër dialogun dhe për t’i bërë palët që të flasin për gjëra konkrete”, ka deklaruar Rama. /atvlive.tv

  • ​Kuvendi miratoi në lexim të dytë Projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme

    ​Kuvendi miratoi në lexim të dytë Projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme

    Kuvendi i Kosovës, me 79 vota për ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme. Deputetët e pozitës dhe opozitës u bënë bashkë për t’i dhënë dritën e gjelbër reformës zgjedhore, ku miratuan edhe 19 amendamente shtesë për këtë projektligj.

    Miratimi i këtij projektligji erdhi me procedurë të përshpejtuar, pas miratimit në lexim të parë gjatë së enjtes.

    Kuvendi ndërpreu përkohësisht punimet e seancës plenare deri në orën 17:30, për t’i dhënë hapësirë miratimit në lexim të dytë edhe të Projektligjit për ndarjet buxhetore./KP

  • Donika Gërvalla në krah të Blinkenit në konferencën kundër ISIS-it që po zhvillohet në Arabi

    Donika Gërvalla në krah të Blinkenit në konferencën kundër ISIS-it që po zhvillohet në Arabi

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz po qëndron në Riad të Arabisë Saudite, ku po merr pjesë në konferencë e Koalicionit Global kundër Shtetit Islamik.

    Gërvalla po merr pjesë në këtë konferencë vjetore me ftesë të Sekretarit Amerikan të Shtetit Anthony Blinken dhe princit saudit Faisal bin Farhan al Saud. Koalicionit Global kundër Shtetit Islamik u themelua në vitin 2014.

    Kosova është anëtare e këtij koalicioni, kur përvec Shteteve të Bashkuara të Amerikës bëjnë pjesë edhe mbi 80 shtete tjera të partnere.

    Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e koalicionit pasi kanë mundur Shtetin Islamik në fushëbeteja në Siri dhe Irak, tash duhet të përqendrohen në parandalimin e rishfaqjes së kësaj organizate.

    Ai përsëriti përkushtimin për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin.

  • Kurti: Vizionin për Asociacionin do të konkretizojë kur ka pajtueshmëri për shtyllat e tij

    Kurti: Vizionin për Asociacionin do të konkretizojë kur ka pajtueshmëri për shtyllat e tij

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë sot se vizionin e tij për draft-statutin e Asociacionit do të konkretizonte nëse ka pajtueshmëri në parim për shtyllat e tij.

    Kurti, në seancën e sotme plenare ka thënë se nuk mund të shkruajë statutin e Asociacionit dhe pastaj të kërkohet një kompromis për atë, pa pasur në fillim pajtim për parimet e tij.

    “Unë këtë mund të thellojë (vizionin për statutin e Asociacionit), por thellimi i kësaj nënkupton pajtueshmëri në parim. Pra kur të pajtohemi në parim, përfshirë edhe ato shtyllat që ju i përmendën që unë i kam thënë në parim, atëherë lirisht mund të thellojmë tekstin. Por nuk mund të shkruajmë tekste alternative ndërmjet të cilëve mund të gjendet një mesatare aritmetikore pa u pajtuar njëherë në parim”, është shprehur Kurti, duke iu përgjigjur në pyetjet e deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

    Ai ka përsëritur mospajtimin me draftin e statutit të Asociacionit, të hartuar nga ish-ekipi menaxhues, të cilin Kurti e ka shkarkuar.

    Kurti ka thënë se vizioni i tij i prezantuar është bazuar në modelin kroat për pakicat kombëtare.

    “Qeveria ime nuk është pajtuar me draftin e ekipit menaxhues pasi ai imitonte në përmbajtje dhe formë Republikën e Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë. Rrjedhimisht unë kam propozuar një draft vizion për të zbatuar nenin shtatë të marrëveshjes bazike dhe në lidhje me nenin 10, për të cilin nuk kam pranuar së pari aprovimin e palës tjetër dhe më pas edhe të Brukselit zyrtar, i cili vazhdon të konsiderojë këtë çështje të hapur…Tash e tutje mund të diskutojmë në kuadër të dialogut të Brukselit për zbatimin e nenit shtatë të marrëveshjes sipas vizionit tim të prezantuar në Bruksel, i cili prezanton shkronjën dhe frymën e Kushtetutës së Republikës sonë, konsensusin trans-atlantik të vlerave demokratike dhe liberale”, ka shtuar ai.

    Kurti është pyetur edhe për strategjinë për inkasimin e mjeteve financiare për shërbimet publike në katër komunat veriore.

    Ai është shprehur se fillimisht do të faturohen institucionet, pastaj bizneset dhe në fund amvisëritë.

    “Shërbimi fillimisht do t’i faturohet institucioneve, pastaj bizneseve dhe në fund amvisërive. Zgjedhjet e prillit kanë dhënë udhëheqjen e re në katër komuna dhe ndërmarrjet do të punojnë ngushtë me këta udhëheqës dhe komunitetin atje për të zgjeruar zonën e shërbimit”, ka shtuar ai.

    Ndryshe, kryeministri shqiptar, Edi Rama ka deklaruar se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, te presidenti francez Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz. Për këtë dokument, ai ka thënë se i ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian dhe amerikanët. Rama ka thënë se drafti është i punuar nga ekspertë dhe sipas tij pret që i njëjti të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun Kosovë-Serbi.

  • ​Rama i dorëzon presidentit francez dhe kancelarit gjerman një draft të Asociacionit

    ​Rama i dorëzon presidentit francez dhe kancelarit gjerman një draft të Asociacionit

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, te presidenti francez Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.

    Rama ka thënë se drafti është i punuar nga ekspertë dhe sipas tij pret që i njëjti të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun Kosovë-Serbi.

    “Dje i kam përcjell një draft të Asociacionit, Macronit dhe Scholzit. Është një draft i punuar nga ekspertë të nivelit të lartë, është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë”, ka deklaruar Rama para gazetarëve në Shqipëri.

    “Ju siguroj që është një dokument i nivelit të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe patjetër merr në konsideratë se Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës. Uroj dhe shpresoj që ky material do të vlejë për ta çuar një nivel tjetër dialogun dhe për t’i bërë palët të flasin për gjëra konkrete, gjëra që lidhen me përfundimin e suksesshëm të dialogu dhe jo që të flasin me vete dhe për vete”, ka shtuar ai.

    Rama ka thënë se është i shqetësuar sipas tij për tkurrjen e Kosovës në sytë e aleatëve.

    “Serbia e ka humbur përfundimisht Kosovën në vitin 1999. Dua sukses për Kurtin dhe Kosovën”, ka theksuar ai.

  • Kurti: Me ndryshimet në Ligjin për Zgjedhjet po i dalim hak diasporës

    Kurti: Me ndryshimet në Ligjin për Zgjedhjet po i dalim hak diasporës

    Kryeministri Albin Kurti, tha se me votimin Projektligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës do t’i dalin hak mërgimtarëve që përkundër vështirësive nuk hoqën dorë për ta shprehur vullnetin e tyre politik, raporton Ekonomia Online.

    Sipas tij, ndër çështje më të rëndësishme që rregullohen me këtë Projektligj janë regjistrimi i votuesve jashtë vendit, mënyra e votimit jashtë vendit, e drejtën e votës, numërimi i votave dhe mbështetja financiare shtesë për partitë që krijojnë hapësirë më të madhe për deputet gra sa është kuota e përcaktuar.

    “Si kryeministër i vendit shpreh kënaqësinë dhe falënderimin për të përfunduar këtë proces. Falënderoj partitë politike për pajtueshmërinë për ndryshimet e bërë. Falënderoj miqtë ndërkombëtar. Përpjekje për reformë zgjedhore patën filluar menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare 2010 që u cilësuan nga misionet e ndryshme si vjedhje industriale të votave. Raporti i misionit të BE për zgjedhjet lokale adresoj 23 rekomandime për procesin zgjedhore”.

    “Pjesëmarrja  e mërgatës në proceset zgjedhore dhe vështirësitë e tyre në realizimi e kësaj të drejte janë arsye për këto ndryshime që tani mundësojnë që ata të marrin pjesë. Ndër çështje më të rëndësishme që rregullohen me këtë projektligj janë regjistrimi i votuesve jashtë vendit, mënyra e votimit jashtë vendit, e drejtën e votës, numërimi i votave dhe mbështetja financiare shtesë për partitë që krijojnë hapësirë më të madhe për deputet gra sa është kuota e përcaktuar. Projektligji i ri e parasheh regjistrimin online”.

    “Shpeshojmë sadopak me votimin e këtij ligji sot do të i’u dalim hak mërgimtarëve që përkundër vështirësive nuk hoqën dorë për ta shprehur vullnetin e tyre politik dhe me durim priten që shteti i tyre t’i bëjë edhe me krenar kur atyre do të i’u mundësohet votimi në shtet ku ata jetojnë”, tha Kurti.