ATV

Tag: Ballina

  • Qeveria po përgatitet që zgjedhjet e reja në veri të jenë të pasfidueshme

    Qeveria po përgatitet që zgjedhjet e reja në veri të jenë të pasfidueshme

    Qeveria po përgatitet për zgjedhjet e reja në lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – por, vetëm përmes iniciativës së qytetarëve dhe pas votimit për shkarkim të kryetarëve aktualë.

    Pa dhënë detaje se çfarë saktësisht është duke u bërë, kryeministri Albin Kurti tha se institucionet do të sigurohen që baza ligjore për shkaktimin e zgjedhjeve të reja në këto katër komuna, të jetë gati sa më shpejtë të jetë e mundur.

    Meqë asnjëherë më parë nuk janë shkaktuar zgjedhje referuar Nenit 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, kryeministri Kurti tha se nuk e di sa kohë merr plotësimi i bazës ligjore e procedurale dhe procesi zgjedhor.

    “Ne çfarë po punojmë në këto ditë dhe do të vazhdojmë të punojmë edhe gjatë muajve të gushtit, kur është pushim në institucione, është që të sigurohemi që kjo përvojë e re që do të kemi, me ndërprerjen e mandateve të katër kryetarëve në veri, të ketë mbështetjen dhe garancitë ligjore dhe procedurale. Pra, duhet të sigurohemi që procesi i këtillë, që do të jetë përvojë e re për ne, të jetë aq i sigurt sa që i pasfidueshëm në kuptim legal dhe juridik”, tha Kurti.

    Detaje nuk dha as ministri Elbert Krasniqi, i cili iu referua vetëm legjislacionit ekzistues.

    “Baza ligjore, e cila del dhe buron nga Ligji për Vetëqeverisje Lokale, për të cilën unë kam kompetencë të flasë, tjerat pastaj janë në kompetencë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, tha Krasniqi.

    Pasi theksoi se shkaktimi i zgjedhjeve të reja përmes iniciativës qytetare, votimit për shkarkim të kryetarëve merr kohë, Selatin Kllokoqi nga D+, thekson se KQZ-ja duhet të plotësojë disa akte të brendshme para se të shkohet me këtë formë.

    “Mirëpo edhe këtu është një pengesë, sepse parashihet që kjo proceduralisht të rregullohet me rregullore nga KQZ-ja, e cila nuk është e rregulluar. Pra, hipotetikisht nëse do të ndodhte që kryetarët të mos japin dorëheqje, procedura e shkarkimit do të kërkonte kohë… Dhe, pjesa tjetër është edhe KQZ-ja duhet të aktivizohej që të aprovonte rregulloret e caktuara, të cilat e rregullojnë këtë çështje”, tha Kllokoqi.

    Si hap për deeskalim, Qeveria mbështetë zgjedhjet e reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – por vetëm në pajtim me kuadrin ligjor dhe kushtetues, jo përmes dorëheqjes së kryetarëve të zgjedhur më 23 Prill.

    Qeveria, po ashtu, e lidhë procesin e ri zgjedhor me heqjen e masave ndëshkuese nga Bashkimi Evropian. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Policët e rinj serb në veri vazhdojnë punën përkundër kërcenimeve

    Policët e rinj serb në veri vazhdojnë punën përkundër kërcenimeve

    Policët e rinj të Veriut po i bëjnë patrullat e para bashkë me kolegët me përvojë.

    76 zyrtarët e sapopranuar, 46 prej të cilëve janë të komunitetit serb, në vitin e parë do të trajnohen, për t’u ndarë pastaj nëpër sektorë.

    “Atëherë dihet saktë se për çfarë statusi aplikojnë. A do jenë hetues, a patrullë apo njësi të specializuara…”, tha zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani.

    Meqenëse shumica janë serbë, zëvendësdrejtori i policisë, Veton Elshani, beson në efekt pozitiv.

    “Ajo që ne besojmë që do të ndodhë është rritja e efektivitetit dhe efikasitetit të patrullimeve. Meqenëse policët e rinj kanë më shumë qasje në komunitet, në problemet e tyre dhe në zgjidhjen e problemeve të tyre”, tha Elshani.

    Ndërkohë në rrjete sociale në Serbi, janë bërë publike fotografitë e disa prej policëve të rinj, të cilët veç tjerash konsiderohen si tradhtarë.

    Kërcënimet e tilla, megjithëse nuk kanë ndikuar në punë, do të trajtohen seriozisht.

    “Kemi pasur diskutime me kolegët tanë. Nuk shohin kërcënime serioze. Janë më shumë komente sociale nga shtete tjera. Por, nëse kemi kërcënime serioze, do ta marrim me seriozitet dhe do t’i trajtojmë seriozisht. Dhe do marrim veprime”, tha Elshani.

    Ndërkohë, për këtë çështje kanë reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Jeff Hovenier.

    “Fushata në platforma sociale që ka për qëllim kërcënimin e frikësimin, janë të papranueshme, edhe pse jemi të bindur se janë të shpërfillura. Ata janë policë të Kosovës sepse janë profesionistë, sepse janë qytetarë që kanë dashurinë për vendin”, tha Kurti.

    “Ndaj plotësisht këto shqetësime. Kërcënimet dhe frikësimet ndaj individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës janë krejtësisht të papranueshme. Siç e kam thënë edhe më parë, Policia e Kosovës ekziston për t’iu shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe përbërja e saj duhet të pasqyrojë
    diversitetin e Kosovës”, tha Hovenier.

    Konkurset për pranimin e policëve të rinj, po bëhen në vazhdën e zëvendësimit të policëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • BE-ja nuk ndryshon mendje, në fuqi masat ndëshkuese ndaj Kosovës

    BE-ja nuk ndryshon mendje, në fuqi masat ndëshkuese ndaj Kosovës

    Masat ndëshkuese ndaj Kosovës, vazhdojnë të jenë në fuqi edhe pas pajtueshmërisë mes Kosovës dhe BE-së në Bratislavë dhe tërheqjes së 25% të forcave policore nga ndërtesat komunale në 4 komunat veriore.

    Që nga 3 qershori, qëndrimi i 27 shteteve anëtare të BE-së nuk ka ndryshuar, konfirmoi ambasadori Tomas Szunyog.

    “Ka kushte dhe kërkesa të caktuara dhe ka edhe një deklaratë që thotë se do të ketë pasoja negative nëse ato lloj kërkesash dhe kushtesh nuk plotësohen. Pra, ne jemi ende të udhëhequr nga deklarata e 3 qershorit… Nuk ka asnjë sanksion… Por, nëse po mendoni për masat, qëndrimi ynë i konfirmuar nga shtetet anëtare i 3 qershorit, është ende i njëjtë”, tha Szunyog.

    Por, kryeministri Albin Kurti pret që masat të hiqen sa më parë.

    “Ne jemi duke u përgatitur që të kemi zgjedhje të parakohshme në veri të Kosovës. Ndërkaq, për këto masat që janë ndërmarrë ndaj neve e të cilat janë quajtur edhe të përkohshme, edhe të kthyeshme, natyrisht që presim që ato të hiqen sa më parë dhe është e logjikshme që kjo do të ndodhë paraprakisht. Pra, nuk bëhet fjalë për kushtëzime, por bëhet fjalë për rendin logjik të gjërave që duhet ta ketë si hap të parë zbatimin e dakordimit ndërmjet Bislimit dhe Lajçakut për 3 qershorin”, tha Kurti.

    Ditë më parë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një takim me gazetarët tha se Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri, pa u hequr masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian.

    Masat ndëshkuese ndaj Kosovës përfshijnë: pezullimin e përkohshëm të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave dypalëshe, përveç atyre që përqendrohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Hovenier: Kërcënimet ndaj policëve në veri janë të papranueshme

    Hovenier: Kërcënimet ndaj policëve në veri janë të papranueshme

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është shprehur i shqetësuar për raportimet se zyrtarët e ri policorë në veri të vendit që vijnë nga komunitetet janë kërcënuar.

    Hovenier, thotë se janë të papranueshme kërcënimet dhe frikësimet ndaj individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

    “Ndaj plotësisht këto shqetësime. Kërcënimet dhe frikësimet ndaj individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës janë krejtësisht të papranueshme. Siç e kam thënë edhe më parë, Policia e Kosovës ekziston për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe përbërja e saj duhet të pasqyrojë diversitetin e Kosovës” ka thënë Hovenier.

    74 policë të rinj të hënën morën detyrën e tyre në veri të vendit.

    Nga këta 74 policë, 45 janë të komunitetit serb, 16 boshnjakë, 8 romë, ashkali e egjiptianë, si dhe 3 turq.

    Me të marrë detyrën u raportua se të njëjtit janë kërcënuar disa herë.

  • Kurti: S’i di hollësitë për lirimin e të dyshuarve për sulme në veri, me Prokurorinë s’jam i kënaqur

    Kurti: S’i di hollësitë për lirimin e të dyshuarve për sulme në veri, me Prokurorinë s’jam i kënaqur

    Kryeministri Albin Kurti iu ka kërkuar gazetarëve që të marrin përgjigje nga Këshilli Prokurorial për lirimin e të arrestuarve në veri.

    Kurti tha në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë se nuk është i kënaqur me Prokurorinë dhe se nuk i di detajet e lirimeve të fundit.

    “Unë nuk i kam parasysh hollësitë e lëndëve të veçanta dhe as detajet se qysh është marrë vendimi i tillë. Natyrisht, ju e dini se në përgjithësi me Prokurorinë nuk jam i kënaqur. Besoj që kanë treguar një lloj pasiviteti konstant”, tha Kurti.

    Kryeministri përmendi se institucionet i kanë ofruar “numër të madh të informacioneve” organeve të ndjekjes.

    “Ata do të duhej të japin përgjigje se si bëhet që dikush qëndron në paraburgim për muaj të tërë, e dikush as një muaj ose as tre muaj, siç zakonisht bëhet vazhdimi i paraburgimi”, tha Kurti.

    “Edhe unë nuk jam i bindur për korrektësinë”, theksoi ai.

  • Aksioni i KRU “Prishtina” në Graçanicë për shkyçje nisë në një biznes borxhi i së cilës kalon 2 mijë euro

    Aksioni i KRU “Prishtina” në Graçanicë për shkyçje nisë në një biznes borxhi i së cilës kalon 2 mijë euro

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” sot ka filluar një aksion në Graçanicë, për shkyçjen e konsumatorëve borxhlinj.

    ATV raporton se aksioni i sotëm i KRU “Prishtina” për shkyqje ka filluar në një biznes në Graçanicë, borxhi i së cilit është 2376 euro.

    Aksioni për shkyçjen e konsumatorëve borxhlinj do të vazhdojë gjatë ditës në këtë komunë.

    ATV është duke përcjellë aksionin e KRU “Prishtina” në vend të ngjarjes dhe për detaje të reja nga ky aksion do t’ju informojmë me kohë.

    Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, KRU “Prishtina” përmes një njoftimi ka paralajmëruar aksionin e sotëm në komunën e Graçanicës për shkyçjen e konsumatorëve borxhlinj. /atvlive.tv

  • Reagon ashpër edhe ambasadori Rohde pas linçimit të policëve joshumicë në veri: Absolutisht shqetësuese

    Reagon ashpër edhe ambasadori Rohde pas linçimit të policëve joshumicë në veri: Absolutisht shqetësuese

    Gjatë ditës së djeshme u mor vesh se në veri të Kosovës do të vendoseshin 74 policë të rinj, prej të cilëve 45 i përkisnin komunitetit serb. Menjëherë nga grupe e persona të pandërgjegjshëm nisi fushatë linçimi ndaj tyre. E ndaj tyre fatmirësisht po ka reagime ndërkombëtare.

    I pari që reagoi ishte shefi i ri i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano i cili i shkroi këto fjalë:

    “Jam shumë i shqetësuar me raportimet mediale sa i përket mesazheve kërcënuese ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës nga komunitetet joshumicë. Çdo lloj i intimidimit është i papranueshëm, dhe e theksoj rëndësinë që Policia e Kosovës të reprezentojë gjithë popullësinë e Kosovës.”

    E këtë postim e rishpërndau ambasadori gjerman në Prishtinë, z. Jorn Rohde, që e konsideroi fushatën si absolutisht shqetësuese.

    “Pajtohem plotësisht. Kjo fushatë intimiduese është absolutisht shqetësuese. Duhet të ndalet menjëherë. Policët e rinj nga minoriteti boshnjak, rom, serb dhe turk meritojnë gjithë mbështetjen veçanërisht nga komunat dhe qytetarët ku do të vendosen.” – tha ambasadori gjerman.

    Postimet:

  • ​Serbët mirëpresin punën e policëve të rinj të këtij komuniteti në komunat veriore

    ​Serbët mirëpresin punën e policëve të rinj të këtij komuniteti në komunat veriore

    Ende pa u bërë një vit nga dorëheqja e organizuar e policëve serbë në komunat veriore, rreth 46 serbë kanë filluar punën në Policinë e Kosovës. Nisjen e punës së policëve serbë e ka konfirmuar edhe Veton Elshani nga Policia e Kosovës.

    Në rrjete sociale të medieve serbe, serbët kanë mirëpritur dhe u kanë uruar suksese policëve të Policisë së Kosovës, gjersa dje Kosovapress kishte raportuar për kërcënime në kanalin rus telegram.

    Natasha Pavloviq nga Beogradi shpreson që policët e rinj do të punojnë drejtë, e jo sikurse paraardhësit e tyre.

    “Urime rini, jam e sigurt që do ta bëjnë punën e tyre me ndershmëri, ndryshe nga ata që u pasuruan në ca plantacione e laboratorë dhe tani e bëjnë patriotin me bater, i me xhepa plot!” ka komentuar Pavloviq.

    Njëjtë pothuajse është shprehur edhe edhe Milan Milovanoviq nga Kraleva.

    “Njerëzit le të punojnë, kur nuk iu kishte penguar që intelektualët e Listës Serbe të ishin në qeveritë e tyre, jahte dhe gjëra të tjera, pse kjo do të duhet t’ju pengojë… më mirë sesa me pagë të njëjtë të mbajnë pankarta në mitingjet të Vuçiqit, protestat dhe barrikada për interesa të individëve të pushtetit dhe Listës Serbe” ka shkruar Milovanoviq.

    Ndërsa, Dushan Milenkoviq ka uruar policët e rijnë duke u dëshiruar të gjitha të mirat në punën e tyre.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar mbrëmë në Twitter se zyrtarët nga komunitetet joshumicë kanë filluar punën këtë javë në veri të vendit.

    “I falënderojmë për shërbimin e tyre dhe i urojmë suksese”, ka shkruar Kurti.

    Veton Elshani zëvendëskomandant i PK për Rajonin e Veriut ka bërë të ditur policët e rinj serbë në PK janë nga pjesë të ndryshme të Kosovës, përfshirë edhe komunat veriore – Mitrovica, Leposaviqi dhe Zubin Potoku.

    “46 nga oficerët janë serbë, 17 boshnjakë, 8 romë, ashkalinj dhe egjiptianë dhe 3 turq. Të hënën kanë filluar. Tashmë përmes punës praktike aftësohen shtesë për të punuar në patrulla dhe detyra të tjera të nevojshme. Ata do të trajnohen në faza të ndryshme”, ka thënë Elshani për KosovaPress.

    Publikimi e emrave të policëve të rijnë serb është bërë nga kanali serb t.me/BunkerSrb në platformën ruse telegram, të cilat në mbrëmje i dënoi edhe shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.

  • Sot shënohet Dita memoriale e policëve të rënë në detyrë

    Sot shënohet Dita memoriale e policëve të rënë në detyrë

    Sot shënohet Dita memoriale e punonjësve policorë të rënë në krye të detyrës.

    Me këtë rast, Policia e Kosovës (PK), do të organizojë ceremoni përkujtimore në shenjë nderimi dhe përkujtimi për heronjtë e Kosovës, me ç’rast do të bëhen homazhe të personaliteteve pranë lapidarit, te drejtoria e Përgjithshme e PK-së në Prishtinë.

    Po ashtu me rastin e kësaj dite, në kampin Belvedere në Mitrovicë Jugu, do të zbulohet pllaka me emërtimin e ri të këtij kampi.

    Ceremonia memoriale do të mbahet në Stacionin policor “Qendra”– Prishtinë, ndërsa është paraparë të bëhet edhe parakalimi i gardës dhe njësiteve policore.

    Dy vjet më parë Qeveria e Kosovës ka dhënë mendimin e saj për nismën legjislative të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.

    Me këtë rast, Qeveria ka propozuar që krahas 24 Qershorit si Dita Memoriale e komunitetit egjiptian në këtë projektligj të shtohet edhe 26 Korriku si Dita e Policëve të rënë në kryerjen e detyrës.

    26 korriku është data kur është vrarë polici Enver Zymeri, gjatë një aksioni në veri të vendit.

    Më 27 korrik 2021 është zbuluar pllaka përkujtimore për 21 heronjtë e Policisë së Kosovës që kanë rënë në krye të detyrës.

  • EULEX-i reagon pas kërcënimeve ndaj policëve të rinj serbë

    EULEX-i reagon pas kërcënimeve ndaj policëve të rinj serbë

    Shefi i EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, ka reaguar pas raportimeve se policët e rinj serbë janë kërcënuar pasi kanë filluar punën të hënën në veri të Kosovës.

    74 policë të rinj nga të gjitha komunitetet joshumicë kanë filluar punën të hënën në veri të Kosovës.

    Nga ky institucion kanë njoftuar se 45 prej tyre janë të komunitetit serb, 16 boshnjakë, tre turq dhe tetë pjesëtarë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.

    Barbano tha se është i shqetësuar për raportimet e mediave rreth mesazheve kërcënuese ndaj policëve të rinj të Kosovës, që vijnë nga komunitetet jo-shumicë.

    ”Jam shumë i shqetësuar për raportimet e mediave në lidhje me mesazhet kërcënuese kundër policëve të sapo-dislokuar të Policisë së Kosovës nga komunitetet jo-shumicë. Çdo lloj frikësimi është i papranueshëm dhe theksoj rëndësinë që Policia e Kosovës reflekton dhe përfaqëson tërë popullatën e Kosovës”, ka shkruar ai me anë të një postimi në Twitter.