ATV

Tag: Ballina

  • Dosja e Prokurorisë për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, si u betua familja Mehmetaj për hakmarrje gjatë varrimit të vajzës së tyre

    Dosja e Prokurorisë për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, si u betua familja Mehmetaj për hakmarrje gjatë varrimit të vajzës së tyre

    Deklarimin rreth fajësisë, tre të akuzuarit e bënë pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Sahide Gashi.

    Tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm lidhur me veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, “Shtytje në vrasje të rëndë” dhe Armëmbajtje pa leje.

    Në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, përshkruhet në detaje se si ishte planifikuar vrasja nga të akuzuarit si dhe motivet që i shtynë ata për kryerjen e këtij akti.

    Sipas aktakuzës, cak i vrasjes kishte qenë shoferi i autobusit, tani i ndjeri G.Gj. dhe se vrasje kishte ndodhur si hakmarrje, pasi familja Mhmetaj e kishin ka fajësuar atë si shkaktar të vetëvrasjes së vajzës së tyre H.M.

    Në aktakuzë thuhet se, i pandehuri Halil, ishte betuar në hakmarrja ndaj tani të ndjerit G.Gj., si dhe me rastin e ceremonisë së varrimit të të ndjerës vajzës së tij në arkivolin e saj vendos orën e tij të dorës.

    Po ashtu në aktakuzë përshkruhet se si të akuzuarit e lartcekur në  marrëveshje e bashkëveprim me njëri tjetrin kishin studiuar terrenin me kujdes, duke u siguruar se nuk ka mbulueshmëri të kamerave dhe shtëpi në afërsi, duke i zënë priten autobusit që vinte nga Gjakova në drejtimin e Gllogjanit dhe pastaj njëri nga ta kishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, duke i lënë të vdekur tre persona.

    Aktakuza e plotë e përpiluar nga Prokuroria Themelore e Pejës:

    Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, me datë 5 maj 2023,  ngarkon të pandehurit Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, se me datën 26 nëntor 2021, rreth orës 18:58 minuta në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit, saktësisht në rrugën “Ismajl Haradinaj”, të shtyrë nga hakmarrja e paskrupullt, në marrëveshje e bashkëveprim me njëri tjetrin, privojnë nga jeta tre persona, dy prej tyre të cilët ishin fëmijë.

    Në aktakuzë thuhet se, pasi që paraprakisht ata kishin studiuar terrenin me kujdes, duke u siguruar se nuk ka mbulueshmëri të kamerave dhe shtëpi në afërsi dhe duke e ditur kohën e saktë të arritjes së autobusit “Erblini”, nga Gjakova në drejtimin e Gllogjanit në turnin e fundit, të cilin e drejtonte tani i ndjeri G., me nxënës dhe pasagjerë në të.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Kastriot merr pushkën automatike AK-47, prodhim shqiptar të kalibrit 7.62x39mm dhe niset në këmbë deri tek vendi i ngjarjes, në krahun e djathtë të rrugës dhe me të vërejtur dritat e autobusit në fjalë, del në mes të rrugës i kthyer më shpinë kah autobusi që po arrinte dhe me qëllim që të njëjtin ta detyrojë të ulë shpejtësinë apo ndaloj, bënë sikur është i dehur dhe kur shoferi fillimisht e sinjalizon me drita të gjata e pastaj edhe ulë shpejtësinë i pandehuri Kastriot në distancë prej rreth 6 metrash kthehet në drejtimin e autobusit dhe merr shënjestër shoferin e autobusit tani të ndjerin G.Gj. dhe e godet për vdekje, po ashtu godet për vdekje dhe L.H 17 vjeçar, dhe G.M 17 vjeçare, si dhe i shkakton lëndime të rënda trupore F.T.

    Tutje thuhet se i pandehuri Kastriot ka rrezikuar jetën e pasagjerëve tjerë: B.H., A.B., A.Z., B.M., dhe E.O, të cilët ishin në ato momente prezentë në autobus, dhe më pas i njëjti kalon nga krahu i majtë i autobusit, i cili kishte dalë jashtë rrugës, dhe vazhdon në fshatin Shaptej, ku në mes të rrugës ishte duke e pritur me veturë i pandehuri Kreshnik dhe merr rrugën e kthimit pa u hetuar për në shtëpi dhe pastaj shkatërrojnë armën.

    Me tej në aktakuzë thuhet se, kjo vrasje kishte ardhur si hakmarrje për shkak të vetëvrasjes së H.M. e cila kishte ndodhur me datën 14 qershor 2020, për të cilin akt familja Mehmetaj e kanë fajësuar tani të ndjerin G.Gj.

    Për këto veprime prokuroria ata i ngarkon se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.1, nënpar. 1.1, 1.5, 1.8, e 1.11, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

    Tutje në aktakuzës, thuhet se i pandehuri Halil Mehmetaj, nga data 14 qershor 2020, gjerë me datën 26 nëntor 2021, në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit, në rrugën “Ismajl Haradinaj”, ka shtyrë të pandehurit Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, në vrasjen e tani të ndjerit G.Gj., të cilin para tyre e ka fajësuar si shkaktar të vetëvrasjes së vajzës së tij H.M, ku për më tepër thuhet se ishte betuar në hakmarrja, si dhe me rastin e ceremonisë së varrimit të të ndjerës në arkivolin e saj vendos orën e tij të dorës.

    Ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”, nga neni 32, lidhur me nenin 173, par.1, nënpar. 1.1, 1.5, 1.8, e 1.11, të KPRK-së.

    Gjithashtu aktakuza i ngarkon të pandehurit Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, që në kohë të pacaktuar e gjerë me datën 11 dhjetor 2021, në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit, në shtëpinë e tyre në kundërshtim me nenin 5 par.1, të Ligjit për Armë, mbajnë në pronësi, posedim e kontroll municion, armë e municion, ku në rastin e kontrollit nga ana e policisë, këta të fundit gjejnë dhe sekuestrojnë, 156 fishek të armës “AK-47” të tipit “Kallashnikovë”, një karikator i shkurtë i armës “AK-47”, “Kallashnikovë”, 6 fishek të armës së gjuetisë 12mm, për të cilat është konstatuar se nuk kanë leje nga organet kompetente, si dhe 6 pajisje ushtarake.

    Me këtë thuhet se kanë kryer vepër penale “Mbajta në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par.1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi

  • Sot Provimi i Maturës, Nagavci: Respektimi i rregullave është i domosdoshëm

    Sot Provimi i Maturës, Nagavci: Respektimi i rregullave është i domosdoshëm

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci u ka uruar sot nxënësve sukses në Provimin e Maturës gjersa ka theksuar se respektimi i rregullave është i domosdoshëm.

    Ajo ka thënë se pret përgjegjësi të plotë nga të gjithë.

    “Ju uroj shumë suksese sot, në provimin e maturës shtetërore në të cilin do tregoni aftësitë dhe shkathtësitë tuaja, të cilat i keni përvetësuar gjatë dymbëdhjetë viteve të shkollimit.

    Që të kemi rezultate reale, respektimi i rregullave është i domosdoshëm andaj pres përgjegjësi të plotë nga të gjithë.

    Ne qetësi e besim, ju inkurajoj që të jepni më të mirën nga vetja. Nga ana jonë do të keni gjithmonë mbështetje të pakursyer.

    Suksese dhe mbarësi për të gjithë ju!”, shkruan Nagavci.

  • 1 500 personave u njihet statusi si viktimë e dhunës seksuale

    1 500 personave u njihet statusi si viktimë e dhunës seksuale

    Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka kërkuar nga institucionet shtetërore që të mos kufizohet afati për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale.

    Kjo pasi sipas tyre, procesi deri te marrja e vendimit për të i’u njohur statusi, për të mbijetuarit e dhunës është mjaftë i vështirë dhe kërkon kohë.

    Feride Rushiti, drejtoresh në QKRMT, në një intervistë ka thënë se duke marr parasysh që viktimat e dhunës seksuale ende stigmatizohen e paragjykohen, është e rëndësishëm si me konventa ndërkombëtare edhe përvojat e krijuar në Kosovë ky afat të mos ketë limit kohorë.

    Rushiti shtoi se deri më tani në Komision kanë aplikuar rreth 2 mijë veta, ku 1 500 prej tyre, përfshirë këtu burra e gra, kanë fituar statusin. Por sipas saj, pensioni prej 230 euro që marrin është vetëm një simbolikë.

    “Numri i atyre që kanë aplikuar në Komision mendoj është rreth 2 000 veta, ndërsa rreth 1 500 pre tyre përfshi këtu edhe burra e kanë fituar statusin e të mbijetuarve të dhunës seksuale, duke marr edhe një pension personal në vlerë prej 230 euro, vlerë e cila kjo nuk është asgjë përveç një simbolikë për me ju njohur dhimbjen dhe vuajtjen që kanë kaluar gjatë periudhës së luftës”, tha Rushiti.

    “Krimet e luftës nuk parashuna, as e drejta në krimet e luftës nuk ish dashur që të afatizohet aq më shumë kur kemi të bëjmë më një krim ma monstruoz shoqëror. Krim i cili ende në shoqëri tonë stigmatizohen, paragjykohet nuk mund të flitet në familje, prandaj është shumë e rëndësishëm edhe mbi konventa ndërkombëtare edhe përvojat e krijuar në Kosovë që ky afat të mos ketë limit kohorë. Për faktin se të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës kanë vështirësitë e veta, janë procese të dhimbshme deri sa ato ta marrin vendim që të shkojnë dhe të ju njihet ky status. Prandaj ne si organizata jo qeveritare bashkarishtë me grupin parlamentar për të drejtat e njeriut kemi kërkuar dhe kemi adresuar nevojat tona që afati kohorë të mos limitohet, e drejta në reparacion administrativ, ashtu siç e kemi quajtur, të mos afatizohet në periudhën dy vjeçare”, tha ajo.

    Ajo tha se për këto viktima është e rëndësishëm që të vetëdijesohen shoqëria dhe familja që ato të kenë më të lehët që të marrin vendimin që të fillojnë procesin e njohjes së statusit.

    “E para është e rëndësishme më dërgua këtë mesazhin inkurajues në shoqëri edhe në familjet e tyre, në qoftë se shoqëri e institucionet edhe legjislacioni zgjatet dhe është gjeneroz me e zgjatë këtë afat e dërgon automatikisht mesazhin pozitiv tekë familjarët dhe të të mbijetuarit. E dyta duhet që të punohet në nivel të vetëdijesimit të komuniteti dhe familjes për me rrit numrin e atyre që kanë besim me shuku tekë institucionet. E treta ju duhet, është proces i vështirë, ju duhet shumë herë këto gra me pritë, janë rrethanat familjare që ja kushtëzojnë, bashkëshorte, fëmijët, martesat rrethanat e atilla kështu që janë një mori faktorësh që ja pamundësojnë me shku për një afat të caktuar kohorë. Për këtë arsye ne kemi avokuar që ku afat të mos kufizohet në mënyrë që të ju bëjë sa më të lirë dhe më të mundshme një numri më të madh të grave dhe burrave që kanë përjetuar këtë krim”, tha ajo për EO.

    Drejtoresha e QKRMT-së theksoi se gratë dhe burrat që kanë përjetuar dhunën seksuale gjatë luftës ballafaqohen me sfida të shumta duke filluar nga aspekti i shëndetit mendor dhe fizikë, aspekti i integrimit social e deri te aspekti i integrimit ekonomik.

    “Sfidat e tyre janë nga aspekti i shëndetit mendor dhe fizikë , nga aspekti i integrimit social, nga aspekti i integrimit ekonomik. Mos të harrojmë se ky krim për shumicën e grave dhe burrave që e kanë përjetuar ju ka shuar ëndrrat për jetën. Shumica nga ata e ato nuk kanë arrit me e marr vetën edhe më pas një jetë normale. Prandaj sfidat vazhdojnë në familje, sfidat vazhdojnë në shoqëri, në integrim, për këtë arsye mendoj që institucionet tona, shoqëria jonë i’u ka për borxh me i’u ofruar trajtim të dinjitetshëm dhe të mos ja kufizoj këtë të drejt”, tha ajo.

  • Nga viti 2008, Kosova ka 130 mijë nxënës më pak

    Nga viti 2008, Kosova ka 130 mijë nxënës më pak

    Nga viti 2008 deri në vitin e kaluar sipas raporteve të publikuara llogaritet se Kosova ka rreth 130 mijë nxënës më pak, që paraqet rënie prej mbi 30%.

    E kjo situatë sipas njohëse të arsimit është shqetësueses, por më shqetësueses, sipas tyre është mosreagimi nga institucionet e vendit. Ata thonë se nuk merren hapa rrezikohet edhe mbyllja e shkollave.

    Drejtori i Instituti “EdGuard”, Rinor Qehaja, tha se numër i këtyre rënieve demografike nuk është befasuese, por sipas tij befasues është mos reagimi institucional për të përshtatur politikat të qëndrueshëm karshi kësaj rënie demografike të numrit të nxënësve.

    “Këto statistika dhe kjo rënie demografike nuk është shumë befasuese janë projeksione statistikore të kamotshme të prezantuara nga Agjencioni i Statistikave të Kosovës, ajo që është befasuese është mos reagimi institucional për të përshtatur politikat të qëndrueshme karshi kësaj rënie demografike të numrit të nxënësve”, tha ai.

    Ai shtoi se rënia e numrit të nxënësve do të ketë impakt të drejtpërdrejt edhe me në strukturën e organizimit të arsimit.

    Drejtori i Institutit EdGuard bëri thirrje që institucionet përgjegjëse të bëjnë një analizë të mirëfilltë të fizibilitetit mbi situatën e vërtet demografike.

    “Rënia e numrit të nxënësve pa dyshim do të konvertohet dhe do të ketë mpaktë të drejtpërdrejt atje edhe në strukturën e organizimit të arsimit. Andaj edhe domosdoshmëria që të kemi pikë së pari një analizë të mirëfillte të fizibilitetit se kush është situata e vërtet demografike, cilat janë projeksionet demografike, në mënyrë që këto tu përgjigjen edhe investimeve në infrastrukturë, rekrutimit të mësimdhënësve dhe shpërndarje të fondit të orëve të mësimdhënësve”.

    “Numër i shkollave në zona rurale në veçanti pa dyshim që duhet të ristrukturohen dhe ridestinohen atje për qëllime arsimore të parashkollorit bie fjala. Po domosdoshmërishtë ridestinimi dhe ristrukturimi i shkollave do të jetë super prezent në të ardhmen në nivel vendi për shkak të kësaj rënie demografike dhe investimeve në hapje të shkollave për përfitime elektorale pa ndonjë analizë të mirëfillte të projeksioneve demografike”, tha ai.

    Njohësi i çështjeve të arsimit Argjend Osmani, tha se humbja kaq e madhe e numrit të nxënësve do të këtë pasoja, sipas tij, vendi vazhdon që të rrezikohet nga ky trend i largimit.

    “Pa dyshim një vend i vogël si Kosova me një numër relativisht të vogël të popullsisë, humbja e kaq shumë nxënësve është një humbje me të vërtet domethënëse dhe do të lënë pasoja në ardhmërinë e vendit tonë. Rreziku është që të vazhdohet ky trend i emigrimit dhe që familjet dhe në përgjithësi popullsia e Kosovës të vazhdoj që të emigroj në shkallë të konsiderueshëm shtet e zhvilluara. Por edhe të vazhdoj edhe zvogëlimi i natalitetit që është njëra prej arsyeve për zvogëlim të numri të përgjithshëm të nxënësve”.

    Sipas tij, rrezikohet që të mbyllen edhe shkollat nëse institucionet përgjegjëse nuk ndërmarrin hapat e nevojshëm.

    “Pa dyshim që rrezikojnë, mbyllja e shkollave është fenomen bukur i përhapur nëpër shumë vendbanime kryesisht rurale, ku edhe shumë shkolla janë mbyllur por që kjo tendencë do të vazhdoj edhe në të ardhmen. Mendoj që do të jetë shumë vështir sepse e shohim që ka pasur një shpresë të  madhe që do të ketë ndërrime, me ndërrimin e qeverisë që do të luftohet korrupsioni do të ketë një zhvillim më të hovshëm dhe vërehet tekë popullsia që është një zhgënjim sepse problemet janë grumbulluar për një kohë shumë të gjatë. Popullsia ka humbur shpresat dhe dëshirojnë me çdo kusht të emigrojnë”, tha ai.

    Sipas këtyre statistikave të publikuara nga Institutit GAP, rënie më të madhe të numrit të nxënësve ka në komunat e Kamenicës dhe Junikut (-53%), Rahovecit, Dragashit dhe Vitisë (-45%), dhe Gjilanit dhe Suharekës (-41%).

    Ndërkaq, në përmbledhjen e raportit thuhet se sa i përket personelit arsimor, që përfshin mësimdhënësit, personelin administrativ dhe personelin ndihmës, numri i tyre ka mbetur thuajse i njëjtë që nga viti shkollor 2013/2014.

  • Analistët: Kurti po mundohet ta sabotojë dialogun, dëmi që po shkaktohet është i madh

    Analistët: Kurti po mundohet ta sabotojë dialogun, dëmi që po shkaktohet është i madh

    Analisti politik, Bekim Kabashi u shpreh se veprimet e institucioneve qeverisëse janë të pamatura dhe se dëmi që po i shkaktohet Kosovës është i madh.

    Ai konsideron se kryeministri Albin Kurti, po mundohet ta sabotojë procesin e dialogut pasi po i kërkohet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Për këtë të fundit, Kabashi thotë se qëndrimet e Kurtit sa ishte në opozitë, nuk po mund ta lejojë ta nënshkruajë Asociacionin, ndonëse është zotuar në Bruksel e Ohër.

    “Kosova kurrë nuk ka qenë në pozicion më të rëndë prej që ka filluar dialogu me Serbinë, për arsye se në krye të Qeverisë është një kryeministër i cili në pushtet ka ardh duke e demonizuar Asociacionin. Asociacioni është paraqitur në publik se është një Republika srpska e i cili e defunksionalizon Kosovën dhe tani duke qenë në krye të shtetit dhe në një proces të dialogut ku i kërkohet ta themelojë Asociacionin, zotëri Kurti nuk mundet me tejkalu vetveten dhe duke mos mundur ta tejkalojë vetveten pavarësisht që është pajtuar në një marrëveshje me Serbinë në Bruksel e Ohër që ka marrë zotime për me e implementu Asociacionin, tani po mundohet me sjelljet e tij politike sidomos në veri, po mundohet ta sabotojë atë proces”, thotë Kabashi.

    “Ne e kemi parë që ka dalë kundër marrëveshjes së Ohrit në kuptimin e implementimit të saj duke ndërmarrë veprime më veri të vendit pa koordinim me Bashkësinë Ndërkombëtare e cila i ka kërkuar t’i bëjë disa hapa të ndërmjem pavarësisht situatës nuk e ka kundërshtuar e sidomos ShBA-ja për me mbajt zgjedhje Kosova në atë pjesë”, u shpreh Kabashi.

    Kabashi konsideron se vendimi i Kurtit për targa, ka qenë gabimi më i madh me ç’rast filluan tensionet. Thotë se ka qenë entuziast për ta implementuar një marrëveshje të nënshkruar nga ish-kryeministri Hashim Thaçi.

    “Nuk mund t’i thuash se ka bërë gabime por ka zgjedhur një rrugë të tillë pra kryeministri i Kosovës me vetëdije e ka zgjedh këtë rrugë se nuk është që ka qenë shumë entuziast i vendosjes së implementimit të një vendimi të nënshkruar atë kohë prej oponentit tij kryesor politik, Hashim Thaçi që ka qenë vendimi për targat, vendim për të cilin ShBA-ja i kanë kërkuar që mos me marrë këtë kohë por me e shty për një periudhë një vjeçare pasi në proces është dialogu i cili ka për qëllim me e rregullu një çështje shumë të madhe se sa për një temë krejt teknike që janë targat, sepse procesi i dialogut ka për qëllim me i përmbyll të gjitha problemet Kosovë-Serbi dhe jo vetëm targat”, thotë ai.

    Teksa ka folur për problemet në veri të vendit, Kabashi nuk është shumë optimist se mund të përfundojnë edhe pas formimit të Asociacionit. Thotë se për të pasur qetësi, janë garancat e ndërkombëtarëve.

    “Ato mund të mos përfundojnë në mënyrë të shpejtë sepse pavarësisht që palët mund të mbërrijnë një marrëveshje me themelu Asociacionin, sigurisht se ka me pas telashe edhe në proces të themelimit por kanë me qenë brenda asaj kornize të marrëveshjes dhe brenda kornizës shtetërore të Kosovës sepse nëse Kosova pajtohet me Serbinë për themelim të Asociacionit dhe serbët pajtohen njëjtë, ata kanë me u integrua brenda institucioneve të Kosovës sepse pavarësisht që u jep një vetëqeverisje të nivelit më të lartë se sa që e kanë aktualisht komunat, ajo është brenda institucionit të Kosovës dhe sigurisht se do të prodhojë qetësi, për arsye se janë edhe garancat e Perëndimit”.

    Ndërsa eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, rolin e Kosovës në arenën ndërkombëtare e vlerëson si të njëjtë, ndonëse e pranon largimin e ushtrisë nga ushtrimet ndërkombëtare “Defender 23’”.

    “Në arenën ndërkombëtare është përafërsisht ajo që ka qenë, ka luhatje pak sepse po duan ta bindin Serbinë që nuk e kanë të përkëdhelurin e botës Kosovën por për shembull se ka disa kërcënime me largimin e FSK-së nga ‘defender 23’ por NATO-ja organizon të tilla ushtrime shpesh herë por që nuk është ndonjë sanksion kushedi çfarë por gjithsesi një është e sigurt sepse Amerika nuk ‘çon dorë’ mbi Kosovën sepse e ka Kampin Bondsteel dhe jemi populli më i besuar i tyre”, u shpreh Tërnava.

  • Kurti i përgjigjet Borrellit: Dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm

    Kurti i përgjigjet Borrellit: Dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nëpërmjet një postimi në Twitter iu është përgjigjur shefit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell i cili kritikoi arrestimet e policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut dhe paradën e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut.

    Kryeministri Kurti ka thënë se stërvitjet e sotme janë aktivitet rutinë, i planifikuar çdo vit për të cilin KFOR-i ka qenë plotësisht i informuar.

    “Stërvitjet e sotme nga Regjimenti i III-të i FSK-së në Mitrovicën e Jugut janë aktivitet rutinë, i planifikuar çdo vit, për të cilin KFOR-i ishte plotësisht i informuar. Ai përbëhej nga 215 ushtarë që shkonin nga garnizoni “Minatori” në Frashër dhe ktheheshin. Dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm”, ka thënë Kurti.

  • Borrell “shumë i alarmuar”, reagon pas arrestimeve në veri dhe marshimit të FSK-së në jug: Nuk do të tolerojmë

    Borrell “shumë i alarmuar”, reagon pas arrestimeve në veri dhe marshimit të FSK-së në jug: Nuk do të tolerojmë

    Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell ka thënë se është shumë i alarmuar me situatën në veri të Kosovës.

    Ai e ka kritikuar fuqishëm Kosovën, duke reaguar pas arrestimeve të reja nga Policia e Kosovës ndaj të dyshuarve për dhunë ndaj KFOR-it dhe pas marshimit të rregullt Ushtrisë së Kosovës në Mitrovicën jugore.

    Arrestimet e serbëve ai i ka konsideruar si arreste pa përfillje të procedurave gjyqësore.

    Në fund, Borrell shkurtimisht ka kritikuar edhe Serbinë, për retorikën e saj nxitëse.

    “Shumë i alarmuar për situatën në veri të Kosovës: me arrestimet jashtëqyësore të serbëve & dhe marshimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicën jugore; përcjellë nga një retorikë e rëndë nga Serbia”, ka shkruar Borrell.

    Ai ka thënë se ky eskalim në rritje, nuk do të tolerohet.

    “Përkundër takimit të krizës dje, eskalimi po vazhdon dhe po bëhet më i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë”, ka shkruar në fund ai.

  • Takimet në Bruksel, pa rezultate konkrete

    Takimet në Bruksel, pa rezultate konkrete

    Pas gati katër orësh diskutimi në takime të ndara me dy liderët, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të enjten se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u pajtuan për zgjedhje të parakohshme në katër komunat veriore.

    Pavarësisht kësaj, për njohës të procesit të dialogut, takimet nuk sollën rezultate konkrete.

    “Krejt çka mund të thuhet është se pozitiv mund të jetë fakti që kryeministri Albin Kurti është takuar me përfaqësuesit e BE-së dhe mund të themi që në parim ka një pajtim për qetësimin e situatës, por prapë nuk po shoh zgjidhje të problemit, vetëm një relaksim të marrëdhënieve mes dy palëve, sepse nuk mund të ketë zgjidhje të problemit sidomos pa lirimin e tre policëve”, tha profesori universitar, Dritëro Arifi.

    Madje, fakti që Bashkimi Evropian nuk arriti t’i ulë në tryezë kryeministrin kosovar e presidentin serb, nuk është befasi.

    “Ma shumë kisha me thanë që është një lëvizje e BE-së dhe Borrelit që të tregojnë se po angazhohen, sepse edhe Borrelli edhe Lajcaku e kanë ditur që në këto rrethana dy liderët nuk takohen sy më sy….”, tha Fitim Mulolli nga organizata “Polcon”.

    Sipas Fitim Mulollit nga “POLCON”, e gjithë kjo ndodh për faktin se dy liderët nuk e duan zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

    “As kryeministri Kurti e as presidenti Vucic, nuk e duan Marrëveshjen e Ohrit, pra këto lëvizje në terren tregojnë qartë se të dy këta po tentojnë ta prolongojnë zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Muqolli.

    Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, deklaroi se në takimet që i ka pasur kanë “identifikuar rrugë të mundshme përpara, por dy palët duhet t’u përmbahen detyrimeve të tyre”. Borrell ka ritheksuar kërkesën që kryetarët shqiptarë të punojnë nga ndërtesa alternative.

    Ndërkohë, nga presidenti i Serbisë ka kërkuar që tre policët kufitarë që po mbahen në paraburgim në Kralevë, duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Nga dialogu në menaxhim krize, zgjedhjet e reja përmes peticionit marrin kohë

    Nga dialogu në menaxhim krize, zgjedhjet e reja përmes peticionit marrin kohë

    Nevoja për zgjedhje të reja në katër komunat me shumicë serbe në Kosovë, ishte ndër pak gjërat për të cilat pati pajtim në takimet e ndara të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Krahas largimit nga Kosova ose burgosjes së ekstremistëve të dhunshëm, Kurti tha se inicimi i zgjedhjeve mund të ndodhë vetëm në pajtim me ligjin – ndërsa iu referua mundësisë për shkarkimin e kryetarëve me kërkesë të qytetarëve.

    Për largimin e kryetarit të komunës, sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, si hap i parë kërkohet shprehja e vullnetit përmes nënshkrimit të kërkesës nga së paku 20% e votuesve të regjistruar në atë komunë.

    Juristi Qëndrim Arifi shpjegon se zgjedhjet nuk shkaktohen në atë moment, pasi një kërkesë e suksesshme përcillet nga dy veprime të tjera kryesore, që marrin kohë.
    “Pasi që të zhvillohet ky peticion me sukses, kryesuesi i Kuvendit Komunal përkatës, ka për detyrë që ato rezultate të peticionit t’i dërgojë në KQZ. Pasi që KQZ-ja ta vlerësojë ligjshmërinë e atij peticioni dhe rezultatet e suksesshme të peticionit, atëherë KQZ-ja inicion jo-proces zgjedhor, por një lloj referendumi”, tha Arifi.

    Që zgjedhjet të mbahen, fillimisht, në referendumin për shkarkim duhet të votojnë më shumë se gjysma e qytetarëve me të drejtë vote.

    “Pasi që KQZ-ja i nxjerr rezultatet dhe i referon te Presidentja, atëherë Presidentja, në bazë të atyre rezultateve – nëse mbi 50% e qytetarëve me të drejtë vote kanë votuar për shkarkimin e tyre – automatikisht këta kryetarë kalojnë në kryetarë të përkohshëm. Nuk ecin në shtëpi, kushtimisht, ata mbesin, administrojnë si kryetar të dorëhequr, dhe presidentja brenda afatit ligjor shpallë zgjedhjet”, tha Arifi.

    Teksa si zgjidhje më të shpejtë përmend dorëheqjet eventuale nga kryetarët, opinionisti Bekim Kabashi vë theksin te kalimi nga dialogu për normalizim në dialog për menaxhim krizash.

    “Nuk është vetëm forma se si do të shpallen zgjedhjet, por paraprakisht edhe deeskalimi i situatës. Tash a do të tërhiqen kryetarët e komunave dhe njësia speciale nga ajo pjesë, dhe të lirohen policët e Kosovës, që kushtimisht janë kidnapuar nga Serbia, mbetet të shihet. Por, unë besoj se kjo do të ndodhë, sepse pas kidnapimit të policëve kemi njëfarë balance të përgjegjësisë sa i përket deeskalimit të situatës, por ajo që është shqetësuese është se procesi i paqes është lënë anash”, tha analisti Bekim Kabashi.

    Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok me pjesëmarrje 3.4% prodhuan katër kryetarë shqiptarë.

    Komuniteti serb, i cili bojkotoi zgjedhjet e 23 prillit, të mbajtura për shkak të dorëheqjes së kryetarëve paraprakë nga Lista Serbe, po i kundërshton kryetarët e rinj me protesta, në të cilat ka pasur dhunë ndaj gazetarëve, Policisë dhe KFOR-it. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Në AAB diskutohet për “dhunën”, gjinitë dhe mediat në Ballkan

    Në AAB diskutohet për “dhunën”, gjinitë dhe mediat në Ballkan

    Me gjithë përmirësimet e bëra viteve të fundit, dhuna seksuale dhe ajo me bazë gjinore, vazhdojnë të jenë fenomen shqetësues në vend.

    Të paktën kështu u vlerësua në tryezën publike, të organizuar nga Mediumi Francez “Courrier des Balkans” dhe Instituti “Musine Kokalari”, me temën: “Dhuna, gjinitë dhe mediat në Ballkanin Perëndimor.”

    Përfaqësues të Belgjikës, Zvicrës e Luksemburgut që ishin të pranishëm në Kolegjin AAB, theksuan rëndësinë e angazhimit të mëtejshëm, derisa grupet e margjinalizuara të mos ndihen të diskriminuar.

    “Në këtë seminar kemi mësuar shumë gjëra. E kemi vënë në pah progresin që është shënuar ndër vite. Por, mendoj se duhet të organizohet sërish ky seminar, dhe ne si Belgjikë të ndihmojmë në përmirësimin e të drejtave të Njeriut”, tha shefi i Zyrës Diplomatike të Belgjikës, Julien Sassel.

    “Shoqëria civile vazhdon të luajë rol kyç për të përmirësuar barazinë gjinore. Për t’ua mundësuar grave të ushtrojnë të drejta të barabarta, por edhe komuniteteve, siç është edhe LGBTI. Kemi ende tema tabu. Por, jemi të bindur që së bashku me mediat, do të mund ta përmirësojmë situatën, në mënyrë që grupet e margjinalizuara të shprehen më mirë”, tha zëvendësambasadorja e Zvicrës për Kosovë, Pauline Menthonnex – Gacaferri.

    Përmirësimet në dekadën e fundit, sipas Arian Lumezit, nga Instituti “Musine Kokalari”, duhet të përdoren si motiv për të arritur më shumë progres.
    “Duket që shoqëria jonë e ka arritur njëfarë pragu që duhet me kalu, për me shku në një tjetër shkallë të përmirësimit…”, tha Arian Lumezi nga Instituti “Musine Kokalari”.

    Përveç përfaqësive të këtyre shteteve, në panelin e parë të diskutimit, morën pjesë edhe gazetarë dhe udhëheqës të organizatave joqeveritare nga Kosova, Serbia e Shqipëria. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: