ATV

Tag: Ballina

  • Një pacient i vdekur nga zjarri në dhomë në Psikiatrinë e QKUK-së, dy infermiere dhe mjeku të asfiksuar

    Një pacient i vdekur nga zjarri në dhomë në Psikiatrinë e QKUK-së, dy infermiere dhe mjeku të asfiksuar

    Një pacient ka mbetur i vdekur nga zjarri në shërbimin emergjent të Klinikës së Psikiatrisë në QKUK, ndërsa tre punëtorë shëndetësorë janë asfiksuar por fatmirësisht janë në gjendje të mirë shëndetësore.

    Një pacient i hospitalizuar në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK ka mbetur i vdekur nga zjarri në njërën nga dhomat e shërbimit emergjent të kësaj klinike, raporton Gazeta Shneta.

    Gazeta ka mësuar se pacienti me sëmundje psikiatrike ishte i hospitalizuar në klinikë. Ai kishte dal nga klinika në orët e vona të së mërkurës, ndërsa më vonë ishte sjellë nga Policia e Kosovës në emergjencën e Klinikës së Psikiatrisë.

    Pacienti ishte vendosur në një dhomë të izoluar në këtë shërbim. Rreth një orë më vonë ka rënë zjarr në dhomën e pacientit duke u djegur dysheku i shtratit, dhe si pasojë e flakëve pacienti ka ndërruar jetë.

    Ende nuk dihet se si është shkaktuar zjarri. Dyshimet e para janë se pacienti mund të ketë pasur shkrepsë me vete.

    Vdekjen e pacientit e ka konfirmuar drejtori i Klinikës së Psikiatrisë Dr. Faton Kutllovci. Ai i ka thënë mediumit se pacienti ishte trajtuar edhe më parë në klinikë.

    Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet e Policisë së Kosovës, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    I pranishëm ka qenë edhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar Elvir Azizi.

  • Departamenti i Shtetit e vlerëson si të papranueshëm presionin ndaj policëve serbë në veri të Kosovës

    Departamenti i Shtetit e vlerëson si të papranueshëm presionin ndaj policëve serbë në veri të Kosovës

    Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) është shprehur “thellësisht” i brengosur me dorëheqjet e fundit të policëve të porsaemëruar serbë në veri të Kosovës si pasojë e presionit, dhe tha se është e papranueshme që “dikush, përfshirë edhe aktorët e lidhur me Serbinë, të ushtrojë presion politik ndaj individëve që duan t’i bashkohen” Policisë së Kosovës.

    “Policia e Kosovës ofron shërbime jetike për të gjitha komunitetet dhe qytetarët e Kosovës. Ne dënojmë çdo përpjekje për ta minuar diversitetin brenda radhëve të saj”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë më 23 gusht.

    Departamenti i Shtetit i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë për t’u kthyer në dialog për normalizimin e marrëdhënieve.

    Së paku shtatë policë serbë kanë dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës që nga java e kaluar, gjë për të cilën autoritetet kosovare e fajësuan Beogradin zyrtar.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi më 18 gusht se “tashmë ka informacione të konfirmuara se kërcënimet dhe shantazhet vijnë direkt nga Serbia”.

    Beogradi zyrtar nuk i ka komentuar këto akuza.

    Dyzet e gjashtë policë të rinj serbë e nisën punën në veri të Kosovës në fund të korrikut, por ata u përballën menjëherë kërcënime online në rrjetet sociale, të cilat zyrtarët kosovarë dhe bashkësia ndërkombëtare i kanë dënuar ashpër.

    Rreth 550 policë serbë në veri – në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – patën dhënë dorëheqje kolektivisht nga Policia e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, si shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

    Pas dorëheqjeve, autoritetet në Kosovë patën shpallur konkurs për pranim të policëve të rinj, duke i punësuar 74 të tillë. Prej tyre, 46 është raportuar se kanë qenë nga komuniteti serb.

    Integrimin e serbëve në Policinë e Kosovës e parasheh një marrëveshje e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 2013, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

    Dy vendet janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

    Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar. /REL/

  • Stano: BE-ja dënon kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë në Kosovë

    Stano: BE-ja dënon kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë në Kosovë

    Bashkimi Evropian është thellësisht i shqetësuar për dorëheqjen e nëntë policëve rinj serbë, ka thënë zëdhënësi Peter Stano, duke theksuar se BE i dënon kërcënimet ndaj pjesëtarëve të Policisë.

    Ai ka thënë se frikësimet dhe kërcënimet janë të papranueshme dhe si të tilla duhet të ndalen menjëherë.

    “BE-ja është thellësisht e shqetësuar për dorëheqjen e nëntë serbëve të Kosovës të saporekrutuar nga Policia e Kosovës. Përbërja e Policisë së Kosovës duhet të reflektojë dhe përfaqësojë shoqërinë të cilës i shërbejnë dhe mbrojnë. Pjesëtarët joshumicë të Policisë së Kosovës kanë një rol për të luajtur duke kontribuar në sigurinë e komunitetit të tyre përmes policimit të orientuar drejt komunitetit. Ne dënojmë presionin psikologjik, frikësimin dhe kërcënimet për hakmarrje ndaj pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës, të cilat thuhet se kanë motivuar dorëheqjen e policëve të saporekrutuar”, ka thënë Stano për KosovaPress.

    Stano ka theksuar se çdo frikësim i tillë është kundër frymës së normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    “Çdo lloj sjelljeje frikësuese apo kërcënuese ndaj policëve serbë të Kosovës, duke përfshirë edhe aktorët e lidhur me Serbinë, është i papranueshëm dhe duhet të ndalet menjëherë. Çdo frikësim i tillë është kundër frymës së normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Institucionet e Kosovës duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe multietnike dhe BE-ja nënvizon se një zgjidhje e qëndrueshme për çështjen e kthimit të serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës duhet të gjendet në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka shtuar ai.

  • Rama pretendon se nafta e zbuluar në Shqipëri e ka cilësinë e naftës saudite

    Rama pretendon se nafta e zbuluar në Shqipëri e ka cilësinë e naftës saudite

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë të mërkurën se nafta e zbuluar në Shqipëri është “e një cilësie shumë të lartë, e ngjashme me atë premium të Arabisë Saudite”.

    Duke folur në një konferencë për media më 23 gusht, Rama tha se shpimi ka arritur në 6.000 metra në thellësi të tokës pas një pune 10-vjeçare në zonën e Shpiragut, rreth pesë kilometra larg qytetit qendror të Shqipërisë, Berat.

    “Rezerva është aty, në 6002 metra në thellësi të tokës. Është prekur rezerva pas një eksplorimi shumë të vështirë dhe një investimi masiv të bërë për shkak të thyerjes së përsëritur të sondave, si rezultat i formacionit gjeologjik”, tha Rama.

    Kryeministri theksoi se ende nuk është ndeshur në ujë, çka do të thotë se, sipas tij, sasia e naftës do të jetë e madhe.

    Edhe pse e pasur me rezerva nafte, Shqipëria nuk ka industri të përpunimit të saj. Nafta që nxirret përpunohet jashtë Shqipërisë dhe më pas importohet dhe shpërndahet në tregun vendas, me një çmim që rezulton të jetë më i shtrenjti në rajon.

  • Shqipëri: Vdes i moshuari pasi goditet nga rrufeja, ishte duke kullotur bagëtitë

    Shqipëri: Vdes i moshuari pasi goditet nga rrufeja, ishte duke kullotur bagëtitë

    Ka mbetur i vdekur një 70 vjeçar me iniciale R.K si pasojë e goditjes nga rrufeja.

    I moshuari po kulloste bagëtitë në momentin tragjik.

    Ngjarja ka ndodhur në bjeshkët e Gramës në Dibër, sot rreth orës 15:30.

    ”Rreth orës 15:30, në bjeshkët e Gramës në Dibër, shtetasi R.K., rreth 70 vjeç, duke kullotur bagëtitë, dyshohet se është goditur nga shkarkesa elektrike (rrufe) dhe për pasojë ka humbur jetën”, ka thënë policia.

    Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë thuhet se është duke vijuar punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

  • Qeveria shkarkon Bujar Ejupin nga pozita e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil

    Qeveria shkarkon Bujar Ejupin nga pozita e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil

    Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën e ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), Bujar Ejupi.

    Arsyetimin për përfundim të parakohshëm të mandatit të Ejupit para kabinetit qeveritar, e ka dhënë zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

    “Zot para jush paraqes propozim-vendimin për përfundim të parakohshëm të mandatit të drejtori të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil, Bujar Ejupi. Mosparovimi i raporteve vjetore të AAC-së nga Kuvendi i Kosovës, raportimi i shkeljeve profesionale të Ejupit nga ana e Bordit mbikëqyrës të AAC-së, raportimi me shumë gjetje i Autoritetit Mbikëqyrës të Islandës në emër të KFOR-it, raporti me 20 gjetje i ekspertëve austriakë si dhe një varg shkeljesh tjera, paraqesin bazë të mjaftueshme për përfundim të parakohshëm të mandatit të tij”, ka theksuar Durmishi.

    Vendimi për shkarkimin e Ejupit është përshëndetur nga Sindikata e punëtorëve të AAC-së, edhe pse ata e kanë quajtur vendim të vonuar.

    “Vendimi vjen pas tre vjetësh me një numër të madh shkeljesh profesionale dhe keqmenaxhim të Bujar Ejupit të sinjalizuara nga Sindikata jonë të cilat janë vulosur edhe nga trupa ndërkombëtare që kanë vërtetuar se nën udhëheqjen e tij, AAC-ja ishte bërë pothuajse jofunksionale. Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dy vite radhazi nuk i miratuan Raportet vjetore të AAC. Ky është largimi i tretë nga detyra në fushën e aviacionit për Bujar Ejupin. Urojmë që Ejupi të mos ketë më mundësi t’i afrohet institucioneve publike e as të lejohet të ketë autoritet ndaj të tjerëve, për shkak të veprimeve të tij përndjekëse e diskriminuese të ushtruara ndaj zyrtarëve të AAC të vërtetuara nga Institucioni i Avokatit të Popullit”, thuhet në reagimin e Sindikatës pas vendimit për shkarkim të Ejupit.

  • Lajçak e pret Escobarin në Bruksel: Patëm një diskutim të thelluar mbi dialogun

    Lajçak e pret Escobarin në Bruksel: Patëm një diskutim të thelluar mbi dialogun

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak e ka pritur në Bruksel të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Lajçak tha se me Escobarin kanë pasur një diskutim të thelluar mbi dialogun, raporton Gazeta Express.

    “I lumtur që mirëpres kolegun dhe mikun tim të mirë, Gabriel Escobar në Bruksel. Së bashku me ekipet tona, ne kaluam dje në një diskutim të thelluar mbi Dialogun, gjendjen dhe rrugën përpara, si dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor”, shkroi Lajçak në rrjetin social X, ish-Twitter.

    “Faleminderit për një bashkëpunim të jashtëzakonshëm”, shtoi Lajçak.

  • Policia jep detaje për vdekjen e 35-vjeçares që shkoi për ta hequr dhëmbin e iu komplikua gjendja

    Policia jep detaje për vdekjen e 35-vjeçares që shkoi për ta hequr dhëmbin e iu komplikua gjendja

    Policia e Kosovës njoftoi se janë arrestuar dy persona të dyshuar, për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

    Ata janë arrestuar për rastin e vdekjes së një gruaje që ka ndodhur të martën në Malishevë, e cila pasi që ka shkuar në një klinikë në Malishevë për ta hequr një dhëmb, i është komplikuar gjendja dhe e njëjta ishte dërguar pa shenja jete në QKUK.

    Policia, njoftoi se të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

     

  • Prishtinë: Një burrë raporton se ishte rrëmbyer nga tre persona, Policia fillon hetimet

    Prishtinë: Një burrë raporton se ishte rrëmbyer nga tre persona, Policia fillon hetimet

    Një burrë në Prishtinë ka raportuar në Polici se ishte rrëmbyer nga tre persona të panjohur.

    “RRËMBIM/Prishtinë 21.08.2023-18:00. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se është rrëmbyer nga tre të dyshuar të panjohur”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se viktima ka pranuar tretmanin mjekësor, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet.

     

  • Nagavci: Vendimi përfundimtar për librat publikohet brenda dy ditësh

    Nagavci: Vendimi përfundimtar për librat publikohet brenda dy ditësh

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në emisionin “RTK Prime” nuk e ka saktësuar nëse versioni i blerjes së teksteve shkollore nga ana e prindërve dhe më pas rimbursimi i mjeteve përmes aplikimit në platformën ‘eKosova” do të jetë vendim përfundimtar i Qeverisë së Kosovës.

    Ajo ka thënë se vendimi do të bëhet i ditur për publikun në dy ditët e ardhshme.

    “Përfundimisht Qeveria do të sigurojë tekstet për fëmijët duke marrë përsipër të gjitha obligimet financiare sipas ligjit. Jemi duke e shqyrtuar, jemi me gjithçka gati. Vendimin përfundimtar do ta bëjmë publik nesër pasdite apo të enjten në mëngjes”, ka deklaruar Nagavci.

    “Obligimi ligjor i Ministrisë së Arsimit është të siguroj librat nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Për nxënësit e klasës së gjashtë deri në klasën e nëntë me kërkesën tonë në fund të vitit të kaluar shkollor, shkollat i kanë mbledhur ato në mënyrë që ato të përcillen te gjeneratat e ardhshme”, ka thënë Nagavci.

    Për prindërit të cilët nuk dinë të qasen në platformën shtetërore “eKosova” ajo ka thënë se do ta kenë të mundshme qasjen në një linjë telefonike prej së cilës do të mësojnë për mënyrat e përdorimit.

    “Në tri vite nga 2016-ta janë shpenzuar nga buxheti i shtetit më shumë se 20 milionë euro. Në 5 vitet e fundit janë shpenzuar 54 milionë e 555 mijë e 780 euro. Pra s’po flasim për shuma të vogla, por dhjetëra mijëra euro që duhet të shfrytëzohen për tekste të mira për nxënës dhe pa asnjë abuzim”, ka thënë Arbërie Nagavci.

    Nagavci: Platformën për rimbursim synojmë ta lansojmë të enjten

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka thënë se opsioni i blerjes së librave nga ana e prindërve e më pas rimbursimi i mjeteve për ta përmes platformës digjitale “eKosova” është formë e lehtë dhe që nuk sjellë telashe.

    Ajo ka thënë se edhe me këtë variant, ministria i kryen detyrat me të cilat është e ngarkuar. Mbi këtë bazë, e para e arsimit në vend, ka thënë se nuk e di pse është bërë temë diskutimi kjo metodë.

    “Kemi thënë se po e shqyrtojmë mundësinë që të gjithë prindërit të aplikojnë në eKosova, në një mënyrë shumë të thjeshtë do të listohen nga regjistri civil emri i prindërve, do të selektohet shkolla dhe do të shënohet numri i xhirollogarisë”, ka thënë Nagavci në “RTK Prime”.

    Ajo ka theksuar se lansimi i platformës digjitale për rimbursimin e mjeteve për prindërit synohet të bëhet të enjten.