ATV

Tag: Ballina

  • ​Eksperti i sigurisë: Paviçeviq duhet të arrestohet menjëherë

    ​Eksperti i sigurisë: Paviçeviq duhet të arrestohet menjëherë

    Eksperti i sigurisë, Agim Musliu duke komentuar përfshirjen e Stevan Paviçeviq, udhëheqësit të “Mbrojtjes Civile”, në automjetin e Serbisë që u kap me armatim në veri të vendit, ka thënë se në Kosovë janë të pranishme të gjitha strukturat e sigurisë së Serbisë, por ato janë të maskuara.

    Musliu ka shkruar në Facebook se Serbia asnjëherë nuk e ka angazhuar ushtrinë as në Kroaci e Bosnje, por serbët lokalë i ka furnizuar me armë, para e mbi të gjitha urdhra e detyra.

    “Në Kosovë, duhet ta kuptojnë të gjithë se, janë të pranishme të gjitha strukturat e sigurisë së Serbisë, por ato janë të maskuara. Si ky rasti i fundit, kur vetura full municion, qenka e Hekurudhave te Serbisë apo që më vonë ia ka fal komunës ilegale të Istogut. Ani pse me targa të Beogradit. Këtë veturë e ka përdorur për sulme terroriste. Vet terroristi i strukturës së të ashtuquajturës Civilna Zaštita. Plus, bashkëpunëtor i qendrës së inteligjencës ruse GRU, në Nish. Ky farë Paviçeviçi duhet menjëherë të arrestohet dhe të sillet para gjyqit.

    Stevan Paviçeviq, udhëheqës i “Mbrojtjes Civile” i përfshirë në automjetin e Serbisë që u kap me armatim – ATV (atvlive.tv)

  • Stevan Paviçeviq, udhëheqës i “Mbrojtjes Civile” i përfshirë në automjetin e Serbisë që u kap me armatim

    Stevan Paviçeviq, udhëheqës i “Mbrojtjes Civile” i përfshirë në automjetin e Serbisë që u kap me armatim

    Një dokument që përfshin Stevan Paviçeviqin, shefin e organizatës së shpallur terroriste “Civilna Zastita”, është gjetur në automjetin Audi A6, përplot me arsenal armësh, e cila është kapur nga institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës në Zveçan, më 23 qershor 2023.

    Kosovapress ka siguruar kopjen e këtij dokumenti, i cili dëshmon për shfrytëzimin e automjetit AUDI A6 me targa BG-955-JW, nga Paviçeviq që në vitin 2016.

    Dokumenti është i tipit të fletë-udhëtimit, kur Paviçeviq, më 22.07.2016 e kishte plotësuar me dorëshkrim udhëtimin nga Mitrovica në qytetin e Çaçakut në Serbi. Dokumenti përmban edhe nënshkrimin e Paviçeviqit.

    Dokumenti ka gjithashtu edhe vulën e komunës ilegale të të ashtuquajturit Kuvendit Komunal të Istogut, Osojan – Republika e Serbisë.

    Përveç ekspozimit nga Policia e Kosovës të armëve dhe simboleve që ndërlidhen me organizatat e shpallura terroriste, Kosovapress ka mësuar se në automjetin Audi A6 me targa të Beogradit janë gjetur si prova edhe një varg të dhënash, që ndërlidhin një varg serbësh me furnizimin me armatim dhe me sulmet që janë bërë në komunat veriore muajin e fundit, si ndaj institucioneve të Kosovës, ashtu edhe ndaj KFOR-it dhe vetë serbëve lokalë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte akuzuar Serbinë për organizim terrorist, kurse më 29 qershor 2023, Qeveria e Kosovës i ka shpallur organizata terroriste, dy formacione serbe që veprojnë në veri, “Civilna Zastita” dhe “Severna Brigada”.

    Në anën tjetër, autoritetet serbe, Aleksandar Vuçiq dhe Petar Petkoviq e kanë quajtur rastin si fabrikim.

    Edhe Lista Serbe, në një komunikatë për opinionin, më 30 qershor 2023, duke reaguar për shpalljen e “Civilna Zastita” dhe “Severna Brigada”, si organizata terroriste nga Qeveria e Kosovës, i ka quajtur këto organizata si inekzistente.

     Historia e “Civilna Zastita”

    Sipas të dhënave që Kosovapress ka siguruar, “Civilna Zastita” ka funksionuar në veri të Kosovës vazhdimisht, megjithëse, në vitin 2015, sipas marrëveshjeve që ishin ndërmjetësuar nga Brukseli, në mes të Kosovës dhe Serbisë, ajo do të duhej të shuhej më 1 shtator 2015. Ndërkohë, punëtorët e “Civilna Zastita” më pas ishin integruar në institucionet e Kosovës – kryesisht në Policinë e Kosovës.

    “Civilna Zastia” në Serbi funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

    Mirëpo, sipas të dhënave të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, “Mbrojtja Civile” në Kosovë përbëhej nga pjesëtarë, të cilët kishin kaluar trajnime ushtarake dhe konsideroheshin shumë të rrezikshme për sigurinë e Kosovës.

    Në fillim kishte rreth 500 anëtarë, por pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, ky numër ishte rritur në mbi 750 në vitin 2013 dhe 2014.

    Përveç se është pjesë e MPB-së së Serbisë, “Civilna Zastita” ka shënuar bashkëpunim të afërt edhe me Federatën e Rusisë.

    Më 27 prill 2014, pikërisht Stevan Paviçeviq, si shef i “Civilna Zastita” dhe kryetari i tashëm i Listës Serbe, Goran Rakiq kishin pranuar 10 automjete si donacion nga Rusia, përkatësisht qendra e njohur nga Perëndimi si qendër spiunazhi, e ashtuquajtura “Qendra Humanitare Ruso-Serbe”.

    Pranim-dorëzimi ishte realizuar pikërisht në Nish, qytetin ku e ka selinë ende kjo qendër.

    Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një emision televiziv në Serbi, një ditë pasi serbë kishin zhveshur uniformat e Policisë së Kosovës në veri, më 6 nëntor 2022, kishte deklaruar se “tash gjithçka është në duart tona… Ku ta dimë, ndoshta duhet ta kthejmë Civilna Zastita”.

  • Komandant Remi ftohet për të dëshmuar në Hagë

    Komandant Remi ftohet për të dëshmuar në Hagë

    Me ftesë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Rrustem Mustafa do të paraqitet në Hagë për të dëshmuar rreth organizimit të UÇK-së dhe pretendimeve të prokurorisë në procesin gjyqësor kundër ish krerëve të UÇK-së.

    Ish komandanti i Zonës së Llapit e ka konfirmuar se do të udhëtoj në Hagë.

    “Javën e ardhshme jam ftuar të dëshmoj në Hagë. Do ta mbroj të vërtetën e luftës së UÇK-së”, ka thënë Mustafa.

  • Suedia përfundon Presidencën e KE, Osmani: Faleminderit për angazhimin për stabilitet në Evropë

    Suedia përfundon Presidencën e KE, Osmani: Faleminderit për angazhimin për stabilitet në Evropë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur falënderim për shtetin e Suedisë me rastin e përfundimit të Presidencës së Këshillit Evropian nga ana e këtij shteti.

    “Derisa Suedia përfundon presidencën e saj, unë e falënderoj kryeministrin Ulf Kristersson për lidershipin e tij dhe angazhimin për siguri dhe stabiliteti në Evropë”, është shprehur Osmani.

    “Shohim drejt vazhdimit të përpjekjeve tona për ta sjellë Kosovë ne afër BE-së gjatë vitit 2023”, ka shtuar ajo, duke e uruar Spanjën për marrjen e kryesimit të institucionit evropian.

  • Peci: Mbi 2 milionë euro, vlera që po implementohet përmes granteve për fermerët e Vushtrrisë

    Peci: Mbi 2 milionë euro, vlera që po implementohet përmes granteve për fermerët e Vushtrrisë

    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se2.6 milionë euro është vlera që po implementohet përmes granteve për fermerët e Komunës së Vushtrrisë.

    Tutje, Peci është shprehur se po vazhdojnë me përkushtimin në këtë fushë.

    “2.6 milionë euro është vlera që po implementohet përmes granteve vetëm për fermerët e Komunës së Vushtrrisë! 100,000.00€ është vlera që Faik Pronaj me dy djemtë e tij nga fshati Stanovc i Epërm i Komunës së Vushtrrisë ka përfituar nga Programi për Zhvillim Rural 2022 / Grante, për investime në makineri bujqësore. Përkushtim, zhvillim e jetësim”, thuhet në shkrimin e tij.

  • Rama: Ballkani i Hapur e ka kryer misionin për të cilin lindi, tani të futemi në Procesin e Berlinit

    Rama: Ballkani i Hapur e ka kryer misionin për të cilin lindi, tani të futemi në Procesin e Berlinit

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar sot se nisma “Ballkani i Hapur” e ka përfunduar misionin për të cilin ka lindur, e që thotë se ka qenë për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit.

    Rama thotë se tash rruga kryesore është Procesi i Berlinit, duke përmendur se Samiti mbahet në Tiranë këtë vit.

    “Procesi i Berlinit është tani më aksi ynë kryesor. “Ballkani i Hapur” ishte një iniciativë e cila lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit, dhe e ka kryer tani atë mission për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit, sepse e kemi këtë mundësi, e kemi në Tiranë. Kemi mundësinë ta zotërojmë si proces, me mbështetjen e madhe që kemi nga Gjermania, nga Kancelari Scholz por edhe nga gjithë të tjerët”, ka thënë Rama, në një intervistë për Euroneës Albania.

    Ai tha se do të realizojë vizita në të gjitha shtetet e rajonit, për t’u takuar me kryeministrat dhe presidentët, dhe për t’i njoftuar se çka po bëhet në këtë drejtim.

    “Procesi i Berlinit, është e ardhmja jonë, unë po përgatitem të bëj një tur në rajon,. Dua të shkoj t’I takoj të gjithë kryeministrat edhe presidentët, edhe në Shkup, edhe në Prishtinë, edhe në Beograd edhe në Sarajevë edhe në Podgoricë, për t’i informuar lidhur me çka po bëjmë”, ka deklaruar Rama.

    Nisma për bashkëpunimin rajonal “Ballkani i hapur”, e cila përfshin Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, është marrë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në tetor të vitit 2019.

    Nisma fillimisht është quajtur “Mini Schengen” dhe ajo parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tri vendeve.

    Në korrik të vitit 2021, në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal në Shkup, nisma ka marrë emrin e ri, “Ballkani i hapur”.

    Kosova ka qenë kundër kësaj nisme që nga fillimi.

  • IKD: Qeveria përmbushi 42% të agjendës së planifikuar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2023

    IKD: Qeveria përmbushi 42% të agjendës së planifikuar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2023

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thekson se Qeveria e Kosovës ka përmbushur 42% të programit legjislativ për gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, ku përfshihen 34 projektligje të miratuara nga 78 të planifikuara.

    Në raportin e IKD-së thuhet se Qeveria nuk përmbushi standardet e konsultimit publik në afërsisht 50% të projektligjeve.

    “Qeveria e Kosovës e ka miratuar programin legjislativ me 25 janar 2023, përderisa me 11 janar 2023, ajo ka miratuar dy projektligje ende pa miratuar programin legjislativ. Deri në fund të muajit qershor, Qeveria ka përmbushur vetëm 42% të agjendës legjislative të paraparë për gjashtë mujorin e parë të vitit 2023.

    Sipas agjendës legjislative, Qeveria kishte planifikuar miratimin e 78 projektligjeve deri në muajin qershor.  Përderisa, deri më 30 qershor 2023, Qeveria  ka miratuar 33 prej tyre, apo 42% të projekt-ligjeve të planifikuara.  Qeveria gjatë kësaj periudhe kohore ka miratuar një projekt-ligj të planifikuar për muajin shtator të këtij viti”, thuhet në raport.

    IKD thekson se edhe përkundër obligimit ligjor që projekt ligjet e inicuara nga ana e qeverisë dhe ministrive të linjës të kalojnë përmes konsultimit publik, nga 34 projektligjet e miratuara në Qeveri, IKD ka gjetur se 21 prej tyre është dashur t’i nënshtrohen procesit të konsultimit publik, gjë që e ka bërë vetëm në 11 raste apo 52% të rasteve, derisa ky obligim nuk ka vlejtur në raport me 13 projektligje që kanë të bëjnë me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

    “Vetëm gjatë këtij gjashtë mujori të parë të vitit 2023, Qeveria e Kosovës ka plotësuar dhe ndryshuar tre herë programin legjislativ.  Programi Legjislativ i miratuar me 25 janar të këtij viti fillimisht përmbante 100 projektligje, por pas ndryshimit dhe plotësimit të programit legjislativ me 31 janar 2023, 9 mars 2023, dhe me 12 prill 2023 nga ana e Qeverisë dhe pas miratimit të projektligjeve jashtë planifikimeve, numri i projektligjeve të planifikuara për miratim deri në fund të vitit 2023, arriti në 131 projektligje”.

    Po ashtu sipas raportit të IKD-së, Qeveria nuk përfshiu në programin legjislativ për vitin 2023, 26 projektligje, të cilat kanë qenë në plan programin legjislativ për vitin 2022, dhe të cilat nuk janë miratuar gjatë vitit të cekur.

    “Në mesin e këtyre projektligjeve janë ai për Këshillin Ekonomiko-Social, projektligji për Inspektoratin e Punës, projektligji për Shërbimet Sociale dhe Familjare, projektligji për Vlerësimin, Njohjen e Statusit, Përfitimet dhe Shërbimet për Personat me Aftësi të Kufizuar.

    Më tutje, Qeveria nuk përfshiu miratimin e ndryshimeve dhe plotësimeve në Ligjin për  Policinë, në Ligjin për Institutin e Kosovës për Administratë Publike, në Ligjin për Ripranim, në Ligjin për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës, në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, në Ligjin për Organizimin e Institutit Bujqësor të Kosovës, Projektligjin për Zonat Ekonomike, Projektligjin për Nxitjen dhe Mbrojtjen e Investimeve, Projektligji për Inovacion dhe Ndërmarrësi, Projektligjin për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë”, thuhet në raport.

    Ministritë të cilat nuk i përfshinë në agjendën legjislative projektligjet nga viti 2022 janë: Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Ministria e Ekonomisë (ME).

    Lista e projekt-ligjeve që janë paraparë për miratim gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2023, përfshinë ligje që ndërlidhen me përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare në procesin e integrimit evropian por edhe ligje tjera me interes publik në sferën e shërbimit të jashtëm, drejtësisë, medias, politikave sociale, pensionale dhe të shëndetësisë, etj.

    Instituti i Kosovës për Drejtësi thekson më tej se Lista e ligjeve të mbetura, përfshinë, Projekt Kodin Civil, Projektligjin për Shërbimin e Jashtëm, Projektligjin e punës, Projektligjin për Diasporën, Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, Projektligjin për Noterinë, Projektligjin për Gjykatat, Projektligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligjin për të Huajt, Projektligjin për Gjendjen Civile, Projektligjin për Shëndetësi, Projektligjin për Sigurime Shëndetësore, Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Shëndetësisë, Projektligjin për vlerësimin dhe shqyrtimin e akteve të komunave, Projektligjin për Banimin Social, Projektligjin për Inspektoratin për Mbikëqyrjen e Tregut, Projektligjin për Regjistrin e Pronarëve Përfitues, Projektligjin për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë etj.

    Sa i përket nivelit të zbatimit të programit legjislativ nga ministritë përkatëse, IKD gjen se nivelin më të lartë të miratimit të projektligjeve e ka arritur Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me 100% të projektligjeve të miratuara, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me 100%, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me 100%, Zyra e Kryeministrit me 75%, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me 57 %, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me 43%, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës me 25% etj.

    Ndërkaq, asnjë projektligj, përkundër planifikimeve nuk ka arritur ta procedojë për miratim Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Ekonomisë.

    IKD, gjen se në një rast Qeveria e Kosovës, në kundërshtim me afatet e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, vendos për Projektligjin për Skemat Pensionale, duke rrezikuar të drejtat e mijëra pensionistëve.

    “Më 30 dhjetor 2023, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi paragrafin 2 të nenit 8 te Ligjit nr.04/L-131 për Skemat Pensionale, sepse në mënyrë diskriminuese përmes këtij neni mijëra qytetarë, duke mos e përmbushur kriterin e përvojës prej 15 viteve pune para janarit të vitit 1999 nuk e kanë gëzuar pensionin kontribut dhënës, por vetëm atë të moshës. Gjykata urdhëroi Kuvendin dhe Qeverinë që të nisin ndryshimet për këtë ligj dhe që këto ndryshime të bëhen jo më larg se data 15 korrik 2023.

    Përkundër premtimeve të qeverisë, projektligji ende nuk është miratuar nga ana e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës”, thuhet më tej.

    IKD, gjen se në një rast tjetër, në kundërshtim me Kushtetutën dhe duke u arsyetuar në miratimin e një neni të caktuar në Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2023, Qeveria nuk i kishte transferuar të hyrat vetanake të komunave, duke bërë që mjetet, të cilat komunat i kanë mbledhur nga viti 2022 dhe vitet e tjera paraprake të bëhen pjesë e buxhetit qendror.

    Sipas Kushtetutës së Kosovës, komunat e kanë të drejtën e vendosjes, caktimit, mbledhjes dhe shpenzimit të të hyrave vetanake dhe në të njëjtën kohë të marrin fonde nga Qeveria e Kosovës.

  • Kosova jashtë programit 7.5 miliardësh të BE-së, Hoti: Dëm i madh

    Kosova jashtë programit 7.5 miliardësh të BE-së, Hoti: Dëm i madh

    Kosova është lënë jashtë programit 7.5 miliardë euro të financuar nga BE-ja.

    Bëhet fjalë për programin “Europa Digjitale”, një projekt ky shumë i rëndësishëm për bizneset dhe institucionet e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    Sipas deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, ky është “dëm i madh”.

    “Dëm i madh që Kosova nuk është pjesë e Programit të Evropës Digjitale të BE-së”,  ka shkruar ai, në një postim në “Facebook”.

    Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje sot në Bruksel qytetarët, bizneset dhe institucionet publike e vendeve të rajonit që morën pjesë në këtë takim, do të kenë mundësi të aplikojnë në programin e financuar nga Bashkimi Evropian.

  • VV-ja thotë se BE-ja s’po i trajton barabartë Kosovën e Serbinë – Opozita shqetësohet për masat

    VV-ja thotë se BE-ja s’po i trajton barabartë Kosovën e Serbinë – Opozita shqetësohet për masat

    Masat e paralajmëruara për Kosovën nga Bashkimi Evropian po vlerësohen se janë bërë për fajin e politikave të “pamenduara” nga kryeministri Albin Kurti. Kurse, Lëvizja Vetëvendosje konsideron se Bashkimi Evropian nuk po i trajton barabartë Kosovën dhe Serbinë.

    Nga opozita thonë se Kosova s’ka qenë asnjëherë në situatë më të rëndë politike se sa sot, ndërsa kërkojnë të gjendet një zgjidhje tjetër për situatën e krijuar në veri të vendit.

    Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se Bashkimi Evropian nuk po i trajton barabartë dy shtete që janë në proces të dialogut.

    Ajo thotë se institucionet e Kosovës kaherë i kanë prezantuar brengat në raport me Serbinë, por që nuk janë ndërmarrë masa për shkak të zhvillimeve gjeopolitike dhe tendencës për ta larguar Serbinë nga Rusia.

    “Masat e paralajmëruara nga Bashkimi Evropian paraqesin në esencë pabarazinë elementare të trajtimit nga ana e Bashkimit Evropian të dy vendeve të cilat janë në proces të dialogut me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Është bërë një kohë që ne kemi prezantuar brengat tona në raport me njëanshmërinë qoftë të ndërmjetësit apo edhe të procesit duke u akomoduar shumë e shumë kërkesa të Serbisë në një kontekst të zhvillimeve gjeopolitike për ta tërhequr Serbinë më shumë afër vetes për ta larguar nga Rusia”, ka deklaruar ajo.

    Shefja e deputetëve thotë se këto masa mund të ndikojnë edhe tek shtetet tjera që duan ta shtrijnë sovranitetin në territorin e tyre. Ajo ka përmendur edhe sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe mediave.

    “Përkundër që pamë zhvillimet e vazhdueshme edhe këto të fundit në raport me ngjarjet në veri edhe përgjegjësit që u panë dukshëm, përfshi edhe sulmet jo vetëm ndaj ushtarëve dhe policisë por edhe ndaj mediave të lira dhe deklaratat e presidentit Vuçiq që në njëfarë mënyre arsyeton sulmet në fjalën e lirë dhe në mediat, përfshi sulmet fizike, prapë BE e ndjen se është shumë e lehtë të ndikohet në Kosovën apo në presion mbi Kosovën në masa të cilat siç thonë ata do të jenë në periudhë të shkurtër dhe jo me efekt afatgjatë në rast se ka ndryshim në terren, gjë që nuk është vetëm në ndikim të masave por në fakt vendosja në një trajtim të sistemit të vlerave që është dekurajuese për demokracinë, është dekurajuese për shtetet të cilat mundohen të përmirësojnë funksionimin e brendshëm e këtu është edhe specifika e shtrirjes së sovranitetit në tërë territorin e republikës dhe ruajtja e ligjshmërisë së proceseve siç është ai zgjedhor”, thotë Kusari-Lila.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, thotë se Kosova ka ende kohë që t’i ikë sanksioneve të BE-së. Për këtë, Shala kërkon veprime nga ekzekutivi.

    “Puna e parë ne do të dëshironim që këto të mos fillonin të realizoheshin, besoj që ka edhe pak kohë që kryeministri të reflektojë dhe të kthehet në normalitet politik dhe t’i kthehet bashkëpunimit me ndërkombëtarë. Ka agjenda, ka mundësi e hapësirë që janë të gatshëm që urgjentisht të veprojnë në mënyrë që mos t’i ndodh kjo që pritet t’i ndodh Kosovës. Nëse ndodh, fatkeqësisht është dëm i madh social, ekonomik e politik sepse asnjëherë nuk ka ndodhur që Kosova të gjendet para aktit të tillë kur partnerët që e kanë ndihmuar historikisht në ngritjen e këtij shteti, sot të fillojnë me masa ndëshkuese”, thotë Shala, teksa shprehet se Kosova nuk i ka kapacitetet që ta ketë kundërshtarë Bashkimin Evropian.

    “Gjendja jonë ekonomike si shtet i ri nuk e meriton dhe nuk mund ta përballojë që ta kemi kundërshtarë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është jologjike edhe në kuptimin njerëzor, por edhe politik e veçanërisht ekonomik, me pretenduar që mund t’i bëjmë ballë sfidave dhe sanksioneve evropiane. Andaj edhe një herë i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës, që të reflektojë urgjentisht që kjo mos t’i ndodh Kosovës”, thotë tutje ai.

    Ai, veprimet e kryeministrit Kurti në veri të vendit i konsideron populiste dhe në dëm të shtetësisë. Ai vazhdon t’i quajë të dëmshme marrëveshjet e arritura në Bruksel e Ohër.

    “Kryeministri duhet ta ketë të qartë që çdo rrugëtim i joni shtetndërtues në këtë punë, i lirisë së Kosovës është me partnerët dhe nuk guxojmë në asnjë rast ta rrezikojmë këtë sepse e kemi rrezikuar shtetin dhe lirinë tonë e zhvillimin tonë ekonomik. Gabimet janë krejtësisht politike të kësaj Qeverie e cila nuk ka qartësi as në veprim e as në parandalim dhe sot ne po jetojmë me politika populiste ekstreme të lokalizuara në një zonë të Kosovës, ku parimisht kryeministri ka pasur tjetër qëndrim derisa ka ardh në pushtet dhe sot. Mbi të gjitha, kryeministri tashmë është i vetëdijshëm, me marrëveshjet që i ka nënshkruar në Bruksel dhe Ohër ka gabuar rëndë, ka bërë marrëveshje në dëm të Kosovës, ka pranuar realisht një autonomi që nuk ka qenë asnjëherë temë e diskutimit, ka pranuar një autonomi tjetër për kishat ortodokse serbe dhe i gjendur para këtyre gabimeve, po orvatet ta zhvendos vëmendjen me krizat tjera e të cilat parimisht është duke i improvizuar dhe duke i shkuar përshtati shumë edhe Serbisë por veçanërisht kundërshtarëve të shtetit të Kosovës”, thotë Shala.

    E deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, thotë se LDK-ja nuk e përkrah ekzekutivin për të qenë kundër partnerëve ndërkombëtarë.

    Thotë se Kosova është dashur të mendojë për investime të reja e jo për sanksione.

    “Në vend se të flitet për aplikime në organizata ndërkombëtare, të flitet për investime të reja, ne sot presim sanksione nga Bashkimi Evropian, kjo është tejet shqetësuese për qytetarët e Kosovës. Kryeministri Kurti do duhej të ulej dhe të dakordohej me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian dhe të qetësohej gjendja në veri sepse kështu nuk shkon”, thotë Krasniqi.

    “Ne si Lidhje Demokratike e Kosovës e kemi përkrah kryeministrin në të gjitha proceset integruese por nuk e kemi përkrah që të jetë kundër aleatëve tanë ndërkombëtarë dhe ai do duhej të ulej dhe të dakordohej me ta, në mënyrë që të ecin proceset integruese sepse fatkeqësisht procesi i dialogut po del të jetë i lidhur me krejt proceset tjera integruese, Këshillin e Evropës, anëtarësimin në Bashkimin Evropian e organizatat tjera, sepse ne për dy vite e gjysmë nuk e kemi pas asnjë progres sa i përket politikës së jashtme, kemi pasur vetëm regres, e arsyeja kryesore është vetëm Kurti me aventurat e tij”, thotë tutje Krasniqi.

  • Sivjet fillon ndërtimi i Spitalit të Prishtinës, komuna ka ndarë pronën dhe buxhetin

    Sivjet fillon ndërtimi i Spitalit të Prishtinës, komuna ka ndarë pronën dhe buxhetin

    Ndërtimi i Spitalit të Prishtinës do të nisë këtë vit. Komuna është në fazën përfundimtare të planifikimit, teksa janë ndarë prona dhe buxheti – një milion e treqind mijë këtë vit dhe pesë milionë vitin e ardhshëm. Kështu ka bërë të ditur drejtori i Shëndetësisë së Prishtinës, Izet Sadiku.

    Sadiku ka thënë se përderisa kryeqyteti nuk ka nevojë për qendra të reja të mjekësisë familjare, sidomos pas hapjes së QMF-së së re në Veternik, një spital do të ishte më së i nevojshëm, jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë vendin. Ai këtë projekt e ka cilësuar si një ndër më të mëdhatë në shëndetësi, që nga periudha e pas luftës.

    “Sipas shtrirjes së rrjetit, tash për tash, nuk ka nevojë për qendrat e mjekësisë familjare. Ajo që kemi nevojë ne dhe që jemi duke e bërë është Spitali i qytetit, që Prishtina nuk e ka. Sivjet do ta fillojmë ndërtimin e Spitalit të qytetit, jemi në fazën përfundimtare të bërjes së planit në detaje, me një kompani që është përzgjedhur”.

    “Kemi ndarë pronën, kemi ndarë një milion e treqind mijë këtë vit dhe pesë milionë vitin e ardhshëm për ta filluar ndërtimin e Spitalit të qytetit. Është një prej projekteve më të mëdha të shëndetësisë pas luftës besoj për kryeqytetin por edhe në nivel të vendit”, ka thënë ai.

    Sadiku për EO foli edhe për hapjen e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Veternik, e cila përpos shërbimeve bazike, do të ofrojë edhe shërbime të vaksinimit, radiologjisë, rëngënit, memografisë e shërbime emergjente.

    Ai tha se disa nga aparatet që janë në posedimin e kësaj Qendre, janë në mesin e të paktëve që ka Kosova.

    Ndërsa, si një veçanti tjetër ai ka përmendur se kjo është qendra e parë që do të funksionojë sipas sistemit të konceptit të mjekësisë familjare, i akredituar nga Mbretëria e Bashkuar. Qendra do të punojë cdo ditë prej orës shtatë deri në ora tre, pra tetë orë në ditë e nuk do të ketë ndërrim të pasdites e as të natës.

    “Hapja e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Vetërnik ka qenë një prej premtimeve të kryetarit Rama. Tendenca e zhvillimit të Prishtinës është në pjesën e Veternikut dhe qytetarët e kësaj pjese të Prishtinës nuk kanë pasur shërbime shëndetësore të afërta, ata është dashur t’i marrin ato në Dardani apo në qendra të tjera”.

    “Më 21 qershor të këtij viti, në Ditën e Shëndetësisë së Prishtinës ne e kemi hapur qendrën e mjekësisë familjare.Ka shërbime të mjekësisë familjare, shërbimet e vaksinimit, ka shërbimet e radiologjisë, kemi një rëngën, është rëngën shumë specifik që të tillë Kosova ka tre ose katër, pastaj kemi një memograf për realizimin e mamografisë, aparati i tretë i memografisë që e kemi në kryeqytet, pastaj janë shërbimet e urgjencës, janë shërbimet e terapisë infusive”, është shprehur Sadiku.

    Ai ka treguar edhe për disa qendra të cilat janë duke u rinovuar në Prishtinë dhe shërbimet e reja të cilat po planifikohen të shtohen për qytetarët.

    “Kemi renovuar qendrën e parë të mjekësisë familjare, qendrën e njëmbëdhjetë, jemi duke bërë renovime në qendrën e mjekësisë famijare në Hajvali, në Matiqan, kemi filluar renovimin në Velani dhe pastaj në Kodër të Trimave, renovimin në Bardhosh. Do ta krijojmë një laborator dhe renovime do të bëjmë gjatë gjithë vitit”.

    Sadiku tha se qendrave të mjekësisë familjare po planfikohet t’u shtohet edhe shërbimi për logopedi dhe fizioterapi.

    “Po fillojmë këtë vit të planifikojmë që me bashkëpunëtorë të bëjmë shërbimin për logopedi. Kemi biseduar me një organizatë e cila merret me shërbimin e logopedisë dhe në bashkëpunim me ta. Jemi duke biseduar dhe duke e përgaditur që me Odën e Fizioterapeutëve të Kosovës për t’i filluar shërbimet fizioterapeutike edhe në Prishtinë. Këto do të jenë shërbime të reja që mendojmë t’i fillojmë sivjet”.

    Ai po ashtu tha se laboratorët kanë filluar të punojnë çdo ditë të javës, krahasuar me më herët kur kanë punuar vetëm një ditë. Përveç kësaj, Sadiku tha se janë shtuar edhe disa lloje analizash, si ato për gjëndrrën tiroide dhe për matjen periodike të sheqerit.

    “Kemi filluar t’i ofrojmë edhe shërbimet e laboratorit këtu në Prishtinë. Kemi filluar t’i ofrojmë edhe analizat e gjëndrrës tiroide, T4, T3, dhe TSH-në çdo ditë të javës nga e hëna në të premten, ndërsa më parë janë bërë vetëm një ditë në javë. Edhe një analizë që është për matjen periodike të sheqerit. Kështu që kërkesat janë rritur 100 përqind për hormon të tiroides dhe 400% kemi më shumë analiza për përcaktimin e sheqerit në gjak”.

    Sadiku foli edhe për shërbimet shtëpiake të cilat tha se janë rritur për 60 për qind që nga viti i kaluar. Kjo, sipas tij, është pasojë e zgjatjes së orarit nga tetë orë për pesë ditë të javës, në dymbëdhjetë orë, shtatë ditë të javës.

    “Shërbimet shtëpiake janë shumë të rëndësishme për ne. E kemi rritur këtë shërbim, i cili ka punuar pesë ditë të javës nga tetë orë. Prej 1 marsit të vitit të kaluar, ky shërbim funksionon dymbëdhjetë orë, shtatë ditë të javës. Vitin e kaluar kemi pasur rritje 60% në shërbime, sesa një vit më parë. Kemi pasur 45 mijë e 214 shërbime për një vit apo mesatarisht 120 shërbime në ditë”, ka thënë ai.