ATV

Tag: Ballina

  • Nagavci u bënë thirrje prindërve: Nga nesër mund të aplikoni për subvencionimin e teksteve shkollore

    Nagavci u bënë thirrje prindërve: Nga nesër mund të aplikoni për subvencionimin e teksteve shkollore

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka ka njoftuar se të prindërit nga e premtja mund të aplikojnë për subvencionimin e teksteve shkollore.

    Ajo ka njoftuar se do të ndahen nga 80 euro për blerjen e librave për nxënësit nga klasa e parë deri në të 5-ën si dhe nga 30 euro shtesë si mbështetje për materiale të tjera shkollore për nxënësit nga klasa e 6-të deri në të 9-tën.

    Postimi i plotë i saj:

    Të dashur prindër,
    📚Nga nesër mund të aplikoni për subvencionimin e teksteve shkollore. Mjetet do të dalin në xhirollogaritë tuaja që nga fillimi i javës së ardhshme.

    🟢Do të ndahen 80 euro për nxënësit nga klasa 1 deri në klasën e 5 për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore.

    🟢Po ashtu, për herë të parë për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9 të cilët tashmë i kanë të siguruara tekstet mësimore, do të ndahen 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore.

    📍Platforma e aplikimit bashkë me instruksionet do të publikohet nesër. Çmimet e teksteve do të publikohen nga shtëpitë botuese ku lista e teksteve të përzgjedhura nga aktivet profesionale tashmë është e gatshme andaj, ftojmë të gjithë prindërit të konsultohen me mësimdhënësit se cilat tekste duhet t’i blejnë.

    🍀Suksese dhe qoftë vit i mbarë për fëmijët tanë!

  • Kosova nuk e di çfarë ka në thellësinë përtej 100 metrash

    Kosova nuk e di çfarë ka në thellësinë përtej 100 metrash

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Ndonëse njihet për pasuritë nëntokësore, Kosova nuk e di saktësisht çfarë ka në shtresat që tejkalojnë thellësinë e 100 metrave.

    Që nga përfundimi i luftës nuk janë kryer studime të thella që do të mund të zbulonin potencialin nëntokësor, përtej mineraleve të ndryshme në Trepçë dhe zonat përreth në veri, por edhe thëngjillit në pjesën qendrore apo zona të tjera.

    Për të zbuluar potencialin nëntokësor të Kosovës, Qendra Shqiptare për Studime Strategjike në Tiranë, ndër vite, u ka propozuar qeverive në Prishtinë, përfshirë aktuales, realizimin e një studim i përgjithshëm gjeologjik.

    Mos kryerjen e një studimi që do të tregonte për depozitat eventuale të karbonit, gazit dhe naftës, 24 vjet pas luftës, Geri Selenica nga kjo qendër e vlerëson turp.

    “Kam biseduar me një kryeministër disa kohë më parë dhe ai harxhoi 500 mijë euro për flamuj për festën kombëtare dhe nuk kanë harxhuar 3 milionë euro për të bërë një studim se çka ka Kosova poshtë. Duhet të kuptoni që Kosova është rezerva e dytë më e madhe elektrike në Evropën kontinentale. Aty ku ka qymyre ka edhe hidrokarbure tjera. Kështu që, si duket, faktikisht Jugosllavia këtë e ka ditur, por në Kosovë nuk ua kanë bërë me dije. Ky është studimi numër një që duhet të bëjë Kosova”, tha Selenica.

    Mes tjerash, në propozimin e Qendrës – bashkëngjitur me disa oferta konkrete, thuhet se ekspertët e gazit dhe naftës janë pozitivë lidhur me praninë eventuale të rezervave të naftës dhe gazit, që mund të identifikohen gjatë studimit.

    Studimi me dy hallka, sipas Selenicës, si hap të parë do të kishte studimin e përgjithshëm gjeologjik të formacioneve në Kosovë.

    “Dhe e dyta, duhet bërë një studim bërë një studim gjeo-fizik. Inxhinierët tanë e kanë përcaktuar shumë saktë se ku është zona potencialisht që mund të ketë naftë dhe gaz në Kosovë dhe ky do një studim gjeo-fizik. Jo studim të rëndë gjeofizik, por një studim gjeofizik me një teknologji që quhet tiluromangetike, dhe me shkarkesa elektrike, ti arrin të shikosh deri në 4 kilometra. Aq mjafton që të kuptosh nëse ke shtresa naftëmbajtëse ose gazmbajtëse”, tha Selenica.

    Në kontekstin e politikave strategjike, ai i vlerësoi si shumë të rëndësishme zhvillimet e fundit lidhur me naftën në Shqipëri.

    “Sa i përket lajmit të mirë nga Shqipëria, ky është nj lajm që kemi ditur, se ka 50 vjet që janë zbuluar këto rezerva nafte dhe gazi, dhe janë gjigante. Është zona midis Beratit dhe Elbasanit. Por, nuk kemi pasur teknologjinë për ta nxjerrë naftë dhe gazin nga thellësi 6000 deri në 7000 metra”, tha Selenica.

    Nafta e zbuluar në zonën e Shpiragut, sipas Selenicës është e cilësisë shumë të lartë – deri në 39 API dhe se në total do të arrijë kapacitetin, deri në 50 mijë tonë në ditë.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Shteti i lejon naftëtarët t’i “vjedhin” qytetarët

    Shteti i lejon naftëtarët t’i “vjedhin” qytetarët

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Që nga fillimi i muajit korrik, për një litër naftë kosovarët kanë paguar mesatarisht 20 deri në 30 centë më shumë se çmimi i importit, përfshirë taksat.

    Në muajin gusht, sipas të dhënave të Doganës, çmimi mesatar i importit për një litër naftë, pa taksa ishte, 73 centë, ndërsa me taksa 1 euro e 28 centë.

    Ndërkaq, në pikat e shitjes një litër naftë, tash e disa javë, shitet deri në 1 euro e 49 centë.

    Në muajin korrik, çmimi mesatar i importit për një litër naftë ishte më pak se 1 euro e 16 centë – derisa qytetarëve u shitej deri në 1 euro e 43 centë.

    Pavarësisht faktit se vendimi i Qeverisë për çmimin tavan parasheh që naftëtarët të fitojnë 12 centë për 1 litër naftë, me çmimin aktual ata fitojnë rreth 20 centë.

    Ndonëse pranoi se ka kompani që nuk e respektojnë çmimin tavan, ministri i Financave, Herkuan Murati nuk tregoi për masat qe do të ndërmerren.

    “Pra mund te flitet për një marzhë të caktuar ka disa kompani të cilat nuk e kanë respektuar dhe janë në procedura te mëtejme dhe MINT-i do te marrë masat e duhura” , tha Murati.

    Pavarësisht konstatimit të ministrit dhe gjendjes në terren, nga Shoqata e Naftëtarëve thanë se vendimi po respektohet.

    “Sa i përket vendimit të ministrisë vendimi në bazë informatave është duke u respektuar. 12 centë marzha e fitimi për pikat e karburantit me pakicë dhe 2 centë marzha e fitimit për import”, thotë Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve.

    Sipas kryetarit të Shoqatës se Naftëtarëve, kosovarët po shërbehen me çmimet më të volitshme në rajon.

    Kronikën e plotë e gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Vonesat në regjistrimin e popullsisë penalizojnë komunat

    Vonesat në regjistrimin e popullsisë penalizojnë komunat

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Ferizaj është njëra nga komunat që po dëmtohet nga grandet për shkak të vonesave në regjistrimi të popullsisë.

    Kjo pasi që sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2011, Ferizaj rezulton te këtë 108 mijë banor, rreth 15 mijë më pak sa është aktualisht, ndërsa buxheti ndahet në bazë të statistikave të vjetra.

    Për shkak të mos regjistrimit të popullsisë, sipas Ajetit po rrezikohen edhe fondet nga Bashkimi Evropian.

    Njohës të ekonomisë vlerësojnë se vonesat në regjistrimin e popullsisë mund të shkaktojnë edhe pasoja tjera për vendin.

    Përmes një vendimi Qeveria, dje shtyu procesin e regjistrimit të popullsisë me 1 nëntor më arsyetimin se nuk janë kryer të gjitha përgatitjet, ani pse ishte paraparë të fillonte nga 1 shtatori.

    Kronikën e plotë e gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Hovenier: Solidariteti i Kosovës me Ukrainën ka rëndësi dhe ka pasur ndikim

    Hovenier: Solidariteti i Kosovës me Ukrainën ka rëndësi dhe ka pasur ndikim

    Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier e ka uruar Ukrainën në Ditën e saj të Pavarësisë.

    Sipas tij, ShBA-ja e përsërit angazhimin e saj për ta mbrojtur pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.

    “Ndërsa urojmë Ukrainën për këtë ditë historike, ne përsërisim angazhimin tonë të palëkundur për të mbrojtur pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e saj”, shkroi Hovenier në Twitter.

    Ai ka publikuar një fotografi të një banderole të madhe të vendosur në objektin e ambasadës amerikane në Prishtinë me mesashin “Të bashkuar me Ukrainën.

    “Siç tha Presidenti Biden muajin e kaluar, ‘Angazhimi ynë ndaj Ukrainës nuk do të dobësohet. Ne do të qëndrojmë për lirinë dhe lirinë sot, nesër dhe për aq kohë sa të duhet’. E thënë me fjalë të thjeshta: pushtimi brutal dhe në shkallë të plotë i Presidentit Putin në Ukrainë është një veprim që kërcënon paqen dhe sigurinë jo vetëm të një vendi, por të gjithë Europës dhe më gjerë”, thuhet në deklaratën e Hovenier, të cilën e ka shpërndarë në një postim në Twitter.

    Po ashtu, diplomati amerikan theksoi se “solidariteti i Kosovës ka rëndësi dhe ka pasur ndikim”, transmeton Paparaci.

    “Solidariteti i Kosovës ka rëndësi dhe ka pasur ndikim. Siç e kam thënë edhe më parë: ajo që ju, Kosovë, qëndroni dhe me kë qëndroni, ka rëndësi. Populli i Kosovës është pjesë përbërëse e kësaj përpjekjeje globale për ta refuzuar sfidën brutale të Putinit ndaj një kombi të pavarur dhe sovran. Shtetet e Bashkuara, Kosova dhe partnerët tanë do të vazhdojnë të qëndrojnë të bashkuar me Ukrainën sot, ndërsa ne e kremtojmë së bashku ditën kombëtare të Ukrainës dhe çdo ditë në mbështetjen tonë për vlerat demokratike dhe sigurinë evropiane”, thuhet në deklaratën e tij.

  • Kurti feston Ditën e Pavarësisë së Ukrainës në Ballkonin e Qeverisë, flet për Zelenskyn

    Kurti feston Ditën e Pavarësisë së Ukrainës në Ballkonin e Qeverisë, flet për Zelenskyn

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësen e tij, Donika Gërvalla-Schwarz, mirëpritën sot qytetarët ukrainas të strehuar në Kosovë, në mesin e tyre edhe gazetarët ukrainas për të shënuar bashkërisht Ditën e Pavarësisë së Ukrainës në ballkonin e Qeverisë.

    Të mbledhur për të përkujtuar këtë moment historik, kryeministri Kurti bashkë me të ftuarit vlerësuan qëndrueshmërinë, vendosmërinë, por edhe unitetin e popullit ukrainas, të cilët ndonëse kanë kaluar 32 vite pas shpalljes së pavarësisë, sot e gjejnë veten përsëri në pozicionin që duhet ta mbrojnë sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të vendit të tyre kundër pushtimit rus.

    Në adresimin e tij, kryeministri tha se Republika e Kosovës qëndron plotësisht prapa Ukrainës në këtë mision të shenjtë, duke përmendur së fundmi edhe pjesëmarrjen e Kosovës në Deklaratën e Përbashkët të G7 për Mbështetjen për Ukrainën.

    “Vetëm këtë javë, ne iu bashkuam Deklaratës së Përbashkët të G7 për Mbështetjen për Ukrainën. Duke vepruar kështu, ne shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar gjithçka që mundemi për mbrojtjen e Ukrainës, në këtë kohë nevoje”, tha kryeministri Kurti. Ai veçoi edhe takimin që pati të hënën në Athinë me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, teksa u shpreh me shpresë që në takimet e ardhshme të mund të diskutojnë se si Kosova dhe Ukraina mund të punojnë bashkë në promovimin e vlerave që ndajmë dhe interesave të përbashkëta që kemi.

    Bashkë me urimin për Ditën e Pavarësisë, kryeministri Kurti uroi gjithashtu herën tjetër e së shpejti të mund të takohemi përsëri, por kësaj radhe për të festuar triumfin e Ukrainës kundër dhunës, brutalitetit dhe agresionit rus, ndërkohë tha se “jemi krenarë që ju kemi mirëpritur në vendin tonë dhe të lumtur që Kosova është shtëpia juaj e dytë”.

    Gazetarët ukrainas në këtë takim u shoqëruan edhe nga Kryetari i Associacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha dhe përfaqësues së Qendrës Europiane të Lirisë dhe Shtypit të Medias, Drejtori Menaxhues, Lutz Kinkel dhe Flutura Kusari.

  • “Prokuroria nuk veproi”, Peci për objektin në qendër ngjitur me AAK’në: Do t’ia kthej Ministrisë

    “Prokuroria nuk veproi”, Peci për objektin në qendër ngjitur me AAK’në: Do t’ia kthej Ministrisë

    Lëvizja Vetëvendosje e ka publikuar videon e radhës në vazhdën e akuzave ndaj Prokrurorisë Speciale për mosveprim.

    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci është paraqitur në një video para një objekti të njohur në lagjen Ulipiana në Prishtinë, ngjitur me selinë kryesore të AAK-së, të cilin ai e quan “objekti të korrupsionit dhe i zhvatjes”.

    Peci thotë se përkundër denoncimit të tij se në atë objekt që thotë se është i shtetit po ushtrohen shumë veprimtari të paligjshme, ska pasur “asnjë veprim nga Prokuroria Speciale”.

    “Që nga viti 2012 në këtë objekt dhe përreth tij ushtrohen shumë veprimtari të paligjshme. Për të gjitha këto dukuri, tjetërsimin e dyshimtë të pronave, aneksimin, ndërtimet e vrazhda brenda objektit të Institutit Bujqësor të Kosovës para afër një viti unë kam denoncuar publikisht dhe ia kam ofruar të gjitha provat Prokurorisë së Shtetit”, tha Peci.

    Ai e akuzoi drejtorin e këtij instituti, Fehmi Gecin se “bën sfilata në studio televizive dhe kërcënon me padi titullarin e institucionit, ndërsa në qendër të Prishtinës, në Ulipanë qëndron si ‘luan’ objekti i korrupsionit dhe i zhvatjes së tij”.

    “Ky nuk është është protagonisti i vetëm”, thotë Peci, pa përmendur emra.

    Ai tha se ka marrë vendim që “objekti t’i kthehet titullarit në shfrytëzim”

    “Asnjë veprim nga Prokuroria Speciale- 700 metra katrorë lokale afariste të ndërtuara në mënyrë të kundërligjshme;- Tjetërsim dhe bartje e pronës nga shtetërore në private;- Shndërrim i oborrit në depo;- Mosveprim nga 5 ish-Ministra.E gjithë kjo, në pronë të Ministrisë së Bujqësisë dhe për asnjë moment nuk kemi parë ndonjë veprim nga ana e Prokurorisë Speciale”, thuhet në përshkrimin e videos.

  • Osmani e uron Ukrainën për Ditën e Pavarësisë

    Osmani e uron Ukrainën për Ditën e Pavarësisë

    Presidentja, Vjosa Osmani ka uruar Ukrainën për Ditën e Pavarësisë.

    Ajo ka shkruar se zemra e një kombi rreh brenda popullit të tij dhe në mes të hijeve të një lufte gjenocidale, shpirti i ukrainasve mbetet i pathyer.

    “Zemra e një kombi rreh brenda popullit të tij dhe në mes të hijeve të një lufte gjenocidale, shpirti i ukrainasve mbetet i pathyer. Nga një tokë e forcës, demokracisë dhe shpresës në tjetrën, i urojmë popullit të guximshëm të Ukrainës Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, ka shkruar Osmani.

    Ukraina sot shënon 32-vjetorin e pavarësisë nga ish-Bashkimi Sovjetik.

    Po këtë ditë bëhen mbi 1 vite prej kur Rusia ka nisur sulmin e paprovokuar ndaj Ukrainës.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona, janë zhvendosur miliona të tjerë dhe dëmet materiale sa shkojnë e rriten.

  • Policia po e heton rastin tragjik në QKUK

    Policia po e heton rastin tragjik në QKUK

    Policia e Kosovës ka nisur veprimet hetimore për sqarimin e plotë të të rrethanave që karakterizojnë rastin e zjarrit në Klinikën e Psikiatrisë, si pasojë e të cilit humbi jetën një pacient ndërsa u helmuan pesë persona.

    Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, zëdhënësja e PK-së për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, derisa ka bërë të ditur se lidhur me rastin janë njoftuar në mesnatë.

    “Sot rreth orës 00:15, është raportuar se në klinikën e Psikiatrisë në Prishtinë, një dhomë është përfshirë nga zjarri. Policia dhe prokurori i shtetit menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit në këtë rast, një person ka vdekur si dhe pesë të tjerë kanë pranuar tretman mjekësor”, ka thënë ajo.

    Sipas Ahmetit, aktualisht Policia është e angazhuar në zbardhjen e plotë të rastit.

    “Aktualisht policia në koordinim me prokurorin ka nisur veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë rastin, që është i cilësuar si zjarrvënie dhe Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, vijoi ajo.

  • Zjarri brenda Klinikës Psikiatrike, QKUK-ja jep detaje për rastin ku mbeti i vdekur një pacient

    Zjarri brenda Klinikës Psikiatrike, QKUK-ja jep detaje për rastin ku mbeti i vdekur një pacient

    Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka dhënë detaje lidhur me rastin e zjarrit në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike, ku një pacient ka mbetur i vdekur. Nga QKUK bëhet e ditur se të helmuar kanë mbetur edhe pesë përsona, një paciente dhe katër punonjës shëndetësor.

    Sipas njoftimit, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë e ngufatjes nga tymi (asfiksioni) ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin.

    Po ashtu bëhet e ditur se një paciente tjetër dhe ekipi kujdestar i përbërë nga dy mjekë dhe dy infermiere kanë pësuar shenja të helmimit nga tymi, dhe të njëjtit kanë marrë ndihmë mjekësore.

    “Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), njofton se mbrëmë rreth orës 23:00, në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike ka ndodhur një zjarr, në njërën nga dhomat e tipit të mbyllur, ku qëndrojnë pacientët përkohësisht, pacientë në gjendje të agresivitetit dhe agjitimit të theksuar psikomotor, jo koshient për gjendjen mendore. Në të njëjtin repart, në të njëjtën kohë, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë e ngulfatjes nga tymi (asfiksioni) ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin. Gjithashtu gjatë kësaj kohe, një paciente tjetër ka pësuar shenja të helmimit nga tymi, e poashtu e tërë ekipi kujdestare, dy mjekë dhe dy infermiere të cilët gjatë ofrimit të ndihmës për pacientin në fjalë dhe evakuimit të pacientëve të tjerë, kanë manifestuar shenja të helmimit nga tymi dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente”, thuhet në njoftim.

    Rasti është duke u hetuar nga njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës.