ATV

Tag: Ballina

  • Tensionet në veri: Rrallohen hyrjet në Merdar, shpeshtohen në Morinë

    Tensionet në veri: Rrallohen hyrjet në Merdar, shpeshtohen në Morinë

    Situata në veri të vendit, ka krijuar një pasiguri për të gjithë bashkatdhetarët që marrin rrugën në Kosovë përmes pikave kufitare të Serbisë. Të dhënat e fundit nga Qendra për Menaxhim Kufitar theksojnë se ka rënie të hyrjeve në pikat kufitare tokësore të Kosovës.

    Për shkak të situatës së krijuar në veri të vendit, bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe veprojnë në vendet evropiane, po zgjedhin rrugë më të gjata për vizitë në vendlindje, por të sigurt.

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, ka bërë të ditur për Radio Kosovën, përmes postë elektronike, se hyrjet për në Kosovë janë shtuar më shumë në pikëkalimin “Perëndimi” në Morinë, përderisa pikëkalimi “Veriu”, ku përfshihet pikëkalimi në Merdar, ka shënuar dukshëm rënie.

    Sipas statistikave të tyre del se në nga data 01.06.2023-deri më 03.07.2023 në Kosovë kanë hyrë 591 mijë e 636 persona. Kjo është një rënie krahasuar në datat e njëjta të vitit 2022, ku përmes pikave kufitare tokësore në Kosovë kanë hyrë mbi 740 mijë persona.

    Bashkatdhetari Rexhë Islamaj, jeton në Zvicër. Ai thotë se për shkak të situatës në vend dhe thirrjes së qeverisë për shmangie të pikës kufitare në Merdar, ka ardhur në Kosovë përmes rrugës Kroaci, Mal të Zi e Shqipëri.

    “E kam ndërruar për shkak që qeveria ka kërkuar, dhe një shok me mua ka qenë me dokumente të Kosovës, dhe nuk kemi dashur që t’i biem andej për shumë arsye. Kam ardhur nëpër Kroaci, kemi kaluar shumë mirë. Rruga ishte shkurtuar për 100 km, dhe kemi hyrë në Mal të Zi direkt dhe pa telashe. Kemi ardhur gjithmonë për Merdar ose te Dheu i Bardhë, e tash kthimin do ta bëjë nga Durrësi për në Itali, me trajekt”, tha Islamaj.

    Fatmir Syla, ka vite që jeton në Gjermani me familjen e tij. Ai thotë se nuk kalon nga Merdari asnjëherë për shkaqe sigurie.

    “Nga Gjermania kam ardhur me 26, nga Kroacia-Slloveni –Kroaci, Mal të Zi, Shqipëri, e preferojë gjithmonë këtë rrugë për shkak të sigurisë. Kam pasur frikë se do të ketë më fluks për arsye se për Serbi kanë bërë thirrje me u shmang, por ka qenë gjithçka në rregull edhe pa tollovi, përveç në Mal të Zi që kemi pritur 10 minuta përndryshe udhëtimi ka qenë pa probleme dhe shumë mirë kemi kaluar. Unë për Merdar nuk udhëtoj kurrë, për shkak të sigurisë”, tha Syla.

    Qeveria ditë më parë, i ka bërë thirrje diasporës kosovare që të shmangin pikëkalimin kufitar nëpërmjet Serbisë, për shkak të situatës së krijuar në veri të vendit, për të shmangur çfarëdo incidenti, dhe duke përdorur rrugë alternative për udhëtim.

  • Kryeministri britanik: Kurti dhe Vuçiq kanë përgjegjësi për të ulur tensionet në veri

    Kryeministri britanik: Kurti dhe Vuçiq kanë përgjegjësi për të ulur tensionet në veri

    Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak është shprehur i shqetësuar lidhur me situatën në veri të Kosovës, duke thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë përgjegjësi për të ulur tensionin dhe për të parandaluar dhunën e mëtejshme.

    Kryeministri Sunak i bërë këto komente gjatë një takimi të komitetit ndërlidhjes në Parlamentin e Britanisë së Madhe, ku tha se pikëpamja e tyre është se duhet të gjendet një rrugë kthimi drejt dialogut të lehtësuar nga BE.

    Ai është pyetur nga deputetja e Parlamentit Britanik dhe kryetare për punë të jashtme, Alicia Kearns për zgjerim të mandatit të KFOR-it, në mënyrë që ata të mund të merren me armët ilegale që sillen nga Serbia në Kosovë dhe të cilat po financohen ilegalisht nga Beogradi.

    Kryeministri Sunak tha se janë të shqetësuar për situatën në veri të Kosovës dhe pikëpamja e tyre është se duhet të gjendet një rrugë kthimi drejt dialogut të lehtësuar nga BE.

    Kryeministri britanik Sunak është ndalur edhe tek Bosnja dhe Hercevogina, ku ka thënë se Qeveria Britanike mbështet plotësisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe se ata do të vazhdojnë të marrim masa kundër atyre që e kërcënojnë këtë.

    “Në lidhje me EUFOR-in, ne e shohim se EUFOR është jetik për paqen dhe sigurinë në Bosnje dhe Hercegovinë dhe mospjesëmarrjen tonë, dhe kjo nuk reflekton rëndësinë e operacionit për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe ne do të vazhdojmë të eksplorojmë mundësitë për të zgjeruar bashkëpunimin me misionin”, tha ai.

  • Deputetja britanike i kërkon kryeministrit Sunak që KFOR-i të merret me armët që po futen nga Serbia në Kosovë

    Deputetja britanike i kërkon kryeministrit Sunak që KFOR-i të merret me armët që po futen nga Serbia në Kosovë

    Alicia Kearns, deputete britanike dhe kryetare e ka ngritur në Parlamentin Britanik çështjen e futjes së armëve nga Serbia në Kosovë. Ajo e ka pyetur kryeministrin e vendit, Rishi Sunak se a do të ketë angazhim nga ai për zgjerim të mandatit të KFOR-it në Kosovë në mënyrë që misioni paqeruajtës i NATO-s të merret edhe me armët ilegale që tha se po futen nga Serbia në Kosovë.

    Ajo foli për një “dështim ndërkombëtar” në parandalimin e situatës në Kosovë. Kearns tha se “kjo reflektohet më së miri nga reagimi i BE-së dhe SHBA-së dhe ndëshkimet e fundit të Kosovës përballë antagonizmit serb dhe retorikës secesioniste të Dodikut në Bosnjë e Hercegovinë”.

    “Si kryeministër, a do të dini të angazhoheni që ne t’i bashkohemi EUFOR-it, ku unë do të shtoja se si Turqia dhe Kili janë anëtarë, dhe a do ta konsideroni gjithashtu lobimin për një zgjerim të mandatit të KFOR-it në Kosovë në mënyrë që ata të mund të merren me armët ilegale që po dërgohen nga Serbia në Kosovë, të cilat po financohen ilegalisht nga Beogradi dhe po armatosen milicitë në Kosovë?”, e pyeti ajo kryeministrin britanik.

    Sunak nuk iu përgjigj konkretisht në këtë çështje, por shprehu shqetësimin e tij për situatën në veri të Kosovës, duke thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kanë përgjegjësi në parandalimin e dhunës së mëtejshme.

    “Gjëja e parë për të thënë është se ne dhe Qeveria mbështesim plotësisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjë e Hercegovinës dhe do të vazhdojmë të marrim masa kundër atyre që e kërcënojnë këtë. Ne jemi veçanërisht të shqetësuar, unë jam veçanërisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, të cilën ju e njihni dhe i dënojmë shumë sulmet e paprovokuara nga protestuesit ndaj personelit të KFOR-it. Sekretari i Jashtëm i ka thënë tashmë kryeministrit të Kosovës dhe Serbisë se liderët në Beograd dhe Prishtinë kanë përgjegjësi për ta ulur tensionin dhe për ta parandaluar dhunën e mëtejshme”, tha Rishi Sunak.

  • Vdes diplomati amerikan që kontribuoi në ndërtimin e Kosovës

    Vdes diplomati amerikan që kontribuoi në ndërtimin e Kosovës

    Diplomati amerikan, i cili udhëhoqi anën diplomatike të kampanjës së NATO-s në Kosovë në vitin 1999, James F. Dobbins, ka ndërruar jetë të hënën në moshën 81-vjeçare.

    Sipas “New York Times“, ai do të mbahet mend edhe si diplomat që pati role në prapaskenë në disa prej çështjeve më delikate transatlantike të Luftës së Ftohtë duke përfshirë negociatat tregtare dhe lëvizjen e armëve bërthamore në Evropën Perëndimore.

    Ai ka shërbyer si emisar special në Haiti, gjatë intervenimit amerikan më 1994 dhe 1995, kurse më vonë mori rol për ruajtjen e paqes dhe rindërtimin në Bosnje dhe Kosovë.

    Po ashtu, ai do të mbahet mend si praktikuesi kryesor i politikës amerikane për ndërtime të kombeve.

    Familja e tij ka njoftuar se Dobbins ka vdekur në spital, si pasojë e komplikimeve nga sëmundja e Parkinsonit.

    “Secilën herë, Dobbins thellonte përvojën e tij me rindërtimin e shoqërive të shkatërruara nga lufta, duke zhvilluar njohuri në enigmën jashtëzakonisht komplekse të politikës së jashtme. Ai menaxhoi anën diplomatike të fushatës ajrore të NATO-s në Kosovë në vitin 1999 dhe më pas ndihmoi në menaxhimin e përpjekjeve për ruajtje të paqes dhe rindërtim atje”, shkroi “NYT” të shtunën, teksa publikoi edhe fotografi të Dobbinsit në vitin 1999 në Kosovë, krahas ish-Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.

  • Deklarata e Gërvallës ndaj BE-së nxiti reagime të emisarëve dhe të opozitës

    Deklarata e Gërvallës ndaj BE-së nxiti reagime të emisarëve dhe të opozitës

    Ministrja e Punëve të Brendshme, Donika Gërvalla, në kuadër të Forumit të Dubrovnikut deklaroi të shtunën se Bashkimi Evropian pa Shtetet en Bashkuara të Amerikës dhe pa NATO-n është e paaftë që të garantojë siguri.

    Në panelin “Ballkani Perëndimor: Një momentum i ri euro-atlantik”, ku ishte me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Gërvalla iu referua BE-së si “tigër prej letre”.

    “Pyetje kyçe për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është se a mund dhe a është Bashkimi Evropian unioni që mund të garantojë siguri dhe paqe në Evropë? Vlerësimi im është që BE nuk mundet. Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme, nukka vullnet politik, ka shumë mospajtime në union dhe pa ShBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një “Tigër prej letre” në aspektin e sigurisë.”, u shpreh Gërvalla.

    Lidhur me këtë deklaratë, mospajtim shprehu emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se gjithçka e mirë që ka ndodhur në gjeneratën e fundit ka ndodhur në Ballkan në gjeneratën e fundit, është arritur në bashkëpunim ShBA-BE.

    “Paper Tiger (Tigër prej letre) është term që i referohet diçkaje apo dikujt që pretendon të jetë i fuqishëm ose kërcënues e që në të vërtetë është i paefektshëm dhe i paaftë për t’i bërë ballë sfidës.”, tha ai.

    Ndërsa, përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak u shpreh se Bashkimi Evropian është larg të qenurit i përkryer.

    Ai tha se anëtarësimi në BE është ëndërr për shetet e Ballkanit Perëndimor.

    “Mundt të them që BE është larg të qenurit e përkryer, por megjithkëtë është më e mira që e kemi. Është bashkimi më i suksesshëm i shteteve. Mendoj që anëtarësimi në BE është arritje e ëndrrave të vendeve, të cilat janë duke trokitur në ëndrrën evropiane”, u shpreh ai.

    Deklaratën e ministres Gërvalla ndaj BE-së e kritikoi opozita.

    Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku e quajti të papërgjegjshme deklaratën e ministers.

    “Evropa tigër prej letre, deklaron Ministrja e Jashtme e Kosovës në një konferencë ndërkombëtare. Çfarë papërgjegjësie, e përzier me megallomani dhe injorancë. Zatën, këto të trija rëndom shkojnë bashkë. Sa për referencë, “ tigër prej letre” i ka quajtur Mao Zedong SHBA-të.”, shkroi ajo në Facebook.

    Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Muharrem Nitaj i quajti jodiplomatike, skandaloze dhe shumë të dëmshme vlerësimet e Gërvallës për BE-në.

    “Jo vetem jodiplomatike, por skandaloze dhe shume te demshme vleresimet per BE te Ministres se Jashtme Donika Gervalla! Me e pakta qe do te duhej, eshte nje deklarate e Presidentes dhe Kryeministrit ku do sqaronin se ajo qe ka thene Ministrja e Jashtme, nuk eshte qendrim zyrtar i Republikes se Kosoves. Pas nje distancimi te tille, edhe zonja Gervalla do ta kete me te lehte ta gjeje rrugen e vet!”, shkroi ai në Facebook.

    Ndërsa, zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi e quajti të mjerë gjendjen diplomatike të Kosovës.

    “Përderisa Kosova po përjeton ditët e zymta nën sanksionet e BE-së, çohet një ministre nga Kosova, që për fat të keq të shtetit të ri – qëlloi të mbajë postin e krye diplomates – dhe i kërkon llogari BE-së për sigurinë. Thuajse blloku i vendeve evropiane i detyrohet personalisht zonjës Gërvalla-Schwarz!? Ajo e godet BE-në si ‘një tigër prej letre’ duke aluduar se BE-ja u dashka t’i jap siguri Kosovës dhe eventualisht të hyjë në luftë për të!? E zhytur në pikëpamje iluzive të një bote paralele, mori përgjigje të merituar nga emisarët Lajcak e Escobar. I pari ia kujtoi kryediplomates kosovare se nuk ekziston një BE tjetër pos kësaj (nuk ka një BE sipas botës paralele të VV-së!) kurse i dyti ia përkujtoi asaj se vendet e NATO-s që kanë braktisur popullizimin dhe nacionalizmin janë plotësisht të lira dhe të sigurta. Escobar sikur i tha rrini ju në lloqin e rivaliteteve ballkanike!? E mjerë kjo gjendje diplomatike e Republikës së Kosovës dhe e rrezikshme!”, shkroi ajo në Facebook.

  • Ambasadori Berishaj i quan trillime raportimet për fjalimin e Gërvallës në Dubrovnik

    Ambasadori Berishaj i quan trillime raportimet për fjalimin e Gërvallës në Dubrovnik

    Ambasadori Martin Berishaj ka reaguar për raportimet e mediave rreth fjalimit të Kryediplomates Donika Gërvalla në një nga panelet e Forumit të Dubrovnikut. Gërvalla tha se BE është “tigër prej letre” që nuk mund të ofrojë siguri pa NATO’n dhe SHBA’në në Ballkan, për çka mori reagimet e Emisarëve Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak.

    Këtë të fundit Gërvalla e kritikoi për mënyrën se si i ka ndërmjetësuar bisedimet Kosovë -Serbi dhe ka kërkuar ndërrimin e tij.

    Ndonëse, kjo ngjarje është përcjellë direkt nga mediat e Kosovës në transmetimet e ofruara nga organizatori, Ambasadori Berisha i ka quajtur trillime raportime duke thënë se atje s’ka qenë asnjë gazetar nga Kosova e Shqipëria.

    Ai ka publikuar edhe një link të një portali kroat si duket për të ofruar modelin se si duhet të raportohet.

    Postimi i tij i plotë:

  • Peach: Të mos biem në kurthin rus, e dhimbshme që u desht përdorimi i ushtrisë në Veri 30 vite pas luftës

    Peach: Të mos biem në kurthin rus, e dhimbshme që u desht përdorimi i ushtrisë në Veri 30 vite pas luftës

    Emisari i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, ka marrë pjesë në forumin e Dubrovikut në Kroaci ku është diskutuar për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Peach ka thënë se pajtohet plotësisht me konstatimet e dhëna nga dy emisarët Escobar dhe Lajcak dhe shton se Mbretëria e bashkuar është një mbështetëse aktive e sigurisë në rajon që nga luftërat e viteve të 90-ta.

    Peach, ka shtruar hipotezën e tij se çfarë nëse Rusia është duke kërkuar një front të dytë të luftës, për të larguar vëmendjen nga dështimi i luftës në Ukrainë. Ai ka bërë thirrje që rajoni të mos bie në kurthin e Rusisë.

    Ai ka thënë se s’duhet kthyer tek provokimet dhe gjuha e urrejtjes dhe të bëhet një plan.

    Në fund, Peach ka kërkuar nga të gjithë që të tregojnë respekt për dialogun duke thënë se mbase pa mbështetjen e ofruar nga NATO dhe BE , ndoshta rajoni do të ishte shumë më afër të binte në kurthin e Rusisë.

    “Unë pajtohem plotësisht me Escobar dhe Lajcak. Mbretëria e Bashkuara ka qenë një mbështetëse aktive e sigurisë në rajon, që nga vitet e 90-ta.

    Çka nëse Rusia është duke tentuar ta destabilizojë këtë rajon duke krijuar një front të dytë, për të hequr vëmendjen nga dështimet në përpjekjet kryesore në luftë. Të mos biem në kurthin rus.

    Të mbetemi tek dialogu. Të shohim më shumë pajtim, më shumë programe për pajtim. Të mos kthehemi tek provokimet dhe gjuha e urrejtejs të së kaluarës, dhe të bëjmë një plan.

    Mesazhi im i thjesht, është që t’iu kërkoj të gjithëve të tregojnë respekt në dialog tonë, për organizatat dhe instituionet multiltareale, si OSBE dhe NATO, në përpjekjen e tyre për të ofruar një rajon të sigurt.

    Sepse mesazhi im konkludues i thjeshtë, sepse pa këto forca, dhe është e dhimbshme që u nevojitën 30 vjet pas luftës. Por pa këto forca të ofruruara nga NATO dhe BE ndoshta do të ishim më afër kurthit rus”, ka thënë Peach.

  • Të hënën mblidhet Kryesia e Kuvendit, ky është rendi i ditës

    Të hënën mblidhet Kryesia e Kuvendit, ky është rendi i ditës

    Të hënën, me fillim nga ora 10:00, do të mbahet mbledhja e radhës e Kryesisë së Kuvendit.

    Në këtë mbledhje, rend të ditës janë disa pika të papërfunduara nga seancat paraprake.

    Rendi i ditës është si në vijim:

    Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit,
    II. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 20 prill dhe 29 qershor 2023:

    Votimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFW, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit,

    Votimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”,

    Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-184 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje,

    Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

    III. Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 26 prill 2023:

    Votimi i Propozim Rezolutës nga debati parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën

    Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik.

    IV. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 4 maj 2023:

    6. Votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,

    7. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-153 për edukimin në fëmijërinë e hershme,

    8. Shqyrtimi i parë i Projektligji nr.08/L-219 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, personat e dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-172,

    9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-224 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për tatimin në pronën e paluajtshme,

    10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-225 për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes,

    11. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,

    12. Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.21/136, datë 22.03.2023 për themelimin e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit (IBCM) me seli në Mitrovicë si Institucion i arsimit të Lartë,

    13. Shqyrtimi i rekomandimit lidhur me raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”.

    V. Pika e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 22 qershor 2023:

    4. Votimi i Projekt-Rezolutës nga interpelanca me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati për çështjen: “Rishikimi i buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritja e pagave në sektorin publik”.

    VI. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 8 dhe 15 qershor 2023:

    22. Votimi për emërimin e dy (2) anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,

    23. Zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

    VII. Pika e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 6, 7 prill dhe 7 qershor 2023:

    Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.

    VIII. Propozimi i rendit të ditës për Seancën plenare të radhës:

    Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

    Deklarimet jashtë rendit të ditës,

    Pyetjet parlamentare,

    Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,

    Interpelanca me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti në lidhje me çështjen: ”Përgjegjësia e tij në raport me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Kroaci, z. Martin Berishaj”,

    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,

    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,

    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-102 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-139 për procedurën përmbarimore i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 05/L-118,

    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-199 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-060 për Mjekësinë Ligjore,

    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-177 për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë,

    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-191 për Ekspertët Gjyqësor,

    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore,

    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-190 për zhvillim rajonal të balancuar,

    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-200 për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse,

    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-201 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-081 për Energjinë,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-227 për përfaqësimin e institucioneve shtetërore në procedura gjyqësore dhe arbitrazh,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-237 për kadastër të pronës së paluajtshme,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-238 për Fondin sovran të Republikës së Kosovës,

    Shqyrtimi i Raportit për mbikëqyrjen e zbatimit t Ligjit nr. 06/L-009 për Ndërmjetësim,

    Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e 2 (dy) anëtarëve nga radhët e komunitetit shqiptarë në Komisionin e Pavarur për Media,

    Ratifikimi i anëtarit të Këshillit Shtetrorë të Cilësisë,

    Emërimi i kryesuesit dhe i një (1) anëtari të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit,

    Zgjedhja e Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës,

    Zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë – ZRRE.

    IX. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave

  • Plani i Gjermanisë për të marrë më shumë punëtorë nga Ballkani

    Plani i Gjermanisë për të marrë më shumë punëtorë nga Ballkani

    Krahas ligjit të ri të punëtorëve të kualifikuar, Gjermania po prezanton masa për të inkurajuar më shumë migrim për punëtorët nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Republika e Maqedonisë së Veriut, Mali i Zi dhe Serbia.

    Parlamenti gjerman ra gjithashtu dakord të zgjerojë të ashtuquajturën “Rregullorja e Ballkanit Perëndimor”, për ta bërë më të lehtë për më shumë punëtorë nga vende të caktuara jashtë BE-së të vijnë në Gjermani, shkruan The Local.

    Çfarë është rregullorja e Ballkanit Perëndimor?

    Rregullorja e Ballkanit Perëndimor u prezantua për herë të parë në vitin 2016 dhe u jep shtetasve nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Republika e Maqedonisë së Veriut, Mali i Zi dhe Serbia mundësi në tregun gjerman të punës për çdo lloj punësimiSipas rregullores aktuale, punëtorët kanë nevojë për një ofertë detyruese pune nga një punëdhënës në Gjermani dhe kualifikime të njohura.

    Fillimisht, rregullorja duhej të skadonte në fund të vitit 2020, por, për shkak të kërkesës së madhe nga punëdhënësit në Gjermani për punëtorë nga këto vende, rregullorja u zgjat deri më 31 dhjetor 2023.

    Rregullorja konsiderohet një model suksesi që ka lejuar punëdhënësit në Gjermani të rekrutojnë deri në 25,000 punëtorë të kualifikuar çdo vit nga këto vende, përcjell albinfo.ch.

    Si do të ndryshojë ligji?

    Me zgjerimin e ligjit, Rregullorja e Ballkanit Perëndimor do të mbetet e përhershme dhe kuota vjetore e punëtorëve të lejuar nga këto rajone do të dyfishohet në 50,000 në vit.

    Ata do të lejohen të hyjnë në Gjermani për çdo lloj punësimi pa pasur nevojë të paraqesin dëshmi të kualifikimeve profesionale.

    Ky është një lajm veçanërisht i mirë për industrinë e ndërtimit, e cila ka mirëpritur faktin se rregullorja e re nuk kërkon kualifikime nga emigrantët, por përkundrazi u lejon kompanive të vendosin nëse përvoja profesionale afatgjatë është e mjaftueshme për ta.

    Përveç zgjerimit të kuotës për punëtorët nga Ballkani, Parlamenti gjerman synon gjithashtu të sjellë një kuotë migrimi për punëtorët e pakualifikuar nga vende të tjera përveç Ballkanit Perëndimor, të cilët mund të tregojnë se kanë një ofertë punësimi në Gjermani, shkruan The Local.

    Numri që po diskutohet aktualisht është 30,000, i cili do të përcaktohet nga Agjencia Federale e Punësimit (BA) në bazë të kërkesës.Këta punëtorë do të lejohen të ndërmarrin çdo lloj punësimi që kërkon pagesa të sigurimeve shoqërore për tetë muaj brenda një viti nëse punëdhënësi është i lidhur me marrëveshje kolektive dhe mbulon plotësisht shpenzimet e udhëtimit.

    Ka gjithashtu plane për t’u dhënë asistentëve të huaj të infermierisë nën nivelin e punonjësve të kualifikuar akses në tregun e punës, me synimin për të marrë rreth 1200 kujdestarë shtesë, përcjell albinfo.ch.

  • Osmani takon Escobarin: Përfshirja e ShBA-së është me rëndësi jetike për stabilitetin në rajon

    Osmani takon Escobarin: Përfshirja e ShBA-së është me rëndësi jetike për stabilitetin në rajon

    Kryesuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në margjinat e Forumit në Dubrovnik, ka takuar të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Me diplomatin amerikan, ai tha se ka biseduar për situatën në rajon.

    Osmani tha se përfshirja e ShBA-së në Ballkanin Perëndimor është me rëndësi jetike për stabilitetin e rajonit.

    “Me Escobarin për situatën aktuale dhe sfidat me të cilat përballet rajoni ynë. Përfshirja aktive e ShBA-së në procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE është me rëndësi jetike për stabilitetin. Ne jemi të përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së kuadër të dialogut strategjik”, ka shkruar Osmani në Twitter.