ATV

Tag: Ballina

  • Ministria e Drejtësisë do ta pranojë draftin e opinionit të Komisionit të Venecias rreth ligjit për KPK-në

    Ministria e Drejtësisë do ta pranojë draftin e opinionit të Komisionit të Venecias rreth ligjit për KPK-në

    PËRGATITI: NORA LUTA

    Drafti i parë i opinionit të Komisionit të Venecias rreth projektligjit për Këshillin Prokurorial do t’i shkojë në zyrë Ministrisë së Drejtësisë gjatë muajit shtator, ndërsa në tetor ai final pritet të diskutohet në seancën plenare të Komisionit. Derisa Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu pret opinion pozitiv, njohës të fushës mendojnë se dërgimi i ligjit në komisionin e Vencias ka qenë domosdoshmëri.

    Ministria e Drejtësisë do ta pranojë draftin e opinionit të Komisionit të Venecias rreth ligjit për Këshillin Prokurorial gjatë muajit shtator.

    Udhëheqësja e këtij dikasteri Albulena Haxhiu thotë se presin përgjigjeje pozitive, teksa flet për dilemat që i ka pasur për dërgimin e dokumentit në këtë komision, pasi sipas saj Gjykata Kushtetuese nuk po i zbaton rekomandimet e tij.

    Megjithatë Haxhiu pritet të jetë e pranishme në seancën plenare të Komisionit të Venecias, që do të mbahet në tetor të këtij viti.

    Por monitorues të këtij procesi thonë se nuk mund të tërhiqet një paralele mes Komisionit të Venecias, dhe Gjykatës Kushtetuese.

    Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi për reformat që synon Ministria në sistemin prokurorial, dërgimi i ligjit në Komisionin e Venecias ka qenë domosdoshmëri.

    Ligjin e miratuar për KPK-në e kishte shpallur të pavlefshëm Gjykata Kushtetuese, duke gjetur vërejtje edhe në balancimin e anëtarëve prokurorë dhe joprokurorë.

    Mirëpo Qeveria miratoi projektligjin e ri gjatë muajit korrik, sipas të cilit përveç anëtarëve aktualë të Këshillit, deri në vitin 2026, KPK-së, do t’i shtohen edhe 8 anëtarë joprokurorë, të cilët do të zgjidhen nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë votash.

  • Presidentja Vjosa Osmani në shtator viziton Tiranën

    Presidentja Vjosa Osmani në shtator viziton Tiranën

    PËRGATITI: ARTON HAMITI

    Me ftesë të presidentit të Shqipërisë, Bajram Begajt, presidentja Vjosa Osmani me 4-5 shtator, pritet të qëndrojë në Tiranë. Teksa vizita po konsiderohet e rëndësisë se veçantë, opinionistë nga kryeqendra shqiptare nuk besojnë se do të ndikojë në raportet e tensionuara të dy kryeministrave, Edi Rama e Albin Kurti.

    Kryeministrat e Kosovës dhe Shqipërisë, kohëve të fundit, refuzuan ta takojnë njeri-tjetrin. Teksa, Edi Rama anuloi mbledhjen e përbashkët, Albin Kurti nuk e priti kryeministrin shqiptar në zyrë.

    Megjithatë, rrugën e tyre nuk po e ndjek edhe niveli tjetër i lartë politik në Prishtinë e Tiranë. Me ftesë të homologut shqiptar, presidentja Vjosa Osmani me 4 dhe 5 shtator do ta vizitojë Shqipërinë.

    Ndonëse nuk u zbardhen detaje, televizioni mëson se Vjosa Osmani do të pritet nga Bajram Begaj me ceremoni shtetërore. Për opinionistë nga Tirana, kjo vizitë ka rëndësi të posaçme.

    Sidoqoftë, roli i dy presidentëve vlerësohet të jetë ceremonial, pa ndonjë ndikim të madh në raportet Kurti-Rama.

    Në anën tjetër, disa nga marrëveshjet e nënshkruara në distancë mes Kosovës dhe Shqipërisë ende nuk kanë filluar të zbatohen.

    “Për shkak të nënshkrimit në distancë, meqë mbledhja fizike nuk u mbajtë, gjatë muajit të kaluar janë ndjekur procedurat e komunikimit përmes kanaleve diplomatike, çka fatkeqësisht ka vonuar edhe fillimin zbatimit të tyre. Ju informojmë se 10 nga marrëveshjet e nënshkruara hyjnë në fuqi pas nënshkrimit, ndërsa 3 marrëveshje do të hyjnë ne fuqi pas përfundimit të procedurave te miratimit ose ratifikimit.”

    Edhe pse nuk po takohen në Prishtinë e Tiranë, kryeministrat Kurti e Rama, do të jenë në një forum në Slloveni, që është planifikuar të mbahet në fund të gushtit.

  • Gara: Në Serbi janë 16 varreza masive, 5 prej të cilave të konfirmuara

    Gara: Në Serbi janë 16 varreza masive, 5 prej të cilave të konfirmuara

    Në Serbi janë afro 16 varreza masive, pesë prej të cilave të konfirmuara, ka thënë, Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit.

    Gara tha se kanë bërë kërkesë zyrtare për fillimin e gërmimeve te pala serbe, përkatësisht në lokacionet e reja por që nuk kanë marrë përgjigje.

    “Nga të dhënat zyrtare të tyre që kanë qenë publike është potencuar fakti se janë diku deri 16 varreza masive, pesë të konfirmuar deri më tani. Janë adresuar në formën e kërkesave zyrtaret për palën serbe për të filluar gërmimet në këto lokacione, apo për të caktuar datat për të vazhduar në lokacionet e pa përfunduara. Përkundër faktit që pesë varreza masive, përfshirë Batanicën, Petrovosellen, Beruzha, së fundmi Rashka do me thanë në lokacionet Rudnicës dhe Kizhevak, lokacionet si Batanica dhe Petrovosello mbesin lokacione të pa përfunduara për ne”.

    “Ka edhe një sërë lokacionesh ku për momentin nuk mund t’i bëjë publike, por mund t’i konfirmojë që janë të adresuar në formën e kërkesave zyrtarëve për palën serbe”, tha Gara.

    Për të vazhduar gërmimet, Gara thotë se duhet koordinim i plotë me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që t’i bëhet presion Serbisë që të fillohet me punë.

    Ai pohon se në këtë drejtim do të ndihmonin shumë edhe të dhënat nga arkivat e ish-Ministrisë së Mbrojtjes të ish-ushtrisë Jugosllave dhe arkivat e Ministrisë së Brendshme të ish-policisë serbe për periudhën e luftës, por edhe presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë.

  • ARKEP: Kosova ka mbi 1 milion e 700 mijë përdorues të telefonisë mobile

    ARKEP: Kosova ka mbi 1 milion e 700 mijë përdorues të telefonisë mobile

    Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka publikuar raportin “Pasqyrë e Tregut të Komunikimeve Elektronike”, i cili përfshinë ecurinë e indikatorëve kryesorë të tregut për tremujorin e dytë të vitit 2023 (TM2- 2023).

    Numri total i përdoruesve të telefonisë mobile në fund të tremujorit të dytë (TM2-2023) është 1,775,864  përkatësisht për 0.86% më i lartë krahasuar me tremujorin paraprak TM1-2023, ndërsa 2.77% me i lartë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (TM2-2022).

    Ngjashëm me numrin e përdoruesve, edhe penetrimi i shërbimeve të telefonisë mobile në periudhën raportuese ka ngritje të lehtë në krahasim me tremujorin paraprak, ndërsa me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM2 2022) gjithashtu ka ngritje. Penetrimi i shërbimeve të telefonisë mobile tani është në nivelin 97.8% të numrit të popullsisë.

    Në periudhën TM2 2023 numri i parapaguesve të telefonisë fikse është 69,500, që paraqet një rënie prej 1.2% në krahasim me tremujorin e kaluar. Norma e penetrimit të telefonisë fikse në Kosovë në këtë tremujor është 3.83%, raporton RTK.

    Norma e penetrimit të telefonisë fikse në Kosovë vazhdon të jetë shumë e ulët krahasuar me vendet e rajonit, e sidomos me shtetet e BE-së.

    Ndarja e përdoruesve të telefonisë fikse në individual dhe të biznesit për periudhën TM1 2018 deri në TM2 2023 është paraqitur në figurën e mëposhtme. Nga të dhënat në figurën mund të vërehet se struktura e parapaguesve të telefonisë fikse është në raport në mes të parapaguesve individualë dhe parapaguesve të biznesit 32% – 68%.

    Numri i linjave të internetit me qasje fikse brez gjerë deri në TM2 2023 i raportuar nga operatorët është dhënë në figurën e mëposhtme dhe shënon shifrën 399,076 parapagues të internetit. Nga kjo vërehet një rritje prej 6.4% në krahasim me TM1 2023, respektivisht rritje prej 1.7% në krahasim me TM2 2022.

    Ndërsa,penetrimi i internetit përmes qasjes fikse brezgjerë në internet për ekonomi familjare është 134.3%, përkatësisht penetrimi i internetit sipas banorëve (për 100 banorë) rezulton të jetë 21.9%.

    Numri i përdoruesve të shërbimeve të internetit mobil (Mobile Broadband) apo qasja në internet përmes rrjetit mobil 3G dhe 4G në periudhën TM2 2023 ka arritur në 1,521,569 përdoruesish e që shënon një ulje prej 2.2% krahasuar me TM1 2023, dhe një rritje prej rreth 6.4% krahasuar me TM2 2022. Në vijim është dhënë figura që paraqet krahasimin e përdoruesve me qasje 3G dhe 4G.

    “Trendi i numrit të parapaguesve të qasjes në internet përmes rrjetit mobil që nga fillimi i ofrimit të këtyre shërbimeve në treg është karakterizuar me një rritje të vazhdueshme . Në periudhën raportuese (TM2 2023) penetrimi i qasjes mobile është 84 %, ndërsa i asaj fikse 22 % për banor”, thuhet në raportin e ARKEP-it.

  • ​Rritje të ngadalësuar ekonomike edhe në vitin 2023, kërkohet reforma

    ​Rritje të ngadalësuar ekonomike edhe në vitin 2023, kërkohet reforma

    Rritje të ngadalësuar ekonomike Kosova do të ketë edhe në vitin 2023. Norma e kësaj rritjeje për këtë vit, sipas ekspertëve të ekonomisë pritet të jetë mes 3 dhe 4 për qind.

    Kjo rritje ekonomike po cilësohet si e pamjaftueshme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për uljen e papunësisë. Madje vlerësohet se nëse ky trend vazhdon kështu, edhe niveli i migrimit do të rritet.

    Drejtoresha ekzekutive e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK), Zana Beqiri thotë se vendi ka shënuar ngecje ekonomike këtë vit.

    Beqiri thekson se pavarësisht që Kosova ka mundësi shumë të mira të zhvillohet ekonomikisht, shton se qeveria nuk është ka seriozitet për punë në këtë drejtim.

    “Mundësitë janë shumë të mira, Kosova i ka mundësitë shumë të mira, ka kompani mjaftë serioze, ka investitor dhe bashkë atdhetar që duan të investojnë, mirëpo këtu vihet në pikëpyetje sa është e interesuar qeveria që të investojë bashkë me qytetarët e vet. Sepse, investitori më serioz që është qeveria, ka ngecur me investime, po mburret me mungesë të projekteve dhe me mungesë të borxhit publik”, thotë Beqiri.

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna thekson për KosovaPress, se parashikimet për rritje ekonomike këtë vit janë 3.5 deri 3.7 për qind.

    Këto parashikime, sipas tij janë edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare.

    “Parashikimet tona sillen me ato që i kanë dhënë FMN-ja dhe Banka Botërore që në këtë vit rritja ekonomike do të sillet 3 deri 3.7 për qind, ashtu siç është duke shkuar trendi ekonomike sot derisa po flasim”, thekson Rafuna.

    Ndërkaq, profesori i ekonomisë, Florin Aliu ka akuzuar qeverinë për mungesë të reformave të mirëfillta në vend. Sipas tij, rritja ekonomike në vend do duhej të ishte së paku dyfishi i asaj që është theksuar në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës për një normë deri 4 për qind.

    Aliu derisa thotë se qeveria ka ngecur në zhvillimin ekonomik. Teksa shton se nëse qeveria nuk gjen mekanizma për të zhvendosur rritjen ekonomike, parametrat e tjerë janë krejtësisht të parëndësishëm.

    “Neve na nevojitet një rritje ekonomike për rreth 8 për qind, e cila mund të zvogëlojë këtë nivel të papunësisë, sepse potenciali ekziston. Në mesin e të rinjve, papunësia është edhe më e lartë, kjo tregon edhe fakti emigrimit kaq i madh i njerëzve, e cila kryesisht po ndodh për arsyeje ekonomike, pra janë të ardhurat e ulta. Ne duhet të gjejmë mekzanizma si të zhvendosim rritjen ekonomike, nëse këtë nuk arrijmë, atëherë parametrat tjerë janë të parëndësishme, sepse nëse kemi rritje ekonomike më të madhe, është buxheti më i madh, ka investime më shumë në çdo sektor”, thotë Aliu.

    Derisa ka kërkuar nga qeveria të krijojë reforma të mirëfillta, ai thotë se nëse ky trend vazhdon kështu, edhe niveli i migrimit do të rritet.

    “Kjo qeveri shumë pak është identifikuar për reforma, ose hiç, nuk mbaj mend ndonjë reformë serioze, e cila do të bënte një shpresë që potencialin e zhvillimit do e zhvendoste në një nivel më të lartë, e të mos diskutohen sanksionet nga BE-ja, ne varemi shumë edhe nga fondet…Në qoftë se ekonomia përkon më mirë, atëherë gjithë parametrat tjerë rregullohen, edhe migrimi fillon të ndalet, edhe krimi siç është paraqitur tash fillon të ulet, sepse njerëzit e punësuar kanë më pak kohë të merren me probleme. Prandaj, gjithmonë fokusi duhet të jetë ekonomia, reforma…Nëse ne vazhdojmë me këtë nivel të migrimit, atëherë rrezikojmë edhe qëndrueshmërinë ekonomike, por edhe rrezikojmë njerëzit e tjerë në Kosovë, migrantë”, shton mes tjerash Aliu.

    Në vitin e kaluar vendi pati normën e Bruto Prodhimit Vendor (BPV) rreth 3 për qind.

  • Pritje deri në dy orë për të dalë nga Kosova përmes pikës kufitare të Merdarit

    Pritje deri në dy orë për të dalë nga Kosova përmes pikës kufitare të Merdarit

    Pritjet e mërgimtarëve për të dalë nga Kosova po vazhdojnë ende të jenë të gjata edhe këtë fundjavë.

    Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar,  pritjet për të dalë nga Kosova përmes pikë-kalimit kufitar në Merdar mëngjesin e hershëm të së shtunës shkojnë deri në dy orë.

    Sipas këtyre raportimeve bëhet e ditur se bashkatdhetarët po presin në një kolonë prej 1000 metrash.

    Pritje për të dalë nga Kosova ka edhe në pikë-kalimin kufitar Dheu i Bardhë deri në 70  minuta, e që kolona shkon deri në 300 metra.

    Në pikë-kalimin tjetër kufitar me Serbinë, Mutivodë pritjet për të dalë nga Kosovë shkojnë deri në një orë derisa radhët shkojnë deri në 200 metra.

    Në pikat tjera kufitare nuk raportohet për kolona e pritje të gjata, por procedurave të zakonshme administrative.

    Përditësimet e të dhënave janë të orës 7:49.

  • ​25 vjet nga vrasja e 11 anëtarëve të familjes Asllani

    ​25 vjet nga vrasja e 11 anëtarëve të familjes Asllani

    Më 26 gusht të vitit 1998, artileritë serbe, vranë 11 anëtarë të familjes Asllani në fshatin Rancë të Shtimes, prej të cilëve 8 ishin fëmijë të moshave të ndryshme dhe tri gra.

    Në këtë ngjarje të dhimbshme, kanë humbur jetën: Jalldyze Asllani (1934), Halide Asllani (1963), Ajshe Asllani (1971), Burim Asllani (1985), Lumnije Asllani (1986), Ejup Asllani (1988), Luljeta Asllani (1991), Shpend Asllani (1993), Xhafer Asllani, (1995), Antigona Asllani (1997) dhe Albiona Asllani (1998). Atë ditë të kobshme në këtë fshat nga forcat serbe u ekzekutua edhe plaku 96-vjeçar Zeqir Asllani.

  • Escobar e falënderon Kovachevskin për marrëveshjen Kosovë-Serbi në Ohër: Do të përfitojë i gjithë rajoni

    Escobar e falënderon Kovachevskin për marrëveshjen Kosovë-Serbi në Ohër: Do të përfitojë i gjithë rajoni

    I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të premten zhvilloi vizitë zyrtare në Shkup.

    Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, emisari takoi mes tjerësh presidentin Stevo Pendarovski e kryeministrin, Dimitar Kovaçevski.

    Arsye kryesore e vizitës së Escobar, ishte ofrimi i përkrahjes amerikane të proceseve euro-integruese për Maqedoninë e Veriut, me fokus ndryshimet kushtetuese, njofton Klan Kosova.

    E në konferencën e përbashkët me shefin e qeverisë në Shkup, mysafiri nga Uashingtoni, foli edhe për dy vende fqinje të Maqedonisë së Veriut.

    Më 18 Mars në Ohër, Kosova e Serbia, pa nënshkruar arritën ujdi mbi Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes Bazë, të pajtuar më 27 shkurt të këtij viti. Escobar, që e quan “historike” pajtimin në fjalë, e çmon lartë rolin e Shkupit zyrtarë në këtë proces.

    “Dhe së fundmi duke na ndihmuar për të arritur një marrëveshje historike mes Serbisë e Kosovës mbi normalizimin që do të përfitojë i gjithë rajoni. Pa ju ne nuk kishim mundur ta bëjmë këtë gjë. Unë vërtet e çmoj. Dua ta përmendë se në çdo hap të sfidave tona, pra sfidave amerikane ne kemi llogaritur në Maqedoninë e Veriut”, tha zyrtari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH).

    Emisari nga Uashingtoni e quan rajonin me gjashtë shtete (Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja, Serbia e Maqedonia e Veriut) që janë aspiruese për të hyrë në Bashkim Evropian, si pjesën më premtuese të Evropës.

    “Evropa, ka nevojë për ju, Amerika ka nevojë për ju, brenda Evropës. Kështu që është shpresa jonë që s’i partneri juaj më i ngushtë strategjik, si miku juaj më i ngushtë, si dikush që ka përfituar direkt nga ky partneritet edhe ju mund të përfitoni nga partneriteti jonë. Derisa ju duhet të bëni zgjidhje të vështira, drejt një të ardhme më të ndritur”, theksoi Escobar.

    E kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevksi, çmoi lartë kontributin e Shteteve të Bashkuara, për vendin e tij e gjithë rajonin, duke konsideruar procesin e nisur të amendamenteve kushtetuese, si kyç drejt hyrjes në BE.

  • Nagavci tregon se sa prindër kanë aplikuar sot për subvencionimin e librave shkollor

    Nagavci tregon se sa prindër kanë aplikuar sot për subvencionimin e librave shkollor

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka treguar se deri në orën 19, kanë aplikuar 11,800 prindër për subvencionim për librat e fëmijëve

    Ajo njoftoi se aplikimi për subvencionim do të jetë I hapur deri në fund të muajit shtator.

    “Deri në ora 19:00 kanë aplikuar gjithsej 11,800 prindër ose kujdestarë ligjor. Mundësia për të aplikuar do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator, me qëllim që asnjë nxënës të mos mbetet pa u pajisur me tekste shkollore”, ka shkruar ajo në një postim në “Facebook”.

    Postimi i plotë:

    Të nderuar prindër,

    📚🎒✏️Kemi hapur sot platformën për aplikim për subvencionimin e teksteve shkollore.

    ⏰Deri në ora 19:00 kanë aplikuar gjithsej 11,800 prindër ose kujdestarë ligjor.

    ❗️Mundësia për të aplikuar do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator, me qëllim që asnjë nxënës të mos mbetet pa u pajisur me tekste shkollore.

    📍Nga Drejtoritë komunale të arsimit kemi kërkuar që listat për tekstet mësimore të zgjedhura nga aktivat profesionale, t’i bëjnë publike në shkolla dhe në uebfaqet e tyre, ashtu që prindërit të kenë të dhënat e nevojshme për tekstet që do të blejnë për fëmijët e tyre. Jemi të njoftuar poashtu se mësimdhënësit tashmë kanë filluar t’i ndajnë këto lista me prindërit.

    📙📘📗📕Shtëpitë botuese kanë publikuar katalogjet e teksteve mësimore me çmimet përkatëse dhe kemi marrë zotimin që çmimet nuk do të rriten e poashtu që sasia e teksteve është e mjaftueshme për numrin e nxënësve.

    🟢Institucionet edukativo-arsimore me fillimin e vitit të ri shkollor, përmes DKA-ve, do të na informojnë në lidhje me fillimin e vitit të ri shkollor, duke evidentuar edhe rastet eventuale të nxënësve të cilët mund të mos jenë pajisur me tekste shkollore si rezultat i mos-pranimit të mjeteve nga ana e prindërve për çfarëdo arsye.

    🖇️Të gjitha rastet e adresuara nga shkollat/ DKA-të apo në emailin [email protected] do të trajtohen ashtu sikurse do të adresohet çdo shqetësim teknik apo tjetër dhe asnjë nxënës nuk do të mbetet pa përfituar mbështetjen për tekstet dhe mjetet mësimore.

    🍀Suksese!

  • ​MASHTI: Paratë për tekste shkollore do të dalin nga java e ardhshme

    ​MASHTI: Paratë për tekste shkollore do të dalin nga java e ardhshme

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se e ka hapur platformën për aplikim për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore. Në njoftim është bërë e ditur se mjetet do të dalin në xhirollogaritë nga fillimi i javës së ardhshme.

    MASHTI ka njoftuar se aplikimi për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore mund të bëhet në platformën “e-Kosova” deri në fund të muajit shtator.

    Ky është linku për aplikim: https://ekosova.rks-gov.net/Service/5