ATV

Tag: Ballina

  • KRU “Prishtina” del me njoftim për lagjet që do të mbesin pa ujë

    KRU “Prishtina” del me njoftim për lagjet që do të mbesin pa ujë

    KRU “Prishtina” njofton se sot (e mërkurë), do të realizohen punime teknike në rrjetin e ujësjellësit te lagja 038.

    Me ç’rast do të mbesin pa furnizim me ujë nga ora 11:00-16:00 këto zona: Hajvalia, lagjja 038, lagja Qëndresa, lagjja Qershia, lagjja NIC, Priam Village, Swiss Village, zona industriale në Çagllavicë deri te hotel Emerald.

    “Punimet realizohen për infrastrukturë më të mirë të rrjetit të ujësjellësit”, thuhet në njoftim.

  • “Goditja”, për dy javë Policia arrestoi 155 persona dhe konfiskoi 54 armë

    “Goditja”, për dy javë Policia arrestoi 155 persona dhe konfiskoi 54 armë

    Për dy javë janë arrestuar 155 persona ndërsa janë konfiskuar 54 armë gjatë realizimit të urdhrit operativ “Goditja”, të cilin është duke e zbatuar Policia e Kosovës.

    Gjatë kësaj periudhe janë kontrolluar 35 mijë e 324 vetura dhe 420 lokale.

    Sipas njoftimit të Policisë, janë realizuar edhe 6 mijë e 29 pika kontrolli për automjete, 1765 prej tyre me radarë dhe alkool-test.

    Policia ka bërë të ditur se zbatimi i këtij urdhri do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

  • Pritet publikimi i planit të sistemit informativ shëndetësor

    Pritet publikimi i planit të sistemit informativ shëndetësor

    Përgatiti: Jeta Selmanaj

    Funksionimi i një data baze me të dhënat e pacientëve në Sistemin Informativ Shëndetësor në Kosovë ka filluar të testohet qysh nga viti 2011, fillimisht në Qendra të Mjekësisë familjare.

    Faza fundit që parashihte implementimin e këtij sistemi, përfshirë edhe spitalet, synohej që të realizohej deri në vitin 2020, mirëpo, as deri tash, në vitin 2023, ky sistem nuk u funksionalizua.

    Megjithatë Ministri i Shëndetësie Arben Vitia për ATV thotë se drafti i studimit të fizibilitetit për SISH ka përfunduar.

    Sipas Vitisë, pas publikimit të draftit, do të fillojë puna që çon tutje çështjen e funksionalizimit të Sistemit Informativ Shëndetësor.

    Në Prishtinë, edhe pse ky sistem ka filluar së funksionalizuari që nga viti 2019, në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare, në disa prej tyre herë pas here ka probleme.

    Në vitin 2010, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka hartuar dhe aprovuar strategjinë për Sistemin Informativ Shëndetësor në Kosovë 2010- 2020.

    Por, deri tash këtë sistem e kanë funskional vetëm disa Qendra të Mjeksisë Fmailjare në komuna të ndryshme, dhe asnjë spital.

  • Rama i dhuron “Çelësin e qytetit” ish-kongresistëve Dioguardi

    Rama i dhuron “Çelësin e qytetit” ish-kongresistëve Dioguardi

    Përgatiti: Jeta Selmanaj

    Për të nderuar kontributin që kanë dhënë për Kosovën dhe kauzën, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama i dhuroi çelësin e qytetit ish-kongresistit amerikan, Joe DioGuardi dhe bashkëshortes së tij, po ashtu kongresiste.

    Rama u shpreh mirënjohës ndaj tyre për kontributin e dhënë në situatat në të cilat ishte ndodhur Kosova.

    “Përpjekjet tuaja të përbashkëta kanë gdhendur trashëgiminë e unitetit, forcës dhe lidhjeve të pathyeshme. Në kohët e trazuara të luftës së Kosovës, ju qëndruat si fener shprese, duke bërë që bota të njohë gjendjen tonë, për të pranuar vuajtjet tona dhe për të mbështetur luftën tonë për drejtësi. Avokimi juaj nëpërmjet Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka qenë një mjet shpëtimi për kauzën tonë”, tha Rama.

    Ish-kongresisti DioGuardi, tha se populli shqiptar është tregim suksesi. Sipas tij në Kosovë ka ndryshim të madh krahasuar me vitet e shkuara.

    “Unë kam qenë në kongres se po te dinin shqiptarët se sa janë të suksesshëm, janë me te vërtet, do të vërenin, se ata kanë blerë pa e ndërruar emrin , kanë bërë shërbim të mrekullueshme ku mendojnë është një tregim i suksesshëm në gjithë Neë York-un, dhe dua të them se edhe këtu që erdha pash një ndryshim të madh dhe zhvillim se unë isha para sa viteve këtu dhe me të vërtet qyteti është zhvilluar për këtë ju falënderoj dhe përzemërsisht ju them se keni krijuar një punë të shkëlqyeshme”, tha DioGuardi.

    Edhe ish kongresistja Shirley Cloyes DioGuardi shprehu mirënjohjen për Kosovën, dhe tha se e cilëson si shtëpi të dytë.

    Ditë më parë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama i ka dhuruar “Çelësin e Qytetit” edhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj.

  • S’ka ende marrëveshje për furnizim me tekste shkollore

    S’ka ende marrëveshje për furnizim me tekste shkollore

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Ligji për arsimin parauniversitar e detyron Ministrinë e Arsimit t’i furnizojë nxënësit me tekste shkollore, falas.

    Por, vetëm pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor për nxënësit ende nuk janë siguruar tekstet, nën arsyetimin siç e dha MASHTI që shtëpitë botuese i kanë shtrenjtuar çmimet.

    Dhe pavarësisht që ky institucion pati një takim gjatë së martës me shtëpitë botuese nuk është njoftuar nëse u arrit ndonjë marrëveshje.
    Njëkohësisht njëra prej shtëpive botuese njoftoi se ka përgatitur padi kundër ministres Nagavci për shkak të deklaratave të saj rreth çmimeve për libra.

    Ish-zëvendësministri i arsimit, Nehat Mustafa, vlerëson se ministria procedurat për furnizim me libra do të duhej t’i kishte përfunduar qysh herët.

    “3 ditë e kanë lënë të hapur tenderin. Më pas e kan mbyll. Kjo ministër duhet të jap dorëheqje…”, tha Mustafa.

    Për situatën e krijuar, MASHTIN e fajësojnë edhe nga Sindikata e Arsimit.

    Furnizimi me libra shkollor, falas kishte filluar para 15 vjetësh, në vitin 2008.

    Ndërkaq këtë vit përveç se nuk janë siguruar ende librat, nga ministria madje kanë njoftuar se blerja e librave të rinj do të bëhet vetëm për nxënësit nga klasa e 1 deri në të 5-tën. Ndërkaq nga e 6-ta deri në të 9-tën do të shërbehen me tekste të vitit të shkuar.

  • Shumë prindër nuk kanë mundësi financiare për t’ju blerë libra fëmijëve

    Shumë prindër nuk kanë mundësi financiare për t’ju blerë libra fëmijëve

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Fillimi i këtij viti shkollor, fillon me një brengë më shumë për prindërit.

    Pas 15 vjetësh, përgjegjësia për blerjen e teksteve shkollore pritet t’ju kalojë atyre.

    Këtë mundësi është duke e shqyrtuar Ministria e Arsimit pas dështimit të negocimit për blerjen e librave shkollore direkt nga MASHTI.

    Por, shumë prindër nuk ishin të papërgatitur për këtë dhe thonë se financiarisht nuk mund t’ia dalin.

    Madje ai nuk beson që Qeveria do t’ua kompensojë paratë përmes aplikimit në platformën e-Kosova.

    Si pasojë e kësaj, viti i ri shkollor fëmijët do ta fillojnë pa libra.

    Të hënën, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci njoftoi se MASHTI nuk arriti të kryejë furnizimin me tekste shkollore meqë shtëpitë botuese i kanë rritur çmimet.

  • Michel: E rëndësishme zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe me vendet kandidate për në BE

    Michel: E rëndësishme zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe me vendet kandidate për në BE

    Zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe me vendet kandidate për në BE është e një rëndësie të madhe, veçanërisht për sa i përket mosmarrëveshjeve që lidhen me të drejtat e pakicave, vuri në dukje presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, pas darkës së udhëheqësve në Athinë.

    Më konkretisht, ai nënvizoi se zgjerimi është një proces i dyanshëm.

    “Vendet kandidate duhet të reformojnë, por edhe BE-ja duhet të përgatiten. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe është parësore, veçanërisht ato që lidhen me të drejtat e pakicave”, ka thënë ai, shkruan ana-mpa, transmeton KosovaPress.

    Bëhet e ditur se sipas të njëjtit, takimi joformal në Athinë ishte një rast i mirë për të diskutuar zgjerimin me partnerët, ndërsa u theksua se mbështetja për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës mbetet e palëkundur.

    Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, nënvizoi se debati për zgjerimin është shumë i ndezur dhe ne duhet momenti.

    “Qëllimi nuk është vetëm zgjerimi, por edhe BE-ja të bëhet më e fortë”.

  • ​Deklarata e Athinës, ja çka përmban

    ​Deklarata e Athinës, ja çka përmban

    Njëmbëdhjetë liderë të vendeve të Ballkanit, përfshirë Greqinë në takimin në Athinë, shprehën “mbështetje të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, bazuar në vlerat e demokracisë dhe sundimit të ligjit” përballë agresionit rus, të hënën mbrëma.

    Pas një darke joformale të mbajtur nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, 11 liderët lëshuan Deklaratën e Athinës në të cilën ranë dakord gjithashtu se “nuk mund të ketë mosndëshkim për krimet e luftës dhe mizoritë e tjera” dhe thanë se të gjithë ata që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi, shkruan amna, transmeton KosovaPress.

    Në prani të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, ata theksuan “rëndësinë e vendosjes (…) të një objektivi për plotësimin e vizionit të një BE-je të pasuruar me Ballkanin Perëndimor, Ukrainën dhe Republikën e Moldavisë”.

    Deklarata e Athinës:

    Ne, presidenti Aleksandar Vuçiq, presidentja Maia Sandu, presidenti Volodymyr Zelenskyy, presidenti Jakov Milatovic, kryeministri Kyriakos Mitsotakis, kryeministri Ion-Marcel Ciolacu, kryeministri Albin Kurti, kryetarja e Këshillit të Ministrave Borjana Krishna, kryeministri Dimitar Kovachevsky, kryeministri Nikolai Denkov dhe kryeministri Andrej Plenkoviq lëshuam sot në Athinë, në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, njëzet vjet pas Samitit historik BE-Ballkani Perëndimor në Selanik, deklaratën e mëposhtme:

    1. Pushtimi rus i Ukrainës është një moment kyç për Evropën, duke krijuar një nivel të ri ndërgjegjësimi për parimet e përbashkëta, unitetin dhe të ardhmen e përbashkët brenda BE-së. Kjo është kohë kritike për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e kontinentit tonë evropian. Ligjet dhe parimet që kontribuan në një rend sigurie të qëndrueshme dhe të parashikueshme evropiane për kaq shumë kohë janë shkelur dhe ne jemi dëshmitarë të shfaqjes së efekteve katastrofike të revizionizmit.

    2. Përballë agresionit rus, ne shprehim mbështetjen tonë të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, bazuar në vlerat e demokracisë dhe sundimit të ligjit.

    3. Në diskutimet tona sot në Athinë, ne shprehëm mbështetjen dhe vlerësimin për përpjekjet e zellshme të Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky në përcaktimin e parimeve për paqen në përputhje me Kartën e OKB-së, në Formulën e tij të Paqes. Ne mirëpritëm gjithashtu përpjekjet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të promovuar një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë.

    4. Ne ramë dakord se nuk mund të ketë mosndëshkim për krimet e luftës dhe mizoritë e tjera, siç janë sulmet kundër civilëve dhe shkatërrimi i infrastrukturës dhe të gjithë ata që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi.

    5. Njëzet vjet më parë, Samiti i Selanikut pranoi se Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian. Ne besojmë fuqishëm se sot kjo deklaratë mbetet më e rëndësishme se kurrë. Lufta e përshkallëzuar e agresionit kundër Ukrainës zbuloi nevojën urgjente për një BE të fortë, elastike dhe gjithëpërfshirëse si një gur themel i paqes dhe prosperitetit midis popujve tanë gjatë këtyre kohërave sfiduese.

    6. Theksuam se Ballkani Perëndimor, Ukraina dhe Republika e Moldavisë, gjeografikisht ngjitur me Shtetet Anëtare të BE-së, kanë një trashëgimi të përbashkët evropiane, histori dhe një të ardhme të përcaktuar nga mundësitë dhe sfidat e përbashkëta. Si një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropë, është e rëndësishme që këto rajone të përqafohen si anëtarë të plotë të familjes evropiane.

    7. Sot në Athinë diskutuam rrugën përpara, për ta bërë realitet këtë vizion të Evropës. Ne nënvizuam rëndësinë për t’i vendosur vetes një objektiv për plotësimin e vizionit të një BE të pasuruar me Ballkanin Perëndimor, Ukrainën dhe Republikën e Moldavisë. Ne nënvizuam nevojën për një proces zgjerimi të ri-energjizuar dhe të ri-fokusuar që të jetë i qartë dhe i besueshëm, pa rrugë alternative më të shkurtra për kushtet e vendosura. Ne shprehëm angazhimin tonë për të mbështetur Ukrainën dhe Moldavinë për të ndërmarrë hapat e ardhshëm në procesin e tyre të anëtarësimit sapo të kenë përfunduar reformat e nevojshme.

    8. Ne besojmë fuqishëm se 20 vjet pas Samitit të Selanikut dhe në dritën e realitetit të ri gjeopolitik, ka ardhur koha për të miratuar një qëllim përfundimtar të guximshëm dhe ambicioz që do të shërbejë si udhërrëfyes, frymëzim dhe kontekst.”

  • Joseph paralajmëron Zelenskyn: Mos bjerë në grackën e Vuçiqit, flet marrëzi për “neutralitetin”

    Joseph paralajmëron Zelenskyn: Mos bjerë në grackën e Vuçiqit, flet marrëzi për “neutralitetin”

    Analisti amerikan dhe ligjëruesi i Universitetit të “Johns Hopkins”, Edëard Joseph ka folur për takimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe atij serb, Aleksandër Vuçiq. Ai ka paralajmëruar Zelenskyn se do të dëgjojë shumë marrëzi për gjoja ‘neutralitetin’ serb ndaj agresionit rus kundër Ukrainës.

    Ai i ka kërkuar po ashtu Zelenskyt që të mos bjerë në grackën e përpjekjes për të kërkuar mbështetjen e Vuçiqit, në takimin e tyre kokë më kokë.

    “Marrëdhënia e Vuçiqit me Rusinë – dhe fuqia e tij – mbështetet në izolimin e Kosovës. Si Rusia ashtu edhe Serbia e shfrytëzojnë Kosovën për të mbështetur agresionin kundër vendit tuaj. Në të vërtetë, ministri i Mbrojtjes i Vuçiqit – dhe kreu i partisë së tij politike – sapo fajësoi promovimin perëndimor të pavarësisë së Kosovës për pushtimin e Rusisë në vendin tuaj. Këtu hyn Ukraina”, ka thënë analisti amerikan në rrjetin social “X”, shkruan KosovaPress.

    Sipas tij, marrëdhëniet Beograd-Moskë prishen kur asnjë kryeqytet nuk mund ta izolojë Kosovën.

    “Njohja e Kosovës nga Kievi do të katalizojë 4 shtetet jonjohëse të NATO-s që të ndjekin shembullin. Siç e dini, rruga për anëtarësimin në NATO është çelësi. Pasi të përfundojë izolimi ruso-serb i Kosovës, është fundi i lojës për sharadën e Vuçiqit. Beogradi do të ketë vetëm një opsion: atë që ju dhe qytetarët tuaj e keni zgjedhur, të mirëpresë dhe pranojë NATO-n dhe BE-në. Një zgjidhje përfundimtare dinjitoze e çështjes së Kosovës do t’i shkaktojë një goditje të madhe Putinit”, ka shkruar ai mes tjerash.

    “President Zelensky, ji i gatshëm të dëgjosh shumë marrëzi për “neutralitetin” serb ndaj agresionit rus kundër vendit tënd. Siç e dini, e vetmja gjë më e keqe se neutraliteti është neutraliteti i rremë. Serbia jo vetëm që refuzon të zbatojë sanksione ndaj Rusisë, por Beogradi shpërfill hapur politikën e BE-së duke mirëpritur mediat RT dhe Sputnik, duke përkrahur narrativat pro-ruse në të gjithë rajonin. Vuçiq ka lënë në krye të inteligjencës bashkëpunëtorin e Rusisë, të sanksionuar nga SHBA, Vulinin”, ka shkruar Joseph.

    Sipas tij, Vuçiq dhe Vulin e dinë me siguri se sa municione serbe shkojnë në Ukrainë.

    “A e dini se sa municione serbe mbërrijnë në Rusi? Presidenti dhe kryeministri serb pranojnë se votat për rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënojnë Rusinë kanë të bëjnë me ruajtjen e pretendimit të Serbisë ndaj Kosovës – nuk kanë të bëjnë me solidaritetin me Ukrainën. Serbia anashkaloi Samitin e Platformës së Krimesë me më shumë se 40 vende, duke ekspozuar ‘shqetësimin’ mashtrues për sovranitetin e Ukrainës. Serbia ka dyfishuar naftën ruse, duke ndërtuar një tubacion të ri me Hungarinë. Nëse vendi juaj, Ukraina, përfundon tranzitin e gazit rus në Hungari, Beogradi do ta zëvendësojë atë me gazin rus. E shikoni? Serbia ruan marrëdhëniet e saj energjetike me Rusinë, ashtu si Vuçiç e ruan marrëdhënien e tij me Putinin. Dikush që është ‘neutral’ do të kishte qëndruar i qetë gjatë kryengritjes së Ëagnerit; në vend të kësaj, Vuçiç përkrahi “reagimin e vendosur, të qartë dhe me vullnet të fortë” të Putinit, duke pretenduar se vetëm Putini mund të kishte pasur sukses. Nuk është çudi që Rusia gëzon mbështetje në Serbi”, ka shkruar ai.

  • Moti për sot dhe nesër

    Moti për sot dhe nesër

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë me temperatura të larta dhe me rreze dielli.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 17 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 32 gradë Celsius.

    Edhe gjatë ditës së nesërme do të kemi mot kryesisht të kthjellët dhe me diell.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 17 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 33 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme: