ATV

Tag: Ballina

  • Paralajmërimet për arrestime dhe listat e rreme frikësojnë serbët e Kosovës

    Paralajmërimet për arrestime dhe listat e rreme frikësojnë serbët e Kosovës

    Pohimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se janë identifikuar dhjetëra serbë që dyshohen për shkaktimin e dhunës dhe të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës, ka rritur shpërndarjen e informacioneve të pavërteta në platforma të komunikimit, ku anëtarët janë kryesisht serbë të Kosovës.

    Ditëve të fundit, në vazhdimësi janë publikuar lista me emra dhe me fotografi të, siç pretendohet, serbëve që pritet të arrestohen nga institucionet e sigurisë në Kosovë.

    Qytetarët serbë të Mitrovicës së Veriut thonë se janë të frikësuar nga listat e ndryshme, që po qarkullojnë nëpër rrjete sociale.

    “Thuajse çdo ditë ndodh nga një arrestim. Mendoj se ata po arrestohen pa bazë. Ata po arrestohen, e pastaj po krijohen provat. Nuk ndodh kështu askund në botë”, shprehet Dushan Vukoviq.

    Njëjtë pohon edhe Savo Lomigora. “Si qytetar, jam i shqetësuar, dhe frika po rritet. Njerëzit me të vërtetë humbën besimin, dhe shumë prej tyre po largohen, pasi janë të frikësuar për fëmijët e tyre, për sigurinë e tyre”, thotë ai.

    Ndërkaq, Sinisha Vukojeviq tregon se si gjithmonë është i frikësuar se mund të arrestohet, teksa kalon kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. “Së pari të arrestojnë, pastaj e vërtetojnë nëse je fajtor apo jo”, shprehet ai.

    E, qytetarët serbë që jetojnë në jug të lumit Ibër thonë se nuk janë të frikësuar nga arrestimet që kryejnë institucionet e Kosovës dhe se nuk iu “interesojnë” listat eventuale, pasi, siç thonë ata, “janë të sigurt se nuk kanë asgjë për të fshehur”.

    Në Graçanicë pohojnë se kanë më shumë frikë se mund të arrestohen padrejtësisht, mbi bazën e akuzave për krime lufte.

    “Unë e di që zemra ime është e pastër dhe se duart e mia janë të pastra. Nuk më intereson se çfarë do të bëjë Policia e Kosovës. Nuk jam i frikësuar nga asgjë, sepse nuk e kam prekur askënd”, thotë Nebojsha Mirkoviq.

    Sikur ai deklarohet edhe Ljubisha Niçiq. “Unë e di që nuk jam fajtor për asgjë. S’kam pse të frikohem”, shprehet ai.

    Çfarë tha Kurti?

    Kreu i ekzekutivit kosovar, Kurti, ka deklaruar se institucionet e sigurisë kanë identifikuar me sukses gjithsej 45 persona, që, sipas tyre, kanë marrë pjesë në sulmet kundër ushtarëve të misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve, që nga ngritja e tensioneve në veriun e Kosovës.

    Në atë pjesë të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, tensionet janë të larta që nga fundi i majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave hynë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën dhe protestimin e banorëve serbë.

    “[Ata] njëkohësisht edhe kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm, duke përdorur armatim të ndryshëm, prej granatave të dorës deri te shok bombat dhe plumbat, qofshin ato edhe të automatikëve ose të revolverëve”, pohoi Kurti më 3 korrik.

    Kur përmendi këta 45 persona, Kurti tha se kjo nuk ka të bëjë me popullsinë serbe, pasi, siç deklaroi ai, “popullsia atje është paqësore”.

    “Qytetarët serbë janë më të frikësuarit prej këtyre kriminelëve”, deklaroi Kurti.

    Por, qëndrimin e kryeministrit Kurti, politikani opozitar serb nga Graçanica, Branimir Stojanoviq, e sheh si “instrument” për të ushtruar presion ndaj qytetarëve serbë të Kosovës.

    “Kur dikush mund të të arrestojë arbitrarisht, në bazë të një fotoje nga një protestë, pavarësisht të gjitha rregullave dhe procedurave, të urdhërosh paraburgim, të vendosësh politikisht se kush shkon në burg dhe kush jo, kur dikush i thotë Kuvendit emrat e njerëzve për të cilët tashmë praktikisht është vendosur se janë fajtorë pa asnjë procedurë [gjyqësore], në një situatë të tillë të gjithë kanë frikë se do të jenë të radhës”, thotë Stojanoviq.

    Ai shton se, pikërisht për shkak të listave të supozuara të arrestimit të serbëve, një numër i madh i pjesëtarëve të komunitetit serb vendosin të largohen nga Kosova, gjë që, sipas tij, është “pasojë fatale”.

    E, Oliver Vujoviq nga Forumi Joqeveritar për Zhvillim dhe Bashkëpunim Multietnik, me bazë në Graçanicë, vlerëson se pjesëtarët e komunitetit serb në veri dhe në jug të Ibrit u frikësohen “fletarrestimeve të supozuara” që po qarkullojnë, sepse, sipas tij, ata pyesin veten se, “kush është në radhë?”.

    Vujoviq beson se tensionet e fundit në veri të Kosovës dhe arrestimet ndikojnë në largimin e serbëve, por edhe në përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe në një “ndarje” më të madhe mes serbëve dhe shqiptarëve.

    “Sado që organizatat e shoqërisë civile, të cilat merren me proceset e pajtimit dhe demokratizimit, përpiqen të bëjnë diçka, e gjithë kjo po na kthen prapa, nuk ka përparim. Kemi 20 vjet që ngecim, ende ‘kemi urrejtje ose frikësohemi’ nga njëri-tjetri”, tha Vujoviq.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 6 korrik se autoritetet e Kosovës dyshohet se kanë marrë një vendim, një vit më parë, për të “arrestuar, vrarë ose dëbuar çdo serb që mund të ishte pikë rezistence në çfarëdo mënyre”.

    “Aksioni i pogromit apo persekutimit, i kryer nga regjimi i Prishtinës kundër popullit serb në Kosovë dhe Metohi, është i organizuar mirë, i planifikuar dhe i mbështetur në thelb nga qarqe të caktuara të bashkësisë ndërkombëtare”, deklaroi Vuçiq, pavarësisht se nuk paraqiti ndonjë provë për këto pretendime.

    Çfarë janë listat dhe ku po qarkullojnë ato?

    Institucionet e Kosovës, të paktën zyrtarisht, deri më tani nuk kanë publikuar ndonjë listë me emrat e personave, të cilët dyshohet se kanë shkaktuar dhunë në pjesën veriore të Kosovës, më 26 si dhe më 29 qershor, kur u lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, dy prej të cilëve me armë zjarri.

    Mirëpo, kryeministri i Kosovës, Kurti, ka lexuar në Kuvendin e Kosovës emrat e serbëve, për të cilët pretendoi se qëndronin pas trazirave në veri, ndërsa disa prej tyre u arrestuan.

    Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, e ka cilësuar këtë lexim publik të emrave si “vizatim i një shenje”.

    Pavarësisht se opinioni publik ende nuk ka parë ndonjë listë zyrtare me emrat e të dyshuarve, serbët dhe përfaqësuesit e tyre politikë insistojnë se Qeveria e Kosovës në vazhdimësi krijon lista të tilla.

    Por, në të njëjtën kohë, institucionet e Kosovës kanë vazhduar arrestimin e serbëve të dyshuar për shkaktimin e dhunës në pjesën veriore të Kosovës.

    Disa u arrestuan për sulm ndaj institucioneve të sigurisë, të tjerë për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it, por edhe për sulme ndaj gazetarëve.

    Në platformën Telegram, në grupet “Bunt je stanje duha” [shqip: Rebelimi është gjendje shpirtërore] që ka rreth 90 mijë anëtarë, si dhe “Patriotizam” [shqip: Patriotizmi], ditëve të kaluara janë shpërndarë disa lista me fotografi të turbulluara, ku pretendohej se ishin emrat e serbëve që pritej të arrestoheshin.

    Shumë prej këtyre listave janë të rrejshme.

    Lista e vitit 2016, më 45 personat më të kërkuar nga Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit – EUROPOL.

    Në disa raste, lista e mësipërme është publikuar e turbullt edhe në grupet “Rebelimi është gjendje shpirtërore” si dhe “Patriotizmi”.

    “Patriotizmi” është emërtim i ri i grupit “Brigada e Veriut”. Ky grup ndërroi emrin e tij, pasi Qeveria e Kosovës e shpalli organizatë terroriste, sikurse edhe grupin “Mbrojtja Civile”.

    Radio Evropa e Lirë ka verifikuar listën dhe ka gjetur se personat që janë në këtë listë kanë qenë në kërkim nga Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit – EUROPOL, në vitin 2016. Një listë e njëjtë përditësohet rregullisht edhe sot, në ueb-faqen “Më të kërkuarit e Evropës”, eumostwanted.eu.

    Një rezultat tjetër çon tek një “cicërimë” në rrjetin social Twitter, nga Xhandarmeria e Francës, ku shihen personat.

    Kjo listë rezulton se është manipuluar në disa raste, duke ndërruar pozitën e vendndodhjes së fotografive, e po ashtu duke shtuar e hequr ndonjërin nga lista.

    Lista e publikuar nga grupi “Patriotizëm” në Telegram, ku thuhet se janë 45 personat që Kosova ka thënë se i ka identifikuar si pjesëmarrës në sulmet kundër ushtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve, që nga ngritja e tensioneve në veriun e Kosovës.

    Kërcënimi i serbëve me listat e “spiunëve të Kosovës”

    Në të paktën tri raste janë publikuar tri lista në Telegram, ku personat që fshihen prapa publikimit pretendojnë se kanë identifikuar dhe se kanë fotografi të agjentëve sekretë të Kosovës, të bashkëpunëtorëve të tyre si dhe të automjeteve dhe të targave që ata i përdorin në katër komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

    Lista e publikuar më 3 korrik, në grupin “Rebelimi është gjendje shpirtërore”, në Telegram.

    Në përshkrimin e kësaj liste, të publikuar në grupin “Rebelimi është gjendje shpirtërore”, në Telegram, thuhet se në të janë emrat, mbiemrat dhe fotografitë e spiunëve shqiptarë.

    “Listat i publikojmë të turbullta, sepse nuk do t’i ndihmonte në asnjë mënyrë popullit tonë nëse publikohen të gjithë emrat, të gjitha fytyrat, të gjitha makinat dhe të gjitha targat, sepse ata [agjentët] vetëm do të zëvendësoheshin – do të dërgonin agjentë tjerë, makina tjera, dhe do të përdornin targa tjera. Ne e publikojmë këtë tani, vetëm për t’u treguar atyre se nuk kemi pse të shpikim lista false, sepse ka lista të vërteta”, thuhet në përshkrimin e kësaj liste, të publikuar më 3 korrik.

    Verifikimi i këtyre listave të turbullta ishte i pamundur të bëhej në mënyrë të pavarur nga Radio Evropa e Lirë, për shkak të paqartësisë së fotografisë.

    Një listë tjetër, që përmban vetëm emra, përfshirë ata të përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës, ka qarkulluar, po ashtu, nëpër rrjete sociale, dhe në disa media në gjuhën serbe.

    Mes të tjerëve, aty ishte edhe emri i ish-kryetarit të Mitrovicës së Veriut, njëherësh kryetar i Listës Serbe, Goran Rakiq. /rel/

  • Hovenier: Presim që Kosova të përmbushë idealet e Deklaratës së Pavarësisë së saj

    Hovenier: Presim që Kosova të përmbushë idealet e Deklaratës së Pavarësisë së saj

    Në shënimin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ambasadën amerikane në Prishtinë, ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier e nisi fjalimin e tij duke cituar një pjesë të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

    Në këtë pjesë të deklaratës thuhet se: “Kosova [shpallet] një Republikë demokratike, laike dhe multietnike, e udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse”.

    “Ky tekst elokuent është pjesë e premtimit të Kosovës dhe bazë e pavarësisë së saj”, tha Hovenier.

    Megjithatë, tha ai, “shpresoj se mund të pajtohemi që ndonjëherë Kosova nuk i ka përmbushur premtimet e këtyre idealeve”.

    Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë krenare për mbështetjen që i kanë dhënë popullit të Kosovës në konceptimin, dhe më pas realizimin e vizionit të pavarësisë së saj, dhe se do të mbeten të palëkundur për të vazhduar këtë mbështetje.

    “Në këtë frymë dua të pohoj se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë qëndrojnë përkrah popullit të Kosovës në avancimin dhe arritjen e vizionit të saj themelues: shtetin demokratik, sovran, laik, multietnik”, tha Hovenier.

    Ambasadori theksioi se SHBA dhe partnerët perëndimorë mbështesin Kosovën duke ofruar këshilla, e edhe pse kërkojnë “gjëra që duken ose janë vërtet të vështira për t’u bërë”, por se këtë e bëjnë në përputhje me “përkushtimin afatgjatë për të mbështetur popullin e Kosovës dhe për t’iu afruar atyre idealeve shumë ambicioze që ata kanë krijuar për veten e tyre”.

    “Kështu që, teksa ne festojmë 247 vjetorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një shtet i lirë, sovran, i pavarur, ne gjithashtu duam të festojmë së bashku, pasi Kosova arriti pavarësinë e saj të merituar; përparimin e jashtëzakonshëm që populli i Kosovës ka bërë në këtë periudhë të shkurtë kohore, dhe premtimin për përparim të mëtejshëm në dobi të të gjithë popullit të Kosovës”, u shpreh ai.

    Fjalimi i ambasadorit amerikan në këtë frymë, vjen në kohën kur raportet mes Kosovës dhe partnerëve të tjerë ndëkombëtarë janë në një pikë të ulët.

    Kjo çarje u ndodhi si pasojë e tensioneve në veri të Kosovës, i cili është i banuar me shumicë serbe, që u shkaktuan kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

    Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore.

    Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin hapa për uljen e menjëhershme të tensioneve dhe në veri të mbahen zgjedhje të reja lokale.

  • Ambasadori Italian: Masat e BE-së ndaj Kosovës janë të kthyeshme

    Ambasadori Italian: Masat e BE-së ndaj Kosovës janë të kthyeshme

    Nëse pas prezantimit të draftit të Asociacionit nga ana e Kosovës, Serbia nuk i përmbush angazhimet të cilat i ka marrë përsipër, atëherë Bashkimi Evropian do të ndërmarrë masa edhe ndaj saj.

    Kështu deklaroi ambasadori Italian në Kosovë, Antonello De Riu, sipas të cilit, masat e marra ndaj palës kosovare nga BE-ja janë të kthyeshme.

    “Këto masa janë bërë në mënyrë që ti nxisin të dy qeveritë që ti përmbyshin angazhimet e tyre. Angazhimi i Qeverisë së Kosovës ka qenë që ta paraqes sa më shpejt një statut të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe gjë që nuk është bërë nga Qeveria e Kosovës. Në atë moment kur Kosova të përmbush angazhimin e saj dhe ta prezantojë një statut për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Serbia nëse nuk i përmbush angazhimet e saj të cilat i ka marrë përsipër, atëherë masat analoge do të merren edhe për Serbinë në të njëjtën mënyrë nga Bashkimi Evropian”, ka thënë ambasadori Italian, Antonello De Riu.

    Diplomati Italian theksoi se të gjitha ligjet e një vendi duhet të respektohen, por për disa çështje duhet të merren vendime politike që të ecet përpara. De Riu ritheksoi kërkesën ndaj Kosovës që të ulen tensionet në mënyrë që të mënjanohen faktorët të cilët mund të shkaktojnë përkeqësim të gjendjes në veri.

    “Dialogu Kosovë-Serbi është ajo paradigmë çka ndodh në Ballkan. Ndonjëherë bëhen çështje parimore disa çështje që nuk janë të rëndësishme për jetën e njerëzve që jetojnë në këto vende. Nëse kishte pasur njerëz që janë më konkret, më racional në vendimet e tyre, nuk kishim ardhur në këtë pikë, dhe çështjet do të ishin zgjidhur shumë më shpejt. Kur flas për pragmatizëm nuk e kam fjalën për mosrespektimin e kushtetutshmërisë së një vendi, por flasim për vendime politike nga të cilat do të kishin përfitime vetëm popullsia që jetojnë këtu. Të gjitha ligjet e një vendi duhet të respektohen, por duhet të merren vendime politike për disa çështje që nuk janë aq shumë parimore sa po duken, dhe nga këto ecim tutje dhe përfiton popullata”, ka thënë ambasadori Italian, Antonello De Riu.

    Këto deklarata ai i bëri pas një vizite në Radiotelevizionin e Kosovës, me ç’rast u prit nga drejtori gjeneral Shkumbin Ahmetxhekaj. Gjatë takimit u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit në mes RTK-së dhe ambasadës italiane në Kosovë.

    Ambasadori Italian i shoqëruar edhe nga zëvendës shefi i misionit, Ugo Ferrero, premtoi mbështetje konkrete për RTK-në, me ofrimin e përmbajtjeve të ndryshme programore, marrëveshje kjo e cila pritet të formalizohet javëve të ardhshme.

  • ​Osmani: Shtetet e Bashkuara, një udhërrëfyes për Kosovën

    ​Osmani: Shtetet e Bashkuara, një udhërrëfyes për Kosovën

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në shënimin e 247-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk janë thjesht një aleat, por një udhërrëfyes për Kosovën.

    Ajo tha se mbështetja që SHBA-ja ka dhënë historikisht për Kosovë, jo vetëm ka pasur rëndësi vendimtare, por ka qenë një dimension ekzistencial.

    “Ne do të vazhdojmë gjithmonë të shikojmë lart nga Shtetet e Bashkuara, unë gjithmonë them se ne në fakt jemi një zgjatim i vlerave amerikane. Pra, kur themi se Kosova është edhe shtëpia juaj, me të vërtetë shpresoj që ju ta ndjeni këtë fort çdo ditë. Për ne, Shtetet e Bashkuara nuk janë thjesht një aleat, por më tepër një udhërrëfyes, një udhërrëfyes dhe një udhëheqës në përpjekjet tona globale për të mbrojtur lirinë, demokracinë dhe drejtësinë për të gjithë. Mbështetja që SHBA-ja ka dhënë historikisht për ne, jo vetëm ka pasur rëndësi vendimtare, por ka qenë një dimension ekzistencial. Unë kam besim se shumë kapituj mbeten për t’u zbuluar midis dy vendeve tona, por është shtylla e kësaj aleance që na bën të jemi të sigurt se rruga përpara është ajo e duhura. SHBA qëndron si sinonim i lirisë sonë, për shkak të vendosmërisë suaj, lufta jonë çlirimtare kulmoi me të drejtën për të zgjedhur vetë rrugën tone”, theksoi Osmani.

    Në këtë manifestim kanë marr pjesë edhe kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

  • Konjufca: Kosova gjithmonë është më e fuqishme kur e ka Shqipërinë në krah

    Konjufca: Kosova gjithmonë është më e fuqishme kur e ka Shqipërinë në krah

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Në takim u zhvillua një bashkëbisedim i hapur dhe i sinqertë, i fokusuar kryesisht në situatën politike në Kosovë, veçanërisht problemet në katër komunat veriore.

    Kryetari Konjufca shprehu bindjen se roli i Shqipërisë mund të jetë shumë ndihmues në kuptimin e pozicionit të Kosovës, e cila është në të drejtën e saj kur insiston në zbatimin e shtetit ligjor dhe funksionalizimit të demokracisë në krejt territorin e Kosovës.

    Kryeministri Rama paraqiti pikëpamjen e tij mbi pozicionin që Kosova sot ka kundrejt aleatëve të saj.

    Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan që situata është shqetësuese dhe se sa më parë duhet të shkohet drejt një zgjidhjeje që do mundësonte zhvillimin e zgjedhjeve në komunat veriore dhe kthimin e serbëve në institucione përmes proceseve dhe procedurave demokratike.

    Kryetari Konjufca theksoi nevojën që bashkësia ndërkombëtare të ushtrojë presion mbi Serbinë që marrëveshja e Ohrit të zbatohet në plotni dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë të futen në shtegun e normalizimit si dy subjekte shtetërore sovrane dhe respektuese ndaj njëra-tjetrës.

    Për kryetarin Konjufca mbështetja e Shqipërisë ndaj Kosovës është gjithnjë e nevojshme dhe e çmuar dhe Kosova gjithmonë është më e fuqishme kur e ka Shqipërinë në krah.​

  • Qëllimet e njëjta nuk e largojnë ngërçin për mënyrën e deeskalimit

    Qëllimet e njëjta nuk e largojnë ngërçin për mënyrën e deeskalimit

    Deeskalimi i situatës si hap i parë, përcjellë nga zgjedhjet e reja në katër komunat në veri dhe kthimi te dialogu për normalizim, janë pika të njëjta në udhërrëfyesin e Bashkimit Evropian dhe të propozimit të kryeministrit Albin Kurti.

    Por, ende nuk ka pajtueshmëri për mënyrën dhe veprimet sipas radhës.

    Fitim Mulolli nga POLCON vlerëson se kjo situatë është ngërç i qëllimshëm dhe përpjekje nga të dyja palët, për t’i ikur zbatimit të marrëveshjes bazë dhe shtojcës.

    “As kryeministri Kurti as presidenti serb Vucic nuk e duan marrëveshjen e Ohrit, nuk e duan zbatimin e saj. Prandaj, të gjitha këto tensione, gjithë kjo stërzgjatje janë tentim për t’iu shmangur zbatimit të atyre dispozitave. Tani, sa më i madh të jetë presioni për të zbatuar marrëveshjen e Ohrit, aq më shumë do të ketë stërzgjatje të hapave drejt deeskalimit të situatës në veri”, tha Mulolli.

    Teksa pajtimin në thelb për tri pikat e vlerëson pozitiv, Arbër Fetahu nga GLPS vë në dyshim strategjinë e Qeverisë për këmbëngulje në modalitete.

    “Kjo lloj strategjie nuk po del e suksesshme në aspektin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe ka dalë, deri në këtë moment, e dështuar në kuptimin e pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha Fetahu.

    Rezistencën e Qeverisë karshi kërkesave të BE-së ai e lidh me disa kërkesa.

    “Kërkohen garanca të mëdha që komuniteti serb të marrë pjesë në zgjedhje, përfshirë partitë politike serbe, në kuptimin që procesi të mos dështojë dhe të kemi zgjedhje që shkojnë në mënyrë efikase… Të ketë garancë edhe për implementimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit”, tha Fetahu.

    Duke iu referuar ngecjeve eventuale, Mulolli përmend dorëheqjet nga kryetarët dhe peticionet nga qytetarët, si forma të shkaktimit të zgjedhjeve.

    “Mendoj se opsioni i dytë është më i arsyeshëm edhe në qoftë se serbët e veriut e kanë me seriozitet se do të marrin pjesë në zgjedhjet që do të organizoheshin më vonë. Atëherë ky është një indikator se a kanë seriozisht pjesëmarrjen në zgjedhje apo jo”, tha Mulolli.

    Si shkak i dështimit të Qeverisë për të vepruar menjëherë në raport me udhërrëfyesin e propozuar, BE-ja i ka vendosur masa ndëshkuese Kosovës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Projektligji për skemat pensionale ngjall reagime

    Projektligji për skemat pensionale ngjall reagime

    Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e ka detyruar Qeverinë e Kosovës që ta miratojë plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale, thonë njohës të fushës.

    “Projektligji për skemat pensionale është planifikuar në vitin 2021, pastaj në vitin 2022, por nuk është bërë. Vetëm pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese projektligji është miratuar në Qeveri. Hipotetikisht nëse nuk do të kishte një aktgjykim që do ta shfuqizonte ligjin më 15 korrik 2023, atëherë Qeveria ndoshta nuk do ta kishte sjellë këtë vit. Do të kishim diskriminim të mijëra pensionistëve edhe këtë vit. Ndoshta vitin e ardhshëm do të miratohej, por detyrimisht jemi edhe 10 ditë para datës 15 korrik 2023 dhe sot po miratohet projektligji”, tha Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

    Por Jakaj nuk pret që ky projektligj të kalojë shpejt edhe në Kuvendin e Kosovës, për shkak të bojkotit të punës së Kuvendit nga partitë opozitare.

    “Duke ia shtuar kësaj faktin që tashmë opozita ka lajmëruar bojkotin nga ana e saj dhe kjo do ta pamundësojë ndoshta kalimin e këtij projektligji në procedurë të rregullt, edhe në procedurë të përshpejtuar, në mënyrë që ligji të hyjë në fuqi sipas Kushtetutës”, tha Jakaj.

    Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, tha se ky projektligj është shumë i paqartë, meqenëse, sipas tij, nuk u është nënshtruar të gjitha procedurave.

    “Vendimi i djeshëm nuk ka të bëjë asgjë me vullnetin praktik dhe premtimin e dhënë në kampanjat zgjedhore, por ka të bëjë me një imponim nga Gjykata Kushtetuese. Ky ligj, sipas rregullës, është dashur t’iu nënshtrohet të gjitha procedurave legale, të hartimit, të debatit publik, debatit parlamentar, të debatit në komisione funksionale të Kuvendit për shëndetësi dhe mirëqenie sociale, dhe pastaj të vihet për aprovim. Të gjitha këto procedura kanë shkuar me një rrugë të torturuar, madje as debat publik fare nuk kemi pasur”, tha Dreshaj.

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha të mërkurën, pas mbledhjes së qeverisë, se me këtë vendim do të përfitojnë rreth 70 mijë pensionistë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Takimi me Ramën – deklarohet Osmani tregon se çka u diskutua

    Takimi me Ramën – deklarohet Osmani tregon se çka u diskutua

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmanii është deklaruar pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të enjten në Prishtinë.

    Osmani ka deklaruar se me Ramën kanë diskutuar për proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit

    ”Me Kryeministrin Edi Rama diskutuam sot proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit“, ka shkruar Osmani.

    Gjithashtu njoftoi se është folur edhe për raportet në mes dy shteteve.

    “Forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona është në të mirë të qytetarëve tanë dhe në të mirë të së ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike“, ka thënë ajo.

    Nuk dihet nëse do të ketë takim mes kryeministrit Albin Kurti dhe Edi Ramës.

  • Roboti nga Intelegjenca Artificiale flet për Kosovën: Ja çfarë thotë për Albin Kurtin

    Roboti nga Intelegjenca Artificiale flet për Kosovën: Ja çfarë thotë për Albin Kurtin

    Sot në qytetin ndërkombëtar të Gjenevës janë mbledhur mbi 2000 diplomatë, shkencëtarë, industrialistë, akademikë dhe anëtarë të OKB-së për të marrë pjesë në samitin botëror të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU) mbi “Inteligjencën Artificiale” (AI). Janë planifikuar shumë takime interesante, si konferenca dhe demonstrime të robotëve humanoidë, njofton ATV dhe gazeta zvicerane Le Canton27.ch.

    Samiti i AI për të mirën globale organizohet nga ITU, agjencia e specializuar e Kombeve të Bashkuara për teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, dhe 40 agjenci partnere të Kombeve të Bashkuara. Ky samit po organizohet në bashkëpunim me Qeverinë e Zvicrës.

    “ITU, AI Good Summit” në bashkëpunim me agjencitë e specializuara të Kombeve të Bashkuara për teknologjinë do të prezantojnë në Gjenevë teknologjitë më të fundit në inteligjencën artificiale dhe robotikën.

    Pjesë e këtij samiti ishte edhe gazetari ynë në Gjenevë, Nefail Maliqi, i cili ka bërë një test duke zhvilluar një intervistë të shkurtër me një nga robotët e Inteligjencës Artificiale. Për herë të parë një robot nga Intelegjenca Artificiale foli për Kosovën dhe shqiptarët, si dhe për futbollistët Xherdan Shaqirin dhe Granit Xhakën.

    I pyetur nga gazetari ynë për Kosovën dhe personalitetin e kryeministrit Albin Kurti, roboti “Monsieur” është në gjuhën frënge me këto fjalë: “Po, kam dëgjuar për Kosovën. Është një vend i bukur. Zoti Kurti është një personalitet i respektuar në rajon dhe po bën shumë për përmirësimin e situatës politike në Kosovë! Mirupafshim, zotëri gazetar…”

    Inovatorët në fushën e inteligjencës artificiale (AI) dhe robotikës – të shoqëruar nga krijimet e tyre të sofistikuara – do të bashkohen me drejtuesit e veprimit humanitar në Gjenevë, Zvicër më 6 dhe 7 korrik, në edicionin e ri të samitit botëror që synon promovimin e AI për zhvillim të qëndrueshëm.

    Organizuar për dy ditë me radhë me iniciativën e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU), Samiti Botëror për Inteligjencën Artificiale për të Mirën Sociale do të jetë një mundësi për të treguar ndihmën që teknologjitë e reja mund të sjellin për të arritur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, të përcaktuara nga Kombe të Bashkuara, në fusha të tilla si trajtimi i krizës klimatike dhe forcimi i përgjigjeve humanitare.

    Zgjidhje inovative dhe folës të nivelit botëror

    Samiti “AI for Good” do të bashkojë, për herë të parë në një vend, tetë robotë socialë humanoidë dhe mbi 20 robotë të specializuar. Këta robotë do të shfaqin të gjitha aftësitë e tyre, nga luftimi i zjarreve dhe ndihma humanitare, deri te kujdesi shëndetësor dhe mbështetja e bujqësisë së qëndrueshme. Veprimtaria gjithashtu do të përfshijë fjalime kryesore nga personalitete me ndikim.

    Dy tryeza të nivelit të lartë – në të cilat do të marrin pjesë zyrtarë qeveritarë, drejtues sektorësh privatë, akademikë dhe partnerë të sistemit të OKB-së – do të ofrojnë një mundësi për të shqyrtuar politikat, rregulloret dhe standardet e nevojshme për të siguruar që AI të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm.

  • ​Rama për takimin me Kurtin: Edhe hasmit i hapet dera kur vjen

    ​Rama për takimin me Kurtin: Edhe hasmit i hapet dera kur vjen

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur optimist se homologu i tij në Kosovë do ta pres në takim sot.

    Ai nga Maqedonia e Veriut tha se shpreson se kryeministri Albin Kurti nuk e ka harruar kanunin se kur vjen mysafiri në shtëpi, qoftë edhe ai “hasëm” duhet t’i hapet dera.

    “Unë kam akoma shpresë se Albini nuk e ka harruar kanunin se kur vjen në shtëpi edhe hasmit i hapet dera, është e ndaluar të nxjerrësh deri kur ai të mbaroj fjalën”, tha ai.

    I pyetur për Ballkanin e Hapur, Rama tha se edhe njëmijë herë të kthehej prapa do ta bënte të njëjtin.

    “Ballkanin e Hapur një mijë herë të kthehesha prapa, njëmijë herë do ta bëja. Ballkani i Hapur nuk është një nismë përjashtuese. Ballkani i Hapur është një nga 72 iniciativat që ka ky rajon, për të cilat ju ndoshta nuk keni dëgjuar fare, sikur unë vet kur e kam dëgju këtë jam habitur. Çfarë e keqe i ka ardhur nga Ballkani i Hapur rajonit, përveç të mirave. Cilat janë ato, merrni shikoni shifrat e tregtisë midis vendeve”, shtoi Rama.

    Ai nga Shkupi refuzoi të flas për tensionet e fundit Kosovë-Serbi, derisa tha se për të njëtën do të ketë qëndrim pasditën e sotme në Kosovë./kp/