ATV

Tag: Ballina

  • Sot dita më e nxehtë e korrikut, apelohet për kujdes

    Sot dita më e nxehtë e korrikut, apelohet për kujdes

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se sot do të mbajë mot me diell dhe vapë, ndërkaq parashihet të jetë dita më e nxehtë e javës së fundit të korrikut.

    IHMK-ja njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 16-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 33-39 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë e lehtë drejtimesh të ndryshme.

    Për shkak të temperaturave të larta apelohet respektimi i këshillave të IKSHP.

    Sipas llogaritjeve të vlerave të temperaturave maksimale, IHMK ka ardhur në përfundim se korriku do të jetë ndër muajt më të nxehtë për shumë vite të fundit.

  • Ndryshimet që diaspora do të donte t’i shihte në Kosovë

    Ndryshimet që diaspora do të donte t’i shihte në Kosovë

    “Shumë gjëra do të doja të ndryshohen në Kosovë, por do të veçoja largimin e mbeturinave”, thotë për Radion Evropa e Lirë Shyqyri Demaku nga Prishtina, i cili tash e 33 vjet, bashkë me familjen, jeton në Suedi.

    “Pastrimi nuk është në nivel. Këta kontejnerë që i keni për mbeturina, të futen nën tokë disi. Kjo duhet të ndryshohet dhe kjo mund të bëhet lehtë me angazhimin më të madh të institucioneve”, thotë Shyqyriu, i cili Kosovën e viziton deri në tri herë në vit.

    Ai dhe dhjetëra kosovarë të tjerë nga diaspora vizituan të hënën ambientet e Kuvendit të Kosovës dhe u pritën nga disa deputetë.

    Aktiviteti tradicional, i njohur si “Bashkatdhetarët në Kuvend”, zgjat dy ditë.

    Hysni Makovci, i cili vizitoi Kuvendin bashkë me djalin e tij, thotë se “syrin ia vrasin ndërtimet e shumta në Kosovë”.

    “Më mirë është të investohet në shëndetësi. Do të duhej të kishte sigurime shëndetësore, ashtu siç i kemi ne në Gjermani”, thotë Hysniu.

    Ai migroi në Gjermani gjatë kohës së luftës, në vitin 1999. Vendlindjen e tij, Prishtinën, e viziton deri në katër herë në vit.

    Hysniu thotë se duhet punuar edhe për rritjen e pagave në Kosovë, ku mesatarja sillet rreth 520 euro në muaj.

    “Kam motrat këtu dhe nënën dhe më duhet t’i ndihmoj. Dërgoj para çdo muaj. Edhe për mua është vështirë t’i ndaj ato mjete që i dërgoj në Kosovë, por punojmë shumë dhe ia dalim”, thotë ai.

    Diaspora e Kosovës është e përqendruar kryesisht në Gjermani, Zvicër, Austri dhe vende të tjera të Evropës.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, deri në fund të vitit 2018, ka qenë mbi 850.000.

    Vizitat e tyre në Kosovë janë më të shumta gjatë verës.

    Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, shpenzimet e diasporës në Kosovë në vitin 2022 – qoftë në hotele, restorante apo biznese lokale – kanë kapur vlerën e rreth 1.9 miliard eurove.

    Diaspora dërgon shuma të konsiderueshme parash edhe në formë të remitencave – vlera e të cilave, vitin e kaluar, ka arritur në 1.2 miliard euro.

    Kuvendin e Kosovës e vizitoi të hënën edhe Albion Krasniqi, nga komuna e Klinës, i cili jeton dhe studion në Itali.

    Ai synon që një ditë të kthehet në Kosovë. Thotë se do të dëshironte që “ligjet që miratohen në Kosovë, të zbatohen”, si dhe t’u jepet më shumë hapësirë të rinjve.

    “Mendoj se çdo i ri që jeton atje, në Itali, ka shumë aftësi që mund t’i zhvillojë këtu dhe mund të kontribuojë më shumë këtu sesa në Itali”, thotë Albioni.

    Fatmir Bytyçi ka disa javë që bashkë me familjen gjenden në Kosovë. Me prejardhje nga Prizreni, ai ka emigruar në Gjermani në vitin 1992.

    Për Fatmirin, arsimi është fusha ku duhet investuar më së shumti në Kosovë.

    “Subjektet politike nuk i njohin problemet e arsimit… Një problem që nuk e kupton, nuk mund as ta zgjidhësh. Mendoj se arsimi është shumë i dobët në Kosovë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, diaspora zë vendin e parë edhe sa u përket investimeve të huaja në vend, që bëhen kryesisht në patundshmëri. Ndërtuesit konfirmojnë se deri në 70 për qind e blerësve janë nga diaspora.

  • Kurti i pikëlluar nga zjarret në Greqi: Qeveria e gatshme të ndihmojë në çdo mënyrë

    Kurti i pikëlluar nga zjarret në Greqi: Qeveria e gatshme të ndihmojë në çdo mënyrë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi zjarrfikësit në Greqi po luftojnë për t’i shuar 82 vatra të egra zjarri që kanë shpërthyer nëpër vend, 64 prej të cilave kanë nisur të dielën, në ditën më të nxehtë të verës deri më tani.

    Pamjet e zjarreve, Kurti i ka cilësuar të furishme dhe shkatërruese.

    Përveç flakëve të mëdha në ishullin e Rodosit, të cilat kanë detyruar 19.000 persona të ikin, zjarre të egra kanë shpërthyer edhe në ishullin e Korfuzit dhe në rajonin verior të Peloponezit, duke nxitur evakuime të tjera.

    Me anë të një postimi në Twitter, Kurti u shpreh se Qeveria e Kosovës është e gatshme që t’u dalë në ndihmë autoriteteve në Greqi.

    “Pamje shkatërruese nga Greqia që tregojnë zjarre të furishme. Shpresojmë për sigurinë e të gjithë të prekurve dhe jemi të pikëlluar nga shkatërrimi dhe vështirësitë që zjarret kanë sjellë në ishuj. Qeveria jonë është e gatshme të ndihmojë në çdo mënyrë që mundemi”, shkroi ai në Facebook.

  • Kishte transmetuar pamjet e spastrimit etnik në Kosovë, vdes gazetari i BBC-së

    Kishte transmetuar pamjet e spastrimit etnik në Kosovë, vdes gazetari i BBC-së

    George Alagiah, një nga gazetarët më të respektuar të BBC-së, vdiq në moshën 67-vjeçare, nëntë vjet pasi u diagnostikua me kancer.

    Një deklaratë, agjentja e tij tha se ai “vdiq i qetë sot, i rrethuar nga familja dhe të dashurit e tij”, shkruan BBC.

    Si pjesë e ekranit televiziv britanik për më shumë se tre dekada, ai prezantoi lajmet e BBC-së në 20 vitet e fundit.

    Para kësaj, ai ishte një korrespondent i huaj i vlerësuar me çmime, duke raportuar nga vende si Ruanda e Iraku.

    Ai u diagnostikua me kancer të fazës së katërt në vitin 2014 dhe zbuloi në tetor të vitit 2022 se sëmundja i ishte përhapur.

    Duke bërë homazhe, agjentja e tij tha: “George ishte shumë i dashur nga të gjithë ata që e njihnin, si mik, koleg apo si një anëtar i publikut”.

    “Ai thjesht ishte një njeri i mrekullueshëm. Mendimet e mia janë me bashkëshorten, djemtë dhe familjen e tij më të gjerë,” tha agjentja e tij.

    Drejtori i përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie tha: “Nëpër BBC, të gjithë jemi jashtëzakonisht të trishtuar kur dëgjuam lajmet për George. Ne po mendojmë për familjen e tij në këtë kohë”.

    “Ai ishte më shumë se një gazetar i shquar, audienca mund të ndiente mirësinë, ndjeshmërinë dhe humanizmin e tij të mrekullueshëm. Të gjithë e kanë dashur dhe do të na mungojë pa masë”, tha Davie.

    Alagiah fitoi çmime për raportimet mbi urinë dhe luftën në Somali në fillim të viteve 1990 dhe u nominua për një çmim Bafta në vitin 1994 për mbulimin e fushatës gjenocidale të Sadam Huseinit kundër kurdëve të Irakut verior.

    Ai u emërua gjithashtu gazetari i vitit i Amnesty International në vitin 1994, për raportimin mbi luftën civile në Burundi dhe ishte gazetari i parë i BBC-së që raportoi për gjenocidin në Ruandë.

    Ai intervistoi fëmijë ushtarë në Liberi, viktima të përdhunimeve masive në Ugandë dhe ishte dëshmitar i vuajtjeve të njerëzve pothuajse kudo në botë.

    “Ka një brez të ri në Afrikë”, shkruante ai, “brezi im, fëmijët e lirisë, të lindur dhe të edukuar në ato vite euforie pas pavarësisë, kemi pasur një shans. Nuk kemi bërë shumë me të”.

    Ai ka thënë se një nga momentet që ka ndjerë më së shumti krenari në jetën profesionale, ishte kur transmetoi disa nga pamjet e para të spastrimit etnik në Kosovë në vitin 1999.

  • Aksion kundër ndërtimeve pa leje në veri të Mitrovicës, në shtatë vende ndalohen punimet

    Aksion kundër ndërtimeve pa leje në veri të Mitrovicës, në shtatë vende ndalohen punimet

    Shtatë vendeve në veri të Mitrovicës u janë ndaluar të hënën punimet në objekte.

    Ky aksion i komunës u zhvillua për shkak të ndërtimeve pa leje.

    Nga kjo komunë u është bërë thirrje ndërtuesve që të aplikojnë për leje ndërtimi në institucionet komunale.

    “Ndërtuesit janë udhëzuar që t’i ndjekin procedurat ligjore dhe të aplikojnë për leje ndërtimi pranë institucioneve komunale, në të kundërtën çdo veprim jashtë procedurave të rregullta do të trajtohet sipas ligjeve në fuqi”, kanë bërë të ditur nga komuna.

    Të enjten e javës së shkuar, kryetari i kësaj komune, Erden Atiq, ka njoftuar se Drejtoria e Inspektoratit ka vizituar vendpunishtet ku kanë filluar ndërtimet e objekteve pa përfillur procedurat ligjore.

    “Në mungesë të dokumentacioneve, janë vendosur shiritat me të cilat ndalohet vazhdimi i punëve deri në plotësimin e kritereve sipas ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

  • Sveçla e Balla s’i komentojnë raportet Kurti-Rama

    Sveçla e Balla s’i komentojnë raportet Kurti-Rama

    PËRGATITI: NORA LUTA

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ai i Shqipërisë, Taulant Balla, kanë vizituar sot pikën e përbashkët të kalimit kufitar në Morinë, me ç’rast thanë se po mundohen të gjejnë një zgjidhje për t’i shkurtuar pritjet e mërgimtarëve gjatë udhëtimit për në Kosovë. Për raportet mes dy kryeministrave nuk komentuan, por thanë se u takon dy ministrave ta zbatojnë secilën marrëveshje të nënshkruar.

    Pika kufitare në Vërmicë ka qenë pikëtakimi i dy ministrave të Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Shqipërisë.

    Xhelal Sveçla e Taulant Balla thanë se arsye e vizitës në këtë pikë kufitare është rritja e numrit të mërgimtarëve, e gjetja e një zgjidhjeje për t’i shkurtuar pritjet.

    Dy homologët nuk i komentuan raportet mes kryeministrave Albin Kurti dhe Edi Rama, por thanë se u takon dy ministrave t’i zbatojnë marrëveshjet e përbashkëta.

    Kosova dhe Shqipëria në korrik të 2018-s kishin përuruar pikën e përbashkët kufitare Morinë – Vërmicë.

    Për modernizimin e pajisjeve kishte ndihmuar me financim edhe Bashkimi Evropian, më shumë se një milion euro.

    Ndërsa, marrëveshja për unifikimin doganor mes dy vendeve ishte nënshkruar disa muaj më vonë, në po të njëjtin vit.

  • S’ka të interesuar , QMF e fshatrave të Prizrenit pa biokimist

    S’ka të interesuar , QMF e fshatrave të Prizrenit pa biokimist

    PËRGATITI: SARA SHEHU

    Si pasojë e mungesës së stafit shëndetësor, qendrat e mjekësisë familjare në fshatra të komunës së Prizrenit, nuk po mund t’u ofrojnë pacientëve shërbime mjekësore për çdo ditë. Pacientët ankohen se po detyrohen që të bëjnë rrugë deri në Qendër të qytetit për t’i kryer shërbimet, sidomos për kryerjen e analizave. Mungesa e biokimistëve nëpër QMF-të, është si pasojë e mosinteresimit për të aplikuar për këtë pozitë.

    “Në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Gjonaj në Has të Prizrenit, banorët ankohen se nuk po mund t’i kryejnë të gjitha analizat”.

    Kjo për shkak se në këtë qendër, nuk ka të punësuar asnjë biokimist.

    Mungesa e një biokimisti në QMF-në e këtij fshati, po detyron banorët të cilët kanë nevojë për këtë shërbim mjekësor, të shkojnë në Prizren. Sipas tyre, udhëtimi e më pas edhe kryerja e analizave po iu kushton atyre.

    “Po duhet të shkojmë në Qendrën Kryesore në Prizren e goxha është larg. Mua po më kushton goxha shtrenjtë. E këtu në Qendër të Mjekësisë në Gjonaj s’ka kush me t’i kry analizat, është shqetësuese për krejt edhe fshatarët e mi. Po na kushton secilit”.

    “Është shqetësuese, po masi këtu s’po bahen, po duhet me shku në qendër. E tash më vështirë se shumë nxehtë”.

    Për vështirësitë që hasin pacientët për bërjen e analizave ka folur edhe kryetekniku në këtë qendër, Muharrem Qollaku.

    “Këtu nuk kemi biokimist të punësuar, kemi vetëm një laborant që në vend të biokimistit punon dy herë në javë për pacientët. Ama këtu nuk kryhen krejt llojet e analizave se s’ka biokimist, duhet me shku në qendër pacientët”.

    Mirëpo, nuk është vetëm fshati Gjonaj që ka mungesë të një biokimisti, me të njëjtin hall përballet edhe QMF-ja e fshatit Romaj. Për këtë pozitë nuk ka të interesuar.

    “Në fshatin Gjonaj kemi pasur të hapur një konkurs për biokimist, por s’kemi pasur asnjë të interesuar, andaj jemi detyruar ta mbyllim konkursin. Kemi një biokimist këtu në QKMF. E njëjta situatë është edhe në fshatin Romaj. Të gjitha analizat prej atje i bijnë këtu mostrat për përpunim. Ndërkohë tjetër çështje është se këtu kemi vetëm 1 radiolog, kemi nevojë më shumë. Kemi shumë pak staf për shërbime mjekësore”.

    Sipas menaxhmentit drejtues të QKMF-së në Prizren, në 44 njësitë e kujdesit parësor shëndetësor, numri i të punësuarve arrin në 500.

    Ndryshe, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, brenda ditës kryhen mbi 150 lloje të analizave.

  • Kuvendi i Kosovës hap dyert për mërgimtarët

    Kuvendi i Kosovës hap dyert për mërgimtarët

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    Kuvendi i Kosovës ka hapur sot dyert për pritje të mysafirëve nga diaspora. Bashkatdhetarët patën mundësi t’i vizitojnë hapësirat e këtij institucioni e të takohen me deputetë, të cilëve ua shpalosën shqetësimet dhe kërkesat e tyre.

    Për Besart Demakën është hera e parë që Kuvendin e Kosovës po e sheh nga afër. Meqë erdhi nga Suedia, vendosi të ulet në karrigen e kryeministrit, për ta parë më mirë gjithë sallën e seancave.

    Por me të hyrë brenda sallës, ai thotë se iu kujtua përleshja e deputetëve që ndodhi një javë më parë, për të cilën pati një kritikë.

    Ndihem shumë mirë, i kemi problemet por është vendi ynë. Nuk është ajo punë normale me krye politikën ashtu, se pamja shumë e keqe në Suedi. Mediat s’shkruajnë shpesh për Kosovën e kësaj radhe kanë shkrua që janë rreh e kjo nuk është e mirë se na del pamja e keqe.

    Kuvendin nga një dimension ndryshe e panë edhe mërgimtarë nga Gjermania e Zvicra.

    Është shumë kënaqësi me ardhë në Kosovë, bile para se me ardhë thoja që ky kuvend është Vlora e dytë, gurthemeli i shtetit është këtu.

    Emocion shumë i madh se një institucion si ky s’e kemi vizitua kurrë, në kohën e ish-Jugosllavisë nuk kemi guxua as me u afrua te dera se na rrahshin.

    Ata i priti deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, e cila tha se këto takime janë shumë të rëndësishme për të.

    Mërgata jonë vjen çdo vit këtu, për të shfaqë brengat e shqetësimet që ata kanë, por më shumë për t’u lidhur me shtetin e tyre. Kemi diskutuar gjatë që të kemi edhe zërin e tyre këtu në Kuvend, me i shpreh shqetësimin, e më herët e kemi pas edhe një ministri të diasporës, por me nuk funksionon. Kjo nuk e zbeh assesi nevojën tonë për këta njerëz, të cilit janë aty për sa herë që ka nevojë Kosova.

    Mërgimtarët do të kenë mundësi që edhe nesër nga ora 8 deri në 16:00 të takohen me deputetë e ta shohin nga afër Kuvendin e Kosovës.

     

     

  • AAK-ja, tryezë diskutimi me organizatat e dala nga lufta

    AAK-ja, tryezë diskutimi me organizatat e dala nga lufta

    PËRGATITI: DRITON SADIKU

    Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës sot mbajti një tryezë diskutimi me përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta, ku fokus ishte gjendja e veteranëve, veçanërisht tash pas mospërfshirjes së tyre në pagën minimale. Ata akuzuan qeverinë se nuk i ka përmbushur premtimet e dhëna, derisa thanë se si kategori janë lënë pas dore. Kësisoj zgjidhje, sipas tyre, mbetet që të jenë të bashkuar edhe në protesta.

    Në vazhdën e diskutimeve për situatën politike në vend dhe një zgjidhje të mundshme për të dalë nga ajo, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sot priti shoqatat e dala nga lufta.

    Grupi parlamentar i AAK-së ishte i hapur që t’i dëgjojë hallet e përfaqësuesve të këtyre shoqatave, që më pas ato t’i përcjellin në Kuvend para deputetëve të tjerë.

    Fokusi kryesor ishte gjendja e veteranëve, veçanërisht tash pas mospërfshirjes së tyre në pagën minimale.

    Andaj një vendim i tillë nga ata që përfaqësojnë veteranët u cilësua edhe si tradhti ndaj atyre që ishin simbol i lirisë.

    Përveç se veteranët nuk u përfshinë në pagën minimale, atyre thonë se nuk u dha asnjë e drejtë që ua garanton edhe ligji, që nga ardhja e kësaj qeverie.

    Andaj, sipas tyre, krejt çka mbetet është që të vazhdojnë me protesta, pasi ndryshe nuk po dëgjohet zëri i tyre.

    Në fund fare edhe morën zotimin e aleancës se brengat e tyre do t’i ngrenë në kuvend.

    Ndryshe, kjo ishte tryeza e tretë e organizuar nga AAK-ja, pas asaj me sindikatat e punëtorëve të sektorit publik dhe përfaqësuesve të mediave.

  • Temperaturat e larta, dëmtohet asfalti në Prishtinë

    Temperaturat e larta, dëmtohet asfalti në Prishtinë

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI

    Për shkak të temperaturave të larta që po mbretërojnë në Kosovë, mjetet transportuese që bartin pesha të rënda kanë deformuar asfaltin në disa rrugë të Prishtinës. Përderisa ekspertët paraqesin nevojën e përcaktimit të orarit për lëvizjen e këtyre mjeteve, Komuna e Prishtinës thotë se diçka e tillë nuk mund të realizohet.

    Temperaturat e larta me të cilat po përballet vendi muajt e verës, po shkaktojnë probleme edhe në infrastrukturë.

    Sipas ekspertëve të komunikacionit, temperatura mesatare e asfaltit është dyfishuar, gjë që ka krijuar mundësi të deformimit të rrugëve të asfaltuara nga mjetet e rënda transportuese.

    “Ne i bëmë matjet më herët dhe e pamë që temperatura në hije po vjen 28-30 gradë, ndërsa në diell deri 52, sa i përket shkeljes së rrotave mbi asfalt nuk lejohet më shumë se 32 gradë.”

    Për t’i shmangur këto dëmtime të rrugëve, eksperti Bekim Ahmeti thotë se janë dy zgjidhje.

    “Mjetet e transportit duhet ta kenë një orar për qarkullim që të mos e deformojnë asfaltin kur temperaturat janë të larta… Më mirë kishte qenë që Prishtina të ketë tramvaj në lidhje me disa qytete, gjë e cila nuk po bëhet dhe shpresojmë ta mbërrijmë, sepse shinat e përballojnë temperaturën më shumë se asfalti, po ashtu kishte ndikuar edhe në komunikacion”.

    Disa prej këtyre mjeteve të rënda transportuese janë të kontraktuara nga vetë komuna e Prishtinës, për kryerjen e disa projekteve infrastrukturore në kryeqytet.

    “Rrugët e asfaltuara të kryeqytetit dëmtohen jo vetëm si pasojë e kualitetit të dobët, por edhe prej peshave të rënda që bartin mjetet transportuese gjatë temperaturave të larta. Situatë e tillë është në rrugën “Fehmi Lladrovci”, e cila ndër vite ka pësuar deformime të tilla”.

    Komuna e Prishtinë e pranon se një gjë e tillë po ndodh, por arsyetohet se punimet në projekte infrastrukturore duhet të kryhen verës.

    “Është e vërtetë që mjetet shkaktojnë dëme, por kohën e mirë duhet ta shfrytëzojmë në sa më shumë projekte”.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, vala e të nxehtit do ta shoqërojë vendin deri në fund të sezonit veror.