ATV

Tag: Ballina

  • Kryetarët e PDK-së në komunat në veri s’e mendojnë dorëheqjen

    Kryetarët e PDK-së në komunat në veri s’e mendojnë dorëheqjen

    Në objekte të komunave si kryetarë hynë vetëm një herë, madje me ndihmën e policisë.

    Mirëpo, dy nga katër kryetarët shqiptarë, punën e tyre e vazhduan në zyra alternative, për shkak të tensioneve në Veri.

    Ndërkohë, sa do ta ushtrojnë këtë mandat ende nuk dihet pasi që për shtensionimin e situatës, Bashkimi Evropian ka propozuar që në katër komunat në veri të përsëriten zgjedhjet.

    Mbajtja e zgjedhjeve të reja për kryetarët nga radhët e PDK-së, është e mirëpritur.

    Duke thënë se nuk do të japë dorëheqje, Zeqiri thotë se nuk do të kandidojë përsëri në rast se mbahen zgjedhjet.

    Një qëndrim për këtë çështje nuk pranoi ta japë kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, duke thënë se do të deklarohet javën e ardhshme.

    Ndërkohë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk mund të flasë për ndonjë zgjidhje në emër të kryetarëve që i takojnë PDK-së.

    Mirëpo, sa i përket organizimit të zgjedhjeve të reja në katër komunat në Veri, PDK-ja kërkon që të respektohen ligjet e Kushtetuta. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Rama: Kurti e Vuçiq të dalin nga kjo lojë ‘Tomy & Jerry’

    Rama: Kurti e Vuçiq të dalin nga kjo lojë ‘Tomy & Jerry’

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e sotme për media, tha se nga përplasjet mes Ksoovës dhe Serbisë, nuk fiton askush pos Rusisë, raporton ATV.

    Ai tha se kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq duhet të dalin nga kjo lojë politike, të cilën e quan “Tomy and Jerry”, dhe duhet të evitohet skenari i përkeqësimit të pozicionit të Kosovës, por edhe skenari i izolimit të Serbisë.

    “Interesi ynë kombëtar, interesi i Shqipërisë si shtet kërcënohet nga kjo situatë dhe ky rajon nuk është as i Albinit as i Aleksandërit, ky rajon është i popujve, i shteteve që popullojnë dhe që administrojnë. Më falni, por për ta thënë deri në fund kjo situatë i shkon përshtat vetëm një fuqie, që është Rusia. Nuk i shkon përshtat asnjë tjetri. Nga këto përplasje dhe nga kjo ë paaftësi për tu ulur me durim dhe për të çuar përpara një proces që është shumë i vështirë, por që është e vetmja rrugë e mundshme, nuk fiton as Evropa në kuptimin Evropa mes nesh, jo Evropa e madhe, por as ajo nuk fiton, fiton vetëm Rusia. Ndërkohë ka një marrëveshje bazë e cila u dakordësua dhe të dyja vendet sillen sikur ajo marrëveshje nuk ka ndodhur. Duhet të dalim patjetër nga kjo lojë politike “Tomy and Jerry”, duhet të evitojmë po ashtu dhe skenarin e përkeqësimit të pozicionit të Kosovës, por edhe skenarin e izolimit të Serbisë”, tha Rama.

    Ai përmendi se pa lirimin e tre policëve kosovarë nuk ka asnjë mundësi që të ketë përparim në dialog dhe de-eskalimin të situatës mes dy vendeve.

    “Dje, nuk ishte se si të ndodhte ndryshe për sa kohë tre efektivët e policisë së Kosovës vazhdojnë mbahen në burg në Serbi. Nuk ka asnjë mundësi që të ketë përparim në dialog apo de-eskalim konkret pa kthimin e tyre në shtëpi. Madje, nuk mund të ketë normalitet as të marrëdhëniet mes Shqipërisë e Serbisë për sa kohë Serbia nuk i jep fund heqjes së lirisë të tre policëve, të cilët nuk kanë kryer asnjë krim. Edhe nëse e kanë kaluar vijën e kufirit sikur ta marrim të mirëqenë këtë pretendim, dihet botërisht se në çdo legjislacion demokratik për kalim të paligjshëm të kufirit njerëzit arrestohen pyeten dhe kthehen mbrapsht, me masën e ndalimit të hyrjes në atë vend për një kohë të caktuar. Mbajtja e tyre me ditë të tëra në burg është e pa justifikueshme dhe është e papranueshme”, u shpreh Rama.

    Ai tregoi se u ka nisur një letër të dytë presidentit Macron dhe kancelarit Scholz për një shtyesë të re për zbatimin e planit franko-gjerman.

    “I kam nisur një letër të dytë pas asaj të draft-statutit presidentin Macron dhe kancelarit Scholz për dijeni edhe presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel lidhur me domosdoshmërinë e një shtyese të re konkrete të Francës dhe të Gjermanisë si kumbarët e planit franko-gjerman, natyrisht me mbështetjen e Shtetet e Bashkuara që plani franko-gjerman të zbatohet me doemos. Në kushtet kur degradimi i situatës në veri si rezultat i përplasjes së vazhdueshme të politikave të brendshme të dy udhëheqësve, të Kosovës dhe të Serbisë po e rrit me orë klimën e tensionit”, tha Rama. /atvlive.tv

  • Diplomatët presin shtensionim pas takimeve në Bruksel

    Diplomatët presin shtensionim pas takimeve në Bruksel

    Një ditë pas takimit të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, me bartësit e dialogut nga Kosova dhe Serbia, diplomatët në Bruksel shpresojnë që këto takime të arrijnë uljen e tensioneve dhe që palët të kthehen në procesin e normalizimit të raporteve.

    Disa diplomatë nga vende të ndryshme anëtare të Bashkimit Evropian, me të cilët ka kontaktuar Radio Evropa e Lirë, u shprehën se mbështesin kërkesat që Borrell u ka parashtruar të enjten kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Takimi i 22 qershorit në Bruksel ishte takim urgjent për menaxhimin e krizave, pas rritjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Kërkesat që Borrell u ka parashtruar liderëve kanë të bëjnë me tërheqjen e menjëhershme të njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat e komunave në veri, paralelisht me tërheqjen e protestuesve serbë. Kërkesa tjetër ka të bëjë me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës dhe pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve në to.

    “Nëse këto hapa bëhen, atëherë do të arrihet ulja e tensioneve dhe të krijohet një atmosferë në të cilën gradualisht do të adresohen çështjet tjera nga dialogu, e këtu gjithsesi është edhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por edhe zbatimi i të gjitha pikave të marrëveshjes”, tha një diplomat evropian.

    Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e policisë.

    Që atëherë serbët vazhdimisht kanë protestuar. Protestat u përshkallëzuan në dhunë më 29 maj në Zveçan, kur protestuesit serbë u përleshën me ushtarët e KFOR-it. Nga përleshjet, dhjetëra persona u lënduan nga të dyja palët.

    Tensionet u përkeqësuan edhe më shumë më 14 qershor, kur forcat serbe arrestuan tre policë të Kosovës. Serbia thotë se arrestimi u krye “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova thotë se ata u rrëmbyen brenda territorit të Kosovës.

    Kosova dhe faktori ndërkombëtar kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve.

    Diplomatët thanë se e kanë të qartë se palët e kanë kuptuar seriozitetin e situatës, por kanë përshtypjen se secila palë po pret që pala tjetër të ndërmarrë hapa. Edhe Borrell pas takimit të enjten mbrëma u shpreh se “nuk po diskutohet më se çfarë duhet bërë, por kur dhe si”.

    Gjithsesi, diplomatët me të cilët bisedoi REL-i, pranuan se mbajtja në paraburgim në Serbi e tre policëve të Kosovës po rëndon shumë raportet, duke kërkuar lirimin sa më të shpejtë të tyre.

    Disa diplomatë thanë se “nuk duhet shikuar doemos si dështim fakti që Kurti dhe Vuçiq nuk janë takuar”, duke shtuar se “nganjëherë është më mirë të mos ketë takime [dypalëshe] sesa që të ketë takime në të cilat, për shkak të tensioneve, ndodhin më shumë mospajtime se pajtime”.

    Javën e ardhshme, krahas vazhdimit të kontakteve të zyrtarëve të bllokut evropian me Kosovën dhe Serbisë, raportet mes këtyre dy shteteve do të jenë temë e disa diskutimeve në Bruksel.

    Së pari për këtë çështje do të diskutojnë ministrat e Jashtëm të 27 shteteve anëtare gjatë takimit të tyre në Luksemburg më 26 qershor. Për situatën aktuale, kryediplomatët evropianë do të informohen nga Borrell.

    Në këtë takim pritet të diskutohet edhe për hapat e radhës që duhet të ndërmerren nga BE-ja nëse palët vazhdojnë të mos përfillin kërkesat për uljen e tensioneve.

    Më pas, më 27 qershor, i dërguari i posaçëm evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe drejtori i përgjithshëm në Komisionin Evropian për zgjerim, Jan Koopman, do të marrin pjesë në një diskutim të Parlamentit Evropian për zhvillimet e fundit në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ky diskutim do të mbahet në Komisionin e politikës së jashtme dhe pritet të flitet për takimet e fundit me Kurtin dhe Vuçiqin, por edhe për masat që KE-ja veçse ka nisur t’i ndërmarrë ndaj Kosovës, si sanksione për shkak të rritjes së tensioneve në pjesën veriore të shtetit.

    Në BE kanë paralajmëruar për masa të reja, nëse situata nuk ndryshon.

    Në samitin e liderëve të BE-së, përkatësisht në takimin e Këshillit Evropian, po ashtu tensionet mes Kosovës dhe Serbisë do të jenë temë debati. Trajtimi i kësaj çështjeje, sipas diplomatëve, tregon përkushtimin, por edhe shqetësimin në nivelin më të lartë të BE-së dhe shteteve anëtare për situatën në Kosovë.

    Në këto takime, sipas burimeve diplomatike, pritet që Kosovës dhe Serbisë t’u bëhet thirrje për uljen e menjëhershme të tensioneve dhe rikthim në dialog. Po ashtu, dy shteteve pritet t’u tërhiqet vërejtja edhe për pasojat me të cilat mund të përballen nëse nuk dëshmojnë vullnet për sjellje të matur dhe konstruktive.

    Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në tekstin e draftit i cili është përgatitur për t’u miratuar në takimin e liderëve të BE-së. Këshilli Evropian do të kërkojë dhe zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve që ishte arritur në Bruksel në fund të muajit shkurt si dhe Aneksit të zbatimit të saj, të arritur në Ohër në muajin mars.

    “Këshilli Evropian dënon incidentet e fundit në veri të Kosovës dhe bën thirrje për shtensionimin e menjëhershëm të situatës, në bazë të elementeve kyçe që tashmë janë shfaqur nga Bashkimi Evropian”, thuhet në tekst.

    “Si hap i radhës, vazhdimi i dialogut të lehtësuar nga BE-ja, dhe zbatimi i shpejt i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe zbatimi i aneksit janë të domosdoshme. Dështimi në uljen e tensioneve do të ketë pasoja negative”, theksohet në draft.

    Sipas këtij drafti, BE-ja pret veprime të shpejta dhe të menjëhershme nga palët, gjë që sipas tyre do të çonte deri te ulja e tensioneve dhe kthimi i një normaliteti në dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ka nisur më 2011.

  • Edhe sot serbët në Graçanicë protestojnë në mbështetje për të dyshuarin për krime lufte

    Edhe sot serbët në Graçanicë protestojnë në mbështetje për të dyshuarin për krime lufte

    Sot në mesditë në Graçanicë do të mbahet protesta e tretë me radhë, siç pretendohet “për shkak të arrestimit të Dragisha Milenkoviqit nga Kishnica”, për të cilin dyshohet se ka kryer krime lufte ndaj të burgosurve në qendrën e paraburgimit në Lipjan para luftës në Kosovë.

    Në të njëjtën kohë, qytetarët e Graçanicës dhe rrethinës së saj ofrojnë mbështetje për të gjithë serbët e veriut të Kosovës të cilët janë arrestuar për shkak të huliganizmit dhe sulmeve ndaj gazetarëve në Leposaviq.

    Gjykata në Prishtinë i ka caktuar Dragisha Millenkoviqit masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

    Ai u arrestua të mërkurën rreth orës 10:00 nga Policia e Kosovës bë shtëpinë e tij familjare në Kishnicë është bërë bastisje dhe me atë rast është gjetur një sasi e caktuar armësh.

  • Kurti për median gjermane: Serbia duhet të njohë Kosovën

    Kurti për median gjermane: Serbia duhet të njohë Kosovën

    Në një intervistë për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung” kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, hedh poshtë akuzat nga Brukseli dhe Uashingtoni.

    Ai mendon se Serbia duhet të përgjigjet.

    Marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës janë më të tensionuara se në vitet e mëparshme. Uashingtoni paralajmëron se kriza mund të përshkallëzojë në një konflikt rajonal, ndërsa Bashkimi Evropian po kërcënon Kosovën me sanksione. Kështu e përshkruan gazeta “Süddeutsche Zeitung” gjendjen aktuale.

    Gazetari Tobias Tzick u shpjegon lexuesve gjermanë se “përpjekjet ndërmjetësuese të BE-së dhe SHBA-së kanë për qëllim të bindin Prishtinën që të formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi duhet ta njohë de facto pavarësinë e Kosovës”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në muajin mars ka paraqitur një draft me kushtet kryesore: “Duhet të njihet kushtetutshmëria e Republikës sonë. Asociacioni nuk mund të ketë pushtet ekzekutiv dhe nuk mund të krijohet nivel shtesë i qeverisjes. Por sapo përmendet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, zoti Vuçiq nuk dëshiron të dëgjojë asgjë për të”.

    “Nuk mendoj se jam kokëfortë, jam parimor”

    “Kur e takoj zotin Vuçiq”, thotë Kurti, “më duket gjithmonë se ai dëshiron të kthehet në kohë: herë në vitin 1999 kur u çliruam, herë para vitit 2008 kur shpallëm pavarësinë dhe herë para 27 shkurtit të këtij viti, kur ai i tha ‘Po’ marrëveshjes së paraqitur nga BE-ja në Bruksel, por të cilën nuk e nënshkroi”.

    Vërejtjes së gazetarit gjerman se diplomatët perëndimorë e konsiderojnë atë partner të vështirë dhe e akuzojnë si kokëfortë, Kurti i përgjigjet: “Nuk mendoj se jam kokëfortë, jam parimor”. Politika nuk mund të shihet e izoluar nga etika dhe vlerat”.

    Më pas kryeministri shton se i ka dëgjuar “miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë” kur kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve si dhe për zhvendosjen e vendit të betimit të kryetarëve të bashkive “për të shmangur skenat triumfuese”. Por shton ai, “kryetarët e bashkisë duhet të shkojnë në zyrat e tyre – apo mos vallë duhet ta bëjnë punën përmes zoom-it?”

    “Perëndimi do të arrijë të kundërtën”

    Kryeministri i pyetur se si e vlerëson faktin se “Bashkimi Evropian e kërcënon Kosovën me sanksione, ndërsa është jashtëzakonisht i butë ndaj Beogradit”, Kurti përgjigjet: “Miqtë tanë në BE dhe SHBA kanë pak pritshmëri nga Beogradi”. Kjo është arsyeja pse çdo gjest pozitiv i Beogradit është i mbivlerësuar dhe i fryrë. Në të njëjtën kohë, ata kanë shpresa të mëdha për Serbinë në planin afatmesëm. Një politikë e tillë krijon probleme sigurie për të gjithë fqinjët e Serbisë”.

    Gazetari gjerman thekson se, “sipas një interpretimi, BE-ja dhe SHBA-ja duan të përdorin politikën e tyre me qëllime të mira për të ndarë Vuçiqin nga lidhjet e tij të ngushta me Putinin dhe kështu ta lidhin atë më afër vetes”. Kryeministri i Kosovës vlerëson se “diçka e tillë mund të funksionojë me një demokrat, por jo me një autokrat. Një autokrat do ta shohë çdo akt bujarie ose tolerance si një shenjë frike ose dobësie”. Prandaj, thotë ai, “duke menduar se koncesionet do ta joshin zotin Vuçiq të kthehet drejt Perëndimit – do të arrihet pikërisht e kundërta”.

    “Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe të përballet me krimet”

    “Nuk kemi arritur shumë”, thotë Albin Kurti për dialogun e deritanishëm: “Pas disa orë bisedimesh për marrëveshjen bazë, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri (Josep) Borell më 18 mars deklaroi: “Ne kemi një marrëveshje.” Dhe më 24 prill, z. Vuçiq deklaroi në konferencën për shtyp se e pranon marrëveshjen vetëm si koncept dhe jo si përmbajtje. Më vonë ai ka njoftuar Berlinin, Parisin dhe Uashingtonin se synon të zbatojë vetëm disa pjesë të marrëveshjes”, thotë Kurti.

    Dhe së fundi, në pyetjen se a është i mundur besimi i vërtetë mes tij dhe Beogradit, duke pasur parasysh se si lider studentor ka qenë në burg në Serbi për një kohë, Albin Kurti përgjigjet se “nuk mund të ketë besim të plotë derisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe derisa nuk përballet me krimet që ka kryer gjatë luftës”. /DW

  • Borrell: Jemi pajtuar për rrugën përpara, do t’i diskutojmë detajet dhe mënyrat

    Borrell: Jemi pajtuar për rrugën përpara, do t’i diskutojmë detajet dhe mënyrat

    Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka folur në konferencë për media pas takimeve që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

    Borrell ka treguar se Kurti është pajtuar për zgjedhje të reja.

    Fillimisht, ai ka thënë se situata ka qenë e tensionuar dhe për këtë ka kërkuar që Kurti dhe Vuçiq të shkojnë në Bruksel për takime.

    “Ju e dini mirë se gati për gati 4 javë, kemi qenë dëshmitar se situata në veri të Kosovës ka qenë e tensionuar me aq sa kuptoj unë panevojshëm. Me protesta dhe përplasje të dhunshme. Trupat e KFOR-it, policët, gazetarët dhe shumë qytetarë janë lënduar dhe ne dëgjuam për incidente çdo ditë. Kjo është e papranueshme, e papërballueshme, kjo nuk mund të vazhdojë dhe kjo është pse kam kërkuar nga Vuçiq dhe Kurti të vijnë në Bruksel për një takim për menaxhimin e krizës. Sërish jemi në gjendje të menaxhimit të krizave”, tha Borrell.

    Më tutje, ai është shprehur se po punohet për deeskalimin e situatës dhe ka thënë që Kosova duhet t’i tërheqë policinë nga objektet komunale, kryetarët të punojnë jashtë objekteve komunale dhe Serbia t’i heqë protestuesit gjithashtu nga rruga.

  • Kurti: Zgjedhje të parakohshme, por që paraprihen nga sundimi i ligjit

    Kurti: Zgjedhje të parakohshme, por që paraprihen nga sundimi i ligjit

    Kurti para gazetarëve bëri të ditur se zhvilloi takime bilaterale me shefin e Politikës së Jashtme e të Sigurisë së BE-së, Josep Borrell, si dhe me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ku sqaroi se takimi nuk ishte trelateral, sepse pala tjetër ka refuzuar një gjë të tillë.

    Tutje, kryeministri Kurti foli për rrjedhën e takimeve që para katër muajsh e deri më tani, kur siç u shpreh ai, u konfirmua që ka marrëveshje, por nuk patën takim, teksa kritikoi sjelljen joserioze të presidentit Vuçiq.

    “Unë kam ardhur për t’u takuar për t’u marrë vesh që të kemi dakordësime e të ecim përpara”, tha kryeministri Kurti, derisa shtoi se jo gjithçka varet prej tij.

    “Në fillim të takimit unë kam prezantuar një dokumentacion Borrell-it e Lajcak-ut lidhur me rrëmbimi n e tre policëve të Kosovës në Leposaviq, më 14 qershor, kur janë bërë më shumë se një javë e që po mbahen peng nga Serbia në burgun e Kralevës”, duke kërkuar që ta dënojnë agresionin e Serbisë ndaj Kosovës publikisht.

    Tutje, kryeministri Kurti tha se është diskutuar edhe për de-eskalimin, ku nënkuptohet largimin e grupeve kriminale që menjëherë do të përcillej me zvogëlimin e trupave të policisë në ndërtesën komunave.

    “Ndërkaq sa i përket zgjidhjes më të qëndrueshme, natyrisht se ka nevojë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri me një proces qe i paraprihet nga sundimi i ligjit, nga një fushatë e hapur e fer dhe nga zgjedhjet e lira e demokratike”, tha mes tjerash Kurti.

  • Rama: Pa lirimin e policëve, s’ka përparim – Franca e Gjermania të veprojnë fuqishëm

    Rama: Pa lirimin e policëve, s’ka përparim – Franca e Gjermania të veprojnë fuqishëm

    Kryeministri Albin Kurti ka qëndruar sot në Bruksel, ku ka zhvilluar takime me kreun e diplomacisë evropiane, Josep Borrell dhe emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

    Takime me dyshen evropiane ka zhvilluar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ndërsa takim mes dy liderëve të Kosovës dhe Serbisë nuk pati.

    Megjithatë, Borrelli doli në konferencë për media pas këtyre takimeve, ku tha se palët kishin qëndrime të kundërta për sa i përket de-përshkallëzimit të situatës mes dy vendeve.

    Por, ai tha t’i ketë thënë Vuçiqit që tre policët e rrëmbyer kosovarë duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte.

    E për këto zhvillime ka reaguar kryeministri shqiptar, Edi Rama. Ai tha se pa lirimin e tre policëve, nuk ka kurrfarë mundësie që të ecet përpara.

    Madje, Rama kërkoi nga Franca dhe Gjermania që të veprojnë fuqishëm.

    “Pa largimin e tre djemve shëndoshë e mirë nga Serbia, nuk ka hapësirë për të bërë asnjë centimetër përparim të vërtetë! Sapo të kthehen në shtëpi, nevojitet një veprim i ri i fortë i Francës dhe Gjermanisë për të ndaluar këtë spirale absurditeti! Por gjëja e parë në radhë të parë: LIRONI 3 POLICËT”, theksoi Rama në Twitter.

    Kurti ndërkaq ende nuk është deklaruar pas dy takimeve që i zhvilloi ditën e sotme me Borrellin e Lajçakun.

    E Vuçiqi tha se nuk është se varet diçka nga Serbia dhe BE-ja, por la të kuptohet se avancimi përpara varet nga Kosova.

  • Deputetja britanike i reagon Hillit: Serbia ka marrëveshje me Rusinë dhe mban në ndalim tre policë kosovarë

    Deputetja britanike i reagon Hillit: Serbia ka marrëveshje me Rusinë dhe mban në ndalim tre policë kosovarë

    Deputetja e Parlamentit të Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, i ka replikuar ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, pas mbajtjes së stërvitjes së forcave amerikane me ato serbe, të quajtur “Platinum Wolf”.

    “Kosova, një aleate demokratike e denoncuar dhe e dënuar”, nis teksti i saj.

    “Më mirë ‘Platinum Wolf’, një ushtrim i përbashkët me një vend që ka nënshkruar marrëveshje të politikës së jashtme me Rusinë, si ripërtëritje pas pushimit të paligjshëm të Ukrainës dhe aktualisht është duke i mbajtur ilegalisht tre policë kosovarë”, ka shkruar Kearns.

    Gjatë ditës ambasadori Hill është shprehur tejet i kënaqur me zhvillimin e stërvitjes së përbashkët me forcat serbe.

  • Gërvalla: Takimi Kurti-Borrell ka prodhuar rezultate të reja pozitive për Kosovën

    Gërvalla: Takimi Kurti-Borrell ka prodhuar rezultate të reja pozitive për Kosovën

    Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se deklarata e përfaqësuesit të BE-së, Josep Borrell pas takimit me Kurtin, është diçka pozitive për Kosovën.

    “Ky takim i sotëm, të paktën në bazë të asaj çfarë dëgjuam nga Borrelli, ka prodhuar rezultate të reja, sepse unë po vij nga një takim tjetër dhe nuk kam pasur mundësi t’i ndjekë në detaje, por deklarata e fundit e Borrellit është e para pak minutash, ku ai kërkon qartë lirimin e menjëhershëm të tre policëve të rrëmbyer në Kosovë. Kjo është diçka e re, nuk është diçka që është përsëritur në vazhdimësi gjatë këtyre ditëve, dhe aq më tepër që Borrell po mundohet me një gjuhë më të balancuar se sa gjatë 10 ditëshit të kaluar, të gjejë një mënyrë për de-eskalimin e situatës”, tha Gërvalla.

    Ajo thotë se Kosova nuk ka kontribuar në eskalimin e situatës, pasi që sipas saj, vënia e ligjit dhe rendit nuk është esklaim.

    “Vënia e ligjit dhe rendit, nuk është eskalim i situatës. Eskalimi i situatës është të dërgosh nga shteti fqinjë njerëz të cilët sulmojnë me një dhunë të llahtarshme, jo vetëm gazetarët dhe policët e Kosovës, por sulmojnë edhe ushtarët e KFOR-it, të cilët në fund të fundit këtu janë për të mbrojtur sigurinë, jo vetëm për qytetarët shqiptarë të Republikës së Kosovës, por edhe të gjithë qytetarëve të tjerë. Edhe de-eskalimi sigurisht që duhet të vijë nga ata që e kanë eskaluar situatën”, tha Gërvalla. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë: