ATV

Tag: Ballina

  • “Kosova s’ është shtet”, përplasen Kurti e Brnabic në Bled

    “Kosova s’ është shtet”, përplasen Kurti e Brnabic në Bled

    PËRGATITI: ARMAND HOTI

    Kryeministri Albin Kurti ka reaguar ndaj deklaratës së homologes së tij serbe, Ana Brnabiq, e cila në panelin e mbajtur në Forumin Strategjik të Bledit, ka thënë se ekziston vetëm një shtet dhe jo dy, pasi, sipas saj, Kosova nuk është e njohur ndërkombëtarisht. Veç polemikave të liderëve të Kosovës dhe Serbisë, në këtë forum është diskutuar edhe për zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe integrimin e shteteve, me ç’rast liderët e Shqipërisë dhe Malit të Zi patën kritika në BE-në.

    Gjatë punimeve të Forumit Strategjik të Bledit, të mbajtur në Slloveni, në një pjesë të fjalimit të tij, kryeministri Albin Kurti foli për hapat që ka ndërmarrë Kosova për deeskalimin e situatës në Veri.

    “Ne kemi nevojë për deeskalim, duhet t’i zbusim tensionet, janë bërë diku dy muaj tani që në veri të Kosovës nuk ka pasur protesta të dhunshme, apo incidente. Ne e kemi ulur dy herë nga 25% prezencën e Policisë së Kosovës në objektet komunale dhe po shikojmë të kemi zgjedhje të parakohshme në komunat veriore.”

    Mirëpo, fraza “normalizimi i raporteve mes dy shteteve”, nuk u prit fare mirë nga kryeministrja serbe, Ana Brnabic. Sipas saj, nuk bëhet fjalë për dy shtete, por vetëm një, atë të Serbisë.

    “Për mua është një shtet, nuk janë dy shtete. Kosova nuk është pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Dyshoj të jetë pjesë e BE-së, derisa ka pesë vende që nuk e njohin. Normalizimi është në interes të serbëve e shqiptarëve. Normalizimi fillon me marrëveshjen e Brukselit të nënshkruar në prill të 2013-ës, si marrëveshja e parë për normalizimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës. E vetmja gjë që Prishtina duhet të bënte bazuar në atë marrëveshje është themelimi i Asociacionit. Zotëri Kurti thotë se për të, ajo marrëveshje nuk ekziston.”

    Por ndaj deklaratës së Brnabiq ka reaguar menjëherë kryeministri kosovar.

    Ndonëse, moderatori ia dha vetëm dhjetë sekonda kohë për replikë, Kurti gjatë kundërpërgjigjes ia përmendi homologes së tij realitetin e fantazinë, deklaratë kjo e cila edhe u duartrokit në sallë.

    “Mbështetja e Kosovës për BE-në është 95 për qind, në Serbi është 45 për qind. Ne kemi vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse, Serbia nuk është duke menduar për këtë. Ata nuk e kanë distancuar veten e tyre as nga Millosheviqi, as nga Putini. Nuk është e lehtë për ne. Unë dua që t’i normalizojmë marrëdhëniet dhe do ta bëja këtë menjëherë, p.sh., nëse fqinji im do të ishte Republika Çeke. Mund të ndodhë, por, normalizimi në psikologji do të thotë mungesa e konfuzionit mes realitetit dhe fantazisë dhe ky është një regjistër tjetër ku unë nuk mund të kontribuoj, për fat të keq.”

    Përveç situatës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në panelin e diskutimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor, është folur edhe për integrimin në Bashkimin Evropian të shteteve të rajonit. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, bëri thirrje që viti 2030 të caktohet si afati deri kur Bashkimi Evropian dhe vendet kandidate të jenë të gatshëm për zgjerim.

    Megjithatë, liderët e vendeve të Ballkanit patën kritika sa i takon procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    “Jam shumë i kënaqur të shoh liderë, politikanë që flasin njësoj, si në darkë si para forumit. Jo që do jemi pjesë e BE-së në 2030, por së paku në disa prej hapave, kjo do ishte e mirë derisa flasim për konvergjencën e BE-së. Që prej momentit që këto shtete kanë hyrë në rrugëtimin evropian, e derisa të bëhen anëtare, duhet të ketë gjëra të ndërmjetme. Jo vetëm reforma dhe kritika që janë po aq të rëndësishme, por edhe një mbështetje më konsistente dhe nuk po them vetëm financiarisht, por në kuptimin e qasjes së vendit tonë në tregun e përbashkët dhe një hapësirë më të lirë për ndërmarrjet tona.”

    “Ne jemi shteti i diellit dhe i qejfit, nuk kemi problem me askënd dhe lufta kundër korrupsionit e krimit po shkon mirë. Ndonjëherë liderët e BE-së nuk e dinë se çfarë po kërkojnë. Ne e dimë se çfarë po kërkojmë: ne duam të bëhemi pjesë e BE-së, sa më shpejt që është e mundur. Unë nuk jam shumë i sigurt se ndonjëherë udhëheqësia e BE-së e di çfarë po kërkon.”

    Qëllimi i Forumit Strategjik të Bledit është të inkurajojë pjesëmarrësit, që vijnë nga fusha e diplomacisë, politikës, ekonomisë të diskutojnë dhe të shkëmbejnë mendime për të gjetur zgjidhje për sfidat rajonale dhe globale.

  • Nisin adoptimet e para të qenve endacakë në Prishtinë

    Nisin adoptimet e para të qenve endacakë në Prishtinë

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI

    Janë bërë publike adoptimet e para të qenve endacakë dhe kontrata për adoptimin e këtyre kafshëve. Nga 25 qen endacakë të gatshëm për adoptim, dy prej tyre kanë shprehur gatishmëri t’i adaptojnë dy qytetarë. Mirëpo, sipas qytetarëve, vendimi i Komunës nuk është zgjidhje e mirë.

    Vetëm dy qytetarë kanë nënshkruar kontratë me Komunën e Prishtinës, për adoptimin e qenve endacakë.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, me këtë rast ka kërkuar nga të gjithë qytetarët që të kujdesen për kafshët.

    “Jemi me dy adoptues të qenve endacakë që janë ofruar. Kontratën e kemi të gatshme, kontrata ka përgjegjësi edhe nga ana e kryeqytetit, por edhe për ata që adoptojnë qentë endacakë. Është kontratë e dyanshme me përgjegjësi të dyanshme”.

    Mirëpo, pavarësisht që ky është vendim i Komunës së Prishtinës, për qytetarët nuk është zgjidhje.

    “Kategorikisht jam kundër kësaj, duhet diçka ma humane për qentë jo në këtë mënyrë”.

    “Problemi nuk zgjidhet duke bo kontraktime me kompani të palicencuara, pa transparencë, duke e shkelë ligjin, hapësirat po krijohen duke i keqpërdorur fondet e duke i keqtrajtuar qentë”.

    Edhe avokati Arianit Koci, i cili njihet si aktivist për mbrojtjen e qenve endacakë, ka thënë se zyrtarët komunalë në bashkëpunim me AUV-in, nuk kanë bërë zgjidhje të duhur.

    “Kam biseduar edhe me zyrtarë komunalë, edhe me AUV-in, po luajnë pingpong sa i përket përgjegjësisë, nuk është zgjidhje e duhur”.

    Mirëpo, për këtë vendim vazhdon të arsyetohet Komuna e Prishtinës. Sipas drejtorit të sigurisë dhe emergjencave, kjo është e vetmja zgjidhje aktualisht.

    “Problemi me qentë nuk mund të themi se po zgjidhet plotësisht, mirëpo zgjidhje tjetër nuk kemi në krahasim me numrin e madh te tyre”.

    Qendra për Trajtimin e kafshëve aktualisht ka kapacitet për trajtimin dhe mbajtjen e 25 qenve, mirëpo sipas të dhënave të organizatave që merren me të drejtat e kafshëve, vetëm në Komunën e Prishtinës janë mbi 3 mijë qen endacakë.

     

     

  • Kurti për televizionin slloven: Bullizimi i Beogradit është problem, na duhet ndihma e ndërkombëtarëve

    Kurti për televizionin slloven: Bullizimi i Beogradit është problem, na duhet ndihma e ndërkombëtarëve

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke qëndruar në Slloveni, ku po merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit.

    Ai ka dhënë një intervistë për Radiotelevizionin e Sllovenisë RTV SLO, një pjesë të shkurtër të të cilës e ka shpërndarë në ‘story’ në profilin e tij në Facebook.

    Kurti ka thënë se Beogradi po bën gjithçka që mos t’i lejojë serbët në Veri të integrohen dhe për këtë ka thënë se ka nevojë për ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht të Bashkimit Evropian.

    “Beogradi po bën gjithçka që mos t’i lejojë serbët në Veri të integrohen, kështu që ky bullizim i Beogradit është problem për vendin tonë, për çka kemi nevojë për ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht të BE’së”, tha Kurti.

  • Lajçak në Forumin Alpbach takohet me Osmanin: E nisa sezonin e vjeshtës me biseda pasuruese

    Lajçak në Forumin Alpbach takohet me Osmanin: E nisa sezonin e vjeshtës me biseda pasuruese

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, në margjinat e forumit Alpbach të Austrisë.

    Ai ka shpërndarë disa fotografi të takimeve, ndër të tjera edhe atë me presidenten Osmani.

    “E nisa sezonin e vjeshtës me dy ditë bisedash pasuruese rreth asaj se çfarë do të thotë për Evropën të jetë e guximshme. Mirë për të diskutuar me ekspertë, kolegë, miq dhe më e rëndësishmja me të rinjtë tanë në këtë vit”, ka shkruar Lajcak.

  • Punëtorët e sigurimit fizik në KEK protestojnë për të dytën herë me radhë gjatë këtij muaji

    Punëtorët e sigurimit fizik në KEK protestojnë për të dytën herë me radhë gjatë këtij muaji

    Punëtorët e sigurimit fizik në Korporatën Energjetike të Kosovës kanë protestuar të hënën para objektit të KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës.

    Protesta nisi në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke vazhduar përpara zyrave të KEK-ut dhe objektit të Qeverisë, derisa në shenjë pakënaqësie ata hodhën edhe vezë para zyrave të KEK-ut.

    Kjo protestë, e dyta me radhë gjatë këtij muaji, po mbahet për shkak të mospërmbushjes së premtimit nga pushteti për kthimin e tyre në kuadër të KEK-ut./atvlive.tv/

  • “Njohja reciproke parakusht”/ Kurti: Ballkani Perëndimor duhet të mbështesë zgjerimin, të kryhen reformat

    “Njohja reciproke parakusht”/ Kurti: Ballkani Perëndimor duhet të mbështesë zgjerimin, të kryhen reformat

    Zyra e Kryeministrit ka dhënë detaje për darkën e mbrëmshme të punës të ftuar nga kryeministri i Sllovenisë, Golob në kuadër të Forumit të Bledit, ku mori pjesë edhe Albin Kurti.

    Nën temën “Solidaritet për Sigurinë Globale” brenda së cilës po zhvillohet forumi këtë vit, gjatë darkës u diskutua për bashkëpunimin rajonal, anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe sigurinë.

    Sipas ZKM-së, kryeministri ka theksuar rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar në Procesin e Berlinit ku veçoi atë për lirinë e lëvizjes.

    “Më 1 janar 2024 të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian ndërkohë që do të ju kërkohen viza për në Bosnje dhe Hercegovinë. Në këto 50 ditët e mbetura para Samitit në Tiranë, është e rëndësishme që të fillojë zbatimi i plotë i tri marrëveshjeve që kemi nënshkruar në Berlin.

    Kryeministri mirëpriti thirrjet e Kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, për fokusim në zgjerimin e Bashkimit Evropian si dhe mundësitë për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nënvizoi respektimin e pakicave dhe njohjen reciproke si parakusht.”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu Kurti ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet të zgjerohet.

    “Ballkani Perëndimor duhet të mbështesë zgjerimin dhe vendet aspirante duhet të kryejnë reformat të cilat përshpejtojnë anëtarësimin.”

  • Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimit, do dalin para trupit gjykues përsëri sot.

    Seanca pritet të zhvillohet me fillim nga ora 09:00.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.

  • Lajçak paralajmëron takime me Kurtin dhe Vuçiqin

    Lajçak paralajmëron takime me Kurtin dhe Vuçiqin

    Miroslav Lajçak, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka treguar për takimin të cilin në Bruksel e kishte me Gabriel Escobarin, emisarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor.

    Lajçak ka thënë se ky takim ishte koordinues për sfidat që i presin – përmendi situatën në Veriun e Kosovës, për të cilën Lajçak thotë se de-përshkallëizmi i tij mbetet lartë në agjendën e tij.

    Në lidhje me këtë, Lajçak në vazhdim paralajmëroi për takime me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, si dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    ”Ndërsa ritmi në Bruksel u ngadalësua gjatë verës, sfidat në Ballkanin Perëndimor nuk u zhdukën. Një fushë e veçantë që ka mbetur lart në agjendën time është situata në veri të Kosovës”, ka shkruar Lajçak në Facebook, të dielën.

    ”Për t’u përgatitur për muajt e ardhshëm dhe për të forcuar më tej përpjekjet tona të përbashkëta, ftova Zëvendës Ndihmës Sekretarin Escobar në Bruksel për diskutime të thelluara dhe takime koordinuese. Së bashku me ekipet tona diskutuam në detaje çështjet e dialogut, ndamë vlerësime të situatës aktuale, zhvillimet e muajve të fundit dhe pritshmëritë për periudhën e ardhshme. Dhe ne gjithashtu u siguruam që të harmonizonim hapat dhe prioritetet e nevojshme të ardhshme”.

    ”Përpara qirasë tradicionale të javës së ardhshme në Bruksel, do të udhëtoj për në Alpbach, Bled dhe Beograd, ku do të takohem me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç, por edhe me një numër partnerësh, miqsh dhe ekspertësh për Ballkanin Perëndimor dhe global. zhvillimet politike”, ka thënë ai.

    Në Veriun e Kosovës ka pasur situatë të përshkallëzuar, poqë ishte arritur një marrëveshje në mes Kosovës dhe Brukselit.

    Brukseli kërkon nga Qeveria e Kosovës që të zbatojë të gjitha pikat e marrëveshjes në mënyrë që Brukseli t’i shfuqizojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

  • Prishtina Parking ndryshon orarin e parkingjeve në Qendër

    Prishtina Parking ndryshon orarin e parkingjeve në Qendër

    Ndërmarrja Publike Lokale Prishtina Parking ka njoftuar se nga 28 gushti do të ndryshohet orari i parkingjeve në Zonën 1, e njohur si Qendra e Qytetit.

    Kjo kompani ka njoftuar të dielën në Facebook se konform Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës, nga ora 07:00 deri në 23:00, nga e hëna deri të shtunën parkingu do të mund të shfrytëzohet me pagesë. Deri më tani, orari i parkingut me pagesë ka qenë deri në orën 19:00.

    “Konform Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës nga data 28.08.2023 do të ndryshohet orari i parkingjeve (parkingje komerciale dhe rezidenciale) në Zonën 1 (Qendra e Qytetit), duke filluar nga ora 7:00 deri në ora 23:00, nga e hëna deri të shtunën”, thuhet në njoftim.

    Në Zonën 1, parkingu për një orë kushton 1 euro.

  • Kurti në Slloveni flet me Abazoviqin dhe Ramën

    Kurti në Slloveni flet me Abazoviqin dhe Ramën

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Forumin Strategjik të Bledit – BSF 2023, ka marrë pjesë në darkën e punës së ftuar nga kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Robert Golob.

    Kurti në darkën e punës së kryeministrit të Sllovenisë, është parë teksa bisedon me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, kjo pasi janë ulur afër njëri-tjetrit.

    Kurti ka udhëtuar sot për në Bled të Sllovenisë për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit, ku nesër do të jetë pjesë e një paneli të diskutimit së bashku me liderë të rajonit, si dhe do të zhvillojë disa takime bilaterale.