ATV

Tag: Ballina

  • Mosdekretimi i Kryeprokurorit, ekspertët thonë se ka rënë numri i hetimeve

    Mosdekretimi i Kryeprokurorit, ekspertët thonë se ka rënë numri i hetimeve

    Njohësit e fushës së drejtësisë, në Kosovë vonesën e dekretimit të Kryeprokurorit të shtetit nga ana e presidentes Vjosa Osmani, e lidhin me pritjen e vendimeve dhe parashtresave që kanë bërë kandidatët e tjerë që kanë marr pjesë në atë konkurs.

    Ata theksojnë se është shumë e rëndësishme për shtetin që sa më parë të ketë Kryeprokurorin e rregullt dhe jo ushtrues detyre.

    Gzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), kanë thënë se në konkursin për Kryeprokuror të shtetit ka pasur mungesë të konsiderueshme të integritetit të procesit.

    Sipas tij, në atë kohë kanë qenë se ky proces të kthehet në pikën zero dhe të mosrekomandohet asnjë kandidat për dekretim te presidentja.

    “Raporti i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe organizatave të tjera të shoqërisë civile theksonte mungesë të konsiderueshme të integritetit të procesit për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të shtetit dhe në atë kohë rekomandonin që procesi për Kryeprokurorin të shtetit të kthehet në pikën zero dhe të mos rekomandohet as një kandidatë për dekretim tekë presidentja. Ndër të tjera ishte edhe ndryshimi i rregullores në aspektet të caktuar të cilat sqarohen edhe në raport. Realisht tani më e pamë se Këshilli Prokurorial i Kosovës tentoj që pa konsultim publikë ta zhvilloj dhe ta miratoj rregulloren për përzgjedhjen e Kryeprokurorit”.

    “Mirëpo që pas reagimit të IKD-së do të thotë u tërheq nga rendi i ditës dhe që mbetet do të thotë shpresojmë që në të ardhmen të zhvillohet një proces i konsultimit publik për këtë rregullore në mënyrë që e njëjta të jetë adekuate me legjislacione dhe me Kushtetutën dhe që të ketë mundësi që të nxjerr kandidatin me meritor në procesin për Kryeprokuror të shtetit”, tha ai.

    Ai theksoi se sistemit Prokurorial i nevojitet një Kryeprokuror i zgjedhur në mënyrë të rregullt, por sipas tij, në këtë rast  është më e rëndësishme që emri i kryeprokurorit të dal nga një proces që nuk është i kontestuar.

    “Realisht ligji ushtruesit të detyrës ja njehë të gjitha kompetencat që i ka edhe Kryeprokurori i shtetit, kjo është nëse mund të themi se cilat janë kompetencat ligjorë të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të shtetit. Mirëpo prapë se prapë sistemit Prokurorial i nevojitet një Kryeprokuror i rregullt i shtetit i zgjedhur në mënyrë të rregullt për shkak se ai e ka parasysh edhe vizionin për sistemin prokurorial”.

    “Duhet ta kemi parasysh se para nevojës për zgjedhjen e një kryeprokurori të shtetit të zgjedhur në mënyrë të rregullt është e domosdoshme që emri i kryeprokurorit të dal nga një proces që nuk është i kontestuar, po flas për kreun e Prokurorit të shtetit, për një institucion kaq të rëndësishëm Kushtetues, një ndër pozitat bazë në sistemin e drejtësisë dhe që në as një rrethanë emri i kryeprokurorit të shtetit nuk guxon të dalë nga një proces me integritet të kontestuar”, tha ai.

    Ai tha se mosdekretimi i Kryeprokurorit nga presidentja është bërë për shkak se ajo ka pritur vendime të ndryshme që kanë të bëjnë me procesin e përzgjedhjes.

    “Realisht do të thotë që presidentja ka pritur për vendime të ndryshme deri sa është marr për të mos nxjerr një vendim për dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe ndoshta është në vlerësimin e presidentes se si do të veproj për këtë çështje”.

    Edhe profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka thënë se vonesat në dekretimin e Kryeprokurorit nga presidentja janë duke u bërë për shkak të pritjes së vendimeve nga ankesat.

    “Ajo është duke e pritur vendimin me që ka parashtresa të caktuara të disa nga kandidatët që kanë bashkëpjesëmarrje, kanë marr pjesë bashkë më kandidatin në fjalë për kryeprokuror, që të kryhen ato procedura. Njëra prej tyre është si duket edhe në Gjykatën Kushtetuese. Është për t’u çuditur dhe befasuar pse Gjykata Kushtetuese edhe pas po thuajse një viti nuk ka gjetur kohë që ta trajtoj atë çështje dhe ta jap mundësin që presidentja e vendit ta kryej funksionin e saj kushtetues”, tha ai.

    Ai tha se në mungesë të Kryeprokurorit të shtetit, sipas vlerësimeve nga jashtë, ka rënë numri i hetimeve.

    Sipas tij, KPK-ja dhe KGjK-ja  vendosin për çështje të caktuara, që mund të jenë në interesin e tyre apo të anëtareve të tyre dhe grupacioneve të caktuara.

    “Nuk e di disponimin e tyre por unë mendoj që është evidente që tash për tash kemi një strukur të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), madje edhe të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK). Sipas vrojtimeve, vlerësimeve nga jashtë që bëhen serioze të cila kanë një përmbyllje hermetike brenda vetës, vendosin për çështje të caktuara që mbase janë edhe në interesin e tyre, ose të anëtareve të tyre dhe grupacioneve të caktuara në prioritet dhe nepotizëm. Kanë krijuar, mbase një atmosferë që më tepër mund të quhet në teori dhe praktik si atmosferë e një institucioni të rëndësishëm korporative se sa që është atmosferë demokratike e cila me ligjin përkatës i rregullon marrëdhëniet në mesë anëtarëve të këtij grupi të rëndësishëm”.

    “Kemi hetime më pak, kemi edhe parashkrime vjetërsim të lëndëve, kemi edhe epilogje të lëndëve të cilat kalojnë përmes prokurorive, prokuroria përpiqet të ja hedhë përgjegjësin gjykatës, gjykata gjykatës së Apelit, ajo gjykatës së lartë, në një rreth vicioz sillen lëndët dhe të drejtat e njerëzve nuk realizohen me vite të tëra”, tha ai.

  • Për dy vjet ShKK-ja parandaloi 120 raste të kontrabandimit

    Për dy vjet ShKK-ja parandaloi 120 raste të kontrabandimit

    Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK), në dy vjetët e fundit ka parandaluar 120 raste të kontrabandës me narkotikë e gjëra tjera të ndaluara. Këtë e ka bërë të ditur për Ekonomia Online, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i këtij institucioni, Ismail Dibrani.

    Ai thotë se krahas parandalimit të kontrabandës, ShKK-ja është larg shteteve evropiane sa i përket kësaj dukurie.

    Dibrani thotë se në disa raste stafi korrektues është përfshirë në kontrabandë. Edhe në këtë aspekt, Dibrani ka thënë se 14 persona janë arrestuar.

    “Realisht Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shënuar në raport me parandalimin e kontrabandës në burgje. Vetëm dy vitet e fundit kemi mbi 120 raste të parandalimit të kontrabandës, të cilat janë adresuar edhe në institucionet përgjegjëse. Në rast se marrim vetëm marrim shifrat krahasuese në dy vitet e fundit ka parandalim më shumë se shumë vite më herët, jemi shumë larg shtete të Evropës e mos të flasim për rajonin. Ne po flasim për burgje dhe kontrabanda në burgje në asnjë rrethanë nuk mund të mendohet që të parandalohet sepse ka lloj-lloj formash përmes të cilave të dënuarit ose familjarë e tyre tentojnë të fusin brenda përfshi narkotikë, telefona e gjëra tjera të ndaluara”, thotë Dibrani

    “Ka edhe raste kur stafi është i involvuar në këto dukuri, por siç jeni në dijeni edhe në këtë aspekt ne kemi shënuar rekord në raport me arrestimet dhe largimet nga puna. Vetëm dy vitet e fundit kemi mbi 14 raste të personave të cilët janë në ndalim, në burg dhe në procedura të ndjekjes. Po flasim për shifra rekord në raport me parandalimet, arrestimet dhe largimet nga puna të shërbyesve civil”, thotë tutje ai.

    Dibrani ka folur edhe për marrëveshjen me Danimarkën, me ç’rast burgu i Gjilanit do të jetë në dispozicion të shtetit danez.

    Ai thotë se kapacitetet në këtë institucion janë të mëdha, pasi Kosova numëron 1 700 të burgosur e të paraburgosur.

    “Sot kur po flasim, i kemi 1 110 të dënuar dhe 600 të paraburgosur. Zakonisht kjo shifër varion 1 700-1800 persona që mbahen në institucionet korrektuese dhe të paraburgimit, ndërsa kapaciteti në institucionet tona, është 2 800, pra kemi mjaftueshëm shtretër të lirë për dallim prej shteteve tjera. Si rezultat i kësaj dhe vlerësimit të nivelit të trajtimit të personave që mbahen dhe rritjes së standarteve të larta evropiane, Danimarka ka bërë kërkesë për të marrë një burg me qira. Natyrisht në këtë burg do të punojnë edhe stafi jonë korrektues dhe përveç të mirave materiale që do t’i përfitojmë nga kjo marrëveshje, ne pritet të marrim edhe praktikat më të mira të shtetit danez, sepse në burgun e Gjilanit do të zbatohet rendi shtëpiak danez. Sigurisht që guvernatori do të jetë danez, por drejtori do të jetë kosovar, natyrisht edhe stafi korrektues nga Kosova”, u shpreh ai.

    E sa i përket qirasë së burgut të Gjilanit, janë edhe disa kushte. Ai thotë se nuk do të ketë të burgosur me mbi 10 vite e as me rrezikshmëri të lartë.

    “Në burgun e Gjilanit nuk do të ketë të persona të cilët janë të dënuar mbi 10 vite, nuk do të ketë të dënuar që janë me rrezikshmëri të lartë, pra do të jenë të dënuar me rrezikshmëri të mesme. Ju e dini që në burgjet e Kosovës kemi persona me rrezikshmëri shumë të lartë dhe rrezikshmëri të lartë, kështu që nuk ka asnjë lloj problemi sa i përket trajtimit të kësaj kategorie”, thotë ai.

    Për fund, ai tha se stafi korrektues kosovar do t’i nënshtrohen trajnimeve dhe vizitës studimore në Danimarkë për t’i mësuar zbatimin e praktikave të rendit shtëpiak danez.

  • Opozita fajëson Qeverinë për mungesë të rezultateve në diplomaci – VV-ja ka një arsyetim

    Opozita fajëson Qeverinë për mungesë të rezultateve në diplomaci – VV-ja ka një arsyetim

    Dështimet e diplomacisë kosovare, janë si pasojë e mungesës së një strategjie të mirëfilltë dhe ngjarjet në veri të vendit, sipas partive opozitare. Ndërkaq mazhoranca e fajëson këtë të fundit për situatën aktuale me politikat e tyre.

    Krahas dështimit për të siguruar njohje të reja, opozita kritika hedh edhe për mënyrën se si trajtohet Kosova në arenën ndërkombëtare. E nga Lëvizja Vetëvendosje, fajin ia hedhin opozitës për idenë e shkëmbimit të territoreve.

    Deputeti i Partisë Demokratiket të Kosovës, Hajdar Beqa, kritikon institucionet për mungesë të përfaqësimit dinjitoz në arenën ndërkombëtare.

    Kritika ka edhe ndaj Presidentes Osmani e kryediplomates Gërvalla, për të cilën thotë se më shumë është marrë me shkarkime.

    “Sa i përket dështimit të diplomacisë, fatkeqësisht ne e kemi thënë se nuk kemi parë ndonjë strategji të Qeverisë aktuale për diplomaci e as në nivel të kryeministrit e as të ministres, por as në nivel të presidentes së vendit, andaj mendoj se është një mungesë totale e strategjisë dhe në të njëjtën kohë nuk kemi përfaqësime dinjitoze jashtë Republikës së Kosovës. Ne kemi parë që ministrja (Gërvalla) më shumë është marrë me disa shkarkime të përfaqësueseve diplomatik dhe nuk ka emëruar njerëz për t’i zëvendësuar ata”, thotë Beqa, teksa e sheh diplomacinë pa ministër të Jashtëm.

    Beqa thotë se Qeveria fokusin kryesor e ka në veri të vendit, me ç’rast thotë se ato veprime po i ndërmerr për t’i mbuluar dështimet në arenën ndërkombëtare.

    “Nuk kemi asnjë njohje deri më tani, nuk kemi as ndonjë premtim për të pasur një njohje të re, nuk kemi as një sukses në fushën e diplomacisë e as lobim për të avancuar Republikën e Kosovës dhe mendoj që në një far forme Kosova po funksionon sikur të mos kishte fare ministër të Jashtëm ose sikur ta kishin larguar nga strategjia e tyre apo nga projekti i tyre diplomacinë e jashtme. Tërë fokusimi i kësaj Qeverie, fatkeqësisht është në veri, përmes veriut duke bërë poenë ndoshta më shumë populiste po mundohen t’i mbulojnë dështimet tjera si në arenën ndërkombëtare si atë të brendshme, siç e kemi problemin me zhvillim ekonomik, ikjen e rinisë, papunësinë e kështu më radhë”, u shpreh Beqa.

    Por shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, fajtor për këtë situatë e bën opozitën. Thotë se me politikat e qeverive të kaluara, e kanë sjellë situatën aktuale në diplomaci.

    Kritikë të veçantë i jep idesë së shkëmbimit të territoreve, për të cilën thotë se kanë Kosovën në këtë situatë.

    Kusari-Lila kërkon që dështimet të mos i faturohen kësaj Qeverie, pasi sipas saj, deformimet siç e quan ajo në proceset e ndryshme të dialogut kanë prodhuar këtë rezultat.

    “Në fakt opozita e ose pozita e djeshme duhet ta kuptojë dhe duhet ta pranojë se gabimi i tyre në raport me menaxhimin e procesit të dialogut në veçanti vitet 2017-16 ka qenë me gabime kardinale të cilat më vonë kanë prodhuar edhe këto efektet tjera të cilat çdo proces tjetër i integrimit të Kosovës është lidhur me procesin e dialogut, dhe kjo ka ardhur si rrjedhojë e një insistimi prej një projekti famëkeq shkëmbimi territoresh e deri te pastaj lidhja e secilit proces qoftë ai edhe teknik që ka qenë liberalizimi i vizave me procesin e dialogut, prandaj është e pakuptime tashmë të mendohet se kjo faturë duhet t’i mbetet qeverisë së fundit, në këtë rast Qeverisë Kurti kur dihet se devijimet dhe deformimet e procesit të dialogut i cili ka rezultuar në procesin e marrëdhënieve ndërkombëtare apo diplomacisë kosovare kanë filluar aso kohe por që tash me shumë mund e përpjekje të mëdha po mundohen të rehabilitohen, ndërsa në situatën aktuale me përpjekjen për shtrirjen e sovranitetit në veri e natyrisht ngritjen e rendit e ligjit atje tashmë kanë arritur në një pikë kritike që unë besoj se pas kësaj nuk mund të kemi më përkeqësim por duhet të kemi përmirësim të raporteve”.

    E më kritikuese ndaj kësaj qeverisjeje, shprehet deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi.

    Ajo ka përmendur marrëveshjen e arritur në Uashington nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, për të cilën u kritikua me të madhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

    “Ju e keni parë kur ish-kryeministri Hoti e patë bërë një marrëveshje për një vit moratorium për mosaplikim në organizata ndërkombëtare, si e kanë quajtur kryeministrin Hoti, ndërsa tash për dy vite ne nuk kemi asnjë njohje e asnjë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, pra kjo është shqetësuese. Do duhej që së paku ta kenë një strategji, mirëpo kjo Qeveri nuk ka pasur strategji e as platformë lidhur me politikën e jashtme”, u shpreh Krasniqi.

  • Masat ndëshkimore ndaj Kosovës nuk ndalen

    Masat ndëshkimore ndaj Kosovës nuk ndalen

    Masat ndëshkimore për Kosovën nuk kanë të ndalur. Pas Bashkimit Evropian, Kosova u ndëshkua edhe nga shtetet anëtare të BE-së.

    Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri, Gjermania ndërpreu bashkëpunimin me Kosovën në disa fusha, në mesin e tyre shtyrja e konsultimeve qeveritare për bashkëpunimin për zhvillim e dorëzimin e pajisjeve specifike për ofruesit e sigurisë.

    Masa të tilla janë paralajmëruar edhe nga Franca, e cila ka thënë se shpreson që këto masa të jenë të përkohshme.

    Dëmet nga këto masa nuk pritet të janë të vogla.

    “Duke marrë parasysh gjendjen ekonomike të Kosovës sovranitetin e brishtë të Kosovës mund të kenë pasoja të mëdha, sepse të gjitha grandet që janë stopuar…”, tha njohësi i çështjeve politike, Fitim Mulolli.

    Në fund të muajit qershor, bashkësia ndërkombëtare paraqiti kërkesat për Kosovën dhe Serbinë, lidhur me shtensionimin e situatës në veri.

    Në mesin e tyre ishte shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në veri, protestuesit serbë të largohen nga ndërtesat komunale, paralelisht me tërheqjen e Policisë së Kosovës, si dhe katër kryetarët përkohësisht të ushtrojnë detyrat e tyre në objekte alternative. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Ramës nuk i mbetet hatri që nuk e takoi Kurti

    Ramës nuk i mbetet hatri që nuk e takoi Kurti

    Kryeministrit të Shqipërisë nuk i ka mbetur hatri që homologu i tij nga Kosova nuk e priti në takim gjatë të enjtes.

    Edi Rama thotë se nuk i ngatërron mosmarrëveshjet politike me ato personale.

    “Nuk shkova në Prishtinë për t’u martuar me Albinin. Nuk ndihem i fyer si një dhëndër. Shkova në Prishtinë siç erdha këtu. Në asnjë mënyrë nuk kam problem personal me kryeministrin Kurti. Kemi vetëm qëndrime të kundërta lidhur me një situatë. Natyrisht këtë situatë e përjetojmë ndryshe. Unë e shoh si situatë ku duhet të takohemi e të bisedojmë, Kurti e sheh ndryshe”, tha Rama.

    Madje, gjatë vizitës në Mal të Zi, kryeministri shqiptar njoftoi se Kurti do të jetë i ftuar në Samitin e Tiranës për Procesin e Berlinit.

    “Kryeministri i Kosovës do të jetë i ftuar dhe dëshiroj që të jemi të gjashtë, përkundër faktit që në vende të tjera mund të mos e ftojnë, në Tiranë është në shtëpinë e vet. Përkundër që mund të garojë të bëhet zot i asaj shtëpie”, tha Rama

    Megjithatë, Rama kritikoi politikën e Kurtit lidhur me qëndrimin e kryetarëve brenda objekteve komunale. Derisa, Lulzim Hetemin e Leposaviqit sërish e quajti Oso Kuka.

    Gjatë konferencës për media fjalën e mori edhe nikoqiri Dritan Abazoviq, i cili i komentoi raportet Kosovë – Serbi.

    “Çdo konflikt me ndërkombëtarët nuk mund të jetë i mirë. është harxhuar kohë e madhe për propozimin i cili nuk është perfekt, por është i mirë. Mendoj se do ishte mirë të shkohej drejt firmosjes së kësaj marrëveshjeje. Kështu i shoh punët. Ajo do të ishte shtytje e mirë për rajonin, si mesazh për afrimin mes palëve”, tha Rama.

    Gjatë ditës Rama qëndroi edhe në Bosnjë e Hercegovinë, ndaj udhëheqësve të së cilës kërkoi zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë për qytetarët e Kosovës.

    Edi Rama të shtunën do të qëndrojë në Beograd, për takim me presidentin Aleksandër Vucic. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Zyrtarizohet marrëveshja për njohjen reciproke të profesionit të avokatit

    Zyrtarizohet marrëveshja për njohjen reciproke të profesionit të avokatit

    Hap pozitiv, por vështirë i realizueshëm në praktikë, po vlerësohet nga avokatët marrëveshja mes Kosovës dhe Shqipërisë rreth ushtrimit të profesionit të avokaturës.

    Qeveritë e të dyja vendeve tashmë e kanë zyrtarizuar marrëveshjen për njohjen reciproke të profesionit të avokatit.

    Por, anëtari i Odës Kombëtare të Avokatisë në Shqipëri, Arben Lena, thotë se do të ketë vështirësi në praktikë.

    Lena përmend dallimet në legjislacion dhe të tjera pengesa në aspektin ligjor që do të duhej, sipas tij, të rregulloheshin mes Odave të të dyja vendeve.

    Bashkëpunimin me avokatët nga Shqipëria e mirëpresin avokatët e Kosovës.

    Por shohin të njëjtat sfida në zbatimin e marrëveshjes.

    Avokati Yll Zekaj është skeptik nëse ministritë e linjës kanë pasur kompetenca për të arritur një marrëveshje të tillë.

    Megjithatë, sipas draftit të siguruar nga ATV-ja, në nenin 7, parashihen disa marrëveshje teknike brenda disa muajve, pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes.

    Sipas këtij neni, Dhomat përkatëse të Palëve lidhin marrëveshje teknike për rregullimin e anëtarësisë dhe pagesën e kontributit të anëtarësisë, e çështje të të tjera përfshirë edhe masat disiplinore.

    Ndërsa, neni 8 përcakton se Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë dhe Oda e Avokatëve të Kosovës bashkëpunojnë për zbatimin e kësaj marrëveshje dhe për rritjen e kapaciteteve profesionale të avokatëve, sipas marrëveshjeve teknike që lidhin ndërmjet tyre. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Pse Kosova mbeti jashtë Programit të Evropës Digjitale?

    Pse Kosova mbeti jashtë Programit të Evropës Digjitale?

    Masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian ka ndërmarrë për Kosovën, për shkak të tensioneve në pjesën veriore të vendit, kanë penguar nënshkrimin e Marrëveshjes së Asociimit me Programin e Evropës Digjitale.

    Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Komisionit Evropian, që parasheh ndarje fondesh, është shtyrë për një datë të mëvonshme.

    “Momentalisht, takime të nivelit të lartë apo ministror nuk janë duke u zhvilluar me Kosovën, prandaj Kosova nuk është ftuar në Dialogun e Dytë Rregullator BE-Ballkan Perëndimor dhe nënshkrimi i marrëveshjes me Kosovën është shtyrë për një datë të mëvonshme”, thuhet në deklaratën e Zyrës së BE-së.

    BE-ja dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor mbajtën një takim në fund të qershorit. Në atë takim, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan marrëveshjet përkatëse me Komisionin Evropian dhe u bënë pjesë e Programit të Evropës Digjitale.

    BE-ja ka bërë të ditur në fund të muajit të kaluar se ka ndërmarrë disa masa ndëshkuese për Kosovën – përfshirë pezullime takimesh të nivelit të lartë dhe fondesh – për shkak të mospërfilljes së kërkesave të saj për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

    Situata e sigurisë në këtë zonë të banuar me shumicë serbe është përkeqësuar qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave atje kanë hyrë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

    Protestat e tyre kanë kulmuar edhe në përleshje të dhunshme, me dhjetëra të plagosur – në mesin e të cilëve edhe ushtarë të misionit të NATO-s, KFOR.

    BE-ja i ka kërkuar Kosovës që t’i tërheqë kryetarët shqiptarë dhe të organizojë zgjedhje të reja, por, deri më tash, nuk ka hapa në këtë drejtim.

    Çka është Programi i Evropës Digjitale?

    Vlera financiare e Programit të Evropës Digjitale kap shifrën prej 7.5 miliardë eurosh.

    Me këtë buxhet, ky program synon të përshpejtojë rimëkëmbjen ekonomike të vendeve që aspirojnë BE-në.

    Përmes tij, qytetarët, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe institucionet publike kanë mundësi të aplikojnë me projekte të ndryshme.

    “Programi i Evropës Digjitale është një program i ri dhe, në momentin kur shkëmbehet një nënshkrim ndërmjet Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës, subjektet kosovare do të mund të përfitojnë nga thirrjet e Programit të Evropës Digjitale”, thanë nga Zyra e BE-së për Radion Evropa e Lirë.

    Thirrjet e para për propozime, për vitet 2023-2024, janë hapur më 11 maj të vitit 2023 dhe do të mbyllen më 26 shtator të po këtij viti.

    Kandidatët e suksesshëm nga vendet e asociuara, sipas BE-së, do të mund të përfitojnë mbështetje në fusha të ndryshme, si: të dhënat për BE-në dhe hapësirat e përbashkëta të të dhënave, inteligjenca artificiale, aftësitë e avancuara digjitale e të tjera.

    Nga BE-ja thanë se Kosova, pasi që ta nënshkruajë marrëveshjen, do të mund të kualifikohet për ndihmë në krijimin e Qendrave Evropiane të Inovacionit Digjital. Këto qendra, sipas BE-së, ofrojnë shërbime për transformimin digjital të sektorit privat dhe publik.

    “Pas asociimit, aplikuesit nga Kosova do të kenë mundësi të përfitojnë dhe t’iu përgjigjen thirrjeve të ardhshme të këtij programi”, thuhet në deklaratën me shkrim që Zyra e BE-së i dha REL-it.

    Çka humb Kosova?

    Ministria e Ekonomisë e Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar shtyrjen e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje dhe humbjet eventuale që pëson vendi.

    Por, eksperti i sigurisë kibernetike, Driart Elshani, thotë se ky program digjital është shumë i rëndësishëm, pasi që siguron fonde për përballimin e sfidave të digjitalizimit.

    “Shpresoj që edhe Kosova të jetë [pjesëmarrëse] në një të ardhme të afërt, sepse është shumë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik, si dhe për avancimin e shkathtësive digjitale”, thotë Elshani për Radion Evropa e Lirë.

    Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, Rrezarta Krasniqi, thotë se mospërfshirja e Kosovës në programin në fjalë e dëmton vendin.

    Ajo thotë se mekanizmi që udhëheq, ka kërkuar sqarime nga Qeveria e Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.

    “Nuk dimë asgjë se çfarë po ndodh. Është shqetësuese mospërfshirja në Programin e Evropës Digjitale. Nuk e dimë nëse është edhe ky një sanksion, Qeveria nuk na ka dhënë ndonjë informacion”, thotë Krasniqi, e cila vjen nga opozita, për Radion Evropa e Lirë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më herët se masat ndëshkuese të BE-së janë të padrejta dhe ka shfaqur shpresën se ato nuk do të zgjasin shumë.

    Qeveria e tij ka miratuar, muajin e kaluar, Agjendën Digjitale 2030.

    Ajo përshkruhet si një strategji qeveritare ndërsektoriale, e cila përcakton politikën dhe prioritetet e veçanta të Kosovës në kontekstin e transformimit të vazhdueshëm digjital të ekonomisë dhe shoqërisë.

    Përmes kësaj agjende thuhet se Kosova do t’i përdorë mundësitë e zhvillimit të teknologjive të avancuara, “për t’u bërë një shoqëri e avancuar digjitale dhe për të mbështetur rritjen ekonomike dhe forcimin e konkurrencës kombëtare”. /REL/

  • Osmani: Partneriteti Kosovë-ShBA është i palëkundur

    Osmani: Partneriteti Kosovë-ShBA është i palëkundur

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, të enjten ka qenë e ftuar në Ambasadën Amerikane për të festuar 247-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Në llogarinë e saj në Facebook, Osmani ka thënë se atje nuk është festuar vetëm Dita e Pavarësisë së ShBA-së.

    “Mbrëmë, krahas aleatëve tanë amerikanë, festuam jo vetëm Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, por edhe miqësinë tonë të përhershme, partneritetin e palëkundur dhe raportet e veçanta në mes të popujve tanë”, ka shkruar ajo në rrjetin social.

  • Gjermania shqyrton dërgimin e trupave shtesë në Kosovë

    Gjermania shqyrton dërgimin e trupave shtesë në Kosovë

    Gjermania mund të dërgojë trupa shtesë për të përforcuar misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, pas rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

    Kështu deklaroi më 7 korrik ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius.

    “Pas kërkesës nga kolegia ime austriake Klaudia [Tanner], ne po shqyrtojmë nëse mund të rrisim pak angazhimin tonë brenda mandatit aktual [parlamentar] që t’i lehtësohet barra Austrisë”, tha ai për gazetarët pas takimit me homologët e tij nga Austria dhe Zvicra në Bern.

    Pasi në fund të majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën, NATO angazhoi 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë të dislokuar në Kosovë.

    Aktualisht, në kuadër të KFOR-it janë 70 trupa gjermane.

    Që nga fundi i majit, serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po kundërshtojnë që kryetarët e rinj shqiptarë të punojnë nga ndërtesat komunale. Ata po ashtu po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

    Që nga ajo kohë, në veri janë shënuar disa incidente me shok-bomba dhe granata dore si dhe më 29 maj në Zveçan protestuesit serbë janë përleshur me pjesëtarët e KFOR-it. Nga këto përleshje kanë mbetur të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

    Bashkimi Evropian i ka paraqitur tri kërkesa Kosovës dhe Serbisë për të ulur tensionet.

    Për shkak të mospërmbushjes së tyre, BE-ja nga fundi i qershorit ka nisur të zbatojë disa masa ndëshkuese.

    Ambasada gjermane në Prishtinë më 6 korrik konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, se ka ndërprerë përkohësisht bashkëpunimin me Kosovën në disa fusha të caktuara, shkaku i mospërmbushjes së kërkesave të BE-së.

  • Edi Rama sot takohet me Vuçiqin

    Edi Rama sot takohet me Vuçiqin

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është duke zhvilluar një tur nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor.

    Pjesën e parë të ditës së enjte ai e kaloi në Maqedoninë e Veriut, ndërsa pjesën e dytë e kaloi në Kosovë, me ç’rast u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

    Sot në mëngjes ai do të udhëtojë për në Bosnje dhe Hercegovinë, pastaj do të shkojë në Mal të Zi, ku do të takohet me kryeministrin Dritan Abazoviq.

    Në mbrëmje, ai do të shkojë në Serbi për t’u takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

    Kujtojmë se këto vizita Rama po i zhvillon për t’u konsultuar me përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor para Samitit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë më 16 tetor.

    Më poshtë e gjeni agjendën për sot të kryeministrit Rama.