ATV

Tag: Ballina

  • Sulmet ndaj gazetarëve, Ambasadori Rohde: Pse s’po shoh reagim nga Lista Srpska

    Sulmet ndaj gazetarëve, Ambasadori Rohde: Pse s’po shoh reagim nga Lista Srpska

    Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka reaguar pas sulmeve brutale të djeshme ndaj gazetarëve nga bandat në Leposaviq.

    Ai tha se këto pamje që erdhën nga atje ishin tronditëse, duke pyetur se ku duhet të përfundojë kjo.

    Rohde ka kritikuar për mosreagim nga Lista Srpska për dhunën ndaj gazetarëve, për të cilën tha se duhet ta bëjë pjesën e saj për t’i ulur tensionet.

    “Brutaliteti i kësaj skene është tronditës. Ku duhet të përfundojë kjo? Shumë e kanë dënuar këtë akt të papranueshëm dhune, por fatkeqësisht deri më tani nuk shoh asnjë reagim nga përfaqësuesit e Listës Srpska mes tyre. Pse? Të gjithë duhet të bëjnë pjesën e tyre për të de-përshkallëzuar situatën”. Ka shkruar ai, derisa ka shpërndarë edhe një video që shfaqte sulmet ndaj gazetarëve.

  • Kurti: Përplot krenari që kombi ynë ka veprat e Ukshin Hotit

    Kurti: Përplot krenari që kombi ynë ka veprat e Ukshin Hotit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë sot homazhe pranë bustit të atdhetarit dhe ka vizituar shtëpinë muze të Ukshin Hotit, në shënimin e 80- vjetorit të lindjes së tij.

    Kryeministri ka thënë Krusha e Madhe ka qenë dhe është e tillë pikërisht për shkak të kontributit të veprimtarit Ukshin Hoti.

    “Sot, baca Ukë, profesor Ukshin Hoti mbush 80 vjeç. Fakti që mosha 80 vjeçare tregon se do të mund ta kishim ende në mesin tonë, na mbush edhe me pikëllim edhe me trishtim. Por, në anën tjetër jemi përplot krenari dhe nder që kombi ynë, që vendi ynë ka veprat e tij, të një njeriu, i cili veprën e bëri jetë edhe jetën e bëri vepër”, është shprehur ai.

    Duke shprehur lavdi për Ukshin Hotin dhe të gjithë dëshmorët e martirët e kombit tonë, ai, siç është bërë e ditur në komunikatë, ka thënë se duhet të rilexohen, ndiqen, dhe të bëhen praktikë mësimet e tij, në mënyrë që mungesa e tij fizike, të mos jetë asnjëherë mungesë shpirtërore.

    Në shtëpinë muze të Prof. Ukshin Hotit, kryeministri Kurti ka qenë nën shoqërinë edhe të veprimtarëve të tjerë, të cilët e kanë njohur personalisht Hotin.

    Më 16 maj të vitit 1999 në rrethana ende të pandriçuara është zhdukur Ukshin Hoti. Ukshin Hoti ka qenë edhe ligjërues në disa universitete të Amerikës ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar.

    Për aktivitetin e tij atdhetar është arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Milosheviqit.

    Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundër Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’ rast ishte dënuar 5 vjet burg.

    Më 16 maj të vitit 1999 pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë.

    Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.

    Prej asaj kohe e deri tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, magjistri, filozofi, shkrimtari, publicisti, atdhetari i përkushtuar, Ukshin Hoti edhe sot e kësaj dite konsiderohet ende i zhdukur.

  • Escobar: Veprimet e kryetarëve në Veri do t’i konsideronim legjitime edhe nëse do të punonin nga Hëna

    Escobar: Veprimet e kryetarëve në Veri do t’i konsideronim legjitime edhe nëse do të punonin nga Hëna

    Emisari amerikan Gabriel Escobar ka insistuar që kryetarët e zgjedhur të komunave veriore të punojnë nëpër objekte alternative për të shmangur protestat e tensionet.

    Ai tha se kjo ishte kërkesa e vetme e SHBA-së, duke theksuar se legjitimiteti i vendimeve të kryetarëve do të njihej edhe nëse ata do të punonin nga Hëna.

    “Legjitimiteti i kryetarëve të komunave nuk do të vihej në dyshim nëse ata do të kishin punuar nga një vend alternativ. Ata mund të kishin punuar nga Hëna dhe ne do t’i konsideronim veprimet e tyre të ligjshme. Në vend të kësaj, ata insistuan të futeshin në zyra me forcë dhe ajo që ndodhi ishte e parashikueshme dhe e parandalueshme”.

    Emisari amerikan përsëriti se do të ketë pasoja në marrëdhënie nëse Qeveria e Kosovës këmbëngul në këtë.

    “Pra, sa herë që ata mendojnë t’i përdorin ato ndërtesa si simbol të kundërshtimit të tyre ndaj planit europian dhe amerikan, kjo dëmton marrëdhëniet midis grupeve etnike dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe komunitetit euroatlantik. Pra, kjo ishte kërkesa jonë e vetme nga Kosova dhe për cilëndo arsye ata vazhdojnë ta refuzojnë. Por, ne do të vazhdojmë të insistojmë në të. Dhe nëse doni të flisni për pasojat, do të thosha se do të ketë pasoja nëse vazhdojnë të shpërfillin këshillat tona për këtë çështje”.

    Escobar mori disa shembuj nga vendi i tij kur në SHBA zyrtarët janë detyruar t’i lëshojnë ndërtesat zyrtare për të punuar nga objekte alternative për arsye të ndryshme.

    “Unë kam qenë me qeverinë federale që kur isha 19 vjeç dhe kam parë qeverinë e SHBA-së të braktisë ndërtesat për zjarre, përmbytje, uragane, COVID dhe madje edhe protesta. Sepse ne ndjemë se nuk ka nevojë të përshkallëzojmë dhe të krijojmë tensione më të larta”, tha ai.

  • Begaj takon homologët e rajonit: Mos të lejohen provokime që destabilizojnë Kosovën

    Begaj takon homologët e rajonit: Mos të lejohen provokime që destabilizojnë Kosovën

    Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi së fundmi një seri takimesh me krerët e shteteve të rajonit, në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin e Prespës për Dialog.

    Begaj u takua me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovskin, presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, si dhe me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq.

    Në qendër të bisedave ishin zhvillimet në veriun të Kosovës, me ç’rast, presidenti i Shqipërisë, siç u bë e ditur, nënvizoi nevojën që vendet e rajonit anëtare në NATO, duhet të flasin me një zë për mos lejimin që provokime të ndryshme ta destabilizojnë Kosovën dhe të gjithë rajonin.

    Gjatë takimeve, Begaj me presidentët ndau vizionin e përbashkët të mbështetur në respektin e ndërsjellë, dialog, bashkëpunim dhe gjithëpërfshirje, që janë tejet të rëndësishme për të forcuar paqen dhe prosperitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Pjesë e diskutimeve me presidentët ishin dhe efektet që ka prodhuar lufta në Ukrainë për rajonin në tërësi, si dhe çështje me interes dypalësh.

  • Si asnjëherë më parë liqeni i Badocit arrin nivelin maksimal me ujë

    Si asnjëherë më parë liqeni i Badocit arrin nivelin maksimal me ujë

    Këto ditë të reshurat e shiut kanë bërë që në disa zonë të Kosovës të ketë vërshime të mëdha, por të reshurat e shiut kanë edhe anën pozitive, pasi në liqenin e Badocit është arritur niveli maksimal kapërderdhës.

    Në disa postime në rrjetin social në Facebook të Ujësjellësir Rajonal “Prishtina” është bërë e ditur se nga të reshurat e shiut është arritur niveli maksimal i ujit në liqenin e Badovcit.

    “Lajm fantastik, liqeni i Badocit pas një periudhe të gjatë, arriti nivelin maksimal kapërderdhës”, thuhet në postimin Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.

    Ndryshe, një nga komunat e cila është përballë me situatë të rënduar pas të reshurave të shumta është Vushtrria.

    Si rrjedhojë e situatës së krijuar  të enjten dhe të premten nuk është mbajtur procesi mësimor në këtë komunë.

  • Nëntë gazetarë e kameramanë u sulmuan dje në Leposaviq, Policia jep detaje

    Nëntë gazetarë e kameramanë u sulmuan dje në Leposaviq, Policia jep detaje

    Policia e Kosovës ka njoftuar se dje në Leposaviq u sulmuan nëntë gazetarë e kameramanë. Ata janë sulmuar nga një grup i protestuesve derisa ishin duke kryer detyrën gjatë vizitës së Ministrit Elbert Krasniqi në Komunën e Leposaviqit.

    Sipas Policisë, viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor në stacionin policor në Leposaviq.

    “Njëri nga viktimat dyshohet të ketë lëndime të rënda (frakturë në dorë) është udhëzuar për trajtim të mëtutjeshëm”, ka njoftuar Policia.

    Përveç sulmit, të dyshuarit kanë marrë edhe një telefon celular nga një gazetare dhe një kamerë të RTK’së.

    Rasti është cilësuar si “LËNDIM I RËNDË TRUPOR /ASGJËSIM APO DËMTIM I PASURISË /SULM NDAJ PERSONIT ZYRTAR”.

    “Rruga APJ, Leposaviç 16.06.2023 – 14:24. Nëntë persona (pesë meshkuj dhe katër femra) gazetarë e kameraman janë sulmuar fizikisht nga një grup i protestuesve derisa ishin duke kryer detyrën gjatë vizitës së një ministri të qeverisë në komunën e Leposaviçit. Viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit kanë pranuar trajtim nga ekipi mjekësor në stacionin policor në Leposaviç. Njëri nga viktimat dyshohet të ketë lëndime të rënda (frakturë në dorë) dhe i njëjti është udhëzuar për trajtim të mëtutjeshëm. Përveç sulmit të dyshuarit kanë marrë nga një gazetare një telefon celular dhe një kamerë të RTK-së. Rasti është iniciuar në konsultim me prokurorin dhe mbetet në hetime të mëtutjeshme”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka njoftuar se ekipet e gazetarëve nga Prishtina “kanë qenë cak i një sulmit brutal” nga protestuesit në Leposaviq, derisa ata po kryenin punën e tyre.

    Sipas AGK-së, kameramani i shërbyesit publik, Radio Televizionit të Kosovës, Bardh Bekteshi është sulmuar fizikisht dhe ka marrë lëndime të rënda në kokë e trup.

    “Përveç sulmit fizik, Bekteshit i është thyer edhe kamera e xhirimit”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

    Ky asociacion ka publikuar dhe një video ku shihet sulmi ndaj gazetarëve në Leposaviq.

    Sipas një deklarate për AGK-në, gazetarja Venera Xhoxhaj, ka treguar se protestuesit i kanë gjuajtur me gurë ekipet e mediave, Tëvë1, RTV Dukagjini, RTK, Klan Kosova dhe KTV.

    “Na kanë gjuajtur me gurë, disa kolegë derisa kanë qenë duke u larguar, janë rrëzuar, dhe kameramanit tonë, Bardh Bekteshi, e kanë shtyrë duke e rrëzuar pastaj edhe sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe trup””, ka thënë Xhoxhaj për AGK-në.

    “Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i bënë thirrje urgjente Policisë së Kosovës, dhe prezencës ndërkombëtare në këtë komunë, që t’u ofrojnë siguri gazetarëve dhe kameramanëve të cilët janë duke qëndruar në atë komunë”, thuhet në reagimin e AGK-së, e cila e ka dënuar ashpër sulmin.

    AGK-ja ka njoftuar se lëndime trupore ka marrë edhe Albin Rrahmani, kameraman i Tëvë1.

    “Në mesin e gazetarëve të lënduar është edhe kameramani Albin Rrahmani, i cili ka pësuar lëndime në këmbë. Aktualisht, ekipi është duke dhënë deklaratë në Policinë e Kosovës”, ka thënë AGK -ja.

    Ky asociacion ka njoftuar se në mesin e të lënduarve është edhe gazetari i Arbresh.info, Pleurat Salihu, të cilit sulmuesit ia kanë thyer krahun. Ndërkaq, gazetarja e RTV Dukagjinit, Dorentina Thaqi, është sulmuar me gurë në kokë.

    Gazetarët e lënduar, sipas AGK-së, kanë marrë ndihmën e parë mjekësore sapo kanë arritur të dalin nga, siç e kanë quajtur “zona e rrezikut”.

    Në njoftimin e saj, AGK-ja gjithashtu ka theksuar se sulmi ndaj gazetarëve në Leposaviq, ka ndodhur , në prani të trupave të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    “…të njëjtit nuk kanë reaguar, por i kanë penguar gazetarët të ikin”, ka thënë AGK-ja, duke shtuar se kërkon nga KFOR-i që të mos i pengojnë gazetarët gjatë raportimit, “meqë siguri nuk po ju ofrojnë”.

    AGK-ka ka thënë se për të gjitha sulmet ndaj gazetarëve, të cilat kanë ndodhur gjatë raportimeve të tyre nga veriu i vendit, do t’i informohen organizatat ndërkombëtare që merren me sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias.

  • Hedhje e fishekzjarrëve dhe brohoritje “Kosova është Serbi”, arsyeja e dëbimit të tifozëve të Rumanisë nga stadiumi

    Hedhje e fishekzjarrëve dhe brohoritje “Kosova është Serbi”, arsyeja e dëbimit të tifozëve të Rumanisë nga stadiumi

    Tifozët e Rumanisë janë dëbuar nga fusha e “Fadil Vokrrit” para përfundimit, ndërsa janë zbuluar edhe arsyet e dëbimit.

    Përfaqësuesja e Kosovës barazoi 0-0 me Rumaninë në ndeshjen e zhvilluar në “Fadil Vokrri”, në kuadër të Grupit I të “Euro 2024”.

    Një grup prej rreth 50 tifozësh kishin udhëtuar nga Rumania drejt Prishtinës për këtë ndeshje, por ata u dëbuan nga tribuna para mbylljes së takimit.

    Sipas mediumit rumun Gsp.ro, tifozët ultras në numër prej 15-20 sosh nga grupi “Uniti Sub Tricolor” kanë brohoritur thirrje të ndaluara si “Kosova është Serbi”.

    Tifozët që njihen si ultranacionalist u përplasen fizikisht edhe sigurimin e stadiumit “Fadil Vokrri”, ndërsa kishin futur në stadium edhe mjete piroteknike.

    Sipas Gsp.ro, këto dyja ishin shkak edhe që tifozët u dëbuan nga stadiumi.

    Pas incidenteve, Federata e Futbollit e Rumanisë tani rrezikon të përballet me dënime nga UEFA, pasi njihen si recidivistë.

    Mediumi rumun shton se slogani nuk i pëlqen FIFA-s, ndaj rreziku që fusha të pezullohet për ndeshjet e ardhshme është mjaft i lartë.

    Ndeshja e radhës e tyre në shtëpi është planifikuar për 9 shtator, kundër Izraelit, në Arenën Kombëtare.

    Gjithashtu vlen të theksohet edhe shteti i Rumanisë nuk e njeh pavarësinë e shtetit të Kosovës.

  • Zhbllokimi i mjeteve vetanake të komunave, kryetarët tregojnë se ku do të investohen

    Zhbllokimi i mjeteve vetanake të komunave, kryetarët tregojnë se ku do të investohen

    Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj dhe ai i Lipjanit, Imri Ahmeti, i janë gëzuar miratimit të Projektligjit për plotësimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2023, që do të mundësojë zhbllokimin e mjeteve vetanake të komunave.

    Me projektbuxhetin i vitit 2023, të propozuar nga Qeveria Kurti, parashihej që mjetet vetanake të kalonin në arkën e shtetit.

    Muharremaj e Ahmeti e quajnë të padrejtë bllokimin e këtyre mjeteve, pasi konsiderojnë se të hyrat vetanake u takojnë ekskluzivisht komunave.

    Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, thotë për Ekonomia Online se të bllokuara kanë qenë 380 mijë euro dhe se ato mjete kanë qenë të destinuara për investime kapitale.

    “Më vjen mirë që Qeveria e ka marrë një vendim të mirë. Ato mjete u takojnë komunave. Vlera në Suharekë që kanë qenë të bllokuara është 380 mijë euro, janë projekte që janë të destinuara për investime kapitale, por më në fund besoj se është bërë një gjest i mirë, për arsye se Qeveria duhet të na kuptojë se komuna nuk i ka opozitë, ne jemi kryetarë komunash dhe çdo kryetarë mendon me dërgu komunën e tij përpara, me pas zhvillim ekonomik e mirëqenie sociale të mirë”, thotë Muharremaj.

    Ndonëse vitin e kaluar nuk ka pasur bartje buxhetore për shkak të shfrytëzimit të buxhetit në tërësi, Muharremaj thotë se mjetet e bllokuara kanë qenë të vitit 2021.

    “Ato projekte janë të planifikuar, të hyrat janë nga prej vitit 2021 se ne të vitit 2022 nuk kemi pas bartje dhe kështu që janë të planifikuar në projekte afatgjate, mirëpo tani do ta kemi të lehtë se në momentin që kalon Ligji në lexim të dytë, atëherë ne i planifikojmë dhe i dërgojmë në Asamble Komunale dhe vazhdon kështu”, u shpreh ai.

    Muharremaj ka folur edhe për projektet që kanë prioritet këtë vit. Ai përmend ndërtimin e shtëpisë së kulturës e “unazën e djathtë”.

    “Është shtëpia e kulturës me rëndësi, ‘unaza e djathtë’ shumë me rëndësi, rruga që e zhvillon turizmin e që e lidh komunën tonë me Shtërpcën edhe kemi afër 5 milionë euro investime në zhvillimin e turizmit në Komunën e Suharekës, që pretendojmë ta kemi një shteg të ecjes prej Ferizajt… kjo do të bëhet çdo herë për zhvillimin e turizmit dhe kemi nevojë që diaspora të investojë në Suharekë. Presim të fillojmë me një zonë të re industruiale, ku kemi përfunduar zonën që është me standarde evropiane por pretendojmë të fillojmë edhe me një zonë të re”, thotë Muharremaj.

    Zhbllokimi i këtyre mjete, është mirëpritur edhe nga kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti. Ai thotë se mjetet e bllokuara kanë qenë të planifikuara për investime kapitale.

    “Pa dyshim se është i vështirë. Tani destinimi i tyre ka ndodh me vendim të Kuvendit, janë investime kapitale, në fakt ende të gjitha komunat në procedura sepse akoma nuk janë të alokuara këto mjete, pritet të alokohen dhe të shohim deri në fund se si po shkon ky proces”, u shpreh Ahmeti, teksa e quan të padrejtë bllokimin e tyre.

    Ai thotë se të hyrat vetanake janë burim i vetëm për investime kapitale.

    “Pa dyshim që mund të ketë impakt reagimi i komunave por në fakt ka qenë i padrejtë që të hyrat vetanake të një komune të merren dhe të ridestinohen për një komunë krejt tjetër, sepse komunat në planifikimet e tyre buxhetore, investimet kapitale i kanë kryesisht prej të hyrave të veta vetanake dhe prej grantit që vijnë nga Qeveria, prandaj mendoj se është mirë që më në fund të jemi dakorduar që të hyrat vetanake”.

  • Gjakovë, vazhdojnë kërkimet për gruan që dyshohet se ka rënë nga ura e Fshajt

    Gjakovë, vazhdojnë kërkimet për gruan që dyshohet se ka rënë nga ura e Fshajt

    Në Gjakovë janë duke vazhduar kërkimet për gruan që ditën e premte është hedhur nga ura e Fshajt.

    Policia bën të ditur se gruaja ka rënë nga ura e Fshajt rreth orës 10:03.

    “Fshati Fshaj, Gjakovë 16.06.2023 – 10:03. Dëshmitari mashkull kosovar, ka njoftuar se një femër është hedhur nga Ura e Fshajt në lumë, trupin e viktimës e ka rrëmbyer uji dhe akoma nuk është gjetur”, bën të ditur Policia.

    Lidhur me rastin janë njoftuar të gjitha njësitë relevante policore, zjarrfikësit, njësiti për kërkim-shpëtim dhe prokurori.

    Në njoftimin e bërë për media thuhet se rasti është duke u hetuar.

  • Ballkani Perëndimor rruga e dytë më aktive për kalimin e refugjatëve në Europë

    Ballkani Perëndimor rruga e dytë më aktive për kalimin e refugjatëve në Europë

    Gjatë periudhës janar-maj, linja e Ballkanit Perëndimor, mbetet rruga e dytë më aktive për kalimin e migrantëve të parregullt në Europë.

    Sipas Raportit të Agjencisë Evropiane të Ruajtjes së Kufijve, Frontex, publikuar të premten mbi 30700 migrantë janë evidentuar në vendet e Ballkanit Perëndimo, përfshirë Shqipërinë, në synimin për të kaluar drejt kufijve europianë.

    Sipas Frontex-it të dhënat flasin për një rënie me 25% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

    Këtë vit, Mesdheu Qendror mbetet rruga më aktive e migrantëve të parregullt ku janë evidentuar më shumë se 50300 raste nga janari në maj. Kjo rrugë përbënte gati gjysmën e hyrjeve të parregullta në Bashkimin Evropian në vitin 2023.

    Mbërritjet e migrantëve të parregullt në rrugën e Mesdheut Qendror çuan një rritje prej 12% të të gjitha hyrjeve në Bashkimin Evropian , pasi mbërritjet në të gjitha rrugët e tjera migratore shënuan rënie që varionte nga 6% në Mesdheun Perëndimor deri në 47% në rrugën e Afrikës Perëndimore.

    “Rënia në këto rrugë kalimi të migrantëve të parregullt lidhej kryesisht me periudha të gjata kushtesh të këqija atmosferike, gjë që i bënte edhe më të rrezikshme udhëtimet me varkat e palundrueshme. Megjithatë, presioni migrator në rajon mbetet i lartë dhe mund të presim një rritje të aktivitetit të kontrabandistëve në rajon në muajt në vijim “, vlerëson raporti.

    Frontex-i tha se më shumë se 2700 oficerë të trupave këmbësore dhe staf janë të përfshirë në operacione të ndryshme që mbështesin shtetet anëtare dhe vendet fqinje në mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian dhe luftimin e krimit.

    Siaps Frontex-it në pesë muajt e parë të vitit, numri i kalimeve të parregullta në kufijtë e jashtëm të BE-së arriti në 102,000, 12% më shumë se një vit më parë, sipas përllogaritjeve paraprake.

    Mesdheu Qendror mbetet rruga kryesore e migrimit në Bashkimin Evropian ku në pesë muajt e parë të ketij viti, numri i evidentimeve është më shumë se dyfishuar (160%) krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 dhe është numri më i lartë i migrantëve të parregullt të regjistruar që nga viti 2017.

    Të paktën 79 persona humbën jetën dhe më shumë se 104 u shpëtuan pasi një anije e mbushur me emigrantë, u fundos në brigjet e Greqisë jugore.

    Qeveria greke tha se ngjarja përbënte një nga tragjeditë më të rënda me emigrantë në Greqi dhe shpalli tre ditë zie.

    Anija u fundos rreth 80 km në jug-perëndim të Pylos, ndërkohë që sipas rojës bregdetare greke ekuipazhi i anijes së tejmbushur me emigrantë kishte refuzuar ndihmën./VOA