ATV

Tag: Ballina

  • Shchneeberger pyet BE-në: Cilat janë sanksionet kundër Serbisë për shkaktimin e krizës në veri?

    Shchneeberger pyet BE-në: Cilat janë sanksionet kundër Serbisë për shkaktimin e krizës në veri?

    Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Shchneeberger, ka reaguar pas lajmeve se BE po përgatit sanksione ndaj Kosovës. Ajo ka pyetur se cilat janë sanksionet për Serbinë e cila e ka shkaktuar krizën në veri të Kosovës.

    Në një shkrim në Twitter, ajo i është drejtuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von Del Leyen, presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola si dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.

    “Çfarë sanksionesh janë planifikuar kundër Serbisë për shkaktimin e kësaj krize duke i tërhequr (serbët) nga institucionet, duke shkaktuar zgjedhje të reja, duke bojkotuar zgjedhjet dhe duke sulmuar dhunshëm paqeruajtësit e NATO-s?”, ka shkruar ajo.

    Politikanja austriake ka pyetur pse po sanksionohet Kosova.

    “Dhe pse sanksionohet Kosova? Për shkak të zbatimit të demokracisë dhe shtetit ligjor? Apo sepse Kosova nuk do ta lejojë veten të bëhet një kukull për të gjykuar autokratët? Kjo vendosmëri dhe ashpërsi është e nevojshme kundër Vuçiqit, por jo Kosovës e cila nuk po përpiqet të përdorë të gjitha llojet e mashtrimeve për të rritur ndikimin e saj mbi fqinjët. Ky përmbysje autor-viktimë do të përshpejtojë atë që ata mendojnë se duhet të parandalojnë. Sa rezistent ndaj të mësuarit mund të jeni në të vërtetë?”, ka shkruar Shchneeberger.

    Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike.

    Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.

  • DASH sërish u bën thirrje palëve që të ulin tensionet në veri të Kosovës

    DASH sërish u bën thirrje palëve që të ulin tensionet në veri të Kosovës

    Departamenti amerikan i Shtetit tha se vazhdon t’iu bëjë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës.

    “Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ua kanë bërë të qartë pritjet tona të dyja palëve. Këto diskutime po vazhdojnë”, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i DASH-it në pyetjen se si Uashingtoni e komenton planin pesëpikësh të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për uljen e tensioneve në veri.

    Në pikën e parë të planit të paraqitur nga Kurti të martën është sundimi i ligjit, që sipas kryeministrit kosovar nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve “të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët” në veri të Kosovës.

    Gjatë 13 qershorit, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq- Llune. Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i arrestuari është Millun Millenkoviq- Llune, që ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar si “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë”. Ai, sipas Sveçlës, ka qenë një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të NATO-s në Zveçan më 29 maj.

    “Ata që janë përgjegjës për sulmet e dhunshme duhet të mbahen përgjegjës, pas një procesi të rregullt ligjor dhe me transparencë të plotë”, tha zëdhënësi i DASH-it.

    SHBA-ja dhe BE-ja i kanë paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

    Tensionet në veriun e Kosovës nisën më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.

    Këta kryetarë u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.

    Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët./REL

  • Presidentja Osmani reagon me një foto, pas paralajmërimeve për sanksione ndaj Kosovës

    Presidentja Osmani reagon me një foto, pas paralajmërimeve për sanksione ndaj Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka bërë një reagim të shkurtër, pas zhvillimeve të fundit politike në vend.

    Së fundmi, REL ka raportuar se Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri.

    Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.

    Prandaj, pas këtyre raportimeve, shefja e shtetit ka publikuar një fotografi në rrjete sociale duke shkruar se “Evropa është shtëpia jonë”.

    Rreth tensioneve në veri të Kosovës është deklaruar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke paralajmëruar “pasoja të mëdha” për Kosovën nga shtetet perëndimore.

    Rama tha se i ka kërkuar homologut të tij kosovar, Albin Kurti, që të ndryshohet formati i mbledhjes së dy qeverive, që është paraparë të mbahet në Gjakovë më 14 qershor, por ai nuk ka pranuar.

    “E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”, tha Rama gjatë konferencës së jashtëzakonshme për media.

  • Sveçla: “Llune” ka sulmuar pjesëtarë të forcave ndërkombëtare, përveç KFOR-it

    Sveçla: “Llune” ka sulmuar pjesëtarë të forcave ndërkombëtare, përveç KFOR-it

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se i arrestuari i djeshëm në veri të Kosovës, Milun Milenkovic – Llune, nuk është një figurë e re e sulmeve kriminale.

    Sipas tij, “Llune” kishte sulmuar në të kaluarën edhe pjesëtarë të forcave ndërkombëtare.

    Përmes një postimi në Twitter, i pari i MPB-së kërkoi që kriminelët e tillë të dënohen nga të gjithë.

    “Milun Milenkovic – Llune nuk është i ri në sulmet kriminale. Ai jo vetëm që ka sulmuar pjesëtarë të KFOR-it në Zveçan së fundmi por gjithashtu, sipas autoriteteve gjyqësore dhe të sigurisë, në të kaluarën ai ka sulmuar pjesëtarët e forcave ndërkombëtare”, shkroi Sveçla.

  • Qeveria: Është hera e parë që një mbledhje e dy qeverive anulohet në mënyrë të njëanshme

    Qeveria: Është hera e parë që një mbledhje e dy qeverive anulohet në mënyrë të njëanshme

    Qeveria e Kosovës ka deklaruar se mbledhja e përbashkët me Shqipërinë është anuluar në mënyrë të njëanshme nga kjo e fundit. Për KosovaPress ka folur zëdhënësi Përparim Kryeziu duke theksuar se nesër në Gjakovë do të duhej të nënshkruheshin 13 marrëveshje të reja.

    Një ditë para mbledhjes së dy qeverive, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka deklaruar se nuk mund të mbahet një takim i tillë në kohën kur sipas tij “Kosova po digjet në reputacionin ndërkombëtar”.

    Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ai ka thënë se i ka kërkuar kryeministrit Kurti një tjetër format takimi.

    Ndërsa zëdhënësi i ekzekutivit kosovar ka thënë se takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër.

    “Takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër. Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë.

    Sipas tij, janë qytetarët ata të që do të humbasin më së shumti nga mosnënshkrimi i marrëveshjeve të parapara.

    “Mbledhjet e përbashkëta janë ndërmarrje të mëdha organizative, të cilave u paraprinë një punë e madhe e ministrive për të përgatitur atë ditë. Nesër do të duhej të nënshkruheshin 13 marrëveshje të reja. Ato kishin synim t’i afronin ekonomitë tona, sistemet tona të drejtësisë, arsimit, kulturës, etj. Janë qytetarët ata që do humbasin më së shumti. Për fat të keq, anulimi i mbledhjes nga ana e kryeministrit Rama anuloi mundësinë për t’i nënshkruar ato”, ka thënë Kryeziu.

    Javën e kaluar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe te presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.

    Ai ka deklaruar se pret që një dokument i tillë të çojë dialogun Kosovë-Serbi në një tjetër nivel.

    Lidhur me këtë është deklaruar kryeministri Albin Kurti duke theksuar se “nuk kam dyshim që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, beson që propozimi i tij për draftstatutin është i mirë, dhe duke qenë kështu atëherë unë çka propozojë është që kryeministri Rama këtë draft për pakicat kombëtare të ua propozojë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq më së largu në takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur” për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”.

  • REL: BE përgatit pako sanksionesh ndaj Kosovës

    REL: BE përgatit pako sanksionesh ndaj Kosovës

    Bashkimi Evropian i ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike.

    Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.

    Sanksioni tjetër pritet të përfshijë punën e përbashkët të grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së, e të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).

    Tashmë është suspenduar takimi i një nën-komisioni, atij për tregti, industri, doganë dhe taksa i cili është dashur të mbahej me 8 qershor, por që nuk është zhvilluar. Takimi i radhës, i cili pritet të suspendohet, është ai i datave 21 dhe 22 qershor, i nën-komisionit për drejtësi, liri dhe siguri.

    Do të ketë edhe pasoja financiare për Kosovën. Është planifikuar një pezullim domethënës i financimit nga ana BE-së i disa projekteve për të cilat ka dhënë propozime Kosova në kuadër të Fondit investues për Ballkanin Perëndimor.

    BE, si sanksion ndaj Kosovës, ka paraparë që të ulë edhe nivelin e pranisë publike në zhvillimet dhe ngjarjet e përbashkëta ku marrin pjesë anëtarët e Qeverisë së Kosovës. Kjo masë pritet të përfshijë edhe takimet në kuadër të bashkëpunimit financiar.

    Ndryshe, tensionet në veri janë rritur që nga 26 maji, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.

    Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

    Këta kryetarë u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.

    BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

    Por, Kurti ka paraqitur një plan prej pesë pikash.

    Megjithatë, BE-ja ka thënë se kryeministri kosovar nuk ka ndërmarrë hapat e duhur për uljen e tensioneve në veri.

    Shtetet e Bashkuara po ashtu kanë anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet ushtarake Defender Europe 23, duke e cilësuar këtë si masën e parë ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të mosplotësimit të kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare.

  • AKI-ja në procedura të pranimit të agjentëve të rinj

    AKI-ja në procedura të pranimit të agjentëve të rinj

    Për vite të tëra, Agjencia Kosovare e Inteligjencës nuk ka pranuar agjentë të rinj, ndonëse konkurse të hapura kishte pasur shumë herë.

    Megjithatë, AKI-ja së fundmi ka hapur dyert përsëri, për ata që duan të jenë pjesë e institucionit më të lartë të sigurisë në vend. Por kësaj here, Komisioni që mbikëqyrë punën e AKI-së thotë se po kujdesen që gjithçka të shkojë sipas ligjit, dhe të pranohen pjesëtarët e rinj.

    “AKI-ja në këtë rast si shpallës i konkursit është duke i kryer të gjitha procedurat në bazë të rregullave dhe ligjit, pra deri më tani mbarëvajtja e konkursit ka shkuar mirë. Kemi pasur më herët konkurse të cilat kanë dështuar, me vite të tëra kanë qenë konkurse të hapura të cilat, d.t.th ata persona që kanë konkurruar, nuk kanë marrë asnjë përgjigje nëse konkurset janë anuluar apo janë ende të hapur”, tha kryetarja e komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu.

    Rritja e numrit të agjentëve, sipas njohësve të çështjeve të sigurisë, është në të mirë edhe të performancës, pasi kështu garantohet siguria e vendit.

    “Mendoj se shtimi i personelit, modifikimi i personelit në konturat e caktuara i ndihmojnë strukturës së sigurisë së Kosovës, respektivisht AKI-së, që të jetë në treg me kohën, për të parandaluar, për të reaguar në kohën më optimale dhe për të garantuar sigurinë nacionale të Republikës së Kosovës”, tha Drizan Shala, ekspert i çështjeve të sigurisë.

    Megjithatë, Shala vlerëson se rritja e kapaciteteve vjen edhe për shkak të rrezikut që i kanoset Kosovës, bazuar në strategjinë nacionale të sigurisë.

    “Sa i përket konkursit të fundit për të pranuar pjesëtarë të rinj, në kuadër të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, kjo kryesisht ndërlidhet me aspektin e rrezikut me të cilin do të kanoset Kosova, sipas Strategjisë nacionale të sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës, dhe sipas kërkesave të cilat vijnë vetvetiu nga përmbyllja e arkitekturës së sigurisë së Kosovës”, tha Shala.

    Pa treguar se sa vende janë të lira në konkursin e AKI-së, Komisioni mbikëqyrës thotë se interesimi për të qenë pjesë e këtij institucioni është mjaft i lartë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti me propozim pesëpikësh për tejkalimin e krizës, kërkon takim me Vuçiqin

    Kurti me propozim pesëpikësh për tejkalimin e krizës, kërkon takim me Vuçiqin

    Pak orë para se Policia të sulmohet gjatë arrestimit të Milun Milenkovicit, i dyshuar për organizim të trazirave në Zveçan, kryeministri Albin Kurti u ka prezantuar ambasadorëve të QUINT-it propozimin e tij për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

    Planin e tij pesëpikësh, kryeministri Kurti tha se e ka ndarë paraprakisht me kryediplomatin evropian, Josep Borell, teksa i ka dërguar letër.

    “Si pikë e parë në letrën time dërguar Josep Borrelit, është sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët. Si pikë e dytë: Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe të ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës. Bazuar në parimin e proporcionalitetit, prania e forcave të Policisë së Kosovës në tri ndërtesat komunale në veri të Kosovës do të zvogëlohet, në përputhje me rrethanat”, tha Kurti.

    Si veprim i tretë, sipas kryeqeveritarit, parashihet që Policia e Kosovës së bashku me pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i, të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë.

    “Katër, Qeveria e Kosovës do të koordinohet me të gjithë akterët dhe do t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri. Zgjedhjet e reja duhet të organizohen në një atmosferë zgjedhore të lirë, demokratike dhe të papenguar. Pesë: Kosova dhe Serbia të kthehen menjëherë në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli. BE-ja të sigurojë një plan renditjeje të drejtë dhe të balancuar për zbatimin e Marrëveshjes Bazë (27 shkurt) dhe Aneksit të Zbatimit të saj (18 mars). Udhëheqësit e dy shteteve të takohen në një dialog të nivelit të lartë në Bruksel, gjatë kësaj jave”, tha Kurti.

    Mes tjerash, kryeministri Albin Kurti theksoi se kryetarëve shqiptarë të komunave veriore nuk mund t’ua kërkojë dorëheqjen, pasi që do të ishte kundërkushtetuese, duke e quajtur ide të mirë atë të presidentes Vjosa Osmani për një peticion.

    Në lidhje me propozimin e tij për uljen e tensioneve, kryeministri kosovar po pret përgjigje nga Brukseli.

    Ndërkaq, gjatë ditës zyrtarë nga Bashkimi Evropian nuk janë përgjigjur në pyetjet e televizionit lidhur me propozimet e Kurtit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Eksperti i sigurisë tregon se si arrijnë të mblidhen për dy minuta grupet serbe në veri të Kosovës

    Eksperti i sigurisë tregon se si arrijnë të mblidhen për dy minuta grupet serbe në veri të Kosovës

    Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollakaj, në një intervistë në emisionin DIREKT në ATV, tregoi se si mund të mblidhen për dy minuta grupet serbe në veri të Kosovës.

    Ai tha se këto grupe janë të trajnuara që njerëzit në masë t’i koordinojnë në pikat e caktuara.

    Këto grupe, sipas Çollakajt janë gjithnjë në koordinim me politikën zyrtare të Beogradit dhe me çastet kriminale.

    “Sa i përket reagimit atë shpejt dhe koordinimit atë shpejtë, ne qytetarët e Kosovës, edhe unë dhe të tjerët që merremi me këtë fushë, pak më me seriozitet në kuptim personal, e dimë edhe që nga roja e të urës, nëse kthehemi diku në 10-15 vjet mbrapa, për një minutë dy minuta mblidheshin dhjetëra dhe qindra njerëz te ura, te ashtuquajtur rojat e urës, më pastaj ato u konvertuan, modifikohen në organizma të tjerë si mbrojtje territoriale, qendra trajnuese të ndryshme e kështu me radhë. Pra bëhet fjala njëherë për një organizim me të vërtetë shumë efikas, destruktiv gjithnjë, të cilët brenda pak minutave, s’po them sekondave, dinë të organizohen aq mirë. Kjo tregon se ata janë të përgatitur, të ushtruar, të trajnuar, njerëzit që i koordinojnë atë masë të njerëzve atje dhe i kanë edhe pikat paraprakisht e të caktuara se ku do të mblidhen, si do të veprojnë, si të operojnë, çfarë masa do të ndërmarrin, çfarë barrikada do të vejnë, gjithnjë në koordinimin me politikën zyrtare të
    Beogradit dhe me çastet kriminale, të cilat paralelisht me këto politike, koordinojnë, veprojnë dhe janë mekanizëm operativ”, tha Çollakaj.

    Sipas tij, krahas dhunës sistematike, sulmin ndaj gazetarëve, këto grupe e kanë si mekanizëm mbështetës.

    “Sa i përket asaj se pse sulmi ndaj gazetarëve, sidomos tani këto këtë fazën e fundit që janë më në shënjestër gazetarët, kjo lexohet ose kuptohet asnjësoj që dhuna sistematike serbe e udhëhequr nga politika serbe, terrin informative ka mekanizmin mbështetës. Prandaj, ata dëshirojnë që të planifikojnë të realizojnë objektivet e veta dhe të mos kuptohet fare. Në anën tjetër, në politikë, në tavolinën e bisedimeve paraqiten edhe si kontribues për paqe, një anakronizëm, një paradoks i skajshëm, po ja që është karakteristikë e këtij mentaliteti institucional të Serbisë dhe mentalitetit edhe popullor, që ata mund të bëjnë prapaskenë gjithçka çka ka mundësi me bo dhe në fund paraqiten si dashamirë, si pro paqes, pro dialogut dhe gjithnjë fajin që tu ua hedhë Qeverisë së Kosovës dhe Republikës së Kosovës, se na nuk jemi pro paqes e ata janë pro paqe ,a për dy-tre minuta dinë me bo rrëmujë”, theksoi Çollakaj. /atvlive.tv

  • ​Osmani në Strasburg theksoi domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në KiE

    ​Osmani në Strasburg theksoi domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në KiE

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Strasburg ka takuar sekretaren e përgjithshme të Këshillit të Evropës, Marija Pejčinović Burić. Në këtë takim, Osmani ka theksuar përkushtimin e Kosovës për demokraci, sundim të ligjit dhe të drejta të njeriut.

    Osmani ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte hap i rëndësishëm për fuqizimin e të drejtave të njeriut përmes mekanizmave që i ofron Këshilli.

    “Osmani theksoi rolin e rëndësishëm që luan kjo organizatë në garantimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, ndërsa shprehu domosdoshmërinë për anëtarësimin e Kosovës, duke nënvizuar progresin që ka shënuar Kosova në garantimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, duke përfshirë kornizën kushtetuese dhe ligjore, e cila është shumë e avancuar dhe plotësisht e harmonizuar me konventa ndërkombëtare”, ka bërë të ditur Presidenca e Kosovës.

    Osmani ka shfaqur besim që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të vlerësohet pozitivisht nga deputetët e shteteve anëtare në Asamblenë Parlamentare, si dhe ka shprehur përkushtimin e plotë që të vazhdohet puna e përbashkët me shtete mike për ta avancuar tutje këtë proces.