ATV

Tag: Ballina

  • Propozimi i Ramës për konferencë ndërkombëtare, Kryeministri Kurti reagon për herë të parë

    Propozimi i Ramës për konferencë ndërkombëtare, Kryeministri Kurti reagon për herë të parë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e cilëson idenë e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë si një zgjidhje potenciale për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, por thotë se zgjidhja është zbatimi i marrëveshjes së arritur në Bruksel.

    “Ne kemi pasur konferenca ndërkombëtare në të kaluarën dhe tash kemi një marrëveshje bazike, nga 27 shkurti i këtij viti në Bruksel dhe gjithashtu nga 18 marsi në Ohër me aneksin e zbatimit”, tha Kurti, gjatë një vizite në Prizren.

    Ai shtoi se ajo çfarë duhet bërë është që pa kushte të zbatohet ajo marrëveshje bazike në tërësinë e saj dhe në mënyrë të drejtë.

    “Krejt çfarë duhet bërë është që pa kushte të zbatohet ajo marrëveshje bazike në tërësinë e saj dhe në mënyrë fer [të drejtë] e të balancuar. Kjo duhet të bëhet, dhe ne për këtë angazhohemi në Bruksel në takimet që kemi”, shtoi ai.

    Idenë për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë e shpalosi më 27 qershor kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Atë ditë, Rama bisedoi në Bruksel më zyrtarë të lartë evropianë, përfshirë presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili mbështeti këtë ide.

    “Mendoj se ka ardhur koha të kemi një qasje globale dhe të bëjmë hapa të qartë drejt normalizimit [të marrëdhënieve Kosovë-Serbi]”, tha Michel më 29 qershor.

    Kosova dhe Serbia janë pajtuar në shkurt të këtij viti në Bruksel për një Marrëveshje bazë për normalizimin e marrëdhënieve. Më pas, në mars në Ohër, ato janë pajtuar edhe për aneksin e zbatimit.

    Por, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë i ka shtuar situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe. Tash e një muaj, banorët lokalë atje kundërshtojnë kryetarët shqiptarë të komunave, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.

    Protestat e tyre janë përshkallëzuar edhe në përleshje të dhunshme mes demonstruesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR. Ka pasur, po ashtu, disa raporte për sulme me granata dore dhe mjete të tjera në atë zonë.

    Kosova dhe Serbia kanë fajësuar njëra-tjetrën për situatën e krijuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ka hedhur përgjegjësinë kryesisht mbi Kosovën.

    BE-ja, më herët, ka dalë me një plan për uljen e tensioneve, i cili, mes tjerash, përfshin shpalljen e zgjedhjeve të reja në veri dhe tërheqjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës nga zona. Plani kërkon, po ashtu, nga Serbia që të sigurojë pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja eventuale. Komuniteti serb i ka bojkotuar zgjedhjet e prillit.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur pro mbajtjes së zgjedhjeve të reja, por, siç ka thënë, brenda kornizave ligjore të shtetit.

    Kurti vazhdimisht këmbëngul se “nuk mund të bëjë kompromise me republikën demokratike”./REL

  • BE-ja konfirmon se masat ndaj Kosovës kanë hyrë në fuqi

    BE-ja konfirmon se masat ndaj Kosovës kanë hyrë në fuqi

    Një zëdhënës i Bashkimit Evropian në një përgjigje për Gazetën Express ka konfirmuar se Bashkimi Evropian ka marrë disa masa për Kosovën për shkak të mos marrjes së veprime për de-eskalim të situatës në Veri të Kosovës.

    Siç është konfirmuar, është pezulluar përkohësisht puna në organet punuese në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, gjithashtu Kosova nuk do të ftohet në takimet të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen.

    Ndërkohë takimet që s’do të pezullohen janë ato që janë të fokusuara në adresimin e Kosovës në veri të Kosovës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

    “Kemi pezulluar përkohësisht punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë ky zëdhënës i BE-së për Gazetën Express.

    Gjithashtu ka konfirmuar se program i fondeve për Kosovën në kuadër të IPA 2024 janë suspenduar. Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), siç ka konfirmuar ky zëdhënës i BE-së, s’janë dorëzuar fare për shqyrtim në Bordin e WBIF në takimin e mbajtur më 29 dhe 30 qershor.

    “Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të ushtrimit programor IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje. Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e WBIF më 29-30 qershor”, ka thënë ky zëdhënës.

    Për këto masa BE-ja ka njoftuar institucionet e Republikës së Kosovës më 28 qershor, ka konfirmuar ky zëdhënës i BE-së për Express.

    Hyrjen në fuqi të këtyre masave e ka konfirmuar dje menjëherë Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhiley, kur ka treguar se Kosova s’është përfshirë në ndarjen e një fondi 2.1 miliardë euro që është mirtaur dje nga Bordi Operativ i Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).

    Ky zëdhënës i BE-së, ka sqaruar se masat e vendosura ndaj Kosovës janë të përkohshme dhe të kthyeshme në varësi të zhvillimeve në terren dhe vendimet për de-eskalim që mund të merren nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    “Këto masa janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme në varësi të zhvillimeve në terren dhe vendimeve për deeskalim të marra nga kryeministri Kurti”, kanë thënë nga Brukseli.

    Ndërkohë thuhet se Bashkimi Evropian është duke monitoruar nga afër edhe përmbushjen e kërkesave të Brukselit zyrtar nag Serbia, dhe se janë të gatshëm që të marrin masa nëse s’do të ndodh një gjë e tillë.

    “BE-ja po monitoron gjithashtu nga afër përmbushjen e kërkesave tona nga Serbia dhe është e gatshme të marrë masa në rast të mospërputhjes”.

    Ky zëdhëns i BE-së ka thënë se situata në veri të Kosovës është duke e shqetësuar në mënyrë serioze BE-në, siç është shprehur edhe nga Përfaqësuesi i Lartë Josep Borell më 3 qershor në emër të 27 shteteve anëtare.

    Nga Brukseli zyrtar për Express kanë thënë se s’mund të përballojnë paqëndrueshmëri, tensione dhe dhunë.

    “Ne kemi dënuar dhunën dhe vazhdojmë thirrjet për de-përshkallëzimin e menjëhershëm nga të dyja palët. Përfaqësuesi i Lartë Borell në emër të vendeve anëtare të BE-së ishte shumë e qartë për hapat e pritshëm për de-përshkallëzimin e menjëhershëm”, ka thënë tutje ky zëdhënës i BE-së.

    Bashkimi Evropian pret nga Kosova që të veprojë për de-përshkallëzim dhe të pezullojë operacione policore në afërsi të objekteve komunale në veri të Kosovës, që kryetarët e e komunave duhet të kryejnë përkohësisht detyrat e tyre nga objekte të ndryshme dhe zgjedhjet e parakohshme të shpallen sa më shpejt në katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithpërfshirëse.

    “Kjo do të thotë me pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës”, ka thënë ky zëdhënës i BE-së.

    Këtu përmendet që është thelbësore që të bëhet zbatimi i shpejt i Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

    Nga Brukseli thonë se Kosova fatkeqësisht nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm, prandaj Josep Borell siç ka treguar në emër të shteteve anëtare, ka vendosur të zbatojë një sërë masazh.

    “Kosova fatkeqësisht ende nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm. Prandaj BE-ja – siç tregohet në deklaratën e HRVP-së në emër të shteteve anëtare të 3 qershorit – ka vendosur të zbatojë masat ndaj Kosovës”, përfundon ky zëdhënës i BE-së për Express.

  • 33 vjet nga Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut

    33 vjet nga Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut

    Sot mbushen 33 vjet që kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut.

    Në këtë ditë historike, Kosova është shpallur njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.

    Deklarata e 2 Korrikut 1990 ishte akti që ka shënuar hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili është zhvilluar jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake.

    Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave e kanë shpallur në Prishtinë 111 delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës.

    Deklarata ka shënuar edhe pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme në federatën jugosllave.

  • Ish-ambasadori i Holandës Bosch, vlerëson se Kosova duhet t’i zbatojë kërkesat e ndërkombëtarëve

    Ish-ambasadori i Holandës Bosch, vlerëson se Kosova duhet t’i zbatojë kërkesat e ndërkombëtarëve

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    Ish-ambasadori i Holandës Robert Bosch, vlerëson se Kosova duhet t’i zbatojë kërkesat e ndërkombëtarëve, sado të padrejta që mund të jenë ato, marrë parasysh paralajmërimet për sanksione. Veç kësaj, holandezi shprehet i bindur se Kosova duhet të gjejë rrugëdalje në këtë situatë, pavarësisht se po vuan pasojat e veprimeve të Serbisë.

    Në Kosovë punoi deri në vitin 2015. Pavarësisht kësaj, Robert Bosch, vazhdon të jetë i lidhur me vendin në të cilin shërbeu, derisa interesohet edhe për krizat politike që kalon.

    Marrë parasysh përvojën e gjatë politike, ish-ambasadori i Holandës, megjithëse e konsideron të padrejtë presionin drejt Kosovës, sugjeron që të dëgjohet faktori ndërkombëtar.

    “Ju jeni ndëshkuar që nuk keni bërë saktësisht atë që ju është thënë dhe sigurisht siç thash, mendoj se është shumë e padrejtë ajo që po ju kërkohet, por sipas meje, ju lutem bëjeni atë gjithsesi, sepse çfarë është gjëja kryesore që kërkojnë dhe që nuk po bëni është të tërhiqni forcat speciale te policisë dhe të gjithë të tjerat. Pra, dua të them, ju duhet të dorëzoheni në këto gjëra, nëse bëni atë që thonë ata, ata nuk mund të zemërohen më me ju, dhe pastaj mbani këto zgjedhje të reja sa më shpejt që të jetë e mundur dhe nëse nuk marrin pjesë përsëri, atëherë është problemi i tyre, janë ata që e kanë bërë problemin”.

    Sidoqoftë, ish-ambasadori shprehet i bindur se Kosova duhet të gjejë rrugëdalje, megjithëse po vuan pasojat e problemeve që ka shkaktuar Serbia.

    “Vërtet nuk e di pse janë kaq shumë kundër Kosovës. Pse po dënoheni kaq shumë për atë që bënë serbët. Dhe nuk dua të them nëse pas këtyre është qeveria e Beogradit apo këto grupet e tjera, dy grupet që tani u shpallën organizata terroriste, të cilat gjithashtu mendoj se… pse duhet t’i quani organizata terroriste, mund të thuash se janë organizata kriminale; terroriste sigurisht që është një hap më tej, gjithashtu, kjo nuk ju ndihmon kur ekzagjeroni, sepse tani është koha të përpiqeni të moderoni. Por, dua të them, tani është koha të jeni edhe më të moderuar, sepse sipas meje, paarsyeshëm, ju kanë shtyrë në një qoshe dhe duhet të bëni diçka për të dalë nga ky cep”.

    Holandezi Bosh, tanimë në moshë, vlerëson se Kosova duhet ta formojë edhe asociacionin por pa kompetenca ekzekutive.

    “Asociacionin e komunave me shumicë serbe duhet ta bëni sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Pra, do të thotë se kjo është një Asociacion pa kompetenca ekzekutive. Dhe atëherë cili është problemi për të pasur këtë Asociacion? Sigurisht që atëherë serbët do të thonë, ‘oh, është e tmerrshme, është e tmerrshme’, por është problemi i tyre. Ju e keni kryer detyrën tuaj, e keni bërë këtë Asociacion dhe në përputhje me Kushtetutën tuaj, dhe nëse ata nuk janë të lumtur atëherë është problem i tyre. Por, tani është problemi juaj, sepse ju nuk e keni bërë atë akoma”.

    Presioni tani e tutje sipas ish-ambasadorit duhet t’i drejtohet Vucic-it, sidomos pas destruktivitetit treguar në raport me Marrëveshjen e Ohrit.

  • Avokati i Popullit ka evidentuar shkelje kushtetuese në një vendim të Kuvendit

    Avokati i Popullit ka evidentuar shkelje kushtetuese në një vendim të Kuvendit

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    Avokati i Popullit ka evidentuar shkelje kushtetuese në një vendim të Kuvendit i cili e vonon zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Gjyqësor. Megjithatë, kryetari i komisionit legjislativ vendimin nuk e konsideron të gabuar. Sidoqoftë, njohës të fushës së drejtësisë, theksojnë se anëtarët dhe udhëheqësit e sistemit të drejtësisë duhet të zgjedhën sa më parë, meqenëse sipas tyre kjo ndikon edhe në efikasitet.

    Asnjëri nga gjyqtarët, Alban Ajvazi dhe Besnik Bislimaj nuk kishin marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur anëtar tw Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

    Kështu, pas dy rundeve Kuvendi vendosi që konkursi duhet të përsëritet.

    Por, ky vendim i cili u analizua pas një ankese, sipas Avokatit të Popullit përbën shkelje kushtetuese, dokument të cilin e posedon ATV.

    “Kuvendi në rastin konkret nuk e kishte respektuar tërësisht procedurën e përcaktuar në nenin 10, paragrafi 9, të Ligjit të KGJK-së dhe si rrjedhojë ankuesit i ishte pamundësuar realizimi i të drejtës së përcaktuar në dispozitën e theksuar.

    Sipas Ligjit për këshillin gjyqësor, kandidati që merr më shumë vota në raundin e dytë, zgjidhet automatikisht anëtar. Megjithatë, kryetari i komisionit për Legjislacion, nga Lëvizja Vetëvendosje, e arsyeton vendimin e Kuvendit.

    “Në rastin konkret asnjëri kandidat nuk ka marrë së paku shumicën e thjesht, andaj është konstatuar se nuk është zgjedhur. Nuk mund të ketë votim të sukseshëm në Kuvend me më pak se 31 vota për në një proces ku së paku marrin pjesë 61 deputet. Si rrjedhojë do të duhej të kishim rishpalljen e konkursit, por ndërkohë ndaj vendimit të Kuvendit është larashtruar ankesë.”

    Sidoqoftë, vonesat në zgjedhjen e anëtarëve dhe udhëheqësve në institucionet e drejtësisë, konsiderohen shqetësuese nga njohës të fushës së drejtësisë.

    “Pashmangshëm që ndikon në mungesë të efikasitetit. E dijmë që kryeprokurori është me ushtrues detyre. Por, cilado pozitë që mbetet me ushtrues detyre paraqet vështirësi në ushtrimin e detyrës.

    “Marrë parasyshë mosemerimin e kryeprokurorit të shtetit për teke politike, poashtu edhe mosemërimi I një anëtari të kgjk-së. Me mosemërimin e një anëtari të KGJK-së, kuvendi ka bërë shkelje ligjore.

    Për rastin e anëtarit të KGJK-së, opozita fajëson pozitën.

    “Mendoj që zgjedhja e anëtarëve të këshillit gjyqësor zgjedhen me shumicën që duhet ta sigurojë shumica. Më shumë mundohen ta politizojnë procesin.”

    Tash e 15 muaj Prokuroria e Shtetit është pa kryeprokuror. Prokurorin pasardhës Blerim Isufajn, Presidentja ende nuk e ka dekretuar.

  • Spanja merr presidencën e BE së, nuk ndryshon qëndrim ndaj Kosovës

    Spanja merr presidencën e BE së, nuk ndryshon qëndrim ndaj Kosovës

    PËRGATITI: ARTON HAMITI 

    Presidentja Vjosa Osmani ka uruar Spanjën pasi ky shtet mori udhëheqësinë e presidencës së Bashkimit Evropian, të cilën do ta mbajë deri në dhjetor të këtij viti. Osmani pret që përpjekjet për anëtarësimin e Kosovës ne Bashkimin Evropian të vazhdojnë edhe gjatë viti 2023.

    Nga 1 korriku, udhëheqësinë e presidencës së Bashkimit Evropian do ta mbajë Spanja.

    Spanja e cila është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk njohin pavarësinë e Kosovës, bashkë me Sllovakinë, Rumaninë, Greqinë dhe Qipron kryesinë e Bashkimit Evropian do ta mbajë deri në dhjetor të këtij viti.

    Teksa më 9 janar, ish-presidenca suedeze e Bashkimit Evropian kishte nisur konsultimet me vendet anëtare lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE, presidentja, Vjosa Osmani pret që përpjekjet të vazhdojnë edhe me Spanjën në krye.

    “Derisa Suedia përfundon presidencën e saj, unë e falënderoj kryeministrin Ulf Kristersson për lidershipin e tij dhe angazhimin për siguri dhe stabiliteti në Evropë. Shohim drejt vazhdimit të përpjekjeve tona për ta sjellë Kosovë ne afër BE-së gjatë vitit 2023”.

    Megjithatë, njohës të politikes së jashtme nuk presin lëvizje pozitive.

    “I cili është një shtet rigjid ndaj pavarësisë se Kosovës, është absolut shteti me jo miqësor për Kosovën dhe duhet ta kuptojmë qe këta gjashtë muajt e ardhshëm Kosova nuk mund ta këtë qasjen e njëjtë sikur e ka pasur deri me tani.”

    Ditë më parë, ambasadori i Spanjës në Beograd, Raul Bartolome Molina, theksoi se qëndrimi kundër pavarësisë së Kosovës nuk ka ndryshuar.

    Ndërkaq, në ditën kur Spanja mori udhëheqjen e BE-së, kryeministri i këtij vendi, Pedro Sanchez, ka vizituar Kievin për të përsëritur mbështetjen e Bashkimit Evropian për Ukrainën në luftën me Rusisë.

  • 105 ditë që kur Kosova dhe Serbia në Ohër u pajtuan për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit

    105 ditë që kur Kosova dhe Serbia në Ohër u pajtuan për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit

    PËRGATITI: ARTON HAMITI 

    Janë bërë 105 ditë që kur Kosova dhe Serbia në Ohër u pajtuan për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve. Megjithatë, palët vazhdojnë ta akuzojnë njëra-tjetrën për mos-zbatimin e aneksit, analistët vlerësojnë se zvarritja po behet me qellim.

    Pas gati 12 orë bisedimesh mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, me 18 mars në Ohër, dy liderët Albin Kurti e Aleksandër Vucic, u pajtuan për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre.

    105 ditë nga ky dakordim, palët kanë miratuar deklaratën për personat e zhdukur, kurse Bashkimi Evropian, kishte njoftuar për krijimin e Komitetit të Përbashkët Monitorues për të mbikëqyrur zbatimin.

    Megjithatë, Kosova dhe Serbia, vazhdojnë ta akuzojnë njëra tjetrën për shkelje të aneksit të Ohrit, derisa nga ekzekutivi kosovar thane se janë të hapur që marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve të implementohet.

    “Ka një marrëveshje me Serbinë të quajtur Marrëveshja Bazike, sipas propozimit evropian, e cila gëzon një mbështetje të gjerë të shteteve demokratike. Ne i kemi dhënë mbështetjen e plotë kësaj Marrëveshje dhe kemi qenë gjithmonë të hapur e të gatshmen për takime si me qëllim arritjen e saj, ashtu edhe me qëllim zbatimin e saj.”

    Por, sipas analistit Fitim Mulollit, te dyja palët me qellim po e zvarrisin zbatimin e marrëveshjes.

    Madje, Mulolli nuk pret që aneksi të gjejë zbatim brenda këtij viti.

    Ndryshe, në njërin prej vlerësimeve zyrtare, emisari amerikan Gabriel Escobar kishte deklaruar se të dyja palët e kanë shkelur Marrëveshjen e Ohrit dhe nga situata aktuale, përfiton vetëm Rusia.

  • Erërat e forta rrëzojnë drunjtë përballë stacionit të policisë në Prishtinë, vendi rrethohet me shirita

    Erërat e forta rrëzojnë drunjtë përballë stacionit të policisë në Prishtinë, vendi rrethohet me shirita

    Si pasojë e erërave të forta dhe reshjeve të shiut, drunjtë janë rrëzuar në rrugën “Luan Haradinaj”, përballë stacionit të policisë në Prishtinë.

    Vendi është rrethuar me shirita, teksa nuk dihet nëse ka persona të lënduar.

    Vendi ynë po përballet me reshje shiu, me ç’rast në shumë vende janë shkaktuar vërshime. Po ashtu ka edhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa komuna.

     

  • Reshje të shumta shiu në Rahovec, rrugët vërshohen nga uji

    Reshje të shumta shiu në Rahovec, rrugët vërshohen nga uji

    Reshjet e shiut që kanë rënë sot gjatë ditës në Rahovec kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë të qytetit.

    Sipas pamjeve që janë publikuar në rrjetet sociale shihet se moti ligë ka përfshirë qytetin.

    Ndryshe, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka njoftuar se gjatë fundjavës parashihet të mbajë mot i ndryshueshëm dhe mjaftë dinamikë.

    IHMK njofton se, kjo situatë vjen si pasojë e vranësirave konvektive të cilat parashihen të formohen pasditen e së shtunës, për të vazhduar edhe ditën e diel.

    “Reshjet më intensive parashihen ditën e diele, ku do të ketë edhe shkarkime rrufesh, por edhe dita e shtune parashihet të ketë reshje në shumë zona. Temperaturat minimale gjatë këtyre dy ditëve të vikendit do të lëvizin ndërmjet 12-16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 21-28 gradë Celsius”, thuhet në njoftim.

  • Mot i ligë në Prishtinë, në Bregun e Diellit bie kulmi i një ndërtese

    Mot i ligë në Prishtinë, në Bregun e Diellit bie kulmi i një ndërtese

    Moti i ligë që po mbizotëron në Prishtinë këtë të shtunë ka shkaktuar edhe dëme.

    Në lagjen “Bregu i Diellit” ka rënë kulmi i një ndërtese, duke i dëmtuar edhe disa vetura që kanë qenë të parkuara aty.

    Kryeqyteti pasditen e kësaj të shtune është mbuluar nga re të zeza, të cilat kanë sjell erëra të fuqishme dhe shi të rrëmbyeshëm.

    Telegrafi ka provuar të kontaktojë me Policinë e Kosovës, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.

    E mot i ngjashëm si në Prishtinë po mban edhe në disa qytete tjera si: Gjakovë, Rahovec e Ferizaj.