ATV

Tag: Ballina

  • Vazhdojnë kolonat te Dheu i Bardhë, mbi një orë pritje për të hyrë në Kosovë

    Vazhdojnë kolonat te Dheu i Bardhë, mbi një orë pritje për të hyrë në Kosovë

    Ardhja e bashkatdhetarëve në Kosovë, ka bërë që ata të përballen sërish sikurse çdo vit tjetër me pritje të gjata në pikat kufitare.

    Bashkatdhetarët po presin më së shumti në pikat kufitare me Serbinë.

    Edhe mëngjesin e së hënës, sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar (raporti i orës 07:07), pritjet më të gjata janë te Dheu i Bardhë.

    Në këtë pikë kalimi kufitar për të hyrë në Kosovë, bashkatdhetarët po presin deri në një orë e gjysmë.

    Kolona e veturave në hyrje të kësaj pike kufitare është 800 metra, shkruan Telegrafi.

    Pritje më të shkurta vërehen në pikën tjetër kufitare në Merdarë, ku në këto orë të mëngjesit, për të hyrë në Kosovë pritjet janë 20-25 minuta, dhe kolona e veturave është vetën 50 metra.

    Ndërsa, në vendkalimin kufitar në Muçibabë, për të hyrë në Kosovë duhet pritur vetëm 15 minuta.

    Ndërkaq në Mutivodë pritjet janë 30 minuta. Në vendkalimet e tjera kufitare nuk raportohet për kolona, pasi pritjet për të hyrë dhe për të dalë nga Kosova janë 03-05 minuta.

    Për të përcjellur gjendjen në kohë reale në pikat kufitare klikoni KËTU.

  • AAK-ja mban tryezë diskutimi për situatën politike në vend

    AAK-ja mban tryezë diskutimi për situatën politike në vend

    Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, sot mban tryezë diskutimi me shoqatat e dala nga lufta, shoqatat e të burgosurve politikë dhe të pagjeturve dhe ish-udhëheqës të UÇK-së.

    “Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka kohë që ka filluar një cikël diskutimesh për situatën e rëndë politike në Kosovë dhe modalitetet e mundshme për të dalë nga kjo situatë, me pjesëmarrës nga jeta publike, ekspertë të fushave, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave”, njofton AAK.

    Tryeza mbahet në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    Ndryshe AAK edhe javën e kaluar ka mbajtur tryze të tillë me akterë të tjerë në vend.

  • Kurti për median kroate: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi kur vendosën masa ndëshkuese ndaj meje

    Kurti për median kroate: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi kur vendosën masa ndëshkuese ndaj meje

    Kryeministri Albin Kurti në një intervistë për gazetën kroate “Veçernji List” ka folur për zhvillimet e fundit në vend.

    Në këtë intervistë i pari i ekzekutivit nuk ka kursyer kritikat për bashkimin Evropian dhe Shtetet e bashkuara të Amerikës për qasjen e tyre në raport me Kosovën dhe Serbinë.

    “Brukseli dhe Uashingtoni kanë vënë bast për kalin e gabuar në Serbi, në presidentin e atjeshëm. Në fund doli që nuk ishte fare kalë, por dhelpër. Askush as nuk e ka imagjinuar që një vit e pesë muaj pas agresionit rus në Ukrainë, Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Moskës, por madje do të lejonte që Sputniku të mbante bazën rajonale në Beograd. Në vend të reflektimit dhe introspeksionit të tyre, ata më godasin mua”, ka deklaruar Kurti për “Veçernji List”.

    Kurti thotë se Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj tij duke i vendosur masa ndëshkuese, derisa në të njëjtën kohë sipas tij falën presidentin e Serbisë.

    “Brukseli dhe Uashingtoni e lejuan Vuçiqin që të mos e nënshkruante marrëveshjen nga Brukseli dhe Ohri, pastaj që ta shkelte atë marrëveshje dhe ja ku jemi në një situatë në të cilën ekziston asimetri drastike në qasje. Masa ndëshkuese ndaj meje, dhe nga ana tjetër falje për presidentin Vuçiq. Kjo është një padrejtësi”.

    Ai shpreson se masat ndëshkuese nga BE-ja do të jenë afatshkurtëra.

    “Por thonë se këto masa do të jenë afatshkurtra, të përkohshme dhe të kthyeshme, andaj të shohim. Me faktorët ndërkombëtarë, edhe evropianët edhe amerikanët, kemi komunikim dhe koordinim të rregullt, por kemi edhe dallime të vogla, herë përsa u përket taktikave, e ndonjëherë, eventualisht, strategjive. Por përsa iu përket vlerave, interesave dhe qëllimeve nuk kemi asnjë dallim”, ka deklaruar mes tjerash Kurti.

  • Këta politikanë ndoqën mbrëmë koncertin “Rame Lahaj&Friends”

    Këta politikanë ndoqën mbrëmë koncertin “Rame Lahaj&Friends”

    Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka ndjekur koncertin në sheshin Skenderbeu “’Rame Lahaj&Friends”.

    E bashkë me Haradinajn është edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

    ”Sonte në Gala Mbrëmjen ‘Rame Lahaj&Friends’, në sheshin ‘Skënderbeu’, një event ku bashkë me tenorin e mirënjohur botëror Ramë Lahaj, performuan yje të njohura të artit operistik”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, të dielën.

  • Punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë të ekspozuar në temperatura të larta e pa masa mbrojtëse

    Punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë të ekspozuar në temperatura të larta e pa masa mbrojtëse

    “Qytetarë të dashur, kujdes nga temperaturat e larta! Qëndroni në hije. Shmangni aktivitetin fizik të mundimshëm gjatë temperaturave të larta”.

    Janë këto vetëm disa thirrje të Ministrisë së Shëndetësisë për të mos u ekspozuar në diell gjatë temperaturave të larta.

    Mirëpo masat e rekomanduara për shëndetin nuk po përfillen nga të gjithë.

    Janë këta punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë, të cilët përveç ekspozimit ndaj temperaturave të larta, disa prej tyre madje nuk kanë as pajisje mbrojtëse të punës.

    E mungesa e tyre sipas ekspertëve të sigurisë dhe shëndetit në punë mund të jenë fatale për punëtorët.

    “Si rezultat i mungesës së pajisjeve mbrojtëse mund të vijë deri te një aksident apo tek një fatkeqësi me fatalitet. Së dytë mund të jetë fakti që jo të gjitha vendpunishtet mobile apo ato të cilat janë të dedikuara për ndërtim i plotësojnë kushtet për nga aspekti teknik dhe i pajisjeve kolektive mbrojtëse. Pastaj mungesa e stafit të kualifikuar nga punëdhënësi është një mangësi e madhe që çon deri tek këto aksidente”, thotë Lirik Veselaj, ekspert i sigurisë dhe shëndetit në punë.

    Këto janë arsyet që sipas Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, rastet e vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës janë rritur.

    “Realisht numri i punëtorëve që po humbin jetën në vendin e tyre të punës po rritet. Krahasuar me vitin e kaluar është një rritje jashtëzakonisht e madhe. Deri në fund të qershorit të këtij viti kemi 14 raste që po themi se është numër shumë i madh. A përkujdesin nuk janë duke e bërë as institucionet që janë obligative ndaj këtyre kompanive. As sigurinë minimale nuk janë duke e bërë pronarët e kompanive”, thotë Jusuf Azemi nga kjo sindikatë.

  • Greqi, evakuuimi nga ishulli i Rodosit, më masivi nga zjarret në vend

    Greqi, evakuuimi nga ishulli i Rodosit, më masivi nga zjarret në vend

    Rreth 19,000 persona janë evakuuar nga ishulli grek i Rodosit ndërsa zjarret vazhdojnë për të gjashtën ditë në tre fronte, thanë autoritetet greke të dielën.

    Ministria e Ndryshimeve Klimatike dhe Mbrojtjes Civile tha se ishte “evakuimi më i madh nga zjarret në vend”.

    Policia lokale tha se 16,000 vetë u evakuuan nga toka dhe 3,000 nga deti nga 12 fshatra dhe disa hotele. Gjashtë persona u trajtuan për një kohë të shkurtër në një spital për probleme me frymëmarrjen.

    Një person që ra dhe theu këmbën gjatë evakuimit në hotel dhe një grua shtatzënë mbetën të shtruar në spital. Autoritetet thanë se gruaja ishte në gjendje të mirë.

    Agjencitë turistike TUI dhe Jet2 anuluan fluturimet për në Rodos. Jet2 tha se po anulonte pesë fluturime të rregullta për pasagjerët për në ishull të dielën, por do të dërgonte avionë në Rodos për të evakuuar klientët e vet.

    TUI tha se po anulonte të gjitha fluturimet për në ishull të paktën deri të martën. Një agjent i një kompanie turistike në Rodos, Stelios Kotiadis konfirmoi për Associated Press se evakuimi po bëhej me nxitim.

    “Ka pasur panik. … Autoritetet ishin të mbingarkuar,” tha ai. Megjithatë ai shtoi se hotelet e braktisura “janë në gjendje shumë më të mirë sesa njoftohet në mediat sociale. … Ata do të jenë gati të rihapen shumë shpejt nëse Mbrojtja Civile hap dritën e gjelbër.”

    Zoti Kotiadis tha se ai dhe agjentë të tjerë udhëtimi dërguan autobusë në juglindje të ishullit për të marrë turistët e evakuuar. Ai shtoi se 90% e turistëve të evakuuar janë nga vendet evropiane.

    Ambasadori britanik në Greqi, Matthew Lodge, tha se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po dërgonte një ekip të shpejtë për t’u shërbyer shtetasve britanikë në Rodos.

    Ministria e Punëve të Jashtme greke tha se po dërgonte personel në Aeroportin Ndërkombëtar të Rodosit për të ndihmuar turistët e huaj që kanë humbur dokumentet e udhëtimit.

    Zëdhënësi i Brigadës së Zjarrfikësve, Yannis Artopios tha se deri të dielën pasdite, 266 zjarrfikës dhe 49 automjete zjarrfikëse po punonin në terren, së bashku me qindra vullnetarë.

    Dhjetë avionë zjarrfikës, përfshirë dy nga Franca, dy nga Turqia dhe një nga Kroacia, si dhe tetë helikopterë po veprojnë në atë zonë. Bashkimi Evropian ka dërguar përforcime të konsiderueshme.

    “Mbi 450 zjarrfikës dhe shtatë avionë nga BE-ja janë dislokuar në Greqi ndërsa zjarret vazhdojnë të përhapen në të gjithë vendin”, tha të dielën në Twitter Komisioneri i BE-së për Ndihmën Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic.

    Në pjesën malore të Rodosit, një front aktiv i zjarreve, zjarrfikësit janë përpjekur të ndalojnë përhapjen e flakëve në pyjet e dendura aty pranë.

    Temperaturat në Greqi vazhduan të ishin të larta të dielën. Që para mesditës, temperaturat kishin arritur 38 gradë Celsius.

    Disa nga të evakuuarit, përfshirë turistë, po strehohen në hotele të tjera, palestra dhe një qendër konferencash. Një kompani transporti ka ofruar një nga anijet e saj për strehim. Agjenti i udhëtimit, Kotiadis i tha agjencisë Associated Press se po përdoreshin tre anije.

    Zjarre shpërthyen të dielën edhe në pjesë të tjera të vendit. Gjendja më e rëndë ishte në Evia, ishulli i dytë më i madh i Greqisë, ku autoritetet u thanë banorëve të katër fshatrave jugore që të evakuoheshin në qytetin Karystos, në perëndim të zonë ku po përhapej zjarri.

    Zëvendësguvernatori i Greqisë Qendrore, Giorgos Kelaiditis, i cili ishte pranë njërit prej fshatrave, i tha agjencisë shtetërore ANA-MPA se situata është e vështirë:

    “Zjarri mund të jetë 2 kilometra larg, por era është e fortë, tymi i dendur dhe është vështirë për frymëmarrjen,” tha ai.

    Përveç Rodosit dhe Evias, autoritetet shpallën një pjesë të madhe të territorit grek, si zonën me rrezikshmërinë më të lartë nga zjarret. Një pjesë tjetër e vendit u deklarua si shumë e rrezikuar nga zjarret. /VOA

  • “Rritja e pagës minimale, dëmtim i bizneseve të vogla”

    “Rritja e pagës minimale, dëmtim i bizneseve të vogla”

    Qeveria e Kosovës ditë më parë rriti pagën minimale në 264 euro.

    Por kjo rritje, përveç se u kritikua se është pak për punëtorët, po konsiderohet e dëmshme edhe për bizneset e vogla.

    “Në rast se do të bëhet obligative që do të kenë një pagë fikse 250, apo çfarëdo vlere për këto biznese, do të dëmtohen në masë të madhe, për shkak se ato fillimisht duhet të mbushin obligimet ndaj punëtorëve, pastaj të krijojnë profitin e tyre. Në mënyrë që të bëhet kjo zgjidhje, duhet t’i rrisin çmimet e shërbimeve dhe produkteve që nuk mund të jenë konkurrent në treg, pastaj tregu gradualisht i detyron që ata t’ia vendosin drynin ndërmarrjes tyre”, tha eksperti i ekonomisë, Besnik Avdija.

    Të njëjtin mendim ndan edhe kryetari i odes ekonomike Lulzim Rafuna, teksa thotë se qeveria është dashur ta bëj një vlerësim para se ta qoj ligjin në kuvend.
    “Para se të sjellët ligji ish dashtë me qenë një studim, një vlerësim se sa do të ndikojë rritja e pagës minimale, sidomos tek bizneset e vogla që fillojnë punën. Por, ne edhe më herët e kemi ngrit zërin që bizneset e vogla të ndihmohen në një periudhë të caktuar kohore, derisa të stabilizohen pak. Duhet me qenë shumë të kujdesshëm, në momentin që fillon të implementohet ligji që mos të dëmtohen asnjë biznes, duke përfshirë edhe ato biznese që sapo kanë filluar punën”, tha Rafuna.

    Rafuna shton se ka nevojë që të ndihmohen bizneset e vogla, në mënyrë që të mos pësojnë ndonjë dëmtim nga ana e pagës minimale.

    “Duhet të përgatitet një paketë e masave fiskale, sidomos tek subvencionimi i qirasë për një periudhë të caktuar kohore ose subvencionimi i fuqisë punëtore, aty ku hasen në vështirësi, me pas ndihma në forma të ndryshme, në zbutjen e interesave”, tha Rafuna.

    Përveç kësaj, rritja e pagës minimale vlerësohet se mund të ndikoj edhe në rritjen e informalitetit te punëtorët.

    “Kjo pagë minimale mund të ndikojë në rritjen e informalitetit, për shkak se kemi pas një numër të bizneseve që kanë deklaruar ndoshta pagën e punëtorëve deri në nivel të pagës minimale, ndërsa pjesën tjetër ua kanë kompensuar përmes kanaleve joformale. Pra, në këtë kontekst konsideroj se qeveria tani duhet të jetë më e kujdesshme dhe të fokusohet në masat që kanë për qëllim uljen e informalitetit. Pra, në rritjen e kapaciteteve të inspektoratit të punës, në mënyrë që kësisoj të parandalojë rritjen e mëtutjeshme të informalietit si rezultat i rritjes së pagës minimale”, tha Visar Vokrri, hulumtues në Riinvest.

    Rritja e pagës minimale u kundërshtua veçanërisht nga organizatat e dala nga lufta për mos përfshirje të veteranëve në këtë ligj.

    Për këtë arsye të premten Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e dërgoi këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese.

    Kësisoj ligji nuk u dekretua as nga presidentja deri në një vendim final të gjykatës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Mosmiratimi i ligjit për skemën pensionale

    Mosmiratimi i ligjit për skemën pensionale

    Prej 15 korrikut Projektligji për Skemën Pensionale do të duhej të ishte në fuqi.

    Por, përveç se nuk ka hyrë në fuqi, edhe pse këtë e kërkonte një vendim i Gjykatës Kushtetuese, projektligji nuk ka arritur as të jetë në rend dite në Kuvend për miratim. Me këtë rast, ekzekutivi e legjislativi për shkak të mospërfilljes së afateve të vendosura nga Gjykata, vlerësohet se kanë bërë shkelje.

    “Kështu të gjithë ata që preken nga ky ligj, iu lind e drejta edhe për padi. Pasi edhe Qeveria është vonuar për procedurat e miratimit e tash më pas edhe në Kuvend, që i bie se kanë bërë edhe shkelje të Kushtetutës”, tha Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    Ndërkohë edhe nëse hyn në fuqi ligji i miratuar tashmë në Qeveri, sipas njohësve të ekonomisë, paralelisht do të duhej të rriten edhe pensionet.

    “Nuk ndikon asgjë për disa kategori. Pensionet janë nga 100 euro. Duhet Qeveria t’i rrisë edhe pensionet”, tha Lavdim Hamidi, analist.

    Pensionet në Kosovë variojnë nga 100 deri në 265 euro, varësisht nga kategoria.

    Derisa skema e re pensionale për personat që u larguan nga puna gjatë viteve të ’90-a llogaritet se do t’i kushtojë shtetit rreth 60 milionë euro në vit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Pushteti i vendosur për të vazhduar punën e kuvendit, opozita e akuzon për dështim

    Pushteti i vendosur për të vazhduar punën e kuvendit, opozita e akuzon për dështim

    Kur kanë mbetur vetëm edhe një javë deri në përmbylljen e seancave të Kuvendit për sesionin pranveror, një javë ka kaluar edhe pa mbajtjen e seancave të këtij institucioni.

    Megjithatë, pavarësisht sfidave të javëve të fundit nga partia në pushtet thonë se puna e Kuvendit nuk do të ndalet, madje sipas tyre, në mënyrë të suksesshme.
    “Kuvendi do të vazhdojë punën, sepse kështu është në kornizën e jetës sonë demokratike. Kuvendi duhet të funksionojë edhe nëse nuk funksionojnë institucionet të tjera. Duhet me pasë parasysh edhe opozita dhe ata të tjerët që bëjnë këso kërcënime. E para është jo që po e frikësojnë ndokënd, pasi nuk është duke u mbërri efekti. E dyta, Kuvendi e ka një rol të veçantë në jetën tonë demokratike, pasi e ruan një lloj balance në shoqëri, prandaj është e rëndësishme të kuptojnë këtë”, tha deputeti i LV-së, Armend Muja.

    Veç kësaj, deputeti Muja, akuzoi edhe partinë më të madhe opozitare, PDK-në për shkaktim të tensioneve, pas siç tha ai humbjeve të privilegjeve të dikurshme.

    Por, të kundërtën e thonë opozitarët, që kanë fajësuar ekzekutivin se po tenton t’i mbulojë dështimet e veta.

    “Polarizimi rrjedh si rezultat i mosrealizimit të objektivave shtetërore të qeverisë. Në kuadër të dështimeve të tyre edhe politike, sferën ekonomike dhe atë të legjislacionit, tanimë është orvatur që përmes zëvendëskryeministrit dhe ministrave të caktuar të provokojë opozitën. Parimisht ka dy vjet që opozita ka qenë më shumë sesa e heshtur konstruktive, pasi vetëm në pjesën e legjislacionit kemi dhënë kontributin tonë maksimal që të tejkalohen sfidat që ballafaqohet shteti”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

    Mospajtimet pozitë – opozitë të përkthyera edhe në dhunë së fundmi, sipas atyre që monitorojnë institucionin e Kuvendit, po e cenojnë punën e rregullt nëpër seanca.

    “Ajo çka ka ndodhur në seancën e kaluar të Kuvendit të Kosovës është si pasojë e polarizimit të skajshëm ndërmjet pozitës dhe opozitës, sidomos qeverisë dhe opozitës. Padyshim kjo ka ardhur si pasojë e një gjuhe të përdorur në legjislaturat e kaluara por edhe në këtë legjislaturë. Çdo aktivitet i tillë e cenon punën e rregullt në seancë plenare…Kuvendit i kanë mbetur shumë punë të pakryera deri në mbylljen e sesionit pranveror. Me nivelin e punës që e ka karakterizu këtë sesion, mund të themi se nuk dallon shumë nga ai i vitit të kaluar kur kemi thënë se Kuvendi ka pas perfomancës shumë të dobët”, tha Naim Jakaj, monitorues i kuvendit.

    Kësisoj deri më tani, puna e kësaj legjislature, nga monitoruesit e Kuvendit po vlerësohet si tejet e dobët. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Mërgimtarët te ‘’Dheu i bardhë’’, pritje deri në katër orë

    Mërgimtarët te ‘’Dheu i bardhë’’, pritje deri në katër orë

    Me pritje deri në katër orë u përballën të dielën mërgimtarët që shfrytëzuan pikëkalimin kufitar ‘’Dheu i Bardhë’’ për të hyrë në Kosovë.

    Kolonat e gjata dhe pritja shumë orëshe nuk ishin aspak të lehta për ta, që thanë se temperaturat e larta vetëm sa po e vështirësojnë edhe më shumë pritjen.

    ‘’Në pikat kufitare tjera kemi kaluar shumë mirë, e këtu kemi prit prej orës 11 deri në 14:30..’’, tha Bedri Gashi, qyetar.

    ‘’Këtu në Kosovë kemi prit dy orë e gjysmë nuk është shumë, as pak jo po shumë vështire me prit në këto temperatura të larta’’, tha Arton Berisha, qytetar.

    Sipas tyre, vonesat në këtë pikë kufitare po shkaktohen nga pala serbe.

    ‘’Këtu kam pritur 2 orë e 30 minuta. Mendova që është problemi te shqiptarët por jo, problemi ishte te ana e serbëve. Mi morën dokumentet, mi kontrolluan për pesë minuta pastaj më thanë ec”, tha Nazim Bislimi, qytetar.

    Për dallim nga pika kufitare ‘’Dheu i Bardhë’’, situatë tjetër ishte në pikat kufitare Muçibabë dhe Mutivodë, ku pritjet për të hyrë në Kosovë, ishin tre deri në pesë minuta. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: